Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 12 August 2025Main stream

Gjermania: Mosrespektimi i vendimit të Kushtetueses në Kosovë kërcënon mirëqenien e qytetarëve dhe integrimin evropian

12 August 2025 at 10:50

PRISHTINË, 12 gusht/ATSH/ Ambasada e Gjermanisë në Kosovë tha për Radion Evropa e Lirë se pret që të gjitha fuqitë politike në Kosovë të “respektojnë plotësisht dhe zbatojnë” vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës për konstituimin e përbërjes së re parlamentare të dalë nga zgjedhjet e shkurtit.

Berlini paralajmëroi se do të ketë pasoja nëse ky vendim nuk zbatohet.

“Tani politikanët duhet të veprojnë në mënyrë urgjente që t’i japin fund kësaj krize gati gjashtëmuajshe. Ne presim një zgjidhje të shpejtë, brenda afatit [të Kushtetueses] dhe u bëjmë thirrje të gjithë hisedarëve politikë që të veprojnë drejt një kompromisi. Dështimi për ta respektuar vendimin paraqet kërcënim për mirëqenien e qytetarëve dhe rrugën e integrimit në BE”, u tha në përgjigjen e Ambasadës gjermane në Prishtinë dërguar Radios Evropa e Lirë.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 8 gusht publikoi njoftimin mbi aktgjykimin e saj lidhur me ngërçin politik, duke thënë se deputetët duhet të konstituojnë Kuvendin brenda 30-ditësh dhe se kryekuvendari i ri duhet të zgjidhet përmes votimit të hapur.

Afati kohor prej 30-ditësh nis kur të publikohet aktgjykimi i plotë i Kushtetueses në Gazetën Zyrtare, gjë që ende nuk ka ndodhur.

Thirrja e Ambasadës gjermane vjen në kohën kur në Kosovë drejtori gjerman për Ballkanin Perëndimor, Michael Reiffenstuel, zhvilloi takime me udhëheqësit partiakë dhe shtetërorë.

Ai, sipas Ambasadës, në këto takime, përcolli mesazhin se duhet respektuar vendimi i Kushtetueses.

Reiffenstuel gjatë qëndrimit në Kosovë më 10 dhe 11 gusht zhvilloi takime të ndara me presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani, kryeministrin në detyrë, njëherësh udhëheqësin e Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, kreun e Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, dhe atë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku. Emisari gjerman është takuar edhe me përfaqësuesit e partive të serbëve të Kosovës dhe të shoqërisë civile.

Bashkimi Evropian, si dhe ambasadat e Shteteve të Bashkuara dhe Italisë u kanë bërë thirrje partive politike që të zbatojnë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.

Partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë, PDK, LDK dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës e kanë mirëpritur vendimin e Gjykatës Kushtetuese, ndërkaq është kritikuar nga fituesja e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje.

LVV-ja e ka cilësuar vendimin e Kushtetueses si arbitrar, duke shtuar se “përbën devijim të rrezikshëm nga roli kushtetues” dhe se është “në kundërshtim me parimet themelore të shtetit të së drejtës dhe ndarjes së pushteteve”.

Aktgjykimi i plotë i Kushtetueses, përveç se hap rrugën për mbajtjen e seancës konstituive në ditën pasuese, pritet të sqarojë më shumë gjëra.

Ajo ka mundësi t’i përgjigjet edhe një kërkese tashmë të tërhequr të presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, se çfarë do të ndodhte nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohej deri më 26 korrik – afati i përcaktuar më herët nga gjykata përmes një aktgjykimi.

Në aktgjykimin e saj të mëparshëm, të cilin deputetët e shpërfillën, Kushtetuesja nuk kishte treguar pasojat juridike të një shpërfilljeje të tillë.

Kushtetuesja mund të tregojë tani se cilat do të jenë pasojat, nëse deputetët e shpërfillin sërish urdhrin 30-ditor për bërjen e Kuvendit të ri.

Kriza politike është shkaktuar pasi asnjëra parti në zgjedhjet e shkurtit nuk e fitoi shumicën për të qeverisur e vetme.

LVV-ja i fitoi 48 ulëse dhe partitë e tjera parlamentare nuk kanë pranuar ta votojnë kandidaten e saj për kryetare të Kuvendit, për emërimin e së cilës nevojiten të paktën 61 vota. Sipas vendimit të ri të Kushtetueses, LVV-ja mund të hedhë në votim një kandidat për kryeparlamentar vetëm tri herë.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, PDK-ja doli e dyta me 24 ulëse, LDK-ja e treta me 20, pasuar nga Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve në Kosovë me 9, dhe koalicioni mes AAK-së dhe Nismës Socialdemokrate, me 8 të tilla.

Edhe 11 ulëse tjera janë të pakicave. /rel/

The post Gjermania: Mosrespektimi i vendimit të Kushtetueses në Kosovë kërcënon mirëqenien e qytetarëve dhe integrimin evropian appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Policia e Kosovës sekuestron drogë në vlerë prej 300 mijë eurosh

12 August 2025 at 10:48

PRISHTINË, 12 gusht/ATSH/ Një person është arrestuar, pasi i është gjetur drogë që kap vlerën e rreth 300 mijë eurove, njoftoi Policia e Kosovës.

Sipas njoftimit, H.K (1994), u arrestua në Prizren më 11 gusht dhe gjatë kontrolleve të realizuara në dy lokacione, autoritetet gjetën substancë të dyshuar narkotike të llojit kokainë, në peshë totale prej 4 kilogramë e 440 gramë.

