Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Arrestohet pronari i një servisi në Astir, dyshohet se mashtroi klientët dhe tentoi të shiste automjetet e tyre

Tiranë – Policia e Tiranës ka arrestuar pronarin e një servisi automjetesh në zonën e Astirit, i dyshuar për mashtrim ndaj klientëve. Operacioni i koduar “Skema”, i finalizuar nga specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Nr. 6, dokumentoi deri tani 6 raste të kësaj veprimtarie kriminale.

Sipas Policisë, i arrestuari, shtetasi M. H., 37 vjeç, dyshohet se merrte pagesat për riparimin e automjeteve, por nuk kryente shërbimet e premtuara. Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se në disa raste ai ka tentuar të shesë automjetet që klientët i kishin lënë në servis për riparim.

Gjatë kontrollit në ambientet e subjektit, policia sekuestroi pesë automjete, të cilat iu lanë në ruajtje pronarëve të tyre.

Operacioni u zhvillua pas kallëzimeve të disa qytetarëve, të cilët denoncuan se automjetet e tyre nuk ishin riparuar, pavarësisht se kishin kryer pagesat përkatëse.

Policia bën me dije se hetimet vijojnë për të dokumentuar raste të tjera të mundshme mashtrimi që mund të jenë kryer nga 37-vjeçari.

Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë së Tiranës për veprime të mëtejshme.

VIDEO/ Shpërthim i fuqishëm në një fabrikë në Britani

Një shpërthim i fuqishëm tronditi Qarkun Essex në Britaninë e Madhe pasditen e së premtes, pasi një zjarr i madh shpërtheu në një fabrikë industriale në Southend Road, mes zonave East Hanningfield dhe Rettendon.

Mbi 100 zjarrfikës janë angazhuar në operacionin për shuarjen e flakëve, ndërsa re të dendura tymi të zi kanë mbuluar zonën dhe janë të dukshme nga kilometra larg.

Sipas banorëve, pak para orës 18:00 me orën lokale u dëgjuan disa shpërthime të forta, ndërsa shërbimet e emergjencës e kanë cilësuar ngjarjen si një “incident serioz”. Dëshmitarët thanë se zhurma e shpërthimit u dëgjua deri në rreth 24 kilometra larg, me disa prej tyre që fillimisht menduan se bëhej fjalë për një bum zanor.

Një banor raportoi në rrjetet sociale se vala e goditjes shkaktoi dëme edhe në banesën e një të afërmi.

Pamjet ajrore nga vendngjarja tregojnë disa ndërtesa industriale dhe automjete të përfshira nga flakët, ndërsa dhjetëra mjete zjarrfikëse dhe ambulanca vijojnë të operojnë në zonë.

Deri më tani nuk ka informacion zyrtar për viktima apo të lënduar, ndërsa autoritetet po hetojnë shkaqet e shpërthimit.

ONGOING FIRE IN INDUSTRIAL COMPLEX, RETTENDON ESSEX #fire #essex #essexfire #live pic.twitter.com/JJaCi4CqHk

— TMCNJ (@C_Neale_) July 24, 2026

SHBA godet një cisternë iraniane/ U neutralizua pasi tentoi të thyente bllokadën

Forcat amerikane kanë “neutralizuar” një cisternë nafte që, sipas Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM), u përpoq disa herë të thyente bllokadën detare ndaj Iranit në Gjirin e Omanit.

Zëdhënësi i CENTCOM, Tim Hawkins, tha për Associated Press se cisterna M/T Lavine u neutralizua pasi tentoi të shkelte bllokadën të paktën katër herë.

“Ekuipazhi u paralajmërua vazhdimisht, ata nuk iu bindën urdhrit dhe forcat amerikane neutralizuan anijen, duke goditur dhomën e motorit të saj”, deklaroi Hawkins.

Ai nuk konfirmoi raportimet e mediave iraniane, sipas të cilave dy persona humbën jetën gjatë sulmit.

Ngjarja vjen në një kohë tensionesh të larta në Gjirin e Omanit dhe rajonin e Lindjes së Mesme, ku incidentet detare mes SHBA-së dhe Iranit vazhdojnë të rrisin shqetësimet për sigurinë e lundrimit dhe stabilitetin rajonal.

VIDEO/ Zjarret pranë Madridit godasin objektet e NASA-s, evakuohet stacioni i komunikimit hapësinor

Objektet e NASA-s pranë Madridit janë prekur nga zjarret që kanë përfshirë periferitë e kryeqytetit spanjoll, duke detyruar evakuimin e stafit si masë sigurie.

