Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, ka marrë zyrtarisht shtetësinë e Kosovës në një ceremoni të veçantë të mbajtur në Prishtinë, ku u prit nga Presidentja Vjosa Osmani, shkruan BBC.
E lindur në Londër nga prindër kosovarë-shqiptarë, Lipa e ka jetuar një pjesë të fëmijërisë së saj në Prishtinë, pas shpalljes së pavarësisë së Kosovës. Marrja e shtetësisë kosovare për të përfaqëson një përmbushje të identitetit të saj të dyfishtë, transmeton KultPlus.
“Kjo më bën të ndjehem e plotë – si dy anët e mia që më në fund janë bërë një. E dua këtë vend dhe kjo ka një domethënie të madhe për mua dhe për familjen time,” – deklaroi Lipa.
Presidentja Osmani e quajti Duan “një nga figurat më ikonike kulturore në historinë e Kosovës”, ndërsa shtoi:
“Nga skenat më të mëdha të botës te zemrat e miliona njerëzve, ajo e ka bartur historinë tonë me forcë, krenari dhe hir.”
Në ceremoni, një kor fëmijësh interpretoi këngën “Levitating”, ndërsa i pranishëm ishte edhe ambasadori britanik në Kosovë, Jonathan Hargreaves, i cili tha se “si Britania, ashtu edhe Kosova e quajnë Duan një nga të tyret.”
Dua Lipa, që tashmë zotëron shtetësitë e Britanisë, Shqipërisë dhe Kosovës, është në Prishtinë për të performuar në festivalin Sunny Hill, të cilin e ka themeluar bashkë me babain e saj që nga viti 2018.
Përmes këtij festivali dhe punës së saj humanitare, Lipa ka ndihmuar në ndryshimin e perceptimit për Kosovën dhe në promovimin e saj ndërkombëtar si një vend i gjallë, kulturor dhe me potencial./BBC/KultPlus.com
Babai i yllit me famë botërore, Dua Lipës, Dukagjini, ka folur për shtetësinë kosovare që vajza e tij e mori me dekret presidencial.
Dukagjin Lipa ekskluzivisht në “Prive” në Klan Kosova tha se është kënaqësi ta pranosh një dhuratë të tillë, teksa e cilësoi ka qenë e rrugës që Dua ta ketë edhe shtetësinë e Kosovës.
“Shumë mirë, është një kënaqësi të pranosh një dhuratë të tillë. Dua e ka shtetësinë edhe të Shqipërisë edhe ka qenë e rrugës ta ketë edhe shtetësinë e Kosovës. Është kënaqësi dhe privilegj ta ketë shtetësinë e Kosovës”, tha Lipa, njofton Klankosova.tv.
Tutje, ai foli edhe për atmosferën e jashtëzakonshme që tash e disa vite po mbretëron në “Sunny Hill”, duke thënë se është një nga festivalet e vetme në botë që për disa edicione me radhë s’e ka asnjë incident.
“Ne kemi punë me 40 mijë njerëz, normal që do të ketë në një moment apo tjetrin diçka që nuk shkon mirë, por deri tani nuk kemi asnjë problem. Jemi një prej festivale shumë të rralla në botë që në 7 edicione kemi zero incidente”, tha ai.
Këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, ka ndarë me ndjekësit një moment historik në jetën e saj, marrjen e shtetësisë së Kosovës, vetëm një natë përpara se të performonte në Sunny Hill Festival në Prishtinë.
Në një postim plot energji në Instagram, ajo shkroi: “E mora shtetësinë një natë më parë dhe pastaj festova fort në @sunnyhillfestival natën pas saj!!!!! E dua jetënnn ”
E shoqëruar me një fotografi nga skena, ku Dua shfaqet me duart lart dhe një buzëqeshje të madhe, mesazhi i saj përçoi gëzim, krenari dhe një lidhje të thellë me vendlindjen.
Ky zhvillim shënon një tjetër kapitull të rëndësishëm në raportin e artistes me Kosovën. Përmes festivalit Sunny Hill, të themeluar bashkë me të atin, Dukagjin Lipa, Dua ka ndihmuar në vendosjen e Prishtinës në hartën ndërkombëtare të muzikës dhe kulturës bashkëkohore.
