Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

Manastirliu: Shkolla “Dëshmorët e Peshkëpisë” në Selenicë hap dyert në shtator me kushte dinjitoze

23 August 2025 at 10:56

TIRANË, 23 gusht/ATSH/ Shkolla 9- vjeçare “Dëshmorët e Peshkëpisë” në Selenicë do të hapë dyert në shtator me ambiente tërësisht të rikonstruktuara, duke ofruar kushte dinjitoze për nxënësit dhe mësuesit.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manasstirliu ndau sot në rrjetet sociale pamje nga godina e rikonstruktuar me klasa të reja, bibliotekë, laboratorë dhe terrene sportive moderne.

“Garantojmë kushte dinjitoze për nxënësit dhe mësuesit, falë investimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Bashkisë Selenicë”, u shpreh Manastirliu.

Me buxhetin e vitit 2025 do të ndërtohen ose rikonstruktohen rreth 70-80 objekte arsimore të arsimit bazë, me rreth 1000-1200 klasa/laboratorë, ku do të përfitojnë rreth 20 000-25 000 nxënës dhe 1500-2000 punonjës mësimorë.

Në të gjithë vendin vijojnë përgatitjet që shkollat të jenë gati për vitin e ri shkollor 2025-2026.

/m.m/

The post Manastirliu: Shkolla “Dëshmorët e Peshkëpisë” në Selenicë hap dyert në shtator me kushte dinjitoze appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Nga ndalimi i celularëve te masat kundër bullizmit, miratohet udhëzimi për vitin e ri shkollor

By: Ela
22 August 2025 at 09:03

Me nisjen e vitit të ri shkollor, Ministria e Arsimit dhe Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit kanë miratuar një udhëzim të përbashkët që përcakton masat kryesore për mbarëvajtjen e vitit shkollor 2025–2026 në sistemin arsimor parauniversitar. Udhëzimi, i botuar në Fletoren Zyrtare, përfshin një sërë detyrimesh që lidhen me regjistrimin e nxënësve, shpërndarjen e […]

The post Nga ndalimi i celularëve te masat kundër bullizmit, miratohet udhëzimi për vitin e ri shkollor appeared first on BoldNews.al.

Ambiente tërësisht të transformuara për nxënësit e shkollës “Meleq Gosnishti” në Përmet

21 August 2025 at 13:20

TIRANË, 21 gusht /ATSH/ Shkolla 9-vjeçare “Meleq Gosnishti” në Përmet, e transformuar tërësisht, do të hapë dyert në shtator për nxënësit e saj.

Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, njëherësh drejtuese politike e Partisë Socialiste në qarkun e Gjirokastrës, Mirela Kumbaro ndau sot në rrjetet sociale foto nga kjo shkollë.

“Shtatori po afron dhe nxënësit përmetarë të shkollës “Meleq Gosnishti” do të gjejnë ambiente tërësisht të transformuara, klasa moderne dhe kushte dinjitoze për ta dhe për mësuesit falë investimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit dhe Bashkisë Përmet”, shkroi Kumbaro.

Kjo shkollë, e ndodhur në një zonat më piktoreske të qytetit, do të jetë edhe një qendër komunitare, e cila mund të përdoret për aktivitete të ndryshme pas orarit mësimor.

Me buxhetin e vitit 2025 do të ndërtohen ose rikonstruktohen rreth 70-80 objekte arsimore të arsimit bazë, me rreth 1000-1200 klasa/laboratorë, ku do të përfitojnë rreth 20 000-25 000 nxënës dhe 1500-2000 punonjës mësimorë.

Në të gjithë vendin vijojnë përgatitjet që shkollat të jenë gati për vitin e ri shkollor 2025-2026.

/gj.m/r.e//a.f/

The post Ambiente tërësisht të transformuara për nxënësit e shkollës “Meleq Gosnishti” në Përmet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Manastirliu: Drejt rikonstruksionit shkolla “Ismail Qemali” në Shkodër

20 August 2025 at 11:21

TIRANË, 20 gusht/ATSH/ Shkolla 9-vjeçare “Ismail Qemali” në Shkodër do t’i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë me një projekt modern që do të transformojë rrënjësisht infrastrukturën arsimore.

Lajmin e bëri të ditur sot ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, në një takim me mësuesit e kësaj shkolle.

“Në prag të çeljes së vitit të ri shkollor, me mësuesit e shkollës 9-vjeçare “Ismail Qemali” në Shkodër ndamë lajmin e mirë se kjo shkollë shumë shpejt do t’i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë, me një projekt modern, që do të transformojë rrënjësisht infrastrukturën arsimore të kësaj shkolle me traditë në kryeqendrën e veriut”, u shpreh ministrja Manastirliu.

Shkolla “Ismali Qemali” është një nga shkollat 9-vjeçare më të mëdha të bashkisë Shkodër me një numër të lartë nxënësish, rreth 850, ndërsa në ambientet e saj është edhe kopshti me mbi 20 fëmijë.

