Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Today — 15 August 2025Main stream

ANCHORAGE – Trump mbërrin në Alaska për samitin me Putinin

15 August 2025 at 20:49

ANCHORAGE (SHBA), 15 gusht /ATSH-AFP/ – Avioni ”Air Force One” i presidentit të SHBA-së, Donald Trump sapo u ul sot në bazën ajrore ”Elmendorf-Richardson” në Alaska, ku është planifikuar të takohet me homologun e tij rus Vladimir Putin për një samit historik që mund të vulosë fatin e Ukrainës së shkatërruar nga lufta.

Ky samit, në kufirin e Shteteve të Bashkuara, i ofron udhëheqësit rus një rikthim dramatik në skenën diplomatike, pasi ai do të përshëndetet nga vetë Donald Trump pas mbërritjes./  a.jor.

The post ANCHORAGE – Trump mbërrin në Alaska për samitin me Putinin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

HISTORI – Samitet ruso-amerikane që ndryshuan historinë e botës

15 August 2025 at 19:50

UASHINGTON, 15 gusht /ATSH-ANSA/ – Samiti i sotëm mes presidentëve Donald Trump dhe Vladimir Putin është i fundit në një seri kulmesh Shtëpi e Bardhë-Kremlin, përfshirë fundin e Luftës së Dytë, epokën e Luftës Ftohtë dhe rënien e Murit të Berlinit.

Ato janë samite të paharrueshme ballë për ballë, me përzierje tensionesh, por edhe të kimisë personale mes udhëheqësve, që ndoshta shmangën epokën më të errët të historisë bashkëkohore të planetit.

ROOSEVELT – STALIN

Ata ishin fitues ndaj Gjermanisë naziste dhe hodhën themelet për botën e pasluftës në Konferencën e Jaltës, në shkurt 1945, së bashku me kryeministrin britanik, Winston Churchill. Puna për ndarjen e Evropës në dy zona ndikimi, u përfundua pas disa muajsh në Potsdam, në prani të presidentit të ri amerikan, Harry Truman.

KENNEDY – HRUSHOV

Këto janë vitet më të errëta të Luftës së Ftohtë, ato të Perdes së Hekurt dhe përpjekja për të zgjidhje, në Samitin e Vjenës, 1961, dështoi. Menjëherë pas kësaj, ndërtimi i Murit të Berlinit, simbol i një epoke të tërë, dhe kriza e raketave kubane e vitit 1962, që fatmirësisht mënjanoi konfliktin e armatosur.

BREZHNJEV – NIXON

Fillojnë të hidhen themelet e shkrirjes. Nën drejtimin e shkathët të Henry Kissinger, sekretar i Shtetit i SHBA-së, filloi çtensionimi i marrëdhënieve mes dy superfuqive. Takimet janë plot me anekdota, ndërkohë që Nixon është presidenti i parë amerikan në Kremlin dhe Brezhnjevi, lideri i parë sovjetik në Camp David. Në Vladivostok në 1974 dhe në Helsinki në 1975, në vend të kësaj, ishte Gerald Ford ai që takoi Brezhnjevin, në një përpjekje për të kufizuar arsenalet bërthamore.

REAGAN – GORBAÇOV

Ishin ata që korrën shpërblimet e relaksimit të marrëdhënieve ruso-amerikane. Katër samite mes Reaganit dhe Gorbaçovit i dhanë fund efektivisht garës së armatimeve dhe Luftës së Ftohtë. Themelet u hodhën në Rejkjavik në 1986. Në vitin 1989 ndodh rënia e Murit të Berlinit.

CLINTON – JELCIN

Rënia e Bashkimit Sovjetik, me samitin e Helsinkit të vitit 1997 i hapi rrugën Rusisë për pjesëmarrje të plotë në jetën e komunitetit ndërkombëtare duke filluar me praninë në G7.

KOHA E PUTINIT

Këto janë vitet e një tkurrjeje në marrëdhëniet mes Uashingtonit dhe Moskës, në të cilat i kthehemi luftës së spiunëve, por edhe nga një përshkallëzim i sulmeve kibernetike si edhe nga synimet ekspansioniste të Moskës për të kërkuar të ushtrojë ndikim në jetën politike amerikane. Marrëdhëniet e ftohta me Barack Obamën, sidomos pas pushtimit rus të Krimesë. E paqartë, në vend të kësaj, marrëdhënia me Donald Trump, i akuzuar se kishte marrë Shtëpia e Bardhë me ndihmën e Putinit./ a.jor.

The post HISTORI – Samitet ruso-amerikane që ndryshuan historinë e botës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Telefonatë Trump-Lukashenko përpara Samitit të Alaskës

15 August 2025 at 16:16

UASHINGTON, 15 gusht /ATSH-AFP/ – Presidenti amerikan, Donald Trump foli sot në telefon me udhëheqësin bjellorus Alexander Lukashenko, një aleat i fortë i Vladimir Putin, sipas agjencisë zyrtare bjelloruse të lajmeve, Belta.

Kjo ndodh përpara një samiti shumë të pritur midis presidentëve të SHBA-së dhe Rusisë në Alaskë.

“Lukashenko dhe Trump patën një bisedë telefonike”, raportoi agjencia e lajmeve Belta në Telegram./  a.jor.

The post SHBA – Telefonatë Trump-Lukashenko përpara Samitit të Alaskës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOMENT – Ku do të takohen sonte Trump dhe Putin?

15 August 2025 at 07:34

LONDËR, 15 gusht /ATSH/ – Arinj të murrmë, 32 000 trupa dhe një ”perandor” i vetmuar.

Trump do të presë Putinin në të njëjtin qytet të Alaskës, ku një takim i mëparshëm kyç  midis SHBA-së dhe Kinës kishte dështuar, shkruan Patrick Hurrington për ”The Sun”.

Një bazë ushtarake e izoluar do të jetë vendi për një nga samitet më të rëndësishme të superfuqive të kohës sonë.

Donald Trump dhe Vladimir Putin do të ulen sonte kokë më kokë në bazën ”Elmendorf-Richardson”.

Baza, pranë Anchorage, është e mbushur me trupa nga Forcat Ajrore, ushtria, marina dhe Korpusi i Marinës Amerikane si dhe Garda Kombëtare dhe Rezervistët.

Në total, mbi 32 000 personel ushtarak dhe familjet e tyre jetojnë atje – 10 për qind e popullsisë së Anchorage, qytetit më të madh të Alaskës – së bashku me arinjtë e murrmë, drerët dhe ujqërit.

Sipas Bibliotekës së Kongresit, ajo luajti një rol “veçanërisht të rëndësishëm” në mbrojtjen e SHBA-së kundër Bashkimit Sovjetik gjatë Luftës së Ftohtë.

Shtëpia e Bardhë me sa duket donte të shmangte pamjen e një udhëheqësi rus të mirëpritur në një mjedis ushtarak amerikan – por arriti në përfundimin se nuk kishte mundësi tjetër.

”Elmendorf-Richardson” thuhet se konsiderohet vendi i vetëm në Alaska që mund të ketë nivelin e kërkuar të sigurisë për takimin me rrezik të lartë.

Putin do të fluturojë nëntë orë nga Moska dhe Trump shtatë orë e gjysmë nga Uashingtoni, me hapësirë të mjaftueshme në pistë për të dy aeroplanët e tyre presidencialë.

