Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë ka lehtësuar masën e sigurisë për Jamarbër Malltezin, dhëndrin e ish-kryeministrit Sali Berisha. Sipas vendimit të ditës së sotme, (7 korrik 2025), GJKKO vendosi të zëvendësojë masën e “arrestit në shtëpi” me “garanci pasurore”, në shumën 3 milionë lekë.
Malltezi kishte kërkuar revokimin e plotë të arrestit në shtëpi, por kjo u refuzua nga trupa gjykuese me përbërje Elsa Ulliri, Rudina Palloj dhe Bib Ndreca. Gjykata pranoi vetëm pjesërisht kërkesën, duke i dhënë atij mundësinë të largohet nga arresti në shtëpi, pasi të paguajë shumën brenda 2 ditësh nga dita e shpalljes së vendimit.
Derisa të depozitohet garancia, Malltezi do të qëndrojë ende në arrest shtëpie. Prokurori do të ketë afat 24 orë për të verifikuar dokumentet, pas pagesës, për të vendosur më pas lirimin ose jo të ti.
Njoftimi i GJKKO-së:
1. Kërkuesi Jamarbër Malltezi me datë 17.06.2025 ka paraqitur pranë Gjykatës kërkesën
me objekt: “1. Revokimin e masës së sigurimit personal “arrest në shtëpi” caktuar me
vendimin nr. 56, datë 21.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për Korrupsionin dhe
Krimin e Organizuar; 2. Zëvendësimin e masës së sigurimit personal “arresti në shtëpi”
caktuar me vendimin nr. 56, datë 21.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për
Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar me masën e sigurimit “Garancia pasurore”
parashikuar nga neni 236 i K.Pr.Penale.”.
2. Në përfundim të gjykimit, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe
Krimin e Organizuar me trup gjykues të përbërë nga gjyqtarët Elsa Ulliri, Rudina Palloj
dhe Bib Ndreca, bazuar në nenet 112, 260, 236 dhe 237 të K.Pr.Penale, me vendimin nr.
404, datë 07.07.2025, vendosi:
1. Rrëzimin e kërkesës për revokimin e masës së sigurimit.
2. Pranimin e kërkesës për zëvendësimin e masës së sigurimit personal me karakter
shtrëngues “Arresti në shtëpi” të caktuar ndaj të pandehurit Jamarbër Malltezi
me vendimin Nr.56, datë 21.11.2023 të Gjykatës së Posaçme të Apelit për
Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar dhe zëvendësimin me masën e sigurimit
personal “Garancia pasurore”, e parashikuar nga neni 236 i K.Pr.Penale, në
shumën prej 3,000,000 lekë, për të siguruar moslargimin e shtetasit Jamarbër
Malltezi deri në përfundimin e gjykimit.
3. Garancia pasurore duhet të depozitohet brenda afatit 2 ditor, duke filluar ky afat
nga shpallja e këtij vendimi. I pandehuri Jamarbër Malltezi do të qëndrojë me
masën e sigurimit “Arresti në shtëpi” deri në depozitimin e garancisë pasurore.
Pas depozitimit të shumës përkatëse duhet të njoftohet menjëherë prokurori, i cili
në çdo rast jo më vonë se 24 orë nga njoftimi për depozitimin e shumës së
garancisë pasurore, duhet të verifikojë dokumentacionin përkatës dhe sipas rastit
të urdhërojë lirimin e menjëhershëm të pandehurit ose konfirmimin e masës së
sigurimit “Arresti në shtëpi”.
4. Shpenzimet gjyqësore në ngarkim të palës kërkuese.
5. Kundër këtij vendimi lejohet ankim në Gjykatën e Posaçme të Apelit për
Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar brenda 5 ditëve, duke filluar ky afat nga e
nesërmja e komunikimit të vendimit
The post Zbardhet vendimi për lirimin e Malltezit: Duhet të paguajë garancinë brenda dy ditëve appeared first on Sot News | Lajme.