Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 9 August 2025Main stream

“Onufri” një nga destinacionet e preferuara nga turistët që vizitojnë Beratin

9 August 2025 at 07:50

TIRANË, 9 gusht/ATSH/Muzeu Kombëtar Ikonografik “Onufri” është njëri prej destinacioneve më të vizituar ndër sitet kulturore të qytetit të Beratit.

Ikonat, ngjyrat, historia, gjithçka është ruajtur me kujdes, për t’u parë nga afër. “Ejani. Jo thjesht për të kaluar kohën, por për ta ndjerë atë”, është ftesa që bën ky institucion drejtuar artdashësve, të cilët këtë sezon turistik kanë qenë të shumtë dhe nga të gjitha anët e globit.

Qendra Kombëtare e Muzeumeve Berat administron Muzeun “Onufri”, si edhe Muzeun Etnografik, të cilët mbledhin, ruajnë dhe promovojnë koleksione me vlerë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të qytetit të Beratit dhe zonës përreth. Berati ka qenë një qendër e rëndësishme e zhvilluar sidomos në shek XVII, një vend ku u grumbulluan, u prodhuan dhe u ruajtën vlera të rëndësishme të cilat janë thesare të vërteta të kulturës kombëtare.

/a.f/

The post “Onufri” një nga destinacionet e preferuara nga turistët që vizitojnë Beratin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 8 August 2025Main stream

Koleksioni i artit bashkëkohor “Imago Mundi”, në COD

8 August 2025 at 13:20

TIRANË, 8 gusht/ATSH/ Qendra për Hapje dhe Dialog ftoi të gjithë artdashësit të zbulojnë koleksionin “Imago Mundi” në bibliotekën e COD-it.

Katalogët e koleksionit të artit bashkëkohor “Imago Mundi”, një nismë vizionare nga Luciano Benetton, tashmë janë të disponueshëm për lexuesit në bibliotekën e COD-it. Ky koleksion unikal përmbledh vepra të artistëve të afirmuar dhe në zhvillim nga mbarë bota, duke reflektuar një mozaik kulturash dhe identitetesh vizuale.

“Imago Mundi” është një udhëtim artistik përgjatë paralelit 42, që përshkon historinë, kulturën dhe ndikimet ndërmjet Lindjes dhe Perëndimit, nga Europa në Azi, nga Gjeorgjia në Mongoli, nga Rusia në Japoni. Në bibliotekën e Kryeministrisë gjenden katalogët e koleksionit nga: Turqia, Spanja dhe Mongolia. Në faqen online të COD-it, ky arkiv ndërkombëtar arti, vlerësohet si një pasuri që pret për t’u lexuar, parë dhe reflektuar.

1 nga 5

/r.e/

The post Koleksioni i artit bashkëkohor “Imago Mundi”, në COD appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Manastiret dhe kishat e Fierit, thesare të vyera të trashëgimisë kulturore

8 August 2025 at 11:16

TIRANË, 8 gusht/ATSH/ Manastiri “Fjetja e Hyjlindëses Mari”, në Parkun Arkeologjik të Apolonisë, prej shekullit XIII shenjon historinë e bukur shqiptare dhe rrëfen trashëgiminë tonë kulturore.

Ky manastir është pjesë e Mitropolisë së Apolonisë dhe Fierit, ku ka një komunitet të madh besimtarësh ortodoksë, të cilët pak ditë më parë kremtuan me madhështi “Shpërfytyrimin e Shpëtimtarit”, “Metamorfozën”, ose siç e thotë populli “Shën Sotirin” (5 dhe 6 gusht).

Besimtarët morën pjesë në “Mbrëmësoren e Madhe” dhe ritualin e bekimit të pesë bukëve.

Në zonë janë të shumta kishat dhe manastiret të shpallura Monumente Kulture.

Gjatë një vizite në Fier, nuk duhen lënë pa vizituar tre nga manastiret më të famshme të ortodoksisë shqiptare, thesare të vyera të trashëgimisë kulturore dhe njëri prej tyre është Manastiri “Fjetja e Hyjlindëses Mari”, brenda Parkut Arkeologjik Apoloni. Dy të tjerët janë Manastiri i Ardenicës, i shekullit XI si dhe Manastiri i Shën Kozmait në Libofshë (1815), vend pelegrinazhi nga banorët e zonës por edhe nga besimtarë përtej kufijve.

