Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Telenovela Lapaj-Shabani/ Rada: Po i shkon LSI-ja. Berisha i trembur, gati të bëjë koalicion post-zgjedhor

Analisti Ardit Rada, i ftuar në “Edicionin e Fundit” në ABC News, komentoi zhvillimet më të fundit në kampin opozitar, duke vënë në qendër të vëmendjes lëvizjen e Adriatik Lapajt.

Sipas Radës, rreth Lapajt po grupohen figura të afërta me LSI-në, të cilët mund të perceptohen si prurje të reja, por në fakt përfaqësojnë një zhgënjim ndaj partisë së tyre.

Ai theksoi se Lapaj nuk është vegël e Berishës apo Metës, por mbështetja që pritet të marrë e ka shqetësuar opozitën tradicionale, aq sa ajo është e gatshme të diskutojë koalicione post-zgjedhore.

“Tek Adriatik Lapaj po mblidhet LSI, mund t’i duken si prurje të rej, por fakti që nuk mbështesin partinë e tyre, do të thotë që janë më afër viktimës se sa kryetarit të tyre që ka hapur këtë debat. Nuk besoj se Lapaj është vegël e Berishës dhe Metës. Në çdo rrethanë kemi menduar se Lapaj do të ketë vota. Kjo e ka trembur opozitën në ato nivele saqë është gati të bëjë koalicion post-zgjedhor me forcat e tjera opozitare. Berisha duhet të ngrejë frymën e vet se sa të marrë një parti të vogël dhe të shesë si frymën e saj”, tha analisti Ardit Rada./abcnews.al

“Vajza e goditi dhe më pas e mbyti të atin”, Karamuço për vrasjen në Fier: Nënë e bijë fshehin arsyen e vërtetë

Eksperti i i kriminalistikës Eriv Karamuço në një intervistë për “Edicioni i fundit” në ABC News hodhi dritë mbi ngjarjen e rëndë që ndodhi këtë të enjte, 24 korrik, në Fier. Ku 26-vjeçarja 26-vjeçarja, Emanilda Rama mbyti me tel babain e saj 56-vjeçarin, Anesti Rama. Bashkëpunëtore në këtë krim është edhe nëna e saj.

Karamuço thotë se arsyeja e vërtetë e krimit nuk është sherri për veshjen apo paratë, sipas tij nënë e bijë fshehin diçka tjetër më të madhe. Ai shton se vajza fillimisht e ka goditur babain, teksa ai ishte në tualetin jashtë shtëpisë dhe më pas e ka mbytur me tel. Pas krimit nënë e bijë inskenuan krimin si një ngjarje aksidentale, lanë kufomën dhe thirrën shërbimin funeral, për të fshehur gjurmët.

Sipas asaj që sqaron eksperti, policia mori kufomën dhe e çoi në morg, ku nga drita natyrale u panë shenjat e mbytjes në qafë, dhe u zbulua skema e krimit.

“Ka disa elementë që janë vënë re në dinamikën e ngjarjes, që bëjnë të kuptohet se versioni që vajza ka dhënë nuk është e vërtetë. Dyshohet se nënë e bijë kanë arsye të tjera. Kanë treguar disa vizita shëndetësore që të inskenohej sikur ishte një ngjarje aksidentale. Kur babai ka qenë në tualet jashtë, vajza ka shkuar e ka goditur dhe më pas e ka mbytur me tel. Nënë e bijë e kanë larë dhe e kanë veshur kufomën dhe menjëherë kanë lajmëruar funeralin. Ishte policia ajo që e zbuloi. Policia e ka marrë kufomën e ka çuar në morg dhe ka pritur dritën natyrale ku është parë tek jaka e këmishës shenjat e mbetjes. Kanë dalë dëmtime të tjera në zonën e barkut, ku të çojnë në dyshime se shkaku nuk është vetëm i një lloj përplasjeje në familje, aq më tepër për veshjen. Gjysma e baballarëve në Shqipëri kanë probleme me vajzat e tyre për shkak të veshjes dhe modës që ndjekin, përpiqen që t’i korrigjojnë. Shkaqet mund të jenë të tjerë, unë nuk mund të. E para mund të jetë vrasje në bashkëpunim. Them që kanë një shkak tjetër shumë të fortë, që e fshehin të dyja”, tha eksperti Ervin Karamuço./abcnews.al

Thaçi: Nuk duhet lejuar që për agjenda afatshkurtra të cenohet qëllimi gjeopolitik afatgjatë

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në intervistën ekskluzive në “Rubikon”, është shprehur se liria e fituar dhe shteti I ndërtuar duhet trajtuar shumë seriozisht.

Sipas Thaçit, duhet pasur kujdes, pasi mjafton që individë të një brezi ta gangrenizojnë shtetin dhe shoqërinë, me pasoja, sipas tij, prej dekadash.

“Duhet pasur kujdes, mjafton që individë të një brezi ta gangrenizojnë shtetin dhe shoqërinë me pasoja dekadash për shërim civil dhe shtetëror. Lirinë e fituar dhe shtetin e ndërtuar duhet trajtuar shumë seriozisht”, tha Thaçi në Rubikon.