Një zëdhënës i agjencisë amerikane konfirmoi për AFP se flakët “kaluan përmes” Kompleksit të Komunikimeve Hapësinore të Madridit (MDSCC), një qendër strategjike që luan rol kyç në komunikimin me misionet që eksplorojnë hapësirën e thellë.

Sipas NASA-s, evakuimi i objektit u krye në kohë dhe nuk raportohet për persona të lënduar. Agjencia bëri të ditur se dëmet e mundshme do të vlerësohen sapo kushtet e sigurisë ta lejojnë.

Autoritetet spanjolle dhe ekipet e emergjencës vijojnë përpjekjet për të vënë nën kontroll zjarret, të cilat kanë përfshirë disa zona në periferi të Madridit dhe kanë shkaktuar shqetësime për infrastrukturën kritike.

 

The wildfires are menacing the Madrid Deep Space Communications Complex (MDSCC), @NASA’s only facility in Spain and one of only three ground stations in the Deep Space Network (DSN) that the U.S. agency operates around the world, along with those in Goldstone (California) and… pic.twitter.com/BaMrDLVazc

— Pablo Fuente (@PabloFuente) July 24, 2026

VIDEO/ Zjarret jashtë kontrollit, evakuohen shtatë komuna në Francën jugperëndimore

Zjarret masive që kanë përfshirë rajonin Gironde në Francën jugperëndimore vijojnë të përhapen me shpejtësi, duke detyruar autoritetet të urdhërojnë evakuimin paraprak të banorëve në shtatë komuna pranë zonës metropolitane të Bordeaux.

Sipas prefekturës, urdhri i evakuimit prek komunat Saint-Médard-en-Jalles, Le Haillan, Saint-Jean-d’Illac, Martignas-sur-Jalle dhe Saint-Aubin-de-Médoc, si dhe pjesërisht komunat Mérignac dhe Eysines.

Flakët, të cilat kanë shpërthyer që nga e mërkura, kanë djegur rreth 190 mijë hektarë tokë dhe kanë shkatërruar afro 100 ndërtesa gjatë tre ditëve të fundit, duke shkaktuar një situatë kritike në rajon.

Presidenti francez Emmanuel Macron ka kërkuar që ushtria të ofrojë “ndihmë maksimale” për shërbimet e Mbrojtjes Civile, ndërsa autoritetet po përballen me fronte zjarri që i kanë cilësuar si me “përmasa të papara”.

Forcat zjarrfikëse dhe ekipet e emergjencës vijojnë operacionet për vënien nën kontroll të flakëve, ndërsa banorëve u është bërë thirrje të ndjekin udhëzimet e autoriteteve dhe të shmangin zonat e rrezikuara.

🔴🔥🇫🇷 𝗙𝗟𝗔𝗦𝗛 𝗜𝗡𝗙𝗢 — Aux terribles incendies en Gironde et dans les Landes s’ajoute le drame animalier.

De nombreux animaux ont déjà péri dans les flammes. D’autres, comme le montrent ces vidéos, sont contraints de fuir leur habitat naturel. pic.twitter.com/BjeCSE6fne

— Bastion (@BastionMediaFR) July 24, 2026

Rama publikon pamjet nga restaurimi i ujësjellësit historik të Vranishtit: Vepër e trashëgimisë kulturore dhe inxhinierike

Kryeministri Edi Rama ka ndarë në Facebook pamje nga Ujësjellësi Historik i Vranishtit, në Bashkinë Himarë, ku po vijojnë punimet restauruese për ruajtjen e një prej monumenteve më të rëndësishme të trashëgimisë kulturore dhe inxhinierike të vendit.

Në postimin e tij, Rama thekson rëndësinë e restaurimit të kësaj vepre historike, duke e cilësuar atë si një nga pasuritë më të vyera të trashëgimisë shqiptare.

“Dhe me këto pamje nga Ujësjellësi Historik i Vranishtit, në Bashkinë Himarë, ku po vijojnë punimet restauruese për të ruajtur një nga veprat më të vyera të trashëgimisë sonë kulturore dhe inxhinierike, ju uroj një fundjavë të mbarë”, shkruan kryeministri Rama në Facebook.

Punimet synojnë restaurimin dhe konservimin e këtij objekti me vlera historike, duke kontribuar në ruajtjen e identitetit kulturor dhe promovimin e trashëgimisë së zonës.

