Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Marsh drejt Europës/ Hapet grupkapitulli i pestë i negociatave

SHQIPËRI-Shqipëria ka shënuar një tjetër moment historik në rrugën e saj drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të vendeve anëtare të BE ka dhënë miratimin për të vijuar negociatat me vendin tonë për Grupkapitullin 5, që përfshin Burimet, Bujqësinë dhe Politikat e Kohezionit.

Lajmin e bëri të ditur Kryeministri Edi Rama përmes një postimi në rrjetet sociale, ku theksoi se Presidenca Daneze e BE-së është autorizuar tashmë të ftojë zyrtarisht Shqipërinë për të paraqitur Pozicionin e saj Negociues mbi këtë grupkapitull.

“Sot, më 23 korrik 2025, në vijim të progresit të vazhdueshëm e dinamik të Shqipërisë në rrugën e negociatave të anëtarësimit në Bashkimin Evropian, Komiteti i Përfaqësuesve të Përhershëm të Vendeve Anëtare të BE-së autorizoi Presidencën Daneze të ftojë Shqipërinë për të paraqitur Pozicionin e saj Negociues për negociatat mbi Grupkapitullin 5.

Ky grupkapitull përfshin sektorë me rëndësi jetike për zhvillimin ekonomik dhe social të vendit, si bujqësia, zhvillimi rural, menaxhimi i burimeve natyrore, si dhe politikat e kohezionit territorial dhe rajonal, të cilat janë themelore për përafrimin me standardet e BE-së dhe për përfitimin e fondeve europiane në mënyrë efikase dhe të drejtë.

Ajo që e bën këtë hap edhe më të rëndësishëm është fakti se Grupkapitulli 5 është kapitulli i fundit i negociatave, duke i hapur rrugë përmbylljes së fazës së hapjes së të gjithë kapitujve teknikë. Kjo do të thotë se procesi i negociatave hyrëse për secilin grup tematik tashmë është i plotë, dhe Shqipëria i ka përmbushur të gjitha kriteret për të kaluar në fazën përfundimtare të përmbylljes së kapitujve dhe përgatitjes për anëtarësim të plotë./abcnews.al

KQZ jep vendimin për PSD/ “Shkrihet” lista e mbyllur, kush e merr mandatin në Tiranë

TIRANË- Kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhje ka pranuar kërkesën e kandidatëve të Partisë Social Demokrate, të cilët kanë hequr dorë nga vullneti i tyre për të marrë mandatin e deputetit dhe kështu e drejta për të shkuar në Kuvend i lind njërit prej kandidatëve në lista të hapura.

Kandidati, i cili merr mandatin e PSD nga qarku i Tiranës është Tedi Mula.

Kryekomisioneri Celibashi bëri dhe analogjinë se pse miratoi kërkesën e PSD dhe hodhi poshtë pretendimet e kandidatëve të koalicionit Nisma “Shqipëria Bëhet”.

Ai theksoi se ligji e parashikon që kandidatët nuk mund të dorëhiqen nga  kandidimi pasi listat janë miratuar, por atyre u lind e drejta për të hequr dorë nga mandati, siç dhe vepruan kandidatët e listës së mbyllur të PSD-së.

“Janë depozituar sot ne KQZ 12 deklarata të cilat i përkasin 12 kandidatëve për deputetë të listës të mbyllur për qarkun e Tiranës. Deklarata noteriale, sipas së cilave, secili prej tyre deklaron se nuk ka interes për të marrë mandatin e deputetit. Kemi një dorëheqje nga e drejta për të përfituar mandatin e deputetit dhe jo nga kandidimin. KQZ respekton vullnetin e kandidatëve, rezulton se kandidati fitues dhe ai që merr mandatin e PSD në Tiranë është Tedi Mula”, tha ai.

Makina del nga rruga në Korçë, lëndohet çifti i bashkëshortëve

KORÇË- Një aksident rrugor ka ndodhur në afërsi të fshatit Dvoran. Një mjet del nga rruga dhe si pasojë janë lënduar një çift bashkëshortësh.

Mësohet se drejtuesi ka humbur kontrollin dhe ka dalë nga rruga duke mbetur i plagosur së bashku me bashkëshorten që ishte pasagjere.

Dy të dëmtuarit po nisen drejt spitalit të Korçës për ndihmë mjekësore ndërkohë që ka mbërritur edhe policia në vendngjarje për zbardhjen e rrethanave të aksidentit.

Greqi, zjarret masive në pyje detyrojnë evakuimin e banorëve

Forca të mëdha zjarrfikëse vazhdojnë të luftojnë me zjarret pyjore në vendin ballkanik. Sipas zjarrfikësve, zjarret kanë përfshirë një zonë malore dhe të paarritshme në kufirin midis Arkadias dhe Korinthit, gjë që po ndërlikon përpjekjet e ekipeve të zjarrfikësve.

Zjarrfikësit kanë njoftuar vendosjen e përforcimeve me 185 zjarrfikës, përfshirë gjashtë ekipe pyjore dhe 56 automjete, që tani po operojnë në zonë.

