Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

FMN: Regjim i lirë i kursit të këmbimit. Sejko: Ekonomia po përballet me rreziqe gjeopolitike

By: xhir jeta
11 July 2025 at 15:31

Fondi Monetar Ndërkombëtar rekomandon që në Shqipëri të vijoj regjimi i lirë i kursit të këmbimit.Guvernatori Gent Sejko priti në një takim përfaqësues të Fondit Monetar Ndërkombëtar me të cilët u distua për zhvillimet ekonomike në vend.

Përfaqësues të Misionit theksuan se një kurs i lirë këmbimi ofron një instrument të dobishëm në amortizimin e goditjeve të huaja dhe është përqasja më e mirë me standardet e Bashkimit Evropian.

Aktualisht një euro po këmbehet me 97 lekë ndërsa një dollar me 83 lekë.

Guvernatori Sejko vuri theksin në sfidat me të cilat përballet ekonomia vendase të tilla si si intensifikimi i konflikteve gjeopolitike që krijojnë një mjedis me pasiguri të lartë duke kërkuar vëmendjen e nevojshme dhe fleksibilitet për të reaguar në mënyrë efektive./abcnews.al

Guvernatori Sejko pret ambasadorin e ri të Mbretërisë së Spanjës në Shqipëri: Spanja, një partner i rëndësishëm evropian

7 July 2025 at 16:48

Guvernatori Gent Sejko priti në një takim zyrtar në Bankën e Shqipërisë, ambasadorin e ri të Mbretërisë së Spanjës në Shqipëri, Gabriel Cremades Ventura.

Gjatë këtij takimi, Guvernatori Sejko i shprehu falënderimet Ambasadorit për marrëdhëniet mjaft të mira që ekzistojnë midis dy vendeve, duke e vlerësuar Spanjën si një partner të rëndësishëm evropian. Guvernatori Sejko i prezantoi Ambasadorit panoramën ekonomike të vendit, duke u shprehur se ekonomia shqiptare dhe treguesit kryesorë të stabilitetit ekonomik, monetar e financiar të saj janë në një trend pozitiv zhvillimi.

“Zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend kanë qenë pozitive gjatë vitit 2025. Aktiviteti ekonomik është rritur, inflacioni është stabilizuar në nivele të ulëta, tregjet financiare kanë qenë të qeta me kushte financimi akomoduese. Gjithashtu parashikimet për zhvillimet ekonomike në të ardhmen mbeten pozitive.”- u shpreh Guvernatori.

Ambasadori Cremades përgëzoi Bankën e Shqipërisë për punën e realizuar në ruajtjen e stabilitetit makroekonomik të vendit, garantimit të stabilitetit financiar dhe forcimit të qëndrueshmërisë së ekonomisë. Gjithashtu, ai u ndal në progresin e bërë nga ekonomia shqiptare gjatë kësaj periudhe si një arritje e çmuar e vendit në rrugën e anëtarësimit drejt Bashkimit Evropian.

Gjatë bisedës, Ambasadori vlerësoi veçanërisht politikat e ndjekura nga Banka e Shqipërisë në drejtim të objektivit të saj kryesor, ruajtjes së qëndrueshmërisë së çmimeve. Ai theksoi se nëpërmjet politikës së saj monetare, Banka e Shqipërisë ka krijuar kushte të përshtatshme për kthimin e qëndrueshëm dhe në kohë të inflacionit në objektiv, duke siguruar njëkohësisht një ambient financiar të shëndetshëm e kreditim të bollshëm. Në vijim, bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim lidhur progresin e bërë në fushën e turizmit dhe potencialin e zhvillimit të tij si promotor i zhvillimit ekonomik të vendit. Në këtë drejtim, edhe sektori bankar ka dhënë kontributin e tij nëpërmjet rritjes së vëmendjes dhe financimit të turizmit.

Ambasadori Cremades theksoi mbështetjen e Spanjës për Shqipërinë në të gjitha fushat e bashkëpunimit, veçanërisht në procesin e integrimit të saj në Bashkimin Evropian. Ai shprehu mbështetjen e plotë të Spanjës në drejtim të procesit të anëtarësimit. Gjithashtu Ambasadori theksoi rëndësinë e zbatimit të reformave ekonomike e strukturore, të cilat do të kontribuojnë në rritjen e bashkëpunimit ekonomik me Spanjën si partner strategjik, në fushën e marrëdhënieve tregtare dhe në rritjen e investimeve të huaja në Shqipëri.

Në përfundim, Guvernatori dhe Ambasadori ndanë të njëjtin mendim mbi vullnetin e tyre për të zhvilluar më tej bashkëpunimin midis Bankës së Shqipërisë dhe Bankës së Spanjës, kryesisht në fushën e sistemit financiar.

Sejko: Aktiviteti ekonomik u rrit me 3.4% në tremujorin e parë të vitit

TIRANË, 2 korrik/ATSH/ Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin e Ndërmjetëm të Politikës Monetare për tremujorin e dytë.

Guvernatori i BSH-së, Gent Sejko deklaroi sot në konferencën për mediet se “zhvillimet ekonomike dhe financiare në vend kanë vijuar të jenë pozitive gjatë dy tremujorëve të parë të vitit 2025. Aktiviteti ekonomik është rritur me ritme të qëndrueshme, inflacioni i çmimeve të konsumit është stabilizuar në nivele të ulëta, ndërsa tregjet financiare janë shfaqur të qeta dhe kushtet e financimit mbeten akomoduese”.

Sipas tij, këto zhvillime kanë qenë në linjë me pritjet tona, ndonëse si ritmi i rritjes ekonomike dhe niveli i inflacionit ishin në kahun e poshtëm të tyre.

“Parashikimet për zhvillimet ekonomike në të ardhmen mbeten pozitive. Vëllimi i aktivitetit ekonomik pritet të vijojë të rritet në horizontin afatmesëm, me ritme të afërta me potencialin, ndërsa inflacioni pritet të kthehet në objektiv në fillim të vitit 2026. Megjithatë, sfidat nga mjedisi i jashtëm mbeten një faktor i rëndësishëm rreziku. Rritja e barrierave tregtare, pasiguritë mbi drejtimin e politikave ekonomike e tregtare, si dhe intensifikimi i konflikteve gjeopolitike po dobësojnë perspektivën e ekonomisë globale, duke krijuar rreziqe potenciale për zhvillimet në vend”, nënvizoi Sejko.

Në këtë kontekst, vijoi Sejko, duke synuar të krijojë kushte më të përshtatshme monetare për përmbushjen e objektivit tonë të stabilitetit të çmimeve, Këshilli Mbikëqyrës e gjykoi të nevojshëm një lehtësim të qëndrimit të politikës monetare në mbledhjen e sotme.

“Inflacioni i çmimeve të konsumit qëndroi në një nivel mesatar prej 2.3% gjatë muajve prill – maj. Kjo ecuri u ndikua nga një inflacion më i lartë i çmimeve të ushqimeve dhe të qirave, si dhe nga një inflacion më pak negativ i çmimit të naftës. Ndërkohë, çmimet e mallrave dhe shërbimeve të tjera kanë mbetur relativisht të qëndrueshme. Përtej luhatjeve afatshkurtra, inflacioni vijon të qëndrojë poshtë objektivit tonë, si pasojë e presioneve të dobëta nga mjedisi i jashtëm. Rënia e inflacionit në partnerët tanë tregtarë, mbiçmimi i kursit të këmbimit, si dhe goditjet e përsëritura nga ana e ofertës, janë pasqyruar në norma të ulëta historike të inflacionit të importuar dhe të inflacionit të artikujve ushqimorë. Nga ana tjetër, presionet nga mjedisi i brendshëm shfaqen të qëndrueshme dhe mbeten në linjë me objektivin, si rezultat i një ekuilibri më të mirë mes kërkesës dhe ofertës për mallra e shërbime”, tha Sejko duke shtuar se sipas të dhënave të Instat-it, vëllimi i aktivitetit ekonomik u rrit me 3.4% në tremujorin e parë të vitit.

