Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

3069 farmaci në duart e 8 shpërndarësve, si funksionon oligopoli i ilaçeve

Nga Sebi Alla Në një proces mëse të mirëorganizuar, një prodhues vendas i madh, tetë subjekte import- shpërndarje me shumicë dhe dyshimi i arsyeshëm për përcaktim çmimesh dhe cilësie, kanë kthyer 3069 farmaci të licensuara në të gjithë vendin si shitore të produkteve të diktuara nga grosistët e barnave.

Krahas dominimit të tregut nga subjekte të mëdha prodhuese dhe tregtuese, ekspertët e fushës ngrenë shqetësimin e rënies së cilësisë së medikamenteve, jo vetëm atyre të rimbursueshme por edhe atyre që tregtohen në farmacitë e hapura.

“Tregu shqiptar i farmacive të rrjetit të hapur, por zhytet nën kthetrën e monopolizimit”, thotë për Faktoje.al, ish-presidentja e Urdhrit të Farmacistëve, Diana Toma.

Edhe vetë institucionet shtetërore e konstatojnë monopolizimin e tregut në përcaktimin e çmimit dhe llojeve të medikamenteve, duke ua lënë në duar pak subjekteve një proces zinxhir prodhim dhe tregtim shumicë-pakicë.

Çmimi i barnave në tregun farmaceutik nuk është element konkurrues pasi fiksimi i tij për të paktën një periudhe 6 mujore dhe përcaktimi i tij në pullën e kontrollit e bën atë të pandryshueshëm, duke sjellë kufizim të konkurrencës me çmimet e produkteve në tregun farmaceutik nga aktorët e këtij tregu”. Me këtë përfundin arrin Autoriteti i Konkurrencës pas një hetimi të gjatë, duke dalë me një raport përfundimtar (i fundit) në tetor të vitit 2022.

Kontrolli i plotë çmim-produkt!

“Në Shqipëri janë 3069 farmaci të licencuara; importues dhe shpërndarës në tregun farmaceutik (Tregtimi me shumicë i barnave) janë 233 licenca; Prodhuese në sektorin farmaceutik (Prodhimi i barnave) janë 10 licenca dhe farmaci spitalore (Shërbime spitalore), janë 27 licenca”, thotë QKB (Qendra Kombëtare e Biznesit), për Faktoje.al.

Edhe pse janë dhënë 233 licensa për subjekte të tregtim me shumicë të barnave, numri real i tyre është shumë më i vogël.

Nga një hetim i Autoritetit të Konkurrencës, rezulton se në vitin 2022 ishin 13 kompani të mëdha farmaceutike.

Ndërkohë nga verifikimet e Faktoje.al dhe pas përpunimit të të dhënave që vijnë edhe nga hetimi i Autoritetit të Konkurrencës, rezulton se aktualisht janë vetëm tetë subjekte të mëdha të cilët kontrollojnë tregun, por pasi hapin filiale me emra të tjerë tregtarë, “mbulojnë” aktivitetin e tyre, ç’ka japin ‘de jure” idenë se në vend ka shumë kompani tregtimi me shumicë.  

“Në tregun farmaceutik kemi një shtresëzim të tillë; import-shpërndarje një kategori dhe prodhues një kategori tjetër, por produktet e të dy kategorive, shpërndarjen tek qytetari e realizojnë përmes farmacive të rrjetit të hapur. Fundi i hinkës është farmacia e rrjetit të hapur. Një pjesë nëpërmjet tenderave shkon në spitale, dhe një pjesë tjetër lëvrohet për qytetarët në farmaci”, thotë Toma.

Subjektet e mëdha prodhuese

Faktoje.al iu referua hetimit të Autoritetit të Konkurrencës i cili në një analizë të detajuar qartësisht dallon vetëm një kompani prodhuese barnash vendase, Profarma dhe tetë kompani të tjera tregtuese.

QKB ka të regjistruar 10 subjekte prodhuese, por Diana Toma saktëson se “vetëm një kompani është prodhuese barnash, (Profarma), ndërsa kompanitë e tjera prodhojnë produkte teknike mjekësore ose produkte parafarmeceutike”.

Autoriteti i Konkurrencës në të njëjtin  raport (tetor 2022 i fundit) mori në shqyrtim tregun e ilaçeve dhe konstatoi se: “Mbështetur në analizën e të dhënave mbi vlerën e barnave të prodhuara në vend dhe të tregtuara nga ndërmarrjet e autorizuara për prodhim dhe tregtim, rezultoi se, ndërmarrja Profarma është prodhuesi më i madh farmaceutik në vend, i ndjekur nga Noval dhe Florfarma. Nga një kryqëzim i të dhënave të depozituar nga Profarma SHA dhe FSDKSH (lista e barnave te rimbursueshme), konstatohet se në listën e barnave të rimbursueshme, produktet e Profarma janë pothuajse në të gjitha rastet, alternativa më e lirë brenda barit xhenerik”, thotë AK, që gjithashtu nuk konstaton shkelje, pasi ndonëse sheh dominim tregu, e mbulon me çmimin e ulët të ilaceve, veçanërisht atyre të rimbursueshme.

Subjektet tregtuese

Autoriteti i Konkurrencës në hetimin e saj thekson se institucionet shtetërore, veçanërisht Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore (AKBPM) nuk i kishin vënë në dispozicion dokumentet përkatëse mbi kompanitë prodhuese dhe tregtuese, sa ilaçe kanë importuar dhe mbi cilësinë e tyre. Megjithatë Autoriteti i Konkurrencës del në përfundimin se për vitin 2022 “ndërmarrjet më të mëdha të importit të barnave mjekësore janë (Rejsi Farma SHPK, Incomed SHPK, Evita SHPK, IMI Pharma SHPK, Trimed SHPK, Aldosch Farma SHPK, Fufarma SHA, Pegasus SHPK, CFO Pharma SHPK, Delta Pharma-AL SHPK, Megapharma SHPK dhe Intermed SHPK)”.

AK konstaton gjithashtu se një subjekt tregtar ka dominuar përgjatë vitit 2020 me “vaksinën anti grip”, duke e konsideruar këtë shkelje, pasi rreth 75 % e kësaj vaksine gjendej vetëm në farmacitë e hapura, rrjet i këtij subjekti importues.

“Në përfundim të procedurave hetimore, Autoriteti i Konkurrencës konstatoi se: ’fiksimi i çmimet të shitjes së barnave në çdo nivel tregtimi, të përcaktuara në VKM nr. 143, datë 18.2.2015 “Për përcaktimin e marzheve të tregtimit dhe fabrikimit të barnave”, pika 1,2 dhe 3 sjell kufizim të konkurrencës në tregtimin me shumicë dhe pakicë të barnave”. Gjithashtu po ky institucion konstaton se, “ekzistenca e integrimit vertikal të ndërmarrjeve importuese farmaceutike dhe farmacive të rrjetit të pakicës, mund të sjellë krijimin e pozitës dominuese në treg”.

Pavarësisht qëndrimit të Autoritetit të Konkurrencës, tregu farmaceutik në vend jo vetëm nuk ka ndryshuar, por po thellon kontrollin nga një grup i vogël prodhuesish dhe tregtuesish me shumicë dhe pakicë të ilaçeve.

“…Tek farmacitë e hapura ka kompani të mëdha importuese të cilat duket se kanë bërë shtrirje nga tregtia me shumicë deri në pjesën fundore. Kanë hapur rrjetet e tyre farmaceutike”, thotë Toma, ndërsa shton se kjo ka sjellë “monopolizim të plotë nga prodhimi, depo të mëdha farmaceutike, shpërndarja dhe pastaj tregtia me pakicë nëpërmjet rrjeteve të tyre të farmacive të hapura”

Hap e farmaci…!

Tre ligje kontroverse të viteve 2009, 2014 dhe 2015, nën sloganin e hapjes së madhe për licensimin e shumë farmacive dhe uljes së çmimeve të ilaçeve, duket se tashmë kanë sjellë dominim të tregut farmaceutik nga një grup i vogël biznesmenësh një prodhues vendas të barnave dhe tetë subjekteve të mëdha importuese të cilët kanë edhe rrjetet farmacish të shitjes me pakicë për të mbyllur ciklin prodhim-tregtim-shitje.

Në vitin 2009, Parlamenti miratoi ligjin 10081, për licensat dhe lejet, të propozuar nga qeveria.

“Nëse deri në 2009 kishim dhënjen e lejes për hapjen e farmacive nga Ministria e Shëndetësisë mbi kritere profesionale, distance etj, pas miratimit të këtij ligji këto kritere rrëzoheshin dhe me dëshirën e çdo individi i cili gjente një ambient edhe ngjitur me një farmaci tjetër, vetëm nëpërmjet vetëdeklarimit që bëhej, QKB-së, gëzonte të drejtën e hapjes së farmacisë”, thotë për Faktoje.al, Diana Toma, ish-presidentja e Urdhrit të Farmacistëve.

“Në vitin 2009 kur ju dha e drejta gjithkujt për të hapur farmaci, ndodhi që u shkëput lidhja mes farmacistit dhe farmacisë në pronësi. Pesha e përgjegjësisë iu la drejtuesit teknik dhe në këtë formë, i krijuam një mburojë artificiale pronarit të farmacisë që të bënte shkelje pa kokëçarje, pasi ‘faturat’ do i paguante drejtuesi teknik i farmacisë që tashmë nuk ishte pronar i subjektit”, thotë Toma, ndërsa këmbëngul se kjo formë largoi profesionistin farmacist nga tregu dhe i dha rëndësi konceptit tregtar edhe në fushën shëndetësore.

Dy ligjet që larguan cilësinë dhe ‘kapën’ tregun…!

Në vitin 2014 ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqja për disa muaj premtoi ndryshime rrënjësore në sistemin shëndetësor në ligjin për barnat për shërbimin farmaceutik, duke premtuar ulje çmimesh dhe kontroll nga shteti. Gjithashtu edhe amendimet e këtij ligji një vit më vonë çimentuan industrinë farmaceutike në vend, duke paracaktuar çmimet, cilësinë dhe në mënyrë indirekte edhe kompanitë që do kishin më shumë akses në këtë treg të rëndësishëm. “Origjina e barnave që erdhën zëvendësuese, të barnave patentë, patjetër do i ketë çmimet më të lira, por kjo solli atmosferë mbytëse për kompanitë prestigjioze”, thotë Toma. “Kemi shumë farmaci që falimentojnë dhe që janë në pronësi të farmacistëve profesionistë dhe shtohet numri i këtyre farmacive që janë në pronësi të këtyre rrjeteve. Shohim që rrjetet farmaceutike shesin produkte më lirë sesa ne i blejmë në depo. Para cilit fenomen jemi? Para fenomenit që po investohet për të mbyllur farmacitë e tjera që është shkelje dhe mbyllje në mënyrë të pandershme apo para fenomenit që po pastrohen para”, thekson ish-presidentja e Urdhrit të Farmacistëve.

