Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 14 July 2025Main stream

OEK: Gjykata Komerciale pezullon vendimin e ZRrE-së për 5 kompani të tjera

14 July 2025 at 11:28

Gjykata Komerciale ka marrë aktvendimin për pezullimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE), për pesë kompani të tjera për dalje në tregun e lirë të energjisë elektrike.

Lajmi është bërë i ditur nga Oda Ekonomike e Kosovës, e cila theksoi se këto kompani kanë ushtruar padi individuale ndaj vendimit të ZRrE-së, duke ndjekur rrugën ligjore të paraparë nga legjislacioni aktual.

“Siç kemi theksuar edhe më herët, legjislacioni në fuqi nuk parasheh padi grupore ose kolektive, andaj vetëm paditë individuale janë duke u trajtuar dhe pranuar nga gjykata.  Këto pesë kompani kanë fituar të drejtën e tyre ligjore përmes këtij mekanizmi,” thuhet në njoftimin e Odës Ekonomike.

Në reagimin e saj, OEK i bën thirrje ZRrE-së që të anulojë vendimin për detyrimin e bizneseve të kalojnë në tregun e lirë të energjisë, duke paralajmëruar se një qasje e tillë mund të dëmtojë konkurrencën, të rëndojë barrën financiare për bizneset dhe qytetarët, si dhe të godasë ekonominë e vendit. /Telegrafi/

 

The post OEK: Gjykata Komerciale pezullon vendimin e ZRrE-së për 5 kompani të tjera appeared first on Telegrafi.

Yesterday — 13 July 2025Main stream

Konfuzion ligjor për vendimin e ZRRE-së, gjykatat me vendime të ndryshme – bizneset kërkojnë drejtësi

13 July 2025 at 21:39

Derisa Gjykata Komerciale aprovoi kërkesën për masë sigurie, respektivisht pezullim të vendimit të ZRRE-së për hapjen e tregut të energjisë elektrike për bizneset e mëdha, Rregullatori nuk i sheh aktvendimet në raste individuale si precedent. Ndërkohë, kërkesa për masë sigurie nga përfaqësues të bizneseve në tërësi u refuzua nga Gjykata Themelore. Sidoqoftë, krahas asaj kolektive, beteja vazhdon me padi individuale në Gjykatën Komerciale.

Vendime të kundërta lidhur me kërkesën për masë sigurie ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji për hapjen e tregut të energjisë elektrike për bizneset e mëdha, kanë nxjerrë gjykata të ndryshme në vend.

Departamenti për Çështje Administrative i Gjykatës Themelore, refuzoi dy kërkesa të Odës Ekonomike dhe Shoqatës së Prodhuesve në emër të bizneseve, si dhe të PDK-së për masë sigurie.

Ndërsa, Gjykata Komerciale ka aprovuar masën e sigurisë ndaj vendimit të ZRRE-së në disa raste individuale të padive të bizneseve që preken nga procesi, duke e pezulluar atë deri në aktgjykimin përfundimtar.

Rregullatori, që refuzon ta pezullojë vendimin në tërësi duke mos i konsideruar aktvendimet individuale si precedent të përgjithshëm, nuk lëvizi nga qëndrimi.

“Jo, këto Aktvendime nuk krijojnë precedent për të gjithë procesin dhe nuk kanë efekt të përgjithshëm. Çdo vendim për masë të sigurisë ka efekt vetëm për palët përkatëse në procedurë. Vendosja e masës së sigurisë kërkon parashtrim të veçantë dhe individual të kërkesës për pezullim dhe shqyrtohet në bazë të rrethanave të veçanta të secilit rast nga Gjykata”.

Në Shoqatën e Prodhuesve, kërkesa e të cilëve për pezullim të vendimit në emër të bizneseve si tërësi u refuzua, këmbëngulin se Rregullatori duhet të pajtohet për pezullim pasi paditë individuale po vazhdojnë.

“Gjykata Themelore, Departamenti për Çështje Administrative, kemi marrë dje njoftimin që e ka refuzua masën pezulluese, por nuk e ka refuzua padinë. Ne do të vazhdojmë me Gjykatën e Apelit dhe tutje qëllimi ynë ka qenë për një vendim për procesin në tërësi, ndërkohë ne jemi duke vazhdua me të gjitha bizneset edhe paditë individuale. Paditë individuale po pezullohen nga Gjykata Komerciale”, ka deklaruar Kushtrim Ajvazi, kryetar i Shoqatës së Prodhuesve.

Ai sqaroi se për shkaqe ligjore padia bashkë me OEK-un u adresua në Themelore pasi u bë në emër të bizneseve, teksa ato individuale kanë adresë Komercialen.

Ndërsa u shpreh i bindur se institucionet e drejtësisë do t’u japin të drejtë në të gjitha paditë.

“Të jemi të qartë, edhe pse kemi shkua si grup, ne individualisht të gjitha bizneset janë duke dorëzua lëndë individuale, ne jemi duke pritë dhe çdo ditë po marrim përgjigje për rastet individuale që po pezullohen. Ky rast nuk nënkupton që po i dëmton bizneset në paditë individuale. Paditë individuale janë duke vazhdua, do të vazhdojnë deri te padia e fundit ku do të fitojmë rastin”, ka theksuar Ajvazi.

Nga 1 Qershori, rreth 1300 biznese me më shumë se 50 punëtorë ose më shumë se 10 milionë euro qarkullim vjetor, janë nxjerrë në tregun e hapur të energjisë elektrike përkundër protestave dhe kërkesës së përsëritur për shtyrjen e procesit për një vit, me qëllim përgatitjen e tregut dhe bizneseve./RTV Dukagjini

The post Konfuzion ligjor për vendimin e ZRRE-së, gjykatat me vendime të ndryshme – bizneset kërkojnë drejtësi appeared first on Telegrafi.

