TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në një intervistë për Këshillin Evropian të Pagesave (European Payments Council – EPC) mbi rrugëtimin e vendit drejt SEPA (Tregut Unik të Pagesave në euro) nënvizoi përfitimet që sjell kjo arritje për qytetarët, bizneset dhe ekonominë shqiptare.
Sejko tha se, “në nëntor 2024 Shqipëria u pranua në zonën SEPA dhe deri në maj 2025 të gjitha bankat shqiptare u regjistruan dhe do të jenë plotësisht operacionale më 7 tetor 2025”.
Guvernatori e cilësoi anëtarësimin një hap shumë të rëndësishëm, jo vetëm për integrimin financiar evropian, por edhe për ekonominë shqiptare, pa qenë ende anëtare e BE-së.
Sipas tij, ofrimi i pagesave në euro në zonën SEPA do të sjellë kursime të menjëhershme; remitanca më të lira si dhe avancim të modernizimit dhe inovacionit në industrinë bankare.
“SEPA do të ulë kostot me të paktën 20 milion euro në vitin e parë të operimit. 80 % e remitancave pritet të kushtojnë deri në pesë herë më pak, ndërsa adaptimi i standardit ISO 20022 dhe zhvillimi i pagesave të menjëhershme rajonale do të rrisin digjitalizimin dhe përfshirjen financiare”, theksoi Sejko.
Guvernatori u shpreh se ky është një hap konkret në rrugën drejt integrimit evropian dhe modernizimit të ekonomisë shqiptare.
“Skemat SEPA konsiderohen si pikë referimi e standardeve të pagesave në Evropë dhe pjesëmarrja është e rëndësishme në shumë nivele. Së pari, ajo nxit sisteme pagesash efikase dhe të besueshme për vendet e vogla si Shqipëria. Duke standardizuar pagesat ndërkufitare dhe duke përdorur teknologji të përparuar, do të jetë e mundur të krijohet një treg pagesash më modern në përputhje me politikat evropiane dhe të rritet depërtimi i teknologjisë së informacionit. Së dyti, pjesëmarrja në SEPA pritet të nxisë tregtinë. Partneri kryesor tregtar i Shqipërisë është BE-ja, me më shumë se gjysmën e tregtisë së mallrave dhe shërbimeve që drejtohet atje. Së treti, SEPA jo vetëm që do të ndihmojë në formalizimin e remitancave, por edhe do të rrisë kursimet dhe mirëqenien e familjeve që mbështeten tek ato. Së fundmi, por jo më pak e rëndësishme, kjo do të thotë që të gjithë vizitorët evropianë do të përjetojnë kosto, kohë dhe siguri të ngjashme për pagesat siç do të përjetonin në vendet e tyre të origjinës”, theksoi Sejko.
Guvernatori deklaroi se, një nga objektivat kryesore për Shqipërinë, të paktën deri në vitin 2030, është përafrimi i plotë me acquis të BE-së në kuadër të axhendës së integrimit në BE.
“Objektivi ynë tjetër i menjëhershëm është krijimi i një sistemi pagesash të menjëhershme që mundësisht zhvillon pagesat e menjëhershme ndërkufitare brenda rajonit, dhe pjesëmarrja në TARGET Instant Payment Settlement (TIPS). Trendi i rritjes së përdorimit të pagesave elektronike dhe reduktimit të parave të gatshme do të vazhdojë ndërsa vendi bëhet më i arritshëm për tregjet e BE-së. Ne presim që përfshirja financiare dhe edukimi të zgjerohen ndërsa vazhdojmë të promovojmë programet e shkrim-leximit financiar dhe dixhital”, tha Sejko. /j.p/
The post Pagesa në euro në zonën SEPA, Sejko: Bankat plotësisht operacionale më 7 tetor appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.