Pesëmbëdhjetë aeroplanë dhe 12 helikopterë janë mobilizuar për shuarjen e zjarreve nga ajri, ndërsa makineritë dhe cisternat janë gjithashtu në shërbim.

Pasditen e vonë të së martës, një alarm i ri emergjence u lëshua në 112 duke kërkuar evakuimin e zonave të Kionias, Stymphalias dhe Matsizas duke i nxitur banorët të zhvendosen në zonën e Psarit.

Më parë, një mesazh i ngjashëm ishte dërguar për të evakuuar zonat e Karterit, Drosopigisë, Kastaniasë dhe Lavkas.

KQZ “vulos” Tiranën, shpërndan mandatet për subjektet politike

TIRANË- Pas më shumë se dy muajsh nga zgjedhjet parlamentare të 11 majit, KQZ ka shpërndarë këtë të mërkurë mandatet për subjektet politike për qarkun e Tiranës.

“Vendosim shpërndarjen e mandateve për Tiranën: PS 19 mandate, koalicioni PD-ASHM 13 mandate, Mundësia dy mandate, Nisma “Shqipëria Bëhet” një mandat, PSD një mandat, Lëvizja Bashkë një mandat”, tha kryekomisioneri Celibashi.

KQZ pritet të vendosë edhe për mandatin e vetëm të koalicionit “Nisma Shqipëria Bëhet”, pas përplasjeve mes Lapaj dhe Shabanit.

Zgjatja e kohës së certifikimit të zgjedhjeve erdhi për shkak të procesit të rinumërimit, me pretendimet e Partisë Demokratike për manipulime të zgjedhjeve, por që ne fund nuk prodhoi asnjë ndryshim në rezultat.

Gazetari i ABC News, Andon Kello, raporton se zgjidhja sa i takon “telenovelës verore Lapaj-Shabani” tashmë është në dorë të kryetarit të KQZ-së, Ilirjan Celibashit.

“Sot është shpërndarja e 37 mandateve të qarkut të Tiranës. Ende nuk ka një qartësi se kujt do t’i përkasë mandati i deputetit në koalicionin Nisma “Shqipëria Bëhet”, por tani vendimi është në dorë të Celibashit. Po ashtu, pritet që edhe PSD do ketë një lëvizje të fundit, duke tërhequr 12 kandidatët nga lista e mbyllur dhe për t’ia lënë mandatin listave të hapura”, tha ai./abcnews.al

Donald Trump njofton marrëveshje tregtare me Japoninë

Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, njoftoi një marrëveshje tregtare “masive” me ekonominë e pestë më të madhe në botë, Japoninë.

“Sapo përfunduam një marrëveshje madhore me Japoninë, ndoshta marrëveshja më e madhe e bërë ndonjëherë”, shkroi Trump në platformën e tij “Truth Social”.

“Japonia do të investojë, sipas udhëzimeve të mia, 550 miliardë dollarë në Shtetet e Bashkuara, të cilat do të marrin 90 për qind të fitimeve”, tha ai.

Trump tha se marrëveshja do të krijojë qindra mijëra vende pune dhe se Japonia do ta hapë vendin e saj për tregti, duke përfshirë makina, kamionë, oriz dhe produkte të caktuara bujqësore.

“Japonia do t’u paguajë Shteteve të Bashkuara tarifa reciproke prej 15 për qind”, shtoi ai.

“Kjo është një kohë shumë emocionuese për Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe veçanërisht për faktin se ne do të vazhdojmë të kemi gjithmonë një marrëdhënie të shkëlqyer me Japoninë”, tha Trump.

SHBA-ja do të finalizojë marrëveshjen me Japoninë për LNG-në në Alaska

Negociatori kryesor i tarifave i Japonisë, Ryosei Akazawa, u takua me Trumpin në Shtëpinë e Bardhë të martën më herët, sipas raportimeve të mediave.

Ai gjithashtu thuhet se zhvilloi bisedime me Sekretarin e Tregtisë të SHBA-së, Howard Lutnick, dhe Sekretarin e Thesarit, Scott Bessent.

Trump, ndërsa iu drejtua Republikanëve të Kongresit në Shtëpinë e Bardhë, tha se nënshkroi “marrëveshjen më të madhe tregtare në histori” me Japoninë.

Ai gjithashtu njoftoi se SHBA-ja do të finalizojë një marrëveshje me Japoninë në lidhje me gazin natyror të lëngshëm (LNG).

“U thashë përfaqësuesve japonezë të tregtisë, dhe këta ishin njerëzit kryesorë… Ne përfunduam një marrëveshje dhe tani do të përfundojmë një tjetër sepse ata po formojnë një sipërmarrje të përbashkët me ne në Alaska për LNG-në”, tha ai.

Trump gjithashtu la të kuptohej për një mori negociatash të ardhshme, duke sugjeruar se bisedimet me udhëheqësit evropianë dhe vendet e tjera janë afër.

“Ne kemi Evropën që vjen nesër dhe një ditë më pas dhe kemi disa të tjera që do të vijnë”, tha ai.

