Bashkitë rrisin shpenzimet e personelit, ulin investimet në 5-mujor
Shpenzimet e pushtetit vendor për 5-mujorin e parë 2025 evidentojnë zhvendosje të theksuar drejt shpenzimeve të personelit dhe tkurrje të mëtejshme të shpenzimeve kapitale në raport me shpenzime totale. Personeli zuri 56% të shpenzimeve totale bashkiake në 5 mujorin 2025 nga 52% që zunë vitin e kaluar në këtë periudhë.
Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se shpenzimet për paga dhe kontributet shoqëruese arritën 16,454 milionë lekë, ose rreth 25% më shumë se një vit më parë.
Ndërkohë shpenzimet kapitale zunë 14% të shpenzimeve totale në 5-mujorin 2025 nga 16.6% në vitin 2024. Shtimi me 25% i shpenzimeve të personelit në vitin 2025 erdhi nga rritja e pagave.
Në anën tjetër, shpenzimet kapitale, matësi kryesor i investimeve publike në infrastrukturë, shërbime dhe asete të reja, kanë mbetur praktikisht të pandryshuara në nivelin: 4,1 miliardë lekë milionë lekë, gati të njëjtin nivel si një vit më parë.
Ndërsa kostot e personelit kanë “ngrënë” një copë më të madhe të tortës së shpenzimeve, hapësira për projekte zhvillimi nuk është zgjeruar, madje realisht është ngushtuar, po të llogariten edhe efektet e inflacionit. Kontrasti midis ritmit të rritjes së pagave dhe ngrirjes së investimeve po ul produktivitetin e buxheteve vendore, ku shumica e fondeve po përdoren kryesisht për funksionimin e përditshëm, jo për rritje kapacitetesh apo përmirësim shërbimesh.
10 vite nga nisja e zbatimit të reformës territoriale, në vend që të rrisin shërbimet për qytetaret i kanë përkeqësuar ato. Kompetencat dhe territoret e bashkive janë zgjeruar dukshëm pas reformës territoriale të vitit 2015 dhe gjithashtu, edhe kapacitetet financiare.
Reforma shkriu 373 njësi vendore në 61 bashki, ndërkohë fondet janë dyfishuar dhe pushteti i bashkive është i gjerë në komunitetet që drejtojnë, që nga strehimi e deri te kujdesi social, bujqësia, infrastruktura rurale dhe arsimi parashkollor, të cilat nëse zotërohen siç kërkojnë ligjet, ata mund të ndikojnë cilësinë e jetës, po aq edhe sa politikat e qeverisë qendrore.
Por në realitet, cilësia e shërbimeve, jo vetëm që nuk ka ndryshuar që nga reforma, por në shumicën e rasteve, kostoja e tyre është rritur, teksa rajonet e Shqipërisë po zbrazen nga popullsia dhe sidomos të rinjtë. Komunitetet rurale po përballen me mungesa të mëdha në shërbime dhe në infrastrukturë, teksa bashkitë e vendit nuk janë të afta të zbatojnë dhe të realizojnë buxhetet e tyre të vogla karshi nevojave të mëdha.
Të dhënat zyrtare nga Ministria e Financave tregojnë se në 2024 pushteti vendor realizoi vetëm 43 për qind të programit të investimeve. Nga 46,3 miliardë lekë të planifikuara u investuan vetëm 19,9 miliardë lekë ose më pak se gjysma e programit./ Monitor