Before yesterdayMain stream

Aktvendimi i fundit i Komerciales, OEK me thirrje ndaj ZRrE-së për pezullim të vendimit për të gjitha bizneset

4 July 2025 at 16:46

Oda Ekonomike e Kosovës konsideron se aktvendimi i fundit nga Gjykata Komerciale që pezullon vendimin e ZRrE-së për daljen në treg të lirë të energjisë për një anëtar të Odës duhet të shërbejë si argument i fortë për ZRrE-në që të rishqyrtojë tërësisht dhe të pezullojë vendimin për të gjitha bizneset.

OEK i bën thirrje ZRrE-së që siç thonë “pa emocione, në mënyrë profesionale dhe transparente, të shfuqizojë vendimin për daljen e bizneseve në mënyrë të dhunshme në tregun e lirë të energjisë”.

“Gjithashtu ju njoftojmë se të hënën, përmes Shoqërisë së Avokatëve “Sejdiu & Qerkini”, do të publikohen edhe pesë aktvendime të tjera të cilat po ashtu kanë aprovuar kërkesat e bizneseve për pezullimin e vendimit të ZRrE”.

Oda Ekonomike e Kosovës thekson më tej se mbetet e përkushtuar në mbështetjen ligjore të bizneseve dhe do të vazhdojë me ngritjen e padive përmes bashkëpunëtorëve të saj ligjorë dhe zyrës së juristëve të themeluar brenda OEK.

The post Aktvendimi i fundit i Komerciales, OEK me thirrje ndaj ZRrE-së për pezullim të vendimit për të gjitha bizneset appeared first on Telegrafi.

Ankesat e bizneseve për tregun e lirë energjetik, deklarohet Kurti

2 July 2025 at 22:35

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka komentuar vendimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për daljen e bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike, duke theksuar se nuk beson që ky vendim do të shkaktojë probleme siç është paraqitur nga disa palë.

“Bëhet fjalë për një vendim të vitit 2016, i cili është dashur të zbatohet, dhe prek vetëm rreth 1 për qind të kompanive që do të kenë mundësinë të nënshkruajnë kontrata për blerje të energjisë. Furnizuesi i fundit mbetet KEK-u dhe nuk besoj se do të ketë probleme siç është trumbetuar,” tha Kurti në një intervistë për Tëvë1.

Megjithatë, vendimi i ZRRE-së ka hasur në kundërshtime të forta nga komuniteti i biznesit dhe kompanitë vendore.

Ditë më parë, Gjykata Komerciale e Kosovës, Departamenti për Çështje Administrative, ka marrë aktvendime në lidhje me anulimin e këtij vendimi, më 25 qershor 2025.

Bizneset vazhdojnë të paraqesin padi kundër ZRRE-së, ndërsa Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka bërë të ditur se funksionon një zyrë e posaçme për përpilimin e padive kundër këtij vendimi.

Kjo zyrë ofron mbështetje ligjore për bizneset e prekura dhe po shënon interesim të lartë nga kompanitë që kërkojnë ndihmë për kontestimin ligjor.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës ka theksuar se procesi i liberalizimit të tregut është shoqëruar me shkelje procedurale dhe substanciale, të evidentuara edhe nga institucionet evropiane.

Po ashtu, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë ka shprehur shqetësime të thella për zbatimin e këtij procesi, duke u bazuar në aktvendimet e fundit gjyqësore që kanë pezulluar ekzekutimin e vendimeve të ZRRE-së.

Në shenjë pakënaqësie, bizneset kishin organizuar edhe protesta kundër vendimit të ZRRE-së, duke argumentuar se ky hap do të rëndojë ekonominë e vendit.

The post Ankesat e bizneseve për tregun e lirë energjetik, deklarohet Kurti appeared first on Telegrafi.

OEK letër Kurtit, bizneset kërkojnë shtyrjen e kalimit në tregun e lirë të energjisë

25 June 2025 at 13:49

Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), në emër të komunitetit të bizneseve dhe të gjitha shoqatave përfaqësuese, i ka dërguar një letër zyrtare kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, përmes së cilës shpreh shqetësimin serioz për vendimin e qeverisë për kalimin e kompanive kosovare në tregun e lirë të energjisë elektrike.

Kjo u bë e ditur përmes një postimi në rrjetin social në Facebook ku ndër të tjera bëhet e ditur se një vendim i tillë, i zbatuar pa përgatitje të mjaftueshme dhe pa mekanizma mbrojtës, do të sjellë pasoja të rënda për ekonominë e vendit, veçanërisht në sektorët e prodhimit dhe transportit.

“Një rritje e tillë e çmimeve, e kombinuar me kalimin në tregun e lirë pa përgatitje të duhur dhe pa mekanizma mbrojtës, do të ishte një goditje e rëndë për ekonominë e Kosovës. Bizneset, veçanërisht ato në sektorët e prodhimit dhe transportit, do të përballen me kosto shtesë të papërballueshme, duke rrezikuar qëndrueshmërinë e tyre dhe duke shkaktuar humbje të vendeve të punës. Kjo do të ndikojë drejtpërdrejt në shkëputjen e zinxhirët furnizues dhe në ngritjen e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve, duke dëmtuar ndjeshëm fuqinë blerëse të qytetarëve”, thuhet në letrën e OEK-ut.

Tutje OEK kërkon nga Qeveria që me urgjencë të shqyrtojë shtyrjen e këtij vendimi, duke e konsideruar si të domosdoshme një qasje më graduale dhe të koordinuar me sektorin privat.

“Ne, përfaqësuesit e bizneseve në Republikën e Kosovës, besojmë fuqishëm se do të ishte shumë e dobishme që Qeveria e Kosovës të merr si model strategjinë e re industriale të Mbretërisë së Bashkuar si një pikë kthese, duke ia dhënë përparësi uljes së kostove të energjisë elektrike për bizneset, veçanërisht në sektorët kryesorë si prodhimi. Si rezultat i problemeve ekonomike globale, një fokus i kësaj strategjie është pikërisht sigurimi i një furnizimi të qëndrueshëm dhe me kosto efektive të energjisë, sepse një qasje e tillë është thelbësor për të nxitur investimet, për të krijuar vende pune dhe për të rritur kapacitetet konkurruese të ekonomisë sonë”, thuhet tutje në letër.