Ky nuk do të jetë takimi i parë vendimtar i udhëheqësve botërorë në ”Elmendorf-Richardson”.

Në vitin 1971, presidenti Nixon zhvilloi një diskutim historik 30-minutësh me perandorin Hirohito të Japonisë.

Kjo shënoi rastin e parë që një monark japonez në pushtet kishte “shkelur këmbën në tokë të huaj”, sipas Nixon.

Vizita e Putinit ka të ngjarë të zgjasë më shumë se ajo e Hirohitos, i cili qëndroi në Alaska vetëm për 100 minuta, megjithëse procedurat nuk pritet të vazhdojnë deri të shtunën.

Trump thuhet se planifikon të mbërrijë dhe të largohet të premten në mënyrë që të theksojë afatin kohor të kufizuar.

Kjo mund të jetë edhe për shkak se nuk ka “vend ku të qëndrojë” në bazë, sipas një republikani që foli për ”The Times”.

Joe Biden gjithashtu zgjodhi Anchorage për të shoqëruar një takim me kinezët në vitin 2021.

Por, Trump do të shpresojë për një rezultat më të mirë pasi ai takim dështoi – me delegacionin kinez që akuzoi amerikanët për “përbuzje dhe hipokrizi”.

Alaska u zgjodh si vendi i përshtatshëm për takimin, përpara se zyrtarët të dinin saktësisht se ku do të ndodhte.

Shteti më i madh i Amerikës është një vend strategjik, i shtrirë në kryqëzimin midis Amerikës së Veriut dhe Rusisë.

Madje mund ta shihni territorin rus nga toka e Alaskës – nëse qëndroni në ishullin e Diomedës së Vogël dhe shikoni nga Diomeda e Madhe.

Dhe është shumë larg nga Evropa dhe udhëheqësit e saj – të cilët Putini do të preferonte shumë më tepër t’i harronte.

Kjo gjithashtu do të thotë që fuqia ruse po rikthehet në territorin që dikur u përkiste carëve.

Paraardhësi i largët i Putinit, cari Aleksandër II, ia shiti Alaskën Amerikës në vitin 1867 për 7,2 milionë dollarë.

Yuri Ushakov, këshilltari i çështjeve të jashtme i Vladimir Putinit, tha se “duket plotësisht logjike që delegacioni ynë thjesht të fluturojë përtej Ngushticës së Beringut dhe që një samit kaq i rëndësishëm dhe i pritur i udhëheqësve të dy vendeve të mbahet në Alaska”.

Eksperti i sigurisë Hamish de Bretton-Gordon shpjegoi pse Alaska ishte me të vërtetë një zgjedhje logjike dhe vendimtare për Putinin.

Udhëheqësi rus u godit me një urdhërarresti nga Gjykata Ndërkombëtare Penale (ICC) në vitin 2023, kështu që në teori do të arrestohej nëse do të vizitonte ndonjë nga 125 vendet e botës – përfshirë Mbretërinë e Bashkuar, Francën, Gjermaninë dhe Kanadanë.

Megjithatë, Shtetet e Bashkuara janë ndër të paktat vende që nuk e njohin ICC-në, së bashku me Rusinë, Kinën, Pakistanin dhe një grusht vendesh të tjera.

Kjo do të thotë se, ndryshe nga shumica e vendeve, SHBA-ja nuk është e detyruar ta arrestojnë Putinin.

De Bretton-Gordon tha se “ai mund të bredhë nëpër botë, në teori, në çdo vend që nuk është anëtar i ICC-së. Një urdhërarrest nga ICC-ja nuk do të thotë asgjë në ato vende që nuk janë nënshkruese të tij. Dhe amerikanët nuk janë, kështu që ai mund të shkojë në Alaska. Ky është boshllëku. Ai mund të veprojë pikërisht siç e sheh të arsyeshme. Ai nuk do të kishte shkuar askund ku potencialisht mund të arrestohej”.

De Bretton-Gordon shtoi se “presidenti Putin është absolutisht i fiksuar pas sigurisë së tij dhe dëshirës së tij për të mos u larguar nga hapësira ajrore miqësore. Nuk ka shumë nga kjo në Alaska – ai do të jetë në hapësirën ajrore ndërkombëtare vetëm për disa milje”.

Mike Dunleavy, guvernatori republikan atje që nga viti 2018, postoi në X se ”Alaska është vendi më strategjik në botë, i vendosur në kryqëzimin e Amerikës së Veriut dhe Azisë, me Arktikun në veri dhe Paqësorin në jug. Vetëm dy milje që ndajnë Rusinë nga Alaska, asnjë vend tjetër nuk luan një rol më jetësor në mbrojtjen tonë kombëtare, sigurinë energjetike dhe udhëheqjen në Arktik”./  a.jor.

The post KOMENT – Ku do të takohen sonte Trump dhe Putin? appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AXHENDA NDËRKOMBËTARE 15/8/2025

15 August 2025 at 07:33

SHBA – Samiti Trump-Putin në Alaska.

TOKIO (Japoni) – 80-vjetori i shpalljes së dorëzimit të pakushtëzuar të Japonisë në Luftën e Dytë Botërore.

XHAKARTË (Indonezi) – Fjalimi i parë para kombit i presidentit Prabowo.

NJU DELHI (Indi) – Dita e Pavarësisë.

INDI – Viti i Ri Persian.

AFGANISTAN – Përvjetori i katërt i marrjes së pushtetit nga talebanët.

KIEV – Demonstratë nga familjet e të burgosurve të luftës pranë ambasadës amerikane.

LONDËR (Mbretëria e Bashkuar) – Përkujtime për 80-vjetorin e fitores ndaj Gjermanisë naziste me një minutë heshtje.

SARAJEVË (Bosnjë dhe Hercegovinë) – Hapja e Festivalit të Filmit në Sarajevë me aktorin amerikan Willem Dafoe.

JOHANNESBURG (Afrika e Jugut) – Afrika e Jugut do të mbajë Konventën Kombëtare për të nisur Dialogun Mbarëkombëtar.

RIO DE JANEIRO (Brazil) – Al Gore merr pjesë në Projektin e Realitetit të Klimës.

SPIELBERG (Austri) – Motoçikleta – Kampionati Botëror i MotoGP – GP Austriak.

EVROPË – Fillojnë Premier League dhe La Liga./ a.jor.

The post AXHENDA NDËRKOMBËTARE 15/8/2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

SHBA – Trump: Evropianët pjesë e një samiti të dytë me Putinin

14 August 2025 at 23:11

UASHINGTON, 14 gusht /ATSH-DPA/ – Presidenti i SHBA-së Donald Trump la të kuptohej sot se udhëheqësit evropianë mund të ftohen në një takim të mundshëm të dytë me presidentin rus, Vladimir Putin, në të cilin ai tha se duhet të marrë pjesë edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky.

“Do të kemi një takim me presidentin Putin, presidentin Zelensky, mua, dhe ndoshta do të sjellim disa nga udhëheqësit evropianë me vete. Ndoshta jo”, tha Trump në Shtëpinë e Bardhë.

Trump është planifikuar të takohet me Putinin të premten në një takim që presidenti i SHBA-së e ka minimizuar, duke thënë se është kryesisht për të vendosur bazën për një samit të dytë.

