Rama thirrje bizneseve: Deri më 31 korrik, hiqni çdo material që ndodhet më pak se 20 metra nga aksi i rrugës
Kryeministri Edi Rama i ka bërë thirrje bizneseve që ushtrojnë aktivitetet e tyre në rrugë nacionale, që deri më 31 korrik, për të larguar vetë çdo lloj materiali që ndodhet më pak se 20 metra nga aksi i rrugës.
Përmes një postimi në rrjetet sociale, Rama u shpreh se kjo duhet të jetë edhe distanca ligjore e sigurisë.
Sipas kreut të qeverisë, do të ketë masa ndëshkimore për bizneset që shkelin afatin.
“Ka nisur edhe përpjekja për çlirimin e buzërrugëve kombëtare nga rraqet e llojllojshme të bizneseve anë rrugës Bizneset në anë të segmenteve rrugore kanë afat deri në 31 korrik për të larguar vetë çdo lloj materiali që ndodhet më pak se 20 m nga aksi i rrugës, që është edhe distanca ligjore e sigurisë – përjashtuar objektet e ndërtuara me leje, po jo materialet në oborret e tyre të përparme, gardhet e të cilëve po ashtu do të duhet të tërhiqen në maksimumin e mundshëm, sipas projektit që do t’u dorëzohet më tutje nga ARRSH
Mbajtja buzë rrugëve e rraqeve si këto në foto apo të tjera, nga materialet ndërtimore tek inertet dhe makinat e vjetra e me radhë, përtej afatit të paralajmëruar do të shoqërohet me masa të rënda ndëshkimore sipas parashikimeve ligjore në fuqi. Tanimë Shqipëria po troket në derën e Bashkimit Europian dhe kjo fazë kalimtare e ushtrimit të aktivitetit ekonomik në dëm të komunitetit e të mjedisit në tërësi, po edhe të sigurisë së qarkullimit në rrugët kombëtare në veçanti, duhet të konsiderohet e mbyllur. Nga të gjithë dhe me mirëkuptimin më të madh kombëtar, për Shqipërinë 2030 në BE.”, shkruan Rama./abcnews.al