Sipas OEK-ut, kjo qasje afatgjatë dhe e koordinuar me sektorin privat do t’i japë bizneseve sigurinë e nevojshme për t’u zhvilluar në mënyrë të sigurt nga njëra anë dhe nga ana tjetër, duke mbrojtur njëkohësisht qytetarët nga rritja e çmimeve. /Telegrafi/

The post OEK letër Kurtit, bizneset kërkojnë shtyrjen e kalimit në tregun e lirë të energjisë appeared first on Telegrafi.

Oda Amerikane kërkon nga ZRRE të pezullojë procesin e liberalizimit të tregut të energjisë pas aktvendimeve gjyqësore

25 June 2025 at 13:17

Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë përsërit shqetësimet e saj të thella përkitazi me zbatimin e liberalizimit të tregut të energjisë, në dritën e aktvendimeve të fundit gjyqësore që pezullojnë ekzekutimin e vendimeve të lëshuara nga Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE).

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se në të paktën dy raste të ndara, Gjykata Komerciale e Kosovës ka vendosur në favor të kompanive individuale që kontestojnë vendimet e ZRRE-së, duke pezulluar kështu zbatimin e tyre deri në dhënien e një vendimi përfundimtar.

“Ajo që është veçanërisht e rëndësishme është se dy gjyqtarë të ndryshëm, në raste të ndara gjyqësore, kanë arritur në të njëjtin përfundim, pezullimin e vendimeve të ZRRE-së në pritje të akgjykimeve përfundimtare. Kjo qasje e qëndrueshme gjyqësore reflekton shqetësimet në lidhje me ndikimin potencial të këtyre vendimeve në treg, dhe si e tillë nuk mund të injorohet si rastësore ose specifike për një a dy raste”, thuhet në njoftim.

Tutje bëhet e ditur se edhe pse këto aktvendime aktualisht zbatohen vetëm për një numër të kufizuar kompanish, implikimet e tyre shtrihen shumë më tej.

“Vazhdimi i zbatimit të masave të liberalizimit nga ana e ZRRE-së, derisa dy kompani aktualisht përfitojnë nga pezullimet e urdhëruara nga gjykata e të tjerat mbeten në pritje të aktvendimeve gjyqësore ose nisjes së procedurave ligjore, krijon një mjedis të pasigurisë juridike dhe të diskriminimit ekonomik”.

Oda Amerikane siç thuhet në njoftim beson fuqishëm se reformat, përfshirë ato në sektorin e energjisë, duhet të drejtohen nga parimet e drejtësisë, parashikueshmërisë dhe trajtimit të barabartë para ligjit.

“Në këto rrethana, Oda Ekonomike Amerikane në Kosovë i bënë thirrje Zyrës së Rregullatorit të Energjisë që të pezullojë menjëherë zbatimin e masave të kontestuara të liberalizimit derisa gjyqësori të japë qartësi përmes vendimeve përfundimtare mbi të gjitha ankesat përkatëse. Vetëm një treg i drejtë, transparent dhe plotësisht funksional mund të ofrojë një rrugë të qëndrueshme përpara , e ku të gjitha kompanitë, pavarësisht nga madhësia ose kapaciteti ligjor, veprojnë në kushte të barabarta”, thuhet ndër të tjera në njoftim. /Telegrafi/

 

 

 

 

The post Oda Amerikane kërkon nga ZRRE të pezullojë procesin e liberalizimit të tregut të energjisë pas aktvendimeve gjyqësore appeared first on Telegrafi.

Aprovimi i propozimit të një paditësit nga Gjykata Komerciale, ZRRE: Nuk nënkupton pezullimin e tërësishëm të procesit të hapjes së tregut

24 June 2025 at 15:32

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRrE) njofton opinionin publik se, pas fillimit të zbatimit të dispozitave ligjore që rregullojnë hapjen e tregut të energjisë elektrike, konsumatorët individualë dhe disa Oda Ekonomike kanë parashtruar padi pranë gjykatave kompetente, konkretisht në Gjykatën Komerciale të Kosovës dhe në Gjykatën Themelore, me kërkesa për pezullimin e Njoftimeve për dalje në tregun e hapur të energjisë elektrike.

ZRrE rikonfirmon faktin se, në të gjitha proceset e konflikteve administrative të inicuar nga palët në procedurë, gjykatat kompetente kanë refuzuar si të pabazuara kërkesat për pezullimin e zbatimit të Njoftimeve për dalje në tregun e hapur të energjisë elektrike.

ZRRE informon publikun se Gjykata Themelore në Prishtinë-Departamente për Çështje Administrative me Aktvendimin A.nr. 1839/2025 të datës 19.06.2025 ka refuzuar propozimin e Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës, për caktimin e masës së sigurisë ndaj Njoftimit Publik për Liberalizimin e Tregut të Energjisë të datës 12.03.2025, i cili ka pasur karakter informues.

“Deri më tani, vetëm në një rast të veçantë, Gjykata Komerciale, përmes aktvendimit me shenjën KA.nr. 283/25, ka aprovuar si të bazuar propozimin e paditësit dhe nuk nënkupton pezullimin e tërësishëm të procesit të hapjes së tregut”, thuhet në njoftim.

Tutje, ZRRE thotë se për më tepër, ky aktvendim nuk është i formës së prerë, pasi ZRrE do ta shfrytëzojë të drejtën e ankesës në instancat më të larta gjyqësore, gjithmonë në funksion të mbrojtjes së ligjshmërisë dhe vazhdimit të zbatimit të reformave strukturore në sektorin e energjisë, në përputhje me detyrimet që rrjedhin nga Ligji nr. 05/L-085 për Energjinë Elektrike.

“ZRRE rithekson se procesi i liberalizimit është i bazuar në dispozitat e Ligjit për Energjinë Elektrike Nr. 05/L-085, dhe në vendimin përkatës të ZRRE-së për daljen në treg të hapur për ndërmarrjet ekonomike, të cilët tejkalojnë njërin nga kriteret e përcaktuara: më shumë se 50 të punësuar ose qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro”, vijon reagimi.

