Artistët shqiptarë, të ftuar nderi në festivalin francez “Périgord Noir”
TIRANË, 11 gusht/ATSH/ Shqipëria është vendi i ftuar i nderit në edicionin e 43-të të Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës Klasike “Périgord Noir”, i cili zhvillohet në rajonin piktoresk të Dordogne-s në Francë.
Fundjavën që lamë pas, Kuarteti i Orkestrës Simfonike të Forcave të Armatosura, së bashku me mezzosoprano-n Flaka Goranci, performuan në këtë aktivitet ku mblidhen artistë dhe ansamble nga e gjithë bota. Së bashku me Flaka Gorancin, interpretuan Vilson Guri, Erbi Piranaj, Stela Bello dhe Bashkim Kupi.
“Meloditë shqiptare, të interpretuara me hijeshi të rrallë nga mezo-sopranoja Flaka Goranci dhe telat e ndjeshme të Kuartetit TOGHA, zbuluan një univers zanor të rrënjosur thellë në shpirtin e njerëzve. Ky repertor popullor feston dashurinë, natyrën dhe jetën, tema universale të përcjella nga shkrimi i pasur muzikor që është njëherësh i zbukuruar, i lirë dhe plot nostalgji”, u shprehën organizatorët e festivalit për artistët shqiptarë.
Datën 16 gusht ky festival ia ka rezervuar një takimi letrar me fokus veprën e shkrimtarit Ismail Kadare, ku do të jenë të pranishëm Tedi Papavrami dhe Ornela Vorpsi. Kësaj here Papavrami, përveç se si instrumentist, do të jetë edhe në cilësinë e përkthyesit të veprës së shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare. Biseda letrare do të paraprihet nga një mini koncert nga violinistja e re shqiptare (13 vjeç), Vesa Dume.
Koncertet e këtij festivali mbahen në kisha historike dhe monumente kulturore, duke ndërthurur muzikën me trashëgiminë arkitekturore të zonës.
Që nga viti 2016, drejtimi muzikor i Akademisë se Perigord Noir i është besuar dirigjentit të ri Iñaki Encina Oyón. Që nga viti 2023, drejtimi artistik i Festivalit i është besuar Julien Kieffer.
Périgord Noir është një rajon në pjesën juglindore të departamentit Dordogne në Francë, i njohur për pyjet e errëta, historinë e pasur dhe atraksionet kulturore. Është një destinacion popullor turistik, i famshëm për qytetet e tij mesjetare, kështjellat, vendet prehistorike dhe gastronominë.
/a.f/
The post Artistët shqiptarë, të ftuar nderi në festivalin francez “Périgord Noir” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.