Marrja e shtetësisë nga ana e saj është më shumë se një formalite, është një deklarim i fortë dashurie dhe përkatësie. Dua Lipa nuk është vetëm një ambasadore e muzikës,ajo është tashmë edhe zyrtarisht një ambasadore e kulturës dhe shpirtit të Kosovës./KultPlus.com
Mijëra njerëz e mbushën hapësirën e Sunny Hill Festival gjatë koncertit, në një nga netët më të zjarrta të këtij edicioni. Energjia, dritat, muzika dhe emrat e mëdhenj të skenës krijuan një atmosferë unike që do të mbahet mend gjatë nga të gjithë ata që ishin të pranishëm. Rreth 22000-25000 persona morën pjesë në koncertin e mbrëmshëm të Sunny Hill Festival, pasi ishte Dua Lipa.
Mijëra njerëz e mbushën hapësirën e Sunny Hill Festival gjatë koncertit të mbrëmshëm në Prishtinë, në një nga netët më të zjarrta të këtij edicioni.
Energjia, dritat, muzika dhe emrat e mëdhenj të skenës krijuan një atmosferë unike që do të mbahet mend gjatë nga të gjithë ata që ishin të pranishëm.
Foto: Screenshot (Arben Llapashtica – FaceBook)
Por sa persona morën pjesë saktësisht?
Për herë të parë, Telegrafi ka përdorur inteligjencën artificiale (AI) për të analizuar dhe vlerësuar numrin e pjesëmarrësve në bazë të një fotografie ajrore të realizuar mbrëmjen e djeshme.
Bazuar në përllogaritjet vizuale dhe teknikat e avancuara të vlerësimit të dendësisë së turmave, AI ka analizuar sipërfaqen e plotë të mbuluar nga pjesëmarrësit dhe dendësinë mesatare të njerëzve për metër katror.
Rezultati:
> Rreth 22,000 – 25,000 persona morën pjesë në koncertin e mbrëmshëm të Sunny Hill Festival.
Përllogaritja është bërë duke marrë në konsideratë përmasat e hapësirës së mbushur, dendësinë ekstreme të turmës afër skenës, dhe strukturat përreth, përmes metodologjive që përdoren gjerësisht në analiza të ngjarjeve masive në nivel ndërkombëtar.
Ky vlerësim konfirmon interesimin e jashtëzakonshëm që publiku vendor dhe ai ndërkombëtar ka për Sunny Hill Festival, i cili tashmë është bërë një nga ngjarjet më të mëdha muzikore në Evropën Juglindore.
Ky vlerësim është bazuar në analiza të avancuara nga inteligjenca artificiale dhe mund të mos jetë 100% i saktë. /Telegrafi/
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar pas performancës spektakolare të këngëtares me famë botërore Dua Lipa, e cila mbrëmë ndezi skenën e natës së parë të Sunny Hill Festival në Prishtinë.
Në një postim të ndjerë në Facebook, presidentja ka shprehur mirënjohje për energjinë që sjell festivali dhe për ndikimin e jashtëzakonshëm të Duas në promovimin e vendit.
Foto: Screenshot (Vjosa Osmani – Facebook)
Reagimi i plotë i Presidentes Osmani:
Sunny Hill Festival është rrëfim i një ëndrre të kthyer në realitet. Një ëndërr që nisi me dashurinë për vendin dhe u kthye në një nga ngjarjet më frymëzuese që e vendos Kosovën në qendër të hartës kulturore globale.
Përmes muzikës, pasionit dhe energjisë së rinisë – Kosova po shkëlqen. Po tregon se edhe nga një vend i vogël, mund të lindin gjëra të mëdha.
Faleminderit, Dua, që ëndrrën tënde e bëre edhe tonën. Faleminderit ekipit të Sunny Hill që e bëni këtë ëndërr realitet çdo vit, duke e sjellë botën në zemër të Kosovës!
Festivali ka nisur fuqishëm dhe sonte pritet të kulmojë me performancën e shumëpritur të yllit ndërkombëtar Shawn Mendes. /Telegrafi/
Një det njerëzish, një energji e papërshkrueshme dhe një atmosferë që rrallëherë përjetohet në këtë nivel, këto janë pamjet e mbrëmjes së parë të Sunny Hill Festival, ku mijëra pjesëmarrës u mblodhën për të ndjekur performancën spektakolare të yllit botëror, Dua Lipa.
Fotografia ajrore që ka qarkulluar gjerësisht në rrjetet sociale, tregon qartë një numër të jashtëzakonshëm pjesëmarrësish, që kanë mbushur çdo cep të zonës së festivalit.
Nata e parë e festivalit, e cila shënoi edhe rikthimin e shumëpritur të Dua Lipës në Prishtinë, rezultoi të jetë një ndër më të mëdhatë dhe më emocionueset që ka përjetuar ndonjëherë ky event.