Kush kontrollon?

Agjencia Kombëtare të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore (AKBPM) në një përgjigje zyrtare për Faktoje.al tha se në vendin tonë janë të autorizuara për tregtim:

“Barnat e prodhuara në vendin tonë; barnat që kanë marrë autorizim për tregtim dhe që qarkullojnë në njërin nga vendet e Bashkimit Europian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Kanada, Turqi, Zvicër, Izrael, Japoni, Australi, Norvegji, Islandë dhe Mbretëri e Bashkuar; barnat që kanë marrë autorizim për tregtim lokal dhe që qarkullojnë në vend; barnat e prodhuara në vendet e Ballkanit, vetëm kur kanë marrë autorizim për tregtim dhe që qarkullojnë në vendin e tyre dhe barnat e pajisura me autorizimin e tregtimit nga (EMA) ose (FDA)”.

Ndonëse janë pesë autorizime, dominuese të tregut për përdorim spitalor dhe në farmaci private janë barna të prodhuara në vendin tonë, Turqi, apo një nga vendet e Ballkanit, kryesisht Serbi.

“Kompanitë e huaja prestigjioze që ishin deri në atë kohë, (viti 2015), u larguan të detyruara nga ana ligjore, apo konstatuan se nga përcaktimi i qeverisë do uleshin çmimet, që do të thotë se nuk do të kishin treg”, thotë ekspertja e farmaceutikës Diana Toma.

Sipas saj, largimi i detyruar i kompanive të mëdha farmaceutike nuk ishte i paqëllimtë. “Zhvendosja e tregut në vlerësimin tim është bërë vetëm për interesa të pastra fitimi për një shtresë apo kategori të caktuar individësh, duke mos e patur fare parasysh rëndësinë e prezencës së përfaqësive farmaceutike në Shqipëri të cilat në vetëvete janë garantues të stabilitetit të tregut farmaceutik të një vendi”

The post 3069 farmaci në duart e 8 shpërndarësve, si funksionon oligopoli i ilaçeve appeared first on Faktoje.al.

Skemë mashtrimi nën emrin e këngëtares Leonora Jakupi

Pretendimi: Leonora Jakupi dhuron 10 mije euro për këdo që arrin të plotësojë në mënyrë perfekte foton

Verdikti: E pavërtetë, Skemë mashtrimi

———————————————————

Një postim nga faqja 𝐋𝐞𝐨𝐧𝒐𝐫𝒂 𝐉𝐚𝐤𝒖𝐩𝐢𝒊 𝐅𝐚𝐧𝐬• që është parë mbi 45 mijë herë në Facebook duket se tregon një foto të këngëtares kosovare me mbishkrimin “Unë do të dhuroj 10,000 € Kush arriti të bëjë në mënyrë perfekte foton më poshtë.”

Ideja e lojës është që përdoruesit që ‘arrijnë’ të ndalojnë videon e sipërme në momentin kur rrethi me flamurin shqiptar të jetë plotësisht mbi rrethin e zi do të marrin 10 mijë euro nga Leonora Jakupi.

Megjithatë, nëse komentojmë çfarëdolloj fjale në këtë postim, faqja na dërgon një mesazh personal duke na falenderuar dhe pyetur në cilin qytet jetojmë.

Më pas, na dërgon një mesazh automatik që kushtëzon marrjen e çmimit me shpërndarjen e postimit në 5-10 grupe brenda 15 minutash. Kjo paçka se, fillimisht, i vetmi kusht për të marrë çmimin ishte “të bëjë në mënyrë perfekte foton.”

Këto përshkallëzime të kushteve për marrjen e çmimit duhet të bëjnë lexuesin skeptik të heqë dorë nga çmimi, duke dyshuar tashmë edhe në ekzistencën e tij.

Me gjasa kemi të bëjmë me një skemë mashtrimi.

Faqja zyrtare e këngëtares Leonora Jakupi ka mbi 200 mijë ndjekës dhe nuk ka bërë asnjë postim, ku ofron shpërblime për ndjekësit.

Faktoje ka verifikuar dhe më parë skema të tilla mashtrimi që përdornin imazhin e këngëtares Leonora Jakupi dhe personalitetesh të tjera të politikës dhe artit që njihen gjerësisht në hapësirat shqiptare.

The post Skemë mashtrimi nën emrin e këngëtares Leonora Jakupi appeared first on Faktoje.al.

E rreme intervista e gruas së ish-drejtorit të zhdukur të AKSHI

Pretendimi: Në këtë video, gruaja e Daniel Shimës tregon se çfarë zbuluan kamerat për drejtorin e zhdukur

Verdikti: E pavërtetë

————————————————————————-

Një video e botuar më 21 gusht 2025 nga kanali Vjosa TV pretendon të përmbajë fjalët e gruas së “drejtorit të zhdukur” Daniel Shima mbi çfarë zbuluan kamerat e sigurisë.

Video duket se i referohet lajmit të bujshëm për ish-zv.drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) Daniel Shima, i cili u deklarua i zhdukur nga familjarët më 20 gusht 2025, për t’u rishfaqur disa orë më vonë.

Megjithatë, shikuesi kurioz do të zhgënjehet kur të shohë videon.

Në të, nuk përmendet, e aq më pak të flasë, gruaja e Shimës. Kjo sepse ajo në fakt nuk ekziston. Shima nuk rezulton të jetë i martuar dhe raportimet në media flasin për një partnere ose të dashur. Daniel Shima kur u kthye tha se ishte larguar me dëshirë, pas një konflikti me partneren e tij.

Më tej, video premton të tregojë çfarë “zbuluan kamerat për Daniel Shimën”, por zhgënjen duke thënë se “kamerat e asaj zone i kishin fshirë pamjet duke ngritur akoma më shumë dyshime se një dorë e fuqishme qëndron pas kësaj ngjarjeje.” 

Për këtë pretendim, si zakonisht, nuk sillet ndonjë provë apo burim. Asnjë njoftim i policisë apo raportime të mediave të tjera nuk përmendin fshirjen e kamerave. Përkundrazi, gazetarja Klodiana Lala raporton se kamerat e sigurisë e kanë filmuar Shimën në makinën e tij në Qytetin Studenti dhe deri në dalje të tunelit të rrugës Tiranë-Elbasan.

The post E rreme intervista e gruas së ish-drejtorit të zhdukur të AKSHI appeared first on Faktoje.al.

Disa mjekë, jo studimet dyshojnë lidhjen mes vaksinimit dhe kancerit

Pretendimi: Shkenca në Britani konfirmon se vaksinat kundër Covid-19 shkaktojnë kancer 

Verdikti: Mungon konteksti

Barbara Halla

Disa postime të publikuara në Facebook përgjatë gushtit ringjallën narrativën se vaksinat kundër COVID-19 kanë shkaktuar rritje në numrin e kancereve agresive. Postimet pretendojnë se ky rrezik është konfirmuar tashmë nga studimeve shkencore në Britani, duke mbështetur dyshimet e grupeve skeptike ndaj vaksinimit gjatë pandemisë. 

A close-up of a text

AI-generated content may be incorrect.

Origjina e këtij lajmi duket se është një artikull i tabloid-it britanik Daily Mail, i publikuar në 23 mars 2025, i cili është i disponueshëm për lexuesit vetëm përkundrejt abonimit. Kjo duket se e ka bërë më të vështirë për ndjekësit e postimeve në rrjetin social që të konsultojnë detajet e artikullit origjinal. 

Faktoje.al verifikoi më tej faktet e sjella nga tabloidi britanik për të zbuluar se vetë autorja e artikullit nuk pretendon se lidhja e vaksinës dhe kancerit mbështetet mbi studime shkencore. Kjo lidhje shkak-pasojë është mbështetur nga disa mjekë, të përmendur kryesisht në një intervistë me gazetarin Piers Morgan. Përgjatë intervistës me Morgan, Angus Dalgleish – i cili është onkolog, por jo një ekspert mbi vaksinat – sugjeron se përdorimi i vaksinave kundër COVID-19 mund të lidhet me rritjen e rasteve të kancerit, ose përsëritjen e tij tek pacientët. Megjithatë, kjo deklarata e Dalgleish bazohet në histori personale dhe jo në të dhëna apo studime shkencore. 

Në fakt, nuk ekziston asnjë studim i shkallës së gjerë që të tregojë se vaksinat shkaktojnë ose përkeqësojnë rastet e kancerit. Për shembull, organizata Cancer Research UK, organizata më e madhe e pavarur në botë për studimin e kancerit, konfirmon se nuk ka asnjë provë që tregon një lidhje midis vaksinave kundër COVID-19 dhe kancerit. Qendra akademike për studimet shkencore në SHBA, Mayo Clinic, vërteton po ashtu që pretendimet se vaksinat kundër COVID-19 shkaktojnë kancer janë të pabaza. 

Artikulli i Daily Mail ka cituar disa doktorë, por jo doktorë që merren me studime shkencore mbi kancerin apo vaksinat. Për më tepër, ky artikull i referohet gjithashtu Robert F. Kennedy Jr., Sekretarit të Shëndetit amerikan në qeverinë e dytë të Donald Trump. Kennedy njihet si një figurë që është skeptik ndaj vaksinave dhe është verifikuar nga ekspertët mjekësorë dhe verifikuesit e fakteve si një person që shpërndan dizinformim mbi vaksinat. Vetë Faktoje ka hedhur poshtë disa nga teoritë që ai ka shpërndarë ndaj vaksinave. 

Tabloidi britanik Daily Mail, njihet për tituj sensacionalistë. Organizata Media Bias/Fact Check e cilëson besueshmërinë e Daily Mail në nivelin “Low” (“të ulët”). 

A screenshot of a computer

AI-generated content may be incorrect.

Ekspertët në fushë konfirmojnë se nuk ka prova se vaksina kundër COVID-19 shkakton kancer apo ka rritur numrin e rasteve të kancerit.  

Ideja që vaksinat shkaktojnë “kancer” është pjesë e një ekosistemi më të gjerë të teorive të konspiracionit ndaj COVID që kanë lulëzuar që nga viti 2020. Këtu përfshihen pretendime të rreme se vaksinat ndryshojnë ADN-në e njeriut, përmbajnë mikroçipa ose shkaktojnë infertilitet masiv. Pavarësisht popullaritetit të tyre, këto pretendime janë hedhur poshtë disa herë nga shkencëtarët dhe autoritetet shëndetësore, siç e ka verifikuar më parë edhe Faktoje

The post Disa mjekë, jo studimet dyshojnë lidhjen mes vaksinimit dhe kancerit appeared first on Faktoje.al.

