Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 7 August 2025Main stream

Ganë/ Rrëzohet helikopteri, humbin jetën dy ministra

By: Re Nato
6 August 2025 at 22:31

Një helikopter ushtarak u rrëzua në rajonin Ashanti të Ganës jugore të dielën dhe si pasojë e aksidentit ajror mbetën të vdekur tetë personat që ndodheshin në bord.

Helikopteri ushtarak Z-9 u rrëzua në rrethana të paqarta menjëherë pas ngritjes nga kryeqyteti Accra, gjatë rrugës për në qytetin Obuasi.

Si pasojë e përplasjes kanë ndërruar jetë edhe ministrat e Mbrojtjes dhe Mjedisit të vendit. Julius Debra, shefi i Shtabit të Presidentit John Mahama, njoftoi në një konferencë për shtyp se ministri i Mbrojtjes Edward Omane Boama dhe ministri i Mjedisit, Shkencës dhe Teknologjisë Ibrahim Murtala Mohammed u vranë tragjikisht në aksident.

Gjithashtu u vranë Alhaji Muniru Mohammed, zv/Koordinatori i Sigurisë Kombëtare dhe ish-Ministri i Bujqësisë, Samuel Sarpong, nënkryetari i Kongresit Demokratik Kombëtar (NDC), ish-kandidati parlamentar Samuel Aboajye dhe tre anëtarë të ekuipazhit.

“Është një tragjedi kombëtare”, tha Julius Debra, duke njoftuar se flamujt në të gjithë vendin do të ulen në gjysmë shtizë, pasi është ditë zie në Gana.

Kroacia prezanton armën e re teknologjike dronin FPV

By: Re Nato
6 August 2025 at 22:03

Ministri kroat i Mbrojtjes, Ivan Anushiq ka shpërndarë në rrjetet sociale një video që tregon veprimin e dronëve FPV kroatë gjatë një stërvitjeje demonstrative në Knin.

Në video shihet një dron që fluturon drejt një objektivi dhe përplaset me të gjersa nga objektivi shpërthen një flakë.

Dronët FPV janë mjete ajrore pa pilot që kontrollohen në mënyrë që piloti të shohë në kohë reale pamjen nga kamera e dronit, sikur të ishte vetë duke fluturuar, raporton index.hr.

“Ushtria kroate dje për herë të parë demonstroi përdorimin e dronëve luftarakë FPV të prodhuar në Kroaci përmes një stërvitjeje të Komandës së Forcave Speciale, ku u tregua shkatërrimi i një pozicioni të fortifikuar armik”, deklaroi Anushiq.

“Bëhet fjalë për një armatim të ri që përbën një hap të madh përpara në modernizimin dhe pajisjen e Forcave të Armatosura me zgjidhje teknologjike të industrisë mbrojtëse kroate”, shtoi ai.

Mbi 35 palestinezë vriten duke kërkuar ushqim në Gazë

By: Re Nato
6 August 2025 at 21:27

Të paktën 38 palestinezë janë vrarë të mërkurën në Rripin e Gazës derisa kërkonin ndihma në kamionët e Kombeve të Bashkuara dhe në qendrat e drejtuara nga një kontraktor amerikan i mbështetur nga Izraeli, sipas zyrtarëve lokalë të shëndetësisë.

Ushtria izraelite tha se ka shtënë me armë në mënyrë paralajmëruese kur turmat e njerëzve i ishte afruar forcave të saj.

Ndërkohë, 25 palestinezë të tjerë, përfshirë disa gra dhe fëmijë, u vranë nga sulmet ajrore izraelite, sipas spitaleve lokale në Gazë.

Ushtria deklaroi se objektivat e saj janë vetëm militantët e Hamasit – grupit të shpallur organizatë terroriste nga SHBA dhe BE.

Vdekjet e fundit ndodhën në një kohë kur pritet që kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu, të njoftoi për veprime të mëtejshme ushtarake – dhe mbase plane që Izraeli ta ripushtojë plotësisht Gazën.

Yesterday — 6 August 2025Main stream

Armëpushimi në Ukrainë, Trump planifikon të takohet me Putin javën e ardhshme

By: Re Nato
6 August 2025 at 21:08

Donald Trump synon të takohet personalisht me Vladimir Putinin që javën e ardhshme, raporton New York Times, duke cituar dy persona të njohur me planin e presidentit amerikan.

