Tre opsionet e Real Madridit për ta zëvendësuar Ceballos në rast largimi
Real Madrid po përballet me një lëvizje të mundshme të papritur në ditët e fundit të afatit kalimtar.
Largimi i mundshëm i Dani Ceballos ka bërë që trajneri Xabi Alonso dhe drejtuesit e klubit të nisin punën për të gjetur një zëvendësues të tij në momentet e fundit të afatit kalimtar.
Ceballos është i interesuar të largohet nga Real Madrid për një rol më të madh në fushë, dhe aktualisht ka arritur një marrëveshje personale me Olympique Marseille, megjithatë “Los Blancos” ende nuk kanë dhënë miratimin për largimin e tij.
Alonso ka kërkuar që klubi të sigurojë një zëvendësim nëse Ceballos largohet.
Sipas Diario AS, lojtari që pëlqehet më shumë nga Real Madrid për të zëvendësuar Ceballos është mesfushori i Crystal Palace, Adam Wharton.
Pengesa kryesore është çmimi i tij, klubi anglez kërkon minimalisht 80 milionë euro për të, një shumë që mbetet jashtë mundësive të Real Madridit edhe nëse Ceballos shitet për 15 milionë euro.
Një alternativë më e përballueshme është talenti holandez Kees Smit i AZ Alkmaar, i cili ka shkëlqyer me përfaqësuesen U19 të Holandës në Euro 2024, ku fitoi edhe finalen ndaj Spanjës.
Ai vlerësohet rreth 25-30 milionë euro dhe është nën vëzhgim të rregullt nga skautët e Real Madridit.
Nëse nuk vjen asnjë përforcim, atëherë Alonso mund të mbështetet te produkti i akademisë Thiago Pitarch.
18-vjeçari e ka rinovuar së fundmi kontratën dhe ka lënë përshtypje pozitive gjatë përgatitjeve parasezonale. Ai është përfshirë në skuadrën e parë për dy ndeshjet e para të kampionatit./Telegrafi/
The post Tre opsionet e Real Madridit për ta zëvendësuar Ceballos në rast largimi appeared first on Telegrafi.