TIRANË, 12 gusht/ATSH/ Në veri, aty ku malet prekin qiellin dhe retë mbështeten mbi kreshta, shtrihet qyteti i Bajram Currit, si një portë e artë që të çon drejt një bote tjetër.
Ka vende që nuk i lexon dot vetëm me sy; i ndien në lëkurë, i dëgjon me veshë, i shijon me zemër.
Bajram Curri është një prej tyre. Një qytet që fle në krahët e maleve, i rrethuar nga një natyrë që nuk të pyet nëse je gati, thjesht të merr me vete.
Rruga për aty është një magji më vete, malet vijnë gjithnjë e më pranë, sikur duan të të përqafojnë, ndërsa qielli bëhet më i thellë.
Pikërisht këtu, mes freskisë që të çan mushkëritë, rrjedh Lumi i Valbonës, i kthjellët si një e vërtetë që nuk pranon asnjë gënjeshtër. I egër dhe i butë njëkohësisht, lumi sjell me vete këngën e heshtur të gurëve shekullorë aq sa të bën të ndihesh fajtor po nuk pive qoftë edhe një gllënjkë të vetme.
Kur ulesh buzë tij, bën mirë ta lësh zhurmën e ujit që rrjedh, të të fshijë gjithçka nga mendja e ngarkuar e kryeqytetit. Është një paqe që zor ta gjesh diku tjetër.
Këtyre anëve nuk ka vend për shpejtësi. Kohën ta mat lumi, malet, natyra.
Më tej, Lugina e Valbonës është si një faqe libri që hapet ngadalë e thërret udhëtarë nga e gjithë bota. Në çdo kthesë të rrugës, një panoramë e re të huton nga bukuria. Zona është e njohur për shtigjet e saj të hiking-ut, me itinerare që të çojnë drejt Qafës së Valbonës, Thethit apo fshatrave të vegjël të mbuluar me gjelbërim. Hiking-u këtu është një përvojë unike, pasi më shumë se sport, është një përvojë që të lidh me tokën, ajrin dhe tingujt e natyrës.
Në shtegun e Valbonës, ku ecin këmbët e udhëtarëve dhe rreh zemra e çdo aventurieri, shtigjet të çojnë drejt maleve dhe fshatrave të fshehtë. Këtu takon njerëz nga e gjithë bota, të tërhequr jo vetëm nga peizazhet e mahnitshme, por edhe nga ajo ndjenjë e pakrahasueshme e qetësisë dhe përkatësisë që e gjen vetëm në një vend ku koha ecën ndryshe.
Takuam një grup turistësh gjermanë që kishin ardhur vetëm për këtë shteg.
“Ky është një nga vendet e fundit në Europë që është ende i vërtetë”, thanë ata.
Tyrbja e Dervish Luzhës
Pak jashtë Bajram Currit, në një vend ku heshtja dhe natyra bëhen një, ndodhet Tyrbja e Dervish Luzhës. Ky vend shenjtërie është një urë mes botës së jashtme dhe atij universi shpirtëror që shumë kërkojnë, por pak e gjejnë.
Tyrbja thërret besimtarë dhe pelegrinë që vijnë për të lënë lutjet e tyre, për të kërkuar shërim e për të ndjerë atë paqe që vetëm një vend i tillë mund të ta falë.
Këtej nga veriu mikpritja nuk është pako turistike, por besim i vjetër. Sofrat hapen me djathë të bardhë, qumësht të ngrohtë të sapomjelë, bukë të pjekur me dru, mjaltë të egër dhe mish qengji nga kullotat e lira. Turisti bëhet mysafir, mysafiri bëhet mik, dhe miku mbetet pjesë e familjes.
Kur largohesh bën mirë të marrësh një shishe ujë nga Valbona, si një ndjesi që s’të lë të shkosh pa kthyer kokën pas. Sepse këtu nuk gjen thjesht destinacione, gjen gjendje.
Dhe ndonjëherë, kjo është gjithçka që të duhet.
The post Veriu që të rrëmben shpirtin: Bajram Curri dhe magjia e Valbonës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.