Trump planifikon të pasojë takimin e tij me udhëheqësin rus me një takim tjetër midis tij, Putinit dhe Volodymyr Zelensky të Ukrainës.

Presidenti i zbuloi planet në një telefonatë me udhëheqësit evropianë sonte në mbrëmje, sipas burimeve.

Takimet do të përfshijnë vetëm Trump, Putin dhe Zelensky.

 

Zelensky pas takimit Witkoff-Putin: Rusia duket më e prirur për armëpushim

By: Re Nato
6 August 2025 at 20:23

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelesky deklaroi se Rusia duket më e prirur për një armëpushim, pas takimit të sotëm midis të dërguarit të SHBA-së Steve Witkoff dhe Vladimir Putin.

“Presioni mbi ta funksionon”, tha Volodymyr Zelensky në rrjetet sociale, shkruan Sky News.

“Por gjëja kryesore është që ata të mos na mashtrojnë në detaje – as ne dhe as SHBA-në.”, shtoi presidenti ukrainas.

Donald Trump diskutoi takimin e Witkoff me Putinin gjatë një telefonate me Zelenskyy dhe udhëheqës të tjerë evropianë, përfshirë Sir Keir Starmer, këtë mbrëmje.

I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trump, Steve Witkoff, ka zhvilluar një takim shumë produktiv dhe me rëndësi të veçantë me presidentin e Federatës Ruse, Vladimir Putin.

Ky takim u konsiderua si një hap domethënës drejt uljes së tensioneve dhe gjetjes së një zgjidhjeje të mundshme për konfliktin aktual.

Sipas deklaratës së Trumpit, gjatë diskutimeve është bërë përparim i konsiderueshëm dhe janë identifikuar pika të përbashkëta që mund të shërbejnë si bazë për negociata të mëtejshme./abcnews.al

 

Zjarr në tre fshatra të Finiqit/ Terreni i vështirë për zjarrfikësit, për shuarjen e flakëve edhe një helikopter

By: Re Nato
6 August 2025 at 20:02

Një zjarr i përmasave ka nisur në zonën pyjore, i shtrirë në tri fshatra, Dhivër, Cerkovicë dhe Shëndre, të Bashkisë Finiq.

Zjarri erdhi si shkak i një rrufeje mbasditen e së martës, ndërsa ka marrë përmasa sot.

Situata është e rënduar dhe u është bërë thirrje banorëve të fshatrave të jenë të vëmendshëm.

Në ndihmë ndodhen sherbimet zjarrfikëse të Finiqit, Sarandës dhe Konispolit, teksa është angazhuar edhe një helikopter në shuarjen e zjarrit. Nisur nga terreni i vështirë efektivët dhe zjarrfikësit ndihmojnë në shuarjen e zjarrit me pompa në krahë./abcnews.al

Trump: Witkoff kishte takim shumë produktiv me Putinin

By: Re Nato
6 August 2025 at 19:40

I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trump, Steve Witkoff, ka zhvilluar një takim shumë produktiv dhe me rëndësi të veçantë me presidentin e Federatës Ruse, Vladimir Putin.

Ky takim u konsiderua si një hap domethënës drejt uljes së tensioneve dhe gjetjes së një zgjidhjeje të mundshme për konfliktin aktual.

Sipas deklaratës së Trumpit, gjatë diskutimeve është bërë përparim i konsiderueshëm dhe janë identifikuar pika të përbashkëta që mund të shërbejnë si bazë për negociata të mëtejshme.

Pas këtij takimi diplomatik, lideri amerikan tha se ka komunikuar dhe ka përditësuar disa prej aleatëve më të rëndësishëm evropianë mbi ecurinë e bisedimeve dhe hapat e ardhshëm që pritet të ndërmerren.

Ai theksoi se ka një dakordësi të gjerë ndërkombëtare që lufta duhet të marrë fund sa më shpejt, dhe se është në interesin e të gjithëve që paqja dhe stabiliteti të rivendosen në rajon.

Rubio: SHBA-të do të vendosin së shpejti për sanksionet ndaj Rusisë

By: Re Nato
6 August 2025 at 18:51

Marco Rubio tha se shpreson të bëjë njoftime më vonë sot nëse sanksionet e mundshme kundër Rusisë do të vazhdojnë këtë javë.

Sekretari i shtetit amerikan tha se kishte folur me të dërguarin e posaçëm Steve Witkoff, i cili është duke u kthyer nga një udhëtim në Rusi, dhe do të ketë më shumë diskutime gjatë ditës, shkruan Sky News.

