Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 14 August 2025Main stream

Ndërhyrja konservuese risjell ngjyrat dhe detajet në afresket e “Shën Kollit” të Voskopojës

By: Kult Plus
14 August 2025 at 10:00

Drejtoria rajonale e Trashëgimisë Kulturore Korçë njoftoi se ka përfunduar ndërhyrja konservuese në Kishën e “Shën Kollit” në Voskopojë, duke bërë të mundur rikuperimin e ngjyrave, detajeve dhe qartësisë, të afreskeve, që kishin humbur nën shtresat e shkrimeve mbi to.

“Një dëshmi e fuqishme se sa shumë mund të rikthehet bukuria e trashëgimisë sonë kur kujdesemi për të”, shkroi DRTK Korçë në rrjetet sociale, duke shpërndarë edhe imazhin e rikuperuar të një shenjtori.

Kisha e “Shën Kollit”, e ndërtuar në vitin 1721, është një nga perlat e Voskopojës. Ajo gjendet vetëm 20 minuta larg Korçës. Afresket origjinale të David Selenicës dhe vëllezërve Zografi, së bashku me arkitekturën postbizantine dhe dekorin unik të hajatit, e bëjnë këtë kishë një ndalesë të domosdoshme për çdo udhëtar që kërkon historinë dhe artin e vërtetë.

Kisha e “Shën Kollit” në Voskopojë përfaqëson një dëshmi të prekshme të rëndësisë historike të qytetit të dikurshëm. Ajo ndodhet në qEndër të Voskopojës dhe është kisha më e rëndësishme për arkitekturën e saj me të gjitha elementët e tipit bazilikal postbizantin, që ka mbijetuar deri në ditët e sotme. Kjo kishë i ka të gjitha: naosin, narteksin, arkadën dhe këmbanaren. Ikonostasi i kësaj kishe u punua mjeshtërisht nga Kostandin Ieromonaku rreth vitit 1722-1726, një nga mjeshtrat më të mëdhenj të punimit të ikonës në fillim shek. të 18-të. Sot një pjesë të ikonave origjinale janë pjesë përbërëse e Muzeut Kombëtar të Artit Mesjetar në Korçë./atsh/KultPlus.com

Vizita e parë e Nënë Terezës në Shqipëri

By: Kult Plus
14 August 2025 at 09:30

Më 14 gusht 1989, Nënë Tereza shkeli për herë të parë në vendin e origjinës, pas shumë kërkesave të refuzuara.

Edhe pse jo e mirëpritur për vite me radhë, Nënë Tereza nuk i reshti përpjekjet për të vizituar atdheun dhe varret e nënës dhe motrës, në pamundësi për të marrë pjesë në ceremonitë e tyre mortore. 6 muaj më vonë, më 14 shkurt të vitit 1990, mori nënshtetësinë shqiptare.

Nënë Tereza, siç e njohu bota mbarë Anjezë Gonxhe Bojaxhiun, ishte simboli i ndihmesës së nevojtarëve të cilëve ajo iu kushtoi gjithë jetën. Për përulësinë e pashembullt do të vlerësohej në vitin 1979 me Çmimin Nobel për Paqen, prej nga ku u mësua kudo, kombësia e saj shqiptare.

Anjezë Gonxhe Bojaxhiun lindi më 26 gusht 1910 në Shkup. Ajo ishte fëmija i tretë që vinte si fryt i kurorës së vënë mes Nikollë Bojaxhiut nga Mirdita dhe Drane Barnajt nga Gjakova.

Mësimet e para dhe gjimnazin i kreu në vendlindje. Pasionet e saj vajzërore ishin mësuesia, të shkruarit, diktimi i poezive dhe muzika. Më 26 shtator 1928, Nënë Tereza do ta linte Shkupin për të nisur misionin e saj fisnik në shërbim të të pamundurve, pa ditur se prej kësaj dite, do t’u jepte lamtumirën për së gjalli nënës dhe motrës së saj. U vendos në Kalkutë të Indisë, ku fillimisht qe mësuese, sikurse dëshironte hershëm. Më pas, u caktua drejtoreshë e shkollës së atyshme të vajzave.

Në kuadër të shërbesës së përkushtuar ndaj nevojtarëve, themeloi urdhrin “Misionaret e Dashurisë” (1951).

Në pasqyrën përmbledhëse të veprimtarisë së “shqiptares trupvogël” në Kalkutë në mesin e viteve ‘80, përmblidheshin: kujdestaria e 7,500 fëmijëve në 60 shkolla, mjekimi i 960,000 të sëmurëve në 213 dispanseri, trajtimi i 47,000 viktimave të lebrozës në 54 klinika, përkujdesja ndaj 3,400 të moshuarëve të braktisur dhe birësimi i 160 fëmijë ilegjitimë e jetimë./atsh/KultPlus.com

Rënia e Hasan Prishtinës, kolosit të kombit

By: Kult Plus
14 August 2025 at 09:00

Më 13 gusht 1933, në Selanik, u shua në mënyrë tragjike një nga figurat më të shquara të historisë shqiptare, Hasan Prishtina. I lindur më 1873 në Vushtrri, ai do të bëhej një nga mendjet dhe zërat më të guximshëm të kohës, një burrë që ia kushtoi jetën idealit të lirisë dhe përparimit kombëtar.

