GJENEVË – Nuk ka ende marrëveshje në bisedimet kundër ndotjes nga plastika
GJENEVË, 14 gusht /ATSH/ – Negociatat për një traktat global për t’i dhënë fund ndotjes nga plastika po i afrohen fundit, ndërsa vendet mbeten “të bllokuara” nëse duhet të trajtohet apo jo rritja e vrullshme e prodhimit të plastikës, sipas “AP”-së.
Një draft i traktatit, i publikuar sot, nuk do të kufizonte prodhimin e plastikës dhe as nuk do të merrej me kimikatet e përdorura në produktet plastike. Në vend të kësaj, ai fokusohet në propozime për të cilat ka dakordësi të gjerë, si zvogëlimi i numrit të produkteve problematike plastike që shpesh përfundojnë në mjedis dhe janë të vështira për t’u ricikluar, promovimi i ridizenjimit të produkteve plastike në mënyrë që ato të riciklohen e ripërdoren, si dhe përmirësimi i menaxhimit të mbetjeve.
Drafti u kërkon vendeve të marrin angazhime për t’i dhënë fund ndotjes nga plastika, por pa vendosur rregulla globale, juridikisht detyruese.
Një draft i ri pritet të publikohet të enjten pasdite, ndërsa bisedimet, ku marrin pjesë përfaqësues nga 184 vende dhe mbi 600 organizata, pritet të përfundojnë të premten.
Andreas Bjelland Eriksen, ministri norvegjez për klimën dhe mjedisin, tha se teksti aktual është i papranueshëm dhe se përfaqësuesit e vendit të tij nuk do të largohen nga Gjeneva me “çfarëdo traktati”.
Norvegjia po ndihmon në drejtimin e një koalicioni vendesh të quajtur Koalicioni me Ambicie të Lartë, që kërkon një qasje gjithëpërfshirëse për t’i dhënë fund ndotjes nga plastika, duke përfshirë edhe uljen e prodhimit.
“Do të jemi fleksibël, por njëkohësisht ambiciozë në qëndrimet tona, dhe do të punojmë çdo orë që na ka mbetur për ta çuar këtë drejt një përfundimi pozitiv, sepse botës i duhet një traktat për plastikën tani”, tha ai.
Eriksen shtoi se do të mbetet “me kujdes optimist” deri në momentin e fundit.
Çdo vit, bota prodhon mbi 400 milionë ton plastikë të re, dhe kjo shifër mund të rritet me rreth 70 % deri në vitin 2040 nëse nuk ndryshojnë politikat. Rreth 100 vende duan të kufizojnë prodhimin si dhe të merren me pastrimin dhe riciklimin. Shumë prej tyre kanë thënë se është thelbësore të trajtohen edhe kimikatet toksike. /Ad.Ab./
The post GJENEVË – Nuk ka ende marrëveshje në bisedimet kundër ndotjes nga plastika appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.