Ai u tha gazetarëve se shpresojmë se së shpejti do të ketë disa njoftime: “Ndoshta pozitive, ndoshta jo.”

Kremlini tha se Witkoff zhvilloi bisedime “të dobishme dhe konstruktive” me Vladimir Putinin sot, dy ditë para skadimit të afatit të caktuar nga Donald Trump për Rusinë që të binte dakord për paqe në Ukrainë ose të përballej me sanksione të reja./abcnews.al

Receta e re mjekësore/ Nisi nga 1 gushti, farmacistët: Më shumë siguri per pacientët

By: Re Nato
6 August 2025 at 18:38

Formati i ri i recetës mjekësore shihet si një risi edhe për vetë farmacistët, të cilët thonë se u ka lehtësuar punë në ekzekutimin e saj.

“Mjekët për herë të parë unifikohet në këtë formë. Është një siguri më shumë për nr farmacistët, janë të detyruar të shkruajnë principin aktiv, dhe jo emrat e markave. Të gjithë barnat që janë aty janë një siguri edhe për ne, mënhyra sesi janë përcaktuar nga mjeku, rrit sigurinë edhe tek ne.”

Receta e re lehtëson edhe të sëmurët kronikë, të cilët shmangin vizitat e shpeshta tek mjeku për marrjen e trajtimit deri në 6 muaj, në varësi të vlerësimit nga specialisti.

“Formati e ndan në acute dhe kronike pacientin. Sdo vijn çdo muaj për trajtim, por, sipas vlerësimit të mjekut, 2, 4 apo 6 muaj mjekim në varësi të ecurisë…”

Farmacistët kanë edhe të drejtën e ekzekutimit të pjesshëm të recetës. Në rastet kur nuk i disponon të gjitha barnat e shkruara, farmacisti do të duhet të shënojë barnat e tjera që i ka dhënë pacientit, sasinë e marrë dhe datën e ekzekutimit të recetës duke e firmosur edhe vulosur. Si dhe duke mbajt një kopje vetë.

Në këtë formë, pacienti mund të drejtohet në një tjetër farmaci për të marr medikamentin e munguar./abcnews.al

Meta nuk tërhiqet, kërkon lirinë/ Avokati Kara: Duhet të ishte bërë hetim më i plotë për “CEZ DIA”

By: Re Nato
6 August 2025 at 18:22

Avokati Romeo Kara thotë se duhet të ishte bërë hetim më i plotë për dosjen “CEZ DIA”, ku i akuzuar është edhe ish presidenti Ilir Meta, i cili pas përfundimit të hetimeve për tre çështjet ndaj tij, ka kërkuar lirinë nga burgu.

Në një intervistë për “Tirana Liva” në ABC News, Kara u shpreh se lidhur me këtë kërkesë të Metës, gjykata do vlerësojë nëse ai mund të prishë provat.

Për “CEZ DIA”, Kara shtoi se Meta mori bekimin e ish kryeministrit Sali Berisha.

“Mendoj që mbas komunikimit të akuzës dhe sidomos hetimit që hetimet janë mbyllur, pritej të bëhej ky hap. Kanë ofruar qëndrimin e tij, duke marrë masë bllokimin e pasaportës. Ka rëndësi që procesi të vazhdojë dhe drejtësia të thotë fjalën e saj. Unë jam njohës i mirë, aty ka 3 akuza, CEZ DIA, lobimi dhe për mosdeklarimin e pasurisë. Për CEZ DIA duhet të kishim hetim më të plotë. Vendimi i ERE duhet të ishte hetuar, pretendohet se ka qenë vendim i ndikuar. Këtu kemi një hetim të ngushtuar, duhet të kishim më shumë palë të hetuar, por edhe para organeve të drejtësisë. Vendime të tilla të ERE me këtë faturë, nuk kalonin pa e ditur Ministria e Financave dhe kryeministri. Ai vendim i ERE nuk është marrë pa dakordësinë e Berishës. Ky është korrupsion me dy palë, po pala çeke ku është? Unë nuk mund ta besoj se do kalojë kaq thjesht , me një person. Ky s’e ka bërë vetë këtë. Ata kanë bërë korrupsion në dëm të shtetit shqiptar.”, theksoi ai./abcnews.al

Patos, digjet pylli/ Flakë në Gjinoqare, terreni i vështirë nuk lejon zjarrfikësit

By: Re Nato
6 August 2025 at 18:05

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshire pyllin me pisha dhjetëra vjeçare në fshatin Gjinoqarë të Patosit.