Këta janë manastire me gjurmë të figurave të shquara të historisë shqiptare dhe me arkitekturë bizantine. Por edhe kishat shekullore më të famshme myzeqare, si Shën Gjergji (Libofshë, 1767) dhe Shën Kolli (Libofshë, 1777) kanë gjurmë të artistëve më të shquar të artit bizantin: Shpataraku, Zografët dhe Çetirët.

1 nga 5

/r.e/

The post Manastiret dhe kishat e Fierit, thesare të vyera të trashëgimisë kulturore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vedat Kokona, përkthyesi, shkrimtari dhe leksikologu i shquar shqiptar

8 August 2025 at 10:22

TIRANË, 8 gusht/ATSH/ Më 8 gusht 1913 lindi përkthyesi, leksikografi, shkrimtari, poeti, pedagogu e avokati Vedat Kokona.

Profesor Kokona lindi në Izmir të Turqisë nga një familje gjirokastrite. Familja u rikthye në atdhe dhe ai filloi shkollimin në vend. Të mesmen e përfundoi pranë Liceut të Korçës. I shtyrë edhe nga profesioni i të atit si avokat, Vedat Kokona ndoqi studimet e larta në Francë në fushën e drejtësisë.

Vitet e pushtimit e rikthyen në atdhe ku edhe rifillon punë në arsim aty nga ku ishte shkëputur, nga bankat e Liceut në Korçë duke dhënë mësim gjuhën frënge. Krahas pedagogjisë, e cila po krijonte trysninë e saj për shkak të politikave arsimore fashiste, ai i rikthehet pasionit të vjetër letërsisë duke u renditur në zërat më të dashur për rininë e kohës së bashku me plejadën e ndritur si Kuteli, Spase, Hakiu pjesë e redaksisë së revistës letrare.

Krahas letërsisë ai vazhdonte të punonte si avokat, profesion të cilin e ndal pas lufte. Më tej vazhdoi profesionin e mësuesit dhe përkthyesit pranë Shtëpisë Botuese Shtetërore “Naim Frashëri”. Me hapjen e Universitetit të Tiranës vite më pas iu besua edhe puna e profesorit në këtë universitet si lektor i gjuhës frënge. Vedat Kokona është autor i disa fjalorëve në gjuhën frënge. Pas viteve ’90 ai u nderua me një sërë çmimesh për punën e palodhur në fushën e artit dhe të letërsisë.

/r.e/

The post Vedat Kokona, përkthyesi, shkrimtari dhe leksikologu i shquar shqiptar appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Met Bega, ikona e humorit dhe mjeshtri i batutës

7 August 2025 at 13:03

TIRANË, 7 gusht/ATSH/ Më 7 gusht të vitit 1946 lindi aktori i mirënjohur i humorit, Met Bega.

Në këtë përvjetor, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, kujtoi me mirënjohje, ikonën e humorit dhe mjeshtrin e batutës, Met Bega, një figurë mjaft e dashur për publikun shqiptar.

Met Bega lindi në Tiranë, më 1946-ën dhe pjesën më të madhe të karrierës së tij e kaloi në Estradën e Tiranës. Gjatë karrierës së tij të gjatë, Met Bega është nderuar me çmime të ndryshme. Përveç interpretimeve në Estradë, Met Bega do të mbahet mend për interpretimet e tij në kinematografi, në filmat komedi aq të dashur për publikun, si: “Dy herë mat”, “Edhe ashtu edhe kështu”, “Stolat në park” dhe “Telat për violinë”.

Aktori ndërroi jetë në vitin 2015. Prej shumë kohësh ai vuante nga sëmundja e Parkinsonit.

/a.f/

The post Met Bega, ikona e humorit dhe mjeshtri i batutës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Muzeut Historik të Shkodrës i dhurohen 5 harta me vlerë historike

7 August 2025 at 09:46

TIRANË, 7 gusht/ATSH/ Muzeut Historik të Shkodrës iu shtuan 5 harta me vlerë historike.

Lajmin e bëri të ditur kryetari i Bashkisë Shkodër, Benet Beci i cili falenderoi publikisht Gjergj Marenën, një qytetar i pasionuar pas historisë dhe trashëgimisë kulturore, i cili e bëri këtë dhurim për muzeun e qytetit.

“Këto harta të rralla pasurojnë fondin e muzeut dhe përbëjnë një dëshmi të vyer të kujtesës sonë historike, si dhe një shprehje të qartë të dashurisë për Shkodrën dhe identitetin kombëtar”, u shpreh Benet Beci në një publikim në rrjetet sociale.