Fokusi i takimit të së premtes do të jetë lufta e Rusisë kundër Ukrainës, e cila ka vazhduar që nga shkurti i vitit 2022, kur Rusia nisi një sulm në shkallë të plotë kundër fqinjit të saj.

Gjatë fushatës së tij zgjedhore, Trump pretendoi se do ta përfundonte luftën shpejt.

Tani ai deklaroi se beson që Putini dhe Zelensky do të bënin paqe.

Kur u pyet nëse do të binte dakord për një reduktim të trupave të NATO-s në Evropë për t’iu përshtatur Rusisë, Trump tha se një propozim i tillë nuk i ishte paraqitur ende.

“Do ta mendoj këtë për më vonë”, tha ai./ a.jor.

The post SHBA – Trump: Evropianët pjesë e një samiti të dytë me Putinin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Yesterday — 14 August 2025Main stream

RUSI – Kremlini: Asnjë deklaratë e përbashkët pas samitit Trump-Putin

14 August 2025 at 18:47

MOSKË, 14 gusht /ATSH-DPA/ – Nuk është planifikuar asnjë deklaratë e përbashkët pas samitit midis udhëheqësit rus Vladimir Putin dhe presidentit të SHBA-së Donald Trump, tha sot zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov.

“Jo, nuk pritet asgjë, nuk është përgatitur asgjë dhe nuk ka gjasa që të ketë ndonjë dokument”, tha Peskov për agjencinë ruse të lajmeve Interfax.

“Duke pasur parasysh se do të ketë një konferencë të përbashkët për shtyp, presidenti sigurisht që do të përshkruajë fushën e marrëveshjeve dhe rregullimeve që mund të arrihen”, shtoi ai, duke folur përpara samitit të së premtes në shtetin amerikan të Alaskës.

Peskov tha se do të ishte gabim të përpiqeshim të parashikonim rezultatin e takimit në këtë fazë.

Ai shtoi se samiti ishte përgatitur me një njoftim shumë të shkurtër.

Më vonë ai i tha televizionit shtetëror rus se Trump ka një qasje jashtëzakonisht të pazakontë ndaj çështjeve më të vështira – diçka, tha ai, që vlerësohet shumë në Moskë dhe personalisht nga Putin.

Pikëpamja e Ukrainës duhet të merret parasysh “në fazat pasuese”, tha Peskov.

Më herët sot, këshilltari i Putinit për politikën e jashtme, Yuri Ushakov, tha se samiti do të përqendrohej kryesisht në një zgjidhje paqësore të konfliktit në Ukrainë, por edhe në marrëdhëniet dypalëshe.

Takimi në një bazë ajrore pranë qytetit të Anchorage është i pari midis dy udhëheqësve që kur Rusia nisi pushtimin e plotë të Ukrainës në shkurt të vitit 2022.

Trump shpreson të arrijë një fund të luftës, megjithëse Putin deri më tani nuk ka treguar shenja tërheqjeje./  a.jor.

The post RUSI – Kremlini: Asnjë deklaratë e përbashkët pas samitit Trump-Putin appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

RUSI – Putin: Mund të biem dakord për traktate të reja për kontrollin e armëve

14 August 2025 at 16:24

MOSKË, 14 gusht /ATSH-DPA/ – Presidenti rus, Vladimir Putin tha sot se Moska mund të bjerë dakord për traktate të reja për kontrollin e armëve, por vetëm nëse zgjidhet lufta në Ukrainë.

Komentet e tij erdhën, sipas Kremlinit, gjatë një takimi përgatitor për bisedimet e tij kokë më kokë me presidentin e SHBA-së Donald Trump, të planifikuara për të premten në Anchorage, Alaskë.

Putin tha se Uashingtoni po bënte “përpjekje mjaft energjike dhe të sinqerta” për t’i dhënë fund luftimeve në Ukrainë dhe për të arritur marrëveshje “në interes të të gjitha palëve të përfshira”.

”Kjo mund të krijojë kushte afatgjata për paqe në Evropë dhe globalisht, nëse kalojmë në fazat e ardhshme të marrëveshjeve në fushën e kontrollit të armëve strategjike ofensive”, shtoi ai.

Me “armë ofensive strategjike”, Putin po i referohej armëve bërthamore ndërkontinentale.

Pothuajse të gjitha marrëveshjet për armët bërthamore midis Uashingtonit dhe Moskës tani kanë skaduar ose janë braktisur, duke e lënë sektorin kryesisht të parregulluar.

Putin ka zhvilluar një luftë në shkallë të plotë kundër Ukrainës për gati tre vjet e gjysmë. Trump ka thënë se dëshiron t’i japë fund konfliktit, megjithëse mbetet e paqartë se si do ta bindë Kremlinin ta bëjë këtë.

Këshilltari i Putinit për politikën e jashtme, Yuri Ushakov, tha se samiti do të përqendrohet kryesisht në luftën e Ukrainës, por do të trajtojë edhe çështje të tjera./  a.jor.

The post RUSI – Putin: Mund të biem dakord për traktate të reja për kontrollin e armëve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

REPORTAZH – Pjesë të Evropës ende nën mëshirën e zjarreve

14 August 2025 at 08:28

PARIS, 14 gusht /ATSH-AFP/ – Greqia, Portugalia dhe Spanja po përballen ende me zjarre të dhunshme, ndërsa situata u përmirësua pak në Francë dhe Itali, pasi dhjetëra mijëra hektarë u shkatërruan ditët e fundit në Evropën Jugore.

Zjarret, të cilat kanë vrarë katër persona – dy në Spanjë, një në Mal të Zi dhe një në Shqipëri – janë nxitur nga një valë e nxehtë intensive dhe e zgjatur, e kombinuar me një thatësirë të madhe, shenja të efekteve të ndryshimeve klimatike.

– Greqia – 

Ndërsa zjarrfikësit në Greqi prisnin “një ditë shumë të vështirë” sot, kjo ndodhi kryesisht për shkak të erërave të forta ndërsa ata luftuan me 23 zjarre, përfshirë një në periferi të Patras, qyteti i tretë më i madh i vendit.

“Këto janë sigurisht 24 orët më të vështira të periudhës së zjarrfikësve”, tha Kostas Tsigas, president i Unionit të Zjarrfikësve.

“Vetëm dje, shpërthyen 82 zjarre, një numër shumë i konsiderueshëm i cili, i kombinuar me erëra të forta, thatësirë dhe temperatura të larta, krijoi vështirësi të mëdha”, vazhdoi ai, duke iu referuar këtyre zjarreve, shumica e të cilave janë vënë nën kontroll.

Që nga agimi i së mërkurës, ndërsa erërat kanë fryrë mbi 80 km/h në Greqi që nga java e kaluar, 33 avionë dhe 4 850 zjarrfikës u mobilizuan në të gjitha frontet.

Athina i kishte bërë thirrje mekanizmit evropian të martën për të siguruar katër bombardues uji shtesë, pasi më shumë se 20 000 hektarë janë shkatërruar nga flakët në vend që nga qershori.

Frontet më shqetësuese të zjarrit ndodhen në ishullin Zakynthos në detin Jon (perëndim), në ishullin Kios (në detin Egje), në Prevezë (perëndim) dhe në prefekturën e Akaisë (në Peloponezin veriperëndimor).