Foto: Screenshot (Arben Llapashtica – FaceBook)
Performanca e saj, që zgjati përreth dy orë, u shoqërua me një produksion teknik të nivelit më të lartë, me koreografi të përsosura, ndriçim magjepsës dhe një setlist që përfshinte hitet më të mëdha të saj, nga “Levitating” deri te “Houdini”.
Reagimet nga publiku ishin të menjëhershme, brohorima, këngë të kënduara në kor dhe emocione të ndjera në çdo moment të koncertit.
Sunny Hill, tashmë i kthyer në një nga festivalet më të mëdha të muzikës në Evropën Juglindore, dëshmoi edhe një herë fuqinë e tij për të bashkuar mijëra njerëz përmes muzikës, kulturës dhe artit.
Kjo ishte vetëm nata e parë. Me një nisje kaq madhështore, pritshmëritë për netët e tjera janë më të larta se kurrë.
Shawn Mendes, i cili do të ngjitet në skenë sonte, pritet të ndezë atmosferën edhe më shumë, duke e vazhduar magjinë që Sunny Hill sjell çdo verë në zemër të Prishtinës. /Telegrafi/
Këngëtarja Dua Lipa, ka reaguar pas natës së parë në koncertit “Sunny Hill” në Prishtinë, ku ajo performoi edhe vetë, madje edhe me babain e saj, Dukagjin Lipa.
Në një postim në rrjetet sociale, ku ajo ka publikuar edhe disa momente nga performaca e saj në skenë, Dua është shprehur tejet mirënjohëse për të gjithë të pranishmit.
Ajo shkruan se ta shohë festivalin e krijuar nga ajo dhe familja e saj duke u rritur, në qytetin e saj, është përtej asaj që ka ëndërruar, ndërsa ndarjen e skenës me babanë e saj e përshkroi si “një moment të paharrueshëm”.
Ndër të tjera ajo ka bërë edhe një falënderim në shqip për të gjithë bashkëkombasit e saj, duke shkruar: “JU DUA me krejt zemrën!”
“Ky festival është diçka që unë dhe familja ime e krijuam me shumë dashuri për qytetin tonë, PRISHTINËN, dhe ta shohësh të realizohet kështu është përtej çdo gjëje që mund të kisha ëndërruar. Të ndaj këtë natë me të gjithë ju, në qytetin që më formoi, e rrethuar nga kaq shumë energji, gëzim dhe krenari… është e vështirë të përshkruhet me fjalë. Të performoj për ju dhe të ndaj skenën me babanë tim Dukagjin Lipa, ishte një moment që nuk do ta harroj kurrë. Ndihem kaq jashtëzakonisht me fat dhe mirënjohëse. Dhe kemi ende dy net të tjera për të festuar së bashku!! JU DUA me krejt zemrën”, ka shkruar Dua në Instagram.
Kaluan tri ditë që Prishtina është mbushur me njerëz të huaj e vendas, të cilët qarkullojnë rrugëve të saj dhe tërë Kosovës. Ecin vajza e djem të ri, duke u puthur pranë shtatoreve të Ibrahim Rugovës, Zahir Pajazitit dhe Nënës Terezë. Rini në elementin fantastik të saj. Rini, që kur sheh harenë e tyre, të vërshojnë lot gëzimi.
Prishtina ka festën e këngës. Prishtina ka festën e Çikës. Çika jonë është vetë festa! Është aura që rri pezull mbi qiellin e Prishtinës.
Dua Lipa është më shumë se këngëtare. Ajo është një formim ekselent i njeriut që ka respekt e dashuri për prindërit dhe atdheun e saj, të cilin e bartë gjithmonë me vete.
Dukagjinit, përbotshëm një falënderim – jo vetëm për mrekullinë e quajtur Dua, por më shumë për përkushtimin e tij për Prishtinën. Për mos-harresën. Për Sunny Hill-in, që po rritet e po bëhet gjithnjë e më i madh. Një atdhedashuri e pashembullt. Një largpamësi për t’u admiruar.
Dua, flutura jonë, tërë bekimet e Arbërisë rafshin mbi ty, hirësi!/KultPlus.com
Atmosfera elektrizuese e Sunny Hill Festival vazhdon me natën e dytë, më 2 gusht, ku emra të mëdhenj të muzikës ndërkombëtare dhe vendore do të marrin skenën dhe do të sjellin një përvojë të paharrueshme për publikun.
Festivali nis nga ora 14:00 në The Next Stage, me performanca nga DJ Bana Zahiti dhe Bletapërtace, të cilët do të hapin mbrëmjen me ritme të freskëta verore, shkruan KultPlus.
