30 vendet më të lumtura në botë për vitin 2025: Pse Finlanda është përsëri në krye?
Finlanda mban titullin e vendit më të lumtur në botë këtë vit, sipas Raportit Botëror të Lumturisë 2025, i cili publikohet çdo vit nga Qendra e Kërkimit të Mirëqenies së Universitetit të Oksfordit në bashkëpunim me Gallup.
Raporti, i publikuar më 20 mars (Dita Ndërkombëtare e Lumturisë), vlerëson nivelet e kënaqësisë me jetën në 147 vende, bazuar në deklaratat e vetëraportuara nga qytetarët rreth mënyrës se si e përjetojnë jetën e tyre të përditshme. Finlanda kryeson listën për të tetin vit radhazi, e ndjekur nga Danimarka, Islanda, Suedia dhe Holanda.
Vendet e Evropës Veriore vazhdojnë të dominojnë, por pati edhe surpriza në renditjen e këtij viti, si Kosta Rika (vendi i 6-të), Izraeli (i 8-ti) dhe Meksika (i 10-ti).
Renditja bazohet në një mesatare trevjeçare (2022–2024), që do të thotë se, për disa vende si Izraeli, ngjarjet e periudhës së fundit (p.sh. sulmet e 7 tetorit 2023) mund të kenë ndikuar në rezultate. Në të kundërt, Shtetet e Bashkuara kanë qenë në një trend rënës vitet e fundit, duke rënë në vendin e 24-t këtë vit.
Pse janë finlandezët kaq të lumtur?
Lumturia finlandeze, sipas Heli Jimenez, drejtuese e marketingut ndërkombëtar në Business Finland, “gjendet në thjeshtësinë dhe të përditshmen: kontaktin me natyrën, kujdesin për trupin dhe shpirtin, por edhe një vlerësim të thellë për dizajnin, artin dhe qetësinë”. Modeli i mirëqenies i Finlandës nuk bazohet në një PBB të lartë (renditet vetëm i 27-ti në botë), por në një shtet të fortë mirëqenieje, shërbime shëndetësore dhe arsimore të arritshme dhe cilësore, korrupsion të ulët dhe barazi.
30 vendet më të lumtura për vitin 2025
- Finlanda
- Danimarka
- Islanda
- Suedi
- Holanda
- Kosta Rika
- Norvegji
- Izrael
- Luksemburg
- Meksikë
- Australi
- Zelanda e Re
- Zvicër
- Belgjikë
- Irlandë
- Lituania
- Austri
- Kanada
- Slloveni
- Republika Çeke
- Emiratet e Bashkuara Arabe
- Gjermania
- Mbretëria e Bashkuar
- Shtetet e Bashkuara
- Belize
- Polonia
- Tajvan
- Uruguai
- Kosovë
- Kuvajt
Çfarë na mësojnë vendet e lumtura?
Lumturia, sipas raportit, varet jo vetëm nga të mirat materiale, por edhe nga faktorë të paprekshëm, siç janë liria, kohezioni social, bujaria dhe besimi në institucione. Një gjetje e thjeshtë, por e rëndësishme nga botimi i këtij viti: të ngrënit me të tjerët është e lidhur fort me nivele më të larta të mirëqenies, pavarësisht nga mosha apo vendi. Shoqëria me ushqimin ka një efekt pozitiv në psikologjinë tonë, ngjashëm me të ardhurat ose punësimin.
Një përvojë lumturie në Finlandë
Finlanda ofron jo vetëm një standard të lartë jetese, por edhe një stil jetese që inkurajon kontaktin me natyrën. Nga Laplanda me pyjet e saj të mbuluara me borë dhe dritat veriore, te qytetet moderne me qendra kulturore si Amos Rex dhe biblioteka publike Oodi në Helsinki, vizitorët mund të përjetojnë “recetën e lumturisë” finlandeze në veprim. Me më shumë se 3 milionë sauna në të gjithë vendin, mirëqenia nuk është vetëm një qëllim, por një mënyrë jetese.
The post 30 vendet më të lumtura në botë për vitin 2025: Pse Finlanda është përsëri në krye? appeared first on iconstyle.al.