Imunoterapia rinovon mushkëritë dhe eliminon qelizat e plakura

Një ekip shkencëtarësh i udhëhequr nga studiuesi spanjoll David Lagares në Universitetin e Harvardit ka zbuluar një qasje të re premtuese që mund të ndihmojë në rinovimin e mushkërive dhe trajtimin e sëmundjeve të lidhura me plakjen qelizore, veçanërisht fibrozën pulmonare, sipas “El Pais”.

Studimi është publikuar në revistën shkencore “Science Translational Medicine”.

Plakja e organizmit shoqërohet me grumbullimin e qelizave të plakura (seneshente), të cilat nuk vdesin siç duhet dhe vazhdojnë të prodhojnë substanca që nxisin inflamacion kronik dhe dëmtimin e indeve. Këto qeliza konsiderohen një nga faktorët kryesorë të plakjes biologjike dhe të shumë sëmundjeve kronike.

Shkencëtarët u përqendruan te paaftësia e sistemit imunitar për të larguar këto qeliza nga mushkëritë e njerëzve të moshuar. Ata përdorën një formë imunoterapie që “riedukon” qelizat Natural Killer (NK), të cilat normalisht identifikojnë dhe shkatërrojnë qelizat e dëmtuara ose të plakura.

Në eksperimentet me minj, një ilaç eksperimental i quajtur monalizumab riktheu aftësinë e qelizave NK për të eliminuar qelizat e plakura. Si rezultat, fibroza pulmonare u përmirësua pjesërisht dhe mushkëritë rifituan një pjesë të funksionit të tyre normal. Edhe në mostrat qelizore të marra nga pacientë me fibrozë pulmonare, ilaçi arriti të eliminonte qelizat problematike.

Sipas David Lagares, mekanizmi që pengon sistemin imunitar të largojë qelizat e plakura mund të jetë i njëjtë edhe në organe të tjera. Nëse kjo konfirmohet, monalizumab mund të shndërrohet në një platformë të re terapeutike kundër plakjes patologjike të indeve dhe jo vetëm në një trajtim për fibrozën pulmonare.

Studiuesit besojnë se kjo strategji mund të ketë vlerë edhe për sëmundje të tjera ku grumbullohen qelizat seneshente, si artriti reumatoid, skleroderma me fibrozë pulmonare, fibroza pas COVID-19, sëmundja pulmonare obstruktive kronike (COPD) dhe fibroza e shkaktuar nga radioterapia te pacientët me kancer.

Monalizumab është një antitrup i zhvilluar nga kompanitë farmaceutike Innate Pharma dhe AstraZeneca. Aktualisht ai po testohet në prova klinike për disa lloje kanceri. Ilaçi vepron duke hequr “frenën” që pengon sistemin imunitar të sulmojë qelizat e dëmshme, një mekanizëm i ngjashëm me atë të frenuesve të PD-1 që përdoren në imunoterapinë e kancerit.

Ekspertët e pavarur e kanë vlerësuar studimin si një hap shumë të rëndësishëm. Biologia Pura Munoz, nga Altos Labs, thekson se ilaçet aktuale për fibrozën pulmonare vetëm ngadalësojnë përparimin e sëmundjes, ndërsa ky studim është i pari që tregon një kthim mbrapa të fibrozës në modele eksperimentale. Sipas saj, aktivizimi i sistemit imunitar mund të krijojë mundësinë që fibroza të hyjë në remision.

Parashikimi i motit/ Diell dhe erë përgjatë bregdetit

Vendi ynë ditën e shtunë do të ndikohet nga kushte atmosferike të qëndrueshme.

Moti parashikohet i kthjellët në të gjithë territorin por nuk do të mungojnë dhe vranësira të pakta kalimtare kryesisht përgjatë relieveve malore në orët e mesditës.

Era do të fryjë me drejtim kryesor nga kuadrati i veriut me shpejtësi 8m/s, ndërsa përgjatë vijës bregdetare e kryesisht atë jugperëndimore dhe zonave luginore  era pritet të fitojë shpejtësi deri 16m/s, shoqëruar me valëzim në dete të forcës 2-4ballë.

Trump: SHBA po zhvillon bisedime me Iranin, pavarësisht sulmeve

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump deklaroi se Shtetet e Bashkuara të Amerikës po vazhdojnë të mbajnë kontakte me Iranin, edhe pse gjatë natës forcat amerikane kryen sulme të reja ndaj vendit.