Pranë qytetit të Patras, një zjarr i ri shpërtheu pranë vendit arkeologjik të Voutenit dhe po kërcënon zonat pyjore dhe shtëpitë, të mbuluara nga një re e dendur tymi.

– Portugalia –

Të mërkurën, pesë zjarre të mëdha po shpërthenin në Portugalinë veriore dhe qendrore, të luftuara nga më shumë se 1 800 zjarrfikës të mbështetur nga rreth njëzet mjete ajrore, sipas Agjencisë së Mbrojtjes Civile.

Zjarri që po konsumonte më shumë burime ishte ai në Trancoso (Portugalia qendrore), i cili ka qenë aktiv që nga e shtuna, ku erërat e forta shkaktuan shpërthime të reja gjatë natës, duke kërcënuar fshatrat.

Pranë Aldeia Nova, nën një re të dendur tymi që mbulonte rrugët e fshatit të vogël me shtëpi guri, banorët u dhanë ndihmë zjarrfikësve.

“Është e frikshme… por ne jemi gjithmonë të gatshëm të ndihmojmë njëri-tjetrin”, tha një fermer për televizionin ”Sic Noticias”.

Portugalia po mbështetet në dy avionë marokenë ”Canadair” deri në fund të javës, pasi dy nga avionët e saj u prishën.

I përballur me kritika për mungesën e burimeve, kryeministri Luis Montenegro siguroi të martën se qeveria ”po bënte çmos” duke përsëritur se një forcë prej 15 000 agjentësh ishte mobilizuar dhe të gjitha burimet e disponueshme ishin në gatishmëri të lartë.

Që nga fillimi i vitit, zjarret në pyje kanë konsumuar më shumë se 63 000 hektarë, sipas të dhënave të përkohshme nga Instituti Kombëtar i Menaxhimit të Pyjeve (ICNF). Gjatë zjarreve të vitit 2017, të cilat morën më shumë se 100 jetë njerëzish, rreth 500 000 hektarë u dogjën.

– Spanja –

Në Spanjë, ndërsa zjarrfikësit ende po luftonin me 14 zjarre të mëdha të mërkurën, kryesisht në veri, situata dukej se po përmirësohej falë lagështisë së shtuar, pak shiut dhe rënies së temperaturave.

“Situata këtë mëngjes duhet të jetë e favorshme sepse moti është në anën tonë për disa orë”, tha Viriginia Barcones, drejtoreshë e përgjithshme e Agjencisë së Mbrojtjes Civile, në televizionin publik.

Gati 6 000 njerëz nga 26 qytete u evakuuan në rajonin e Castile dhe Leon (veriperëndim).

Deri më tani këtë vit, vendi ka raportuar 199 zjarre, duke shkatërruar 99 000 hektarë, dy herë më shumë se vitin e kaluar, por tre herë më pak se në vitin 2022, viti më i keq i regjistruar ndonjëherë.

– Ballkani –

Disa vende të Ballkanit ende po luftonin me dhjetëra zjarre të mërkurën.

Në Shqipëri, një burrë 80-vjeçar vdiq të martën në mbrëmje pasi kishte ndezur një zjarr në kopshtin e tij, i cili u përhap në shtëpitë e fqinjëve të tij, duke plagosur tetë të tjerë.

Zjarre të pakontrolluara po përhapeshin në qendër dhe në jug të vendit, ndërsa Mali i Zi po përjetonte situatë më të qetë.

– Franca – 

Në jug të Francës, vigjilenca mbeti e lartë për të parandaluar çdo rindezje të zjarrit gjigant që përfshiu 16 000 hektarë përpara se të vihej nën kontroll të dielën në departamentin Aude.

Por, alarmet e kuq për valë të nxehti u lëshuan në qendër-lindje të vendit, i cili u trondit nga një valë e fortë të nxehti, si në Itali, Portugali, Greqi, Spanjë dhe Ballkan.

– Italia – 

Situata është përmirësuar ndjeshëm në frontin e zjarreve, me zjarrin në shpatet e malit Vezuv, i cili kishte dërguar re tymi mbi Napoli (Italia jugore), tani nën kontroll pas pesë ditësh.

Në të gjithë gadishullin, zjarrfikësit raportuan të mërkurën se kishin arritur të “kontrollonin ose shuanin” nëntë zjarre./  a.jor.

The post REPORTAZH – Pjesë të Evropës ende nën mëshirën e zjarreve appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AXHENDA NDËRKOMBËTARE 14/8/2025

14 August 2025 at 07:33

EVROPË – Shumë vende evropiane në luftë kundër zjarreve.

LIVERPUL (Mbretëria e Bashkuar) – Seancë dëgjimore për ish-marinsin Paul Doyle, i akuzuar për aksidentin gjatë paradës së Premier League në Liverpul.

HONG KONG (Kinë) – Argumentet përfundimtare në gjyqin e sigurisë kombëtare të Jimmy Lai.

PHENIAN (Koreja e Veriut) – Kryetari i Dumës ruse do të vizitojë Korenë e Veriut sot dhe nesër.

DURBAN (Afrika e Jugut) – Seancë dëgjimore për Duduzile Zuma-Sambudla, i akuzuar për nxitje të trazirave të vitit 2021, pas arrestimit të babait të saj, Jacob Zuma./  a.jor.

The post AXHENDA NDËRKOMBËTARE 14/8/2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FUTBOLL – PSG fiton UEFA Super Cup

13 August 2025 at 23:14

UDINE, 13 gusht /ATSH/ – ”Paris Saint Germain” (PSG) fitoi sonte UEFA Super Cup, pasi mundi me penallti skuadrën angleze të ”Tottenham”-it, pas barazimit 2-2 në kohën e rregullt, në stadiumin ”Bluenergy” të Udines, sipas pamjeve televizive.

Pjesa e parë e ndeshjes së gjykuar nga portugezi Joao Pinheiro përfundoi me rezultatin 1-0 për ”Tottenham”-in, pas golit të holandezit Micky van de Ven, në minutën e 37-të.

Në pjesën e dytë, ”Tottenham”-i shënoi sërish, me një goditje të kalibruar me kokë, me anë të Romeros, në minutën e 48-të, pas një krosimit të Porros.

Më pas, PSG-ja shkurtoi diferencën me anë të Kang-is, në minutën e 85-të, me një gjuajtje jashtë zone.

Në minutë e katërt të shtesës së kohës së rregullt, PSG-ja barazoi me anë të Ramos, pas një gjuajtjeje me kokë, brenda zone.

Në gjuajtet e penalltive, pasi kjo finale nuk pati kohën shtesë prej 30 minutash, PSG-ja u tregua më e saktë duke shënuar katër gola dhe duke pësuar dy./ a.jor.

The post FUTBOLL – PSG fiton UEFA Super Cup appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Before yesterdayMain stream

KOMENT – Pesë gjëra thelbësore rreth valëve të të nxehtit në Evropën e shekullit XXI

13 August 2025 at 19:23

PARIS, 13 gusht /ATSH-AFP/ – Temperaturat e larta, si ato që regjistrohen aktualisht, ilustrojnë frekuencën dhe intensifikimin në rritje të valëve të të nxehtit në Evropë, një pasojë e drejtpërdrejtë e ngrohjes globale, sipas shkencëtarëve.