I arrestuari, pas intervistimit, është dërguar në ndalim policor prej 48-orësh.

“Sipas vlerësimeve, sasia e sekuestruar e substancës narkotike, në tregun ilegal, mund të kapë vlerën deri në 300 mijë euro”, u tha në njoftimin e Policisë.

Autoritetet po ashtu thanë se në cilësinë e provave materiale kanë sekuestruar edhe peshore elektronike, 260 euro para të gatshme, pajisje për vakumimin e qeseve plastike, telefon dhe një motoçikletë, teksa Policia shtoi po vazhdon hetimet për këtë rast. /rel/

The post Policia e Kosovës sekuestron drogë në vlerë prej 300 mijë eurosh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

MM: 50 vatra zjarri në 24 orët e fundit, 19 ende aktive

12 August 2025 at 10:25

TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Ministria e Mbrojtjes bëri të ditur sot se gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 50 vatra zjarri, 19 ndër të cilat mbeten ende aktive.

Vatrat aktive janë:

Qarku Vlorë, në bashkinë Finiq dhe Delvinë, pranë Parkut Natyror të Syrit të Kaltër vazhdon të jetë aktive dhe problematike, ndërsa në terren po operojnë 8 mjete zjarrfikëse, 4 ndër të cilat janë të FA dhe rreth 90 forca operacionale, mbçshterur edhe nga helikopteri i Forcës Ajrore si dhe 2 avionë grek PZL, 1 helikopter çek dhe 1 sllovak. Sot pritet të vazhdojë puna me të njëjtat kapacitete, të ndihmuara edhe nga 1 helikopter Black hawk i Forcës Ajrore.

Në parkun e “Rëzom” (zonë e mbrojtur), te maja e “Lucës”, mbi tunelin e Skërficës vazhdon zjarri i rënë në një sipërfaqe me shkurre dhe pyje, terreni i thyer e bën të pamundur ndërhyrjen nga toka. Situata po monitorohet dhe paraqitet e qëndrueshme.

Qarku Dibër, në Malin me Gropa në Biz të Martaneshit, Bashkia Bulqizë në zonë të mbrojtur vazhdon aktive kjo vatër zjarri, që është zhvilluar me intensitet mbi fshatin Val, larg zonave të banuara në një zonë shkëmbore ku digjen, bimë më të rralla dhe barishte.. Situata po mbikëqyret nga autoritetet vendore.

Në fshatin Xibër, bashkia Klos vatra e zjarrit është izoluar dhe po mbahet në monitorim nga autoritetet vendore.

Qarku Berat, në bashkinë Poliçan, jashtë territorit të Uzinës Mekanike, vazhdon aktive vatra e zjarrit, duke iu afruar qytetit pranë Azilit të të Moshuarve. Situata është përkeqësuar në fshatin Plirëz, Poliçan dhe po evakuohen banorët. Në vendngjarje po punojnë pesë mjete dhe rreth 75 forca operacionale, mbështetur nga ajri me helikopterin e Forcës Ajrore.
Në fshatin Rehovë, bashkia Poliçan, zjarri ka përparuar në afërsi të banesave. Është bërë evakuimi i banorëve gjatë dhe kanë operuar forca operacionale vendore.

Qarku Tiranë, vijon aktiv zjarri në vendin e quajtur “Mali i Bërzhitës”, fshati Ibë, ku po forcat operacionale vijojnë punën për shuarjen e tij.
Në fshatin Stërbeg, bashkia Rrogozhinë, ku zjarri ka kaluar në fshatin Spanesh. Në vendngjarje ndodhen forca dhe mjete nga MZSH Rrogozhinë të cilët po punojnë për shuarjen e zjarrit.
Në fshatin Hajdaraj, bashkia Kavajë, vatrat janë drejt shuarjes së plotë, ku forcat në terren janë mbështetur edhe nga ajri, me një avion, që po punon aktualisht për shuarjen e vatrës së fundit.
Në lartësitë dominuese të fshatit Damjan dhe Isufaj, zona Arbanë, njësia administrative Vaqarr, ka rënë një zjarr i përmasave të mëdha. Aktualisht, edhe pse terreni është i vështirë, po veprojnë 6 mjete dhe rreth 40 forca nga strukturat operacionale si dhe një avion Canadair kroat.

Në fshatin Ferraj dhe Zall-Herr, bashkia Tiranë, në zjarrin e përhapur në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra, po operojnë në automjete zjarrfikëse nga MZSH, por situata paraqitet e ndërlikuar dhe rrezikohen banesa. Forcave në terren u janë bashkuar 2 helikopterë Blackhawk të Emirateve të Bshkuara Arabe.

Në kodrat e Selitës, bashkia Tiranë, ka rënë zjarr në një sipërfaqe me shkurre dhe ferra. Nuk ka akses për kalueshmëri mjetesh. Situata po monitorohet nga forcat bashkiake.

Qarku Durrës, në fshatin Barkanesh, bashkia Krujë është aktivizuar një vatër zjarri në terren të vështirë, ku po veprojnë mjete dhe forca operacionale vendore.

