“Tifozët të jenë të qetë, do të qëndroj këtu” – ylli i Barcelonës shuan zërat për largim
Ylli i ri i Barcelonës, Fermin Lopez, ka siguruar tifozët se do të qëndrojë në klub edhe pas kësaj vere, pavarësisht interesit të madh nga disa prej gjigantëve të Ligës Premier, përfshirë Chelsea dhe Manchester United.
22-vjeçari shkëlqeu në fitoren 5-0 të Barçës ndaj skuadrës së Cesc Fabregas, Como, në finalen e trofeu Joan Gamper, duke shënuar dy gola dhe duke qenë një nga lojtarët më të spikatur në fushë.
Në të njëjtën ndeshje, tjetër talent i madh i klubit, Lamine Yamal, shënoi gjithashtu dy herë, ndërsa Raphinha, një nga heronjtë e sezonit të kaluar, kompletoi fitoren me golin e pestë.
Gjatë kësaj vere, Fermin ka qenë në radarët e Manchester United, që ishin të gatshëm të ofronin 61 milionë euro, ndërsa Chelsea ishte edhe më agresiv, duke përgatitur një ofertë prej 65 milionë eurosh për ta larguar nga “Camp Nou”.
Megjithatë, mes gjithë spekulimeve për një largim të mundshëm, lojtari i përfaqësueses së Spanjës ka dhënë një mesazh të qartë.
“Tifozët e Barcelonës duhet të jenë të qetë, sepse unë do të qëndroj këtu. Nuk do të largohem nga Barça”.
“Ishte një ndeshje për të ndërtuar besim dhe për t’u përgatitur për fillimin e La Ligës. Gjëja më e rëndësishme është që ekipi bëri një punë shumë të mirë”, ka thënë Lopez./Telegrafi/
The post “Tifozët të jenë të qetë, do të qëndroj këtu” – ylli i Barcelonës shuan zërat për largim appeared first on Telegrafi.