Mësohet se era e fortë po bën që flakët të përparojnë në një terren shumë të thyer duke e bërë të pamundur ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse.

Në terren janë 4 automjete zjarrfikëse të Patosit dhe Mallakastrës, e megjithatë sipas burimeve nga repartet zjarrfikëse, ndërhyrja është e pamundur. Aktualisht, po luftohet me mjete rrethanore.

Operacionit i janë bashkuar edhe banorë të zonave dhe punonjes të bashkisë.

Për momentin, flakët po avancojnë të favorizuara nga era. Pylli i zonës se Gjynaqarës u dogj 3 vjet më parë. Për momentin nuk rrezikohen banesa të fshatit pasi pylli ndodhet midis fshatrave Gjjynaqarë dhe Drenie.

Izrael, udhëheqësi i opozitës: Pushtimi i Gazës është një ide shumë e keqe

By: Re Nato
6 August 2025 at 17:49

Udhëheqësi i opozitës, izraelite Yair Lapid ka paralajmëruar se pushtimi i Gazës do të ishte një “ide shumë e keqe”.

Mediat izraelite e citojnë atë të ketë thënë: “Nuk e dërgon shtetin e Izraelit në luftë nëse shumica e popullit nuk është me ty dhe populli i Izraelit nuk është i interesuar për këtë luftë”.

Ai shtoi se çmimi do të ishte “shumë i rëndë” për Izraelin, si financiarisht ashtu edhe për sa i përket viktimave.

Kjo vjen pas një paralajmërimi të ngjashëm nga ish-kryeministri izraelit Ehud Olmert, i cili tha se publiku duhet të marrë në konsideratë mosbindjen civile për të vepruar kundër Netanyahut.

Libani i kërkon ushtrisë të përgatisë një plan për çarmatosjen e Hezbollahut

By: Re Nato
6 August 2025 at 16:56

Qeveria e Libanit i ka ngarkuar ushtrisë hartimin e një plani për të siguruar që vetëm institucionet shtetërore të posedojnë armë deri në fund të vitit, një veprim që synon çarmatosjen e grupit militant Hezbollah të mbështetur nga Irani.

Njoftimi nga kryeministri libanez Nawaf Salam erdhi pas një takimi gati gjashtëorësh të kabinetit.

Ai tha se qeveria i kërkoi ushtrisë që plani të përgatitej deri në fund të muajit për diskutim dhe miratim. Pas takimit, Salam foli për “detyrën e shtetit për të monopolizuar posedimin e armëve”, raportoi Agjencia Kombëtare e Lajmeve (NNA) e Libanit.

Vendimi vjen pas presionit masiv nga Uashingtoni mbi Bejrutin për të çarmatosur Hezbollahun, përfshirë një vizitë në korrik nga i dërguari i SHBA-së Tom Barrack, i cili bëri thirrje për një politikë më vendimtare.

Megjithatë, ndërsa kabineti po mblidhej të martën pasdite, udhëheqësi i Hezbollahut Naim Kassem hodhi poshtë thirrjet që grupi i tij të dorëzonte armët.

“Çdo orar i paraqitur për zbatim nën … agresionin izraelit nuk mund të miratohet”, tha ai në një fjalim televiziv.

Hezbollahu është dobësuar rëndë nga një konflikt 14-mujor me Izraelin që përfundoi në nëntor me një armëpushim të ndërmjetësuar nga SHBA-të.

Disa nga udhëheqësit e grupit vdiqën, mijëra luftëtarë të tij u vranë dhe shumica e armatimeve të tij u shkatërruan.

Shirat e rrëmbyeshëm shkaktojnë përmbytje në Indi/ Raportohet për një viktimë, mbi 100 persona të zhdukur

By: Re Nato
6 August 2025 at 16:16

Më shumë se 100 persona rezultojnë të zhdukur dhe të paktën një person ka vdekur pasi shirat e rrëmbyeshëm shkaktuan përmbytje shkatërruese në shtetin verior indian të Uttarakhand.

Operacionet e shpëtimit janë duke u zhvilluar në distriktin Uttarkashi, pasi u përmbytën rrugë dhe ndërtesa, shkruan BBC.