Ja pesë gjërat që duhen mbajtur mend rreth valëve të të nxehtit të përjetuara në shekullin XXI  nga Evropa, kontinentit që po ngrohet më shpejt në botë, sipas Observatorit Evropian të Ndryshimeve Klimatike ”Copernicus”.

– Goditja e vitit 2003 –

Vala intensive e të nxehtit që goditi Evropën Perëndimore gjatë gjysmës së parë të gushtit 2003 krijoi një tronditje të vërtetë në disa vende. Në vitet që pasuan, disa vende zbatuan sisteme paralajmërimi për valët e të nxehtit, siç është “plani i valës së të nxehtit” i krijuar në Francë.

Temperaturat e jashtëzakonshme të përjetuara në Francë, Itali, Spanjë dhe Portugali shkaktuan dhjetëra mijëra vdekje: studimet e mëvonshme shkencore kanë vlerësuar “vdekjet shtesë” në 70 000 në 16 vende.

Vala e të nxehtit e vitit 2003 nuk ishte e vetmja që shkaktoi valë vdekjesh: vala e të nxehtit që goditi Rusinë në vitin 2010 çoi në 56 000 “vdekje shtesë”, sipas agjencisë ruse të statistikave Rosstat, ndërsa 60 000 vdekje i atribuoheshin të nxehtit të verës së vitit 2022 në 35 vende evropiane, sipas një studimi franko-spanjoll (Inserm/ISGlobal).

– Nga lindja në perëndim, nga veriu në jug –

Ndërsa vala e të nxehtit e vitit 2003 goditi kryesisht Evropën perëndimore dhe jugore, kontinenti është prekur në të gjitha rajonet e tij nga valët e të nxehtit që nga fillimi i shekullit.

Në vitin 2010, ishte Evropa Lindore ajo që përjetonte vapë, veçanërisht Rusia. Kjo valë jashtëzakonisht e gjatë 45-ditore e të nxehtit u shënua nga një temperaturë rekord prej 37,2°C në Moskë në korrik.

Në qershor dhe korrik 2019, gjysma veriore e Evropës vuajti më shumë, me temperatura rekord të regjistruara në Holandë, Belgjikë, Gjermani dhe Mbretërinë e Bashkuar. Rekordi francez (46°C) gjithashtu daton nga ajo verë.

Në vitin 2021, Evropa Jugore vuajti më shumë, me një temperaturë rekord në gusht në Spanjë dhe “valën më të keqe të nxehtësisë që nga viti 1987” në Greqi.

Në vitin 2023, nxehtësia anormale goditi Evropën Veriore në qershor. Pastaj, jugu u përvëlua në korrik dhe gusht, me temperatura të ndjera deri në 38 deri në 46°C.

– Më herët, më vonë –

Më të përhapura gjeografikisht, valët e nxehtësisë evropiane zënë gjithashtu një hapësirë më të madhe në kalendar.

Në vitin 2019 dhe përsëri në vitin 2022, vala e parë e nxehtësisë që goditi Evropën ndodhi në mesin e qershorit, me, për shembull, rekordet e nxehtësisë që u thyen në vitin 2022 për muajin qershor në Gjermani dhe Austri.

Vitin pasardhës, vala e nxehtësisë evropiane u shtri në shtator, duke përkeqësuar thatësirën në Evropën Jugore dhe duke komplikuar organizimin e Kupës së Botës në Regbi 2023 në Francë.

– Më të shpeshta –

Studimet dhe organizatat shkencore bien dakord për frekuencën në rritje të valëve të nxehtësisë në Evropë. “Ndryshimi i klimës është një faktor kryesor që kontribuon në frekuencën dhe intensitetin në rritje të valëve të nxehtësisë”, thekson ”Copernicus”.

Një studim universitar gjermano-rumun që shqyrtoi valët e nxehtësisë nga viti 1921 deri në vitin 2021 arriti në përfundimin se ka pasur një “rritje të konsiderueshme të frekuencës së valëve të nxehtësisë në shumicën e rajoneve të Evropës, veçanërisht gjatë 30 viteve të fundit”.

”Meteo France” vëren, për shembull, se nga 50 valët e nxehtësisë të regjistruara në nivel kombëtar që nga viti 1947, 33 kanë ndodhur që nga viti 2000.

– Rekorde të temperaturës të të gjitha kohërave –

Valët e nxehtësisë të shekullit XXI në Evropë shoqërohen me temperatura rekord, të tilla si kjo maksimum i të gjitha kohërave për Evropën e arritur më 11 gusht 2021, në Sirakuzë, Siçili (Itali), me 48,8°C, një rekord i certifikuar nga Organizata Botërore Meteorologjike.

Rekorde të tjera kombëtare janë regjistruar në disa vende në të gjithë kontinentin vitet e fundit:

  • Franca 46°C – Qershor 2019
  •  Portugalia 47,3°C – Gusht 2003
  • Spanja 47,4°C – Gusht 2021
  • Gjermania 41,2°C – Korrik 2019
  • Mbretëria e Bashkuar 40,3°C – Korrik 2022./  a.jor.

The post KOMENT – Pesë gjëra thelbësore rreth valëve të të nxehtit në Evropën e shekullit XXI appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

PATRAS – Zjarret detyrojnë evakuimin e një spitali fëmijësh dhe të një azili pleqsh

13 August 2025 at 18:10

PATRAS (Greqi), 13 gusht /ATSH-ANA/ – Spitali i Fëmijëve ”Karamandanio” në qytetin grek të Patras u evakua në mënyrë parandaluese për shkak të një zjarri në rajon, tha sot ministri grek i Shëndetësisë, Adonis Georgiadis.

“Për arsye të qarta parandaluese dhe ndërsa nuk ka kërcënim të menjëhershëm, kam vendosur që të evakuojmë Spitalin e Fëmijëve ‘Karamandanio’ të Akaisë duke ndjekur udhëzimet e Mbrojtjes Civile”, tha Georgiadis në një postim.

Automjetet e ambulancave të shërbimit të urgjencës mjekësore (EKAV) janë pothuajse atje dhe do të marrin tetë pacientë, ndërsa katër të tjerë, që mund të ecin vetë, do të vendosen përkohësisht në Spitalin e Përgjithshëm Universitar në Rio. Nuk ka arsye për shqetësim dhe i gjithë operacioni do të kryhet në mënyrë të rregullt dhe të sigurt”, shtoi ai.

Përveç spitalit të fëmijëve, banorët e azilit të pleqve ”Konstantopoulio” po evakuoheshin gjithashtu për shkak të zjarrit.

Banorët pritej të transferoheshin në një qendër stërvitore të ushtrisë në afërsi të kufijve të qytetit të Patrasit, ku është përgatitur një hapësirë për qytetarët./  a.jor.

The post PATRAS – Zjarret detyrojnë evakuimin e një spitali fëmijësh dhe të një azili pleqsh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BERLIN – Merz: Presidentit Trump i dhamë mesazhin se interesat e sigurisë evropiane dhe ukrainase duhet të mbrohen

13 August 2025 at 17:39

BERLIN, 13 gusht /ATSH-DPA/ – Kancelari gjerman, Friedrich Merz deklaroi se qëndrimet e Ukrainës, aleatëve të saj evropianë dhe presidentit të SHBA-së Donald Trump janë “shumë të përputhshme” përpara një takimi të planifikuar midis Trump dhe presidentit rus Vladimir Putin në Alaska, më vonë këtë javë.