Sejko theksoi se “kjo rritje ishte me bazë të gjerë dhe u mbështet nga zgjerimi i konsumit, investimeve dhe kërkesës së huaj. Ky profil kërkese nxiti rritjen e aktivitetit ekonomik në sektorët e ndërtimit dhe të shërbimeve, ndërkohë që sektorët e industrisë dhe të bujqësisë vijuan të shfaqin tendenca tkurrëse”.

Guvernatori Sejko u shpreh se “rritja ekonomike u shoqërua me përmirësim të mëtejshëm të tregut të punës dhe të të ardhurave të familjeve. Punësimi në sektorin jobujqësor vijoi të rritet, norma e papunësisë zbriti në 8.7%, ndërsa rritja e pagave u përshpejtua në 9.6% gjatë tremujorit të parë të vitit. Ecuria e tregut të punës sugjeron se rritja ekonomike po shoqërohet me rritje të të ardhurave të familjeve shqiptare, por ajo vijon të mbetet një faktor rreziku për rritjen e kostove të prodhimit dhe të inflacionit në të ardhmen. Faktorët që mbështesin rritjen ekonomike paraqiten – në tërësi – të qëndrueshëm. Bilancet e shëndosha financiare të sektorit privat, mjedisi stimulues financiar dhe klima pozitive e besimit, po mbështesin rritjen e kërkesës së brendshme. Paralelisht me to, interesi për Shqipërinë si destinacion turistik dhe investimi – i pasqyruar në rritjen e numrit të vizitorëve dhe të investimeve të huaja direkte, – po mbështet rritjen e eksporteve shqiptare”.

Në veçanti, shtoi Sejko, ambienti financiar ka nxitur rritjen e ekonomisë, falë qëndrimit të kujdesshëm të politikës sonë monetare, qëndrim i cili ka arritur të balancojë kontrollin e presioneve inflacioniste me reduktimin e ndikimeve potenciale në ekonomi.

“Në pasqyrim të tij, normat e interesit të kredive qëndrojnë në nivele të ulëta, primet e rrezikut mbeten nën kontroll, ndërsa kursi i këmbimit ka shfaqur një qëndrueshmëri në rritje. Në të njëjtën kohë, qasja e bankave ndaj kreditimit ka vijuar të jetë pozitive, duke ndihmuar në krijimin e një mjedisi financiar të favorshëm. Si rezultat, kreditimi ka vijuar të rritet në mënyrë të qëndrueshme.  Portofoli i kredisë për sektorin privat u rrit me rreth 16.2% gjatë pesë muajve të parë të vitit, duke shfaqur një shpërndarje të mirë në segmentet kryesore të tij dhe një rritje të ndjeshme të kredisë për investime. Në të njëjtën kohë, cilësia e portofolit të kredisë mbetet e lartë, me raportin e kredive me probleme që vijon të qëndrojë në nivele të ulëta, rreth 4.1%”, nënvizoi Sejko duke shtuar se trendi pozitiv i zhvillimeve në sektorin real dhe në tregjet financiare ofron një bazë solide për një rritje të shpejtë e të qëndrueshme të ekonomisë shqiptare në të ardhmen.

Sejko tha se përditësimi i parashikimeve konfirmon pritjet tona të mëparshme për një rritje të ekonomisë pranë potencialit në horizontin afatmesëm.

“Kjo rritje do të vijojë të mbështetet nga kërkesa e brendshme, e përkrahur nga një treg i qëndrueshëm pune, nga klima pozitive e besimit, si dhe nga kushtet akomoduese të financimit. Kërkesa e huaj pritet të kontribuojë pozitivisht, kryesisht përmes rritjes së turizmit, ndonëse zgjerimi i këtij të fundit pritet të vijojë me një ritëm më të moderuar. Inflacioni parashikohet të kthehet gradualisht në objektiv, duke arritur nivelin 3% në fillim të vitit 2026. Kjo ecuri pritet të pasqyrojë normalizimin e inflacionit të importuar dhe presionet e qëndrueshme nga ekonomia e brendshme, në linjë me rritjen ekonomike pranë potencialit dhe pritjet e ankoruara për inflacionin”, theksoi Sejko.

Guvernatori Sejko u shpreh se “balanca e rreziqeve për inflacionin mbetet simetrike në afatin e mesëm. Në veçanti, tensioni gjeopolitik dhe vijimi apo intensifikimi i luftërave tregtare janë rreziqe të kahut të sipërm për inflacionin, ndërkohë që rënia e inflacionit në Eurozonë dhe një ecuri më e dobët e ekonomisë së saj në raport me pritjet përbëjnë rreziqe të kahut të poshtëm”.

“Nga ana tjetër, qëndrueshmëria në nivele të ulëta e inflacionit të huaj dhe të atij jobazë, vijojnë të gjenerojnë nivele më të ulëta inflacioni në raport me pritjet tona dhe paraqesin rreziqe të kahut të poshtëm në afatin e shkurtër”, tha Sejko.

/k.s//a.f/

The post Sejko: Aktiviteti ekonomik u rrit me 3.4% në tremujorin e parë të vitit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Banka e Shqipërisë ul normën bazë të interesit nga 2.75% në 2.5%

TIRANË, 2 korrik/ATSH/ Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi sot të reduktojë normën bazë të interesit, nga niveli 2.75% në nivelin 2.50%.

Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në një konferencë për shtyp tha se Këshilli Mbikëqyrës vendosi gjithashtu të reduktojë normën e interesit të kredisë njëditore, nga niveli 3.75% në nivelin 3.50% si dhe të reduktojë normën e interesit të depozitës njëditore, nga niveli 1.75% në nivelin 1.50%.

“Këshilli Mbikëqyrës gjykon se kjo vendimmarrje krijon kushte monetare më të përshtatshme për kthimin e qëndrueshëm dhe në kohë të inflacionit, në objektiv. Ajo rikonfirmon angazhimin tonë për kthimin e inflacionit në objektiv në një kohë sa më të shkurtër, si dhe krijon kushte më akomoduese monetare për rritjen e kreditimit dhe stabilitetin e kursit të këmbimit”, tha Sejko.

Sejko u shpreh se “kjo lëvizje është në linjë me komunikimet tona të mëparshme për të ndjekur një politikë monetare fleksibël, të bazuar në të dhënat e reja, si dhe është konsistente me kahun lehtësues të politikës monetare të ndjekur nga Banka Qendrore Evropiane”.

“Politika jonë monetare do të vijojë të udhëhiqet nga të dhënat më të fundit dhe, në veçanti, nga balanca e faktorëve që ndikojnë ecurinë e çmimeve në vend. Në një mjedis me pasiguri të lartë, kjo qasje garanton fleksibilitetin e nevojshëm për të reaguar në mënyrë efektive ndaj çdo devijimi nga parashikimet tona bazë dhe për të ruajtur stabilitetin monetar dhe financiar”, tha Sejko.