Pas orës 17:45, vëmendja zhvendoset në Sunny Hill Stage, ku do të ngjiten një sërë artistësh të njohur: Deezy, Yanina, Lluni, Era Istrefi, Sainté, Pint, Ledri dhe Headie One.
Në kulmin e natës, do të performojë një nga emrat më të mëdhenj të skenës botërore, Shawn Mendes, që pritet të sjellë një show të jashtëzakonshëm për fansat që kanë mbushur Prishtinën nga e gjithë bota.
Por mbrëmja nuk përfundon aty, në mesnatë hapet C4 Stage, ku do të nisë afterparty me performanca deri në orën 05:00 të mëngjesit. Pjesë e skenës do të jenë Sugar Rush, Artssassin, Uran B., dhe DJ-i brazilian Mochakk, i njohur për setet e tij unike dhe energjinë e jashtëzakonshme që sjell në çdo performancë.
Sunny Hill Festival po vazhdon të përmbushë pritshmëritë, duke e kthyer Prishtinën në një pikë takimi të muzikës botërore dhe një skenë që s’guxon të mungohet./KultPlus.com
Pas një nate të paharrueshme në hapje të edicionit të sivjetmë të Sunny Hill Festival, këngëtarja e njohur botërisht, Dua Lipa, ka ndarë emocionet e saj me ndjekësit në rrjetet sociale. Ajo ka postuar disa fotografi nga nata e parë e festivalit dhe ka shkruar një mesazh falënderues për fansat.
“Sunny Hill Festival Night One”, ka nisur postimin e saj Dua, duke shtuar se ky festival është diçka që ajo dhe familja e saj e kanë krijuar me shumë dashuri për qytetin e saj, Prishtinën. “Të shohësh se si ky festival merr jetë në këtë formë është përtej çdo ëndrre që kam pasur ndonjëherë,” shkroi ajo.
Dua Lipa ka theksuar se nata e saj në skenë ishte mbushur me energji, gëzim dhe krenari, dhe ka ndarë me ndjekësit një moment shumë të veçantë: “Të performoja për ju, dhe të ndaja skenën me babain tim, ishte një moment që s’do ta harroj kurrë.”
Ajo e ka përfunduar postimin me një mesazh prekës për publikun: “JU DUA me krejt zemrën.”
Mbrëmë u mbajt nata e parë e festivalit që organizon Dua Lipa dhe familja e saj në Prishtinë. Artistja globale ka ndarë emocionet e thella për lidhjen me Prishtinën dhe festivalin ”Sunny Hill Festival” që tashmë është kthyer në një traditë. “SUNNY HILL FESTIVAL Nata e parë. Ky festival është diçka që familja ime dhe unë e kemi krijuar me aq shumë dashuri për qytetin tonë, PRISHTINËN”…
Faqja zyrtare e Sunny Hill ka ndarë një moment epik pas performancës së Dua Lipës në Prishtinë, duke e përshkruar koncertin si një përvojë të paharrueshme.
Me fjalët “YOU LIVED A MOVIE”, postimi shpreh emocionin dhe madhështinë e mbrëmjes ku artistja jonë ndërkombëtare ndezi skenën në një rikthim të jashtëzakonshëm në vendlindje. Me falënderime për magjinë që solli në shtëpi dhe për historinë që shkroi sërish, Sunny Hill e shpall natën e 1 gushtit 2025, një moment që do të kujtohet gjatë në zemrat e publikut dhe të gjithë Kosovës./KultPlus.com
Në një mbrëmje të mbushur me energji, ndjenja dhe krenari, skena e Sunny Hill Festival u bë dëshmitare e një momenti që nuk ishte thjesht performancë, ishte histori. Para mijëra fansave në zemër të Prishtinës, Dua Lipa bëri diçka më shumë se të këndojë, ajo preku shpirtin e publikut duke ndarë skenën me babain e saj, Dukagjin Lipën, për të interpretuar një nga këngët më ikonike të muzikës rock shqiptare, “Era” nga grupi Gjurmët.
Në atë moment, dritat, duart lart dhe emocionet qëndruan pezull. Ishte një përqafim mes brezash, një kujtim për atë që kemi qenë dhe një frymëzim për atë që mund të jemi. Dhe ndoshta, ishte rikujtimi më i bukur se muzika ka fuqinë të shërojë, të bashkojë dhe të flasë më thellë se fjalët.