Ndërtesa aktualisht është e amortizuar dhe jashtë standardeve për efikasitet e siguri, me ndriçim te papërshtatshëm e kushte jo të mira të infrastrukturës në katër katet e saj.

Rikonstruksioni i shkollës “Ismail Qemali” synon krijimin e mjediseve të përshtatshme për edukim, arsimim dhe zhvillim të aktiviteteve të ndryshme në shërbim të nxënësve dhe komunitetit.

Përmes zbatimit të këtij projekti do të ketë ndërhyrje në të gjitha ambientet e brendshme e të jashtme të shkollës, përmirësim të kushteve infrastrukturore, që do të ndikojnë pozitivisht në procesin mësimor dhe krijimin e një ambienti të sigurt dhe të këndshëm për të gjithë.

Projekti i rikonstruksionit të shkollës ka për qëllim krijimin e një hapësire funksionale dhe tërheqëse që jo vetëm përmirëson mjedisin arsimor, por edhe kontribuon në forcimin e lidhjeve sociale dhe komunitare përmes krijimit të hapësirave të përshtatshme për edukim dhe aktivitete arsimore, krijimin e klasave moderne ku mund të përshtaten për metoda mësimdhënieje të ndryshme, hapësira për takime komunitare dhe integrim social, etj.

Në kuadër të thirrjes së hapur të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit për vitin 2025 bashkia Shkodër ka aplikuar me tetë projekte, prej të cilave është shpallur fituese e katër propozimeve në vlerën rreth 4 milionë euro.

/m.m/

The post Manastirliu: Drejt rikonstruksionit shkolla “Ismail Qemali” në Shkodër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Manastirliu në shkollën “Ndre Mjeda” në Shkodër: Kushte më të mira për 700 nxënës dhe 60 mësues

TIRANË, 19 gusht/ATSH/ Shkolla “Ndre Mjeda” në Shkodër po rindërtohet me standardet më të mira.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu inspektoi punimet që po kryhen në këtë shkollë, e cila pritet të hapë dyert e saj në fillim të vitit të ri shkollor.

“Shkolla Ndre Mjeda” po i nënshtrohet një transformimi rrënjësor dhe zgjerimi kapacitetesh, për të patur mësim me një turn, me klasa moderne, laboratorë smart dhe të shkencave, bibliotekë, hapësira rekreative, palestër e terrene sportive dhe akses për çdo nxënës”, tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu informoi se “pas përfundimit të punimeve, “Ndre Mjeda” do të presë rreth 700 nxënës dhe 60 mësues, duke ofruar standarde të larta jo vetëm në procesin mësimor, por edhe mundësi për zhvillim kulturor, sportiv dhe krijues të nxënësve”.

Projekti për rikonstruksionin e plotë të shkollës përfshin edhe ndërtimin e shtesës në godinën 3-katëshe, një palestër të re me një tarracë të shfrytëzueshme, si dhe instalimin e një sistemi ngrohjeje dhe ftohjeje të ri. Po ashtu, do të kryhet edhe sistemimi i sheshit të shkollës.

MAS vetëm për infrastrukturën shkollore në Shkodër ka dedikuar 7 milionë euro.  Ministria e Arsimit dhe Sportit do të vijojë investimet në infrastrukturën arsimit parauniversitar në Shkodër, si rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare “Ismail Qemali”, shkolla 9-vjeçare dhe e mesme në Bushat, shkolla 9-vjeçare “Migjeni” në Pukë, kopshti “Tom Alimhilli” në Shkodër, si dhe rikonstruksioni i palestrave në shkollat e mesme “Dodë Kaçaj” në Bajzë, “28 Nëntori” dhe “Tring Smajli” në Shkodër.

/k.s//a.f/

The post Manastirliu në shkollën “Ndre Mjeda” në Shkodër: Kushte më të mira për 700 nxënës dhe 60 mësues appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Punimet në gjimnazin “Kolë Idromeno”, Manastirliu: 7 milionë euro për infrastrukturën shkollore në Shkodër

TIRANË, 19 gusht/ATSH/ Nxënësit e shkollës “Kolë Idromeno” në Shkodër shumë shpejt do të mësojnë në ambiente të reja, sipas të gjitha standardeve bashkëkohore.

Falë investimit të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit, ky institucion arsimor po i nënshtrohet një transformimi të plotë, që përfshin rikonstruksionin e ambienteve të brendshme dhe të jashtme, laboratorëve dhe terreneve sportive, rinovimin e instalimeve elektrike, hidraulike, sistemit të kondicionimit, aksesueshmërisë për nxënësit me aftësi ndryshe, si dhe mobilim të ri, të përshtatur me imazhin modern të shkollës.

Punimet po ecin me ritme të shpejta dhe pritet të përfundojnë përpara fillimit të vitit shkollor.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu së bashku me kryetarin e bashkisë Shkodër, Benet Beci inspektuan nga afër punimet në këtë institucion arsimor, teksa nënvizoi angazhimin e qeverisë për të ofruar kushte bashkëkohore në çdo institucion arsimor.