E keqinterpretuar vlera e ulët e shitjes së Alaskës nga Rusia

Pretendimi: SHBA e bleu Alaskën për vetëm 7.2 milionë dollarë

Verdikti: Mungon konteksti


Ditët e fundit, disa media shqiptare kanë qarkulluar lajmin se SHBA e ka blerë shtetin e Alaskës nga Rusia për vetëm 7.2 milionë dollarë. Duke përdorur tituj sensacionalë, këto artikuj e kanë përshkruar shitjen e Alaskës si “çmenduri,” ose kanë shtuar pikëçuditëse në fund për të vënë në dyshim këtë çmim që konsiderohet tepër i ulët. Megjithëse shifra është e saktë, në këto artikuj nuk shpjegohet një detaj mjaft i rëndësishëm, faktin që ky është çmimi me të cilin SHBA e bleu Alaskën në vitin e largët 1867. Duke marrë parasysh historikun e inflacionit, ky çmim në ditët e sotme do të ishte rreth 157 milionë dollarë. 

A white background with black text

AI-generated content may be incorrect.

Ndërkohë, artikuj te tjerë kanë shkruar tituj spekulativë për të bërë të duket sikur situata e Alaskës është vënë në pikëpyetje, apo një marrëveshje e re mund të ndodhë midis Amerikës dhe Rusisë.  

A white background with black text

AI-generated content may be incorrect.

Në fakt, asnjë nga këto detaje nuk përmendet as në artikullin vetë, i cili fokusohet tek historiku i kësaj marrëveshje midis Amerikës dhe Rusisë përgjatë takimit që Putin dhe Trump mbajtën për të diskutuar luftën e Rusisë në Ukrainë. Ky takim u mbajt në Anchorage, qytetin më të madhë të shtetit. Si pasojë, këtu bëhet fjalë për një artikull, i cili është publikuar në mes të një serie lajmesh me tituj të ekzagjeruar për përmbajtjen e takimit. 

Shuma prej 157 milionë dollarësh mund të duket si shumë e ulët për një territor si ai i Alaksës, i cili ka një sipërfaqe prej rreth 1,518,800 kilometrash katror. Megjithatë, historia e blerjes së Alaskës është më e komplikuar. Përmes negociatave të udhëhequra nga Sekretari i Shtetit i SHBA-së William H. Seward dhe i dërguari rus Eduard de Stoeckl, një marrëveshje u nënshkrua më 30 mars 1867 dhe u ratifikua nga Senati i SHBA-së. Alaska ju transferuar SHBA-ve më datë 18 tetor 1867, ditë që tani përkujtohet si Dita e Alaskës. 

Rusia vendosi ta shiste territorin e Alaskës për një sërë arsyesh siç e shpjegon The New York Times, duke përfshirë frikën se Britania e Madhe apo fuqive të tjera evropiane, që kishin territore në Kanadanë e sotme, mund ta sulmonin Rusinë përmes Alaskës. Në atë kohë, disa kritikë e tallën marrëveshjen, duke e quajtur atë si “Marrëzia e Seward,” duke e akuzuar Sekretarin e Shtetit se kishte harxhuar miliona për të blerë një tokë pa vlerë. Megjithatë, vlera e Alaskës si territor do të rritej në vitet në vazhdim, pasi territori doli të kishte burime të shumta ari dhe nafte.

The post E keqinterpretuar vlera e ulët e shitjes së Alaskës nga Rusia appeared first on Faktoje.al.

Konkursi kombëtar i verifikimit të fakteve “Fatos Baxhaku”

Faktoje hap thirrjen për konkursin kombëtar të verifkimit e fakteve, një mundësi për gazetarët që duan
të kontribuojnë në kërkim të së vërtetës dhe të nderojnë kujtimin e gazetarit të shquar Fatos Baxhaku. 

Si të Aplikoni:

Dërgoni CV-në tuaj dhe plotësoni formularin në info@faktoje.al
Afati: 15 Shtator 2025!

Kush mund të aplikojë:

Gazetarë të apasionuar pas verifikimit dhe raportimeve të bazuara në fakte për të promovuar mendimin
kritik mbi çështje me rëndësi publike.
Ne po kërkojmë produktet më të mira nga gazetarë që përdorin teknikat më efektive të kontrollit të
fakteve dhe shfaqin kërkime që përfshijnë analizën e të dhënave, përmbajtje me të dhëna të hapura dhe
të tjera burime inovative.
Mos e humbisni mundësinë për të faktuar të vërtetën!

The post Konkursi kombëtar i verifikimit të fakteve “Fatos Baxhaku” appeared first on Faktoje.al.

Kur kryeministri “nuk komenton” vendimet e gjykatave, përveçse kur i komenton

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka deklaruar shpesh herë se ai nuk ndërhyn dhe nuk i komenton vendimet e gjykatave. Ishte një prej atyre parimeve që ai i shfaqte si trofe të reformës në drejtësi: “Për sa kohë e kemi zgjedhur këtë sistem, duhet të pajtohemi edhe me faktin se pushtetet e pavarura mund të marrin vendime që nuk na pëlqejnë. Unë nuk dua t’i komentoj vendimet e gjykatave sepse nuk më takon,” shkruante ai në shkurt të vitit 2022.

Në të njëjtin muaj, kur u pyet për dënimin me burg të ish-ministrit të Brendshëm, Saimir Tahiri, Rama përsëriti të njëjtën linjë: “Unë nuk komentoj asnjëherë vendimet e gjykatave. Unë e kam ditur mirë çfarë kam bërë kur kam udhëhequr reformën në drejtësi

Mos komentimin e vendimeve të gjykatës, madje, kryeministri e përdori edhe për të treguar ndryshimin mes tij dhe opozitës. Kur gjykata dënoi deputetin demokrat Ervin Salianji për shpifje Rama shkroi se, nuk komentonte vendimet e gjykatave kur ato nuk janë përfundimtare, por theksoi se ka të drejtë të shprehë publikisht opinionin e tij kur gjykatat japin drejtësi deri në fund.

“…Kundërvënia me egërsi ndaj një vendimi gjykate të formës së prerë (…) flet shumë qartë për dallimin mes dy botëve që ndajnë shumicën e Shqipërisë me Mbretërinë e Shpifarakëve”- shkruante asokohe kryeministri.

Por, ashtu siç shpesh ndodh në politikën shqiptare, parimet duket se kanë jetëgjatësi më të shkurtër se statuset në rrjete sociale.

Një vit më vonë, kryeministri u shndërrua nga spektator i heshtur në komentator i zjarrtë kur zgjodhi të sulmonte drejtpërdrejt një gjykatës, Hazbi Balliun e Gjykatës Administrative, për vendimin e tij që ndalonte vendosjen e Agjencisë Shtetërore të Kadastrës në një objekt të konfiskuar nga shteti.

Objekti në fjalë është ende pjesë e një beteje gjyqësore, pra nuk ka vendim të formës së prerë. Por kjo nuk e pengoi kryeministrin të komentonte përmes një postimi në Instagram, ku akuzoi gjykatësin për “marrje në mbrojtje” të ndërtuesve të paligjshëm dhe vuri në dyshim integritetin e tij profesional.

Më në fund gjykatësi Balliu e nxorri arsyetimin e shkruar të vendimit të tij skandaloz… Se si mund të angazhohen prokurorë a gjykatës të Republikës në favor të ndërtuesve të paligjshëm kjo kërkon të kesh akses në trurin e prokurore Gjelit a të gjykatës Balliut,” shkroi Rama.

Kryeministri, i cili dikur theksonte rëndësinë e stoicizmit institucional dhe që drejton institucionet përgjegjëse për ndalimin e ndërtimeve pa leje, por që shpesh i kanë lejuar dhe më pas legalizuar ato, sot akuzon gjyqtarët se mbrojnë ndërtuesit e paligjshëm, për një proces gjyqësor ende të papërfunduar.

Në fund, ajo që duket qartë është se pretendimi i kryeministrit se nuk komenton vendimet e gjykatave, sot mbetet një premtim politik i dhënë dikur, por i pambajtur.

The post Kur kryeministri “nuk komenton” vendimet e gjykatave, përveçse kur i komenton appeared first on Faktoje.al.

Takimi Trump–Putin në Alaskë dhe narrativat që shpërndanë mjegull

Takimi mes presidentit rus Vladimir Putin dhe ish-presidentit amerikan Donald Trump në Alaskë nuk prodhoi një rezultat konkret mbi çështjen që ka përfshirë botën, luftën në Ukrainë. Por ajo që la pas ishte një lumë narrativash të cilat, në mungesë të fakteve, morën jetë nëpër media online dhe rrjete sociale, duke spekuluar mbi gjithçka: nga shëndeti i Putinit deri te “roli shpëtimtar” i Trump.

Një gju që dridhet dhe shumë teori

Pak minuta pas daljes së tyre të përbashkët para mediave, një video që tregonte Putinin teksa përshëndetej me Trump u bë virale. Në pamjet e shpërndara gjerësisht, lideri rus shihej duke lëvizur gjurin dhe majën e këmbës së majtë në mënyrë të përsëritur, ç’ka u interpretua si “dridhje të dyshimta” ose “këmbë xhelatinoze.”

Kaq mjaftoi që në media ndërkombëtare, dhe me shpejtësi edhe në ato shqiptare, të shpërndaheshin hipoteza për një sëmundje misterioze të presidentit rus. Tituj si Putin i sëmurë? Momenti kur këmbët i dridhen gjatë bisedës me Trump”, u kthyen në klishe për të tërhequr klikime.

Teza të tjera shkuan edhe më tej: disa pretenduan se Putin nuk kishte zbritur fare në Alaskë dhe se në vend të tij ishte dërguar një sozi.

Por narrativat nuk u ndalën vetëm te dridhjet e gjunjëve. Në median shqiptare qarkulloi një tjetër ide: se Rusia është “shumë pranë fitores” në Ukrainë. Artikuj të cilwt riprodhuan një shkrim të publikuar në gazetën italiane “La Repubblica” me tituj që njoftonin fitoren e Rusisë si Ushtarë dhe dronë, një përparim i pandalshëm u shpërndanë gjerësisht, por pa analizuar nëse realiteti në front përputhej me këtë lloj triumfalizmi.

“Nëse Trump do të ishte president…”

Një tjetër narrativë u ushqye drejtpërdrejt nga deklarata e vetë Putinit. Në një intervistë të dhënë pas takimit, ai pohoi se “nëse Trump do të ishte president i SHBA-së në vitin 2022, Rusia nuk do ta kishte sulmuar Ukrainën.” Ky version, i riprodhuar me tituj të mëdhenj në mediat shqiptare, pasqyroi deklaratën e Putin pa dhënë asnjë kontekst apo analizë mbi arsyet e dhënies së kësaj deklarate apo asaj që Putin kërkon të arrijë me mbështetjen e kësaj narrative.