“Ndërsa po flasim, ne jemi në bisedime me ta”, tha Trump në Shtëpinë e Bardhë, duke iu përgjigjur pyetjeve të gazetarëve.

Presidenti amerikan nuk sqaroi nëse kontaktet me Teheranin po zhvillohen drejtpërdrejt apo përmes ndërmjetësve.

Më vonë ai tha se në këto bisedime janë të përfshirë edhe zëvendëspresidenti JD Vance dhe sekretari i Shtetit Marco Rubio, duke shtuar se SHBA-ja po komunikon me persona të ndryshëm.

Ndërkohë, konflikti është përshkallëzuar sërish pas sulmeve të reja ajrore.

SHBA-ja dhe Izraeli nisën sulme ajrore ndaj Iranit më 28 shkurt.

Në mesin e qershorit, Uashingtoni dhe Teherani ranë dakord për një marrëveshje kuadër, e cila synonte të hapte rrugën drejt përfundimit të luftës përmes negociatave më të thelluara.

Mes palëve ka qenë gjithashtu në fuqi një armëpushim që nga prilli, por Trump së fundmi deklaroi se ai kishte marrë fund pas shkeljeve të shumta.

Horoskopi, zbuloni parashikimin e yjeve për shenjën tuaj

Dashi

Ditë e mirë kjo e sotmja për ata që janë në një lidhje. Do dini si të veproni edhe në situatat më delikate. Beqarët do kërkojnë në çdo vend princin e tyre të kaltër, por me shumë gjasë nuk do e gjejnë dot. Gjendja e financave do jetë shumë e mirë. Do ndiheni gati edhe për të kryer investime afatgjata, të cilat do jua ndryshojnë të ardhmen.

Demi

Do jeni gjithë kohës të motivuar gjatë kësaj dite dhe do mundoheni në çdo moment ta surprizoni atë që keni në krah. Beqarët do mbeten ashtu si janë edhe për disa kohë. Personat që do ju gjenden rreth e rrotull nuk janë më të përshtatshmit. Financat do jenë shumë më të mira se disa ditë më parë dhe kjo falë ndihmës së pakushtëzuar që do jua japin miqtë e ngushtë.

Binjakët

Kënaqësi të njëpasnjëshme do përjetoni sot ju që jeni në një lidhje. Do i shtoni edhe momentet intime dhe kënaqësitë do jenë të pafundme. Beqarët do jenë gjithë kohës nën tension dhe nuk do mund të realizojnë dot takime. Financat do kenë disa përmirësime të vogla dhe kjo falë përkujdesit dhe masave strikte që keni marrë kohët e fundit.

Gaforrja

Priten plot çaste të këndshme sot në jetën tuaj në çift. Do e keni më të lehtë të komunikoni lirshëm me atë që keni në krah dhe do argëtoheni pa fund. Beqarët duhet të dalin me personat që do i ftojnë, por kurrsesi nuk duhet të hedhin hapa të nxituar. Gjendja e financave do përmirësohet atëherë kur ju të hiqni dorë nga shpenzimet marramendëse. Sa më shpejt të ndodhë kjo, aq më mirë.

Luani

Ditë goxha e qëndrueshme dhe e begatë kjo e sotmja për të dashuruarit. Do ndiheni mirë pranë partnerit dhe do mendoni t’i çoni gjërat më tej. Beqarët do ndihen mirë edhe ashtu si janë, prandaj nuk do kërkojnë me ngulm të ndryshojnë statusin. Në planin financiar do keni vështirësi pa fund. Asgjë nuk ka për të ecur ashtu si ju do e kishit dëshiruar.

Virgjëresha

Ditë paksa e vështirë kjo e sotmja për të dashuruarit. Do ju kujtohen disa probleme të së kaluarës dhe do konfliktoheni sërish me partnerin. Beqarët rrezikojnë të jenë impulsivë dhe nuk do presin shumë për t’u hedhur në krahët e dikujt. Kujdes, sepse gjërat nuk janë gjithmonë ashtu si duken. Me financat do jeni shumë më të organizuar dhe çdo gjë do ecë më së miri.

Peshorja

Jeta profesionale dhe ajo sociale ka mundësi të mos ju lënë hapësirë të lirë për ta kaluar me partnerin gjatë kësaj dite dhe kjo do ju mërzitë disi. Gjithsesi, ai do tregohet tolerant dhe i kuptueshëm. Beqarët duhet të pranojnë të gjitha ftesat, por jo të nxitohen. Në planin financiar mos i dëgjoni shumë këshillat e miqve, sepse do gaboni rëndë dhe nuk do ketë kthim mbrapa.