Qarku Gjirokastër, në fshatin Turan, bashkia Tepelenë, ka vijuar puna për shuarjen e zjarrit, i cili u përhap në drejtim të fshatit Lekel dhe Koder, ku u dogjën dy stalla, por me dëme minimale në bagëti. Ne terren operuan rreth 100 forca dhe mjete nga gjithë qarku Gjirokastër, dhe sot vijon puna, të ndihmuar nga dy helikopterët çek dhe sllovak.

Qarku Elbasan, në fshatin Mukaj dhe fshatin Sojnik, bashkia Gramsh, zjarri vijon aktiv në sipërfaqe me shkurre dhe ferr, ku operuan forcat operacionale punuan të MZSH Gramsh të mbështetur nga 25 efektivë të FA Elbasan.

Qarku Shkodër, është aktivizuar vatër zjarri në hyrje të qytetit Pukë, vijojnë punën forcat operacionale vendore. Situata është në kontroll dhe nuk paraqet rrezik.

Në fshatin Xath, bashkia Fushë Arrëz ka rënë zjarr në një sipërfaqe me pisha, që nuk e mundëson ndërhyrjen nga forcat tokësore. Situata ka qenë shumë e vështirë dhe zjarri ka marrë përmasa. Përveç afro 80 forcave operacionale vendore sot po operojnë edhe 65 forca të FA, me 2 mjete zjarrfikëse.

Qarku Kukës, është aktivizuar një vatër zjarri në fshatin Gegaj, bashkia Tropojë, pa rrezik për banesat. Janë angazhuar rreth 60 forca nga strukturat operacionale vendore dhe 5 mjete zjarrfikëse. Vatra ngelet aktive por e izoluar dhe pa rrezik për përhapje.

Në bashkinë Kukës, një vatër zjarri në zonë pyjore në vendin e quajtur Maja e Zezë, fshati Shëmri vazhdon të jetë në monitorim.

Qarku Korçë, në fshatin Gërmenj, bashkia Kolonjë është aktivizuar një vatër zjarri në një sipërfaqe me pyje pishe. Terreni është i vështirë dhe forcat operacionale e kanë të pamundur ndërhyrjen. Situata është në mbikëqyrje nga MZSH Kolonjë.

Në operacionet për shuarjen e zjarreve u angazhuan 82 automjete zjarrfikëse dhe 1080 forca operacionale.

Mjete ajrore që kanë operuar gjatë ditës së djeshme:
– 1 Avion Canadair kroat
– 2 Avionë PZL grekë
– 1 Black Hawk nga Republika Çeke
– 1 Black Hawk nga Sllovakia
– 2 Black Hawk nga Forcat e Armatosura te Shqipërisë

Pritet të operojnë sot :
– 2 Black Hawk nga Emiratet e Bashkuara Arabe
– 1 Black Hawk nga Republika Çeke
– 1 Black Hawk nga Sllovakia
– 2 Black Hawk nga Forcat e Armatosura te Shqipërisë

Sipas informacionit të IGJEO-s, sot nuk priten reshje.
Sa u përket zjarreve në pyje, pritet nivel rrezik “i lartë” në të gjitha qarqet. Nё disa qarqe pritet rrezik “shumë i lartë” vetёm nё zona tё lokalizuara, konkretisht: qarku Shkodër (jug), qarku Lezhë (veri), qarku Elbasan (perëndim).

Temperaturat maksimale pritet të arrijnë deri në 41 °C në vendet e ulët, ndaj përsërisim thirrjen për qytetarët të tregojnë kujdes të shtuar dhe të njoftojnë çdo vatër zjarri pranë autoriteteve vendore.

The post MM: 50 vatra zjarri në 24 orët e fundit, 19 ende aktive appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

Një person dënohet me afro 5 vjet burgim për sulm ndaj ushtarëve të KFOR-it në Zveçan

PRISHTINË, 4 gusht/ATSH/ Gjykata Themelore e Prishtinës e ka dënuar të hënën me katër vjet e 11 muaj burgim një të dyshuar, pasi ai e pranoi fajësinë për dhunën e ushtruar ndaj ushtarëve të misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë më 2023.

Prokuroria Speciale e Kosovës, i cili e identifikoi të pandehurin vetëm me inicialet M.A., tha se Gjykata Themelore e dënoi atë me dënim unik prej 4 vjetësh e 11 muaj burgim efektiv dhe 20 mijë euro gjobë.

M.A. e kishte pranuar fajësinë në një marrëveshje me Prokurorinë Speciale, e cila akuzoi atë për dhunë ndaj ushtarëve te KFOR-it dhe Policisë së Kosovës në protestën e 29 majit 2023 në Komunën e Zveçanit.

Gjykata Themelore në Prishtinë kishte ngritur aktakuzë ndaj tij më 30 korrik.

M.A akuzohej për katër vepra penale: sulm ndaj personit zyrtar, pjesëmarrje në turmë që kryen veprën penale huliganizëm, për blerje, posedim, shpërndarje dhe shitja e paautorizuar e narkotikëve, substancave psikotropike dhe analoge dhe për posedim të paautorizuar të armëve.

Më 29 maj të vitit 2023, 93 pjesëtarë të KFOR-it kishin pësuar lëndime – disa prej tyre lëndime të rënda – pas përleshjes me protestuesit serbë. Të lënduar nga kjo përplasje pati edhe në anën e protestuesve.

Dhuna në Zveçan shpërtheu pasi serbët lokalë kundërshtuan hyrjen e kryetarëve të rinj shqiptarë në ndërtesat komunale në Zveçan, Leposaviq dhe Zubin Potok – komuna në veri të Kosovës, të banuara me shumicë serbe, pas zgjedhjeve lokale të mbajtura më herët po atë vit, që u bojkotuan nga serbët.