/k.s//a.f/

The post Banka e Shqipërisë ul normën bazë të interesit nga 2.75% në 2.5% appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sejko: Tarifat e SHBA-së ndikim të papërfillshëm në ekonominë tonë

TIRANË, 27 qershor /ATSH/ Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko mori pjesë në Mbledhjen e Konstituencës së Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB), zhvilluar në Vareze, Itali.

Takimi bëri bashkë guvernatorët dhe ministrat e Financave të vendeve anëtare të kësaj konstituence, për të diskutuar mbi zhvillimet më të fundit të ekonomisë botërore dhe ekonomive përkatëse.

Aktualisht, bota po përballet me sfida të reja gjeopolitike, gjeoekonomike dhe me kufizime tregtare, ndaj dhe në takim u diskutua rreth politikave industriale, të cilat mund të nxisin konkurrueshmërinë dhe rritjen ekonomike të vendeve.

Përfaqësues të lartë të FMN-së dhe BB-së prezantuan perspektivat e dy institucioneve për të garantuar stabilitet financiar dhe rritje ekonomike të qëndrueshme dhe afatgjatë.

Gjatë takimit, Guvernatori Sejko prezantoi zhvillimet më të fundit ekonomike në vend, duke theksuar rolin e rëndësishëm që luan Banka e Shqipërisë në stabilitetin makroekonomik. Ai paraqiti pikëpamjet e Bankës mbi temat kryesore të diskutimit, duke ndarë pikëpamje të ngjashme me institucionet financiare ndërkombëtare, si dhe theksoi rëndësinë e ruajtjes së stabilitetit ekonomik dhe financiar të vendit, si parakusht për rritje të qëndrueshme dhe afatgjatë.

Guvernatori u shpreh se për Shqipërinë, si një ekonomi e vogël dhe e hapur e lidhur ngushtë me Bashkimin Evropian, raundi fillestar i tarifave nga SHBA-ja ka një ndikim të papërfillshëm të drejtpërdrejtë në ekonominë tonë, pasi lidhjet tona tregtare dhe financiare me SHBA-në janë mjaft të kufizuara (rreth 0.2% e PBB-së). Megjithatë, ai vuri në dukje se një luftë tarifore në shkallë globale do të nënkuptonte rënie të kërkesës për eksporte, inflacion të importuar që do të rriste çmimet e brendshme, si dhe rreziqe potenciale në sektorin financiar, pasi kompanitë e ekspozuara ndaj tregtisë do të përballen me kushte më të vështira.

Nga ana tjetër, qëndrueshmëria mbetet thelbësore për të përballuar krizat e shpeshta dhe të mbivendosura që kërcënojnë zhvillimin ekonomik. Në mbarë botën, vendet po ekspozohen gjithnjë e më shumë ndaj rreziqeve dhe katastrofave natyrore. Kjo i vendos ato përballë zgjedhjeve për financimin dhe sigurimin e rreziqeve nga katastrofat, të cilat janë thelbësore për përshtatjen ndaj ndryshimeve klimatike dhe forcimin e qëndrueshmërisë, e që përfshijnë investime si në reduktimin fizik të rrezikut ashtu edhe në përgatitjen financiare.

Në përfundim, Guvernatori u shpreh se, “si bankë qendrore, përparësia jonë është ruajtja e qëndrueshmërisë së çmimeve, garantimi i stabilitetit financiar dhe forcimi i qëndrueshmërisë së ekonomisë, duke u treguar të vëmendshëm ndaj zhvillimeve globale dhe rajonale, dhe përmirësuar vazhdimisht kuadrin tonë të politikës ekonomike”.

Gjatë takimit, duke diskutuar lidhur me zhvillimet në fushën e sistemeve të pagesave, inovacionin në teknologji dhe infrastrukturë, si dhe sfidat e lidhura me to, zëvendësguvernatori i Bankës së Italisë, Luigi Federico Signorini theksoi bashkëpunimin e suksesshëm me Bankën e Shqipërisë lidhur me kontributin dhe lidershipin e treguar për modernizimin e sistemit të pagesave në vend dhe në nivel rajonal.

Republika e Shqipërisë është anëtare e Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) që prej muajit tetor të vitit 1991. Ajo është në të njëjtën konstituencë me Italinë, Greqinë, Portugalinë, Maltën dhe San Marinon. Drejtor ekzekutiv i Konstituencës është Riccardo Ercoli.

Republika e Shqipërisë është anëtare e Grupit të Bankës Botërore që prej vitit 1991. Ajo është në të njëjtën konstituencë me Italinë, Greqinë, Portugalinë, Maltën, San Marinon dhe Timorin Lindor. Drejtor Ekzekutiv i Konstituencës (EDS21) është Matteo Bugamelli.

/e.xh//r.e//a.f/

The post Sejko: Tarifat e SHBA-së ndikim të papërfillshëm në ekonominë tonë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Guvernatori Sejko merr pjesë në mbledhjen e Konstituencës të FMN dhe BB

TIRANË, 26 qershor /ATSH/ Guvernatori  i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, bashkë me mininistrin e Financave dhe delegacionin që e shoqëron morën pjesë sot në mbledhjen e Konstituencës së Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe të Grupit të Bankës Botërore, e cila zhvillohet në datat 26-27 qershor 2025, në Vareze, Itali.

Ky takim mbledh së bashku guvernatorët dhe ministrat e financave të vendeve anëtare të kësaj konstituence, për të diskutuar mbi zhvillimet më të fundit të ekonomisë botërore dhe ekonomive përkatëse.

Në një njoftim për mediet, BSH-ja bën të ditur se, përfaqësues të FMN-së dhe BB-së do të ndajnë perspektivat e dy institucioneve për të garantuar stabilitet financiar dhe rritje ekonomike të qëndrueshme dhe afatgjatë.

Sipas BSH-së, në këtë takim të rëndësishëm të nivelit të lartë, Guvernatori Sejko do të prezantojë zhvillimet më të fundit ekonomike në vend dhe pikëpamjet e Bankës së Shqipërisë mbi temat kryesore të diskutimit.

1 nga 4

e.xh/j.p/

The post Guvernatori Sejko merr pjesë në mbledhjen e Konstituencës të FMN dhe BB appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Skandali i mikrokredive, së shpejti me fajtorë? SPAK po heton 3 dosje, Gent Sejko merret 2 herë në pyetje

By: Ela
16 June 2025 at 13:28

Dosja e mikrokredive vazhdon të jetë e hapur në SPAK! ‘Dëshmi’ për këtë ishte dhe marrja në pyetje e ish-rektorit të Universitetit të Tiranës, Dhori Kule, i cili u thirr nga hetuesit e çështjes. Por duket se nuk është dhe nuk do të jetë i vetmi që do të duhet të japë llogari për dëmin […]

The post Skandali i mikrokredive, së shpejti me fajtorë? SPAK po heton 3 dosje, Gent Sejko merret 2 herë në pyetje appeared first on BoldNews.al.

Sejko: Reformat dhe politikat industriale, çelësi i zhvillimit dhe integrimit në BE

TIRANË, 28 maj /ATSH/ Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko theksoi sot se Shqipëria ka realizuar një progres të dukshëm në drejtim të krijimit të institucioneve të forta dhe përmirësimit të klimës së biznesit, duke kontribuar në një rritje ekonomike të qëndrueshme gjatë pesë viteve të fundit.