Ky mesazh, në përputhje me linjën e mëparshme të Kremlinit për ta paraqitur Trump si një figurë “më të pranueshme” për Rusinë, u përhap si konfirmim se mes dy liderëve ekziston një marrëdhënie e veçantë.

Në disa media online, ngjarja u përdor për të përhapur lajme të brendshme me tituj keqinformues si Takimi Trump–Putin/ Berisha befason me reagimin surprizë në ‘Alaskë’…”, por brenda lajmit nuk kishte asnjë befasi, vetëm qëndrime të parashikueshme të liderit të opozitës shqiptare, në linjë me retorikën pro-Trump.

Narrativa që largojnë vëmendjen

Në vend që të përqendrohej tek të kuptuarit dhe analizimi i situatës dhe rezultatit që takimi prodhoi, shpesh diskursi publik u zhvendos drejt spekulimeve, interpretimit të gjesteve trupore dhe komenteve anësore, duke ushqyer opinionin publik më shumë me thashetheme sesa me fakte.

Në këndvështrimin e studiuesit të marrëdhënieve ndërkombëtare Ledion Krisafi, Trump po nxiton për të arritur një marrëveshje ndërkohë që rusët kanë për qëllim ta shtyjnë sa më shumë situatën deri sa Trump të mërzitet dhe të heqë dorë.

“Më duket e pamundur që Rusia të ndalojë luftën në këtë pikë. Që territori i pushtuar nga Rusia do i ngelet Rusisë në një mënyrë ose tjetër, kjo është e qartë pak a shumë tashmë. Qëllimi i Rusisë është shkatërrimi i plotë i popullit ukrainas”, vijon Krisafi.

Sipas tij, tashmë thelbi është tek garancitë e sigurisë që mund t’i jepen Ukrainës.

Garancitë vështirë se funksionojnë në një situatw të tillë sepse vende si Gjermania, Britania, Franca, Italia që mund të çojnë trupat e tyre në Ukrainë vështirë se mund të luftojnë me Rusinë nëse ndodh një incident a provokim në vijën e re të kontaktit,  vlerëson ai.

The post Takimi Trump–Putin në Alaskë dhe narrativat që shpërndanë mjegull appeared first on Faktoje.al.

Tri lagje të Tiranës “thahen” për ujë

Nga Sebi Alla Në disa premtime rresht, kryesisht në kohë fushatash zgjedhore, 2017 dhe 2021, kryebashkiaku Erion Veliaj tha me bindje se Tirana do të furnizohej me ujë në 100 % të territorit të saj.

“Lajmi i mirë për qytetarët është se fillojmë investimin e fundit të madh që jo vetëm 70 % e Tiranës të ketë furnizim 24 orë, por 100 % e Tiranës të furnizohet me ujë” deklaroi Veliaj në vitin 2021, teksa i shoqëuar nga kryeministri Rama inspektonin punimet në impiantin e Bovillës.

Pavarësisht premtimeve dhe rritjes të çmimit të ujit në Tiranë, që nga janari i vitit 2018, gjendja e tanishme tregon se zona të shumta në kryeqytet kanë probleme me furnizimin me ujë të pijshëm, sidomos në dy njësitë e saj 1 dhe 2, por edhe në fshatra.

Uji shkon me orar të kufizuar dhe në disa raste mungon plotësisht dhe si “zgjidhje” mbetet furnizimi me autobote të Ujësjellës Kanalizimeve Tiranë.

“Aktualisht zonat problematike në furnizimin me ujë të pijshëm janë: Zona e Saukut të ri; Sauku i Vjetër; Mjull Bathore; Zona e Selitës”, thotë për Faktoje.al UKT.

Ujë me “pikatore”…!

Në disa lagje të Tiranës furnizimi me ujë ka pasur probleme. Dy nga zonat me dendësi të madhe të popullsisë, Selita dhe Sauku janë në hartat e kuqe si thellësisht me probleme përsa i përket furnizimit normal me ujë të pijshëm.

Faktoje.al kontaktoi me qytetarë edhe lagje të tjera të Tiranës ku rezulton se në Lagjen 5 Maji, në rrugën “Siri Kodra”, dhe nga zona e Ali-Demit deri pranë Lagjes Çollak, në juglindje të Tiranës, qytetarët ankohen për ndërprerje të furnizimit me ujë.

Duke iu referuar zonave problematike, UKT thotë për Faktoje se arsyeja e mungesës lidhet me shpërdorimin e ujit. “…uji i pijshëm shpërdorohet për vaditje, larje automjetesh, mbushje e pishinave që rrjedhin ujë dhe janë të dëmtuara etj. Sasia e ujit të pijshëm llogaritet për frymë dhe jo për shpërdorim të tij”, thotë UKT.

Sipas saj, shpërdorimi i ujit të pijshëm nga individët për arsye të ndryshme si dhe ndërhyrjet në rrjet janë shkaktarët kryesorë të disbalancës së shpërndarjes së ujit.

Depozitat si zgjidhje

Një tjetër premtim nga kryebashkiaku Veliaj për Tiranën ishte që me furnizimin e Tiranës me ujë pa ndërprerje duhet të largoheshin nga vetë banorët depozitat që ndodheshin kryesisht në tarraca pallatesh. Kjo kërkesë, u kthye në “urdhër” për t’i hequr menjëherë pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit 2019.

“Kjo histori ka vazhduar për shumë gjatë në qytetin tonë. Marrim vendim për të hequr të gjitha depozitat e ujit nga tarracat, jo për t’i lënë pa alternativë, por që në bashkëpunim me administratorët e pallateve të kenë mundësi që, si pallatet e reja, në hapësirën e përbashkët, në katin e parë ose në një nga vendet e parkimit, të instalojnë një depozitë të përbashkët për të gjithë banorët; pra, jo secili të vetën”, tha kryebashkiaku Erjon Veliaj.

Aktualisht depozitat janë shpëtim për banorët pasi uji që vjen me orar të kufizuar në disa zona edhe vetëm 1 orë, veçanërisht në Sauk dhe nëse nuk do ishin pajisur me depozita problemet do të ishin edhe më të mëdha. Pyetjes së Faktoje.al se si veprohet kur nuk ka ujë më tepër së 24 orë, UKT iu përgjigj se: “Kur mungesa kalon mbi 24 orë, asistojmë në furnizimin me autobote për të mbuluar zonat e banesave që kanë mungesë uji deri në zgjidhjen e problematikës”.

Tirana larg premtimit

Raporti i ERRU (Enti Rregullator i Ujit) për vitin 2024 mori në shqyrtim furnizimin me ujë në 61 bashkitë e vendit ku vetëm Lezha bën përjashtim me furnizim pa ndërprerje ndërsa bashkitë e tjera kanë probleme.

Tirana gjithashtu futet ndër katër bashkitë e vendit që furnizojnë banorët 13-20 orë ujë në ditë. ERRU konstaton se një tjetër problem mbetet mbledhja e detyrimeve nga konsumimi i ujit.

“ERRU i ka rekomanduar shoqërive UK se duhet t’i kushtojnë vëmendje të veçantë pajisjes 100% të konsumatorëve me matës në mënyrë që konsumatorët të paguajnë volumin real të ujit të konsumuar, por edhe për faktin se faturimi aforfe lë hapësirë për shpërdorimin e ujit nga konsumatorët për ujitje, veçanërisht ato të shtëpive private dhe zonave rurale”, thuhet në raport.

Ndërsa UKT në përgjigjen për Faktoje thotë se, “për vitin 2025, projekt kryesor është vazhdimi i shtesës së impiantit të trajtimit të ujit të pijshëm Bovillë me 1200 l/sek si dhe evidentimi apo eleminimi i rrjedhjeve dhe shpërdorimit të ujit të pijshëm, duke bashkëpunuar dhe me institucione të tjera si dhe nëpërmjet teknologjive të reja”.

Përfundimi

Tirana vijon të përballet me mungesën e ujit të pijshëm në disa zona të saj, veçanërisht në njësitë 1 dhe 2, kryesisht përgjatë muajve të verës. Pavarësisht investimeve të kryera në përmirësimin e rrjetit shpërndarës dhe në impiantin e Bovillës, kryeqyteti vijon të mos furnizohet rregullisht me ujë të pijshëm. Premtimin për furnizimin 24 orë me ujë të pijshëm të kryebashkiakut të Tiranës Erion Veliaj do e konsiderojmë premtim të pambajtur.

The post Tri lagje të Tiranës “thahen” për ujë appeared first on Faktoje.al.

Loja kompjuterike ndahet në rrjet si video e avionit sekret B-2

Pretendimi: Kjo video tregon një bombardues të vërtetë amerikan B-2 Spirit

Verdikti: E pavërtetë

Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon një avion bombardues amerikan B-2 Spirit. Të njëjtët avionë u përdorën nga ushtria amerikane për të bombarduar në fundin e qershorit bunkerët nëntokësorë ku ruhej teknologjia e prodhimit nuklear në Iran. 

Megjithatë, shikuesi skeptik do të vërrejë me sy të lirë se kjo video nuk duket natyrale apo autentike. 

Ndriçimi shumë perfekt, prania e pakuptimtë e makinave të policisë aty pranë, dhe pamja jo natyrale e godinave në sfond na bën të dyshojmë.

Kështu, me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti videon origjinale të postuar në Facebook nga faqja e dedikuar videolojërave IronGaming

Postimi i IronGaming shoqërohet me përshkrimin “duke luajtur Microsoft Flight Simulator 2024,” një videolojë që simulon fluturimin.

Video e mësipërme nuk është e vërtetë, ajo është pjesë e një videoloje që simulon fluturimin e avionëve të modeleve të ndryshme.

Avioni B-2 Spirit në videolojën Microsoft Flight Simulator 2024

The post Loja kompjuterike ndahet në rrjet si video e avionit sekret B-2 appeared first on Faktoje.al.

Të huajat si “skllave seksi” Shqipëria jo vetëm atraksion turistik por edhe” oaz” për shërbime seksuale

Në 2 vite e gjysmë 64 shtetase të huaja janë proceduar për shfrytëzim prostitucioni. Shqipëria është kthyer në një atraksion turistik duke shtuar edhe numrin e vajzave që shfrytëzohen për shërbime seksuale.Policia deklaron se ato vinë kryesisht nga Amerika Latine, Azia, Afrika dhe Europa Lindore. Vatrat kryesore të prostitucionit janë Tirana, Durrësi, Vlora, Saranda, Elbasani dhe Shkodra. Sipas Qendrës Vatra, një pjesë e vajzave vijnë nëpërmjet agjencive të punësimit, për të punuar si kameriere, balerina,apo  bariste apo edhe me vizë turistikë dhe përfundojnë viktima të trafikimit.

