Investimet në fshat kthejnë traditën në zhvillim, Denaj sjell shembullin e bujtinës në Tropojë
TIRANË, 26 korrik/ATSH/ Politikat e qeverisë për mbështetjen e fermerëve dhe zhvillimin rural po japin rezultate konkrete në zonat malore të vendit, duke krijuar mundësi reale ekonomike për banorët lokalë dhe duke nxitur turizmin e qëndrueshëm.
Bujtina “Plis”, e ndërtuar me standarde moderne, por që ruan frymën e shtëpive tradicionale të Alpeve, është një shembull i shkëlqyer i mënyrës se si investimet në traditë, natyrë dhe mikpritje mund të shndërrohen në një atraksion turistik të jashtëzakonshëm.
Ajo ofron një përvojë autentike shqiptare mes maleve madhështore të Tropojës, me ushqim bio nga prodhimet e zonës dhe qetësinë e natyrës së egër e të paprekur.
Ky projekt jo vetëm që nxit turizmin lokal, por gjithashtu fuqizon ekonominë rurale, duke krijuar vende pune dhe duke mbajtur të rinjtë në zonat e tyre. Ai dëshmon se politikat e mbështetjes për fermerët dhe sipërmarrësit ruralë janë një instrument efektiv për zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë malore.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, bëri të ditur se përmes Skemës Kombëtare të Investimeve, çdo fermer ka mundësinë të përfitojë financim me 50% grant dhe mbështetje nga Kredia e Butë, e kombinuar me Garancinë Sovrane.
Kjo skemë u ofron fermerëve një normë interesi vetëm 2%, duke e bërë financimin më të përballueshëm dhe të leverdishëm për sipërmarrjet në bujqësi dhe agroturizëm. Ajo shtoi se përveç kësaj, mbulimi i kolateralit arrin deri në 70%, duke ulur ndjeshëm barrën financiare për aplikantët.
Për zonat malore, mbështetja është edhe më e madhe falë Paketës së Maleve, e cila synon të fuqizojë zhvillimin ekonomik dhe të nxisë qëndrueshmërinë e jetesës në këto zona të thella.
/r.e/
The post Investimet në fshat kthejnë traditën në zhvillim, Denaj sjell shembullin e bujtinës në Tropojë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.