Në prezantimin e Raportit të Tranzicionit të BERZH-it për vitin 2024, Sejko foli për progres në disa tregues si uljen e papunësisë në 11,3% dhe një rritje të konsumit privat me 7%, duke nënvizuar rëndësinë e reformave strukturore në këtë rrugë.

Raporti i këtij viti i BERZH-it, trajton një nga sfidat më të mëdha që po përballen ekonomitë e zhvilluara dhe ato në zhvillim: riformulimin e politikave industriale në një kontekst global gjithnjë e më të ndërlikuar.

Sipas Sejkos, këto politika nuk janë më thjesht mjet për mbështetjen e industrive ekzistuese, por për ndihmën në krijimin e ekonomive të diversifikuara dhe krijuese të përparuara, si dhe në përgatitjen e një të ardhmeje të qëndrueshme.

Guvernatori nënvizoi se për Shqipërinë dhe shumë vende të tjera, rruga drejt zhvillimit përmes eksporteve tradicionale industriale është bërë më e vështirë. Sipas tij, shërbimet e digjitalizuara dhe krijuese të përparuara janë ato që po shfaqen si mundësia e re për rritjen e produktivitetit dhe vlerës së shtuar.

“Për shumë vende të BERZH-it, përfshirë Shqipërinë, rruga drejt rritjes përmes eksporteve tradicionale industriale është bërë më e vështirë. Në vend të saj, po shfaqet një mundësi e re: eksporti i shërbimeve të digjitalizuara dhe të tregtueshme ndërkombëtarisht. Këto “shërbime të transformimit global”, si teknologjia e informacionit, dizajni, logjistika dhe analiza e të dhënave, janë në zemër të rritjes së produktivitetit dhe vlerës së shtuar, por për t’i zhvilluar, nevojiten themele të forta: investime në arsim, fuqi punëtore e kualifikuar, infrastrukturë digjitale moderne dhe kapacitete të larta institucionale. Disa ekonomi të Evropës Qendrore dhe Lindore tashmë janë bërë eksportuese lider në fushën e shërbimeve kompjuterike. Edhe Shqipëria ka potencialin ta ndjekë këtë rrugë”, tha Sejko.

Në të njëjtën kohë, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë theksoi se politikat industriale që ndërmerren nga qeveria duhet të jenë të harmonizuara me procesin e integrimit evropian, dhe se si një ekonomi e vogël dhe e hapur, Shqipëria ka shumë mundësi të përfitojë nga konvergjenca me Bashkimin Evropian.

Anëtarësimi në SEPA dhe përfitimet që lidhen me të, si reduktimi i kostove të transaksioneve ndërkombëtare, janë pjesë e këtij procesi, shtoi ai.

Guvernatori theksoi gjithashtu se politikat industriale nuk duhet të përqendrohen vetëm te sektori i pasurive natyrore dhe i industrive tradicionale, por duhet të përfshijnë edhe sektorët që janë jetikë për punësimin dhe kohezionin social brenda vendit.

Së bashku me zhvillimin e sektorëve të rinj, ai u shpreh për domosdoshmërinë që politikat të përqendrohen në përfshirjen sociale dhe të ndihmojnë në zvogëlimin e pabarazive.

Një tjetër element që Sejko theksoi, ishte nevoja që ndihma shtetërore të fokusohet tek ato kompani që kanë potencial të lartë për të kontribuar në inovacion dhe krijimin e vendeve të reja pune.

Ai sugjeroi që garancitë e kredive, huatë me interesa të ulëta dhe fondet e kapitalit sipërmarrës mund të bëhen katalizatorë të ndryshimeve të mëdha, duke krijuar mundësi për bizneset e reja dhe dinamike.

Në fjalën e tij, Sejko përmendi se, edhe pse Banka e Shqipërisë nuk harton politika industriale, ajo ka një rol thelbësor në garantimin e stabilitetit makroekonomik dhe financiar, që është një kusht i domosdoshëm për zhvillimin e qëndrueshëm.

“Banka qendrore nuk harton politika industriale, por kontribuon në to si garantuese e stabilitetit makroekonomik dhe financiar – kusht themelor për çdo zhvillim të qëndrueshëm. Sot, mund të themi se ekonomia shqiptare po vazhdon të rritet – PBB-ja u rrit me 4% në vitin 2024, inflacioni mbetet në 2%, kreditimi privat është rritur me 16,7%, dhe raporti i kredive me probleme ka rënë në nivelin historik 4%. Kjo pasqyron një sistem financiar të shëndetshëm, të qëndrueshëm dhe të aftë të mbështesë sektorin real”, deklaroi Sejko.

Sipas Sejkos, për të arritur një transformim të pandërprerë dhe për t’u pozicionuar më mirë në rrugëtimin drejt integrimit europian, Shqipëria duhet të vazhdojë të investojë jo vetëm në sektorët e ekonomisë, por edhe te njeriu dhe institucioni, si elementë kyç për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit.

Ai drejtoi një ftesë për të hartuar politika industriale të zgjuara dhe gjithëpërfshirëse, të cilat do të përputhen me aspiratat afatgjata të Shqipërisë, duke theksuar rëndësinë e inovacionit, arsimit dhe krijimit të mundësive për të ardhmen.

“Të hartojmë politika industriale të zgjuara dhe gjithëpërfshirëse, që përputhen me aspiratat tona afatgjata. Mbi të gjitha, duhet të investojmë jo vetëm në sektorët e ekonomisë, por edhe te njeriu, si qeliza bazë e fuqisë punëtore, si dhe te institucionet dhe infrastruktura që do të definojnë Shqipërinë e së nesërmes, në rrugëtimin tonë drejt integrimit evropian, si një hapësirë mundësish për një transformim të pandërprerë”, deklaroi Guvernatori.

Prezantimi i Raportit të të BERZH, 2024-25- Foto Florian Abazaj
1 nga 7
Prezantimi i Raportit të të BERZH, 2024-25- Foto Florian Abazaj
Gent Sejko, Guvernator i Bankës së Shqipërisë - Foto: Florian Abazaj

/a.f/r.e/

The post Sejko: Reformat dhe politikat industriale, çelësi i zhvillimit dhe integrimit në BE appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sejko: Ekonomia në trend pozitiv, janë rritur pagat dhe punësimi

TIRANË, 7 maj /ATSH/ Të dhënat zyrtare të vitit 2025 tregojnë se ekonomia shqiptare ka vijuar të rritet me ritme pozitive, ndërsa viti 2024 u mbyll me një rritje ekonomike në nivelin 4%.

Guvernatori i BSH-së, Gent Sejko u shpreh sot në konferencën për mediet se, gjatë këtij viti rritja ekonomike ka vijuar të pasqyrojë zgjerimin e konsumit familjar, investimeve të biznesit dhe të ardhurave nga turizmi.

“Rritja e konsumit dhe e investimeve të sektorit privat pasqyron bilancet e shëndosha të biznesit e të familjeve, besimin e tyre për të ardhmen, si dhe kushtet e favorshme financiare në vend. Tregues në rritje shënojnë sektorët e shërbimeve dhe të ndërtimit, ndërkohë që sektori i industrisë dhe ai i bujqësisë kanë një ecuri më të ngadaltë”, deklaroi Sejko.

Guvernatori tha se, kërkesa relativisht e lartë për mallra e shërbime vijon ta mbajë ekonominë në një fazë pozitive të ciklit të biznesit.