Nga Sebi Alla

Dy muajt e Xh.Sh, mes Sarandës dhe Vlorës, nuk ishin aspak për turizëm, teksa bashkë me shoqen e saj nga 16 maji i këtij viti dhe deri më 18 korrik, e gjetën veten në dy dhoma të një apartamenti, ku në kohë të shpeshta “bujtnin” burra të ndryshëm për të marrë shërbime seksuale. Një muaj pasi u ndalua nga strukturat policore, tek Xh.Sh. (shënim, për arsye sigurie dhe etike, inicialet janë të ndryshuara), duket trauma, frika, përunjësia për strehën dhe ushqimin që merr falas por edhe drama që e mundon. Në rrëfimin për Faktoje.al, mes pasigurisë dhe frikës, më shumë fajëson veten sesa “tutorin” e paidentifikuar ende. “Për shkak të një zgjedhjeje të gabuar dhe besimit të gabuar te një person kalova këtë situatë, këto janë të gjitha vendimet e mia, kështu që duhet të mbaj pasojat”-thotë për Faktoje.al, 38-vjeçarja Xh.Sh, e cila tregon me shumë vështirësi se ka ofruar shërbime seksuale për deri në pesë burra në ditë. 38-vjeçarja ka një djalë të mitur në Kinë. Kjo është dhe brenga e saj më e madhe.  Prej ditës që shkeli në Rinas iu morr pashaporta nga tutori i saj i cili ende është i pa identifikuar.

 “Natën qaj më shumë. Më merr malli për djalin”-thotë ajo ndërsa shtrëngon duart vazhdimisht dhe jep përgjigje fare të shkurtra kur pyetet për njerëzit që e shfrytëzuan. Frikë dhe kujdes pasi ende nuk e di fatin e saj, ndonëse nga policia rasti i është referuar për “ushtrim prostitucioni” dhe është njohur si “viktimë trafiku”.  

Kjo është një copëz jete e një gruaje kineze që u gjet në Shqipëri në oazin e prostitucionit, i cili në tre vitet e fundit ka ardhur në rritje po aq shumë sa edhe turizmi në vendin tonë.

Nga 4 kontinente

Në vitet e fundit për shkak edhe të rritjes së numrit të turistëve të huaj, grupe kriminale të mirëorganizuara e konsiderojnë Shqipërinë një oaz të mundshëm për të sjellë në vendin tonë gra me qëllimin e shfrytëzimit të prostitucionit. Sipas burimeve zyrtare të Policisë së Shtetit, Azia, Amerika Latine, Afrika, por dhe Europa Lindore janë katër kontinentet; të cilat thuajse gjatë gjithë vitit dhe veçanërisht në sezonin veror vijnë me viza turstike apo leje pune; vajza të cilat janë në risk të lartë të shfrytëzimit të prostitucionit. “Aktualisht, po identifikojmë viktima nga kontinente të ndryshme (Afrika, Azia dhe Amerika Latine), që sillen në Shqipëri ose tranzitojnë përmes territorit tonë. Në të njëjtën kohë, kemi raste ku gra shqiptare dhe të huaja luajnë role organizuese në këto rrjete, jo thjesht si viktima”- thotë për Faktoje.al Policia e Shtetit. 

“Po identifikojmë vajza që vijnë nga vende si Gana, Filipine, Kina, Brazili, Vietnami, Kolumbia, Ukraina, Bjellorusia, Azerbajxhani, Peruja etj”-theksojnë strukturat e rendit. Gjithashtu edhe përfaqësuesja e Qendrës “Vatra” në Vlorë, Entela Avduli, në një reagim për Faktoje.al tregon se rastet e trafikut të shtetaseve të huaja që shfrytëzohen për të ofruar favore seksuale ka ardhur gjithnjë e në rritje. 

Entela Avduli, përfaqësuese e qendrës Vatra në Vlorë

“Në 2024 nga të gjitha qendrat janë 39 raste të trajtuara ku pjesa më e madhe janë vajza të trafikuara për qëllime prostitucioni, kryesisht janë nga Azia dhe Amerika Latine. Ndërsa përgjatë këtij viti vetëm në qendrën tonë kemi 22 gra që po trajtohen”-thotë Avduli

Shifrat e policisë “Prostitucioni me të huaj në rritje”

“Për vitin 2023 – janë 70 raste të evidentuara(operacione të policisë), me 161 autorë, (2 autorë, shtetas të huaj). Për vitin 2024 janë 76 raste të evidentuara, me 133 autorë (27 autorë, shtetas të huaj) dhe për periudhën janar – qershor 2025, janë 37 raste të evidentuara, me 81 autorë (25, shtetas të huaj)”-thonë për Faktoje.al burimet zyrtare të Policisë së Shtetit të pyetur mbi numrin e shtetasve të huaj të përfshirë në trafikim dhe ushtrim prostitucioni. Shifrat janë për rastet e referuara për “shfrytëzim prostitucioni”, përkatësisht neni 114 i Kodit Penal, ndërsa numri i personave të proceduar në gjendje të lirë për ushtrim prostitucioni është shumë herë më i lartë

Prostitucioni: Me leje pune balerina dhe barisite.

Identifikimi që në nisje është mjaft i vështirë për strukturat e Policisë së Shtetit. Vajza që mbërrijnë nga vendet aziatike, Amerika Latine, Afrika dhe Europa Lindore vijnë në dy forma; me viza turistike ose me viza pune. “Kanë ardhur nëpërmjet agjencive të punësimit, për të punuar si kameriere, balerina, bariste etj, por kanë ardhur edhe me viza turistike. Rastet që kemi trajtuar kanë qenë rrjete të mirëfilllta, që i organizojnë në trafikun e prostitucionit. Dikush u gjente punë, pastaj rekretuesi, dikush që i gjente ambientet, apo edhe klientët”-thotë një nga drejtueset e qendrës Vatra, Entela Avduli. Kjo qendër trajton specifikisht rastet e trafikut dhe ofron shërbime pasiko-sociale, por edhe strehë dhe siguri për viktimat e trafiqeve. Rastet që zbulohen nga strukturat policore referohen në tri qendrat “Vatra” në të gjithë vendin, por edhe nga OJQ të tjera që merren enkas me strehimin dhe integrimin e viktimave të trafikut, vendase dhe të huaja. 

Prostitucioni “elitar”. Vajzat zgjedhin klientët.

“Janë disa faqe online që nga verifikimet tona rezutojnë të regjistruara nga IP në Ukrainë të cilat funksionojnë me qëllim prostitucioni. Vajzat bisedojnë online me klientët, shqiptarë ose të huaj, tregojnë moshën, foto etj dhe pasi përcaktojnë çmimin dhe dakordësohen për shërbimet seksuale që ofrojnë, lenë takim në një vend të caktuar, që mund të jetë një apartament i marrë pa kontratë qiraje, ose motel”- thotë për Faktoje.al në kushtet e anonimatit një oficer policie i sektorit të atitrafiqeve. Ky lloj prostitucioni cilësohet edhe si më “elitar”, pasi janë vetë vajzat që zgjedhin këtë formë në mënyrë disi të pavarur dhe të përfshira janë kryesisht shtetase nga Europa Lindore, dhe Amerika Latine.  Pagesa për shkon nga 100-300 euro. 

Një tjetër formë mbulimi e prostitucuionit mbesin qendrat e masazheve, por edhe ato estetike. “Janë të shumta qendrat e masazheve, kryesisht ato që punësojnë të huaja të cilat ofrojnë edhe shërbime seksuale kundrejt pagesës”-thotë efektivi, ndërsa shton se kanë pasur sukses në goditjen e rrjeteve në disa raste kur vetë agjentët kanë shkuar në këto qendra si të infiltruar dhe më pas janë zbuluar gra dhe vajza që ushtronin prostitucion kundrejt pagesës.

Qendrat e masazheve” Strehë prostitucioni “

“Ajo që ndodh shpesh është se një grua më në moshë që ka ushtruar ose ka shfrytëzuar gra për shërbime seksuale, menaxhojnë “de facto” këto qendra dhe gratë e punësuara ku u përcakton çmimet, u krijon një lloj sigurie, por në shumë raste i mbajnë të izoluara duke u marrë pasaportat, apo edhe kërcënuar se nëse largohen ose denocojnë do kenë pasoja”-thotë efektivi i Antitrafikut, ndërsa shton se janë kryesisht shtetase aziatike, që shërbimet sesuale kundrejt pagesës i mbulojnë nëpërmjet qendrave të masazheve. 

Një tjetër formë është edhe shfrytëzimi i prostitucionit nga individë, të cilët ose zotërojnë ose janë të lidhur me një pjesë të pronarëve apo administratorëve të bareve, lokaleve të natës ose hoteleve të ndryshme. “Në lokale nate apo hotele të vogla kemi zbuluar raste që shtetase të ndryshme të huaja, por edhe shqiptare në dukje punojnë si ballerina apo edhe kameriare dhe bariste, por kur klientë të ndryshëm kërkojnë shërbime sekasuale u ofrohet prej tyre”-thotë agjenti, ndërsa thekson se kjo është një formë shfrytëzimi më e rëndë, pasi shpesh këto gra keqtrajtohen dhe u mbajnë shuma të konsideruara parash nga shfrytëzimi seksual.   

“Gratë” që shfrytëzojnë gratë

Skema e rekrutimit dhe rrjeti i shfrytëzimit..

Edhe pse rastet e shfrytëzimit të prostitucionit janë gjithnjë e në rritje, ku të implikuara janë gra, numri i të dënuarve apo të paraburgosurve për këtë vepër penale është i ulët. Të dhënat zyrtare të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve tregojnë se pesë gra, një me dënim të formës së prerë dhe katër të tjera në paraburgim, janë të proceduara për shfrytëzim prostitucioni. Megjithatë numri i grave të proceduara me masa sigurie “arrest shtëpie” “detyrim paraqitje” apo “hetim në gjendje të lirë” një pjesë e madhe të huaja janë të shumta, kjo edhe për vetë faktin se gjykata merr në konsideratë faktin që janë gra, duke i lënë në masa të buta sigurie. 

“Kemi parë raste gjithnjë e më tepër ku grupe të organizuara të huaja po implikohen në shfrytëzim për prostitucion ose vepra të tjera kriminale”-thotë përfaqësuesja e Qendrës Vatra, Entela Avduli. “Rastet kanë ardhur të rekrutuara. U është gjetur ‘puna’, dikush i pret në Rinas, që është një taksist i caktuar specifikisht vetëm për këto persona, i dërgon në një hotel, ose shtëpi të marra me qira dhe më pas këto gra ofrojnë shërbime seksuale kundrejt pagesës”-shton Avduli. 