Hasan Prishtina nuk ishte thjesht një politikan apo një luftëtar, ai ishte një vizionar. Në Kuvendin e Junikut të vitit 1912, ishte ndër nismëtarët kryesorë të vendimeve që çuan drejt shpalljes së Pavarësisë. Programi i tij për zhvillimin e Shqipërisë, hartuar më 1921, mbetet edhe sot një dëshmi e mendimit të tij për një shtet modern, të arsimuar dhe të drejtë, përcjellë KultPlus.

Në arenën politike, shpesh u gjend në përplasje me pushtetet e kohës, pasi nuk pranonte kompromis me parimet. Për këtë arsye, jetën e kaloi mes veprimtarisë atdhetare, internimeve dhe mërgimit. Por asnjë presion nuk e zbehu vendosmërinë e tij.

Vdekja e tij në atentatin e Selanikut, më 13 gusht 1933, tronditi mbarë kombin. Larg vendlindjes, por gjithmonë i lidhur shpirtërisht me të, Hasan Prishtina u bë simbol i sakrificës për Shqipërinë./KultPlus.com

Malli për t’pambërrijtshëmen

By: Kult Plus
13 August 2025 at 23:50

Malli për t’pambërrijtshëmen
Esad Mekuli

Retë luejnë n’naltësin, si qingjat n’kodrina,
Ndërsa malli për t’pambërrijtshmen ndryhet n’mue:
Dëshirojsha mu kapë n’vallen e reve kuqle
E me fluture në t’shkëqyeshmet naltësina
Me gëzimin e këngës baritore…
E kur hana e luginave ia beh n’shpejti
Dhe toka natën n’dishrim thërret,
Si rrezet e argjendta mbi kalli-
Të shkoj
E t’vizitoj
Skajet e dhimbjes e vendet ku pashë ankthet.

Vaj! Me u kapë n’vallen e reve nkuqlime
Zemra me t’dhanun do t’më dëshironte
Që rinija t’gërthet i herë mâ me gëzime
Dhe mall i zemrës s’vuajtun t’gufonte.
-Por, pse zemra tingëllon përmallshëm
si za drithërim
dhe droja kaplon thellë zemrën e shpirtin tim?!
Kur dëshiroj aq rêtë mbi qytet me i soditë,
Derisa malli për t’pambërrijtshmen, m’kap, m’shafit./KultPlus.com

Shaqir Cërvadiku, nga këngët e luftës në ekranin e madh me filmin “Pranvera e Përgjakur”

By: Kult Plus
13 August 2025 at 23:26

Këngëtari i njohur Shaqir Cërvadiku, i cili u bë simbol i motivimit dhe shpirtit luftarak gjatë viteve të luftës, tashmë vjen në një rol të veçantë në filmin artistik “Pranvera e Përgjakur”, me regji të Ganimet Bytyqi Lalushit.

Me zërin e tij të fuqishëm dhe këngët që dikur jehonin edhe në vijën e frontit, Cërvadiku ka mbetur në kujtesën e shumë ish-ushtarëve të UÇK-së si frymëzues në ditët më të vështira. Meloditë e tij, të mbushura me ndjenja atdhedashurie, u jepnin kurajë dhe forcë luftëtarëve përballë sfidave të luftës.

Në këtë projekt kinematografik, ai sjell të njëjtin emocion dhe frymë në ekran, duke u bërë pjesë e një rrëfimi që rikthen ngjarjet dramatike të pranverës së vitit 1998, periudhë e shënuar nga vuajtjet, dhuna dhe masakrat e kryera nga forcat serbe ndaj popullit shqiptar./KultPlus.com

Pamela Anderson nis “Pamela’s Pickles” – turshi luksoze për bamirësi

By: Kult Plus
13 August 2025 at 23:03

Pamela Anderson, aktorja 58-vjeçare dhe ikona e kulturës pop, ka nisur një bashkëpunim të pazakontë me markën e stilit të jetesës Flamingo Estate nga Los Angeles. Rezultati është “Pamela’s Pickles” – kavanoza turshish pikante e aromatike, të dekoruara me lule, të cilat kushtojnë 38 dollarë (rreth 32 euro) për copë dhe do të shiten në një edicion të kufizuar.