“Tregu karakterizohet nga punësimi në rritje, normë papunësie pranë niveleve minimale historike dhe rritje të shpejtë të pagave në sektorin privat. Vëllimi i aktiviteteve ekonomike, ka shënuar trend pozitiv dhe inflacioni qëndron në nivele të ulta, ndërsa kreditimi për sektorin privat ka shënuar rritje. Ekonomia do të vijojë të rritet me ritme solide, ndërsa inflacioni do të kthehet dhe do të qëndrojë në objektiv në horizontin afatmesëm”, deklaroi Sejko.

/r.e/a.f/

The post Sejko: Ekonomia në trend pozitiv, janë rritur pagat dhe punësimi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

FMN-BB: Ekonomia shqiptare e qëndrueshme/ Sejko: Vlerësohet ulja e borxhit publik dhe performanca e bankave

By: Rovena
27 April 2025 at 14:00

Ekonomia shqiptare do të ketë një rritje të qëndrueshme përgjatë viteve të ardhshme .Ky është vlerësimi i ekspertëve të fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore.

Guvernatori Gent Sejko nga Washingtoni ku mori pjesë në mbledhjen e përbashkët  të këtyre institucioneve financiare tha se  ecuria do të mbështetet veçanërisht nga turizmi dhe konsumi privat.

Sipas kreut të Bankës Qendrore me impakt të rëndësishëm në ekonomi janë vlerësuar edhe reformat në kuadër të integrimit duke përmendur anëtarësimin në SEPA.

Ndërkohë që tensionet tregtare për shkak të tarifave vijojnë të mbeten një risk për ecurinë e ekonomisë./abcnews.al

Sejko në takimet e FMN dhe BB: Ekonomia shqiptare po ruan trajektore të qëndrueshme, rritja vjetore 3.5% – 4%

TIRANË, 27 prill/ATSH/ Në Uashington, u zhvilluan Mbledhjet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të Grupit të Bankës Botërore (BB).

Në këto mbledhje marrin pjesë ministrat e financave të vendeve anëtare, guvernatorë të bankave qendrore, drejtues të lartë të institucioneve financiare ndërkombëtare, si dhe përfaqësues të botës akademike, biznesit dhe shoqërisë civile.

Në deklaratën për shtyp të Kryetarit të Komitetit Ndërkombëtar Monetar Financiar të FMN-së konstatohet se: “Ekonomia botërore ndodhet në një pikë kthese vendimtare. Pas disa viteve me shqetësime në rritje lidhur me tregtinë, presionet tregtare janë përshkallëzuar papritur, duke nxitur pasigurinë, paqëndrueshmërinë e tregut dhe rreziqet ndaj rritjes ekonomike dhe stabilitetit financiar. Rritja në afatshkurtër parashikohet të vijë duke u ngadalësuar, ndërkohë që dezinflacioni pritet të vazhdojë, por me një ritëm më të ngadaltë. Perspektiva ekonomike mbizotërohet nga intensifikimi i rreziqeve të kahut të poshtëm, në një kontekst tashmë sfidues, ku rritja ekonomike është e dobët dhe borxhi publik i lartë. Luftërat dhe konfliktet kanë sjellë pasoja të rënda ekonomike dhe njerëzore. Forcat shndërruese, të tilla si digjitalizimi/inteligjenca artificiale, ndryshimet demografike dhe tranzicionet klimatike kanë krijuar mundësi të reja, por edhe sfida.”

Banka e Shqipërisë u përfaqësua në këto takime me një delegacion të nivelit të lartë, të kryesuar nga Guvernatori, Gent Sejko.

Me këtë rast, Guvernatori Sejko zhvilloi disa takime të rëndësishme me personalitete të njohura të fushës financiare ndërkombëtare, ndër të cilët veçojmë: Drejtorin Ekzekutiv për Shqipërinë në FMN, Riccardo Ercoli; Drejtorin e Departamentit Evropian në FMN, Alfred Kammer; Asistentedrejtore e Departamentit Monetar dhe Tregjeve Kapitale, zj. Jennifer Elliott; Shefen e Misionit të FMN-së Anke Weber, Zëvendëspresidenten për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore në BB, Antonella Bassani; Drejtorin Ekzekutiv për Shqipërinë në BB, Matteo Bugamelli, Drejtoren Rajonale për Ballkanin Perëndimor në BB, Xiaoqing Yu.

Gjatë këtyre takimeve u diskutuan zhvillimet më të fundit makroekonomike dhe financiare në Shqipëri, politikat makroekonomike, si dhe zhvillimet në sektorin financiar e atë bankar. Në fokus të bisedimeve ishin dhe qëndrueshmëria e rritjes ekonomike, kontrolli i inflacionit, konsolidimi fiskal, reformat strukturore dhe politikat monetare të ndjekura nga Banka e Shqipërisë.

Gjatë prezantimit të zhvillimeve ekonomike, Guvernatori Sejko theksoi stabilitetin makroekonomik të Shqipërisë, e cila vazhdon të konfirmojë rritjen ekonomike të qëndrueshme, të mbështetur nga kërkesa e fortë e brendshme dhe sektorët që po rriten, veçanërisht turizmi dhe konsumi privat.

Guvernatori nënvizoi përmirësimin e ndjeshëm të shëndetit financiar të sektorit bankar, duke vënë në dukje se bankat mbeten të mirëkapitalizuara, likuide dhe fitimprurëse, me një nivel të ulët të kredive me probleme. Sipas të dhënave, trendet pozitive në performancën financiare dhe zgjerimi i kreditimit dëshmojnë për besimin në sistemin financiar dhe në aftësinë e tij për të mbështetur rritjen ekonomike të qëndrueshme.

Në lidhje me inflacionin, Shqipëria ka arritur të ketë një inflacion të ulët si rezultat i politikave të qëndrueshme monetare të ndjekura nga Banka e Shqipërisë dhe përmirësimit të kushteve financiare. Aktualisht, inflacioni në vendin tonë është më i ulët krahasuar me vendet e rajonit dhe ato të Bashkimit Evropian.

Në lidhje me perspektivat e ardhshme, pjesëmarrësit theksuan rëndësinë e reformave strukturore, si një mundësi kyçe për përparimin e Shqipërisë. U vu theksi veçanërisht te nevoja për të forcuar transparencën, për të reduktuar nivelin e informalitetit në ekonomi dhe për të përgatitur vendin për fazat e ardhshme të integrimit në Bashkimin Evropian.

Guvernatori vlerësoi mbështetjen dhe angazhimin e Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore në m zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik të Shqipërisë dhe rikonfirmoi gatishmërinë e Bankës së Shqipërisë për të ruajtur stabilitetin financiar të vendit dhe për të adresuar sfidat e mundshme në të ardhmen.

Vlerësimet e përgjithshme ishin pozitive, duke evidentuar se ekonomia shqiptare po ruan një trajektore të qëndrueshme me rritje vjetore prej 3.5% – 4%, inflacion të ulët rreth 2%, i cili pritet të kthehet në objektiv gjatë vitit 2026, borxh publik dhe të jashtëm në rënie, si dhe rezerva valutore në rritje.

Gjithashtu gjatë takimeve u theksua performanca e mirë e sistemit bankar, i cili mbetet likuid, me tregues të shëndetshëm financiarë dhe me një nivel të ulët të kredive me probleme (NPL), që ka rënë nga 25% në vitin 2014, në 4% në 2025. Sistemi bankar ka vijuar të mbështesë kreditimin e ekonomisë, me një kornizë rregullatore të përforcuar dhe përputhshmëri me standardet ndërkombëtare.