Ky gjest i vyer u përmblodh në aktivitetin simbolik “Një dhuratë me vlerë historike”, e organizuar pranë muzeut, ku vlerësimi dhe mirënjohja për këtë kontribut u ndanë me të gjithë.

Gjatë aktivitetit, dhuruesit të hartave historike, Gjergj Marenës, iu dha edhe një certifikatë vlerësimi për përkushtimin, vizionin dhe kontributin e tij në ruajtjen e trashëgimisë sonë kulturore.

/e.r//a.f/

The post Muzeut Historik të Shkodrës i dhurohen 5 harta me vlerë historike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mbi 48 mijë vizitorë gjatë korrikut në Kalanë e Gjirokastrës

7 August 2025 at 09:41

TIRANË, 7 gusht/ATSH/ Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Gjirokastër bëri të ditur se, gjatë muajit që lamë pas, në Kalanë e Gjirokastrës, u regjistrua një numër i lartë vizitorësh për periudhën 1 korrik -31 korrik 2025.

Vizitat turistike në Kalanë e Gjirokastrës kanë ardhë duke u rritur krahasuar me atë të një viti më parë.

48,273 vizitorë u regjistruan gjatë korrikut ose 34% vizitorë më shumë krahasuar kjo me të njëjtën periudhë të vitit 2024.

Kalaja e Gjirokastrës është e vendosur mbi një kodër pak të shkëputur nga Mali i Gjerë, e ngritur në një pikë vrojtuese rreth 370 metra mbi nivelin e detit. Krahasuar me kalatë mjesjetare të tjera të vendit, kjo kala është më e vogël nga sipërfaqja dhe ruhet në gjendje më të mirë. Gjerësia e saj është 75 metra dhe gjatësia 500 metra. Për t’u shtuar rezistencën mureve të kalasë janë ngritur pesë kulla të fuqishme.

Për gjatë viteve ajo ka pësuar ndryshime dhe zgjerime. Rreth vitit 1490 u bënë përmirësime të gjera nga sulltan Bajaziti II. Pastaj në vitin 1811, Ali Pashë Tepelena shtoi shumë elemente, duke përfshirë Kullën e Sahatit në anën lindore. Po ashtu përfundoi fortifikimin e zonës së greminës dhe ndërtoi ujësjellësin e Sopotit, që sillte ujin në kala rreth 12 kilometra larg.

Me gjithë vlerat që posedon, ajo është tejet atraktive për turistë nga mbarë bota.

/a.f/

The post Mbi 48 mijë vizitorë gjatë korrikut në Kalanë e Gjirokastrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mozaikët e Parkut Kombëtar të Butrintit

7 August 2025 at 07:57

TIRANË, 7 gusht/ATSH/ Parku Kombëtar i Butrintit publikoi në rrjetet sociale pamje nga Mozaiku i Pagëzimores.

Publikimi i i pamjes së mozaikut, i cili mbart një rëndësi të veçantë historike dhe kulturore vjen në kuadër të rubrikës “Të njohim Butrintin”.

Mozaiku i Pagëzimores së Butrintit është më i madhi dhe më i ruajturi nga mozaikët e çdo pagëzimoreje tjetër të botës romake. Ai ishte kompozuar në mënyrë që të jepte mesazhe të qarta të shpëtimit dhe jetës së amëshuar për ata që vendosnin të pagëzoheshin.

Përreth dy rrathëve koncentrikë prej tetë kolonash, shtatë unaza mozaiku rrethonin kryqin qendror, duke riformuar edhe një herë numrin tetë.

Ky numër në fillimet e krishtërimit simbolizonte pagëzimin, krijimin dhe shpëtimin.

Muajin e kaluar, specialistët e Institutit Kombëtar të Trashëgimisë Kulturore njoftuan për hapjen dhe ruajtjen e dy mozaikëve: mozaiku i termeve romake pranë teatrit dhe mozaiku i galerisë në oborrin verior të gjimnazit. Këta mozaikë të rrallë qëndrojnë të hapur për publikun nga 22 korriku deri më 15 gusht.

1 nga 2

/a.f/

The post Mozaikët e Parkut Kombëtar të Butrintit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tano Banushi, aktori i dashur i humorit shkodran

7 August 2025 at 07:51

TIRANË, 7 gusht/ATSH/ Më 7 gusht 1993 u nda nga jeta Athanas Banushi, aktori i njohur i humorit Shkodran, i njohur si Tano Banushi.