Më tej, ZRRE thotë se mbetet e përkushtuar për të garantuar një treg funksional, konkurrues dhe të drejtë për të gjithë pjesëmarrësit në sektorin e energjisë, duke ofruar transparencë të plotë dhe mbrojtje të interesit publik./Telegrafi/

The post Aprovimi i propozimit të një paditësit nga Gjykata Komerciale, ZRRE: Nuk nënkupton pezullimin e tërësishëm të procesit të hapjes së tregut appeared first on Telegrafi.

Dhoma e Tregtisë e quan të drejtë vendimin e Gjykatës Komerciale për daljen e bizneseve në treg të lirë

24 June 2025 at 11:50

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë, ka mirëpritur vendimin e Gjykatës Komerciale në Prishtinë, e cila pezulloi njoftimin e Zyrës së Rregullatorit për Energji, lidhur me daljen e detyrueshme të bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se ky vendim vërteton për të satën herë deklarimet tona se ZRRE ka vepruar kundërligjshëm kur ka vendosur që për një afat të shkurt dhe pa konsultime e analiza paraprake t’i detyrojë mbi 1300 kompani që të dalin në tregun e hapur, derisa në këtë proces është vetëm një kompani që po jep oferta të furnizimit.

“Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë në emër të bizneseve është e para që ka ushtruar ankesë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ndërkohë tashmë janë dhjetëra kompani që kanë dërguar ankesë në gjykatë rreth këtij vendimi”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

The post Dhoma e Tregtisë e quan të drejtë vendimin e Gjykatës Komerciale për daljen e bizneseve në treg të lirë appeared first on Telegrafi.

Pezullohet vendimi i ZRRE-së për daljen e bizneseve në tregun e lirë energjetik

24 June 2025 at 11:26

Oda Ekonomike e Kosovës ka njoftuar se Gjykata Komerciale në Prishtinë ka marrë vendim për pezullimin e njoftimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRrE) lidhur me daljen e detyrueshme të bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike.

Sipas një njoftimi për media bëhet e ditur se bazuar në këtë vendim, OEK i kërkon ZRrE-së që të pezullojë njoftimin për daljen në tregun e lirë të energjisë dhe të ndalojë çdo veprim që mund të ndikojë negativisht në funksionimin e bizneseve.

“OEK fton ZRrE-për bashkëpunim të ngushtë për të hartuar së bashku një fazë tranzitore të drejtë dhe të zbatueshme, duke theksuar se OEK nuk është kundër daljes në tregun e lirë, por ka kërkuar vazhdimisht që ky proces të realizohet me një plan të qartë tranzicioni, që siguron stabilitet për bizneset dhe qytetarët e Kosovës”, thuhet në njoftim.

The post Pezullohet vendimi i ZRRE-së për daljen e bizneseve në tregun e lirë energjetik appeared first on Telegrafi.

Dalja në treg të hapur, PDK-ja nesër e procedon në Gjykatë Themelore pezullimin e vendimit të ZRrE-së

23 June 2025 at 11:59

Partia Demokratike e Kosovës do të kërkojë pezullimin e vendimit të ZRRE-së për daljen në treg të lirë të 1300 kompanive.

Deputeti i kësaj partie, Abelard Tahiri, tha se nesër do të procedojnë në Gjykatën Themelore të Prishtinës pezullimin e këtij vendimi, mirëpo paraprakisht vendosjen e një mase të përkohshme.

Sipas Tahirit, ZRRE-ja ka marrë vendim për qitjen në treg të hapur energjetik 1300 kompani në mënyrë të parregullt dhe pa përmbushur kriteret.

“Nesër do të procedojmë në Gjykatën Themelore të Prishtinës pezullimin e vendimit. Do të kërkojmë masë të përkohshme në mënyrë që ky vendim të pezullohet dhe këto kompani të furnizohen me çmimin e njëjtë të energjisë elektrike, si para marrjes së këtij vendimi. Nuk janë përmbushur kushtet dhe nuk janë përmbushur as obligimet e ZRRE-së sa i përket daljes në treg të lirë dhe ka parregullsi në marrjen e këtij vendimi”, tha ai.

Këto komente Tahiri i bëri pas dështimit për herë të 36-të të konstituimit të Kuvendit./kp/

The post Dalja në treg të hapur, PDK-ja nesër e procedon në Gjykatë Themelore pezullimin e vendimit të ZRrE-së appeared first on Telegrafi.

KEK fillon zbatimin e vendimit për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike

1 June 2025 at 17:30

Korporata Energjetike e Kosovës (KEK sh.a.) ka njoftuar se ka filluar me sukses zbatimin e vendimit për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike, në përputhje me kuadrin ligjor dhe rregullator në fuqi.

KEK thotë se ky vendim bazohet në: Rregulloren e Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) Nr. 08/2017 për Furnizuesin e Mundësisë së Fundit (FMF), dhe

Vendimin e ZRRE-së Nr. V_1544_2022, të datës 03.08.2022, me të cilin KEK është përcaktuar zyrtarisht si Furnizues i Mundësisë së Fundit për konsumatorët që nuk kanë përzgjedhur ende një furnizues në tregun e lirë.

Furnizimi nga FMF fillon më 1 Qershor 2025

Duke filluar nga data 1 Qershor 2025, KEK ka filluar të ofrojë furnizim të pandërprerë me energji elektrike për të gjithë konsumatorët që aktualisht nuk janë të lidhur me ndonjë furnizues komercial. Furnizimi do të vazhdojë deri më 30 Korrik 2025, në përputhje me vendimin e ZRRE-së.

KEK njofton se më 31 Maj 2025 ka siguruar me sukses kapacitetet e nevojshme për blerje të energjisë në tregun e hapur, me një çmim mesatar prej 64.55 euro për megavat-orë (€/MWh), i vlefshëm për datën 1 Qershor 2025.

Konsumatorët që dëshirojnë informacione të përditësuara mbi çmimet e tregut, mund të referohen në bursën zyrtare të energjisë ALPEX: https://alpex.al/sq/rezultatet-e-tregut

Për më shumë informacione rreth furnizimit nga FMF apo hapat për kalimin në tregun e lirë, konsumatorët mund të kontaktojnë KEK në adresën zyrtare të emailit: furnizimi@kek-energy.com

The post KEK fillon zbatimin e vendimit për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike appeared first on Telegrafi.