Receta bazohet në traditën familjare të tezes së madhe të Andersonit, Vie, ndërsa aktorja ka shtuar një prekje personale me petale trëndafili të thata. Për më tepër, Flamingo Estate ka përdorur piper rozë, spec djegës guajillo, kripë deti të tymosur dhe piper organik Espelette të kultivuar në mënyrë rigjeneruese.

Ky projekt nuk është vetëm kulinar, por edhe humanitar. E gjithë fitimi nga shitjet do të dhurohet për Qendrën e Kafshëve të Egra të Kalifornisë (CWC), e cila çdo vit ofron trajtim dhe rehabilitim për mbi 4,000 kafshë të egra të lënduara./KultPlus.com

Yesterday — 13 August 2025Main stream

YouTube vendos rregulla të reja: Inteligjenca artificiale do të përcaktojë moshën e përdoruesve

By: Kult Plus
13 August 2025 at 22:16

YouTube po prezanton një sistem të ri verifikimi të moshës të bazuar në inteligjencë artificiale, fillimisht në SHBA, me synimin për të mbrojtur më mirë të rinjtë nga përmbajtjet e papërshtatshme.

Sipas kompanisë, mjeti do të analizojë sjelljen e përdoruesve nga lloji i videove që kërkojnë, kategoritë që shikojnë, deri te jetëgjatësia e llogarisë për të vlerësuar nëse ata janë mbi ose nën 18 vjeç. Nëse sistemi përcakton që një përdorues është i mitur, do të aktivizohen automatikisht masa mbrojtëse, si çaktivizimi i reklamave të personalizuara, kufizimi i rekomandimeve dhe njoftimet për pushime nga ekrani.

Përdoruesit që vlerësohen gabimisht si të mitur do të kenë mundësi të apelojnë, duke përdorur një dokument identifikimi, selfie ose kartë krediti për të konfirmuar moshën. Ata që nuk e bëjnë këtë do të mbeten me cilësimet e kufizuara. Ndryshimi pritet të ndikojë edhe tek krijuesit e përmbajtjes, pasi nëse audienca e tyre kategorizohet kryesisht si e mitur, të ardhurat nga reklamat mund të bien.

Vendimi i YouTube vjen në një kohë presioni të madh politik dhe ligjor në mbarë botën për të rritur sigurinë online për fëmijët dhe adoleshentët. Megjithatë, ky sistem ka ngjallur edhe shqetësime për privatësinë. Aktivistët e të drejtave digjitale paralajmërojnë se metoda e vlerësimit të moshës duke analizuar historikun e shikimeve mund të çojë në mbikëqyrje masive dhe kufizime të panevojshme për përdoruesit e rritur.

Një peticion online ka mbledhur mbi 68 mijë nënshkrime kundër planit, duke paralajmëruar se “kur këto sisteme normalizohen, ato rrallë zhduken dhe mund të përhapen përtej një platforme të vetme, duke rrezikuar lirinë digjitale”./KultPlus.com

Shkrimtari që sfidoi realitetin e kohës me fantazitë!

By: Kult Plus
13 August 2025 at 21:54

Italo Calvino ishte një nga autorët më imagjinativë dhe universalë të letërsisë italiane dhe botërore.

Ai lindi në Kubë, por u rrit në Itali, në Sanremo. Prindërit e tij ishin shkencëtarë dhe kjo ndikoi shumë në formimin e tij intelektual ndërthurja mes shkencës dhe letërsisë do të bëhej një nga tiparet e veçanta të stilit të tij. Në rininë e hershme, Calvino mori pjesë në Luftën e Dytë Botërore si partizan. Kjo përvojë e ndikoi thellë dhe u reflektua në romanin e tij të parë “Shtegu i merimangave” (“Il sentiero dei nidi di ragno”), një histori e luftës e treguar përmes syve të një fëmije – e thjeshtë, poetike, e thellë.

Më vonë, Calvino iu largua realizmit socialist dhe nisi të eksperimentojë me një stil të ri, të frymëzuar nga përrallat, mitet, matematika, filozofia dhe struktura të çuditshme narrative. Kjo fazë solli trilogjinë e famshme “Paraardhësit tanë”: “Vikonti i përgjysmuar” (Il visconte dimezzato) “Baroni në pemë” (Il barone rampante) “Njeriu i padukshëm” (Il cavaliere inesistente) Këto tre romane janë ndër më të veçantët e letërsisë italiane, plot humor, alegori dhe filozofi.

Në vitet ’60, Calvino iu bashkua grupit Oulipo në Francë një grup shkrimtarësh dhe matematikanësh që eksperimentonin me strukturat e gjuhës dhe mundësitë e pafundme të shkrimit letrar. Kjo e çoi Calvinon drejt një mënyre të re rrëfimi, ku loja me formën dhe strukturën ishte po aq e rëndësishme sa përmbajtja. Romani më i njohur nga kjo periudhë është “Nëse një udhëtar një nate dimri” (Se una notte d’inverno un vaggiatore), një vepër postmoderne ku lexuesi bëhet vetë personazh, dhe çdo kapitull nis një roman të ri.