Një fakt që pohohet edhe nga strukturat policore të cilat theksojnë se nuk në shumicën e rasteve të zbuluara gratë e shfrytëzuara kanë ardhur më dëshirë dhe ishin në dijeni se do të shfrytëzoheshin për qëllime prostitucioni, por me kalimin e kohës ata vihen nën trysni nga këto rrjete kriminale që u mbajnë pasaportat, apo edhe i kërcënojnë me të afërm që kanë lënë në vendlindjen e tyre.

Një sy i mbyllur për turizmin?

Ndërsa rastet e grave të huaja që ofrojnë shërbime seksuale në Shqipëri është në rritje, strukturat e rendit janë disi të papërgatitura dhe kjo për faktin se ku lloj prostitucioni nuk ka elementët e dhunës klasike nga grupe që shfrytëzojnë kundër dëshirës së tyre gra. Mjaft prej tyre përzgjedhin Shqipërinë për ushtrim prostitucioni kundrejt pagesës nisur edhe nga numri i lartë i turistëve të huaj në vend.

 “Është gati si ‘kërkesë-ofertë’ për shërbimet seksuale kundrejt pagesës dhe jo rastësisht përgjatë sezonit turistik gratë që ofrojnë shërbime seksuale kundrejt pagesës zhvendosen në zonat bregdetare”-pohon një burim policor për Faktoje.al. Të njëjtën qëndrim mbajti edhe Avduli duke iu referuar rasteve të trajtuara nga qendra Vatra. Zonat më problematike janë Tirana, Durrësi, Vlora, Saranda, Elbasani dhe Shkodra. “Policia e Shtetit ka hartuar dhe është duke zbatuar një plan të detajuar masash për sezonin turistik veror 2025, me fokus të veçantë në zonat turistike, për të garantuar rendin, sigurinë publike dhe për të parandaluar veprimtaritë kriminale, përfshirë edhe trafikimin për qëllime prostitucioni”-thotë zyrtarisht policia. 

Viktimat e trafikimit:Të ikim sa më parë!

Vajzat e trafikuara dhe të proceduara për ushtrim prostitucioni dërgohen në qendrat e trajtimit dhe nën monitorimin e vazhdueshëm të policisë dhe Zyrës së Emigracionit dhe Azilit. “Pjesa më e madhe riardhesohen me vulllnetin e tyre. Ndërsa një pjesë tjetër qëndrojnë këtu dhe i kemi gjetur punë të sigurt pasi marrin një leje të posaçme qëndrimi nga zyrat e Emigracionit dhe Azilit”-thotë përfaqësuesja e Qendrës Vatra, Entela Avduli, ndërsa shton se zakonisht në qendra qëndrojnë deri në tre muaj, por ka edhe një vështirësi tjetër të madhe në lidhje me pjesën e dokumenteve. Shuma nga gratë e kapura dhe proceduara për “ushtrim prostitucioni” nuk kanë pasaportë pasi tutorët e tyre ua kanë marrë që në momentin e parë që kanë shkelur në tokën shqiptare.  “Për viktimat e trafikimit në përgjigjësi, si për të huaja ashtu edhe shqiptare ajo që ne identifikojmë është maja e aizbergut, sepse trafikimi është proces dhe fenomen me rrjete dhe mënyra të tilla që duan kohë që të identifikohen dhe shkatërrohen”-thekson Avduli. Një prej tyre është edhe Xh.Sh e cila në rrëfimin e saj pohon se pasaportën ia mori “dikush që se njihja”, por që i kishte thënë se e priste një jetë më e mirë, pak pasi të mbërrinte në Shqipëri. “Erdha sepse dikush më tha se do të më ndihmonte të merrja një vizë për në Itali, ku është e lehtë të shkosh nga këtu”-thotë Xh.Sh, por ajo që gjeti ishte dy muaj skllavëri dhe një dramë që vijon, pa identitet dhe me brengën për djalin e lënë në Kinë për të cilën thotë se kujdeset një i moshuar. “Ndoshta nuk do t’i tregoj fëmijës tim, sepse nuk dua që fëmija im të turpërohet për mua…”-mbyll rrëfimin Xh.Sh, një nga qindra gra të huaja që Shqipërinë e shohin si oaz ku mund të fitohet nëse ofron shërbime seksuale.

The post Të huajat si “skllave seksi” Shqipëria jo vetëm atraksion turistik por edhe” oaz” për shërbime seksuale appeared first on Faktoje.al.

E pabazë teoria e Antarktidës që kufizon “tokën e sheshtë”

Pretendimi: Toka është e sheshtë dhe kjo na është fshehur që ne të mos shkojmë në kontinentet e tjera përtej Antarktidës

Verdikti: E pavërtetë

—————————————————–

Publicisti Alfred Cako ka ndarë në rrjetet e tij sociale pretendimin se “s’na tregojnë që toka është e sheshtë […] sepse nuk duan që ne të shkojmë në kontinentet e tjera përtej Antarktidës.” Ky pretendim shoqërohet me një hartë të Tokës së Sheshtë në fjalë, ku duket një mur akulli i etiketuar “Antarktida” që ndan kontinentet e njohur nga një sërë masash tokësore që mbajnë emra kontinentesh legjendare, mitike dhe fantastike.

Pretendime të tilla të jashtëzakonshme duhet, detyrimisht, të shoqërohen me prova të jashtëzakonshme. Megjithatë, si zakonisht, konspiracionistët nuk ofrojnë asnjë provë, aq më pak të jashtëzakonshme.

Harta që shoqëron postimin është marrë nga një libër i autorit Claudio Nocelli.

“Muri i akullit”, ose ideja se Antarktida nuk është një kontinent në fund të globit, por në të vërtetë një mur që rrethon Tokën, është një koncept i konspiracionistëve të Tokës së Sheshtë, që besojnë se Toka nuk është një planet i rrumbullakët, por një rrafsh i sheshtë.

Pretendimet rreth çka shtrihet jashtë murit të akullit variojnë. Disa thonë se vazhdon pafundësisht, ndërsa një teori tjetër është se ka kontinente të fshehura përtej murit.

Në vitin 2019, Konferenca Ndërkombëtare e Tokës së Sheshtë thuhet se u përpoq të organizonte një lundrim në Antarktidë për të provuar teorinë e tyre. Lundrimi, megjithatë, nuk ndodhi.

Antarktida ndodhet në jug të planetit tonë, dhe rrethohet nga Oqeani Jugor

Platformat e akullit ekzistojnë në Antarktidë, dhe kërkimet tregojnë se ato luajnë një rol kyç në ruajtjen e temperaturave të oqeanit, gjë që stabilizon klimën.

Megjithatë, këto nuk janë mure që rrethojnë skajin e një Toke të sheshtë.

Sipas Qendrës Kombëtare të të Dhënave të Dëborës dhe Akullit në SHBA, platformat e akullit janë “pllaka të përhershme lundruese akulli që lidhen me tokën” me platformat më të mëdha të akullit “të mëdha sa Teksasi apo Franca” të vendosura në Antarktidë.

Platforma e Akullit Ross në Antarktidë ngrihet deri në 60 metra, ndërsa të tjerat kanë një fund të përparmë deri në 100 metra të lartë.

Gjeologia akullnajore Bethan Davies tha për USAToday se nuk do të ishte e mundur që muri i pretenduar i akullit të ekzistonte pa një masë tokësore të lidhur me të.

Antarktida “është e rrethuar nga platformat lundruese të akullit, të cilat më parë janë ngatërruar nga teoricienët e Tokës së Sheshtë me mure akulli”, tha ajo. “Platformat e akullit duhet të ngjiten në kontinent… Një mur rrethor akulli do të ishte i paqëndrueshëm dhe për shkak të mungesës së rrjedhës së akullnajës, akulli i akullnajave do të hollohej me shpejtësi dhe do të shpërbëhej.”

Sipas Shkollës Klimatike të Columbia University, “nëse Toka do të ishte e sheshtë, do ta dinit, sepse shumë gjëra do të funksiononin ndryshe.”

Studiuesit vunë në dukje se, nëse Toka do të ishte e sheshtë, gjëra si graviteti, dielli dhe fushat magnetike nuk do të silleshin siç sillen aktualisht.

James Davis, një gjeofizikant në Columbia, thotë se shërbime të tilla si GPS nuk do të ishin të mundshme në një tokë të sheshtë, sepse satelitët nuk do të ishin në gjendje të rrotulloheshin rreth planetit.

Në fakt, në vitin 2019, fizikantët u sfiduan në American Journal of Physics për të zhvilluar një “përgjigje të thjeshtë, të drejtpërdrejtë” për të hedhur poshtë ‘provat’ e një Toke të sheshtë.

Fizikanti në pension Bruce Sherwood përdori një simulim 3D të një Toke të sheshtë për të treguar se si gjërat do të dukeshin me sy të lirë nëse do të jetonim atje në vend të një Toke sferike.

Ai zbuloi se një nga mospërputhjet kryesore midis një Toke të sheshtë dhe një ‘Tokë të rrumbullakët’ do të ishte ndryshimi i madhësisë së diellit dhe yjeve të tjerë, si dhe rritja e dukshmërisë së yjësive që tani shfaqen vetëm në hemisferat jugore ose veriore.

Këto efekte nuk vërrehen sepse Toka nuk është e sheshtë: ajo është një sferoid.

The post E pabazë teoria e Antarktidës që kufizon “tokën e sheshtë” appeared first on Faktoje.al.

Ushtarët amerikanë nuk iu gjunjëzuan Putin gjatë pritjes në Alaska

Pretendimi: Kjo foto tregon ushtarë amerikanë duke iu ulur në gjunjë presidentit rus Vladimir Putin gjatë pritjes së tij në Alaska

Verdikti: Mungon konteksti

——————————————-

Një imazh nga samiti mes presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut të tij rus Vladimir Putin po shpërndahet nga media me tituj që pretendojnë se ai tregon “ushtarët amerikanë [që] iu ulën në gjunjë Putin gjatë pritjes.”

Megjithatë, siç vërrehet në foto, dhe siç shpjegohet edhe në brendinë e artikullit të mësipërm, ushtarët amerikanë janë ulur në gjunjë për të shtruar tapetin e kuq pranë shkallëve të avionit të Putin, dhe nuk po i gjunjëzohen presidentit rus, i cili nuk është i pranishëm në foto.

Një video e plotë e ngjarjes i tregon ushtarët duke shtruar tapetin e kuq duke e rrotulluar, përpara se të gjunjëzohen për ta fiksuar përfundimisht. Presidenti Putin shfaqet disa minuta më pas dhe zbret shkallët e avionit për të shtrënguar duart me presidentin Trump. 