Përfaqësuesit e FMN-BB përgëzuan Bankën e Shqipërisë dhe autoritetet përkatëse për punën e shkëlqyer që çoi në anëtarësimin e suksesshëm të Shqipërisë në SEPA (Tregun Unik të Pagesave në Euro), si dhe ndjekjen e hapave të mëtejshëm për zbatim e standardeve të SEPA në praktikë dhe finalizimin me sukses të transaksioneve të para në tetor 2025. Ky sukses përfaqëson një hap të rëndësishëm drejt forcimit të integrimit financiar të vendit tonë me tregun evropian dhe hap perspektiva të reja për zhvillimin ekonomik dhe rritjen e besimit ndërkombëtar ndaj Shqipërisë.

Shqipëria po konsolidohet gjithnjë e më shumë si një histori suksesi në rajon, falë reformave ekonomike dhe politikave të kujdesshme të ndjekura nga autoritetet dhe Banka e Shqipërisë. Në një periudhë globale sfiduese, vendi ka treguar stabilitet makroekonomik, rritje të qëndrueshme dhe përmirësim të klimës së biznesit. Një ndër faktorët kyç të këtij suksesi ka qenë politika e kujdesshme monetare, e ndjekur me një qasje të balancuar nga Banka e Shqipërisë, e cila ka arritur të ruajë stabilitetin e çmimeve, duke mbështetur njëkohësisht rritjen ekonomike. Normat e interesit janë mbajtur në nivele që stimulojnë kreditimin, çka ka ndikuar drejtpërdrejt në rritjen e investimeve private dhe konsumit.

Në përfundim të takimeve, Guvernatori Sejko vlerësoi bashkëpunimin e ngushtë dhe të vazhdueshëm me FMN-në dhe Bankën Botërore, duke nënvizuar rolin e tyre kyç në mbështetjen e reformave ekonomike dhe zhvillimin e qëndrueshëm të Shqipërisë.

Në kuadër të këtyre mbledhjeve, Sejko mori pjesë edhe në seancën plenare të Komitetit Ndërkombëtar Monetar dhe Financiar të FMN-së, si dhe në Komitetin e Zhvillimit të BB-së.

Guvernatori ishte gjithashtu i ftuar në një mëngjes pune me ministrat e financave dhe guvernatorët e bankave qendrore, të organizuar nga Drejtori i Departamentit Evropian pranë FMN-së, Alfred Kammer, gjatë të cilit ai prezantoi zhvillimet makroekonomike në Shqipëri, sektorët kryesorë të zhvillimit, si dhe potencialin që ajo paraqet për investitorët e huaj.

The post Sejko në takimet e FMN dhe BB: Ekonomia shqiptare po ruan trajektore të qëndrueshme, rritja vjetore 3.5% – 4% appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sejko në mbledhjet e pranverës të FMN dhe BB: Zhvillime ekonomike pozitive në vend

TIRANË, 26 prill /ATSH/ Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko mori pjesë në mbledhjet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të grupit të Bankës Botërore që u zhvillua në Uashington DC, SHBA.

Sejko zhvilloi një takim me Antonella Bassani, Zëvendëspresidente e Bankës Botërore për Rajonin e Evropës dhe Azisë Qendrore, në kuadër të Mbledhjeve të Pranverës të FMN-së dhe BB-së.

Gjatë takimit u vlerësua bashkëpunimi i deritanishëm me Bankën Botërore, veçanërisht përmes mbështetjes teknike dhe projekteve të realizuara përmes Kompanisë së Rregullimit të Sektorit Financiar, (FINSAC).

Guvernatori Sejko shprehu mirënjohjen për këtë mbështetje dhe theksoi angazhimin për thellimin e mëtejshëm të bashkëpunimit.

“Diskutuam zhvillimet pozitive ekonomike në vend, që karakterizohen nga rritja e qëndrueshme ekonomike, përmirësimi i financave publike, stabiliteti i tregjeve dhe forcimi i sektorit bankar”, u shpreh Guvernatori.

Sejko tha se, “politikat monetare dhe financiare të Bankës së Shqipërisë mbeten të orientuara drejt ruajtjes së stabilitetit të çmimeve dhe forcimit të qëndrueshmërisë financiare”, ndërsa theksohet rëndësia e reformave strukturore në funksion të zhvillimit të qëndrueshëm të vendit. /j.p/

1 nga 2

The post Sejko në mbledhjet e pranverës të FMN dhe BB: Zhvillime ekonomike pozitive në vend appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sejko me drejtorin e FMN-së në Uashington: Ekonomia shqiptare me rritje të qëndrueshme

TIRANË, 26 prill /ATSH/ Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko zhvilloi në Uashington, një takim me Riccardo Ercoli, Drejtor Ekzekutiv për Shqipërinë në Bordin Ekzekutiv të FMN-së, në kuadër të Mbledhjeve të Pranverës të FMN-së dhe BB-së.

Takimi u fokusua në një shkëmbim mendimesh mbi zhvillimet e fundit ekonomike dhe politikat makroekonomike të ndjekura nga autoritetet shqiptare.

“U vlerësua ecuria pozitive e ekonomisë, me rritje të qëndrueshme, inflacion në rënie dhe pritshmëri për rikthimin në objektiv gjatë vitit 2026. Politika monetare e ndjekur ka kontribuar në ruajtjen e stabilitetit të çmimeve, pavarësisht sfidave nga tregjet ndërkombëtare”, u shpreh Sejko.

Guvernatori theksoi se, sistemi bankar shqiptar mbetet i qëndrueshëm, likuid dhe mirëkapitalizuar, ndërsa kursi i këmbimit ka shfaqur forcim të konsiderueshëm, duke reflektuar faktorë themelorë të ekonomisë dhe besimin e tregjeve.

Sejko shprehu vlerësimin për mbështetjen e vazhdueshme të FMN-së ndër vite dhe gatishmërinë për të forcuar më tej bashkëpunimin me institucionin. /j.p/

The post Sejko me drejtorin e FMN-së në Uashington: Ekonomia shqiptare me rritje të qëndrueshme appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sejko me drejtorin e BB: Reformat, përmirësim klimës së biznesit dhe zhvillim ekonomisë

TIRANË, 25 prill /ATSH/ Në kuadër të pjesëmarrjes në Mbledhjet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar dhe Bankës Botërore, në Uashington, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë Gent Sejko zhvilloi një takim të frytshëm me Matteo Bugamelli, drejtor ekzekutiv për Shqipërinë pranë Bankës Botërore.

Gjatë takimit u diskutuan zhvillimet më të fundit makroekonomike në vend, me theks në rritjen ekonomike, inflacionin dhe rolin e politikës monetare në ruajtjen e stabilitetit financiar.

Guvernatori Sejko theksoi ecurinë pozitive të sistemit bankar shqiptar, i cili vijon të mbetet i qëndrueshëm, likuid dhe i mirëkapitalizuar, duke mbështetur kreditimin për ekonominë dhe bizneset.

“Në takim u vlerësua gjithashtu bashkëpunimi i ngushtë me Bankën Botërore, veçanërisht në drejtim të reformave strukturore, përmirësimit të klimës së të bërit biznes dhe zhvillimit të qëndrueshëm ekonomik të Shqipërisë”, u shpreh Sejko.