Arsimimin bazë e kreu në Shkodër ku gjatë luftës ra në kontakt edhe me idetë e majta si pjesë e formacioneve kulturore pranë trupave partizane. Pas çlirimit u përfshi në strukturat artistike të qytetit nga ku do të kthehej një nga artistët më të përzemërt të qytetit, jo vetëm të Shkodrës por edhe të gjithë Shqipërisë, kryesisht pas shfaqjes së tij në Radio Televizionin Shqipëtar.

Tano, siç do t’i thërrisnin të gjithë dashamirësit e tij, krahas artit të humorit ka ushtruar edhe profesionin e gazetarit dhe instrumentistit, por zëri i tij do të ishte burim i humorit për dëgjuesit në valët e Radio Shkodrës.

Me krijimin e estradës profesioniste në Shkodër, Tano do të ishte një nga kuadrot e parë profesionistë në kuadrin e teatrit Migjeni, institucion nga ku doli edhe në pension por që kurrë nuk rreshti së punuari për estradën dhe buzëqeshjen e qytetit të tij.

Presidiumi i Kuvendit Popullor i akordoi titullin “Artist i Popullit”, me motivacionin: “Për veprimtari krijuese dhe interpretim në nivel të lartë ideo-artistik, në fushën e artit skenik dhe për kontributin e dhënë në zhvillimin dhe lulëzimin e teatrit…”. Këtë titull e mori njëkohësisht me emra të tjerë të shquar të artit shqiptar si: Avni Mula, Marie Logoreci, Çesk Zadeja e Kristaq Antoniu.

Publiku e kujton me nostalgji Tano Banushin, për rolet e tij të shumta në skenë.

/a.f/

 

The post Tano Banushi, aktori i dashur i humorit shkodran appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Elbasani në ritmin e verës, Ansambli Popullor jep shfaqje në shesh

6 August 2025 at 12:02

TIRANË, 6 gusht/ATSH/ Sheshi kryesor i qytetit të Elbasanit u shndërrua mbrëmë në një festë të traditës shqiptare, teksa Ansambli Popullor ndezi atmosferën me tingujt dhe vallet më të bukura nga të gjitha trevat.

Aktiviteti u zhvillua nën kujdesin e veçantë të kryetarit të Bashkisë Elbasan, Gledian Llatja.

Ky spektakël i kulturës kombëtare çeli zyrtarisht kalendarin e pasur të aktiviteteve verore që do të vijojnë gjatë gjithë muajit gusht, duke e kthyer Elbasanin në një destinacion tërheqës për artdashësit, turistët dhe çdo qytetar që kërkon argëtim dhe promovim të identitetit kulturor.

Qindra qytetarë dhe vizitorë u mblodhën në shesh për të shijuar më shumë se dy orë këngë, valle dhe emocion, në një mbrëmje që solli gjallëri, dhe energji pozitive në zemër të Elbasanit.

/a.f/

The post Elbasani në ritmin e verës, Ansambli Popullor jep shfaqje në shesh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Turistët në Himarë: Kalaja të ofron panoramë mahnitëse

6 August 2025 at 08:02

TIRANË, 6 gusht/ATSH/ Shëtitjet në Himarën e vjetër, rreth e rrotull kalasë, ofrojnë pamje mahnitëse.

Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë publikoi në rrjetet sociale intervista të turistëve të shumtë të cilët kanë zgjedhur të vizitojnë këtë zonë të Shqipërisë. Ata shprehen të mahnitur nga panorama që ofron Kalaja e Himarës.

Një vajzë e lindur në Nju Jork por me origjinë shqiptare, tha se kishte ardhur me bashkëshortin dhe miqtë e saj për të parë Kalanë e Himarës.

“Sapo vizituam Kalanë e Himarës. Është absolutisht e bukur. Dhe pamja panoramike e Himarës, mahnitëse. Na pëlqeu shumë. Pothuaj humbëm atje, duke parë kishat dhe shtigjet e lezetshme me lule. Na pëlqeu shumë”.

Një tjetër çift vizitorësh të huaj u shpreh se kalaja është e bukur dhe pamjet gjithashtu shumë të bukura dhe se ua rekomandonin dhe të tjerëve ta vizitonin.

“Ky vend është shumë interesant, i bukur dhe i lashtë”, thotë një tjetër turiste ndërsa shëtit në Himarën e vjetër.