Agjencia japoneze e lajmeve Kyodo, duke cituar një zyrtar të paidentifikuar, megjithatë, raportoi se marrëveshja tregtare e Japonisë me SHBA-në nuk është nënshkruar ende, megjithëse Tokio shpreson ta vërë në fuqi së shpejti.

“Japonia ende nuk ka rënë dakord për formimin e një sipërmarrjeje të përbashkët të LNG-së me SHBA-në”, ka thënë zyrtari.

Më parë, Akazawa sqaroi se marrëveshja tregtare me Washingtonin nuk përfshin asnjë dispozitë që lidhet me shpenzimet e mbrojtjes të Japonisë.

Ai e përshkroi vizitën e tij në SHBA si të suksesshme, duke shkruar në X se “misioni është përfunduar”.

Zjarri në Dukat ende aktiv, zjarrfikësit luftojnë me flakët

VLORË- Vatra e zjarrit në malin e Dukatit vijon të mbetet aktive dhe problematike.

Për t’i bërë ballë situatës problematike, forcat zjarrfikëse kanë rinisur ndërhyrjenqë në orët e para të mëngjesit të kësaj të mërkure.

Ndërhyrja është përqendruar në zonën më problematike, ku situata paraqitet më e vështirë, me synim që flakët të mos avancojnë drejt Parkut Kombëtar të Llogarasë.

Ndërkohë, pritet të rinisë edhe ndërhyrja nga ajri për shuarjen e vatrave, të cilat kanë djegur një sipërfaqe të konsiderueshme pyjore.

Pritet ekstradimi nga Dubai/ Pjesë e grupit Bajri, kush është Denis Brajoviç i akuzuar për vrasje dhe lidhja me Ervis Martinajn

TIRANË-Personi në foto është Denis Brajoviç, i arrestuar në Emiratet e Bashkuara Arabe, në muajin shkurt 2024, rreth 7 muaj pasi SPAK e shpalli atë në kërkim në kuadër të operacionit “Metamorfoza”.

36-vjeçari dyshohet se është autori i vrasjes së Gjin Boriçit, më 9 Gusht të vitit 2020. Arrestimi i Brajoviç, u bë falë shkëmbimit të informacioneve mes Interpol Tirana dhe autoriteteve të Emirateve të Bashkuara Arabe.

Roli i 36-vjeçarit në ngjarjen për të cilën akuzohet u zbulua pas zbërthimit të aplikacionit SKY ECC, nga ku rezultoi se porositës i vrasjes së Boriçit ishte Ervis Martinaj.

Konkretisht ky i fundit përmes biznesmenit Pëllumb Gjoka i kishte kërkuar Behar Bajrit, gjithashtu i arrestuar në operacionin Metamorfoza, të ekzekutonte Gjin Ndoj Boriçin.

Kështu Behar Bajri i cili edhe pse rezulton të ketë patur marrëdhënie shoqërore me Boriçin, i jep porosi Denis Brajoviçit për të finalizuar ekzekutimin.

Në këmbim të vrasjes së tij, Ervis Martinaj do të realizonte vrasjen e Kleant Musabelliut, ngjarje kjo që nuk u krye.

Për ekzekutimin e Musabelliut ishte i interesuar biznesmeni Gjoka, pasi kishte tentuar ta vriste këtë të fundit në vitin 2017./abcnews.al

I akuzuar për vrasje, pritet ekstradimi i Denis Brajoviç nga Dubai

TIRANË- Denis Brajoviç pritet të ekstradohet këtë të mërkurë nga Emiratet e Bashkuara. Ai njihet si anëtar i grupit të Bajrave në Shkodër.

Ky shtetas është i akuzuar nga SPAK, në kuadër të operacionit policor të koduar “Metamorfoza”, pasi dyshohet si autor i një vrasjes së Gjon Boriçit, më 9 gusht 2020, në Shkodër.

Gjithsej ndaj tij rëndojnë pesë akuza të rënda të ngritura nga SPAK dhe që kanë të bëjnë me aktivitetin e grupit të Bajrave të Shkodrës. Ai u arrestua më 27 shkurt 2024 në Emiratet e Bashkuara Arabe.

Njoftimi i Policisë:

Policia e Shtetit/Vijon operacioni policor ndërkombëtar i koduar “The Wanted”, për kapjen dhe ekstradimin e shtetasve të shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Si rezultat i bashkëpunimit shumë të ngushtë të Interpol Tiranës me Interpol Abu Dhabi dhe me partnerët në Emiratet e Bashkuara Arabe, në kuadër të operacionit policor ndërkombëtar të koduar “The Wanted”, pritet që gjatë ditës së sotme të finalizohen procedurat për ekstradimin nga Dubai, Emiratet e Bashkuara Arabe, në Shqipëri, të shtetasit shqiptar Denis Brajoviç 37 vjeç, shtetas i shpallur në kërkim ndërkombëtar, me rrezikshmëri shumë të lartë shoqërore, i akuzuar për një sërë veprash penale në fushën e krimeve kundër personit, të kryera në formën e grupit të strukturuar kriminal dhe për armëmbajtje pa leje.