“Shumë shpejt shkolla do të jetë gati për nxënësit dhe mësuesit me klasa moderne, laboratorë të pajisur me teknologji bashkëkohore, terrene sportive, akses për nxënësit me aftësi ndryshe, e ndërtuar sipas të gjitha standardeve europiane”, tha Manastirliu.

Sipas saj, në Shkodër kantieret e ndërtimit të shkollave po ecin shumë mirë.

Ministrja Manastirliu bëri të ditur se “vetëm për infrastrukturën shkollore në Shkodër janë dedikuar 7 milionë euro, ndërsa paralelisht po punojmë ti pajisim shkollat edhe me laboratorë shkencorë dhe inteligjentë, duke u ofruar nxënësve mundësinë të zhvillojnë aftësi digjitale të avancuara”.

“Shkolla “Kolë Idromeno” është pjesë e projektit të SmartLab-eve, pasi fillojmë fazën tjetër ku 654 SmartLab do të investohen për shkollat ku për herë të parë përfshihen edhe gjimnazet ku nxënësit të zhvillojnë potencialin e tyre në drejtim të aftësive digjitale”, theksoi Manastirliu duke shtuar se e meriton Shkodra, e meritojnë qytetarët, e meritojnë mësuesit dhe nxënësit të kenë kushte bashkëkohore.

Kryebashkiaku Beci u shpreh se “sot ka një motiv shumë më të madh për të gjithë këtë brez që po vjen”.

“Jemi shumë entuziastë për mënyrën e punimeve që po kryhen në shkollë”, tha një mësues.

Një tjetër mësuese u shpreh se “ky investim do të jetë edhe një motivim për të gjithë nxënësit dhe stafin pedagogjik të shkollës, për të rritur më lart emrin e gjimnazit “Kolë Idromeno”.

Gjimnazi “Kolë Idromeno” është një nga disa institucione arsimore në qarkun e Shkodrës ku është investuar.

Ministria e Arsimit dhe Sportit do të vijojë investimet në infrastrukturën arsimit parauniversitar në Shkodër, si rikonstruksioni i shkollës 9-vjeçare “Ismail Qemali”, shkolla 9-vjeçare dhe e mesme në Bushat, shkolla 9-vjeçare “Migjeni” në Pukë, kopshti “Tom Alimhilli” në Shkodër, si dhe rikonstruksioni i palestrave në shkollat e mesme “Dodë Kaçaj” në Bajzë, “28 Nëntori” dhe “Tring Smajli” në Shkodër.

Në rang kombëtar, 40 objekte të reja mësimore e sportive, përfshirë 22 shkolla të reja dhe 18 palestra dhe terrene sportive do t’i nënshtrohen procesit të rindërtimit dhe rikonstruksionit.

/k.s//a.f/

The post Punimet në gjimnazin “Kolë Idromeno”, Manastirliu: 7 milionë euro për infrastrukturën shkollore në Shkodër appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Gjimnazi “Jani Nushi” në Lushnjë rihap dyert në shtator me klasa të reja dhe bibliotekë bashkëkohore

16 August 2025 at 11:28

TIRANË, 16 gusht/ATSH/ Gjimnazi “Jani Nushi” në Lushnjë do të hapë dyert në fillim të vitit të ri shkollor me një pamje krejtësisht të transformuar.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu, deklaroi sot se falë investimit të përbashkët mes Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë së Lushnjës, shkolla është rikonstruktuar tërësisht.

Ndërhyrja ka përfshirë jo vetëm përmirësimin e godinës ekzistuese, por edhe ndërtimin e ambienteve të reja mësimore dhe ndihmëse.

Tashmë, shkolla do të ofrojë klasa të reja dhe të pajisura, një bibliotekë bashkëkohore, laboratorë funksionalë për lëndët shkencore, si dhe terrene sportive moderne që do të shërbejnë për edukimin fizik dhe aktivitete të tjera shkollore.

Manastirliu theksoN se ky investim është pjesë e vizionit për të garantuar një arsim cilësor në të gjitha nivelet dhe për të siguruar kushte të denja në mjediset ku formohen brezat e rinj. /a.gj/ /a.g/

The post Gjimnazi “Jani Nushi” në Lushnjë rihap dyert në shtator me klasa të reja dhe bibliotekë bashkëkohore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Tragjedi ushqimore në Indonezi: 300 të sëmurë pas një vakti falas në shkollë

By: gaze tare
15 August 2025 at 19:34

Rreth 365 persona janë sëmurë në një qytet indonezian pasi kanë ngrënë dreka shkolle, vala më e madhe e helmimeve nga ushqimi që ka goditur deri më tani programin e ushqimit falas të Presidentit Prabowo Subianto. Vaktet janë pezulluar përkohësisht në Sragen, në Javan qendrore, pasi mostrat e ushqimit po testohen për kontaminim, thanë autoritetet lokale.