Kalaja e Himarës është një thesar i trashëgimisë kulturore. Në majën e kodrës, mbi të cilën ajo ngrihet, takohet deti me historinë dhe shpirtin e banorëve të kësaj zone.

“Kur ec përreth kalasë, kur ec mes ledheve mund të admirosh peizazhin”, thotë një turiste nga Franca.

Panorama është mahnitëse dhe vizitorët që mbërrijnë deri aty, për ta shijuar, janë të shumtë. Kalaja e Himarës i pret çdo ditë me dyert hapur dhe shpirtin e saj të lashtë. Vizitorët, vendas e të huaj, enden rrugicave me gurë, duke zbuluar kisha e shtëpi të vjetra të cilat dikur gjallonin. Kalaja e Himarës është ndërtuar nga kaonët e lashtë. Ajo ishte një fortesë e fuqishme nëpër shekuj, që ka parë pushtime romake, bizantine dhe osmane, por gjithmonë ka qëndruar kryelartë.

/a.f/

The post Turistët në Himarë: Kalaja të ofron panoramë mahnitëse appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qendra “Sotir Kolea” e hapur ndaj kujtdo që kërkon frymëzim dhe ide të reja

6 August 2025 at 08:00

TIRANË, 6 gusht/ATSH/ Biblioteka Kombëtare, përmes një publikimi në rrjetet sociale ftoi të shfrytëzohet Qendra “Sotir Kolea” e cila është një mjedis i qetë dhe estetikisht frymëzues, ideal për lexim, studim apo edhe punë kreative.

Në këtë qendër ka wi-fi falas dhe hapësira ku mund të punosh në qetësi, pa zhurmë e shpërqendrim. Stafi i kësaj qendre është i përkushtuar dhe mikpritës, gjithmonë gati për të ndihmuar në gjetjen e librit të duhur, apo në perfeksionimin e një ideje të re.

Në Qendrën “Sotir Kolea” gjendet salla me literaturë të ndarë sipas gjuhëve, nga gjermanishtja tek italishtja, nga gjuhët orientale të greqishtja e lashtë dhe latinishtja.

Biblioteka Kombëtare theksoi se kjo qendër nuk është vetëm për lexuesit, por për këdo që kërkon një vend ku të ndihet i mirëpritur, i lirë për të eksploruar dhe për të ndërtuar një komunikim të ri kulturor, sepse kultura nuk është luks, por është nevojë.

/a.f/

The post Qendra “Sotir Kolea” e hapur ndaj kujtdo që kërkon frymëzim dhe ide të reja appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

QSPA përkujton piktorin e mirënjohur durrsak, Nikolet Vasia

5 August 2025 at 13:36

TIRANË, 5 gusht/ATSH/ Qendra e Studimeve dhe Publikimeve për Arbëreshët përkujtoi sot artistin dhe piktorin e njohur, Nikolet Vasia.

Vasia lindi më 5 gusht të vitit 1947, në qytetin e Durrësit. Studimet e para i kreu në Liceun Artistik “Jordan Misja” në Tiranë. Në vitet 1966-1970 ndoqi Akademinë e Arteve në Tiranë, ku u diplomua për pikturë. Nga viti 1970-1984 punoi si piktor dhe skicograf pranë Muzeut Arkeologjik, Durrës, në riprodhimin e vazove antike me pikturim dhe relieveve arkeologjike. Në vitin 1986 nis punën si mësues i pikturës, tekstilit në shkollën artistike “Jan Kukuzeli” Durrës.

Vasia kryesisht ka trajtuar temën historike, ku shquhen veprat në vaj: “Tek arbëreshët” “Rreth flamurit të bashkuar”, “Posta shqiptare 1912”, “Kuvendi i burrave”, “Familja fshatare”, etj.

Të njohura janë edhe kompozimet dimensionale në mozaik dhe vitrazh në Muzeun e Skënderbeut në Krujë me temë “Kushtrimi” dhe “Tradita”. Pikturat murale në ambiente të ndryshme të qytetit si “Pena shqiptare”, “Lojërat e fëmijëve” dhe “Pranvera”. Shquhet gjithashtu edhe në realizmin e portreteve si ato historike, “Shote Galica”, që ruhen me shumicë si në galerinë e qytetit të Durrësit dhe tek koleksionistët privatë. Legjendat shqiptare për Doruntinën, Rozafën, Mujin dhe zanat, u bënë tema të preferuara të tij, një pjesë e të cilave më pas u kthyen edhe në koleksione filatelike të pullave të Postës Shqiptare.