Libri është një eksplorim i vetë aktit të leximit dhe është bërë një vepër-kult në letërsinë bashkëkohore. Një tjetër libër me ndikim është “Kështjella e fatit të kryqëzuar” (Il castello dei destini incrociati), ku personazhet tregojnë historitë e tyre përmes letrave të tarotit një eksperiment i mrekullueshëm letrar që flet për fatin, rastësinë dhe strukturat narrative. Por ndoshta vepra më popullore e tij në botë janë “Përrallat italiane” (Fiabe italiane), ku Calvino mblodhi dhe rishkroi me mjeshtëri më shumë se 200 përralla popullore nga të gjitha krahinat e Italisë, duke i dhënë atyre një zë të freskët dhe modern. Në vitet e fundit të jetës, Calvino përgatiti një seri leksionesh për Universitetin e Harvardit, të titulluara “Gjashtë propozime për mileniumin e ri” (Lezioni americane). Ai vdiq përpara se t’i mbante ato leksione, por tekstet mbetën si një testament i mendimit të tij për të ardhmen e letërsisë. Ai fliste për: lehtësinë, saktësinë, shpejtësinë, shkathtësinë, dukshmërinë dhe shumëzimin – si vlera letrare për shekullin XXI. Calvino ishte një mjeshtër i metaforës, simbolit, strukturës.

Ai nuk shkroi kurrë për të treguar vetëm një histori, por për të kërkuar kuptimet pas saj – qoftë përmes një kalorësi që nuk ekziston, një baroni që jeton në pemë, apo një lexuesi që kurrë nuk mbaron dot librin. Stili i tij përzihet mes fabulës filozofike, fantazisë, lojës letrare dhe ndjenjës së thellë për ekzistencën. Calvino është një autor që mund të lexohet nga të rritur dhe adoleshentë njësoj si një përrallëtar modern që të çon larg realitetit, për të të kthyer më i ndriçuar tek vetja. Sot, veprat e tij përkthehen në më shumë se 40 gjuhë dhe konsiderohen si një pasuri universale. Ai është një ndër ata autorë që na kujton se letërsia nuk ka kufij as në hapësirë, as në kohë, as në imagjinatë. /Konica.al/ KultPlus.com

Daniel Day-Lewis rikthehet në filmin e parë pas tetë vitesh mungesë

By: Kult Plus
13 August 2025 at 21:26

Daniel Day-Lewis është kthyer sërish në botën e aktrimit  me një foto të parë në filmin ”Anemone”, sipas  “The Hollywood Reporter”.

Projekti nga “Focus Features” do të ketë premierën në “Festivalin e Filmit në New York”, i cili nis më 26 shtator dhe zgjat deri më 13 tetor dhe shënon rikthimin e fituesit të trefishtë të çmimit “Oscar” pas tetë vitesh “në pension”.

Është debutimi i parë i tij si regjisor në një film me metrazh të gjatë për djalin e Lewis, Ronan Day-Lewis dhe është bashkëshkruar nga të dy ata.

Përshkrimi zyrtar e cilëson “Anemone”-n si “një dramë familjare magjepsëse për jetë të shkatërruara nga trashëgimi të dukshme, të pajetueshme të dhunës politike dhe personale”.

I vendosur në veri të Anglisë, filmi ndjek një burrë në moshë të mesme (Sean Bean) që “niset nga shtëpia e tij në periferi për një udhëtim në pyje, ku ribashkohet me vëllanë e tij eremit (Day-Lewis). Të lidhur nga një e kaluar misterioze e ndërlikuar, dy burrat ndajnë një marrëdhënie të tensionuar, herë pas here të butë , një marrëdhënie që u ndryshua përgjithmonë nga ngjarje shkatërruese dekada më parë”.

Përveç interpretimit “të pamëshirshëm” të aktorëve kryesorë, *Anemone* sjell punë të spikatur mbështetëse nga Samantha Morton dhe Samuel Bottomley, si dhe një kinematografi spektakolare në format të gjerë nga Ben Fordesman”.

“Anemone “ është filmi i parë artistik i Day-Lewis që nga “Phantom Thread “i vitit 2017.

Përpara publikimit të filmit, aktori kishte lëshuar një deklaratë në revistën “W” se “ nuk do të punonte më si aktor dhe se ishte  jashtëzakonisht mirënjohës ndaj të gjithë bashkëpunëtorëve dhe audiencës së tij gjatë shumë viteve.

”Ky ishtë një vendim privat dhe as ai dhe as përfaqësuesit e tij nuk do të bëjnë ndonjë koment të mëtejshëm mbi këtë temë”, shtoi aktori.