Për dhunën në Zveçan, Kosova e ka fajësuar Serbinë, duke thënë se pas dhunës qëndruan “grupe kriminale të afërta me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Por, Beogradi e ka hedhur poshtë këtë akuzë, duke thënë se Qeveria e Kosovës po synonte që të shtynte serbët “drejt një konflikti të ri me NATO-n”.

Ky është i akuzuari i dytë që dënohet me burgim për këtë rast në muajt e fundit, pasi në qershor, Gjykata Themelore në Prishtinë e dënoi me 15 muaj burgim Nenad Orlloviqin për përfshirje në sulmin e 29 majit në Zveçan ndaj ushtarëve të KFOR-it.

NATO-ja vazhdimisht ka kërkuar që autorët e dhunës të mbahen përgjegjës. /rel/

The post Një person dënohet me afro 5 vjet burgim për sulm ndaj ushtarëve të KFOR-it në Zveçan appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmani reagon pas thirrjeve antishqiptare në ndeshjen Maqedoni e Veriut-Rumani

PRISHTINË, 4 gusht/ATSH/ “Thirrjet antishqiptare të dëgjuara gjatë ndeshjes në Kumanovë janë të papranueshme dhe cenojnë frymën e bashkëjetesës dhe respektit të ndërsjellë, që duhet të jenë themel i çdo shoqërie demokratike me aspirata evropiane”, tha presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në një deklaratë të hënën, më 4 gusht. Ajo ka kërkuar nga autoritetet atje që të ndërmarrin masa të menjëhershme kundër organizatorëve të këtyre thirrjeve.

Ajo theksoi se shqiptarët janë popull autokton në trojet e tyre si dhe meritojnë të trajtohen me dinjitet dhe barazi, ashtu si çdo komunitet tjetër.

“Edhe më shqetësues mbetet fakti që zyrtarët më të lartë shtetërorë në Shkup nuk kanë reaguar ndaj kësaj gjuhe urrejtëse e përjashtuese, duke lënë hapësirë për retorika që minojnë tolerancën ndëretnike dhe harmoninë që vendi synon të ndërtojë në rrugën e tij drejt familjes evropiane”, deklaroi Osmani.

Osmani tha se sporti duhet të jetë mjet bashkimi, “jo platformë për ideologji të errëta që ngjallin kujtime të dhimbshme dhe kërcënojnë paqen”.

“U bëjmë thirrje institucioneve të Maqedonisë së Veriut që të ndërmarrin masa të menjëhershme kundër organizatorëve të këtyre thirrjeve, përgjegjësve dhe atyre që nxisin e përhapin urrejtje, duke dënuar çdo formë të gjuhës së urrejtjes , mbrojtur parimet e bashkëjetesës dhe tolerancës, si vlera bazë të një shteti që synon integrimin në BE”, tha e para e shtetit ndërsa theksoi se “Republika e Kosovës do të mbrojë me vendosmëri dinjitetin e shqiptarëve, kudo që ata jetojnë”.

Thirrje raciste ndaj shqiptarëve u dëgjuan në fundjavë gjatë një ndeshjeje të basketbollit që u zhvillua në mes të Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë.

“Gjuha e urrejtjes nuk ka vend në sport, as në shoqëri”, tha ai ndërsa shtoi se “thirrjet fyese në Kumanovë janë alarm për të gjithë”.

Gjuhën e përdorur në ndeshjen e zhvilluar në Kumanovë e dënoi edhe lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim – parti shqiptare në Maqedoninë e Veriu, Ali Ahmeti.

“E kuptoj dhe e ndaj mllefin tuaj miq, jo vetëm nga klithmat e urrejtjes në Kumanovë, por edhe nga fushata e përditshme sistematike kundër barazisë dhe çdo gjë që arritëm bashkë me shumë mund ndër vite”, u shpreh Ahmeti në rrjetet sociale. /Kosovapress/

The post Osmani reagon pas thirrjeve antishqiptare në ndeshjen Maqedoni e Veriut-Rumani appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

E diel, mot me diell dhe vranësira të pakta kalimtare

TIRANË, 3 gusht/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se ditën e diel vendi ynë do të ndikohet nga atmosferike relativisht të qëndrueshme.

Moti parashikohet i kthjellët si dhe vranësira të pakta kalimtare në relievet malore në veri, gjatë orëve të mesditës e pasdites.

Era do të fryjë e lehtë me drejtim kryesor jugperëndim-veriperëndim me shpejtësi mesatare 7m/s, shoqëruar me valëzimin në dete të ulët të forcës 1-2 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 19/31 Diell pak re
Kukës 15/30 Diell re
Lezhë 20/34 Diell pak re
Dibër 16/31 Diell re
Durrës 19/34 Diell
Tiranë 21/35 Diell pak re
Elbasan 19/34 Diell re
Berat 17/33 Diell
Vlorë 20/33 Diell
Korçë 15/28 Diell re
Gjirokastër 16/35 Diell
Sarandë 19/34 Diell

 

The post E diel, mot me diell dhe vranësira të pakta kalimtare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Instalohen sisteme moderne kondicionimi në teatrin “Migjeni”

TIRANË, 2 gusht/ATSH/ Teatri “Migjeni” në Shkodër, një prej simboleve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore në veri të vendit, po i nënshtrohet një procesi të plotë rikonstruksioni, me synimin për t’u rikthyer si një hapësirë dinjitoze për artin dhe publikun.

