Libani i kërkon ushtrisë të përgatisë një plan për çarmatosjen e Hezbollahut
Qeveria e Libanit i ka ngarkuar ushtrisë hartimin e një plani për të siguruar që vetëm institucionet shtetërore të posedojnë armë deri në fund të vitit, një veprim që synon çarmatosjen e grupit militant Hezbollah të mbështetur nga Irani.
Njoftimi nga kryeministri libanez Nawaf Salam erdhi pas një takimi gati gjashtëorësh të kabinetit.
Ai tha se qeveria i kërkoi ushtrisë që plani të përgatitej deri në fund të muajit për diskutim dhe miratim. Pas takimit, Salam foli për “detyrën e shtetit për të monopolizuar posedimin e armëve”, raportoi Agjencia Kombëtare e Lajmeve (NNA) e Libanit.
Vendimi vjen pas presionit masiv nga Uashingtoni mbi Bejrutin për të çarmatosur Hezbollahun, përfshirë një vizitë në korrik nga i dërguari i SHBA-së Tom Barrack, i cili bëri thirrje për një politikë më vendimtare.
Megjithatë, ndërsa kabineti po mblidhej të martën pasdite, udhëheqësi i Hezbollahut Naim Kassem hodhi poshtë thirrjet që grupi i tij të dorëzonte armët.
“Çdo orar i paraqitur për zbatim nën … agresionin izraelit nuk mund të miratohet”, tha ai në një fjalim televiziv.
Hezbollahu është dobësuar rëndë nga një konflikt 14-mujor me Izraelin që përfundoi në nëntor me një armëpushim të ndërmjetësuar nga SHBA-të.
Disa nga udhëheqësit e grupit vdiqën, mijëra luftëtarë të tij u vranë dhe shumica e armatimeve të tij u shkatërruan.