Akrepi

Në dashuri do tregoheni më autoritarë se kurrë më parë sot ju të dashuruarit. Kjo do e acarojë tej mase partnerin dhe në disa momente debatet do jenë të zjarrta. Beqarët do ndërmarrin më shumë rreziqe sesa duhet për ta bërë për vete personin që pëlqejnë. Në planin financiar nuk ka asgjë për çfarë të shqetësoheni. Duke u kujdesur gjithmonë, gjendja do mbetet e mirë.

Shigjetari

Do keni një bashkëpunim të fortë me partnerin tuaj gjatë kësaj dite. Ai do ju kuptojë më së miri dhe do mundohet sa të mundet t’jua plotësojë dëshirat e zjarrta. Beqarët nuk duhet të hedhin hapa të pamenduar mirë, sepse përndryshe situata mund t’iu dalë jashtë kontrollit. Në planin financiar do merrni masa strikte dhe do ia arrini ta stabilizoni situatën.

Bricjapi

Saturni do e stabilizojë sot jetën tuaj në çift. Do i shihni gjërat me një sy tjetër dhe do merrni edhe vendime me rëndësi për të ardhmen. Çdo gjë do ecë më së miri. Beqarët do përjetojnë emocione të forta falë disa takimeve impresionuese që do realizojnë në momentet kur do jenë të pashoqëruar nga miqtë. Financat do jenë të dobëta për shkak të një shpenzimi të nevojshëm që do ju duhet të kryeni.

Ujori

Sot do e lini paksa pas dore jetën tuaj sentimentale, duke qenë se familja do ketë nevojë për mbështetje. Bëni mirë të flisni me partnerin për çdo gjë, në mënyrë që ai të mos mendojë gjëra të paqena. Beqarët do ja kalojnë mirë dhe nuk do kenë nevojë për të bërë ndryshime të statusit. Financat do jenë shumë më të begata se disa kohë më parë.

Peshqit

Do ketë ndodhi të papritura sot në jetën tuaj në çift, por që do ju bëjnë mjaft mirë. Partneri do dijë si t’ju bëjë të ndiheni të vlerësuar dhe të dëshiruar. Beqarët do jenë me më shumë fat se më parë dhe do mund të takojnë persona me vlera. Merrni kohën e duhur për t’i njohur në çdo aspekt e më pas hidhni hapa. Në planin financiar do jeni të përgjegjshëm dhe gjendja do mbetet e qëndrueshme.

Rrufeja godet tufën me bagëti në Pogradec

Një tufë bagëtish është goditur nga rrufeja mesditën e kësaj të premteje në fshatin Derdush, njësia administrative Dardhas, në Bashkinë Pogradec.

Sipas të dhënave paraprake, si pasojë e goditjes nga rrufeja kanë ngordhur rreth 10 krerë bagëti të imta. Tufa, e përbërë nga rreth 190 dele dhe dhi, është në pronësi të shtetases Tatjana Biçoku.

Në vendngjarje janë nisur shërbimet veterinare, të cilat po kryejnë vlerësimin e gjendjes së bagëtive të mbijetuara dhe po marrin masat e nevojshme për trajtimin e tyre.

Autoritetet bëjnë me dije se, për shkak të mungesës së sinjalit telefonik në zonën malore, komunikimi me barinjtë dhe pronaren e tufës ka qenë i vështirë, duke penguar marrjen e menjëhershme të informacionit.

Serbia, në zgjedhje të parakohshme/ Vuçiç shpall datën e votimit, vendi prej një viti në protesta

Zgjedhjet e parakohshme parlamentare në Serbi do të mbahen në muajin tetor ose në fillim të nëntorit, dhe ato do të jenë të ndara nga zgjedhjet presidenciale.

Në një konferencë për shtyp me kryeministrin e Republikës Çeke, Andrej Babiš, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç tha se do ta mbaj fjalën e dhënë qytetarëve.

“Vitin e kaluar ju thashë se zgjedhjet e parakohshme parlamentare do të mbaheshin deri në fund të vitit 2026 dhe po e mbaj fjalën time ndaj popullit serb për t’u dhënë qytetarëve mundësinë për të shprehur vullnetin e tyre të lirë. Pra, para fundit të vitit, me siguri do të kemi zgjedhje parlamentare dhe pak më vonë do të zhvillohen edhe zgjedhjet presidenciale”, ka thënë Vuçiç.