Ky shtetas ishte i shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar Tiranë i ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprat penale: “Vrasja me paramendim”, kryer në formë të veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal; “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municioneve”; “Grupi i strukturuar kriminal”; “Kryerja e veprave penale nga grupi i strukturuar kriminal dhe organizata kriminale”; dhe “Sigurimi i kushteve dhe i mjeteve materiale për të kryer vrasje”, kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal.

Në lidhje me orën e mbërritjes, do të ketë një njoftim tjetër.

FOTO/ Rama promovon bukuritë e Linit: Një nga perlat e historisë dhe turizmit kulturor shqiptar

POGRADEC- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka ndarë pamje të veçantë me ndjekësit e tij në rrjetin social Facebook, duke publikuar një panoramë të bukur nga Bazilika e Linit, një nga thesaret arkeologjike më të çmuara të vendit.

“MIRËMËNGJES 😊dhe me një ditë të zakonshme korriku në Bazilikën e Linit, mes natyrës së qetë, trashëgimisë sonë të çmuar kulturore dhe pamjeve piktoreske që ofron ky fshat buzë liqenit, si një nga perlën e historisë dhe turizmit kulturor shqiptar, ju uroj një ditë të mbarë” shkruan Kryeministri në postimin e tij.

Postimi i  shefit të qeverisë shoqërohet me fotografi që pasqyrojnë bukurinë natyrore dhe vlerat kulturore të Linit, një destinacion gjithnjë e më i vizituar nga turistët vendas dhe të huaj. Me këtë mesazh, Kryeministri synon të nxjerrë në pah rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të trashëgimisë kulturore shqiptare, si dhe të inkurajojë vizitat në vendet historike që pasqyrojnë identitetin dhe lashtësinë e Shqipërisë.

Bazilika e Linit, e njohur për mozaikët e saj të rrallë dhe pozicionin piktoresk buzë liqenit të Ohrit, është një ndër atraksionet kryesore kulturore në juglindje të vendit/abcnews.al

“Travel off Path”: Shqipëria mes destinacioneve më të mira evropiane për t’u vizituar këtë verë

Nëse planifikoni të shkoni në Evropë këtë verë, por ende nuk keni vendosur plotësisht për një itinerar, ka të ngjarë që të habiteni me kostot shumë të larta – kur vendosni në minutën e fundit, shkruan Vinicius Costa në një artikull të botuar në revistën amerikane të udhëtimeve “Travel off Path”.

Nga Costa Brava e Spanjës, duke kaluar Rivierën Franceze, deri në Bregun Amalfi të Italisë dhe deri në Bregun Dalmatian idilik të Kroacisë, nevojitet një buxhet ditor deri në 194 dollarë ose më shumë, për të mos përmendur turmat masive.

Megjithatë, jo çdo destinacion veror evropian është aq i shtrenjtë sa Positano, në Bregun e Amalfit, në Itali.

Në fakt, ekzistojnë katër vende tërheqëse të “Botës së Vjetër” të cilat ofrojnë akomodim dhe ushqim me kosto më të lirë:

1-Vlora, Shqipëri; 2-Liqeni i Ohrit, Shqipëri/ Maqedoni e Veriut; 3-Nessebar, Bullgari; 4- Batumi, Gjeorgji.

Vlorë, Shqipëri

E vendosur midis maleve dhe detit, Vlora është destinacioni kryesor turistik në bregdetin e Shqipërisë, “perla e fshehur” e një vendi që është bërë pika e nxehtë e verës së ardhshme të Evropës.

Vlora është një qytet i qetë me një qendër historike të rinovuar së fundmi, me një trashëgimi të pasur kulturore, dhe një vijë bregdetare mahnitëse – të mbushur me apartamente të larta, bare plazhi të gjalla dhe taverna mikpritëse që shërbejnë ushqime të freskëta deti gjatë gjithë ditës.

Ky qytet i bukur bregdetar do të mundësojë fluturime direkte brenda Evropës.

Aeroporti Ndërkombëtar i Vlorës është planifikuar të hapet në vitin 2026.

Çmimet mesatare në Vlorë, Shqipëri

Vakt i Lirë – (Restorant) 8 dollarë

Vakt me 3 pjata për 2 persona – (Restorant i nivelit të mesëm) 28 dollarë

Akomodim i lirë – (Hostel) 14 dollarë

Akomodim i nivelit të mesëm (Hotel/B&B/shtëpi pritjeje me 3 yje) 59–69 dollarë

Hotel me 5 yje (Luksoz gjithëpërfshirës) 184–295 dollarë

Tarifa e taksisë (Për 0, 5 milje) 1,90 dollarë

Liqeni i Ohrit

Liqeni i Ohrit shtrihet në kufirin malor midis pjesës jugperëndimore të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë lindore. Është një nga liqenet më të thella dhe më të vjetra të Evropës, me një ekosistem unik ujor me rëndësi botërore, me më shumë se 200 specie endemike.

Imagjinoni një varg qytetesh buzë liqenit të kryqëzuara me rrugë me kalldrëm, me anije shumëngjyrëshe të ankoruara pranë porteve të tyre piktoreske, kisha mahnitëse të lashta dhe madje plazhe me guralecë – të shtrira pranë klubeve të lundrimit.

