Vijon lirimi i hapësirave publike, Rama: Ecim
TIRANË, 5 gusht /ATSH/ Lirimi i hapësirave publike nga subjektet që kanë zaptuar trotuaret dhe ambientet e dedikuara për komunitetin dhe qytetarët, vazhdon në të gjithë vendin.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje nga lirimi i hapësirave publike nga disa subjekte private të cilat kishin zaptuar pa leje hapësirën publike.
“Ecim”, shkruan Rama, teksa ndan një video ku tregohen sesi bizneset po lirojnë hapësirat e zaptuara, që tashmë po u rikthehen qytetarëve.
Lirimi i hapësirave publike shihet si pjesë e vizionit të qeverisë “Rilindja Urbane 2.0”.
Në këtë kuadër, Rama ka paralajmëruar se po hartohet edhe Rregullorja Kombëtare në të cilën do të përcaktohen me ligj hapësirat që mund të shfrytëzojë biznesi.
Lirimi i hapësirave publike është i domosdoshëm për rritjen e cilësisë së shërbimeve, por edhe funksionalitetit të çdo biznesi dhe sipërmarrjeje në përputhje me standardet kombëtare të mikpritjes dhe shërbimit jo vetëm në zonat turistike, por në çdo cep të Shqipërisë.
Lirimi i hapësirave publike ka nisur në fillim të muajit korrik dhe do të vijojë të jetë në fokus të angazhimit të pushtetit vendor dhe qendror në mbrojtje të cilësisë së jetës në komunitet.
/m.m//a.f/
The post Vijon lirimi i hapësirave publike, Rama: Ecim appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.