Falë bashkëpunimit të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit me Bashkinë Shkodër, po realizohet instalimi i sistemeve moderne të kondicionimit, një investim i rëndësishëm që synon të përmirësojë ndjeshëm kushtet e brendshme dhe të sigurojë një përvojë më të këndshme për artistët dhe spektatorët.
Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit e cilësoi investimin hap të rëndësishëm drejt ruajtjes dhe rigjallërimit të jetës artistike në Shkodër.

Sipas tij, së shpejti, në këtë teatër do të zhvillohen edhe programe kulturore të mbështetura nga fondi i mobilitetit dhe bashkëpunime me partnerë e miq ndërkombëtarë të Ministrisë së Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, duke i dhënë një impuls të ri shkëmbimit artistik dhe bashkëpunimeve kulturore.

The post Instalohen sisteme moderne kondicionimi në teatrin “Migjeni” appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Panajot Kanaçi, babai i koreografisë shqiptare

TIRANË, 2 gusht/ATSH/ Përkujtohet në ditën e lindjes babai i koreografisë shqiptare, të madhin, Panajot Kanaçi.

Teatri Kombëtar i Operas dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor soli në këtë ditë disa nga momentet kyçe të jetës dhe karrierës së tij duke vënë në dukje se Panajot Kanaçi është emri që i ka dhënë vlera të mëdha baletit dhe valles shqiptare.

Ende sot, pas kaq dekadash, në Teatrin Kombëtar të Operës dhe Baletit dhe Ansamblit Popullor mbeten të gjalla krijimet e tij koreografike, baletet dhe vallet, me të cilat Shqipëria është prezantuar denjësisht para publikut shqiptar e të huaj dhe ka fituar çmime e vlerësime.
Panajot Kanaçi u lind në Delvinë më 2 gusht 1923. Kreu Liceun Artistik në vitin 1943 dhe iu përkushtua me pasion artit të kërcimit.
Ishte viti 1946 kur Kanaçi nisi pranë Shkollës Pedagogjike punën koreografike me një grup vajzash; më pas mblodhi rreth vetes djem e vajza që kishin dëshirë të kërcenin dhe me to krijoi bërthamën e parë të trupës artistike të baletit.
Me krijimin e Filarmonisë në vitin 1950 nisi një periudhë e rëndësishme e krijimtarisë së Kanaçit. Ai jo vetëm që ndihmoi në vënien e disa veprave të rëndësishme nga regjisori rus Perkun, por ishte edhe interpretues i shkëlqyer i roleve kryesore në dy baletet e asaj kohe: “Shatrivani i Bahçisarait” dhe “Esmeralda”.
Kreu studimet e larta për regjisor-baletmaestër në Institutin Shtetëror të Artit Teatror në Moskë, ku krahas studimeve zhvilloi edhe një veprimtari të dendur krijuese me valle shqiptare dhe balete klasike.
Në vitin 1961 u kthye nga studimet në Moskë dhe nisi punën e tij krijuese.
Si udhëheqës artistik dhe baletmaestër i trupës së baletit të TOB-it, Kanaçi vuri në skenë baletin e parë kombëtar shqiptar “Halili dhe Hajrija” në vitin 1963, që u pasua nga baletet “Delina”, “Joniada”, “Shota dhe Azem Galica”, “Bijtë e peshkatarit” etj. Në karrierën e tij nuk mungojnë edhe baletet e huaja si “Franceska da Rimini”, “Paganini” apo miniatura baletesh.
Panajot Kanaçi ishte mjeshtër i madh i artit koreografik shqiptar dhe krijues i valleve popullore të të gjitha trevave të vendit. Mjeshtri Kanaçi realizoi një fond të pasur vallesh, të cilat kanë vlera të veçanta.
Sukseset e Ansamblit Kombëtar të Këngëve dhe Valleve Popullore, me të cilin ai ishte ngushtësisht i lidhur, janë kryesisht sukseset e tij.
Vallet e profesorit kanë korrur sukses në Evropë, Azi, Afrikë, SHBA, Kinë, Kanada, duke filluar me “Vallëzimin e shqipeve”, ku çdo valltar ishte një shqipe e gjallë në skenë. Më pas vijoi me krijime të tjera të çdo krahine si:
“Mal e ngritëm lumturinë”, “Valle e liqenit”, “Vallja e Osman Takës”, “Festë në Dropull”, “Sup më sup të lidhur jemi”, “Motive çame”, “Valle me motive kosovare”, “Oshtima e maleve”, “Luftëtarët e lirisë”, duke arritur majat artistike me vallen madhështore “Festë të madhe ka sot Shqipëria”.
Ai është nderuar me tituj të shumtë, ndër të cilët “Artist i Popullit” dhe “Mjeshtër i Madh”.

The post Panajot Kanaçi, babai i koreografisë shqiptare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmani kërkon mbështetjen e SHBA-së për anëtarësimin e Kosovës në NATO

PRISHTINË, 2 gusht/ATSH/ Presidentja Vjosa Osmani gjatë një takimi sot me zëvendësndihmëssekretarin amerikan të Mbrojtjes David A. Baker ka kërkuar mbështetjen e SHBA-së për anëtarësimin e Kosovës në Aleancën-Veriatlantike.