Gjurmët, të formuar në vitin 1981 në Prishtinë, janë ndër grupet më emblemë të rock-ut shqiptar, me vokalistin Migjen Kelmendi sot i njohur si gazetar që ka lënë gjurmë të pashlyeshme në muzikën e asaj kohe. Kënga “Era”, megjithëse origjinale e grupit, u rikthye fuqishëm në vëmendje me ripërpunimin e McKreshës në vitin 2015, dhe tashmë, falë Duas dhe Dukagjinit, gjeti një tjetër jetë, në një skenë ndërkombëtare me theks lokal.
Performanca kishte edhe një simbolikë tjetër: kthimi në muzikë i Dukagjin Lipës, dikur solist i grupit “ODA”, aktiv në vitet ‘90. Për të, rikthimi në skenë këtë herë përkrah së bijës ishte më shumë se një moment artistik; ishte një rikthim emocional, një lidhje brezash dhe një homazh për historinë muzikore të Kosovës.
E me këtë performancë në Prishtinë, Dua Lipa jo vetëm që përmbushi një pritshmëri, por dhuroi një surprizë që shumëkush do ta kujtojë gjatë: një vajzë dhe babai i saj, të lidhur përmes muzikës dhe përmes një kënge që mban në vete erën e një kohe tjetër.
Në një moment të veçantë gjatë natës së parë të “Sunny Hill Festival 2025”, ylli ndërkombëtar Dua Lipa u ndal për t’i drejtuar një fjalim të sinqertë dhe emocional publikut në gjuhën shqipe, duke falënderuar të gjithë ata që qëndrojnë pas suksesit të saj dhe të festivalit.
Teksa qëndronte në skenën madhështore të Prishtinës, Dua tha me zë të qartë e plot emocion: “Faleminderit shumë për energjinë, dashurinë edhe suportin për mua prej fillimit deri në këtë moment, edhe për suportin e festivalit Sunny Hill që e kom shumë shumë për zemër”.
Ajo theksoi se për të është një kënaqësi e madhe që ka mundësinë të krijojë një festival të tillë bashkë me familjen e saj, në vendin e saj të origjinës: “Është shumë kënaqësi me pas mundësinë me kriju një festival me familjen teme për vendin tonë. Tash na bohen gjashtë edicione të mira me festivalin, edhe viti i dytë këtu në side të ri, edhe më duket se për çdo vit po bëhet më mirë”.
Në vazhdim, Dua ndau falënderime të veçanta për të gjithë ata që qëndrojnë pas skenës dhe punojnë pa ndalur për realizimin e këtij festivali: “Para se të vazhdoj në pjesën tjetër, dua ta falënderoj shumë familjen time dhe krejt Agjencioni ‘Republika’ për punën e palodhshme edhe organizimin e gjatë të festivalit, sepse me të vërtetë pa ata nuk kemi festival hiç. Po ashtu edhe pa juve, shokëve tanë që vini e na suportoni festivalin, nuk mundemi pa juve”.
Ajo e mbylli fjalimin me një mesazh krenarie dhe dashurie për vendin: “Kosova ka lezet edhe kështu i tregojmë krejt botës”.
Fjalimi i Duas u prit me duartrokitje të fuqishme dhe brohoritje nga publiku, duke e kthyer atë në një nga momentet më prekëse të mbrëmjes. /Telegrafi/
PRISHTINË, 2 gusht /ATSH/ Prishtina u shndërrua në kryeqendrën e muzikës botërore mbrëmjen e së premtes, kur ylli me famë ndërkombëtare, Dua Lipa, dhuroi një performancë të jashtëzakonshme në hapjen e edicionit të pestë të festivalit “Sunny Hill”.
Sunny Hill Festival, nisi mbrëmë në fshatin Bërnicë të Prishtinës, ku për tri netë me radhë do të ngjiten në skenë emra të mëdhenj të muzikës botërore dhe shqiptare. Festivali, i cili mbahet nga data 1 deri në 3 gusht, organizohet nga babai i saj, Dukagjin Lipa, dhe vazhdon të jetë një nga ngjarjet më të mëdha muzikore në rajon.
Sonte për herë të parë në Kosovë do të vijë ylli global i muzikës pop, Shawn Mendes, fitues i “MTV Europe Music Awards”, i cili ka mbushur me qindra-mijëra fansa arenat më të mëdha të botës si “O2” në Londër dhe “Madison Square Garden” në Nju-Jork.
Ai do të përformojë në festivalin më të madh në Kosovë, Sunny Hill Festival.
Sonte në skenën C4, do të performojë edhe DJ-i brazilian Mochakk, i njohur për stilin funky dhe ekspresiv, që po pushton klubet dhe festivalet më të mëdha të botës.