/r.e/a.f/

The post Sejko me drejtorin e BB: Reformat, përmirësim klimës së biznesit dhe zhvillim ekonomisë appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sejko me FMN dhe BB në Uashington: Shqipëria në SEPA, më 7 tetor nisin pagesat

TIRANË, 25 prill /ATSH/ Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko mori pjesë në mbledhjet e Pranverës të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) dhe të grupit të Bankës Botërore që u zhvillua në Uashington DC, SHBA.

Guvernatori Sejko ishte i pranishëm në takimin me ministrat e Financave dhe Guvernatorët e Bankave Qendrore të Ballkanit Perëndimor për të diskutuar lidhur me zhvillimet e sistemeve të pagesave, ecurinë e projekteve të përbashkëta dhe bashkëpunimin për të ardhmen.

Sejko bëri të ditur se, “Shqipëria, vendi i parë në Ballkanin Perëndimor që aplikoi dhe u pranua për t’u bërë pjesë e SEPA, duke hapur rrugën për një sistem pagesash më të lehtë, më të shpejtë dhe me kosto më të ulët për qytetarët dhe bizneset”.

“Të 11 bankat shqiptare janë tashmë të pranuara për pjesëmarrje në skemën SEPA Credit Transfer dhe pritet të jenë operacionalisht gati për të kryer pagesa nga data 7 tetor 2025”, u shpreh Guvernatori.

Sejko vlerësoi se, anëtarësismi në SEPA do të ndihmojë qytetarët dhe biznesin në: Uljen e përdorimit të parasë fizike; Thjeshtimin e pagesave për turistët dhe bizneset; Rritjen e remitancave dhe formalizimin e ekonomisë; Nxitjen e investimeve të huaja; Përshpejtimin e integrimit drejt BE-së.

“Në bashkëpunim me Banca d’Italia dhe bankat qendrore të rajonit, Banka e Shqipërisë po punon për krijimin e një sistemi të pagesave të menjëhershme (TIPS-clone), që pritet të jetë funksional në 2026”, theksoi Guvernatori, ndërsa adresoi falënderim të veçantë për asistencën e vazhdueshme nga Banka Botërore në këtë proces transformues.

1 nga 4

/r.e/a.f/

The post Sejko me FMN dhe BB në Uashington: Shqipëria në SEPA, më 7 tetor nisin pagesat appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Sejko me delegacionin e BERZH: Ekonomia shqiptare do të vijojë trendin pozitiv të rritjes

TIRANË, 8 prill/ATSH/ Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko zhvilloi sot një takim me një delegacion të Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), të kryesuar nga Aleksandra Vukosavljevic, drejtore për Institucionet Financiare për Ballkanin Perëndimor dhe Evropën Lindore.

Në këtë takim ishin të pranishëm edhe Ekaterina Solovova, përfaqësuese rezidente e BERZH-it në Shqipëri, si dhe përfaqësues të tjerë të dy institucioneve.

Fillimisht, Guvernatori Sejko i njohu përfaqësuesit e BERZH-it me zhvillimet kryesore ekonomike dhe financiare në vend.

Sejko u shpreh se “parashikimet e Bankës së Shqipërisë vlerësojnë se ekonomia shqiptare do të vijojë trendin pozitiv të rritjes. Sistemi financiar dhe sektori bankar, vijojnë të zhvillohen në mënyrë të qëndrueshme. Kreditimi është rritur me ritme të mira dhe cilësia e tij mbetet e mirë”.

Guvernatori përshkroi edhe përparimin në modernizimin e infrastrukturës së pagesave dhe përafrimin me praktikat më të mira globale në sektorin financiar.

Në këtë drejtim, Banka e Shqipërisë ka qenë e angazhuar për të ndjekur dhe implementuar risitë teknologjike dhe rregullatore drejt një sistemi financiar më të sigurt, më të shpejtë dhe më të standardizuar për të gjithë përdoruesit.

Më tej, Guvernatori Sejko vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera të vendit tonë me BERZH-in dhe i falënderoi përfaqësuesit e tij për kontributin e çmuar dhënë Shqipërisë, falë të cilit janë realizuar projekte shumë të rëndësishme, si ai për përgatitjen e infrastrukturës rregullative në lidhje me administrimin e ndikimit nga ndryshimet e klimës.

Ai gjithashtu shprehu mirënjohjen për kontributin që BERZH-i, donatorët dhe ekspertët e përzgjedhur prej tij, kanë dhënë nëpërmjet projekteve të ndryshme, për përgatitjen ndaj ndryshimeve klimatike dhe rritjen e kapaciteteve teknike e rregullative të Bankës së Shqipërisë, në funksionin e saj të mbikëqyrjes dhe të ndërhyrjes së jashtëzakonshme.

Këto projekte përfshinin: përgatitjen dhe realizimin e vetëvlerësimit, në procesin e verifikimit të ekuivalencës së kuadrit rregullator mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë me atë të Bashkimit Evropian dhe vlerësimin në nivel rajoni të kuadrit të ndërhyrjes së jashtëzakonshme, me fokus të veçantë në krijimin e kërkesave për kapital dhe detyrime të pranuara (MREL), si edhe zhvillimin e metodologjisë për një nga instrumentet e ndërhyrjes së jashtëzakonshme.

Në vijim, Guvernatori bëri një përshkrim të përgjithshëm të zhvillimeve ekonomike dhe financiare, duke evidentuar ndryshimet strukturore në ekonomi dhe kontributin e sektorit bankar në mbështetje të tyre. Pritjet për zhvillimet e ardhshme, pavarësisht sfidave, mbeten pozitive. Palët vlerësuan nevojën për rritjen e mbështetjes financiare të sektorit të ndërmarrjeve të vogla dhe të mesme, ku programi i posaçëm i miratuar së fundmi nga Banka e Shqipërisë, përfaqëson një mundësi shumë të mirë zhvillimi.

Në këtë drejtim, ata vlerësuan se progresi i realizuar nga Banka e Shqipërisë për modernizimin e sistemeve të pagesave dhe digjitalizimin, do të shërbejë gjithashtu për formalizimin e mëtejshëm të ekonomisë dhe rritjen e aksesit në financim nga sektorët më pak të financuar.

Përfaqësuesit e BERZH-it shprehën vlerësimin maksimal për bashkëpunimin me Bankën e Shqipërisë në projektet e mësipërme dhe gatishmërinë për zgjerimin e bashkëpunimit edhe në drejtime të tjera.

Vukosavljevic shtoi se BERZH-i do të vazhdojë të mbetet një partner kryesor, duke ofruar mbështetje në sektorë kyç të ekonomisë së vendit, me fokus te ndihma për bizneset shqiptare që të bëhen më të gjelbra dhe më digjitale, si dhe për të fuqizuar sipërmarrësit e rinj.

1 nga 5

/k.s//a.f//r.e/

The post Sejko me delegacionin e BERZH: Ekonomia shqiptare do të vijojë trendin pozitiv të rritjes appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Guvernatori Sejko për tarifat e Trump: Mund të na dëmtojnë

By: user 8
26 March 2025 at 17:00

Guvernatori i BSH, Gent Sejko thotë se ekonomia shqiptare vijon të qëndrojë në një trajektore pozitive zhvillimi.