ZRRE paralajmëron: FMF nuk është zgjidhje e qëndrueshme për konsumatorët

1 June 2025 at 13:57

Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), ka njoftuar të gjithë konsumatorët e energjisë elektrike, se ka filluar me sukses vazhdimi i liberalizimit të tregut të energjisë elektrike.

Sipas ZRRE-së ky proces përbën një hap të rëndësishëm dhe të shumëpritur drejt ndërtimit të një tregu të hapur, konkurrues dhe transparent, i cili do të ofrojë më shumë mundësi për konsumatorët që të zgjedhin lirshëm furnizuesin e tyre të energjisë elektrike.

“Liberalizimi i tregut synon të sjellë përfitime konkrete për konsumatorët përmes rritjes së konkurrencës ndërmjet furnizuesve, përmirësimit të cilësisë së shërbimit dhe krijimit të kushteve të favorshme për çmime transparente dhe në parime të tregut të lirë. Ky është një hap thelbësor drejt përmbushjes së standardeve evropiane dhe integrimit të plotë të tregut të energjisë së Kosovës në tregun rajonal dhe atë evropian”, thuhet në njoftimin e ZRRE-së.

ZRRE fton të gjithë konsumatorët e kualifikuar për të dalë në treg të lirë që ende nuk kanë përzgjedhur furnizuesin e tyre të energjisë elektrike, që të ndërmarrin veprimet e nevojshme për të gjetur furnizuesin më të përshtatshëm sipas nevojave të tyre dhe kushteve më të favorshme që ofron tregu.

“Çdonjëri nga këta konsumator obligohen të zgjedhin lirshëm furnizuesin e tyre në tregun e hapur, duke u bazuar në oferta që përputhen me profilin dhe kërkesat individuale të konsumit. Konsumatorët që mbesin pa furnizues, kalojnë automatikisht te Furnizuesi i Mundësisë së Fundit (FMF), por ZRRE thekson se qëndrimi te FMF është një mundësi e fundit për furnizim të garantuar, dhe se ky furnizim nuk përfaqëson një zgjidhje të qëndrueshme, e as kushte të volitshme për konsumatorët”, thuhet tutje në njoftim.

Sipas ZRRE, Furnizuesi i Mundësisë së Fundit duhet të shihet si një zgjidhje e përkohshme, deri në zgjedhjen e një furnizuesi nga ana e konsumatorit i cili zgjatë jo më shumë se 60 ditë.

“ZRRE, informon se për te gjithë konsumatorët që janë duke u furnizuar nga Furnizuesi i Mundësisë së Fundit është siguruar energjia përmes bursës Shqiptare (APLEX). Për të lehtësuar këtë proces, ZRRE ka publikuar në faqen zyrtare www.ero-ks.org listën e furnizuesve të licencuar të energjisë elektrike dhe ka vënë në dispozicion udhëzime praktike për mënyrën e përzgjedhjes së furnizuesit, krahas informacioneve për të drejtat dhe obligimet e konsumatorëve në tregun e liberalizuar”, thuhet më tej në njoftim.

ZRRE thekson se mbetet e përkushtuar që të sigurojë një treg të drejtë, funksional dhe në shërbim të konsumatorit, duke vazhduar angazhimin për monitorim aktiv, informim të rregullt dhe mbrojtje të interesit të konsumatorit final. /Telegrafi/

The post ZRRE paralajmëron: FMF nuk është zgjidhje e qëndrueshme për konsumatorët appeared first on Telegrafi.

Tregu i lirë i energjisë, ZRRE: Bizneset që s’lidhen kontrata furnizohen nga KEK për 60 ditë

1 June 2025 at 11:38

Nga sot 1 qershor, bizneset e mëdha kanë kaluar në tregun e hapur të energjisë sipas vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji.

Kryesuesi i bordit të ZRRE-së, Ymer Fejzullahu tha për Telegrafin se disa nga konsumatorët kanë lidhur kontrata, ndërsa ata që nuk kanë arritur kanë kaluar direkt në treg të lirë.

Fejzullahu theksoi se të njëjtit që skanë lidhur kontrata me ligj iu takon të furnizohen 60 ditë nga KEK.

“Me ligj ata që s’kanë lidh kontratë për 60 ditë e ka me KEK-un. Një pjesë kanë gjet kontratë me KEK-un, furnizuesit komercial një pjesë me KESCO-n. Por të gjithë ata që nuk kanë gjet kontratë kanë dalë në treg të lirë”, tha Fejzullahu.

Nga vendimi i liberalizimit të tregut të energjisë do të preken rreth 1,300 biznese.

Kalimi në tregun e hapur, përkatësisht në tregun me çmime të parregulluara për furnizim me energji, po bëhet pavarësisht kundërshtimeve të shumta nga ana e bizneseve.

Sipas këtij vendimi të ZRRE-së të gjitha bizneset e mëdha, me mbi 50 punëtorë ose me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro, është dashur të zgjedhin vetë një kompani të licencuar për furnizim me energji elektrike.

Nëse nuk kanë arritur të përzgjedhin, këto biznese nga 1 qershori kanë kaluar automatikisht në tregun e hapur, ku furnizimi bëhet nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK), në cilësinë e Furnizuesit të Mundësisë së Fundit,(FMF) por me çmime të përcaktuara nga tregu.

FMF-ja mund të furnizojë vetëm dy muaj më energji kompanitë dhe nëse pas kësaj periudhe ato që nuk gjejnë furnizues, rrezikojnë të shkëputen nga rrjeti energjetik. /Telegrafi/

 

The post Tregu i lirë i energjisë, ZRRE: Bizneset që s’lidhen kontrata furnizohen nga KEK për 60 ditë appeared first on Telegrafi.

Bizneset kalojnë në tregun e lirë energjetik, AKB paralajmëron përshkallëzim të protestave nëse nuk pezullohet vendimi

1 June 2025 at 11:16

Aleanca Kosovare e Bizneseve, ka reaguar ashpër ndaj vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) i cili nga sot ka hyrë në fuqi dhe i detyron rreth 1,300 biznese në Kosovë të kalojnë në tregun e lirë të energjisë, duke u përballur me një rritje ekstreme të çmimeve.

