Palmeiras dhe Inter Miami mjaftoheshin me një barazim për t’u kualifikuar së bashku në të tetat e finales të Kupës së Botës për Klube – dhe një barazim erdhi. Në “Hard Rock Stadium” ndeshja mes brazilianëve dhe amerikanëve në Grupin A përfundoi 2-2, duke i lejuar Verdão të merrte vendin e parë dhe skuadrës së Messit vendin e dytë, falë edhe golit të parë të Luis Suarez në turne. Të eliminuar kështu Porto dhe Al Ahly, që u përfshinë në një ndeshje spektakolare 4-4.
INTER MIAMI–PALMEIRAS 2-2
Në “Hard Rock Stadium” është Palmeiras që krijon rastin e parë të rrezikshëm të ndeshjes pas vetëm katër minutash, pas një goditjeje nga këndi, por është Inter Miami që e zhbllokon sfidën në minutën e pesëmbëdhjetë: avantazhin për skuadrën nga Florida e shënon Allende në një kundërsulm, i shërbyer me një asist gjeni nga kraharori i Luis Suarez. Braziliani nuk dorëzohen dhe në minutën e 30-të janë vetëm centimetra larg barazimit me Facundo Torres, goditja me të majtën e të cilit kalon ngjitur me shtyllën në të majtë të portës së Ustarit. Inter Miami shpëton dhe në minutën e 65-të godet sërish, duke e çuar rezultatin në 2-0 me Luis Suarez. Uruguajani vepron vetë, driblon dy kundërshtarë dhe shënon me të majtën kundër Wevertonit, duke realizuar golin e tij të parë në këtë turne dhe duke qenë përfundimisht protagonist i madh i ndeshjes.
Çdo gjë dukej e përgatitur për një fitore të bukur të amerikanëve, por Palmeiras arrin të rikuperojë mes minutës së 80-të dhe 87-të, duke rifituar vendin e parë në grup. Paulinho dhe Mauricio vendosin barazimin përfundimtar 2-2, rezultat që kualifikon të dy skuadrat në të tetat, falë edhe një pritjeje të dyfishtë vendimtare të Ustarit në kohën shtesë. Verdão dhe amerikanët e mbyllin Grupin A me nga 5 pikë secili, por vendin e parë për shkak të golavarazhit e marrin brazilianët. Messi (që sot mbush 38 vjeç) dhe shokët e tij duhet të kënaqen me vendin e dytë.
PORTO–AL AHLY 4-4
Sfida mes Porto-s dhe Al Ahly-t në “MetLife Stadium” të East Rutherford zhbllokohet në minutën e 15-të, kur janë egjiptianët që kalojnë në avantazh me Abou Ali. Sulmuesi palestinez gjen një goditje perfekte me të majtën në kënd të largët dhe mposht Claudio Ramos, duke realizuar më pas edhe një tjetër gol në minutën e 22-të: këtë herë goli anulohet për pozicion jashtë loje. Porto merr frymë lirisht dhe pas vetëm një minute barazon rezultatin: Rodrigo Mora kalon dy mbrojtës dhe portierin me dy lëvizje të bukura dhe shtyn topin në rrjetë për 1-1. Ndeshja është e gjallë dhe në fundin e pjesës së parë Al Ahly kalon sërish në avantazh: Fabio Vieira shkakton një penallti dhe Abou Ali shënon për 2-1 nga pika e bardhë, duke kompletuar dopietën e tij personale.
Në minutën e 50-të, Dragões vendosin sërish baraspeshën me një gol të bukur nga William Gomes, por vetëm një minutë më vonë është sërish Abou Ali që i jep avantazhin egjiptianëve: numri 9 i Al Ahly përfiton nga një kros i shkëlqyer i Hany dhe kompleton një tripletë të mrekullueshme me një goditje me kokë që nuk i jep asnjë mundësi reagimi Claudio Ramos-it. Avantazhi i ri i Djajve të Kuq zgjat vetëm deri në minutën e 53-të, pasi Samu barazon në 3-3 me një goditje me kokë pas goditjes nga këndi të Fabio Vieira.
Emocionet nuk përfundojnë këtu. Ben Romdhane e çon përsëri në epërsi për herë të katërt Al Ahly-n në minutën e 64-t me një goditje të djathtë për t’u duartrokitur, ndërsa Pepê vendos barazimin përfundimtar 4-4 në minutën e 89-të. Mbyllet kështu me një ndeshje spektakolare eksperienca në këtë Kupë të Botës për Klube për si Porto-n ashtu edhe Al Ahly-n, pasi barazimi u kushton eliminimin të dy skuadrave: luzitanët e përfundojnë grupin në vend të tretë me 2 pikë, egjiptianët të fundit me të njëjtin numër pikësh, por me një golavarazh më të dobët.
The post Palmeiras e Inter Miami, “biskotë” për kalimin në 1/8 e Botërorit: eliminohet Porto appeared first on Lapsi.al.