Edicioni i sivjetshëm është hapur nga ylli me famë ndërkombëtare, Dua Lipa, e cila tha se ka thënë se është kënaqësi që ka pasur mundësi ta krijojë një festival në Kosovë me familjen e saj.
“Tash na bëhen gjashtë vjet dhe po më duket çdo vit po bëhet mirë e më mirë”, ka thënë Dua Lipa.
Ajo pasi falënderoi familjen e saj tha se “Kosova ka lezet, t’i tregojmë krejt botës”, derisa ka ndezur menjëherë atmosferën me përformancën e saj.
Dua Lipës në skenën e festivalit ‘Sunny Hill’ i është bashkuar edhe i ati, Dukagjin Lipa. Të dy ata së bashku kanë kënduar këngën e Gjurmëve ‘Era’.
Festivali vazhdon edhe të dielën. Në listën e artistëve përfshihen edhe emra të mëdhenj të skenës ndërkombëtare si: Artssassin, Bookie, Deezy, Sainté, Sienna Spiro, Skream, Sugar Rush, Tommy Gold, TSHA, Mygal B2B Edgar Kerri, të cilët do të sjellin stile të ndryshme si hip-hop, alt-pop, dubstep dhe house në një miks unik festiv.
Muzikës së botës i bashkohen dhe yjet më të spikatur shqiptarë si: Loredana, Lyrical Son, MC Kresha, Era Istrefi, Tayna, Kida, Ledri Vula, Adrian Berisha, DJ Caboo, Art Lokaj Band, Bana Zahiti, Blerta Përtace, Hawolf, Lluni, Sahati, Uran B., Yanina dhe Zwada, duke e bërë “Sunny Hill Festival 2025” një festë të vërtetë të muzikës moderne shqiptare dhe ndërkombëtare. /KosovaPress/
Në një nga momentet më prekëse dhe të paharrueshme të edicionit të pestë të “Sunny Hill Festival”, Dua Lipa befasoi publikun duke ftuar në skenë babain e saj, Dukagjin Lipa, për të kënduar bashkë në shqip.
Ishte një çast emocional që rrëmbeu zemrat e mijëra të pranishmëve në Prishtinë dhe theksoi lidhjen e veçantë mes artistes dhe rrënjëve të saj.
Teksa po zhvillohej performanca e saj spektakolare, Dua ndali muzikën për një moment dhe iu drejtua publikut me këto fjalë: “Sonte dua ta ftoj në skenë një person i cili më ka inspiruar gjithë jetën. Ai është babai im, Dukagjin Lipa!”.
Mes duartrokitjeve dhe entuziazmit të madh, Dukagjini iu bashkua vajzës së tij në skenë dhe të dy kënduan në duet këngën e njohur “Era” nga grupi legjendar shqiptar i muzikës rock, Gjurmët.
Ishte një performancë autentike dhe plot ndjenjë, që ngjalli emocione të mëdha tek publiku. Zëri i Duas në shqip u prit me brohoritje dhe ovacione, ndërsa të gjithë të pranishmit këndonin bashkë me ta, duke krijuar një atmosferë unike dhe të papërsëritshme.
Ky moment ishte ndër rastet e rralla kur Dua Lipa interpreton në shqip në një skenë të madhe, dhe fakti që ndodhi në Prishtinë – në vendin e saj të origjinës – e bëri edhe më domethënës.
Përveçse një yll botëror, Dua Lipa edhe një herë tregoi përkushtimin e saj për të mbajtur gjallë lidhjen me kulturën dhe familjen e saj. Ndërkohë, Dukagjin Lipa, përveçse si organizator i festivalit, është edhe menaxher i Duas dhe njihet si krahu i saj i djathtë në rrugëtimin e saj për t’u bërë një yll botëror i muzikës.
LINDOS! Dua Lipa cantando uma música em albanês com seu pai Dukagjin no Sunny Hill Festival. pic.twitter.com/kKvrDmtEXt
Dua Lipa, këngëtarja me famë botërore, do të performojë sonte së bashku me babanë e saj, Dukagjin Lipën, në natën e parë të festivalit “Sunny Hill”, që po mbahet në Bërnicë të Prishtinës.
Në një video të publikuar në rrjetet sociale, shihet Dua duke bërë prova në skenë bashkë me Dukagjin Lipën, i cili është edhe organizator i festivalit, transmeton KultPlus.
“Sunny Hill” do të zgjasë deri të dielën, duke sjellë në Prishtinë emra të shumtë të muzikës botërore dhe artistë të njohur vendorë. Atmosfera e festivalit pritet të kulmojë që nga nata e parë, me rikthimin e Duas në skenën që bashkon artin dhe identitetin./KultPlus.com
Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, mori pjesë dje në ceremoninë solemne të dhënies së shtetësisë kosovare për këngëtaren me famë botërore, Dua Lipa.