Programi – i cili kushton rreth 28 miliardë dollarë (21 miliardë paund) – përmbush një premtim të fushatës së presidentit për të luftuar pengimin e rritjes në vend. Por është prekur nga një sërë helmimesh nga ushqimi, si dhe kritika se çmimi i lartë i tij ka vënë një barrë të konsiderueshme në financat e qeverisë – me disa ministri që kanë shkurtuar buxhetet e tyre si rezultat.

Wizdan Ridho Abimanyu, një nxënës i klasës së nëntë në Sragen, i tha Reuters se u zgjua në mes të natës nga një dhimbje e fortë në stomak.

Ai vuante nga diarre dhe dhimbje koke, të cilat dyshonte se ishin shkaktuar nga helmimi nga ushqimi. Më vonë ai pa shokët e klasës duke u ankuar për simptoma të ngjashme në postimet e tyre në rrjetet sociale. Fajtori i dyshuar ishte një vakt që përfshinte oriz me shafran të Indisë, vezë të fërguara, tempeh të skuqur, një sallatë me kastravec dhe një kuti qumësht – të gjitha të përgatitura në një kuzhinë qendrore dhe të shpërndara në disa shkolla në qytet.

Qeveria ka thënë se do të mbulojë çdo shpenzim mjekësor të shkaktuar si rezultat i kësaj.

“Nuk mund të nxjerrim ndonjë përfundim specifik menjëherë”, i tha Sigit Pamungkas, udhëheqësi i qeverisë së qytetit, gazetës indoneziane Tempo.

The post Tragjedi ushqimore në Indonezi: 300 të sëmurë pas një vakti falas në shkollë appeared first on iconstyle.al.

Shkolla “Besëlidhja e Malësisë” në Bajram Curri, në shtator me ambiente të rikonstruktuara

TIRANË, 7 gusht/ATSH/ Shkolla “Besëlidhja e Malësisë” në Bajram Curri po rikonstruktohet falë një investimi bashkëkohor prej 6.6 milionë lekësh nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.

Eduard Shalsi, drejtues politik i Partisë Socialiste në qarkun e Kukësit, inspektoi nga afër punimet që po kryhen në këtë shkollë.

“Kjo shkollë historike po i nënshtrohet rikonstruksionit të plotë, duke hapur një kapitull të ri në jetën arsimore të zonës. Ky projekt shënon një hap të rëndësishëm drejt modernizimit të infrastrukturës shkollore dhe përmirësimit të kushteve të të mësuarit për nxënësit dhe mësuesit. Punimet pritet të përfundojnë brenda afateve të parashikuara, duke garantuar që shkolla të jetë gati për vitin e ri shkollor 2025 – 2026”, theksoi Shalsi.

Shalsi u shpreh se “ky investim vjen vetëm dy vite pas kremtimit të 100-vjetorit të themelimit të shkollës, një moment historik që dëshmon rolin e saj të pazëvendësueshëm në edukimin e brezave të rinj”.

Cilësia në arsim përmes investimeve të qëndrueshme në shkolla, objekte sportive dhe ambiente ndihmëse, duke rritur aksesin, sigurinë dhe funksionalitetin e institucioneve arsimore mbetet prioritet i qeverisë.

/k.s/a.f/

The post Shkolla “Besëlidhja e Malësisë” në Bajram Curri, në shtator me ambiente të rikonstruktuara appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Vijojnë regjistrimet në Shkollën Profesionale të Shërbimeve në Korçë

TIRANË, 6 gusht /ATSH/ Shkolla Profesionale e Shërbimeve në Korçë vijon regjistrimet për vitin e ri shkollor, duke ofruar programe të ndryshme që kombinojnë arsimimin teorik me aftësimin praktik, veçanërisht në sektorë strategjikë për ekonominë vendase.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj tha se, drejtimet kryesore në këtë shkollë përfshijnë bujqësinë, veterinarinë dhe turizmin.

“Në sektorin e bujqësisë dhe veterinarisë, të rinjtë pajisen me njohuri dhe aftësi për të kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të sektorëve të bujqësisë dhe blegtorisë. Ndërsa në degët Hoteleri-Turizëm, Ekonomi-Biznes dhe Dizajn-Modë; janë fushat me kërkesë të lartë në tregun e punës”, tha Denaj.

Denaj vuri në dukje se, “shkollat profesionale si kjo në Korçë janë çelësi për të ndërtuar një forcë punëtore të kualifikuar dhe të gatshme për tregun modern të punës”.

Regjistrimet janë të hapura deri më 30 shtator dhe realizohen në platformën e-albania, përmes shërbimit “Regjistrohu në klasën e dhjetë”.

/a.f/

The post Vijojnë regjistrimet në Shkollën Profesionale të Shërbimeve në Korçë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rikonstruksioni i shkollës së mesme në Çorovodë, miratohen shpronësimet

TIRANË, 31 korrik/ATSH/ Këshilli i Ministrave vendosi në mbledhjen e sotme shpronësimin, për interes publik, të pronarëve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga realizimi i projektit “Rikonstruksioni i shkollës së mesme “Ramiz Aranitasi”, Çorovodë, si dhe ruajtjes së perimetrit të sigurisë në shkolla”, Bashkia Skrapar.

