Harresë e turpshme dhe e frikshme
Nga Besnik Bakiu
Muaji korrik është muaj i bekuar për ne shqiptarët, pasi kanë ndodhur 4 nga ngjarjet më të rëndësishme të historisë tonë.
Ky muaj është muaji i pagëzimit të shteteve shqiptare, pasi më 29 korrikut 1913 Konferenca e Ambasadorëve në Londër, njohu “de jure” shtetin shqiptar të shpallur të pavarur më 28 nëntor 1912, si ”…principatë autonome, sovrane … nën garancinë e të gjashtë Fuqive”, kurse më 22 korrik 2010 Gjykata Ndërkombëtare e Drejtësisë e quajti të ligjshëm Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës të 17 shkurtit 2008 dhe deklaroi se: “nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare e as rezolutën 1244, si dhe as Kornizën kushtetuese të UNMIK-ut”, por është në përputhje të plotë me to. Me këtë vendim GJND (organ gjyqësor i OKB) vërtetoi kufijtë dhe shtetësinë e Kosovës.
Muaji korrik është muaj kur u vendosen marrëdhëniet diplomatike mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë, aleatit tonë të madh strategjik.
Kujtojmë edhe 2 korrikun 1990 e ambasadave, ku filloi shembja e regjimit komunist.
Pritshmëria ime ishte që të gjitha këto ngjarje të kremtoheshin siç e meritonin shqiptarët kudo ndodhen. Por me heshtjen që i shoqëroi, treguam se edhe këtë radhë ne shqiptarët nuk “zhgënjejmë” kurrë, apo nuk na intereson shumë të bërit shtet. Këto 3 ngjarje në sytë e historisë duhej të ishin shumë të rëndësishëm, por kaluan pothuajse pa u përmendur fare, si në hapësirën publike ashtu edhe atë politike shqiptare në Shqipëri dhe Kosovë. E vetmja që u kujtua ishte ambasada e SHBA, kur deklaroi se: “Jemi krenarë për partneritetin tonë me Shqipërinë për të çuar përpara sigurinë, forcën dhe mirëqenien tonë të përbashkët”. Lum ata që na kanë ne, se kush e di sa probleme mund t’u dilnin, pa mbështetjen tonë!?
Mirë politika në dy anët e kufirit shqiptaro shqiptar ishte e zëne me “probleme te mëdha”. Ajo e Kosovës për votimin e 50 për zgjedhjen e kryeparlamentares, kurse ajo e Tiranës me gjetjen e hajdutit mes vedi, hajdutët që i kishin vjedhur vota shokut dhe mikut të tyre, apo me policin që nuk ndërhyri për të ndarë një sherr të turpshëm në një lokal të Vlorës. Po media, institucionet shkencore e kulturore që paguhen me taksat tona për këto punë, ku ishin?, apo është koha plazhi dhe janë “lodhur nga te punuarit”?
Harresa, miqtë e mi, është një dukuri e zakonshme në përditshmërinë e rutinës tonë njerëzore dhe është e dukshme tek individët. Siç thonë shkencëtarët, ajo është një fenomen që shkaktohet nga shkalla e interesit për të mbajtur mend, nga emocionet që shkakton një ngjarje, një dukuri, një lajm, një e dhënë, si dhe nga rëndësia që merr zhvillimi i asaj që quhet “proces i ndodhive”
Po a mund të ndodh që procesi i harresës të ngjizet te grupet shoqërore, te popujt dhe kombet, tek elita politike dhe intelektuale e tyre, si në këtë rast?
Kjo është sa e turpshme aq dhe e frikshme. Për të amnistuar sado pak këtë harresë po sjellë në vëmendje të lexuesit diçka për këto ngjarje.
PAGËZIMI I SHTETEVE SHQIPTARE
Në 22 korrik 2010 u shpall Vendimi i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, si organ i Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, lidhur me Shpalljen e Pavarësisë së Kosovës. Kryetari i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, z. Hisashi Owada tha mes tjerash se: “Shpallja e Pavarësisë së Kosovës më 17 shkurt të vitit 2008 nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare”. Me 10 vota pro dhe 4 kundër (Rusia, Sllovakia, Maroku, Sierra Leone) gjykata vendosi se Deklarata e Pavarësisë së Kosovës nuk e ka shkelur të drejtën ndërkombëtare. Sipas saj nga të gjitha të dhënat del se Pavarësia e Kosovës nuk ka shkelur as rezolutën 1244, si dhe as Kornizën Kushtetuese të UNMIK-ut.
Sot Republikën e Kosovës e kanë njohur formalisht 119 nga 193 shtete anëtare të OKB-së dhe 3 shtete që nuk janë anëtare të OKB.
Më 29 korrikut 1913 Konferenca e Ambasadorëve në Londër, njohu “de jure” shtetin shqiptar të shpallur të pavarur më 28 nëntor 1912, si ”…principatë autonome, sovrane … nën garancinë e të gjashtë Fuqive”.
Me gjithë kufizimet e mëdha të këtij vendimi (legalizoi faktin që shqiptarët të ishin i vetmi popull në rruzullin tokësor që kufizohej me vetveten), ai pati një rëndësi të veçantë për fatet e Shqipërisë, pasi edhe pse territori dhe popullsia shqiptare u copëtuan rëndë e në shifra të frikshme, përsëri arriti të mbijetojë, nëpërmjet gjakut dhe sakrificave shekullore te burrave te cilëve iu dhëmbi kombi i tyre.
