Marquinhos flet për largimin e befasishëm të Donnarummas – ka disa fjalë për portierin
Kapiteni i PSG-së, Marquinhos, ka komentuar për situatën e Gianluigi Donnarummas, i cili pritet të largohet nga klubi francez.
Braziliani, që ka qenë pjesë e klubit gjatë gjithë kohës që portieri italian luajti në Paris, shprehu mirënjohje dhe respekt për shokun e tij të skuadrës.
“Është gjithmonë e vështirë dhe në 12-13 vitet e mia këtu, kam parë tashmë shokë të tjerë të ekipit të kalojnë nëpër këtë lloj situate. Lojtarë kyç janë detyruar të largohen në fund të sezonit. Kjo është jeta jonë, ky është futbolli”, deklaroi fillimisht Marquinhos.
Ai theksoi se lojtarët duhet të japin gjithçka deri në fund, duke shtuar se edhe vetë do të largohet një ditë.
“E tëra çfarë mund të bësh është të japësh gjithçka deri në minutën e fundit. Edhe unë do të largohem dhe shpresoj ta bëj këtë në kushtet më të mira të mundshme. Lojtarët vijnë e shkojnë, klubi mbetet”, nënvizoi ai.
Mbrojtësi nuk e fshehu vlerësimin e madh për Donnarumman, duke deklaruar se ai ka shkruar historinë.
“Gigio ka shkruar historinë e klubit dhe jam shumë krenar për këtë. E falënderojmë nga thellësia e zemrave tona. Nëse qëndron, do ta mirëpresim me krahë hapur sepse ka pasur një sezon të jashtëzakonshëm. Nëse duhet të largohet, do ta falënderojmë edhe atë, sepse është një mik i shkëlqyer dhe një udhëheqës i shkëlqyer”, ka thënë Marquinhos. /Telegrafi/
The post Marquinhos flet për largimin e befasishëm të Donnarummas – ka disa fjalë për portierin appeared first on Telegrafi.