Osmani ka thënë se kur SHBA qëndron përkrah nesh, Kosova është më e fortë, më e sigurt dhe më e zhvilluar.

“Kosova mbetet e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me SHBA në fushën e mbrojtjes, përfshirë industrinë e mbrojtjes, si një mundësi me përfitime të ndërsjella për të dyja shtetet. Anëtarësimi i Kosovës në NATO është një objektiv strategjik dhe mbështetja e SHBA-së në këtë proces është jetike”, tha Osmani. /KosovaPress/

The post Osmani kërkon mbështetjen e SHBA-së për anëtarësimin e Kosovës në NATO appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Osmani pret zëvendësndihmëssekretarin amerikan të Mbrojtjes

PRISHTINË, 2 gusht/ATSH/ Presidentja Vjosa Osmani ka pritur sot në takim zëvendësndihmëssekretarin e Mbrojtjes të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, David A. Baker.

Takimi mes presidentes Osmani dhe zyrtarit amerikan po zhvillohet pa praninë e mediave.

Pas takimit nuk do të ketë konferencë për media, sipas zyrtarëve të Presidencës.

Zëvendësndihmës sekretari amerikan i Mbrojtjes, David Baker, sot do të pritet në takim edhe me ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedonci. /KosovaPress/

The post Osmani pret zëvendësndihmëssekretarin amerikan të Mbrojtjes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

E shtunë, rriten temperaturat deri në 35°C

TIRANË, 1 gusht/ATSH/ Shërbimi Meteorologjik Ushtarak bëri të ditur se ditën e premte vendi ynë do të ndikohet nga atmosferike relativisht të qëndrueshme.

Moti parashikohet i kthjellët e vranësira mesatare kryesisht  në relievet malore në lindje e juglindje, të cilat prej orëve të mesditës do të shoqërohen me reshje lokale shiu me intensitet të ulët përgjatë maleve.

Era do të fryjë me drejtim kryesor veriperëndim –  verilindje me shpejtësi mesatare 5m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare dhe në zonat luginore era do të fitojë shpejtësi 7-12m/s, shoqëruar me valëzimin në dete të ulët të forcës 1-2 ballë.

Temperaturat parashikohen:

QYTETET Temperaturat në °C Sigla
Shkodër 19/34 Diell pak re
Kukës 18/30 Diell re shi
Lezhë 20/34 Diell pak re
Dibër 15/31 Diell re
Durrës 18/34 Diell
Tiranë 19/35 Diell pak re
Elbasan 18/35 Diell re
Berat 15/33 Diell pak re
Vlorë 19/33 Diell
Korçë 12/27 Diell re shi
Gjirokastër 15/35 Diell pak re
Sarandë 17/34 Diell pak re

 

 

 

The post E shtunë, rriten temperaturat deri në 35°C appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Çdo gjë gati për fillimin e Sunny Hill Festival 2025 në Kosovë

PRISHTINË, 1 gusht/ATSH/ Sunny Hill Festival është ngjarja më e madhe muzikore dhe kulturore që zhvillohet nga sot deri më 3 gusht dhe tashmë ka nisur ardhja e vizitorëve të shumtë.

Ky festival do të ofrojë një linjë të jashtëzakonshëm, me disa nga emrat më të mëdhenj të muzikës botërore si Dua Lipa, Fatboy Slim, Shawn Mendes, Mochakk, Anyma, Peggy Gou dhe shumë artistë të tjerë nga Kosova dhe rajoni si Ledri Vula, Era Istrefi, Ardian Berisha, Lyrical Son, Ari Lokaj, Loredana, Tayna e shumë të tjerë.

Sunny Hill është më shumë se një festival muzikor – është një ngjarje që bashkon kulturën, artin dhe energjinë e brezit të ri të Kosovës.

Kujtojmë, ky festival ka nisur të mbahet që nga viti 2018 dhe vazhdimisht po zgjon interesim të madh te të gjithë artdashësit. Festivali është organizuar nga këngëtarja e madhe Dua Lipa dhe babai i saj Dukagjin Lipa.

Gjatë edicioneve të kaluara kanë marrë pjesë emra të mëdhenj të muzikës botërore si Miley Cyrus, Calvin Harris, Bebe Rexha, DJ Snake, Black Coffe, Groove Armada, Stormzy, Burna Boy, The Blaze e shumë të tjerë. /KosovaPress/

The post Çdo gjë gati për fillimin e Sunny Hill Festival 2025 në Kosovë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Dua Lipa merr shtetësinë e Kosovës

PRISHTINË, 31 korrik/ATSH/ Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani e cilësoi nder të veçantë që sot, me dekret presidencial i dha shtetësinë e Republikës së Kosovës, Dua Lipës, një prej personaliteteve më të rëndësishme kulturore dhe artistike në historinë e vendit.

“Dua dhe Kosova kanë qenë gjithmonë të pandashme. Ajo ka qenë dhe vazhdon të jetë një nga zërat më të fuqishëm në skenat më të mëdha të botës, duke bërë histori me të arriturat e saj dhe duke u shndërruar në inspirim për miliona njerëz anekënd globit. Mirënjohja jonë është e pafund për gjithçka që Dua ka bërë dhe vazhdon të bëjë për Kosovën, për rininë tonë, për artin tonë dhe për imazhin ndërkombëtar të vendit tone”, shkroi Osmani në rrjetet sociale.

“Dua, Kosova është gjithmonë krenare me ty!”, përfundoi Presidentja e Kosovës.