Sipas AKB-së, ky vendim është “i njëanshëm, i padrejtë dhe pa asnjë analizë të ndikimit ekonomik”.

Në reagimin e publikuar, Aleanca Kosovare e Bizneseve thekson se çmimi i energjisë për shumë biznese është rritur me mbi 250% krahasuar me një vit më parë.

“ZRRE ka vepruar në mënyrë të njëanshme, pa transparencë dhe duke shpërfillur realitetin ekonomik të vendit,” thuhet në komunikatën e AKB-së.

AKB paralajmëron se vendimi i ZRRE-së rrezikon qindra vende pune, dëmton konkurrencën në treg dhe nxit rritjen e çmimeve për konsumatorët, duke e quajtur këtë një “goditje direkte ndaj sektorit privat, që është shtylla kryesore e ekonomisë së Kosovës.”

AKB kërkon anulimin e menjëhershëm të vendimit ose së paku shtyrjen për një periudhë njëvjeçare, si dhe fillimin e dialogut të sinqertë me institucionet shtetërore për të gjetur një zgjidhje të qëndrueshme.

“Protesta nuk është zgjedhja jonë, por është bërë e pashmangshme,” thekson më tej AKB, duke paralajmëruar përshkallëzim të veprimeve nëse kërkesat nuk merren parasysh.

Aleanca e Bizneseve i bën thirrje ZRRE-së për përgjegjësi institucionale dhe deklaron se do të vazhdojë të mbrojë interesat e bizneseve vendore “me të gjitha format demokratike e ligjore”.

“Ne nuk do të heshtim përballë padrejtësisë! Do ta mbrojmë punën tonë, të ardhmen tonë dhe të drejtën për të zhvilluar një ekonomi të qëndrueshme dhe konkurruese,” thuhet në reagimi i AKB-së. /Telegrafi/

The post Bizneset kalojnë në tregun e lirë energjetik, AKB paralajmëron përshkallëzim të protestave nëse nuk pezullohet vendimi appeared first on Telegrafi.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë dorëzon padi kundër ZRRE-së për liberalizimin e tregut të energjisë

30 May 2025 at 16:39

Ashtu siç kishte paralajmëruar më herët, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës ka ndërmarrë hapin e radhës ligjor për të mbrojtur interesat e bizneseve anëtare dhe të gjithë sektorit privat në vend.

Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës (DhTIK), sot ka dorëzuar zyrtarisht padinë kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji pranë Gjykatës Themelore në Prishtinë, siç thuhet, për shkak të shkeljeve të rënda ligjore dhe procedurale në vendimin për liberalizimin e tregut të energjisë elektrike.

“Ne besojmë fuqishëm se ky vendim i ZRRE-së është i nxituar, arbitrar dhe i papërgatitur mirë, me pasoja të drejtpërdrejta për qëndrueshmërinë financiare të bizneseve që do të preken nga ky vendim”, thuhet në njoftimin e DhTIK, transmeton Telegrafi.

Sipas Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë, vendimi është marrë pa konsultime paraprake me palët e interesit, pa një analizë të thelluar të tregut, dhe kjo pos që rrezikon qëndrueshmërinë e bizneseve, rrezikon edhe vendet e punës.

“Për më tepër, përkundër deklarimeve publike se tregu është liberalizuar dhe se janë të hapura mundësi të shumta për furnizim, aktualisht është vetëm një kompani – KESCO – e cila po dërgon oferta për furnizim të bizneseve. Kjo bie ndesh me vetë thelbin e liberalizimit dhe e shndërron këtë proces në një monopol të fshehur, duke rritur rrezikun për abuzim me çmime dhe cilësi të shërbimit”, thuhet në njoftim.

Tutje, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Kosovës u bën thirrje institucioneve të drejtësisë që të ndërhyjnë menjëherë për pezullimin e këtij vendimi dhe të urdhërojnë ZRRE-në që të rikthehet në një proces të rregullt, transparent dhe gjithëpërfshirës.

“DhTIK mbetet e përkushtuar për të mbrojtur interesin e bizneseve dhe do të vazhdojë të ndërmarrë të gjitha veprimet ligjore, politike dhe publike për të siguruar një treg të energjisë të drejtë, të rregullt dhe të hapur për të gjithë”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/

The post Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë dorëzon padi kundër ZRRE-së për liberalizimin e tregut të energjisë appeared first on Telegrafi.

PDK-ja paralajmëron ZRRE-në me padi ligjore për liberalizimin e tregut të energjisë

30 May 2025 at 12:38

Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka bërë ankesë të premten ndaj vendimit të rregullatorit të energjisë për liberalizimin e tregut të energjisë për bizneset e mëdha në vend, duke thënë se do të ngrejë padi në gjykatë, nëse nuk shfuqizohet vendimi brenda 15 ditëve.

Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, tha në një konferencë për media në Prishtinë se partia ka dorëzuar kundërshtim administrativ në Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE).

Ai tha se ZRRE-ja duhet ta pezullojë “menjëherë zbatimin e këtij vendimi, në të kundërtën pas 15 ditësh PDK-ja do të procedojë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, ku do të kërkohet që sa më parë t’i vihet masë e përkohshme zbatimit të tij”.

Vendimi i ZRRE-së për liberalizimin e tregut të energjisë do të hyjë në fuqi më 1 qershor, dhe ai nënkupton se të gjitha bizneset e mëdha nuk do të furnizohen më me energji përmes tarifave të rregulluara, por duhet të gjejnë vetë furnizuesin e tyre në tregun e lirë.

Nëse nuk arrijnë ta bëjnë këtë, ato kalojnë automatikisht në treg të hapur me çmime të parregulluara.

Tahiri argumentoi se vendimi i ZRRE-së përbën “një goditje të rëndë ndaj ekonomisë së vendit, duke rrezikuar falimentime masive, rritje të papërballueshme të çmimeve dhe një valë të re inflacioni që godet qytetarët dhe konsumatorët”.