Disa ekipe ushtarake janë pozicionuar në Dharali që nga e marta, por forca të tjera të reagimit ndaj katastrofave dhe zyrtarë të distriktit nuk kanë qenë në gjendje të arrijnë në zonë për shkak të rrugëve të dëmtuara dhe reshjeve të dendura të shiut.

Shira të rrëmbyeshëm kanë goditur shtetin himalajan të Uttarakhand gjatë javëve të fundit.

Rreth 130 persona janë shpëtuar deri më tani në Uttarkashi, sipas një deklarate nga kryeministri i Uttarakhand, Pushkar Singh Dhami, për gazetarët.

Ndërkaq, të paktën 10 ushtarë të pzocionuar në bazën Harsil janë gjithashtu të zhdukur, sipas zyrtarëve.

Operacionet e shpëtimit po ecin me ritëm të ngadaltë pasi llumi dhe mbeturinat mbulojnë zonën./abcnews.al

Pushtimi i Gazës, Trump: Varet nga Izraeli. SHBA po përpiqet t’i sigurojë njerëzve ushqim

By: Re Nato
6 August 2025 at 15:55

Pasi dolën raportime se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu po vendoste për pushtimin e plotë të Gazës, Donald Trump u pyet se çfarë qëndrimi kishte, por ai refuzoi të jepte një përgjigje.

I pyetur nëse do të mbështeste një “pushtim të plotë” të Gazës, presidenti amerikan tha: “E di që jemi atje tani duke u përpjekur t’u sigurojmë njerëzve ushqim”.

“Sa i përket pjesës tjetër, nuk mund të them me siguri. Kjo do të varet kryesisht nga Izraeli.”, shtoi ai, shkruan Sky News.

Trump deklaroi se Izraeli dhe shtetet arabe do të ndihmonin me shpërndarjen e ushqimit dhe ndihmës në Gaza dhe do të ofronin ndihmë financiare, por nuk dha detaje.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, të martën aludoi për një ofensivë më të gjerë ushtarake në Gazë.

Ish-krerët e ushtrisë dhe inteligjencës izraelite kanë bërë thirrje për dhënien fund të luftës gati 22-mujore.

Presioni i ri ndaj Netanyahut vjen në kohën kur Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se numri i palestinezëve të vrarë ka tejkaluar shifrën 61.000./abcnews.al

“Vazhdojmë”/ Hapësirat publike, Rama ndan pamje nga aksioni: Si mund të futet në bark i tërë trotuari deri tek bordura?

By: Re Nato
6 August 2025 at 15:46

Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamje nga vijimi i aksionit për lirimin e hapësirave publike në kryeqytet.

Përmes një video një rrjetet sociale, Rama ka treguar se si një fadromë ka prishur strukturën e një lokali, që kishte zënë trotuarin.

Kreu i qeverisë, shtoi krahas videos se aksioni për lirimin e hapësirave publike do të vijojë.

“Po si mund të futet në bark i tërë trotuari deri tek bordura😡 Vazhdojmë”, shkruan Rama./abcnews.al

Nis numërimi mbrapsht për Moskën/ Kremlini: Takimi midis Putin dhe Witkoff ishte konstruktiv

By: Re Nato
6 August 2025 at 15:25

Kremlini thotë se i dërguari i SHBA-së, Steve Witkoff, dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, kanë zhvilluar bisedime “konstruktive”, ndërsa afati i fundit i Donald Trump për Moskën për të rënë dakord për një armëpushim në Ukrainë po afron.

Ndihmësi i politikës së jashtme ruse, Yuri Ushakov tha se, gjatë takimit të tyre tre-orësh, Putin i transmetoi “sinjale” Witkoff-it mbi atë që ai e quajti “çështja ukrainase” dhe “mori sinjale përkatëse” nga pala amerikane, shkruan BBC.

Më shumë informacion rreth negociatave do të ndahet pasi Witkoff t’i raportojë Trumpit, shtoi Ushakov.

Presidenti i SHBA-së ka deklaruar se Rusia mund të përballet me sanksione të rënda ose të shohë sanksione dytësore të vendosura kundër të gjithë atyre që tregtojnë me të nëse nuk ndërmerr hapa për t’i dhënë fund “luftës së tmerrshme” me Ukrainën.

Ndërkaq, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar se Rusia do të bënte vetëm hapa seriozë drejt paqes nëse fillonte të përballej me mungesë të fondeve financiare. Ai përshëndeti kërcënimin për sanksione më të ashpra amerikane dhe taksa ndaj vendeve që blejnë naftë ruse./abcnews.al

❌
❌