Në konferencën për mediat, ai tha se vëllimi i aktivitetit ekonomik, punësimi dhe pagat kanë ardhur në rritje. Megjithatë, sipas Sejko, tensioni i lartë gjeopolitik dhe rritja e mundshme e barrierave dhe e tarifave tregtare, një politikë e Donald Trump, mund të sjellin pasoja negative në rritjen ekonomike dhe në inflacion.

“Në skenarin bazë, inflacioni pritet të kthehet gradualisht pranë objektivit gjatë vitit 2025. Ky parashikim faktorizon pritjet tona për një ecuri më të balancuar të kërkesës dhe ofertës agregate për mallra e shërbime, një qëndrueshmëri më të lartë të kursit të këmbimit, si dhe për rënie të mëtejshme të inflacionit në partnerët tanë tregtarë. Paralelisht me të, ekonomia shqiptare pritet të rritet me ritme të qëndrueshme dhe pranë potencialit në afatin e mesëm.

Balanca e rreziqeve rreth këtyre parashikimeve paraqitet – për momentin – neutrale. Megjithatë, tensioni i lartë gjeopolitik dhe rritja e mundshme e barrierave e tarifave tregtare, mund të sjellin një goditje oferte me pasoja potenciale negative në rritjen ekonomike dhe inflacion.” – u shpreh guvernatori Sejko mes të tjerash.

Po ashtu, Guvernatori Sejko u shpreh se Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.75%; të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 1.75%; të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 3.75%. /Lapsi.al

The post Guvernatori Sejko për tarifat e Trump: Mund të na dëmtojnë appeared first on Lapsi.al.

Kredia e dhënë për sektorin privat u rrit me 16,7%, në dy muajt e parë të vitit

TIRANË, 26 mars /ATSH/ Rritja e konsumit familjar dhe e investimeve të biznesit pasqyron bilancet e shëndetshme financiare, besimin për të ardhmen, si dhe kushtet e favorshme të kreditimit.

Kështu deklaroi sot, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko në konferencën për mediet pas mbledhjes së Këshillit Mbikqyrës të BSH-së, ku bëri të ditur se, “kredia për sektorin privat ka vijuar të rritet me ritme të shpejta, prej mesatarisht 16,7% gjatë dy muajve të parë të vitit 2025”.

Sipas tij, rritja e kreditimit është diktuar si nga niveli relativisht i ulët i normës bazë të interesit dhe i normave të interesit të kredisë, ashtu edhe nga qasja pozitive e sektorit bankar ndaj kreditimit.

Guvernatori e cilësoi, një zhvillim specifik riaktivizimin e kreditimit në valutë, si pasojë e uljes së normave të interesit në tregjet evropiane dhe i rritjes së shpejtë të kredisë akorduar bizneseve për investime.

“Kredia në valutë shënoi një rritje mesatare prej 20% gjatë dy muajve të parë të vitit, duke mbështetur rritjen e kapaciteteve prodhuese. Gjithashtu, treguesi i kredive me probleme zbriti në 4,06% në muajin shkurt, një minimum i ri historik prej më shumë se një dekade”, theksoi Sejko.

Guvernatori vuri në dukje se, “stabiliteti i sistemit financiar, si dhe përmirësimi i treguesve të qëndrueshmërisë fiskale dhe të huaj të vendit, janë pasqyruar në një përmirësim të mëtejshëm të renditjes së rrezikut të borxhit sovran të Shqipërisë nga agjencia Standard & Poors në muajin mars 2025, duke e çuar atë në BB”.

Sipas tij, ky përmirësim ul kostot e huamarrjes së sektorit publik e privat në tregjet e huaja, si dhe rrit atraktivitetin e ekonomisë dhe të sistemit financiar shqiptar për investitorët e huaj.

/r.e/

The post Kredia e dhënë për sektorin privat u rrit me 16,7%, në dy muajt e parë të vitit appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Banka e Shqipërisë mban të pandryshuar normën bazë të interesit

By: xhir jeta
26 March 2025 at 16:23

Banka e Shqipërisë vendos të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit.

Vendimet në mbledhjen e Këshillit Mbikëqyrës;

Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë mori në shqyrtim dhe miratoi Raportin e Ndërmjetëm të Politikës Monetare. Pasi diskutoi mbi zhvillimet ekonomike e monetare në vend dhe mbi ecurinë e pritur të tyre, Këshilli Mbikëqyrës i Bankës së Shqipërisë vendosi:

të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 2.75%;
të mbajë të pandryshuar normën e interesit të depozitës njëditore, në nivelin 1.75%;
të mbajë të pandryshuar normën e interesit të kredisë njëditore, në nivelin 3.75%.

Sejko-Albertini: Partneritet në fushën e bankingut

TIRANË, 25 mars /ATSH/ Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko priti sot në një takim zyrtar Ambasadorin e ri të Italisë në vendin tonë, Marco Alberti, me të cilin diskutoi mbi lidhjet dhe nismat që thellojnë partneritetin mes dy vendeve në shumë sektorë dhe zhvillimet aktuale ekonomike.

Guvernatori shprehu mirënjohjen ndaj Bankës së Italisë për ndihmën dhe asistencën teknike të dhënë në fusha të ndryshme të bankingut qendror, e veçanërisht në projektin më të fundit të TIPS Clone.

Gjithashtu, ai u ndal në rëndësinë e hapjes zyrtare të negociatave për Grup-Kapitullin e parë me Bashkimin Evropian (BE), si një moment historik në rrugëtimin e Shqipërisë drejt integrimit me BE-në.

“Në 100-vjetorin e themelimit të Bankës Kombëtare të Shqipërisë, Guvernatori solli në vëmendje kontributin e vyer të Italisë për ngritjen e institucionit të parë bankar kombëtar, i cili zhvilloi politikën monetare dhe financiare të vendit. Gjatë këtyre 100 viteve, Banka e Shqipërisë ka kaluar nëpër sfida të ndryshme, nga ndryshimet ekonomike dhe politike deri te tranzicioni i tregut të lirë. Me një histori të pasur dhe një vizion të qartë për të ardhmen, Banka e Shqipërisë hyn në shekullin e saj të dytë si një institucion kyç në garantimin e stabilitetit ekonomik të vendit”, u shpreh Sejko.

Nga ana e tij, ambasadori Alberti vlerësoi rolin që Banka e Shqipërisë ka luajtur në stabilitetin financiar dhe ndikimin pozitiv të politikës monetare në stabilitetin e çmimeve në vend. Masat e marra nga Banka e Shqipërisë kanë ndikuar që Shqipëria të ketë një ndër normat më të ulëta të inflacionit dhe një ndër normat më të larta të rritjes ekonomike në rajon.

Ambasadori Alberti përgëzoi Guvernatorin Sejko për rritjen e vlerësimit për Shqipërinë nga Standard & Poor’s, duke konfirmuar një perspektivë “të qëndrueshme”, vlerësim i cili vjen si rrjedhojë e performancës së qëndrueshme ekonomike gjatë viteve të fundit, dhe përmirëson imazhin e vendit tek investitorët e huaj.

Më tej, Ambasadori uroi Guvernatorin për pranimin e Shqipërisë në zonën gjeografike SEPA nën udhëheqjen dhe koordinimin e Bankës së Shqipërisë, si pjesë e projektit rajonal “Për modernizimin e sistemeve të pagesave në vendet e Ballkanit Perëndimor”.

1 nga 2

/a.f/

The post Sejko-Albertini: Partneritet në fushën e bankingut appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌
❌