Proda i akordon “Certifikatë Karriere” Janaq Zarkës, me 41 vite karrierë në Polici
TIRANË, 10 gusht/ATSH/ Në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë Vlorë u zhvillua sot ceremonia e daljes në pension të kryekomisar Janaq Zarkës, një prej figurave më të respektuara dhe me kontribute të çmuara në strukturat e Policisë së Shtetit.
Pas 41 viteve shërbim, me një karrierë që ka përfshirë sektorë të rëndësishëm si Policia Shkencore, Hetimi i Krimit dhe për shumë vite në Sektorin e Qarkullimit Rrugor, kryekomisar Zarka përmbylli me dinjitet një rrugëtim të gjatë, duke lënë pas një trashëgimi të çmuar profesionalizmi, ndershmërie dhe përkushtimi.
Për këtë kontribut, drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ilir Proda i dorëzoi Certifikatën e Karrierës, si vlerësim simbolik për dekada shërbimi shembullor.
Në fjalën e tij, Proda vlerësoi 41 vitet e shërbimit me ndershmëri, përgjegjshmëri dhe profesionalizëm.
“Prania e kaq shumë kolegëve, familjarëve dhe miqve sot në këtë sallë është dëshmi se Kryekomisar Janaqi nuk ka ndërtuar vetëm një karrierë, por një trashëgimi vlerash që do të kujtohet. Jam i sigurt se ai do të ishte gati të shërbente edhe 41 vite të tjera, por ky është cikli i jetës. Rëndësi ka që ta përmbyllësh me nder, ashtu siç po bën ti sot. Si Drejtor i Përgjithshëm, e konsideroj një nder të veçantë t’i dorëzoj këtë certifikatë, e cila është vetëm një pikë uji në detin e kontributeve që ke dhënë për Policinë e Shtetit”, u shpreh Proda.
Ndërsa drejtori i DVP Vlorë, Elidon Çela vlerësoi se kryekomisar Janaq Zarka është një nga figurat që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në Policinë e Vlorës.
“I qetë, profesionist dhe i përkushtuar, ai ka qenë për shumë prej nesh një shembull në çdo aspekt, në sjellje, në mënyrën si e ka trajtuar detyrën, por mbi të gjitha në dinjitetin me të cilin e ka përfaqësuar uniformën blu”, shtoi ai.
Në përshëndetjen e tij, kryekomisar Zarka falënderoi drejtuesit dhe kolegët për vlerësimin.
“Policia ka qenë jo vetëm vendi im i punës, por edhe familja ime e dytë. Jam krenar për gjithçka kam dhënë, dhe më shumë për atë që kam mësuar gjatë këtij rrugëtimi”, u shpreh ai.
/m.m/r.e/
The post Proda i akordon “Certifikatë Karriere” Janaq Zarkës, me 41 vite karrierë në Polici appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.