Bujqësia Digjitale dhe Transformimi Rural, miratohen prioritetet
TIRANË, 1 gusht /ATSH/ Zyrtarë të lartë nga Qeveria e Shqipërisë, Kombet e Bashkuara dhe partnerët e zhvillimit u mblodhën sot në Ministrinë e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural për takimin e dytë të Komitetit Drejtues të programit të Bujqësisë Digjitale dhe Transformimit Rural (DART). Takimi shqyrtoi progresin e programit deri më sot dhe miratoi prioritetet për fazën e tij të ardhshme.
E bashkëkryesuar nga Anila Denaj, ministre e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, dhe Randi Davis, koordinatore rezidente në detyrë e OKB-së dhe përfaqësuese rezidente e UNDP-së, seanca riafirmoi një angazhim të përbashkët për të sjellë inovacion digjital në sektorin bujqësor të Shqipërisë dhe për të zvogëluar pabarazitë midis zonave rurale dhe urbane.
“Ky program po transformon mënyrën se si mendojmë për bujqësinë dhe zhvillimin rural. Ne nuk po investojmë vetëm në teknologji, por edhe në njerëz, fermerë, të rinj dhe nëpunës publikë të cilët do të udhëheqin tranzicionin digjital të Shqipërisë në përputhje me vizionin e Bujqësisë 2030”, tha Denaj.
I zbatuar bashkërisht nga Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë (FAO), Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO) dhe Bashkimi Ndërkombëtar i Telekomunikacionit (ITU), në partneritet me Ministrinë e Bujqësisë, programi DART mbështet zhvillimin e mjeteve, shërbimeve dhe aftësive digjitale për të përmirësuar produktivitetin bujqësor, ofrimin e shërbimeve dhe mundësitë e punësimit rural veçanërisht në përputhje me objektivat e integrimit në BE.
Përfundimet kryesore të takimit ishin disa.
Sa i takon progresit në Strategjinë e Bujqësisë Digjitale, Komiteti Drejtues shqyrtoi përparimet në Strategjinë e re të Bujqësisë Digjitale të Shqipërisë, duke përfshirë aktivizimin e grupeve të punës të përbëra nga qeveria, akademia, sektori privat dhe ekspertë të shoqërisë civile. Një anketë kombëtare që mbulon mbi 800 fermerë në 9 rajone dhe një analizë e thelluar e politikave po formësojnë një strategji të përafruar me standardet e planifikimit të Shqipërisë dhe kërkesat e BE-së.
Përmirësimi i Portalit të Fermerëve: Pjesëmarrësit diskutuan ridizajnimin e Portalit kombëtar të Fermerëve, bazuar në hulumtimin dhe reagimet e përdoruesve. Karakteristikat e reja do të përfshijnë qasje në çmimet e tregut, module të mësimit elektronik dhe shërbime këshillimore të përshtatura sipas nevojave të fermerëve. Ndërtimi i Aftësive Digjitale: U ndanë plane për bashkëpunim me shkollat e TVET-së dhe qendrat e formimit profesional për të përmirësuar shkrim-leximin digjital dhe rrugët e karrierës për të rinjtë në bujqësi, pavarësisht boshllëqeve në infrastrukturë dhe kapacitete në mjediset e arsimit rural.
Plani i Punës dhe Integrimi i Buxhetit: Komiteti miratoi planin e punës DART 2025, dhe Ministria e Bujqësisë shprehu angazhimin e saj për integrimin e prioriteteve të bujqësisë digjitale në Programin Buxhetor Afatmesëm 2026–2029.
Pronësia Institucionale: Komiteti miratoi Termat e Referencës për grupet e punës të DART, të cilat do të hartojnë së bashku Strategjinë dhe Portalin e Fermerëve. Ministria u zotua për formalizimin dhe angazhimin proaktiv të këtyre grupeve.
“Për të pasur sukses, ne kemi nevojë për zgjidhje të hartuara së bashku që janë të bazuara në prova të arritshme”, shtoi Lorena Pullumbi, ndihmëspërfaqësuese e FAO-s në Shqipëri. “Ne mirëpresim një angazhim më të fortë nga institucione të tilla si Universiteti Bujqësor i Tiranës, bashkitë dhe shërbimet këshillimore lokale dhe presim me padurim përforcimin e dialogut me Delegacionin e BE-së, roli i të cilit është kyç në ankorimin e kësaj pune brenda kornizës së pranimit të Shqipërisë në BE”, tha ajo.
Ndërsa dr. Francelino Rodrigues i FAO-s dhe koordinatorja kombëtare e projektit, Arsita Mati, ndanë përditësime teknike dhe pranuan rolin e institucioneve kombëtare si SASPAC, ARDA dhe Agjencisë për Ekselencë dhe Inovacion në nxitjen e zbatimit në nivel kombëtar dhe lokal.
Takimi u mbajt në format hibrid, me pjesëmarrjen e disa ministrive duke përfshirë Ministrinë e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit (MECI) dhe Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë (MIE) si dhe zyrat rajonale të OKB-së dhe ekipet në terren. Delegacioni i Bashkimit Evropian ishte gjithashtu i përfaqësuar, duke theksuar rëndësinë e sinergjive më të ngushta midis zbatimit të programit dhe proceseve të përafrimit me BE-në.
Në muajt në vijim, programi do të përqendrohet në ngritjen e grupeve të punës ndërinstitucionale për të udhëhequr zhvillimin e strategjisë; Avancimi i Portalit të Fermerëve përmes finalizimit të planit rrugor, seancave të bashkëdizajnimit dhe rekrutimit të ekipit të zhvillimit; Përmirësimi i programeve të trajnimit në bujqësinë digjitale për të rinjtë dhe profesionistët; Forcimi i koordinimit me qeveritë lokale dhe bashkitë, të cilat luajnë një rol jetësor në afrimin e mjeteve digjitale me komunitetet rurale.
Programi “Bujqësia Digjitale dhe Transformimi Rural” (DART) është një program trevjeçar (2024–2027) i financuar nga Dritarja e Transformimit Digjital e Fondit të Përbashkët të Zhvillimit të Qëndrueshëm (SDG) përmes kontributeve nga Bashkimi Evropian, Suedia dhe Spanja. Ky program udhëhiqet nga FAO me ILO-n, ITU dhe ministritë e Bujqësisë dhe Financave të Shqipërisë.
/e.xh//a.f//r.e/
The post Bujqësia Digjitale dhe Transformimi Rural, miratohen prioritetet appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.