“E dija që ishte e pazakontë të bëja një deklaratë të tillë. Por doja të vija një vijë ndarëse. Nuk doja të tërhiqesha përsëri në një projekt tjetër. Gjithë jetën kam folur për mënyrën se si duhet të ndaloj së aktuarit, dhe nuk e di pse këtë herë ishte ndryshe, por impulsi për të ndaluar më pushtoi dhe u shndërrua në një detyrim. Ishte diçka që duhej ta bëja… Më vjen keq të përdor fjalën e tepërdorur ‘artist’, por kishte diçka nga përgjegjësia e artistit që rëndonte mbi mua. Duhet të besoj në vlerën e asaj që po bëj. Puna mund të duket jetike. Madje e parezistueshme. Dhe nëse audienca e beson atë, kjo duhet të jetë e mjaftueshme për mua. Por kohët e fundit, nuk ishte”, përfundoi Daz-Lewis. /atsh/ KultPlus.com

Nga 15 gushti nis edicioni i parë i Festivalit ‘Via Dinarica Kosovo’

By: Kult Plus
13 August 2025 at 20:45

Nga 15 gushti 2025, në Sheshin e Akademikëve në Pejë, do të mbahet edicioni i parë i Festivalit “Via Dinarica Kosovo”.

Ky festival shënon përmbylljen e një projekti trevjeçar, i cili ka revitalizuar shtegun ‘Dinarik’ në komunat Pejë, Deçan dhe Junik, ndërsa është përkrahur edhe nga bizneset lokale me grante. Festivali do të zgjasë tre ditë, më 15, 16 dhe 17 gusht.

Sipas njoftimit, pjesëmarrësit do të kenë mundësi të përfshihen në aktivitete të ndryshme në natyrë, si vrap malor dhe hiking, të ndjekin lancimin ose premierën e dokumentarit të zhvilluar në shtegun Via Dinarica Kosovo, të dëgjojnë muzikë live dhe DJ të vizitojnë ekspozita arti dhe panaire të produkteve lokale.

Të gjitha aktivitetet janë falas dhe të hapura për publikun, pa bileta.

Sipas njoftimit, hapja zyrtare do të mbahet të premten, duke filluar nga ora 18:30. Në skenë do të jenë: përfaqësuesja e Fondacionit Utalaya, Uta Ibrahimi; ambasadori i Italisë për Kosovë; kryetarët e komunave Pejë, Deçan dhe Junik; drejtori për Zhvillim Ekonomik në Pejë; si dhe përfaqësues të organizatave italiane që kanë mbështetur projektin.

‘Mirror’: Zbuloni Rivierën Shqiptare – nga hotelet luksoze buzë detit deri te gjiret e izoluara 

By: Kult Plus
13 August 2025 at 20:19

 Me kasolle buzë detit, rërë të bardhë të valëzuar dhe ujëra bruz, destinacioni evropian është krahasuar me ishullin e bukur të Azisë Jugore – që është një “hit” për turistët.

Plazhet me rërë të bardhë e të pastër dhe ujërat kristalore në Rivierën Shqiptare konsiderohen nga ekspertët e udhëtimit si “Maldivet e Evropës”, shkruan Matt Jackson në një artikull të botuar në të përditshmen britanike “Mirror”.

Vizitorët që kërkojnë të eksplorojnë Shqipërinë mund të zbulojnë gjithçka, nga hotelet luksoze buzë detit deri te gjiret e izoluara përgjatë vijës së gjerë bregdetare.

Dhërmiu shquhet si një nga pikat kryesore turistike të vendit, me një shtrirje rëre prej 3 miljesh, jetën e gjallë të natës dhe festivalin muzikor “Kala Fest vjetor, i krijuar për të nxitur turizmin në rajon.

Baret buzë detit ofrojnë birra për vetëm 2 dollarë, ndërsa një dhomë buzë detit kushton vetëm 30 dollarë.

Megjithatë, më në jug ndodhet Ksamili, i konsideruar si “Maldivet e Evropës” në mediet sociale.

Plazhet si Pema e Thatë janë bërë gjithashtu të njohura për turistët – falë kasolleve të ngritura në plazh.

Këto kasolle, të disponueshme me qira për më pak se 10 dollarë, janë bërë një sensacion viral në TikTok.

Një amerikane që ëndërronte të largohej nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për në Evropë zbuloi një destinacion mahnitës të ngjashëm me Maldivet – ku birrat kushtojnë vetëm 1,50 paund.

Cepee Tabibian u largua nga Teksasi për në Spanjë kur mbushi 35 vjeç, por vetëm vitin e kaluar ajo zbuloi destinacionin e bukur evropian që ajo pretendon se shumë amerikanë nuk e njohin ende.

Artikulli i botuar në CNBC, zbulon se Cepee kishte dëgjuar vlerësime pozitive për Shqipërinë përpara se të zgjidhte të kalonte një muaj në vendin ballkanik.