Ky vendim vlen për kompanitë me mbi 50 të punësuar ose me qarkullim vjetor mbi 10 milionë euro. Në Kosovë janë të regjistruara mbi 1.000 kompani të tilla që konsumojnë rreth 37% të energjisë së përgjithshme të shpenzuar.

“ZRRE ka vepruar pa marrë parasysh reagimet e shoqërisë civile, odave ekonomike dhe organizatave profesionale, dhe pa përmbushur as parakushtet që vetë i kishte përcaktuar për një proces të sigurt dhe të drejtë të liberalizimit të tregut”, tha Tahiri.

Përfaqësuesit e bizneseve thonë se janë kundër liberalizimit të tregut të energjisë, pasi nuk janë bërë përgatitjet e nevojshme për këtë ndryshim. Ata kërkojnë që ky vendim të shtyhet për një vit.

LEXONI GJITHASHTU:

The post PDK-ja paralajmëron ZRRE-në me padi ligjore për liberalizimin e tregut të energjisë appeared first on Euronews Albania.

Protesta e bizneseve në Prishtinë gjen mbështetje të gjerë nga qytetarët, tregon sondazhi

30 May 2025 at 12:54

Të enjten, për dy orë u mbyllën hyrjet kryesore të Prishtinës si pjesë e një proteste të organizuar nga Oda Ekonomike e Kosovës (OEK), me pjesëmarrjen e bizneseve nga të gjitha pjesët e vendit.

Protesta kishte për qëllim shprehjen e pakënaqësisë ndaj mënyrës së trajtimit të procesit të kalimit të bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike, pa përgatitjen e nevojshme institucionale dhe teknike.

Ndërkohë, reagimi i qytetarëve ndaj protestës ka qenë kryesisht në përkrahje të kësaj kërkese nga bizneset.

Në një sondazh të zhvilluar nga Telegrafi, me pyetjen: “A e vlerësoni protestën e bizneseve për mbylljen e hyrje-daljeve në Prishtinë për dy orë?”, shumica dërrmuese e pjesëmarrësve kanë shprehur mbështetjen e tyre.

Nga mbi 3 mijë votues në vetëm 24 orët e para, 71 për qind kanë votuar në favor të protestës, ndërsa 29 për qind kanë qenë kundër.

Ndryshe, nga Oda Ekonomike e Kosovë kanë thënë se ky tranzicion po ndodh në mënyrë të papërgatitur dhe pa konsultime të mjaftueshme me komunitetin e biznesit, çka, sipas tyre, rrezikon rëndë stabilitetin financiar të ndërmarrjeve dhe konkurrueshmërinë në treg. /Telegrafi/

 

The post Protesta e bizneseve në Prishtinë gjen mbështetje të gjerë nga qytetarët, tregon sondazhi appeared first on Telegrafi.

Rritja prej 16% e tarifave të energjisë, Avokati i Popullit kërkon pezullim të vendimeve të ZRRE-së deri në vlerësim të plotë ligjor

29 May 2025 at 10:46

Avokati i Popullit ka publikuar sot opinionin rreth vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për rritjen e tarifave të energjisë elektrike për 16.1%.

Ky opinion vlerëson se vendimi cenon drejtpërdrejt të drejtat themelore të qytetarëve dhe rëndon veçanërisht familjet në nevojë dhe përfituesit e asistencës sociale.

Sipas opinionit, “rritja për 16.1% e tarifave për energjinë elektrike ndikon drejtpërdrejt në rritjen e kostos së jetesës, duke rënduar veçanërisht situatën e konsumatorëve në nevojë dhe të familjeve që përfitojnë asistencë sociale”.

Avokati i Popullit shpreh shqetësime serioze për mungesën e koordinimit ndërinstitucional dhe mosrespektimin e Ligjit për Energjinë Elektrike, konkretisht nenit 49, i cili kërkon konsultim me institucionet për mbrojtjen e konsumatorëve në nevojë.

Në opinion theksohet se “mungesa e institucioneve të konstituuara në kohën e marrjes së vendimeve ka pamundësuar një proces të balancuar dhe të përgjegjshëm”.

“Në përgjigje të shqetësimeve që ka pranuar nga ankesat e qytetarëve, përfaqësues të sektorit privat, Oda Ekonomike e Kosovës dhe avokatë të palëve të prekura, Avokati i Popullit ka vlerësuar se:

• Qeveria e Republikës së Kosovës ka obligim të veprojë në përputhje me dispozitat e Ligjit për Energjinë Elektrike, në mënyrë që vendimet e tilla të ZRRE, të përcillen me masa përmes të cilave do mbrohen të drejtat e konsumatorëve në nevojë dhe kategoritë e tjera të cenueshme, e po ashtu të ndërmarrin masa konkrete me qëllim të krijimit e kushteve të përballueshme edhe për komunitetin e biznesit, duke krijuar kushte të përshtatshme për liberalizim të tregut me kushte të favorshme, si dhe duke marr masa me qëllim që të shmangët krijimi i monopolit.

• Mungesa e institucioneve të konstituuara në kohën e marrjes së vendimeve ka pamundësuar një proces të balancuar dhe të përgjegjshëm.

• Vendimet e marra në mungesë të kapaciteteve të plota institucionale mund të sjellin pasoja të pariparueshme për qytetarët dhe nuk i shërbejnë interesit publik. Në këtë kontekst, është e domosdoshme të theksohet përgjegjësia që bie mbi qeverinë dhe institucionet përkatëse, të cilat kanë për detyrë të garantojnë një proces të rregullt, të drejtë dhe transparent në menaxhimin e kësaj çështjeje. Mungesa e transparencës gjatë procesit ka kontribuar në rritjen e mosbesimit publik, ndërsa shqetësimet e ngritura nga qytetarët kanë mbetur pa përgjigje adekuate, duke thelluar ndjenjën e papërgjegjshmërisë institucionale.

• Nëse nuk merren masa të menjëhershme dhe konkrete për të përmbushur detyrimet ligjore ndaj qytetarëve, situata mund të marrë përmasa shqetësuese”, thuhet në opinion.

