Klopp rrëfen për tre yjet që i shpëtuan nga dora: Mendova, o Zot, çfarë budallai isha
Jurgen Klopp është një nga trajnerët më të respektuar në botën e futbollit, i njohur për aftësinë e tij për të zbuluar dhe zhvilluar talentet më të mëdha të futbollit botëror.
Me një sy të jashtëzakonshëm për talentin dhe një ndjeshmëri të veçantë për të nxjerrë më të mirën nga lojtarët e tij, ai ka qenë udhëheqësi pas sukseseve të emrave si Robert Lewandowski, Mohamed Salah dhe Virgil van Dijk.
Por, edhe Klopp nuk ka qenë imun ndaj gabimeve apo rasteve të humbura – disa yje të mëdhenj i kanë shpëtuar nga duart në momentet vendimtare të karrierës së tyre.
Gjatë një mbledhjeje fondesh në Cape Town, Klopp zbuloi tre emra të mëdhenj të cilët kishte pasur mundësinë t’i transferonte herët në karrierë, por për arsye të ndryshme nuk ndodhi kurrë.
Sadio Mane – një rast i dytë i shpëtuar
Një nga bashkëpunimet më të suksesshme të Klopp ishte padyshim me Sadio Manen në Liverpool, ku të dy fituan Premier League dhe Champions League. Por bashkëpunimi i tyre mund të kishte nisur shumë më herët. Klopp pranoi se kishte pasur mundësinë ta sillte senegalezin te Borussia Dortmund, por kishte hezituar.
“Ka disa tifozë të Dortmundit këtu, ndaj më duhet të kërkoj falje që nuk e transferova Sadio Manen. Ishte një gabim. Mund të them se isha i ri dhe naiv, por nuk isha aq i ri dhe as aq naiv,” – tha ai me humor.
“E kuptova kur e sollëm në Liverpool. Mendova: ‘O Zot, këto janë shumë para për një djalë që mund ta kisha marrë tri vite më parë për shumë më pak’.”
Heung-min Son – një tjetër rast i humbur
Një tjetër emër që i ka mbetur peng Klopp-it është ai i Heung-min Son. Ai pranoi se e kishte ndjekur koreano-jugorin që në kohën kur luante për Hamburgun në Bundesliga. Edhe pse ishte në radarët e Dortmundit, marrëveshja nuk u realizua dhe Klopp nuk është i sigurt pse.
“Nuk e transferova Sonin – atëherë ishte te Hamburgu, mendoj. Nuk më kujtohet pse nuk e sollëm” – tha ai.
“Sapo u përballa me të në Premier League, mendova: ‘Zot i madh, çfarë budallai'”.
Kevin De Bruyne – goditja e dyfishtë
Emri i tretë në listën e pengjeve të Klopp është Kevin De Bruyne. Sot një nga mesfushorët më të mirë në botë dhe lider i dominimit të Manchester Cityt, De Bruyne dikur u konsiderua si dështim te Chelsea. Pasi rifilloi karrierën me sukses te Wolfsburgu, Klopp kishte mundësinë ta sillte te Dortmund – por ajo mundësi shkoi huq.
“Për tifozët e Dortmundit – Kevin De Bruyne ishte shumë afër. Pastaj na shkatërroi në finalen e Kupës me Wolfsburgun. Kjo ishte një goditje e dyfishtë” – kujtoi ai me ironi. /Telegrafi/
The post Klopp rrëfen për tre yjet që i shpëtuan nga dora: Mendova, o Zot, çfarë budallai isha appeared first on Telegrafi.