Në vitet 2000 atyre iu shtuan edhe seritë e tjera filatelike “Përvjetori i OKB”, “200-vjetori i Revolucionit francez”, “Van Gog”, “Lojërat olimpike”, etj. Vasia ka marrë pjesë në shumë ekspozita kombëtare, ku ka fituar dhe çmime. Veprat e piktorit ndodhen nëpër koleksionet private në shumë qytete të Shqipërisë si dhe në Itali, Greqi, Gjermani, Francë, Belgjikë, Spanjë dhe SHBA.

/a.f/

The post QSPA përkujton piktorin e mirënjohur durrsak, Nikolet Vasia appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Lufta e Konispolit, beteja më e gjatë në Ballkan kundër pushtuesve nazistë

5 August 2025 at 11:17

TIRANË, 5 gusht/ATSH/ Më 5 gusht 1943, nisi Lufta e Konispolit, e hyrë në histori si përballja më e gjatë ndaj ushtrisë naziste në Ballkan.

Nga datat 5 gusht deri më 28 shtator 1943 u zhvillua Lufta e Konispolit, një betejë e cila zgjati për 55 ditë dhe ishte luftimi i parë në vendin tonë në kufirin shtetëror me Greqinë kundër batalioneve gjermane. Këto luftime kanë hyrë në histori si luftimet më të gjata në kohë të rezistencës shqiptare.

Komanda gjermane kishte si qëllim të vinte nën kontroll bregdetin Jonian nga Gjiri i Artës deri në Konispol. Rezistenca u udhëhoq nga Batalioni “Çamëria” i ndihmuar edhe nga forca vullnetare të zonës.

Luftime të gjata pati gjatë rrugës automobilistike Skalomë – Konispol dhe në drejtimin Lopës – Qafa e Likojanit.

Në fund të këtyre luftimeve gjermanët arritën të pushtonin Konispolin dhe të lironin rrugët për lëvizjen e lirshme të ushtrisë gjermane në territorin e Ballkanit dhe konkretisht drejt Greqisë.

/a.f/

The post Lufta e Konispolit, beteja më e gjatë në Ballkan kundër pushtuesve nazistë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Filmi shqiptar “Burri i shtëpisë” në Festivalin e Filmit në Sarajevë

4 August 2025 at 13:47

TIRANË, 4 gusht/ATSH/ Qendra Kombëtare e Kinematografisë bëri të ditur se filmi artistik me metrazh të gjatë, “Burri i Shtëpisë” (Man of the House) me regji të Andamion Murataj dhe me produksion të shtëpisë kinematografike “Lissus Media”, do të ketë premierën botërore në programin e konkurrimit të Festivalit të Filmit në Sarajevë 2025.

Filmi është mbështetur financiarisht nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë.

Andamion Murataj është njëkohësisht edhe skenaristi i filmit, cili zgjat 110 minuta dhe përqendrohet në historinë e Fran, një personazh kompleks, lindur si grua por që bën jetën e një burri apo e thënë ndryshe “burrneshë”.

Për t’i dhënë dashurinë e nënës mbesës së saj, Fran duhet të bëjë zgjedhjen e vështirë nëse do të vijojë të ruajë statusin si burrneshë apo të ulë autoritetin dhe të rilidhet me ndjenjat femërore të nënës.

Edicioni i 31-të i Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Sarajevë do të mbahet në datat 15-22 gusht 2025. Fetivali do të çelet me “The Pavilion” nga regjisori i mirënjohur boshnjak Dino Mustafic. 50 filma do të garojnë në kategori të ndryshme, për çmimin “Zemra e Sarajevës”.

Janë përzgjedhur 15 premiera botërore, 6 ndërkombëtare, 28 rajonale si dhe dy premiera kombëtare. Pritet që kineasti italian Paolo Sorrentino të vlerësohet me çmim nderi “Honorary Heart of Sarajevo Award”, për kontributin e jashtëzakonshëm në artin e kinemasë. Dy yje të tjerë të kinematografisë botërore, të cilët do të nderohen me çmime në këtë edicion, do të jenë suedezi Stellan Skarsgard dhe amerikani Willem Dafoe. /j.p/

The post Filmi shqiptar “Burri i shtëpisë” në Festivalin e Filmit në Sarajevë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Loro Boriçi, pionieri i futbollit modern në Shqipëri

4 August 2025 at 11:37

TIRANË, 4 gusht/ATSH/ Më 4 gusht 1922, lindi futbollisti i shquar i kombëtares, Loro Boriçi.