Artistja e njohur, e lindur në Londër dhe me prejardhje nga Kosova, është tashmë edhe shtetase e Republikës së Kosovës, përveçse e Mbretërisë së Bashkuar – vend ku ajo nisi dhe zhvilloi karrierën e saj ndërkombëtare, transmeton KultPlus.
“Mbretëria e Bashkuar dhe Kosova janë krenare ta quajnë Dua Lipën të tyren. Faleminderit Presidente Osmani që më ftuat në një ceremoni të veçantë për dhënien e shtetësisë së Kosovës Dua Lipës. “Pata nderin të takohesha me Dua Lipën dhe të festonim këtë talent të jashtëzakonshëm britaniko-kosovar”, ka shkruar ai.
Ai gjithashtu u shpreh se mezi pret të ndjekë performancën e Dua Lipës sonte në Sunny Hill Festival.
“Ejani dhe vizitoni British Corner tonë në festival!”, shkruan Ambasadori./KultPlus.com
Qyteti i Prishtinës do të më duket gjithmonë si shtëpia ime. Është vendi ku kalova pjesën më të madhe të fëmijërisë, ku vrapoja me miqtë e mi, thithja muzikën vendase dhe nisa të ëndërroja për llojin e artistes që mund të bëhesha një ditë. Është një vend që formësoi jo vetëm atë që jam si person, por edhe atë që jam si muzikante, shkruan Dua Lipa në platformën e saj Service95.
Dhe Prishtina është gjithashtu shtëpia e diçkaje shumë të dashur për mua: Sunny Hill Festival – tani në vitin e tij të gjashtë. Festivali ynë i muzikës, i drejtuar nga familja jonë dhe i ëndërruar nga babai im, i njohur ndryshe si “Dadager” – Dugi, rikthehet këtë fundjavë dhe pritet të jetë festa jonë më e madhe deri tani. Ajo që filloi si një ide e guximshme për të sjellë muzikë ndërkombëtare në Kosovë, tani është kthyer në një moment kulturor. Ende e mbaj mend emocionin e edicionit tonë të parë, ku unë isha një nga artistet kryesore së bashku me emra të mëdhenj si Martin Garrix dhe Grace Carter – jam pafundësisht mirënjohëse ndaj tyre që besuan në vizionin tonë që nga fillimi.
Këtë vit, mirëpresim një formacion vërtet ndërkombëtar, me emra kryesorë si Shawn Mendes, Peggy Gou dhe Fatboy Slim. Është një fundjavë me muzikë të jashtëzakonshme dhe energji elektrizuese, por Sunny Hill ka qenë gjithmonë shumë më tepër sesa thjesht një festival. Është një festë e shpirtit krijues të Kosovës, një reflektor për talentin në zhvillim dhe një ftesë e ngrohtë për të zbuluar kulturën, kuzhinën dhe komunitetin e bukur të Prishtinës.
Nga kafenetë dhe baret plot gjallëri deri te libraritë e pavarura, galeritë e artit dhe monumentet historike, Prishtina është një qytet që meriton të shihet dhe të ndjehet; përmes muzikës, po, por edhe përmes të gjitha pjesëve të tjera që e bëjnë aq të veçantë. Dua që të gjithë ata që vizitojnë Sunny Hill, apo Kosovën në çdo kohë tjetër të vitit, të dashurohen me këtë qytet ashtu si unë.
Në stilin e vërtetë të Service95, kam përgatitur udhëzuesin tim personal për tre ditë në Prishtinë: një përzgjedhje personale e vendeve, njerëzve dhe përvojave që mendoj se do t’i doni po aq sa unë. Shpresoj ta shijoni…
Dita 1
Hapi i parë është… Të regjistrohesh në hotelin e duhur. Për ata që kërkojnë luks dhe relaks, Hotel Swiss Diamond ose Courtyard Marriott ofrojnë elegancë klasike në zemër të qytetit. Nëse kërkon diçka më moderne dhe me dizajn të veçantë, Hotel Manami është zgjedhje e shkëlqyer (dhe është brenda distancës në këmbë nga shumë prej bareve më të mira!).
Pasi të jeni sistemuar… Bëni një shëtitje në qendër të qytetit dhe ndaloni te Soma Book Station. Një vend që është pjesërisht kafene, pjesërisht bar dhe pjesërisht librari – një hapësirë shumë e këndshme ku mund të pini kafe (ose koktej!), të shfletoni librat dhe të hyni në ritmin e qytetit.