Ceremonitë e vijës së fluturimit janë pjesë e çdo vizite shtetërore në ShBA, përveç nëse është një vizitë private. Një kryetar shteti ose qeverie që viziton zakonisht do të mbërrijë me anë të një avioni. Kur avioni i vizitorit të ketë përfunduar lëvizjen, një ekip tokësor zhvendos shkallët ajrore në pozicionin e tyre te dera e avionit dhe shtron një qilim të kuq. Në takimin e fundit Trump-Putin, përdorimi i ushtarëve për shtrimin e qilimit të kuq ishte i justifikuar nga fakti që bisedimet u zhvilluan në brendësi të Bazës së Përbashkët të Forcave Ajrore dhe Ushtrisë së SHBA-së “Elmendorf-Richardson”, e vendosur në juglindje të Alaskës, pak në veri të qytetit Anchorage.


Ekipi i Donald Trump është kritikuar për urdhërimin e ushtarëve amerikanë që të shtronin tapetin e kuq për presidentin rus Vladimir Putin.

The post Ushtarët amerikanë nuk iu gjunjëzuan Putin gjatë pritjes në Alaska appeared first on Faktoje.al.

E rreme video e vajzës së deputetit Niko Peleshi

Pretendimi: Kjo video tregon vajzën e deputetit Niko Peleshi

Verdikti: E pavërtetë

——————————————————–

Një video që po qarkullon në rrjetet sociale shqipfolëse pretendohet se tregon vajzën e deputetit socialist shqiptar Niko Peleshi. 

Video shoqërohet edhe me një intervistë të Peleshit ku ai flet për situatën e zjarreve dhe argumenton mungesën e avionëve apo helikopterëve zjarrfikës në dispozicion të vendit tonë, një debat i nxehtë i javëve të fundit.

Megjithatë, me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti videon origjinale, të botuar më 4 gusht 2025 në Instagram nga modelja e përmbatjeve për të rritur Skylar Mae.

Aleksia Peleshi, vajza e Niko Peleshit, gjithashtu, e ka mohuar se video tregon atë. 

The post E rreme video e vajzës së deputetit Niko Peleshi appeared first on Faktoje.al.

Treni japonez nuk rimbursoi pasagjerët për vonesën 35-sekondëshe

Pretendimi: Një kompani treni japoneze ka kërkuar falje dhe ka rimbursuar pasagjerët për një vonesë 35-sekondëshe të trenit

Verdikti: Gjysmë e vërtetë

—————————————————————

Një numër mediash shqipfolëse raportuan në gusht 2025 se në Japoni, një kompani trenash kishte kërkuar falje dhe kishte rimbursuar biletat e pasagjerëve pasi treni ishte vonuar 35 sekonda.

Sipas artikujve, “një drejtues treni Shinkansen kërkoi falje publike nga pasagjerët pasi treni i tij mbërriti 35 sekonda me vonesë në stacionin e destinacionit. Si pjesë e kulturës japoneze të përgjegjësisë dhe respektit ndaj udhëtarëve, kompania vendosi të rimbursojë plotësisht të gjithë pasagjerët, pavarësisht se vonesa ishte më pak se një minutë.”

Megjithatë, ato nuk citojnë ndonjë burim apo referencë për këtë lajm.

Në Japoni, ka raste të dokumentuara të kompanive të trenave që kërkojnë falje edhe për nisje të parakohshme 20-30 sekonda. Një shembull është Tsukuba Express, e cila në 2017 kërkoi falje zyrtare sepse një tren u nis 20 sekonda më herët.

Megjithatë, rimbursimet nuk përmenden kurrë. Për më tepër, sipas rregullave zyrtare të JR (Hekurudhat e Japonisë) në lidhje me Shinkansen, një rimbursim i plotë është i disponueshëm vetëm në rast të një vonese prej të paktën dy orësh. Ky rimbursim varet gjithashtu nga lloji i biletës. Vetëm biletat e blera me tarifën ekspres, jo me tarifën standarde, janë të rimbursueshme.

Shënim: Data 20 gusht 2025 Gazeta Sinjali e ka korrigjuar lajmin, pas verfikimit të të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.

The post Treni japonez nuk rimbursoi pasagjerët për vonesën 35-sekondëshe appeared first on Faktoje.al.

Pasqyrimi i diellit mbi det nuk provon tokën e sheshtë

Pretendimi: Pasqyrimi i gjatë i diellit mbi sipërfaqen e detit provon se Toka nuk është sferë, por e sheshtë

Verdikti: E pavërtetë

——————————————————-

Një imazh që po qarkullon në hapësirat konspiracioniste pretendon se pasqyrimi i diellit mbi sipërfaqen e detit provon se Toka është e sheshtë. 

Shkëlqimi i diellit është një dritë e ndritshme dhe vezulluese që formohet kur rrezet e diellit reflektohen nga valët e ujit. Një valëzim nga një sipërfaqe e lëmuar lokalisht, siç është uji me valë, do ta reflektojë diellin në kënde të ndryshme në çdo pikë të sipërfaqes së valëve. Si rezultat, një shikues në pozicionin e duhur do të shohë shumë imazhe të vogla të diellit, të formuara nga pjesë të valëve të orientuara saktë për të reflektuar dritën e diellit tek shikuesi.

Si formohet shkëlqimi i diellit

Imazhi përdor formën e gjatë të reflektimit të diellit në një sipërfaqe uji për të ‘vërtetuar’ se Toka është e sheshtë. Në realitet, forma e reflektimit është rezultat i sipërfaqes së valëzuar të ujit. Kjo mund të ndodhë lehtësisht në një sipërfaqe të lakuar dhe nuk vërteton një formë specifike të Tokës.

Konspiracionistët e Tokës së Sheshtë krijojnë një ‘simulim’ për të treguar se një sipërfaqe e lakuar nuk formon formën e reflektimit të ngjashme me atë që vëzhgojmë gjatë perëndimit të diellit dhe dalin në përfundimin e gabuar se Toka nuk është një sferë.

Gabimi i tyre është vendosja e vëzhguesit shumë larg sipërfaqes, duke e bërë lakimin shumë të madh për të përfaqësuar Tokën sferike dhe duke përdorur një sipërfaqe të niveluar dhe të lëmuar. Simulimi i tyre do të ishte më i përshtatshëm për të përshkruar se si drita e diellit, reflektimi i Diellit në sipërfaqen e lëmuar të oqeanit, duket nga hapësira. Për shembull, fotografitë e Tokës të marra nga sateliti Himawari-8 duken të ngjashme me karakteristikën e reflektimit në simulimin e tyre.

Reflektimi i ujit të valëzuar mund të simulohet lehtësisht duke përdorur një fletë alumini të rrudhosur. Duke e vendosur atë mbi një sipërfaqe të lakuar, mund ta shohim atë duke prodhuar të njëjtin rezultat.

The post Pasqyrimi i diellit mbi det nuk provon tokën e sheshtë appeared first on Faktoje.al.

Shqipërisë nuk pritet t’i ndodhë një e keqe që lumturon Vuçiç

Pretendimi: Shqipërisë pritet t’i ndodhë një e keqe për të cilën Serbia dhe presidenti i saj Vuçiç janë shumë të lumtur

Verdikti: Mungon konteksti

———————————————-

Në rrjetet shqipfolëse po qarkullon një titull alarmues, por i paqartë në detaje: “Vuçiç fërkon duart! Ish Ministri jep lajmin e keq! Ja e keqja që pritet ti ndodhë Shqipërisë! Pse Serbia është kaq e lumtur”

Në brendinë e artikullit që mban këtë titull, megjithatë, nuk gjejmë ndonjë lajm që meriton këtë alarm.

Teksti i referohet një interviste të ish-ministrit të Jashtëm shqiptar, Edmond Panariti, të botuar që në qershor të këtij viti.

Panariti citohet të ketë thënë se shqiptarët duhet të bëjë shumë kujdes teksa ndodhin konflikte madhore, pasi historitë e së shkuarës rrezikojnë të përsëriten. “Duhet të bëjmë shumë kujdes, sepse në rast se çështjet shqiptare kalojnë në nivelet e mëdha, në tavat e mëdha të bisedimeve, nuk kemi dalë ndonjëherë fitimtarë”, tha Panariti.

Si rrjedhojë e këtij fenomeni, tha ai, Serbia dhe presidenti serb Vuçiç kanë refuzuar dialogun me Kosovën, me qëllim zgjidhjen në nivele më të larta, ku çështjet kombëtare shqiptare, sipas Panaritit, janë në disavantazh.

Askund në artikull nuk raportohet ndonjë “e keqe e madhe” që pritet t’i ndodhë Shqipërisë.

Trajtimi i temës së luftës në Kosovë preferohet nga mediat shqiptare për shkak të interesit të gjerë dhe patriotizmit që ngjall tek lexuesit. Fatkeqësisht gjatë viteve të fundit, kryesisht mediat online kanë përdorur këtë interes për “mbledhje klikimesh”, duke u kthyer në burim keqinformimi dhe shqetësimi emocional tek lexuesit.

Opinione të ndryshme mbi skenaret duhen pasqyruar si të tilla nga mediat dhe jo si fakte të kryera me tituj bombastik që në kërkim të klikimeve rrezikojnë përhapjen e informacioneve të pavërteta dhe krijimin e panikut.

The post Shqipërisë nuk pritet t’i ndodhë një e keqe që lumturon Vuçiç appeared first on Faktoje.al.

Kryeministri britanik nuk u nxorr jashtë nga lokali

Pretendimi: Kjo video tregon kryeministrin britanik duke u nxjerrë jashtë nga pronari i një lokali së fundmi.

Verdikti: Mungon konteksti

——————————————————————

Një artikull i portalit lajmetroc.al pretendon se kryeministri britanik është nxjerrë jashtë nga pronari i një lokali, i cili “ka deklaruar shkurt se veproi ‘për arsye personale’”. Artikulli i botuar në 13 gusht 2025 shoqërohet me një video të ngjarjes.

Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme nuk është regjistruar së fundmi, por është në rrjet nga prilli 2021, përpara se Starmer të zgjidhej kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar, pozicion që e ka mbajtur nga korriku i vitit 2024.

Sipas BBC, Starmer, në atë kohë udhëheqësi i opozitës, u dëbua nga lokali The Raven në Bath nga bashkëpronari i tij, i cili “ishte i pakënaqur me reagimin e laburistëve ndaj karantinës së vendosur nga qeveria” gjatë pandemisë. Ai tha se ekonomia ishte sakrifikuar “sepse të moshuarit po vdesin.”