Cepee i kushtoi një muaj kryeqytetit, Tiranës, ndërsa eksploroi edhe vijën bregdetare të Shqipërisë.

Ndërsa Cepee pranon se Shqipëria mund të mos jetë për të gjithë, ajo këmbëngul se ky vend plotëson shumë kritere – për individët që duan të shkëmbejnë jetën në SHBA me Evropën.

Cepee e vlerësoi Shqipërinë për koston e përballueshme të jetesës dhe peizazhet mahnitëse.

“Shqipëria është një nga vendet e pakta në Evropë ku ende mund të marrësh me qira një apartament të rehatshëm për më pak se 500 dollarë në muaj. Kjo kosto e ulët jetese është një nga arsyet më të mëdha pse amerikanët po dynden atje”, shkroi ajo.

Cepee tha se shpenzimet e ushqimeve, të të ngrënit jashtë dhe kujdesit mjekësor e bëjnë Shqipërinë një mundësi tërheqëse për personat që duan të punojnë si nomadë digjitalë apo pensionistët.

Ata që kërkojnë të zbulojnë Shqipërinë mund të zhvillojnë turne nëpër Alpe, si dhe në detin Adriatik në perëndim dhe në detin Jon në jug.

“Gjatë udhëtimit tim, udhëtova me makinë përgjatë Rivierës Shqiptare dhe vizitova Sarandën, një qytet bregdetar të gjallë me një shëtitore të bukur. Ishte shtator dhe moti ishte mjaftueshëm i ngrohtë për të notuar dhe për të marrë rreze – por plazhet ishin praktikisht bosh – një kënaqësi e rrallë krahasuar me vende si Spanja apo Italia. Në një ditë të kthjellët, ju mund ta shihni Greqinë në distancë! Ishulli i Korfuzit është vetëm 30 minuta larg me target”, shtoi ajo.

“Nuk arrita të shkoja në malet veriore, por ato janë në listën time për vizitën tjetër. Fshatrat e largëta, shtigjet e ecjes dhe peizazhet e mrekullueshme e bëjnë atë një ëndërr për adhuruesit e aktiviteteve në natyrë”, tha Cepee.

Cepee, gjithashtu, vuri në dukje rritjen e turizmit në Shqipëri gjatë dekadës së fundit – pas izolimit të saj nën regjimin komunist deri në vitin 1992. /atsh/ KultPlus.com

Kastriot Tusha dhe Ardian Trebicka magjepsin publikun në Porto Palermo Festival

By: Kult Plus
13 August 2025 at 19:54

Porto Palermo Festival solli një mbrëmje të paharrueshme në Kalanë e Ali Pashës, ku qielli dhe deti u mbushën me tingujt e muzikës klasike shqiptare.

Dy prej emrave më të njohur të skenës, tenori Kastriot Tusha dhe pianisti Ardian Trebicka, u bashkuan në një koncert që tejkaloi kufijtë e një performance të zakonshme.

Në repertor u ndërthurën serenata të ëmbla dhe perla të muzikës së kultivuar shqiptare, të cilat, në sfondin magjik të mureve shekullore dhe valëve të detit, morën një jetë të re. Çdo notë dhe melodi përcolli emocione të thella, duke u kthyer në histori dashurie, kujtimesh dhe ëndrrash të rikthyera për publikun.

Ky koncert la pas një ndjesi të fortë se arti dhe natyra, kur bashkohen, krijojnë përjetime që mbeten gjatë në shpirt./KultPlus.com

Nga Olimpiadat në xhungël: Historia e Johnny Weissmuller, Tarzanit kampion olimpik

By: Kult Plus
13 August 2025 at 19:36

Para se të bëhej i famshëm në Hollivud si Tarzani në 12 filma, Johnny Weissmuller shkëlqeu në sportin e notit, duke u bërë një nga notarët më të suksesshëm të shekullit XX.

Ai fitoi pesë medalje të arta olimpike në vitet 1924 dhe 1928, si dhe një medalje bronzi në sportin e ujit me top (water polo).

Në vitin 1922, Weissmuller bëri histori duke u bërë personi i parë që notoi 100 metra stil i lirë për më pak se një minutë, me kohën rekord 58.6 sekonda. Gjatë karrierës së tij sportive vendosi gjithsej 67 rekorde botërore.

Pas suksesit në pishina, ai u kthye në një ikonë të kinemasë, duke mishëruar rolin e Tarzanit dhe duke i dhënë jetë një prej figurave më të dashura të ekranit të madh.