Për të ngrënë… Provoni Sonder në rrugën Ukë Bytyçi, një nga restorantet më moderne të Prishtinës. Është vend i relaksuar dhe stil, që tërheq një publik vendas kreativ. Sanduiçi me gjeldeti të ëmbël dhe lëngu i portokallit të freskët duhet të jenë pjesë e porosisë tuaj.
Më pas shkoni te… Libraria Dukagjini, vetëm 15 minuta larg. Një nga libraritë më të mira të qytetit për gjithçka që ka të bëjë me letërsinë – edhe nëse nuk planifikoni të blini ndonjë libër, do të dilni me një në dorë.
Në mbrëmje… Darkoni te Renaissance në rrugën Musine Kokalari 35, një vend elegant që shërben kuzhinë tradicionale kosovare. Unë do të rekomandoja çdo pjatë mishi me kërpudha.
Kur bie nata… Shkoni te Monroe në rrugën Fehmi Agani, një bar koktej retro me atmosferë të ftohtë dhe muzikë fantastike. Prisni ndenjëse me kadife, ndriçim të ngrohtë dhe një publik që mban gjallë energjinë deri vonë.
Dita 2
Filloje ditën te… Seven Sundays në Icon Tower, një kafene e ngrohtë dhe mikpritëse që bën brunch me gjithë zemër. (Palaçinkat me boronica janë të domosdoshme!) Më pas, eksploroni qendrën e Prishtinës: ndaluni te Monumenti Newborn, shëtisni në Bulevardin Nënë Tereza dhe, nëse keni kohë, hyni në Galerinë Kombëtare të Kosovës.
Për drekë… Provoni Baba Ghanoush, me pjata vegane dhe vegjetariane me shije të Lindjes së Mesme. Hapësira është aq e rehatshme, sa ndiheni sikur jeni në shtëpinë e dikujt.
Ndaluni te… Biblioteka Kombëtare e Kosovës, vetëm 10 minuta në këmbë nga restoranti. Ndërtuar nga arkitekti kroat Andrija Mutnjaković në vitet ’80 – është një nga ndërtesat më unike në qytet dhe pikë referimi për Universitetin e Prishtinës. Vërtet ia vlen ta vizitoni.
Rezervoni një tavolinë te… Salt Prishtina, në rrugën Fehmi Agani. Një nga vendet më të mira për darkë – i përsosur për një vakt festiv! Ofrojnë sushi dhe fruta deti të mrekullueshme.
Në mbrëmje, bëni një tur bare… Filloni te Churchill, ku dekorimi vintage dhe menytë me whisky e nisin natën me stil. Pastaj shkoni te Servis Fantazia, një bar me muzikë që luan disqe vinili dhe kokteje të shkëlqyera – gjithmonë me DJ të rinj vendas.
Dita 3
Filloje ditën e fundit me… Mëngjes në hotel – sepse nëse ka një luks të vërtetë kur je në hotel, është shërbimi në dhomë. Pse mos ta shfrytëzoni?
Pastaj vizitoni… Pazarin e Vjetër të Gjelbër, që ju jep një pamje të jetës së përditshme tradicionale të Prishtinës. Do të gjeni stenda me fruta dhe perime të freskëta, si dhe butikë aty pranë që shesin produkte dhe artizanale vendase. Mos e humbni edhe Muzeun Etnografik aty pranë: një monument kulturor i ruajtur nga shekulli i 18-të që sjell në jetë historinë dhe trashëgiminë e Kosovës.
Për drekë, shkoni te… Tat’s në rrugën Simon Shiroka, një vend tjetër me ushqim me bazë bimore. I shpejtë dhe i lehtë – ideal kur je në lëvizje. Ende mendoj për burgerin me kërpudha të tërhequra…
Kthehuni në hotel për… Një pushim të shpejtë. Nëse jeni në Swiss Diamond, shfrytëzoni spa-në. Ose bëni një “disco nap” apo pini një kafe të fundit në sallonin e katit përdhe të Hotel Manami dhe shikoni qytetin që lëviz rreth jush.
Darkën e fundit hani te… Tiffany në rrugën Enver Zymberi, një institucion lokal i njohur për kuzhinë tradicionale me shpirt, të përgatitur me mjeshtëri të vërtetë. Porosisni tavën e Elbasanit dhe japrakët – një shije e përsosur për të përmbyllur qëndrimin tuaj me diçka të pasur, të ngrohtë dhe 100% Prishtinë./Service95/KultPlus.com