Mos humbisni Qytetin e Ohrit, një nga vendbanimet më të vjetra në Evropë.

I ndërtuar kryesisht midis shekujve VII dhe XIX, ai ka manastirin më të vjetër sllav (Shën Pantelejmonin) dhe më shumë se 800 ikona të stilit bizantin që datojnë nga shekulli XI deri në fund të shekullit të XIV.

Britania e Madhe vendos sanksione kundër bandave të trafikimit me gomone

Qeveria britanike pritet të publikojë këtë javë emrat e udhëheqësve të bandave dhe kompanive që furnizojnë me gomone dhe varka të vogla për trafikim njerëzish, si pjesë e një pakete të re sanksionesh.

Këto masa, të parat e këtij lloji në botë, synojnë të ndalojnë emigracionin ilegal përmes Kanalit Anglez duke goditur direkt financat dhe asetet e këtyre grupeve kriminale.

Ministrja e Brendshme, Yvette Cooper, tha se sanksionet do t’i shkatërrojnë rrjetet e trafikimit duke i privuar nga burimet e tyre ekonomike kudo që veprojnë.

Vetëm në gjashtë muajt e parë të vitit 2025, mbi 20 mijë persona kanë kaluar ilegalisht Kanalin Anglez, një rritje prej 50% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, duke shtuar presionin mbi sistemin e azilit dhe sigurinë publike në Mbretërinë e Bashkuar.

 

Parashikimi i motit/ Temperaturat pritet të arrijnë deri në 40 gradë Celsius

Territori Shqiptar do të mbetet nën ndikimin e të nxehtit afrikan, duke sjellë mot të kthjellët dhe temperatura shumë të larta, ku sërish goditen nga vlera ekstreme qarku i Shkodrës dhe Elbasanit.

Në këto dy qarqe maksimumi do të ngjitet mbi 40 gradë celcius. Pjesa e dyte e ditës do të sjellë vranësira të herë pas-herëshme për-gjatë zonave malore Lindore duke lënë bregdetin dhe zonat e ulëta vetëm me kthjellime.

Temperaturat e ajrit do të pësojnë rënie në vlerat minimale, ku zonat malore do të shënojnë 12°C ndërsa maksimumi do të mbetet lehtësisht mbi 40°C përkatësisht në; Koplik; Urën Vajgurore si edhe Cërrik.

Era do të fryjë e lehtë dhe mesatare me shpejtësi mbi 40 km/h nga drejtimi kryesisht Veriperëndimor duke krijuar në brigjet detare dallgëzim 2-3 ballë.

 

 

Letonia dërgon mijëra dronë në Ukrainë

Letonia ka dërguar tashmë 1300 dronë në Kiev dhe nuk ka asnjë plan për të ndaluar këtë mbështetje të rëndësishme ushtarake.

Ministri i Mbrojtjes, Andris Spruds, njoftoi përmes rrjetit social X se një tjetër dërgesë me dronë është tashmë në rrugë drejt Ukrainës.

Ai theksoi angazhimin e vazhdueshëm të Letonisë për të ndihmuar në mbrojtjen e vendit nga agresioni.

Por kjo nuk është vetëm një ndihmë e përkohshme.

Sipas deklaratës së ministrit, gjatë këtij viti Ukraina pritet të marrë në total rreth 12 mijë dronë, të cilët kanë një vlerë të përgjithshme mbi 17 milionë euro.

Ky kontribut i konsiderueshëm teknologjik dhe ushtarak është pjesë e përpjekjeve më të gjera ndërkombëtare për të fuqizuar kapacitetet mbrojtëse të Ukrainës në luftën e saj.

Kjo ndihmë tregon jo vetëm solidaritetin e Letonisë me Ukrainën, por edhe rëndësinë që kanë teknologjitë moderne si dronët në konfliktet bashkëkohore, duke ofruar mbështetje strategjike në terren dhe duke ndihmuar në sigurimin e informacionit të vlefshëm për forcat ukrainase.

 

Horoskopi, çfarë parashikojnë yjet për ju

Dashi

Jeta juaj ne çift do ketë disa pengesa te vogla gjate kësaj dite. Nuk do ndiheni mire ne krahët e atij qe keni ne krah dhe nuk do i shmangni dot debatet. Beqaret do mbyllen ne vetvete dhe nuk do pranojnë kurrsesi ftesat qe do iu bëhen. Ne planin financiar ka ardhur koha te bëni një riorganizim te situatës dhe te ulni për pak kohe shpenzimet.

Demi

Sot do ndizet drita jeshile ne jetën tuaj ne çift dhe mund t’i shprehni pa dorashka te gjitha ato qe ndieni. Atmosfera do jete aq e këndshme sa emocionet do jene te njëpasnjëshme. Beqaret do kenë disa takime te rëndësishme te cilat mund t’ua ndryshojnë te ardhmen. Financat nuk do jene ne gjendjen me te mire, prandaj bëni shume kujdes.