Në fund të muajit qershor, Vuçiç u tha përkrahësve të partisë së tij se do të jepte dorëheqjen nga posti i kreut të shtetit për të kandiduar si kryeministër në zgjedhjet e parakohshme parlamentare.

Synimi i Vuçiç është që të sigurojë një mandat të ri qeverisës për partinë e tij, ndërsa vendi është në protesta prej më shumë se një viti.

Ato nisën në vitin 2024, pas shembjes së strehës së stacionit hekurudhor të Novi Sadit, ku humbën jetën 16 persona. Tragjedia nxiti një pakënaqësi të madhe popullore, me akuza për korrupsion, mungesë transparence dhe dobësim të shtetit të së drejtës.

Ndërsa këtë të premte, kryeparlamentarja Ana Bërnabiç tha se të hënën  e 27 korrikut do të përcaktohet seanca e jashtëzakonshme për votëbesimin e qeverisë. Ndryshe parlamenti shpërndahet dhe vendi shkon drejt kutive të votimit.

Prenga në duelin e jetës/ Boksieri shqiptar këtë të shtunë përballë anglezit Joshua

Është pikërisht në skenën më të madhe.

Kristian Prenga është boksieri i dytë më i mirë shqiptar në renditjen zyrtare botërore, veçse do të jetë pikërisht ai që do të luajë sfidën më të madhe në historinë e dorezave kuqezi.

Siç u prezantua në Arenën e Xhedës në Arabinë Saudite, luftëtari 35-vjeçar I lindur në Orosh të Mirditës do të jetë këtë të shtunë përballë ish-kampionit të botës, Entoni Xhoshua.

Edhe pse anglezi nuk është më në kulmin e karrierës, pasi u mund dy herë nga kampioni aktual Usik, sërish ai është emri më I shquar që një shqiptar ka pasur ndonjëherë përballë.

Prenga nuk është favorit, e nuk mund të ndodhte ndryshe, por nga 21 ndeshje si profesionist ka fituar 20, që të gjitha me KO.

Për Xhoshuan 36-vjeçar ky është një rikthim në peshat e rënda të boksit profesionist, pasi për herë të fundit doli në ring në një ndeshje zyrtare në shtator 2024, duke humbur befasisht ndaj patriotit të tij, Daniel Dybua.

Më pas, pati një duel spektakli ndaj jutjuberit amerikan, Xhek Pol, duke fituar lehtë, por ajo nuk ishte një ndeshje.

Ai ka qenë dy herë kampion I botës në peshat e rënda, dhe kampion olimpik si amator.

Si e pret shqiptari që jeton në Amerikë këtë duel?

Ai e tha këtë në shqip në një nga përgjigjet gjatë konferencës për shtyp.

Sink Prenga

Në fund të konferencës, dy boksierët u vendosën përballë, e u panë sy më sy, sipas traditës.

Xhoshua është numri 7 në renditjen e përgjithshme botërore, ndërsa Prenga mban numrin 35, I kaluar ndër shqiptarët vetëm nga Nelson Hysa që është I 19-ti.

Dueli mes tyre pritet rreth orës 23:00 të kësaj të shtune.

Klopp, trajneri i ri i Gjermanisë/ Tekniku i shquar prezantohet nga 4 herë kampionët e botës

Ishte një sekret që e dinin të gjithë.

Gjithsesi, duhej pritur derisa të bëhej zyrtarizimi dhe prezantimi, e ja ku e kemi Jurgen Klopin si trajnerin e ri të Gjermanisë.

Tekniku I shquar 59-vjeçar ishte përpara gazetarëve në selinë e Federatës Gjermane të Futbollit në Frankfurt, duke nisur aventurën e tij të re.

Njeriu I stolit, që krijoi stilin e futbollit të njohur si “heavy metal”, u bë trajneri I 13-të I “teutonëve” dhe mori frenat në duar pas largimit të parardhësit të tij, Julian Nagelsman.

Kontrata do të jetë 4-vjeçare dhe impenjimi do të nise me ndeshjet e Ligës së Kombeve, për të vazhduar me tej me Kampionatin Europian, e me shpresë edhe në Kupën e ardhshme të Botës në 2030.

Gjithsesi, 59-vjeçari paralajmëroi gazetarët se do të largohet nga detyra nëse familja e tij do të shqetësohet.

