Ekskluzive: Mirlind Daku drejt transferimit në Serie A, skuadra e madhe italiane në bisedime me Rubin Kazanin
Mirlind Daku e ka nisur në mënyrën më të mirë të mundshme sezonin e ri në Superligën e Rusisë me fanellën e Rubin Kazanit.
Në pesë ndeshjet e para mes kampionatit dhe Kupës së Rusisë, Daku ka qenë i papërmbajtshëm, duke shënuar pesë gola dhe duke dhuruar një asistim.
Përkundër faktit se sapo ka vazhduar kontratën me Rubin Kazanin deri në vitin 2029, sulmuesi kosovar mund të largohet gjatë kësaj vere nga klubi rus për të bërë një hap gjigant në karrierë, duke u transferuar në Serie A.
Telegrafi mëson ekskluzivisht se skuadra e madhe italiane, Fiorentina, ka nisur kontaktet me Rubin Kazanin për transferimin e Dakut.
Moise Kean është pranë largimit për t’u transferuar në Arabinë Saudite, ndërsa klubi “Vjollcë” e sheh Dakun si zëvendësuesin ideal të italianit.
Tashmë janë zhvilluar kontaktet e para mes klubeve, ndërkohë që drejtori sportiv i Fiorentinës, Daniele Pradè, ka kontaktuar edhe me agjentin e Dakut, Shkumbin Qorrmemeti.
Përkundër që Daku është lojtari kryesor i Rubin Kazanit, besohet se një ofertë rreth 20 milionë euro mund ta bindë klubin rus të heqë dorë nga ylli i tyre, pasi gjithnjë sipas asaj që ka mësuar Telegrafi, klubi rus do të lejonte largimin e reprezentuesit shqiptar vetëm për një shumë të tillë.
Nga ana tjetër, Daku ka shprehur interesim për një transferim të mundshëm në Serie A, megjithëse është shumë i lumtur në Rubin, ku me kontratën e re fiton dy milionë euro në sezon dhe është lojtari më i paguar në klub.
Tri javët e fundit të afatit kalimtar pritet të vendosin të ardhmen e tij, ndërsa pista Fiorentina mbetet shumë e hapur.
Kujtojmë se Dakun e kërkoi edhe gjiganti rus Zenit St. Petersburg, por në fund transferimi dështoi. Ai kishte gjithashtu oferta të shumta nga Turqia, megjithatë vendosi t’i japë përparësi Rubinit. /Telegrafi/
The post Ekskluzive: Mirlind Daku drejt transferimit në Serie A, skuadra e madhe italiane në bisedime me Rubin Kazanin appeared first on Telegrafi.