Binjakët

Duhet te tregoheni shume te duruar dhe te matur me partnerin tuaj gjate kësaj dite, përndryshe do lindin probleme te mëdha te cilat me zor do zgjidhen. Pranoni here pas here te toleroni. Beqareve do filloje t’iu rrahe zemra fort ne momentin qe ata me pak e presin. Financat do jene problematike. Nuk duhet tepruar me shpenzimet dhe ne rast nevoje duhet kërkuar ndihme.

Gaforrja

Harmonia do mbizotërojë gjate gjithë kësaj dite ne jetën tuaj ne çift. Do kuptoheni mjaft mire me atë qe keni ne krah dhe nuk do ndodhe asgjë e keqe. Beqaret do iu japin prioritet miqve dhe nuk do e kenë mendjen për te krijuar një lidhje. Sektori i te ardhurave do jete akoma me i privilegjuar se me pare. Do iu jepet mundësia edhe për te shlyer borxhet e marra prej kohesh.

Luani

Ne përgjithësi klima yjore do jete e ngrohte sot. Do ndiheni mjaft mire pranë partnerit tuaj dhe do argëtoheni pa fund. Gjithë kohen e lire ai do ua kushtoje juve. Beqaret nuk duhet te nxitohen te krijojnë menjëherë një lidhje me persona qe sapo i kane njohur sepse do kenë zhgënjime me vone. Ne planin financiar duhet te reflektoni mire para se te bëni çdo lloj shpenzimi.

Virgjeresha

Ndikimi i planetëve nuk do jete aspak negativ ne jetën tuaj ne çift sot. Do e dini mire se çfarë te bëni qe te ruani një klime sa me harmonike dhe te mos keni debate. Beqaret duhet te pranojnë ftesa, por jo te nxitohen për te marre vendime. Ne planin financiar do keni fat me shumice. Jo vetëm qe do kryeni te gjitha shpenzimet e menduara, por do hiqni edhe disa para mënjanë.

Peshorja

Do filloni te mendoni për projekte te përbashkëta me partnerin tuaj gjate kësaj dite dhe te bëni edhe plane për një te ardhme. Bashkëpunoni dhe bëni atë qe është me e mira e te dyve. Beqaret do e kenë te pamundur ta gjejnë princin e kaltër. Te ardhurat do jene delikate. Verifikoni njëherë situatën para se te kryeni çfarëdo lloj shpenzimi.

Akrepi

Ka mundësi qe qielli i dashurisë te jete i zymte gjate kësaj dite. Nuk do kuptoheni mire me atë qe keni ne krah dhe here pas here do debatoni fort. Beqaret do i joshin te gjithë personat qe do kenë pranë pa menduar se ata mund te jene ne një lidhje. Mos bëni gjera për te cilat te pendoheni shpejt. Financat do përkeqësohen për shkak te disa shpenzimeve te pamenduara qe keni kryer se fundmi.

Shigjetari

Nëse jeni te dashuruar do ndiheni te qete dhe nuk do keni probleme gjate kësaj dite. Si ju ashtu edhe partneri do tregoheni te kuptueshëm dhe do toleroni here pas here. Beqaret gjithashtu do jene me fat dhe do mund te ndryshojnë rrjedhën e jetës. Financat do vazhdojnë te jene ne te njëjtën situate si me pare. Nuk do ketë vështirësi.

Bricjapi

Ata qe janë ne një lidhje do kenë nevoje për me shume ngrohtësi dhe mbështetje nga partneri i tyre sot. Mund edhe t’ia kërkoni atij këtë pa druajte sepse ai do jete ne humor dhe do ua plotësojë dëshirat. Beqaret me shume gjase do takojnë personin qe kane ëndërruar gjithmonë. Nëse nuk tregoheni te matur ne planin financiar do keni probleme serioze.

Ujori

Sido qe te jene rrethanat ne jetën tuaj ne çift, sot do bëni çmos qe te qëndroni sa me afër partnerit tuaj dhe te flisni gjere e gjate për gjithçka. Ai nga ana tjetër do jete i gatshëm t’iu dëgjojë dhe t’iu mbështesë. Beqaret do kenë një dite emocionuese fale disa propozimeve emocionuese qe do iu bëhen. Ne planin financiar do keni mbështetjen e disa familjareve.

Peshqit

Lidhja me partnerin do vazhdoje te jete e forte edhe gjate kësaj dite. Do kaloni çaste romantike dhe mjaft emocionuese se bashku. Beqaret do kenë veçse mundësi për aventura kalimtare, ndërsa për dashuritë e mëdha dhe jetëgjata do iu duhet ende te presin. Ne planin financiar do jeni te vendosur dhe mjaft këmbëngulës qe ta përmirësoni sa me shpejt situatën.

Energjia e rinovueshme/ Balluku: Tokat e pafrytshme duhet të vendosen në dispozicion të ankandeve publike

TIRANË- Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, u shpreh se Shqipëria ka fituar një emër të mirë në tregun ndërkombëtar sa i takon ankandeve për fushën e energjisë së rinovueshme.