The post Dua Lipa merr shtetësinë e Kosovës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Porti i ri tregtar në Porto Romano, miratohen shpronësimet

TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Qeveria vendosi sot shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Për zbatimin e projektit të portit të ri tregtar të integruar të Durrësit në Porto Romano”.

Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Portual Durrës.

Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, për pasuritë e llojit “pyll”, “arë”, “truall” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 815 696 300.40 (tetëqind e  pesëmbëdhjetë milionë e gjashtëqind e nëntëdhjetë e gjashtë mijë e treqind pikë dyzet) lekësh.

Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Autoritetit Portual Durrës.

Sipas vendimit, në momentin e ekzekutimit të procedurave për likuidim për çdo pasuri, objekt shpronësimi, që miratohen me anë të këtij vendimi, do të kërkohet dokumentacion pronësie i rifreskuar për secilin pronar, të konfirmuar nga institucioni kompetent, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, me qëllim verifikimin e kufizimeve përkatëse që mbartin kartelat e pasurive, në bazë të të cilave do të vlerësohet dhe do të bëhet procedura e ekzekutimit të këtij vendimi, si dhe në rast se prona është në proces gjyqësor, masa e shpërblimit ose e kompensimit do t’i vendoset në dispozicion personit që rezulton nga vendimi i formës së prerë të gjykatës.

Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Portual Durrës, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Durrës-Kavajë-Krujë, Drejtoria e Administrimit dhe e Mbrojtjes së Tokës pranë Këshillit të Qarkut Durrës dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

The post Porti i ri tregtar në Porto Romano, miratohen shpronësimet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Elbasan-Përrenjas-Qafëthanë, miratohen shpronësimet që preken nga projekti i zgjerimit të rrugës

TIRANË, 31 korrikATSH/ Me propozimin e zëvendëskryeministrit dhe ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Këshilli i Ministrave vendosi në mbledhjen e sotme shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Zgjerimi i segmentit rrugor dalje Elbasan – Përrenjas – Qafëthanë (faza IV)”.

Shpronësimi bëhet në favor të Autoritetit Rrugor Shqiptar.

Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, për pasuritë e llojit “truall”, “ndërtesë”, “apartament”, bodrum” dhe “njësi”, me një vlerë të përgjithshme prej                            377 526 994.3 (treqind e shtatëdhjetë e shtatë milionë e pesëqind e njëzet e gjashtë mijë e nëntëqind e nëntëdhjetë e katër pikë tre) lekësh.

Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.

Ngarkohen Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë, Autoriteti Rrugor Shqiptar, Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Zyra Vendore Librazhd, dhe Agjencia Shtetërore për Shpronësimin për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

The post Elbasan-Përrenjas-Qafëthanë, miratohen shpronësimet që preken nga projekti i zgjerimit të rrugës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shpronësime në Dimal për projektin e rrugës së Konizbaltës

TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Qeveria miratoi sot shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksion i rrugës kthesa e Pashallisë-Konizbaltë deri në Konizbaltë”, Bashkia Dimal.

Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Dimal.

Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë, për pasuritë e llojit “arë”, me një vlerë të përgjithshme prej 489 372.10 (katërqind e tetëdhjetë e nëntë mijë e treqind e shtatëdhjetë e dy pikë dhjetë) lekësh.

Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të këtij vendimi në “Fletoren zyrtare”.

Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Dimal.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

The post Shpronësime në Dimal për projektin e rrugës së Konizbaltës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rikonstruksioni i shkollës së mesme në Çorovodë, miratohen shpronësimet

TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Këshilli i Ministrave vendosi në mbledhjen e sotme shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksioni i shkollës së mesme “Ramiz Aranitasi”, Çorovodë, si dhe ruajtjes së perimetrit të sigurisë në shkolla”, Bashkia Skrapar.

Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Skrapar.

Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë për pasuritë e llojit “truall” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 1 105 974 (një milion e njëqind e pesë mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e katër) lekësh.

Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të vendimit në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3  muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.

Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Skrapar.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Skrapar, brenda 30 ditëve nga data e  miratimit të vendimit,  nis  procedurat  për  hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në  favor  të Bashkisë  Skrapar  për  pasuritë  e  shpronësuara.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

The post Rikonstruksioni i shkollës së mesme në Çorovodë, miratohen shpronësimet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Kurti akuzon opozitën për krizën politike

PRISHTINË, 31 korrik/ATSH/ Kryeministri në detyrë, njëherësh kryetar i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka akuzuar sot ish-partitë opozitare për bojkot dhe sabotim të themelimit të institucioneve të reja pas zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Sipas tij, “destruktiviteti opozitar” po bëhet për shkak të xhelozisë dhe lakmisë ndaj Vetëvendosjes dhe mospranimit të rezultateve të zgjedhjeve.

Duke prezantuar, siç tha ai, kompromiset e bëra në këta muaj të krizës politike, Kurti deklaroi se “opozitarët as nuk po shtyhen dhe as nuk po ngrihen”.

Kanë kaluar pothuajse gjashtë muaj nga zgjedhjet e 9 shkurtit, ndërkohë që Kosova ende nuk ka themeluar institucionet e reja. Qe nga 27 korriku është vendosur një masë e përkohshme nga Gjykata Kushtetuese si pasojë e dështimit për konstituimin e legjislaturës së nëntë deri më 26 korrik – një afat i vendosur nga aktgjykimi i parë i kësaj gjykate. Masa e përkohshme vlen deri më datën 8 gusht.