Shpresat janë të mëdha pasi Klop ka shkëlqyer si profesionist tek Dortmundi në Gjemani dhe tek Liverpuli në Angli, duke fituar disa tituj kampion, duke fituar Championsin, duke arritur finalen e Championsit, e duke marrë trofe të tjerë.

Kryesorja, ai I pati lojtarët me vete, dhe futbolli I tij ishte sulmues.

Gjermania duhet të reagojë pas dështimit në Kupën e Botës në Amerikën e Veriut.

Katër herë kampionët e botës u eliminuan në raundin e dytë, të mundur me penallti nga Paraguaji, dhe prej 12 vitesh nuk po njohin suksese në botërorë.

Malisheva habit Europën/ Skuadra nga Kosova arrin tjetër fitore në Ligën e Konferencës

E tregoi veten që në turin e parë.

Malisheva është tashmë një realitet I futbollit jo vetëm në Kosovë, por edhe në Europë, dhe tani është shumë pranë kualifikimit për në raundin e tretë të Ligës së Konferencës.

Edhe pse klubi është themeluar vetëm në 2016, pra 10 vjet më parë, sërish kjo nuk I pengoi aspak djemtë e trajnerit Tomas Brdariç që të shkëlqenin.

Ish-trajneri i Vllaznisë ishte në stol në fitoren 2-0 ndaj Hibernianit të Skocisë, ndeshje e luajtur në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë, sepse impianti “Liman Gegaj” në Malishevë nuk I plotëson standardet e kërkuara nga UEFA.

Fitorja e madhe për një ekip të tillë u arrit me golat e shënuar nga Kreshnik Uka në 21’ dhe Valmir Nafiu fare në fund, në minutën e 90-të.

Një raund më parë, Malisheva eliminoi pikërisht Vllazninë duke e mundur 5-0 në Kosovë pas humbjes në Shkodër me shifrat 2-1.

Hiberniani ndërkaq I pati disa momente të mira dhe mund ta kishte shënuar të paktën një gol, por nuk ia doli.

Kjo do të thotë se skuadra nga Kosova ka shanse të mira që të pretendojë raundin e tretë të Ligës së Konferencës në ndeshjen e dytë që do të luhet në Skoci në 30 korrik.

Spanja shpall emergjencën kombëtare për shkak të zjarreve masive, mbi 10 mijë persona evakuohen

Qeveria spanjolle ka shpallur gjendjen e emergjencës kombëtare pas një serie zjarresh të mëdha pyjore që kanë përfshirë zona pranë Madridit dhe provincën fqinje të Avilës.

Sipas autoriteteve, më shumë se 10 mijë persona janë detyruar të largohen nga banesat e tyre për shkak të përhapjes së shpejtë të flakëve, ndërsa ekipet e emergjencës po përballen me vështirësi për të vënë situatën nën kontroll.

Ministria e Brendshme spanjolle bëri të ditur se vendimi për shpalljen e emergjencës kombëtare u mor për shkak të shpërthimit të njëkohshëm të disa vatrave zjarri, kushteve të pafavorshme atmosferike dhe nevojës për mobilizimin e burimeve nga institucione të ndryshme publike.

Temperaturat e larta, erërat e forta dhe thatësira e zgjatur kanë favorizuar përhapjen e zjarreve, duke rrezikuar zona të banuara dhe sipërfaqe të mëdha pyjore.

Autoritetet kanë urdhëruar evakuime në disa lokalitete, ndërsa banorët janë strehuar në qendra të përkohshme. Në operacionet e shuarjes janë angazhuar qindra zjarrfikës, trupa të specializuara ushtarake, si dhe mjete ajrore, përfshirë avionë dhe helikopterë.

Për shkak të situatës kritike, disa rrugë kryesore janë mbyllur përkohësisht, me qëllim lehtësimin e ndërhyrjeve të ekipeve të shpëtimit dhe garantimin e sigurisë së banorëve.

Shpallja e emergjencës kombëtare i mundëson qeverisë spanjolle një koordinim më të shpejtë të burimeve shtetërore dhe rajonale, si dhe hap mundësinë për kërkimin e mbështetjes shtesë nëse situata përkeqësohet.

