Portieri me vlerë 200 mijë euro, heroi i sensacionit – ai kishte tre penallti të pritura ndaj Celtic
Futbollistët e Kairat Almaty kanë shkruar historinë duke siguruar për herë të parë kualifikimin në fazën e grupeve të Ligës së Kampionëve, pas eliminimit të gjigantit skocez, Celtic, në raundin e play-offit.
Pas dy ndeshjeve të mbyllura pa gola, ekipi nga Kazakistani triumfoi 3-2 pas ekzekutimit të penalltive, duke u bërë skuadra më lindore që ka arritur ndonjëherë këtë fazë të garës më prestigjioze evropiane.
Heroi i mbrëmjes ishte portieri 22-vjeçar Temirlan Anarbekov, i cili shkëlqeu si gjatë lojës, ashtu edhe në gjuajtjet e penalltive. Ai realizoi pesë pritje vendimtare gjatë 120 minutave dhe më pas ndali tre penallti radhazi, duke i mohuar golin Adam Idahos, Luke McCowan dhe Daizen Maedes.
Kairat Almaty v Celtic – penalty shoot-out
byu/4gjdtokurwa insoccer
Kush është Temirlan Anarbekov?
Anarbekov, i lindur më 14 tetor 2003, është produkt i akademisë së futbollit të Kairat. I gjatë 189 cm, ai njihet për refleksin dhe qetësinë e tij mes shtyllave.
Në ndeshjen e parë në Glasgow nuk ishte titullar, por u aktivizua në minutën e 75-të pasi portieri i parë, Aleksandr Zarutskiy, u dëmtua në kokë. Në ndeshjen e kthimit në Almaty luajti të gjitha 120 minutat duke qenë vendimtar në kualifikim.
Deri para këtij suksesi, Anarbekov kishte regjistruar 32 paraqitje me ekipin e parë në gara të ndryshme. Në sezonin aktual të Ligës Premier së Kazakistanit ka luajtur gjashtë ndeshje, duke e mbajtur portën të paprekur në tre prej tyre.
Sezonin e kaluar ishte huazuar te FK Zhenys në Astana, ku zhvilloi 18 paraqitje, pësoi 20 gola dhe ruajti katër herë portën e paprekur. Ai ka qenë pjesë e moshave të Kazakistanit (nga U-17 deri te U-21) dhe është thirrur tri herë në Kombëtaren A, megjithëse ende nuk ka debutuar.
Aktualisht, sipas Transfermarkt, ai vlerësohet me 200,000 euro. /Telegrafi/
The post Portieri me vlerë 200 mijë euro, heroi i sensacionit – ai kishte tre penallti të pritura ndaj Celtic appeared first on Telegrafi.