Shpronësimi bëhet në favor të Bashkisë Skrapar.

Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private, që shpronësohen, kompensohen në vlerë të plotë për pasuritë e llojit “truall” dhe “ndërtesë”, me një vlerë të përgjithshme prej 1 105 974 (një milion e njëqind e pesë mijë e nëntëqind e shtatëdhjetë e katër) lekësh.

Shpronësimi fillon menjëherë pas botimit të vendimit në “Fletoren zyrtare” dhe afati i përfundimit të shpronësimit është brenda 3  muajve nga data e hyrjes në fuqi të tij.

Pronarët e pasurive të paluajtshme, pronë private kompensohen, për efekt shpronësimi, pasi të kenë paraqitur dokumentacionin justifikues për likuidim pranë Bashkisë Skrapar.

Agjencia Shtetërore e Kadastrës, Drejtoria Vendore Skrapar, brenda 30 ditëve nga data e  miratimit të vendimit,  nis  procedurat  për  hedhjen e gjurmës së projektit mbi hartën kadastrale, sipas planimetrisë së shpronësimit të miratuar, dhe regjistron aktin e kalimit të pronësisë në  favor  të Bashkisë  Skrapar  për  pasuritë  e  shpronësuara.

Ky vendim hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në “Fletoren zyrtare”.

The post Rikonstruksioni i shkollës së mesme në Çorovodë, miratohen shpronësimet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Transformim i shkollave nga veriu në jug për kushte dinjitoze

TIRANË, 23 korrik/ATSH/ Shkolla 9-vjeçare “Kajo Karafili” në Gështenjas të Pogradecit do të hapë dyert në shtator me kushte bashkëkohore për 200 nxënës dhe mësues falë investimit të Ministrisë së Arsimit dhe Bashkisë së Pogradecit.

Kryeministri Edi Rama ndau sot në rrjetet sociale foto nga ambientet e rikonstruktuara të kësaj shkolle, e cila do të sigurojë standarde më të mira në mësimdhënie.

“Po investojmë për transformimin e shkollave nga veriu në jug, me të njëjtin standard, për të garantuar kushte dinjitoze për mësim dhe zhvillim për nxënësit dhe stafet mësimore”, u shpreh Rama.

Investimi në këtë shkollë synon përmirësimin e infrastrukturës shkollore dhe krijimin e kushteve të përshtatshme për zhvillimin e procesit mësimor.

Punimet përfshijnë ndërtimin e një palestre moderne sportive dhe krijimin e hapësirave të reja për zhvillimin e aktiviteteve edukative dhe komunitare.

Po ashtu, objekti shkollor do të pajiset me sistem ngrohje me kaldajë për të garantuar komoditet gjatë stinëve të ftohta.

Një ndër elementët kryesorë të ndërhyrjes është edhe sistemi i ri elektrik i cili po zëvendëson tërësisht instalimet ekzistuese me teknologji më të avancuar dhe të sigurt.

Ambientet e brendshme dhe të jashtme të shkollës po rikonstruktohen në tërësi për të përmbushur standardet e nevojshme infrastrukturore.

Në përfundim të projektit shkolla do të disponojë edhe një bazë të re materiale, duke përmirësuar ndjeshëm cilësinë e procesit mësimor dhe mbështetës për nxënësit.

Ky investim është pjesë e angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror për përmirësimin e kushteve në institucionet arsimore të zonave rurale dhe sigurimin e një arsimi cilësor për të gjithë.

/m.m/j.p/

The post Rama: Transformim i shkollave nga veriu në jug për kushte dinjitoze appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

“Një shkollë moderne për mbi 650 nxënës”, Rama ndan pamjet nga gjimnazi “Kostandin Kristoforidhi” në Elbasan

21 July 2025 at 07:50

ELBASAN- Kryeministri i vendit, Edi Rama, ka ndarë pamjet e gjimnazit “Kostandin Kristoforidhi” në Elbasan, i cili siç thotë ai ka rilindur dhe do t’u shërbejë rreth 650 nxënësve.

 

Kjo shkollë thekson Rama është e pajisur me të gjithë infrastrukturën e nevojshme.

“Mirëmëngjesi dhe nga gjimnazi i rilindur “Kostandin Kristoforidhi” në Elbasani, një shkollë moderne për mbi 650 nxënës, me 14 klasa të reja, laboratorë, palestër e fusha sportive që i shërbejnë jo vetëm arsimit por edhe gjithë komunitetit, ju uroj një javë të mbarë”, shkruan ai.

Ibë e Poshtme, ndërtohet shkolla e re “Mersin Duqi” për 150 nxënës

TIRANË, 20 korrik/ATSH/ Vijon me intensitet puna në kantierin e shkollës së re 9-vjeçare dhe të mesme të bashkuar “Mersin Duqi” në Ibë të Poshtme, Bërzhitë, një investim që synon të ofrojë mjedise të sigurta dhe të denja për një arsimim cilësor, në përputhje me standardet e Bashkimit Evropian.

Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Anila Denaj, njëkohësisht deputete e sapozgjedhur në qarkun e Tiranës, deklaroi se shkolla e re do të krijojë kushte bashkëkohore për rreth 150 nxënës, si dhe për fëmijët e kopshtit dhe të nivelit parashkollor.

Investimi pritet të ndikojë ndjeshëm në rritjen e cilësisë së arsimit dhe përfshirjen e komunitetit lokal në zhvillim të qëndrueshëm.

/r.e/

The post Ibë e Poshtme, ndërtohet shkolla e re “Mersin Duqi” për 150 nxënës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Manastirliu në shkollën “Jonuz Çarçiu” në Elbasan: Standard i njëjtë i shkollave të reja në çdo cep të vendit

TIRANË, 17 korrik/ATSH/ Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ka inspektuar punimet në kantierin e rikonstruksionit të shkollës 9-vjeçare “Jonuz Çarçiu” në fshatin Tregan të Elbasanit, një tjetër investim i rëndësishëm për të garantuar kushte bashkëkohore për nxënësit dhe mësuesit në zonat rurale.

Punimet po shkojnë drejt përfundimit dhe shkolla pritet të hapë dyert në fillim të vitit të ri shkollor 2025-2026, duke u shndërruar në një kompleks arsimor me ambiente moderne, laboratorë, palestër, terrene sportive dhe një kopsht për fëmijët.

Ministrja Manastirliu, duke ndalur në rëndësinë e këtij investimi për komunitetin e Treganit, u shpreh se “investimet që ne kemi bërë vit pas viti tashmë janë duke u finalizuar dhe po hapim kantiere të reja në infrastrukturën arsimore në të gjithë vendin. Këtu në Elbasan në Njësinë Administrative Tregan kemi një shkollë të re, shkolla ‘Jonuz Çarçiu’, një shkollë e cila do të mirëpresë rreth 200 fëmijë, duke përfshirë këtu një kompleks arsimor, pasi do të kemi edhe kopshtin për fëmijët dhe gjithashtu edhe shkollën me ambiente tërësisht të reja”.

Objekti është ndërtuar nga e para me standardet më të larta dhe përfshin edhe palestër të brendshme, ambientet ndihmëse dhe oborrin e transformuar për zhvillimin e aktiviteteve sportive, sociale dhe artistike.

“Shkolla është ndërtuar e re me standarde më të mira, e cila do të ketë jo vetëm klasat, laboratorët, por gjithashtu edhe palestrën dhe ambientet sportive dhe oborrin e shkollës në funksion të programeve të cilat ne tashmë i kemi në shkollat tona, sikurse është dhe programi Art dhe Zeje, sikurse është edhe shkolla Qendër Komunitare, që jo vetëm gjatë procesit mësimor, por edhe pasditeve nxënësit të vijnë në mjediset e shkollës për të vijuar procesin edukativ, por edhe atë argëtues, sportiv dhe rekreativ”, tha Manastirliu.

Ministrja Manastirliu vuri në dukje se investimet në arsim janë të lidhura drejtpërdrejt me cilësinë e mësimdhënies dhe përmirësimin e kushteve për mësuesit dhe nxënësit.

“Për ne investimi në infrastrukturën arsimore është thelbësor për cilësinë në arsim, për krijimin e kushteve më të mira të punës dhe gjithashtu për të arritur ato standarde që ne duam. Po investojmë edhe në shtatë shkolla, jo vetëm në Bashkinë e Elbasanit, por edhe në Bashkinë e Librazhdit, në Cërrik, në Belsh, në Prrenjas, për të realizuar pikërisht atë plan që ne po e zhvillojmë vit pas viti, që lidhet pikërisht me një arsim cilësor me standarde bashkëkohore për t’ju siguruar nxënësve tanë një arsim cilësor”, tha Manastirliu.

/k.s/j.p/

The post Manastirliu në shkollën “Jonuz Çarçiu” në Elbasan: Standard i njëjtë i shkollave të reja në çdo cep të vendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mos prisni ditën e fundit! Hapen regjistrimet për klasat e para dhe të dhjeta

By: gaze tare
7 July 2025 at 09:37

Regjistrimet online për klasat e para dhe të dhjeta në platformën e-Albania janë hapur sot për regjistrimin e nxënësve për vitin shkollor 2025-2026. Përmes një postimi në rrjetet sociale Ministrja e Arsimit, Ogerta Manastirliu bën me dije se regjistrimet do të vijojnë deri më 31 gusht për t’i dhënë mundësi të gjithë prindërve të regjistrojnë fëmijët e tyre në çdo kohë të përshtatshme për ta.