Një nga kërkesat kyçe të këtij opinioni është pezullimi i menjëhershëm i vendimeve të ZRRE-së, përkatësisht vendimit V_2697_2025, V_2702_2025 (nr.prot. 252/2025, i datës 29 prill 2025), V_2698_2025 dhe V_2703_2025 (nr.prot. 253/2025, i datës 29 prill 2025).

“Nevojitet një reagim serioz dhe i koordinuar nga ana e qeverisë dhe autoriteteve të përfshira, për të garantuar transparencë, llogaridhënie dhe zgjidhje të qëndrueshme”, thuhet në opinion.

Avokati i Popullit rithekson rëndësinë e garantimit të një procesi të drejtë dhe transparent në vendimmarrje dhe apelon për respektim të Kushtetutës dhe ligjeve në fuqi.

“Është obligim i secilit institucion në Republikën e Kosovës, që të angazhohen në drejtim të ofrimit të shërbimeve në të mirë dhe dobi të qytetarëve”, përfundon opinioni. /Telegrafi/

The post Rritja prej 16% e tarifave të energjisë, Avokati i Popullit kërkon pezullim të vendimeve të ZRRE-së deri në vlerësim të plotë ligjor appeared first on Telegrafi.

Tregu i lirë energjetik, Rizvanolli: ZRRE ka njoftuar se gjashtë furnizues janë aktiv, pesë prej tyre kanë dhënë ofertat për biznese

29 May 2025 at 08:59

Ministrja në detyrë e Ekonomisë, Artane Rizvanolli ka thënë sot se sa i përket tregut të lirë energjetik Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) ka njoftuar se gjashtë furnizues janë aktiv dhe pesë tashmë kanë dhënë oferta për biznese.

Rizvanolli në një postim në Facebook, në ditën kur bizneset do të mbajnë një protestë, përmes së cilës kërkojnë kohë për të dalë në tregun e lirë energjetik shkruan se të mërkurën kanë takuar prodhuesit vendorë dhe odat ekonomike, për t’iu ofruar bizneseve informatat dhe mjetet që u duhen për t’u përballur me tregun e liberalizuar.

Lexoni të plotë postimin e Rizvanollit:

Diskutimet për tregun e hapur të energjisë vazhdojnë, bashkë me prodhuesit, për prodhuesit!

Dje i mblodhëm në takimin e radhës prodhuesit vendorë dhe odat ekonomike, për t’iu ofruar  bizneseve informatat dhe mjetet që u duhen për t’u përballur me  tregun e liberalizuar. Në këtë takim:

Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE) raportoi se 6 furnizues janë aktiv dhe 5 tashmë kanë dhënë oferta për biznese. Ndërsa, interesimi i kompanive rajonale është rritur dhe numri i licencave për furnizim ka shkuar në 21.

SharrCem, të cilët operojnë në treg të hapur që nga viti 2017, ndanë përvojën e tyre të vyeshme.

Korporata Energjetike e Kosovës sqaroi mundësinë ligjore të “furnizuesit të mundësisë së fundit” për ata që ende nuk kanë kontratë.

Ne si Qeveri do të vazhdojmë t’u qëndrojmë afër bizneseve dhe t’i përkrahim në mënyrë praktike, me qëllim që bizneset të marrin vendime të informuara dhe të mos mbesin të pambrojtura.

Takimi i radhës do të jetë me vetë furnizuesit, për të nxitur transparencë dhe kushte të favorshme për të gjithë. /Telegrafi/

The post Tregu i lirë energjetik, Rizvanolli: ZRRE ka njoftuar se gjashtë furnizues janë aktiv, pesë prej tyre kanë dhënë ofertat për biznese appeared first on Telegrafi.

Vendimi i ZRRE-së, OEK: Thirrje për reflektim institucional, bizneset paralajmërojnë protestë

27 May 2025 at 19:53

Pas kërkesave të vazhdueshme për dialog me institucionet, Oda Ekonomike e Kosovës (OEK) ka shprehur keqardhje për mungesën e bashkëpunimit institucional lidhur me procesin e daljes së bizneseve në tregun e lirë të energjisë elektrike.

Si reagim ndaj situatës, komuniteti i bizneseve ka vendosur të organizojë një protestë më 29 maj 2025, nga ora 10:00 deri në 12:00.

Sipas një komunikate për media të lëshuar nga OEK, protestës i paraprin një periudhë përpjekjesh për një dialog të sinqertë dhe konstruktiv me institucionet përgjegjëse, të cilat, sipas tyre, nuk kanë sjellë rezultat.

Bizneset e konsiderojnë të papranueshme mënyrën si është zbatuar vendimi i Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE) për daljen e detyruar të tyre në tregun e lirë.

“Mungesa e përgatitjes së tregut dhe mbështetjes institucionale po krijon pabarazi në treg, duke rrezikuar konkurrueshmërinë, duke shkaktuar dëme të mëdha për bizneset dhe pasoja serioze për ekonominë, përfshirë rënien e prodhimit dhe humbjen e vendeve të punës,” thuhet në njoftim.

OEK u bën thirrje institucioneve që të reflektojnë me urgjencë dhe të krijojnë një fazë kalimtare për përgatitjen graduale të bizneseve, në mënyrë që kalimi në tregun e lirë të energjisë të jetë i drejtë dhe i qëndrueshëm.

Ndërkohë, Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë Kosovë ka njoftuar se do të ndërmarrë hapa ligjorë për të kundërshtuar vendimin e ZRRE-së për liberalizimin e shpejtë të tregut të energjisë. Në reagimin e saj thuhet se ky vendim është marrë pa analizë të thelluar dhe pa konsultim me palët e interesit.

Përfaqësuesit e komunitetit të biznesit paralajmërojnë se protestat do të vazhdojnë nëse nuk ka reflektim dhe veprime konkrete nga institucionet për të adresuar shqetësimet dhe kërkesat e tyre.

The post Vendimi i ZRRE-së, OEK: Thirrje për reflektim institucional, bizneset paralajmërojnë protestë appeared first on Telegrafi.

❌
❌