Ky kombinim i talentit sportiv dhe karizmës filmike e bën Johnny Weissmuller një nga legjendat më unike të sportit dhe artit botëror./KultPlus.com

Did you know Tarzan was an Olympic champion? 🥇

Before becoming a Hollywood star, Johnny Weissmuller, who played Tarzan in 12 movies, won five Olympic golds in swimming, and became the first person ever to swim the 100m freestyle in under a minute. 🏊#Olympics @WorldAquatics pic.twitter.com/9HwFUsfw6A

— The Olympic Games (@Olympics) August 13, 2025

Kori i Filharmonisë së Kosovës debuton në Gjermani me koncert në Hamburg

By: Kult Plus
13 August 2025 at 19:16

Kori i Filharmonisë së Kosovës do të hapë sezonin e ri artistik me një paraqitje të veçantë dhe njëkohësisht debutimin e tij në Gjermani.

Me mbështetjen e Ministrisë së Kulturës dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës, si dhe organizimin e Konsullatës së Republikës së Kosovës në Hamburg, koncerti do të mbahet më 8 shtator 2025 në Hauptkirche St. Petri (Bei der Petrikirche 2, 20095 Hamburg), duke nisur nga ora 19:30, përcjellë KultPlus.

Nën drejtimin e dirigjentit Hajrullah Syla, kori do të prezantojë programin “Horizonte”, një udhëtim muzikor që ndërthur breza dhe kultura. Në repertor përfshihen vepra nga tradita ndërkombëtare korale, si dhe krijime të kompozitorëve kosovarë nga gjenerata e dytë e deri tek përfaqësuesit e shkollës së re të muzikës.

Ky koncert pritet të jetë një mundësi e veçantë për prezantimin e artit koral të Kosovës në një skenë prestigjioze gjermane, duke forcuar lidhjet kulturore mes dy vendeve./KultPlus.com

Sekretet e “Bohemian Rhapsody”: Historia, kuptimi dhe lidhjet e fshehta

By: Kult Plus
13 August 2025 at 18:40

Më 31 tetor 1975, bota dëgjoi për herë të parë “Bohemian Rhapsody”, kryeveprën e Freddie Mercury-t dhe grupit Queen. Në vitin 2018, filmi biografik i Queen-it u publikua pikërisht në këtë datë, si homazh për momentin historik.

Titulli i këngës kombinon dy koncepte: “Rhapsody” , një formë muzikore e lirë, e ndarë në pjesë të ndryshme dhe “Bohemian” term që lidhet me figurën e lirë e rebele, por edhe me historinë e Faustit, personazhit që i shet shpirtin djallit në veprën e Goethe-s.

Sipas interpretimeve, kënga është një rrëfim metaforik për jetën e vetë Freddie Mercury-t, ndarë në shtatë pjesë muzikore: nga balada e butë, te opera dramatike dhe kulmi rock. Teksti përshkruan një njeri që bën një “pakt me djallin”, përballet me frikë, faj dhe shpëtim shpirtëror. Referencat përfshijnë figura biblike, opera klasike dhe simbole të numerologjisë – kënga zgjat 5 minuta e 55 sekonda, një numër që lidhet me transformimin shpirtëror.

“Bohemian Rhapsody” nuk është thjesht një këngë, por një udhëtim artistik i mbushur me simbole, që ka fituar statusin e kryeveprës së muzikës moderne dhe është votuar shpesh si kënga më e mirë e të gjitha kohërave./KultPlus.com

Aro Muriç transferohet zyrtarisht te Sassuolo në Serie A

By: Kult Plus
13 August 2025 at 18:20

Portieri i Kombëtares së Kosovës, Aro Muriç, është zyrtarisht pjesë e Sassuolos, skuadra italiane që këtë sezon është rikthyer në Serie A. Për 25-vjeçarin kjo është aventura e parë në futbollin italian, pas eksperiencave në Angli, Turqi, Spanjë dhe Holandë.

Muriç ka nënshkruar një marrëveshje huazimi njëvjeçar, ndërsa Sassuolo do të ketë të drejtën e blerjes së kartonit të tij pas një viti për shumën prej 10 milionë euro.

Ky transferim pritet t’i japë portierit kosovar një mundësi të re për të treguar vlerat e tij në njërën nga ligat më të forta të botës./KultPlus.com

Biblioteka Kombëtare e Kinës ekspozon dokumente të rralla të Luftës së Dytë Botërore

By: Kult Plus
13 August 2025 at 17:55

Biblioteka Kombëtare e Kinës (NLC) ka hapur një ekspozitë të veçantë kushtuar dokumenteve dhe materialeve historike nga Lufta e Rezistencës së Popullit Kundër Agresionit Japonez (1931-1945).

Ekspozita sjell tekste, artefakte, arkiva të dixhitalizuara dhe seanca interaktive, duke pasqyruar rezistencën e popullit kinez ndaj pushtuesve japonezë. Materialet e ekspozuara janë rezultat i një projekti të nisur në vitin 2012 për ruajtjen e arkivave nga periudha revolucionare.