Si bëhet regjistrimi në klasën e parë

Nxënësit i lejohet të regjistrohet në institucionin arsimor publik që mbulon vendbanimin e personit që ushtron përgjegjësinë prindërore të nxënësit. Harta e mbulimit të territorit, e miratuar nga Njësia vendore, respektohet gjatë regjistrimit të nxënësve në klasën e parë.

Dokumentacioni i nevojshëm

Dokumente që ngarkohen nga aplikanti: – Dokumenti i kujdestarisë ligjore (vetëm në rastet kur aplikimi për regjistrim kryhet nga personi që ka kujdestarinë ligjore).

Hapat e procedurës

Identifikohuni si qytetar në portalin e-Albania; Zgjidhni shërbimin “Regjistrimi në klasë të parë”; Klikoni butonin “Përdor”; Plotësoni formularin e aplikimit dhe klikoni “Dërgo”; Aplikimi mbërrin në shkollën përkatëse ku nxënësi dëshiron të regjistrohet dhe shkolla fillon procedurën për trajtimin e kërkesës; Shkolla regjistron nxënësin kur është kryer procedura dhe është ngarkuar dokumentacioni i nevojshëm sipas kriteve të përcaktuara; Shkolla njofton elektronikisht aplikuesin në rast pranimi ose mospranimi të regjistrimit brenda 10 ditësh nga momenti i dërgimit të aplikimit; Në rast mospranimi, personi që ushtron përgjegjësinë prindërore, vazhdon aplikimin brenda afatit në institucionin arsimor ku i takon regjistrimi i fëmijës.

Si bëhet regjistrimi në gjimnaz ose shkollë të mesme të orientuar

Nxënësit regjistrohen në gjimnaz publik sipas zonës së gjimnazit sipas planifikimit paraprak të Zyrave Vendore të Arsimit Parauniversitar. Zona e gjimnazit dhe planifikimi paraprak respektohen me përpikëri nga drejtori i IA-së. Pranimet në shkollat e arsimit të mesëm të orientuar (artistike, sportive, për gjuhët e huaja dhe shkolla për fusha të tjera) bëhen sipas përcaktimeve të udhëzimit përkatës të ministrit.

Shkollat e arsimit të mesëm të orientuar pranojnë nxënës edhe nga Bashkitë e tjera, të cilat nuk kanë shkolla të arsimit të mesëm të orientuar. Personi që ushtron përgjegjësinë prindërore, bën aplikimin online duke plotësuar të dhënat e nevojshme të formularit dhe pret përgjigjen e miratimit ose refuzimit të aplikimit.

Dokumentacioni i nevojshëm

Dokumente që ngarkohen nga aplikanti: Dokumenti i kujdestarisë ligjore në rastet kur fëmija regjistrohet nga personi që ka kujdestarinë ligjore (vetëm kur aplikimi bëhet nga kujdestari ligjor i fëmijës); Raport mjekësor (vetëm kur aplikohet për Shkollë të Mesme me konkurs (sportive)).

Hapat e procedurës

Identifikohuni si qytetar në portalin e-Albania; Zgjidhni shërbimin “Regjistrimi në gjimnaz ose shkollë të mesme të orientuar”; Klikoni butonin “Përdor” dhe plotësoni formularin elektronik; Aplikimi mbërrin në shkollën përkatëse ku nxënësi dëshiron të regjistrohet dhe shkolla bën procedurën për trajtimin e kërkesës; Shkolla njofton elektronikisht aplikuesin në rast pranimi ose mospranimi të regjistrimit brenda 10 ditëve nga momenti i dërgimit të aplikimit; Në rast mospranimi, personi që ushtron përgjegjësinë prindërore, vazhdon aplikimin brenda afatit në institucionin arsimor ku i takon regjistrimi i fëmijës.

Koha e nevojshme e marrjes së shërbimit për të dyja rastet

10 ditë

Kostot

Pa pagesë

The post Mos prisni ditën e fundit! Hapen regjistrimet për klasat e para dhe të dhjeta appeared first on iconstyle.al.

SOFT NEWS – Kaq vapë në Francë saqë një mësues skuq vezën në një tigan mbi dyshemenë e oborrit të shkollës!

PARIS, 2 korrik /ATSH-DPA/ – Një mësues në Francën jugore skuqi një vezë në dyshemenë përvëluese të oborrit të shkollës, u raportua sot.

”Ai vendosi një tigan në tokë, priti gjysmë ore dhe më pas theu një vezë në të, e cila u gatua shumë shpejt”, sipas stacionit lokal të radios ”France Bleu”.

Një video tregon burrin duke matur temperaturën në dorezën e tiganit në fund të eksperimentit të tij dhe duke deklaruar se ishte rreth 80 gradë Celsius.

Mësuesi donte të tërhiqte vëmendjen se sa dobët është pajisur shkolla e tij e mesme në Quissac për nxehtësinë.

Sipas llogaritjeve të tij, ka vetëm 60 deri në 80 centimetra katrorë hije për nxënës në oborr.

“Ne kemi tre tavolina betoni pingpongu”, i tha ai ”France Bleu”.