EtnoArt ose “Shtëpia e Gjyshes”! Gruaja që po shpëton thesarin e veshjeve tradicionale shqiptare

Ajo nuk qep vetëm kostume popullore. Me duart e saj ruan kujtesën e një kombi. Lirika Pojani, artizane dhe kostumografe nga Korça, ka kthyer pasionin për traditën në një mision jetësor, duke i dhënë jetë veshjeve tradicionale shqiptare dhe duke krijuar një nga hapësirat më të veçanta kulturore në vend, muzeun “EtnoArt”, të njohur me dashuri si “Shtëpia e Gjyshes”.
Rrugëtimi i saj nisi në vitin 2011, kur realizoi kostumin e parë tradicional. Frymëzimi erdhi edhe nga bashkëshorti i saj, koreografi i njohur korçar Bardhi Pojani, i cili punonte me fëmijë dhe të rinj në vallet popullore. Nevoja për kostume autentike e afroi Lirikën me botën e etnografisë dhe e bëri këtë pasion pjesë të pandashme të jetës së saj.
Me kalimin e viteve, ajo krijoi dhjetëra kostume nga krahina të ndryshme të Shqipërisë, duke i kushtuar rëndësi çdo detaji, motiveve tradicionale dhe teknikave të punimit me dorë. Puna e saj është vlerësuar edhe në skenën më të madhe të folklorit shqiptar, Festivalin Folklorik Kombëtar të Gjirokastrës, ku ka përfaqësuar me krenari traditën e Korçës.
Në zemër të Pazarit të Vjetër të Korçës, Lirika ka ngritur muzeun “EtnoArt”, një hapësirë që nuk është thjesht një ekspozitë objektesh, por një rrëfim i gjallë i kulturës shqiptare. Atmosfera e tij të rikthen në ngrohtësinë e shtëpive të dikurshme, ndaj edhe vizitorët e njohin si “Shtëpia e Gjyshes”.
Brenda këtij muzeu, çdo kostum, çdo qëndisje dhe çdo objekt mbart një histori. Fijet, ngjyrat dhe motivet tradicionale janë shndërruar në vepra arti që dëshmojnë mjeshtërinë e grave shqiptare dhe pasurinë e trashëgimisë sonë kulturore.
Për Lirika Pojanin, ruajtja e veshjeve tradicionale nuk është vetëm një profesion. Është një përgjegjësi ndaj brezave që vijnë, një përpjekje për të mos lejuar që identiteti kulturor shqiptar të humbasë me kalimin e kohës.
Sot, “EtnoArt” mirëpret vizitorë nga Shqipëria dhe bota, të cilët nuk gjejnë vetëm kostume tradicionale, por përjetojnë emocionin e një Shqipërie të vjetër, të ruajtur me dashuri, përkushtim dhe respekt.
“Shtëpia e Gjyshes” është shumë më tepër se një muze. Është një kujtesë e gjallë e rrënjëve tona dhe një ftesë për të mos harruar historinë që na ka formësuar.

“Rama shpalli “Rilindjen 2.0”/ Arben Meçe analizon fjalimin dhe mesazhet e kryeministrit

Analisti Arben Meçe ka analizuar fjalimin e kryeministrit Edi Rama të mbajtur këtë të premte pas mbledhjes së zgjeruar të Grupit Parlamentar të PS dhe qeverisë.

Në një intervistë në “News Line” në ABC News, Meçe tha se kryeministri e tha qartë se qeveria duhet të jetë më pranë popullit.

Gjithashtu, Meçe tha se Rama e artikuloi qartë nevojën që qeveria të jetë më pranë njerëzve dhe të reflektojë për shqetësimet e ngritura nga protestat.

Analisti tha se ndër  çështjet kryesore të trajtuara nga kryeministri ishte raporti mes fakteve që paraqet qeveria dhe mënyrës se si qytetarët i përjetojnë shërbimet dhe vendimet.

“Protesta nxori në vetvete disa shqetësime që kërkojnë reflektim. Gjatë gjithë fjalës Rama e ngriti me të madhe faktin që kishte protestues me të drejtë në protestës e vet për shqetësimet që kishte. Pra Rama ngriti shqetësimin se nëse do vazhdoj apo plotësojë mandatin që kërkohet duhet të ketë një plotësim. Të parën gjë që kapi ishte raportim mes të vërtetës dhe perceptimin, përjetimin dhe më pas  e lidhi edhe me empatinë. Ajo që ngriti me të madhe Rama ishte ne si përfaqësues të popullit do ta ndjejmë vetën shpirtërisht të lidhur me popullin dhe populli duhet të ndjejë qeverisjen. Pra nëse kjo nuk plotësohet marrëdhënia është e destinuar të thyhet. Ai sot trajtoi atë që ne kemi diskutuar që nuk të ketë ndasi me qytetarin”, tha ai.

/abcnews.al/

❌