Në një kohë kur shumë fshatra në Shqipëri janë shpopulluar, në Arrëz të Librazhdit gjejmë Muhamet Muçën, 69 vjeç, fermerin që vazhdon të punojë tokën si dikur, pa kërkuar ndihmë nga askush. Në mes të vapës përvëluese të korrikut, kur termometri tregon mbi 40 gradë Celsius dhe dëgjohet vetëm gumëzhima e gjinkallave, ne e gjejmë Muhametin duke u kujdesur për kanalin vaditës, një kanal rreth 200-vjeçar.
Edhe pse shumica e banorëve janë larguar në emigracion, përfshirë edhe fëmijët e tij, Muhameti ka zgjedhur të qëndrojë.
Arrëzi, një fshat që dikur njihej për bollëk dhe prodhime bujqësore, furnizonte me grurë qytetin. Vetëm për 6 muaj fshati hante bukë gruri pjesa tjetër ishte bukë misri. Ishin vitet e socializmit, kur planet ishin të detyrueshme dhe mosrealizimi i tyre të nxirrte përpara gjyqit apo të linte pa punë.
Ai ka përshtatur edhe një fuçi për grumbullimin e ujit, për ta shpërndarë më pas në tokë. Kjo është mënyra e tij për të mbijetuar, por edhe për të respektuar tokën që e ka ushqyer gjithmonë.
Muhameti na flet edhe për mullirin e fshatit një mulli shekullor, gurët e të cilit përgatiteshin nga mjeshtër të veçantë në Dragostunjë. Ishte një mulli që furnizonte mbi 300 shtëpi. Sot, vetëm rreth 100 kanë mbetur dhe pjesa më e madhe janë të moshuar.
Por historia e Muhametit nuk përfundon këtu. Ai ka qenë edhe kinooperator. Ka ndjekur shkollën për të përdorur aparatin e projeksionit dhe ka shfaqur filma të realizmit socialist në shtatë fshatra të zonës Arrëz, Babje, Spathar, Dragostunjë, Hotolisht, Vulçan dhe Skroskë. Filmave të asaj kohe i shkonte vetë me projektor në kurriz të kafshës, siç ishte urdhri i kohës që edhe fshati të merrte pjesë në edukimin socialist./abcnews.al