Skandali në ‘Wembley’ – Van Dijk shpërthen ndaj tifozëve që prishën nderimin për Diogo Jotën
Virgil Van Dijk ishte i zemëruar pasi atmosfera solemne në ‘Wembley’ u prish të dielën, kur një grup i vogël tifozësh të Crystal Palace ndërprenë minutën e heshtjes në nder të sulmuesit të Liverpoolit, Diogo Jota, dhe vëllait të tij, Andre Silva, përpara finales së Community Shield.
Dy vëllezërit humbën jetën tragjikisht muajin e kaluar në një aksident automobilistik në Spanjë, dhe të dyja skuadrat ishin mbledhur në qendër të fushës për të nderuar kujtimin e tyre.
Gjyqtari Chris Kavanagh u detyrua ta ndërpresë nderimin, pasi zhurma që vinte nga sektori i tifozëve të Palace shkaktoi zemërim dhe reagime të ashpra nga pjesa tjetër e stadiumit.
Kjo ndërprerje e padëshiruar hodhi një hije mbi një ndeshje shumë dinamike, që përfundoi 2-2, përpara se Palace të siguronte fitoren përmes penalltive.
Van Dijk nuk i fshehu ndjenjat pas incidentit, duke thënë se ishte ‘i zhgënjyer’ nga sjellja e atyre që e shkaktuan këtë.
“Po, jam i zhgënjyer. Është e vetmja gjë që mund të them. Kishte plot që u përpoqën t’i qetësonin, por natyrisht që kjo nuk ndihmon. Është ajo që është”.
“Nuk mund ta kontrollosh, sa veta ishin këtu? 80 mijë? Kështu që po, është zhgënjyese ta dëgjosh këtë. Por nëse ata persona shkojnë në shtëpi dhe ndihen mirë me veten…”.
Ndërkohë, trajneri i Liverpoolit, Arne Slot, u tregua më diplomatik, duke sugjeruar se ndërprerja mund të mos ketë qenë e qëllimshme.
“Nuk mendoj se kjo ishte e planifikuar. Ndoshta ndonjë tifoz nuk ishte në dijeni të minutës së heshtjes dhe u gëzua duke brohoritur për ekipin e tij, pastaj tifozët e Palace u përpoqën ta qetësonin dhe tifozët tanë reaguan”.
“Nuk mendoj se kishin ndonjë qëllim të keq. Jam njeri pozitiv. Unë e shoh respektin që iu tregua Diogos dhe Andres anembanë botës”, tha holandezi./Telegrafi/
The post Skandali në ‘Wembley’ – Van Dijk shpërthen ndaj tifozëve që prishën nderimin për Diogo Jotën appeared first on Telegrafi.