Iliri kërkon…lirinë/ Avokati: Ka hetim të thelluar nga SPAK, provat po përforcohen për veprat e dyshuara!
TIRANË– Presidenti i Partisë së Lirisë, Ilir Meta i është drejtuar Gjykatës Kushtetuese për vendimin e Gjykatës së Lartë, e cila vlerësoi si të ligjshëm masën e sigurisë “arrest me burg”.
Meta përmes avokatit Kujtim Cakrani, kërkon në Kushtetuese lirimin nga qelia dhe shfuqizimin e masës aktuale.
Avokati i njohur Romeo Kara, i ftuar në “Ora e Fundit” tha se të gjitha shkallët e gjyqësorit, deri tani kanë konfirmuar se arrestimi i ilir Metës ka qenë i ligjshëm.
Gjatë diskutimit në studio, avokati Kara tha se nga hetimet që po kryen SPAK, provat që rëndojnë pozitat e Ilir Metës mund të përforcohen.
“Të gjitha shkallët e gjykimit nuk e gjetën se qëndron pretendimi i palës së Metës përballë prokurorisë, pasi nuk e gjykuan se ky arrestim është i paligjshëm. Me trendin e hetimit mund të përforcohen provat për veprat që ka bërë. Ka hetim të thelluar dhe po dalin prova pas provash, po dalin kartat, këto janë fakte.
Këto s’kanë dalë nga fantazitë e prokurorisë, por janë prova dhe janë dhe dëshmi. Do kemi dhe një proces të gjatë. Provat janë aty, sistemi TIMS, telefonata të përgjuara. Prokuroria e ka krijuar bindjet përtej dyshimit të arsyeshëm. Faktet dhe provat që tregojnë se ka kryer vepra të rënda, janë vepra më të rënda se ato të Berishës”, u shpreh ai.
Ai theksoi se hetimet duhet të provojnë nëse Ilir Meta ka përfituar nga kartat, që ka përdorur ish-bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi.
“Meta do të përgjigjet nëse kartat i sollën përfitime. SPAK të marrë darët e ligjit dhe t’i sekuestrojë çdo pasuri”, theksoi ai/ abcnews.al