Ajo paralajmëroi se në bashkëpunim me bashkitë e vendit do të listojnë të gjithë ato pronat që janë në inventar dhe që nuk përdoren për qëllime bujqësore apo prodhimi do vihen në ankande ndërkombëtare dhe përmes kësaj të bëhet investimi, ku mund të përfitojnë bashkitë ashtu dhe banorët e saj.

“Kemi krijuar një emër të mirë në tregun ndërkombëtar për sa i përket ankandeve të energjisë së rinovueshme në vendin tonë. Kemi arritur që ato toka e pafrytshme duhet të vendosen në dispozicion të ankandeve publike duke u bërë pjesë edhe vetë bashkitë në këto ankande.

E them këtë, pasi shpeshherë na vijnë kërkesa që merren me qira nga privatët nga baskitë e vendit, ndërkohë bashkitë s’kanë kapacitet për të ngritur ankande.

Në bashkëpunim me bashkitë e vendit kemi nisur një proces, për të identifikuar ato prona, që janë në regjistrat apo inventarët e bashkisë, të cilat janë të pafrytshme dhe nuk mund të kontribuojnë në sektorin bujqësor, të cilat duhet të vendosen në dispozicion të ministrisë. Ne mund të arrijmë që të gjithë këto sipërfaqe të disponohen për ankande ndërkombëtare, por duke bërë bashkitë e vendit partner në këtë proces përfitimin që i takon”, tha ajo./abcnews.al

 

Parku fotovoltaik në Belsh/ Balluku tregon procedurat: Ja sa do kushtojë projekti

TIRANË- ZëvendësKryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku ka nënshkruar marrëveshjen e kredisë dhe grantit për financimin të projektit për ndërtimin të parkut fotovoltaik të Belshit.

Ajo tregoi procedurat, afatet dhe vlerën e investimit të projektit në fjalë.

“ Ky është një projekt shumë i dashur për ne të ministrisë, sidomos për KESH. Është ngjizur në periudhën e krizës energjetike, ku  BE dhe përfaqësuesit e BE hapën një thirrje për projekte të dedikuara për ngritjen e kapaciteteve për projekte të rinovueshme. Kjo thirrje rezultoi e suksesshme për ne, sepse arritëm të marrin një mbështetje granti, 9.58 milionë euro, që është 23% e vlerës investimet, ndërkohë e shoqëruar nga një hua nga BERZH, që ekuivalon në 30 milionë euro. BERZH, që tashmë partner i konsoliduar në sektorin tonë energjetik. Projekti ka afate të mire caktuara, menjëherë pas nënshkrimit të marrëveshjes, do të përgatitemi për thirrjen ndërkombëtarë për ndërtimin e  këtij parku, kompania fituese duhet të që brena 6 muajsh duhet të dorëzojë projektin e detajuar dhe  më pas 12 muaj janë të mjaftueshëm për ndërtimin e kësaj vepre”, tha ajo./abcnews.al

Ministri Hasani pret homologun irlandez: Mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Irlandës në rrugën tonë drejt BE-së

Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Igli Hasani, priti sot në ambientet e MEPJ Ministrin e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Mbrojtjen të Irlandës,  Thomas Byrne. Gjatë takimit, u diskutua mbi ecurinë e procesit të integrimit evropian të Ballkanit Perëndimor, si një dimension thelbësor për paqen dhe sigurinë afatgjatë në kontinent.

Në fokus ishte progresi i Shqipërisë drejt anëtarësimit në BE. Ministri Hasani theksoi përkushtimin e palëkundur të qeverisë për të avancuar reformat kyçe, duke e cilësuar integrimin evropian si prioritet të qartë kombëtar.

“Mirënjohje për mbështetjen e qëndrueshme të Irlandës për procesin e zgjerimit dhe për përkrahjen konkrete në rrugëtimin tonë drejt anëtarësimit. Shpresojmë të thellojmë bashkëpunimin edhe më tej gjatë Presidencës së Irlandës në Këshillin e BE- së në gjysmën e dytë të vitit 2026,”  u shpreh Ministri Hasani.

Ai shtoi se Shqipëria është e gatshme të hapë grup-kapitujt e radhës në negociata dhe synon përmbylljen e pjesës teknike brenda vitit 2027, me synimin për anëtarësim përpara fundit të dekadës.

Ministri Hasani nënvizoi gjithashtu se Shqipëria mbetet plotësisht e harmonizuar me politikën e jashtme dhe të sigurisë së BE-së, si dhe është aktive në misionet civile dhe ushtarake të saj – një kontribut i rëndësishëm për sigurinë rajonale dhe më gjerë.

Gjatë takimit u diskutua edhe për forcimin e marrëdhënieve dypalëshe mes Shqipërisë dhe Irlandës, përfshirë hapjen e fluturimeve direkte, si dhe për mundësitë e rritjes së investimeve irlandeze.