Në qytetin e lindjes, Shkodër, ndoqi Kolegjin Saverian. Shtatlarti prej 1,87 m debutoi në futboll në moshën 14-vjeçare, me fanellën e ekipit të vendlindjes, “Vllaznisë” kundër ekipit të “Dragoit” të qytetit të Pogradecit. Në vitin 1939 shpalosi dimensionin e një sulmuesi të pandalshëm, duke u bërë një ndër futbollistët më të njohur dhe më të dashur për publikun shqiptar, kur shënoi 3 gola në vetëm 4 minuta në ndeshjen kundër “Spartakut” të Tiranës.

Më pas nisi edhe një aventurë përtej Adriatikut, ku luajti për dy vite në Serinë A, me ekipin e Lazio-s.

“Ylli në ngjitje” do të kthehej sërish në fushën e gjelbër shqiptare, ku si lojtar i kombëtares ngadhënjeu me arritjen më të madhe të kohës, fitoren e Kupës së Ballkanit, më 1946.

Gjatë 20 viteve të karrierës, Boriçi do të luante për Partizanin, Vllazninë dhe Spartakun e Tiranës. Sulmuesi veteran do të tërhiqej nga fusha për të marrë përsipër rolin e trajnerit. Boriçi drejtoi kombëtaren e Shqipërisë, Spartakun e Tiranës, Partizanin, Lokomotivën e Durrësit dhe për disa vite edhe kombëtaren e Republikës Popullore të Kinës. /j.p/

 

The post Loro Boriçi, pionieri i futbollit modern në Shqipëri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Muzeu Historik Kombëtar në kantier restaurimi për t’u rikthyer si institucion bashkëkohor

4 August 2025 at 10:25

TIRANË, 4 gusht/ATSH/ Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit bëri të ditur se po punohet për ta rikthyer Muzeun Historik Kombëtar në një institucion dinjitoz dhe bashkëkohor, të denjë për të ruajtur dhe treguar historinë kombëtare.

Muzeu Historik Kombëtar, pas një kohe të gjatë sfidash dhe dëmtimesh, përfshirë tërmetin e 2019-tës është në fazë restaurimi, rikonstruksioni dhe muzealizimi. Kjo është ndërhyrja më e rëndësishme e këtij institucioni simbol, në kuadër të programit EU4Culture, nën drejtimin e UNOPS, me mbështetjen e Bashkimit Evropian dhe MEKI.

Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit bëri të ditur se, aktualisht në fazën e parë, punimet përfshijnë: paketim dhe evakuim të artefakteve, konsolidim dhe përforcim strukturor, rinovim të fasadave dhe izolimin e çatisë, instalimin e sistemit të monitorimit CAM, restaurimin e fasadës me teknologji moderne (fibra karboni dhe xhaketim kolonash).

Ndërkohë, MEKI është në proces buxhetimi për fazën e dytë për të garantuar vijimin e këtij transformimi rrënjësor, që do të përfshijë: shtesa nëntokësore me laboratorë e hapësira teknike; fasadën e brendshme “Oculus” prej xhami dhe mbulesën ikonike; sisteme moderne MEP, mbrojtje nga zjarri, muzeologji bashkëkohore dhe mobilim tërësor. /j.p/

The post Muzeu Historik Kombëtar në kantier restaurimi për t’u rikthyer si institucion bashkëkohor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Një mijë vizitorë gjatë korrikut në Kalanë e Lezhës

3 August 2025 at 08:39

TIRANË, 3 gusht /ATSH/ Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Shkodër njoftoi se, Kalaja e Lezhës gjatë muajit korrik ka pritur mbi 1 000 vizitorë.

Vizitorët, vendas e të huaj, i bashkon pasioni dhe dëshira për të njohur vlerat arkeologjike dhe historike të kësaj kalaje, por edhe për të shijuar peizazhin përreth që ajo ofron.

Kalaja e Lezhës, e vendosur si një kurorë dhe e rrethuar plot me histori nga bukuritë e qytetit, ngrihet në majë të një kodre me lartësi 186 metra, në lindje të qytetit të Lezhës, pjesë e qytetit antik Lissus.