“Në Alaska, interesat themelore të sigurisë evropiane dhe ukrainase duhet të mbrohen. Ky ishte mesazhi që ne evropianët i dhamë sot presidentit Trump”, tha Merz pas bisedimeve online në Berlin.

“Dhe mund të them se ishim shumë të përafërt si për vlerësimin e pozicionit fillestar ashtu edhe për qëllimin e arritshëm për këtë të premte”, tha kancelari gjerman, duke folur përkrah Zelenskyt.

Merz, Zelensky dhe një numër udhëheqësish evropianë zhvilluan bisedime nëpërmjet lidhjes video me Trump dhe zëvendëspresidentin e tij JD Vance për të diskutuar takimin e ardhshëm të presidentit të SHBA-së me Putinin në Alaska, të premten.

Bisedimet u organizuan me një njoftim të shkurtër nga Merz, me Zelensky që iu bashkua personalisht atij të mërkurën në Berlin.

Përpara bisedimeve me Trump dhe Vance, Zelensky iu bashkua një diskutimi paraprak me video vetëm midis udhëheqësve evropianë, ku do të përfshiheshin udhëheqës nga Franca, BM, Italia, Polonia dhe Finlanda, si dhe presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen, presidenti i Këshillit Evropian António Costa dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte.

Berlini tha se qëllimi i bisedimeve ishte të sigurohej që Kievi dhe partnerët e tij evropianë të jenë plotësisht të përfshirë në përgatitjet për takimin e Trump të premten me Putinin në Anchorage, i cili pritet të përqendrohet në luftën në Ukrainë.

Qeveritë evropiane kanë frikë se bisedimet Trump-Putin mund të çojnë në lëshime territoriale ndaj Rusisë, të cilat Kievi i ka refuzuar me vendosmëri./  a.jor.

The post BERLIN – Merz: Presidentit Trump i dhamë mesazhin se interesat e sigurisë evropiane dhe ukrainase duhet të mbrohen appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOMENT – Evropa po përvëlohet dhe po lufton me zjarret

13 August 2025 at 07:34

MADRID, 13 gusht /ATSH-AFP/ – Evropës iu mor fryma dje nën peshën e një vale të zgjatur të nxehti, një situatë e favorshme për zjarret, numri dhe intensiteti i të cilëve nxiten nga ngrohja globale dhe që po rriten veçanërisht në Gadishullin Iberik.

Alarme të kuqe për valë të nxehti janë lëshuar në Itali, Francë, Portugali, Ballkan dhe Spanjë, ku Agjencia Kombëtare Meteorologjike (AEMET) njoftoi se vala e të nxehtit “ndoshta” do të vazhdojë deri të hënën.

Në Spanjë, ku disa dhjetëra zjarre janë aktualisht aktive, një burrë vdiq nga djegiet gjatë natës së hënës ndaj të martës në një zjarr në Tres Cantos, një qytet i vendosur 25 kilometra në veri të Madridit, i cili shkatërroi rreth 1 500 hektarë.

“Ne jemi në rrezik ekstrem nga zjarret në pyje”, komentoi kryeministri spanjoll, Pedro Sanchez në rrjetin X.

Rreth 1 000 ushtarë nga Njësia Ushtarake e Emergjencave (UME), e cila i përgjigjet fatkeqësive natyrore, janë vendosur në të gjitha fatkeqësitë e mëdha.

Gati 6 000 banorë u detyruan të kalonin natën jashtë shtëpive të tyre, ndonjëherë me evakuime të nxituara.

Shumë prej tyre kanë filluar të kthehen në shtëpi falë situatës së përmirësuar.

Në Spanjën jugore, një tragjedi u shmang të hënën në mbrëmje kur një zjarr shpërtheu përsëri pranë Tarifës, në Andaluzi, një zonë turistike e njohur që ishte goditur tashmë javën e kaluar.

– “Kohë rekord” –

“Ne përjetuam momente rreziku ekstrem, sepse flakët po arrinin hyrjet e qyteteve”, shpjegoi Antonio Sanz, ministri i Brendshëm i qeverisë rajonale andaluziane, i cili shtoi se evakuimet u kryen “në kohë rekord”.

Nga afërsisht 2 000 persona të evakuuar në provincën e Cadiz, disa qindra u lejuan të ktheheshin në shtëpi të martën në mëngjes.

Në mënyrë të ngjashme, afërsisht 600 banorë të disa fshatrave të evakuuar për shkak të zjarrit që shkatërroi vendin natyror të Las Medulas, një Vend i Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, në rajonin e Castile dhe Leon, ishin në gjendje të ktheheshin në shtëpi të martën në mëngjes, por disa zjarre mbetën aktive në të njëjtin rajon, veçanërisht pranë Zamorës.

Një burrë është arrestuar me dyshimin se ka ndezur qëllimisht një zjarr që shkatërroi 2 200 hektarë në provincën e Avilës.

– Kupola e nxehtësisë –

Në Portugalinë fqinje, vendi tjetër më i goditur nga zjarret, kambanat ranë këtë mëngjes për të ngritur alarmin në fshatin Trancoso, ndërsa një re e dendur tymi ngrihej në distancë.

Rreth 700 zjarrfikës dhe mjete ajrore janë në vendngjarje, por banorët janë mobilizuar, duke pastruar tokën përreth shtëpive të tyre me shpresën për të ngadalësuar përhapjen e flakëve.

Greqia i ka bërë thirrje mekanizmit të zjarrfikjes në pyje të Bashkimit Evropian për t’iu përgjigjur shpërthimeve të reja.

Më të rrezikshmet ndodhen në ishullin Zakynthos në detin Jon (perëndim), në Vonicë dhe Prevezë, qytete në Greqinë kontinentale perëndimore, dhe në prefekturën e Akaisë në Peloponezin perëndimor, ku janë kryer rreth 20 evakuime parandaluese.

Italia nuk është kursyer, me 11 qytete të vendosura në alarm të kuq për shkak të valës së të nxehtit, duke përfshirë praktikisht të gjitha qytetet më të mëdha të vendit (Romë, Milano dhe Torino).

Në Francë, ku një zjarr masiv që dogji 16 000 hektarë u vu nën kontroll të dielën në jug, disa zona në jugperëndim dhe në qendër të lindjes janë në alarm të kuq për valë të nxehti.

“Është mbytës, nuk ka ajër, vetëm beton”, thotë Andrea, 21 vjeç.

“Është tashmë shumë vapë”, ankohet Alain Bichot, 34 vjeç, i ulur herët në mëngjes në një tarracë në Dijon.

“Do të preferoja të shkoja në zyrë. Të paktën ka ajër të kondicionuar”, shton ai.

“Vala e të nxehtit që aktualisht prek Francën, Spanjën dhe vendet e Ballkanit nuk është për t’u habitur”, shpjegoi Akshays Deoras, një ekspert i meteorologjisë në Universitetin e Reading, Britani e Madhe.

“Shkaku është një kupolë nxehtësie që vazhdon mbi Evropën. Për shkak të ndryshimeve klimatike, tani jetojmë në një botë dukshëm më të ngrohtë dhe ky realitet po rrit si frekuencën ashtu edhe intensitetin e valëve të nxehtësisë”, vazhdoi ai.