Nga Amerika Latine prostituonin në Shqipëri/ Prokuroria e Elbasanit mbyll hetimet, çon për gjykim 13 persona

TIRANË- Prokuroria e Elbasanit ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar në gjyq 13 persona, më së shumti nga Amerika Latine, të cilët akuzohen për veprat penale  ‘Prostitucion’ dhe ‘Shfrytëzim prostitucioni’

Hetimet disa mujore zbuluan një rrjet prostitucioni ku shtetase të huaja nga Amerika Latine dhe vende të tjera ishin rekrutuar, transportuar dhe vendosur në Shqipëri për të ushtruar veprimtari prostitucioni kundrejt pagesës.

Në qendër të këtij rrjeti qëndronin dy shtetas  të huaj, të cilët, përmes një skeme të mirëmenduar dhe me ndihmën e bashkëpunëtorëve të tjerë, koordinonin aktivitetin e paligjshëm dhe përfitonin nga shërbimet seksuale të ofruara nga gratë e rekrutuara.

Gjatë fazës intensive të hetimeve janë përdorur operacione të simuluara dhe agjentë më mbulim, të cilët mundësuan dokumentimin e qartë të veprimtarisë kriminale. U sekuestruan prova materiale, përfshirë para të shënuara, aparate telefonike, komunikime komprometuese dhe u dokumentuan të gjitha elementet që vërtetojnë strukturën dhe funksionimin e këtij rrjeti kriminal.

Në total u dërguan për gjykim 13 të pandehur, ndër të cilët:

2 organizatorë për veprën penale të “Shfrytëzimit të prostitucionit” në rrethana cilësuese;

2 shtetas të dyshuar si klientë që kanë përfituar shërbime seksuale kundrejt pagesës;

8 shtetase të huaja, nga Amerika Latine, të akuzuara për ushtrimin e prostitucionit në territorin e Republikës së Shqipërisë; dhe

1 person i përdorur për shfrytëzim.

Veprimtaria kriminale ishte e shtrirë në disa qytete të vendit dhe rrjeti operonte duke shfrytëzuar platforma ndërkombëtare online të prezantimit të eskortave, ku përmes publikimit të fotove dhe tarifave, realizohej kontakti me klientët shqiptarë dhe të huaj.

Prokuroria ka dokumentuar jo vetëm mënyrën e organizimit dhe funksionimit të rrjetit, por edhe lidhjet e ndërsjella të bashkëpunimit mes personave të përfshirë.

Prokuroria e Elbasanit do të vijojë të mbikëqyrë dhe ndjekë me vendosmëri të gjithë hapat e mëtejshëm procedurialë për këtë çështje, me qëllim që të gjithë të përfshirët të mbajnë përgjegjësinë penale për veprimet e tyre.

Rama: Të gjithë universitetet e Shqipërisë duhet të ndjekin shembullin e UBT, ndryshe s’ka mbështetje financiare

TIRANË- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, theksoi se nuk do ketë asnjë mbështetje financiare për universitet e vendit, nëse ato nuk ndjekin shembullin që po bën Universiteti Bujqësor i Tiranës.

Ai theksoi se qeveria do vijojë ta mbështesë me fonde e buxhet këtë universitet, i cili sipas tij, do të kthehet në një prej institucioneve rrezatuese në rajon dhe burim dijesh të rëndësishme për nevojat e Shqipërisë.

“Natyrisht që ky territor ka nevojë për forcat e reja. Në kapitujt e negociatave për anëtarësim, bujqësia dhe zhvillimi rural është një kapitull më vetëe që është e “nëne o nëne”, realisht. Ata pedagogë që merren shumë ose pak me direktivat evropiane e dinë shumë mirë, mjedisi dhe ndryshimet klimatike është kapitull më vete.

Ujërat dhe menaxhimi i mbetjeve janë kapituj në vete dhe të gjitha këto bashkë, është dhimbja më e madhe e kokës për një vend si ne, por dhimbja e madhe e kokës jo se ne kemi problem që të tjerët s’i kanë pasur, por se ne na duhen dije, na duhen njerëz të ditur dhe patjetër që bazë është ky universitet.

Nuk bëhet kjo me miell të huaj, sado të marrim ekspertë dhe ndihmë, por na duhet ky brum, që kjo furrë po bëhet gati për ta pjekur, por ama prurjet janë të rëndësishme, por është interes kombëtar dhe prioritet mbështetje pa rezervë e kësaj reforme edhe këtij universiteti. Të gjithë universitetet e Shqipërisë duhet ta kenë të qartë që tani që e kemi shembullin, nëse duan mbështetje ekstra, duhet të bëjnë atë që po bën UBT.

Duhet të gjejnë shokun apo shoqen në Europë, të ngjiten me të, të dorëzojnë letrat e fejesës që ne t’i mbështesim për martesë. Historia që kemi një program, jo do bëjmë atë, jo këtë, mund t’i bëjnë, janë autonon, por nuk kanë mbështetje nga qeveria.

Qeveria do ndryshojë komplet qasjen financiare dhe për sa kohë nuk do ketë një të dytë, çfarë janë ekstra, ne do t’i vendosim të UBT. Do ta bëjmë UBT një rrezatim në të gjithë rajonin. Do ta fusim në listën dinjitoze të Evropës për këto tema dhe do t’i japim Shqipërisë një burim të jashtëzakonshëm dijeje”, tha ai./abcnews.al

❌