Vizitorët mund të përdorin kode QR për të qasur në burime dixhitale mbi ngjarje kyçe, të krijojnë stema përkujtimore, materiale koleksioni dhe të lënë mesazhe në një mur të dedikuar.

Ekspozita, e cila do të qëndrojë e hapur deri më 15 tetor, zhvillohet edhe në shtatë biblioteka të tjera në provincat Hebei, Jiangsu, Zhejiang dhe Hubei. Sipas NLC-së, deri në korrik janë kataloguar e publikuar 2,714 vëllime me dokumente lufte nga Lufta e Dytë Botërore./KultPlus.com

Ne tani do të ikim pak nga pak

By: Kult Plus
13 August 2025 at 17:23

Sergej Esenin
Ne tani do të ikim pak nga pak


Ne tani po ikim pak nga pak që këtej
Drejt vendit ku ka qetësi dhe gëzim.
Mbase, shpejt edhe unë do duhet të ngre
Plaçkat e mia mortore për në udhëtim.

Pyje të dashura mështeknash!
Ti tokë! E ju, rërëra të ultësirave!
Përpara kësaj turme në vrapim
Nuk mund ta fsheh melankolinë.

Kam dashur shumë në këtë botë,
Gjithëçka që vesh mish dhe shpirt.
Paqe mështeknave që hapin degët
E pasqyrohen në ujin e trëndafiltë.

Për mjaft mendime kam rënë në heshtje,
Shumë këngë brenda vetes kompozova.
I lumtur jam mbi këtë tokë të zymtë
Për gjithçka që jetova dhe frymova.

I lumtur jam që kam puthur gra,
Që shtypa lule, u shtriva mbi bar,
Dhe që nuk qëllova kurrë në kokë
Motrat tona kafshët, si i marrë.

E di që atje nuk lulëzojnë zabelet,
Nga qafa e mjellmës thekra s’fëshfërin
Ndaj para turmës së vrapuesve unë
Provoj gjithmonë rrëqethje, dridhërim.

Unë e di se në atë vend s’do të ketë kurrë
Fusha të tilla flokëverdha nën mjegulla krejt.
Edhe pse njerëzit për mua janë të dashur
Dhe jetojnë me mua mbi këtë tokë të shenjtë./KultPlus.com

Sami Mulaj nderohet me Çmimin Letrar të Karrierës nga Akademia “Troci-al”

By: Kult Plus
13 August 2025 at 17:10

Poeti i njohur shqiptar, Sami Mulaj, është vlerësuar me Çmimin Letrar të Karrierës nga Akademia “Troci-al”, si njohje për kontributin e tij shumëvjeçar në letërsinë shqipe. Në një reagim publik, Mulaj shprehu mirënjohje të thellë për këtë çmim, duke e cilësuar si “nder, frymëzim dhe gëzim” që e ndan me të gjithë ata që e kanë lexuar dhe mbështetur në rrugëtimin e tij poetik.

Me këtë rast, ai publikoi edhe poezinë “Krusha e Madhe”, kushtuar veprimtarit dhe mendimtarit të shquar Ukshin Hoti, i cili prej 26 vitesh mbetet pa një varr. Poezia përshkruan me tone të dhimbshme dhe metaforike mungesën e stinëve, luleve e dritës në vendlindjen e Hotit, si simbol i humbjes dhe plagës që nuk shërohet.

Ky vlerësim e vendos Mulajn mes zërave të rëndësishëm të poezisë shqipe, me një krijimtari që prej dekadash ka prekur zemrat e lexuesve./KultPlus.com

Peja mirëpret edicionin e parë të Festivalit “Via Dinarica Kosovo”

By: Kult Plus
13 August 2025 at 16:45

Nga 15 deri më 17 gusht 2025, Sheshi i Akademikëve në Pejë do të jetë nikoqir i edicionit të parë të Festivalit “Via Dinarica Kosovo”, një ngjarje që shënon përmbylljen e një projekti trevjeçar për revitalizimin e shtegut ‘Dinarik’ në komunat Pejë, Deçan dhe Junik. Projekti është mbështetur edhe nga bizneset lokale përmes granteve.

Programi i festivalit do të përfshijë aktivitete të shumta në natyrë, si vrap malor dhe hiking, premierën e dokumentarit të xhiruar përgjatë shtegut, muzikë live dhe DJ, ekspozita arti dhe panaire të produkteve vendore.

Të gjitha aktivitetet do të jenë falas dhe të hapura për publikun. Hapja zyrtare do të mbahet të premten në ora 18:30, me pjesëmarrjen e përfaqësueses së Fondacionit Utalaya, Uta Ibrahimi; ambasadorit të Italisë në Kosovë; kryetarëve të komunave Pejë, Deçan dhe Junik; drejtorit për Zhvillim Ekonomik në Pejë; si dhe përfaqësuesve të organizatave italiane që kanë mbështetur projektin./KultPlus.com

❌
❌