“Ndonjëherë nxënësit strehohen nën to për të gjetur pak hije”, shtoi ai.

Nuk kishte mësim në shkollë të martën, kur mësuesi kreu eksperimentin e tij, për shkak të motit ekstrem të nxehtë.

”Megjithatë, fëmijët, prindërit e të cilëve nuk ishin në gjendje të kujdeseshin për ta, ishin ende në ambientet e shkollës”, tha ai.

Një total prej rreth 2 200 shkollash në të gjithë Francën u mbyllën të martën për shkak të nxehtësisë ekstreme.

Në disa vende, temperaturat tejkaluan 41 gradë Celsius.

Rreth 100 shkolla në të gjithë vendin mbetën të mbyllura edhe sot.

Shumë ndërtesa shkollore në Francë nuk janë projektuar për temperatura të larta.

”Kjo pjesërisht për shkak se më shumë se gjysma e tyre janë ndërtuar para vitit 1979”, sipas transmetuesit ”Public Senat”.

Qeveria planifikon të rinovojë 40 000 shkolla dhe t’i bëjë ato më efikase nga ana energjetike deri në vitin 2034./ a.jor.

The post SOFT NEWS – Kaq vapë në Francë saqë një mësues skuq vezën në një tigan mbi dyshemenë e oborrit të shkollës! appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Ndodh sërish në SHBA! Një mësuese kryen marrëdhënie seksuale me nxënësin e saj të mitur

By: gaze tare
2 July 2025 at 10:23

Një mësuese 26-vjeçare në Michigan ndodhet në qendër të një skandali të rëndë pas dyshimeve se ka pasur një marrëdhënie të ndaluar me një nxënës të mitur.

Jocelyn Sanroman, nga qyteti Pontiac, dyshohet se ka abuzuar me pozitën e saj si edukatore në Oakside Prep Academy, një shkollë që promovon “vlerat morale” si thelb i edukimit. Ironikisht, pikërisht aty dyshohet se ka ndodhur edhe lidhja me 16-vjeçarin, ngjarje për të cilën autoritetet thonë se ndodhi në vitin 2023.

Detaji që e shtyu hetimin? Një rrëfim. Vetë Sanroman i ka treguar një kolegu për lidhjen, i cili më pas kontaktoi policinë. Ajo ende nuk është paraqitur përpara gjykatës, por autoritetet kanë bërë publike fotografinë e saj të arrestimit.

Prokurorja e Qarkut Oakland, Karen McDonald, deklaroi se ky është një rast i qartë i “shfrytëzimit të pozitës” dhe një “thyerje e rëndë e besimit që prindërit kanë te mësuesit”. Nëse shpallet fajtore, Sanroman rrezikon deri në 15 vite burg.

The post Ndodh sërish në SHBA! Një mësuese kryen marrëdhënie seksuale me nxënësin e saj të mitur appeared first on iconstyle.al.

VIDEO/ Denoncimi: Nxënësit e fshatit në Dimal, bëjnë mësim në një lokal të braktisur

By: Ardit
29 June 2025 at 11:29

Në fshatin Donofrosë të bashkisë Dimal, qarku Berat, nxënësit ndjekin mësimin në kushte të papërshtatshme dhe të rrezikshme për jetën. Mjediset ku zhvillohet mësimi janë përshtatur në një lokal të vjetër pa oborr, ndërsa klasat janë të ndara me fibra dhe dyert janë zëvendësuar me perde. Zhurmat e vazhdueshme mes një klase dhe tjetrës e […]

The post VIDEO/ Denoncimi: Nxënësit e fshatit në Dimal, bëjnë mësim në një lokal të braktisur appeared first on BoldNews.al.

Procesi i punimit të xhubletës, trajnim në Koplik

TIRANË, 23 qershor/ ATSH/ Në Qendrën e Trajnimeve në Koplik, gra dhe vajza të zonave të veriut u bënë pjesë e një trajnimi për punimin e xhubletës, një iniciativë e mbështetur nga Ministria e Ekonomisë, Kulturës, dhe Inovacionit (MEKI) dhe UNESCO.

Ky projekt ka për qëllim transmetimin e njohurive bazë dhe teknike mbi punimin e xhubletës, një element unik i trashëgimisë kulturore shqiptare.

Trajnimet përqendrohen në mësimin nga fillimi deri në fund të procesit të punimit të xhubletës, duke synuar jo vetëm ruajtjen e kësaj pasurie të rrallë kulturore, por edhe fuqizimin ekonomik të grave dhe vajzave të zonave të veriut të Shqipërisë.

Përmes këtij projekti, ato pajisen me një aftësi që mund të shndërrohet në një profesion, duke krijuar mundësi të reja punësimi.

Aktiviteti vjen si pjesë e përpjekjeve për promovimin dhe mbrojtjen e traditave kulturore shqiptare, si dhe për përmirësimin e kushteve ekonomike të komuniteteve lokale./a.gj/j.p/

The post Procesi i punimit të xhubletës, trajnim në Koplik appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