Starmer po vizitonte qytetin e Bath si pjesë e fushatës për zgjedhjet e majit 2021. Vizita e tij në barin The Raven ishte planifikuar me një nga bashkëpronarët, i cili i kërkoi falje laburistëve. Llogaria e lokalit në Twitter postoi se nuk kishte “qëllim të devijonte vizitën e Keir Starmer në Bath” dhe se pikëpamjet e personit në video janë “të tijat.”

Prandaj, pretendimi se kryeministri aktual britanik u nxor jashtë një pub është i pasaktë. Video është e vjetër dhe tregon një incident të vitit 2021 që përfshin Keir Starmer, i cili nuk ishte kryeministër në atë kohë.

The post Kryeministri britanik nuk u nxorr jashtë nga lokali appeared first on Faktoje.al.

Ligji antiduhan, nga zbatimi me bujë tek dështimi i heshtur

Esmeralda Topi

Në gusht të vitit 2019, një foto e shpërndarë nga faqja satirike “Brryli Broadway” ndezi debat në rrjetet sociale. Në të shfaqej kryeministri Edi Rama, i ulur në një restorant buzë Lungomares së Vlorës, me një cigare të ndezur në dorë.

Kryeministri po shkelte ligjin antiduhan, që nisi të zbatohej me bujë verën e 2014-s dhe ish ashpërsuar sërish pesë vite më vonë.

Rama mohoi shkeljen duke argumentuar se ndodhej në ambientet e jashtme të lokalit. Por detajet në foto e ‘dogjën’. Komentuesit vunë re se shishet e verës, që shiheshin në sfond, mbaheshin në rafte, gjë që ndodh vetëm në ambiente të mbyllura, aq më tepër në kulmin e vapës përvëluese të gushtit.

“Në sa restorante mbahet vera jashtë, kur temperatura arrin 40 gradë? Në asnjë,” shkruante një qytetar.

Ky nuk ishte një rast i izoluar. Në pesë vite jetë, ligji i ri antiduhan po jepte shenjat e para të dështimit. Një ndër ligjet më të rëndësishme për shëndetin publik, u kthye vit pas viti në një akt formal, i shpërfillur nga të gjithë.

Nga zbatimi i rreptë tek indiferenca shtetërore

Kur ligji i ri kundër duhanpirjes hyri në fuqi në gusht të vitit 2014, pati një efekt të menjëhershëm. Lokalet boshatisën tavolinat nga tavullat e duhanit, pronarët vendosën shenja ndaluese, ndërsa qytetarët u mësuan me idenë se ambientet e mbyllura duhej të ishin pa tym. Kontrolli ishte i forte asokohe. Inspektorati Shtetëror Shëndetësor (ISSH) gjobiste shkelësit.

Por shifrat zyrtare tregojnë se ky zell nuk zgjati shumë. Nga të dhënat e siguruara nga “Faktoje”, ISSH ka kryer 94,355 inspektime kombëtare në periudhën 2015-2025. Në vitin 2015 u zhvilluan 22,125 inspektime, por në vitin 2025, deri në muajin maj, vetëm 2,319. Pra, një rënie dramatike prej rreth 90% brenda një dekade. Edhe krahasuar me vitin 2024, rënia e inspektimeve është e ndjeshme, duke shënuar 74% krahasuar me kulmin e vitit 2015.

Tirana, kryeqyteti me numrin më të madh të lokaleve, ndjek të njëjtën tendencë. Në vitin 2015 u kryen 4,985 inspektime, ndërsa në pesë muajt e parë të 2025 vetëm 693, reduktim prej 86%. Ligji që nisi të ushtrohej me rreptësi u braktis gradualisht, duke u bërë thuajse inekzistent veçanërisht gjatë pesë viteve të fundit.

Veç inspektimeve, edhe situata me gjobat është po aq shqetësuese pasi reflekton mungesën e ekzekutimit efektiv të ligjit. Në dhjetë vite janë vendosur gjithsej 2,073 gjoba. Kulmi i tyre ishte viti 2019, kur, pas zgjerimit të hapësirave të ndalimit, u dhanë 466 gjoba, më shumë se dyfishin e viteve para dhe pas tij. Por ky ishte një moment i shkurtër. Pas 2019-s, edhe numri i gjobave ka rënë ndjeshëm. Vetëm 12 gjoba në vitin 2021 dhe po aq në pesë muajt e parë të 2025.

Edhe më shqetësues është fakti se gjobat, edhe kur vendosen, nuk ekzekutohen. Nga mbi 2 mijë të tilla të vendosura dekadën e fundit, janë arkëtuar vetëm 262, pra 12.6%. Vlera e mbledhur është 786 milion lekë, ndërsa pjesa tjetër është peng i zvarritjeve përmbarimore.

Ekspertët: Shëndeti publik në rrezik

Eksperti Roland Shuperka, një nga hartuesit e ligjit antiduhan, e përmbledh me pak fjalë problemin: “Në shumë ambiente publike, sidomos në bare dhe kafene, ligji nuk zbatohet në praktikë.”

Shuperka rendit disa arsye: mungesë vullneti politik, mungesë monitorimi real, trajtim të pabarabartë të subjekteve dhe, paradoksalisht, gjoba shumë të larta që kanë krijuar hapësirë për abuzim nga vetë inspektorët.

Por ndoshta më e rëndësishmja është mungesa e një fushate të qëndrueshme ndërgjegjësimi. Në fillim, mesazhet kundër duhanit u shfaqën në çdo lokal, shkollë apo media. Sot, këto mesazhe janë zhdukur, duke lënë terren të lirë për një normalizim të duhanpirjes në ambiente të mbyllura.

“Ligji ka qenë një gur themeli për shëndetin publik në Shqipëri, por duhet një angazhim i fortë për zbatim dhe kontroll”, përfundon Roland Shuperka, ekspert për kontrollin e duhanit në Shqipëri.

Pasojat janë të matshme. Shqipëria ka një nga nivelet më të larta të duhanpirjes në rajon: rreth 38% e popullsisë. Duhanpirja është shkaku kryesor i 7 tumoreve, mes tyre kanceri i mushkërive (90%), i laringut (90%), i faringut dhe ezofagut (80%), i zgavrës së gojës dhe buzës, si dhe i fshikëzës urinare (70%).

Mjekët paralajmërojnë se rritja e numrit të duhanpirësve të rinj do të sjellë pasoja katastrofike. Deri në vitin 2030 pritet që numri i tumoreve në vend të rritet me 60% krahasuar me vitin 2020, kryesisht për shkak të konsumit të duhanit. Në vend të ndërgjegjësimit dhe parandalimit, të rinjtë ekspozohen ndaj një kulture ku cigaret shihen si pjesë normale e jetës shoqërore.

Historia e ligjit antiduhan në Shqipëri është historia e një nisme që nisi me zell dhe përfundoi me dështim. Në vitin 2014, ishte një shembull se si shteti mund të vendoste rregulla të forta për mbrojtjen e shëndetit publik. Por dhjetë vite më pas, është shembull se si mungesa e vullnetit politik, korrupsioni i vogël i përditshëm dhe indiferenca shoqërore mund ta zhbëjnë çdo nismë.

Ky artikull u realizua me mbështetjen e Fondacionit “Friedrich Ebert” në Tiranë.

The post Ligji antiduhan, nga zbatimi me bujë tek dështimi i heshtur appeared first on Faktoje.al.

Refuzimi i astronautit për betim nuk provon udhëtimet e rreme në Hënë

Pretendimi: Refuzimi i astronautit Neil Armstrong të betohet mbi Bibël se ka ecur në Hënë është provë se udhëtimi ishte i rreme.

Verdikti: Mungon konteksti

———————————————————–

Një video që ka marrë mbi 1700 pëlqime në Instagram duket se tregon astronautin Neil Armstrong, një nga astronautët që zbarkoi për herë të parë në Hënë në vitin 1969, duke refuzuar të betohet mbi Bibël se ka ecur në Hënë. “Përse Neil Armstrong e shmangu këtë pyetje?” shkruhet në mbishkrimin e videos, duke pretenduar kështu se ky refuzim provon se ulja e Armstrong në Hënë ishte e pavërtetë.

Video, e xhiruar në 2010, tregon astronautin Neil Armstrong që përballet me një burrë të quajtur Bart Sibrel, i cili pretendon se është nga “ABC Digital.” Sibrel i afrohet Armstrong dhe i kërkon të vërë dorën mbi Bibël dhe të betohet se ka ecur në Hënë. Armstrong thotë në video: “Zoti Sibrel, duke ju njohur, kjo ndoshta është një Bibël e rreme.” Në klip, Sibrel vazhdon të këmbëngulë dhe madje i ofron 5 mijë dollarë. Armstrong më pas thotë: “Zoti Sibrel e ka bërë veten budalla para botës… Z. Sibrel, ju nuk meritoni përgjigje.”

Sibrel, një konspiracionist dhe producent filmash, është i njohur për pretendimin se ulja në Hënë ishte e rreme dhe për ndjekjen e astronautëve të misioneve Apollo me një Bibël për t’u betuar se ata ecën në Hënë.

Sibrel u godit me grusht në fytyrë nga astronauti Buzz Aldrin, njeriu i dytë në Hënë, pasi u përball me astronautin në vitin 2002. Autoritetet nuk e akuzuan Aldrin, duke thënë se ai u provokua nga Sibrel, raportoi LA Times në atë kohë.

Nuk ka prova që ulja në Hënë ishte e falsifikuar ose që astronautët nuk ecën në Hënë. 

Megjithatë, ekzistojnë prova të panumërta shkencore që tregojnë se uljet Apollo në Hënë nuk ishin të inskenuara, të ofruara nga NASA dhe palë të tjera. NASA ofron fotografi, orë të tëra pamjesh video, transkripte dhe regjistrime audio të misioneve të ndryshme Apollo, që përfshinin mijëra personel. Astronautët sollën mostra të shkëmbinjve dhe dheut hënor gjatë misioneve të tyre, të cilat janë ende duke u studiuar. Orbita e Zbulimit Hënor të NASA kapi vendet e uljes së Apollo 11 dhe misioneve të tjera në vitin 2009.

Bazalt (majtas) dhe breccia (djathtas) të marrë nga sipërfaqja e Hënës gjatë misionit Apollo 11

Anije kozmike hënore orbitale të vendeve të tjera kapën vendet e uljes, përfshirë Selene japoneze, e cila fotografoi një aureolë të lënë në sipërfaqen e hënës nga misioni Apollo 15 në vitin 1971. Përveç kësaj, astronautët Buzz Aldrin dhe Armstrong lanë një reflektor lazer hënor në sipërfaqe, për të ndihmuar në matjen e saktë të distancës hënore nga toka, e cila është ende në përdorim sot.

The post Refuzimi i astronautit për betim nuk provon udhëtimet e rreme në Hënë appeared first on Faktoje.al.

❌