Kurti, duke përmendur kompromiset që sipas tij janë bërë për konstituimin e Kuvendit, theksoi se partitë që deri tani ishin në opozitë “as nuk po shtyhen e as nuk po ngrihen”.

Kurti ka dërguar dy herë ftesë për bashkëpunim dhe bashkëqeverisje ndaj Lidhjes Demokratike të Kosovës, por kjo e fundit ka refuzuar. Ndërkaq, negociatat me Nismën, e cila ka tre deputetë në Kuvend, nuk kanë sjellë dakordim për bashkëpunim në nivel të legjislativit, pasi kërkesa e partisë së Fatmir Limajt ka qenë posti i kryetarit të Kuvendit.

Këto komente Kurti i bëri në nominimin zyrtar të Hajrulla Çekut si kandidat për kryetar të Prishtinës nga Këshilli i Lëvizjes Vetëvendosje – Qendra në Prishtinë.

Në anën tjetër, kandidati i LVV-së për kryetar të Prishtinës, Hajrulla Çeku, tha se partia e tij është e vetmja forcë që mund ta transformojë Prishtinën. Ai shtoi se në ditët në vijim do të shpalosë platformën afatgjatë – “Prishtina 2035”. /KosovaPress/

The post Kurti akuzon opozitën për krizën politike appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Po u fundosej gomonia nga moti i keq, Policia shpëton 5 shtetas në Durrës

TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Policia Detare e Durrësit shpëtoi 5 shtetas që rrezikonin të mbyteshin, pasi gomonia e tyre po fundosej për shkak të motit të keq.

Efektivët e trajnuar të Njësisë Policore Detare, me mjete lundruese, u shkuan në ndihmë 5 shtetasve mesditën e sotme.

Gjatë patrullimeve në të gjithë hapësirën detare të qarkut, shërbimet e Njësisë Policore Detare konstatuan, në afërsi të Gjirit të Durrësit, 5 shtetas që kërkonin ndihmë, pasi gomonia e tyre rrezikonte të fundosej për shkak të erërave të forta.

Menjëherë pas konstatimit, efektivët e Njësisë, me mjete lundruese, ndërhynë në kohë dhe bënë të mundur nxjerrjen në breg të qytetarëve, të cilët ndodheshin në gjendje të mirë shëndetësore.
Njësia Policore Detare fton çdo qytetar apo turist që ndodhet në vështirësi dhe ka nevojë për ndihmë, të kontaktojë menjëherë duke garantuar reagim të shpejtë, profesional dhe të specializuar.

The post Po u fundosej gomonia nga moti i keq, Policia shpëton 5 shtetas në Durrës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Apeli në Kosovë liron policët e përfshirë në rastin Agon Zejnullahu, mbrohen në liri

PRISHTINË, 31 korrik/ATSH/ Avokati Besnik Berisha ka bërë të ditur se Gjykata e Apelit e Kosovës ka vendosur të lirojë nga paraburgimi pesë zyrtarët policorë që po hetohen për vrasjen nga pakujdesia të Agon Zejnullahut në Lipjan, më datë 7 korrik 2025.

Apeli ka vendosur që të pandehurve Ibrahim Nela, Albion Ratkoceri, Artidon Konxheli, Liridon Rrahmani dhe Endrit Beqiri t’u ndërpritet masa e paraburgimit dhe të njëjtit të mbrohen në liri.

Berisha në një postim në Facebook ka shkruar se pesë zyrtarët policorë që u paraburgosën nga sot janë të lirë.

“Drejtësia foli. Pesë zyrtarët policorë që padrejtësisht u paraburgosën nga sot janë të lirë. I lumtur sa s’ka më, jo vetëm sepse drejtësia më në fund u vu në lëvizje, por sepse padrejtësia nuk mori formë të përhershme. Kjo nuk ishte thjesht një betejë për lirimin e pesë zyrtarëve, ishte një betejë për arsyen, për të drejtën dhe për të mos lejuar që frika nga opinioni ta zëvendësojë ligjin.

Ata vepruan në përmbushje të detyrës, jo në shkelje të saj. Çdo hap i tyre u shoqërua me kujdes, proporcionalitet dhe përpjekje për të shmangur rrezikun. Çdo gjykim ndaj tyre duhet të jetë profesional, jo populist. Faleminderit të gjithë atyre që nuk heshtën.

Ne do të jemi gjithmonë në krah të ligjit, edhe kur ai sulmohet nga ata që s’kanë asnjë lidhje me të”.

Zejnullahu ka vdekur në orët e para të 7 korrikut, pasi është arrestuar nga policia në Lipjan.

Vdekjen e tij në vendngjarje e ka konstatuar edhe ekipi mjekësor. Policia ka thënë se i ndjeri dyshohet se ka qenë nën ndikimin e alkoolit dhe duke sulmuar automjete e kalimtarë, kur është ndaluar nga autoritetet e rendit. Por, sipas familjarëve dhe avokatit të tyre mbrojtës, policia ka përdorur forcë të tepruar kundër tij.

Komandanti i Policisë për rajonin e Lipjanit, Argjend Gashi, ka dhënë dorëheqje pas vdekjes së Zejnullahut. /KosovaPress/

The post Apeli në Kosovë liron policët e përfshirë në rastin Agon Zejnullahu, mbrohen në liri appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