Për shembull, Kosova përjetoi ditën e saj më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë në korrik, me një temperaturë prej 42,4°C.

Thatësira është bërë një realitet i përditshëm për më shumë se gjysmën e Evropës, kryesisht rreth Mesdheut, për disa muaj, një situatë që ofron terren ideal për zjarre.

Në një shenjë alarmuese të një fenomeni që kërcënon të gjithë Evropën, Agjencia e Mjedisit e Mbretërisë së Bashkuar njoftoi të martën se mungesa e ujit në Angli tani u klasifikua si “e rëndësishme në nivel kombëtar”.

Gjashtë muajt e parë të vitit ishin më të thatët që nga viti 1976, një vit i shënuar nga një thatësirë e rëndë në Evropë.

Një alarm për ndotjen e ajrit u lëshua në Londër nga këshilli i qytetit dhe trafiku hekurudhor u ndërpre.

Në juglindje të kontinentit, Ballkani është gjithashtu në vijën e parë, qoftë në Shqipëri, ku disa qindra zjarrfikës dhe ushtarë po luftojnë me flakët, apo në Mal të Zi dhe Kroaci./  a.jor.

The post KOMENT – Evropa po përvëlohet dhe po lufton me zjarret appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AXHENDA NDËRKOMBËTARE 13/8/2025

13 August 2025 at 07:33

BERLIN (Gjermani) – Takim virtual i presidentit amerikan, Donald Trump me udhëheqësit e BE-së dhe NATO-s përpara samitit me Putinin.

SHANGAI (Kinë) – Ekspozita Ndërkombëtare e Teknologjisë së Drejtimit Autonom.

KURU (Francë) – Nisja e misionit të dytë komercial ”Ariane 6”.

QYTETI I VATIKANI (Selia e Shenjtë) – Audiencë me papa Leone XIV.

PARIS (Francë) – IEA: Publikimi i raportit mujor të naftës.

KEJP TAUN (Afrika e Jugut) – Samiti i Investimeve në Ujë i Bashkimit Afrikan dhe IAFF.

UDINE (Itali) – Futboll – Superkupa UEFA midis Paris Saint-Germain (PSG)-Tottenham./ a.jor.

The post AXHENDA NDËRKOMBËTARE 13/8/2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

BM – ”The Telegraph”: Zelensky i gatshëm të lëshojë territor në këmbim të paqes

12 August 2025 at 18:41

LONDËR, 12 gusht /ATSH-ANSA/ – Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky është gati të zbusë qëndrimin e tij negociues dhe të japë dorëheqjen zyrtarisht për t’i lëshuar territor Rusisë në këmbim të paqes (siç e konsideron të pashmangshme administrata Trump), me kusht që negociatat të përfshijnë garancitë e sigurisë për Kievin të parashikuara në planet e aleatëve evropianë, sipas gazetës britanike ”The Telegraph”, e cila ka qenë gjithmonë pranë shqetësimeve të Ukrainës në lidhje me konfliktin me Moskën.

Sipas burimeve të informuara, të cituara nga korrespondenti i Brukselit i ”The Telegraph”, Zelensky ka bërë propozime të qarta për këtë çështje në bisedat e fundit me udhëheqësit evropianë, në sfondin e shqetësimeve rreth samitit të 15 gushtit midis presidentit të SHBA-së, Donald Trump dhe presidentit rus, Vladimir Putin.

Ai u kërkoi aleatëve të tij britanikë dhe të BE-së të refuzojnë çdo zgjidhje të propozuar në mungesë të tij nga samiti dypalësh në Alaska.

Por, në të njëjtën kohë, ai e bëri të qartë se tani ishte i gatshëm të nënshkruante një marrëveshje që do të hiqte dorë nga kontrolli de facto i territoreve që Moska tashmë i ka pushtuar ushtarakisht në terren, qoftë tërësisht ose në një pjesë të madhe (Krimea plus rajonet e Luganskut, Donetskut, Zaporizhias dhe Khersonit), me kusht që të jetë e lidhur me “planin evropian”.

”Lëshimet mund të kenë të bëjnë vetëm me vijën aktuale të frontit”, konfirmoi një zyrtar i lartë perëndimor i cituar në mënyrë anonime nga gazeta./  a.jor.

The post BM – ”The Telegraph”: Zelensky i gatshëm të lëshojë territor në këmbim të paqes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

GREQI – Zjarri i përhapur nga erërat nxit evakuime në perëndim të vendit

12 August 2025 at 16:15

ZAKYNTHOS (Greqi), 12 gusht /ATSH/ – Me disa zjarre që po digjen sot në të gjithë Greqinë, zjarrfikësit u përqendruan në tre zjarret më të mëdha në ishujt Zakynthos dhe Kefalonia, dhe në zonën më të gjerë të Vonitsas, në Greqinë perëndimore, sipas ekathimerini.com.

Në Zakynthos, zjarri po përhapet midis fshatrave Lithakia, Agala dhe Kiliomenos.

Autoritetet kanë vendosur të gjithë forcën zjarrfikëse të ishullit, të përbërë nga 60 zjarrfikës me 17 automjete zjarrfikëse, dy ekipe tokësore dhe dy të ashtuquajtur bombardues uji.

Një alarm i paralajmëroi banorët e Agalës të evakuoheshin në Keri.

”Skai News” raportoi se të paktën një hotel në zonën e Apelatit, pak para Kerit, u evakuua, si masë paraprake.

”Në Kefalonia, zjarri shpërtheu pak pas orës 03:00 në zonën e Faraklatës së ishullit, por aktualisht është larg zonave të banuara”, tha presidenti i bashkisë, Evangelos Marinakis, për transmetuesin shtetëror ERT.

Flakët po djegin bimësi të ulët dhe operacionet ajrore që kryejnë hedhje uji filluan në agim.

Një mesazh emergjence nëpërmjet sistemit 112 u udhëzoi banorëve të Faraklatës, Dilinës dhe Davgatës të evakuoheshin drejt Myrtos dhe të ndiqnin udhëzimet nga autoritetet lokale.

Një zjarr i tretë shpërtheu në një zonë pyjore në zonën Paliambela të Vonitës, i nxitur nga erërat e forta.

Banorëve të Varkos iu tha të përgatiteshin për t’u evakuuar drejt Paliambelës, pasi 85 zjarrfikës me 27 automjete zjarrfikëse, tre ekipe tokësore të EMODE të 5-të, nëntë avionë dhe një helikopter po vepronin në zonë.

Kryetari i bashkisë, Athanasios Kasolas, i tha radios ERT se kishte marrë raporte se një shtëpi ishte djegur tashmë.

Zjarre të tjera po digjeshin në Fokidë, Arta, Prevezë dhe Thesproti./  a.jor.

The post GREQI – Zjarri i përhapur nga erërat nxit evakuime në perëndim të vendit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

KOMENT – Nga Gadishulli Iberik deri në Ballkan, zjarret djegin gjithë Evropën

12 August 2025 at 07:34

MADRID, 12 gusht /ATSH-AFP/ – Gadishulli Iberik dhe vendet e Ballkanit po luftojnë me shumë zjarre, në mes të një vale të nxehti, që kanë shkatërruar tashmë një pjesë të zonës  turistike spanjolle të Las Medulas, një vend i trashëgimisë botërore të UNESCO-s.