Ishin këto padrejtësi ulëritëse, që detyruan Imzot At Gjergj Fishtën të akuzoj: “Uh! Evropë, ti kurva e motit!/Që i re mohit, besës së Zotit!/Po, á ky asht sheji i qytetnisë?/Me da token e Shqypnisë”.
Vendosja e marrëdhënieve diplomatike mes Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë
Më 28 korrikut 1922 u vendosën për herë të parë marrëdhëniet diplomatike SHBA-Shqipëri. Në telegramin e 25 korrikut 1922, Sekretari i Shtetit Charles Evans Hughes informonte Komisionerin Amerikan në Shqipëri, Maxwell Blake, se më 28 korrik 1922, Blake “mund t’i dërgojë Ministrit të Punëve të Jashtme të Shqipërisë njoftimin me shkrim për njohjen de jure të Shqipërisë nga Shtetet e Bashkuara.” Më 4 dhjetor 1922, i dërguari i jashtëzakonshëm dhe Ministri Fuqiplotë Ulysses Grant-Smith i dorëzoi kredencialet qeverisë së Shqipërisë në Tiranë.
Në vitin 1922 SHBA i japin Shqipërisë dhe shqiptarëve statusin e kombit më të favorizuar. Përpara njohjes së ndërsjellë zyrtare, komisioneri amerikan Maxwell Blake shkëmbeu nota me Presidentin e Këshillit dhe Ministrin e Punëve të Jashtme të Shqipërisë Z. Xhafer Upi për të siguruar statusin e ndërsjellë të kombit më të favorizuar në traktatet e ardhshme tregtare midis Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara.
Në vitin 1945 themelohet nga SHBA, Trupa për Asistencë shtesë dhe Ndihmë, që tregon kujdesin e shtuar amerikan ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve përkundër orientimit kah lindja dhe sistemi komunist nga lidershipi i Shqipërisë së atëhershme.
Marrëdhëniet diplomatike midis Shteteve të Bashkuara dhe Shqipërisë u rivendosën më 15 mars, 1991, pas një ndërprerjeje prej 52 vjetësh. Ambasada e SHBA në Tiranë u hap më 1 tetor 1991, me Kristofer Hill si i Ngarkuar me Punë dhe i pasuar nga Ambasadori i SHBA William Eduin Rajerson, i cili ia paraqiti kredencialet e tij Qeverisë së Shqipërisë më 21 dhjetor 1991.
Në ceremoninë historike në vitin 1991 për nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit, i cili rivendoste marrëdhëniet diplomatike mes dy vendeve, Ndihmës Sekretari i atëhershëm i Shtetit për Çështjet Europiane dhe Kanadeze Rejmond G.H. Saitc, tha: ”Marrëdhënia midis vendeve tona fillon me vitet e hershme të këtij shekulli, kur Presidenti Willson i ofroi mbështetjen amerikane shtetit të ri shqiptar. Marrëdhënia nuk u harrua kurrë nga mijëra amerikanët me origjinë shqiptare…të cilët mbajtën kontaktet me atdheun e tyre gjatë gjithë këtyre viteve.”
Në themelin e këtyre marrëdhënieve qëndrojnë figurat më të ndritura të kombit tonë, në fillimet e shek.XX, si Fan Noli, Faik Konica, Kristo Floqi, Petro Nini Luarasi, Mehmet Konica, Mihal Gramenja, Kostë Çekrezi apo Parashqevi Qiriazi, etj.
Në ndryshim nga ne shqiptarët e sotëm, Federata “Vatra”, në letrën e mirënjohjes, që i dërgon Presidentit Wilson, i shkruan: “Zotëri, a do të na lejoje ne, përfaqësuesve të një kombi të vogël, që gjithmonë i ka vlerësuar nderin, drejtësinë dhe guximin si virtytet më të larta, që t’u shprehim Juve mirënjohjen më të thellë për ndjesitë tuaja fisnike, të cilave ju i keni dhënë shprehje të tilla kaq të fuqishme? Në to ne shohim shpalljen e lirisë …”.
Miqtë e mi, siç ka thënë Presidenti Roland Reagan: ”Amerika është më shumë një ide, sesa një vend, është dashuria për liri për dinjitet, që qëndron thellë brenda zemrës të secilit prej nesh”.
Në përfundim dua të sjell në vëmendjen e lexuesit Walt Whitman, një nga zërat më të fuqishëm të poezisë amerikane, e njeh dhe e eksploroi në thellësi konceptin e harresës kolektive, veçanërisht në lidhje me pafundësinë e përvojës dhe zbehjen e kujtesës mirënjohëse dhe kalimin e kohës. Vërtet që mirënjohja dhe kujtesa kolektive ka natyrë kalimtare, ajo mund të zbehet, por nuk zhduket kurrë, pasi jeton si te individi ashtu edhe te narrativa e rrëfimit më të madh dhe të vazhdueshëm të kombit, që tregon dhe arsyet e qendrueshmërisë së një kombi, falë kujtesës dhe mirënjohjes së përjetshme. Falë kujtetesës dhe mirënjohjes kombet meritojnë respektin. Këtë marrëdhënie, mes kujtesës individuale dhe kolektive e shpreh mjaft mirë edhe poeti Mahmud Darwish, kur shkruan: përfaqëso vetëm vetven, por vetvetja është plot me kujtesë kolektive.
The post Harresë e turpshme dhe e frikshme first appeared on JavaNews.al.