Prej saj shihet një pamje mjaft e bukur e qytetit të Lezhës, luginës së Drinit dhe e Detit Adriatik. Këtu mund të gjejmë gjurmë të arkitekturave ilire, romake, bizantine, veneciane dhe osmane.

/a.f//r.e/

The post Një mijë vizitorë gjatë korrikut në Kalanë e Lezhës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndre Mjeda, poeti i “Vajit të Bylbylit” dhe figura poliedrike e Rilindjes Kombëtare

1 August 2025 at 11:05

TIRANË, 1 gusht/ATSH/ Më 1 gusht të vitit 1937 u nda nga jeta kleriku, teologu, poeti, gjuhëtari, deputeti dhe patrioti i Rilindjes Kombëtare, Dom Ndre Mjeda.

Mjeda ndërroi jetë në moshën 71-vjeçare, i afirmuar si njeri me dije poliedrike dhe veprimtari në shumë fusha, megjithatë, u diplomua doktor në Teologji dhe Filozofi nga Universiteti Pontifik Gregorian, më 20 tetor 1931.

Ndre Mjeda lindi më 20 nëntor 1866, në Shkodër. Mësimet e para i ndoqi në vendlindje dhe më pas vazhdoi studimet e mesme dhe të larta teologjike në disa vende të Evropës. Kur u kthye në atdhe, Mjeda u emërua famullitar në disa fshatra dhe u lidh me lëvizjen patriotike. Ishte viti 1901 kur bashkë me të vëllain, themeloi shoqërinë “Agimi”, e cila krijoi një alfabet dhe botoi një varg librash për shkollat mbi bazën e këtij alfabeti.

Mes të tjerash, Dom Ndre Mjeda ishte anëtar i komisionit për hartimin e alfabetit të njësuar të shqipes në Kongresin e Manastirit, i zgjedhur në 1908-ën, si përfaqësues i Shkodrës dhe mbështeti variantin e shkronjave latine bashkë me At Gjergj Fishtën, Luigj Gurakuqin, Hilë Mosin dhe Mati Logorecin. Në kujtesën popullore ai mbetet si poeti i “Vajit të Bylbylit”, botuar më 1887.

/r.e//a.f/

The post Ndre Mjeda, poeti i “Vajit të Bylbylit” dhe figura poliedrike e Rilindjes Kombëtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gonxhja: Kalaja e Gjirokastrës, një nga monumentet më të vizituara të trashëgimisë sonë kulturore

1 August 2025 at 09:36

TIRANË, 1 gusht/ATSH/ Kalaja e Gjirokastrës është një nga monumentet më të vizituara të trashëgimisë sonë kulturore.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ndau në rrjetet sociale një album fotografik nga një ditë e zakonshme, gjatë së cilës kalaja është e mbushur plot me vizitorë nga e gjithë bota. Ata ndalen për të përjetuar historinë, arkitekturën dhe shpirtin që kalaja ruan prej shekujsh. Me gjithë vlerat që posedon, ajo është tejet atraktive për turistët nga mbarë bota.

“Një nga monumentet më të vizituara të trashëgimisë sonë kulturore, ku vizitorë nga e gjithë bota ndalen për të përjetuar historinë, arkitekturën dhe shpirtin që ajo ruan prej shekujsh”, shkruan ministri Gonxhja.

Kalaja e Gjirokastrës e arriti shifrën prej 100 mijë vizitorësh që në 6-mujorin e parë të vitit. Në përfundim të 2024-ës, ajo ishte kalaja më e vizituar në rang vendi, pasi priti një numër të madh grupesh turistike të tërhequr nga pamja që ofron qyteti mijëravjeçar.

Panorama nga kalaja e Gjirokastrës është një pamje që ngjall kureshtje te vizitorët, të interesuar për historinë dhe kulturën që ky qytet mbart.

Gjirokastra, apo siç njihet ndryshe “qyteti i gurtë”, është ndër qytetet më të bukura në jug të Shqipërisë. Me vlera të shumëfishta që ka ky qytet-muze është pranuar ndër të parët qytete në UNESCO. Simboli kryesor i qytetit është Kalaja. Ajo është e vendosur mbi një kodër pak të shkëputur nga Mali i Gjerë, e ngritur në një pikë vrojtuese rreth 370 m mbi nivelin e detit.

/r.e//a.f/

The post Gonxhja: Kalaja e Gjirokastrës, një nga monumentet më të vizituara të trashëgimisë sonë kulturore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