Vala e të nxehtit që po përshkon Evropën ka bërë që institutet meteorologjike në Francë, Itali dhe deri në Shqipëri të lëshojnë alarme për valë të nxehti.

Në Francë, qyteti i Bordosë theu sot rekordin e të nxehtit me 41,6°C.

”Këto temperatura të larta, të cilat po fillojnë të mbërrijnë Mbretërinë e Bashkuar, janë çuditërisht të forta krahasuar me të dhënat historike. Megjithatë, valët e të nxehtit më të përhapura, më të gjata dhe më të shpeshta janë një pasojë e parashikueshme e rritjes së përqendrimeve të gazrave serrë në atmosferë, kryesisht për shkak të përdorimit tonë të lëndëve djegëse fosile”, shpjegon Richard Allan, një profesor në Universitetin e Readingut në Mbretërinë e Bashkuar.

“Intensiteti i valëve të të nxehtit të verës, si dhe kushtet ekstreme të motit, qofshin të thata apo të lagështa, do të vazhdojnë të përkeqësohen në mënyrë progresive derisa të kontrollojmë emetimet e gazrave serrë dhe të stabilizojmë ngrohjen globale”, shtoi ai, duke theksuar nevojën për t’u “përgatitur për një botë më të rrezikshme”.

Ministria italiane e Shëndetësisë lëshoi një alarm të kuq të hënën për shtatë qytete të mëdha, përfshirë Bolonjën dhe Firencen, pasi temperaturat pritet të rriten më tej në ditët në vijim. Njëmbëdhjetë qytete janë në alarm të kuq për të martën dhe 16 për të mërkurën.

Rreth 190 zjarrfikës dhe ushtria vazhdojnë të luftojnë një zjarr që ka shpërthyer që nga e shtuna në parkun përreth malit Vezuv, i cili është i mbyllur për turistët.

Një djalë katërvjeçar rumun vdiq nga goditja nga nxehtësia, disa ditë pasi u gjet pa ndjenja në makinën e familjes në Sardenjë.

Në Spanjë, vala e të nxehtit njëjavor, me temperatura që i afrohen 40°C, pritet të vazhdojë deri të dielën, sipas agjencisë lokale meteorologjike, dhe po shkakton zjarre të shumta.

”Rajoni i Castile dhe Leon, ku ndodhet Las Medulas, një ish-minierë ari romake e listuar nga UNESCO në vitin 1997, ka regjistruar 13 zjarre në vetëm tre ditë”, tha për shtypin Juan Carlos Suarez-Quinones, këshilltar mjedisor për këtë rajon veriperëndimor, duke theksuar se shumë prej tyre janë të qëllimshme.

– Trashëgimia –

Erërat po e bëjnë “shumë të vështirë” shuarjen e zjarrit, i cili po i shndërron pemët shekullore që mbulojnë vendin e Las Medulas në hi, dhe që ka shkaktuar katër lëndime të lehta, sipas të njëjtit burim.

“Do të duhen vite që peizazhi të rikuperohet”, u ankua Alfonso Fernandez, kryebashkiak i Carucedo, një qytet aty pranë, në një intervistë me radion ”Cadena Ser”.

Një zjarr tjetër pranë qytetit turistik të Tarifës në Spanjën jugore, i cili ishte nën kontroll të premten, është ndezur përsëri, duke detyruar evakuimin e 2 000 njerëzve, disa nga hotelet ose plazhet.

Portugalia fqinje po lufton me tre zjarre të mëdha të hënën. Më shqetësuesja ndodhet në Trancoso, në qendër, dhe ende po mobilizon më shumë se 650 zjarrfikës.

”Kjo shkaktoi gjashtë lëndime të lehta, përfshirë tre zjarrfikës”, sipas një raporti të Mbrojtjes Civile të cituar nga agjencia e lajmeve Lusa, e cila megjithatë vëren se situata po përmirësohet.

Në Francë, 20 departamente, kryesisht në perëndim dhe jug, u klasifikuan si në rrezik të lartë për zjarre nga Meteo-France të hënën, një ditë pasi zjarri masiv që përfshiu 16 000 hektarë në departamentin Aude u vu nën kontroll.

Në Turqi, më shumë se 2 000 njerëz u detyruan të evakuoheshin të hënën në provincën veriperëndimore të Çanakkalesë, ku një zjarr i dhunshëm shkatërroi shtëpitë dhe intoksikoi dhjetëra banorë.

– Ballkani po mbinxehet –

Një alarm i kuq për valën e nxehtësisë është gjithashtu në fuqi në disa rajone të Ballkanit Perëndimor, me temperatura që arrijnë 41°C në disa vende, në Bosnjën jugore, Malin e Zi dhe Shqipëri.

”Në Shqipëri, afërsisht 800 ushtarë u vendosën për të ndihmuar zjarrfikësit, ndërsa 14 zjarre ende digjen të hënën”, njoftoi Ministria e Mbrojtjes.

”Ata po ndihmohen nga shtatë helikopterë dhe bombardues uji nga EBA, Republika Çeke, Sllovakia, Kroacia dhe Greqia”, tha ai.

”Në këtë vend, gati 34 000 hektarë janë djegur që nga korriku në zjarre pothuajse të përditshme”, sipas Sistemit Evropian të Informacionit për Zjarret në Pyje (EFFIS).

Policia evakuoi turistët të hënën—500 sipas medieve lokale—nga zona natyrore e mbrojtur ”Syri i Kaltër”, një burim uji i njohur turistik rreth 20 kilometra pranë Sarandës, një vendpushim bregdetar në jug të vendit.

Në Malin e Zi fqinj, ushtria ndërhyri gjithashtu për të mbështetur zjarrfikësit në një zjarr të madh të nxitur nga erërat e forta që shpërthyen të hënën në veri të Podgoricës, kryeqytetit, duke detyruar disa familje të largoheshin nga shtëpitë e tyre, raportoi televizioni kombëtar RTCG.

Në Kroaci, një zjarr pyjor shkatërroi afërsisht 300 hektarë në rajonin e Jesenicës, pranë portit të Splitit, në jug./  a.jor.

The post KOMENT – Nga Gadishulli Iberik deri në Ballkan, zjarret djegin gjithë Evropën appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

AXHENDA NDËRKOMBËTARE 12/8/2025

12 August 2025 at 07:33

ARMENI – Manovra të përbashkëta ushtarake midis Shteteve të Bashkuara dhe Armenisë.

TOKIO (Japoni) – 40-vjetori i rrëzimit të fluturimit ”123” të JAL, aksidenti ajror më vdekjeprurës në histori me 520 të vdekur.

VJENË (Austri) – Publikimi i raportit mujor të OPEC-ut.

OKB – Mbledhja e Këshillit të Sigurimit për Jemenin.

UASHINGTON (Shtetet e Bashkuara) – Raporti WASDE i Departamentit të Bujqësisë të SHBA-së mbi Prodhimin, Eksportet dhe Stoqet Botërore.

GUATEMALA (Guatemala) – Seanca e fundit dëgjimore në gjyqin për vdekjen e 41 vajzave në një zjarr në një strehë për të mitur në vitin 2017.

RIO DE ZHANEIRO (Brazil) – Java e Inovacionit./ a.jor.

The post AXHENDA NDËRKOMBËTARE 12/8/2025 appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