Barcelona siguron 75 milionë euro nga shitjet dhe kursimet, në garë me kohën për regjistrimin e lojtarëve
Drejtori sportiv i Barcelonës, Deco, ka arritur të mbledhë rreth 75 milionë euro përmes shitjeve të lojtarëve, huazimeve dhe uljes së kostove të pagave. Ky është një hap vendimtar për t’iu përmbajtur rregulloreve të Fair Play Financiar të La Ligas.
Sipas mediave spanjolle, ky injektim financiar është jetik për rikthimin e klubit në rregullin e limitit të pagave 1:1, që do t’i lejonte Barcelonës të regjistrojë pesë lojtarë të rinj: Joan Garcia, Wojciech Szczesny, Marcus Rashford, Gerard Martin dhe Roony Bardghji.
Një pjesë e madhe e kursimeve erdhi nga largimi i Inigo Martinez drejt Al-Nassr, i cili uli faturën vjetore të pagave me 14 milionë euro, përfshirë pagat dhe komisionet e muajit korrik. Gjithashtu, huazimi i Ansu Fati te Monaco dhe transferimi i lirë i Clement Lenglet te Atletico Madrid kursyen nga 12 milionë euro secili.
Në anën tjetër, të ardhurat nga transferimet u udhëhoqën nga shitja e Pau Víctor te Braga për 12 milionë euro plus 3 milionë në bonuse.
Pasuan transferimi i Alex Valle te Como për 6 milionë euro dhe ai i Pablo Torre te Mallorca për 5 milionë euro. Ekipi rezervë gjithashtu kontribuoi me shitjet e Sergi Dominguez (1.5 milionë euro), Noah Darvich (1 milion euro) dhe kalimin e Eman Kospo te Fiorentina për 400 mijë euro.
Barcelona përfitoi edhe nga klauzolat e shitjes së disa ish-lojtarëve: Jean-Clair Todibo (8 milionë euro), Ludovit Reis (1.75 milionë), Ilaix Moriba (0.6 milionë), Ferran Jutgla (0.05 milionë) dhe Alex Collado (0.5 milionë), duke e çuar totalin në 74.8 milionë euro.
Klubi është ende në pritje të një vendimi nga Komisioni Mjekësor i La Ligas për dëmtimin e portierit Marc-Andre ter Stegen.
Nëse dëmtimi i tij do ta mbajë jashtë fushave për katër ose pesë muaj, Barcelona mund të përdorë 50% ose 80% të pagës së tij prej 16.67 milionë eurosh për të regjistruar Joan Garcian në ndeshjen hapëse të kampionatit këtë të shtunë kundër Mallorcas. /Telegrafi/
The post Barcelona siguron 75 milionë euro nga shitjet dhe kursimet, në garë me kohën për regjistrimin e lojtarëve appeared first on Telegrafi.