Macron: Shkëmbimi territorial në Ukrainë nuk mund të vendoset midis Trump dhe Putin
Çdo shkëmbim territorial në Ukrainë “duhet të diskutohet vetëm me Ukrainën,” deklaroi sot presidenti francez, Emmanuel Macron pas një bisede telefonike mes liderëve evropianë dhe presidentit amerikan, Donald Trump.
Macron foli për gazetarët në jug të Francës, së bashku me Antonio Costa, presidentin e Këshillit Evropian, shkruan CNN.
“Qëllimi i amerikanëve është të arrijnë një armëpushim”, tha lideri francez, duke shtuar se “biseda me presidentin Trump i mundësoi të shprehte synimet e tij për takimin më 15 gusht dhe na lejoi neve të shpjegonim shumë qartë pritshmëritë tona”.
Macron tha se ishte një “gjë e mirë” që po flasin Rusia dhe SHBA-ja, por shtoi se është e rëndësishme që Evropa të “dëgjohet” kur bëhet fjalë për çështje që prekin kontinentin, siç është lufta në Ukrainë.
Të dy liderët theksuan nevojën për të ruajtur status quo-në evropiane të mbështetjes për Ukrainën dhe presionit të vazhdueshëm ndaj Moskës.