Ish-kreu i pari i shtetit të Kosovës tha se nuk duhet lejuar që për agjenda afatshkurtra të cenohet qëllimi gjeopolitik dhe afatgjatë i Kosovës.

“Nuk duhet lejuar që për agjenda afatshkurtra të cenohet qëllimi gjeopolitik afatgjatë. Shtetin duhet ta forcojmë për të drejtën dhe të mirën tonë, e jo në urrejtje ndaj askujt”, tha Thaçi.

Ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi: Prania e serbëve në institucione është jetike për Kosovën

Ish-kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në intervistën ekskluzive për “Rubikon” në Klan Kosova, e ka cilësuar si jetike për shtetin e Kosovës, rikthimin e serbëve nëpër institucione.

Sipas Thaçit, vetëm integrimi i serbëve nënkupton sukses për vendin dhe sipas tij, gjithçka tjetër do të ishte dështim i brendshëm dhe me pasoja.

“Është jetik për shtetin e Kosovës rikthimi i serbëve në institucionet lokale, qeveri, parlament, polici, sistemin e drejtësisë, shëndetësi, arsim etj. Vetëm integrimi i tyre nënkupton sukses për Kosovën, gjithçka tjetër do të ishte dështim i brendshëm me pasoja për integrimet euroatlantike”, tha Thaçi në Rubikon, njofton Klankosova.tv.

Thaçi u shpreh se ri-integrimi i serbëve është obligim kushtetues dhe sipas tij, zëvendësimi i integrimit me çdo mekanizëm autonom do të ishte “Republika Sërpska”.

“Zëvendësimi i integrimit me çfarëdo mekanizmi autonom nuk do të jetë as më shumë e as më pak sesa një ‘Republika Sërpska’. Rintegrimi i serbëve është edhe obligim kushtetues, ligjor dhe qytetar”, tha Thaçi.

Intervista / Porosia e Thaçit nga Haga: Më shumë dashuri për shtetin e popullin, Edi po bën historinë evropiane

Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, nga qelia në Hagë ka dhënë një intervistë të veçantë për emisionin “Rubikon” në Klan Kosova, ku ndër të tjera ka folur edhe për kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, të cilin e quan mik të madh.

Sipas Thaçit, Shqipëria ndodhet në rrugën e duhur dhe ka një të ardhme të garantuar në Perëndim. Ai vlerësoi lart lidershipin e Ramës dhe ndikimin që po jep në zhvillimin e vendit dhe kombit shqiptar në tërësi.

“Shqipëria sot, është në drejtimin e duhur, e destinuar të ketë të ardhme të sigurt perëndimore. Edi Rama po dëshmon vizion të shëndetshëm e modern me plot optimizëm dhe besim. Edi po e transformon dhe emancipon Shqipërinë dhe shqiptarët. Edi po e bën historinë evropiane të shqiptarëve”, u shpreh Thaçi në “Rubikon”.

Në vijim të intervistës, Thaçi komentoi edhe situatën në Kosovë. Ai bëri thirrje për më shumë ndjenjë shtetformuese, për dialog dhe bashkëpunim mes forcave politike, pavarësisht dallimeve mes tyre.

“Dallimet politike do duhej t’i shndërrojnë në motiv për punë më cilësore, shteti mund të ndërtohet fuqishëm edhe ndërkundërshti, por këto kundërshti të kuptohen dhe respektohen si garë për punë më të mirë, e jo për të penguar njëri-tjetrin, duke e paguar çmimin Kosova. Liderët janë të përkohshëm. Kosova është e përjetshme”, tha Thaçi.

Starmer kërkon hapa të menjëhershëm për ndaljen e katastrofës humanitare në Gaza

Kryeministri i  Mbretërisë së Bashkuar, Keir Starmer, ka thënë se vuajtjet dhe uria në Gaza janë të papërshkrueshme dhe të paarsyeshme.

Ai në një deklaratë ka thënë se situata po vazhdon të rëndohet dhe po shkaktohet katastrofë humanitare.

“Do të zhvilloj një thirrje urgjente me Francën, Gjermaninë dhe Italinë nesër, ku do të diskutojmë se çfarë mund të bëjmë me shpejtë për të ndaluar vrasjet dhe për t’i siguruar njerëzve ushqimin që kanë shumë nevojë. Të gjithë jemi të dakord mbi nevojën urgjente që Izraeli të ndryshojë kurs dhe të lejojë ndihmën që është shumë e nevojshme të hyjë në Gaza pa vonesa’, ka deklaruar ai.

Ka thënë se është e vështirë të shohësh një të ardhme me shpresë në këto kohë të errëta.

errëta.

“Por duhet të përsëris thirrjen time për të gjitha palët që të angazhohen me besim të mirë dhe me qetësi për të sjellë një armëpushim të menjëhershëm dhe që Hamasi të lirojë pa kushte të gjithë ata që ka marrë peng. Ne mbështesim fuqimisht përpjekjet e SHBA-së, Katarit dhe Egjiptit për të siguruar këtë. Jemi të qartë që shtetësia është e drejta e pacënueshme e popullit palestinez. Një armëpushim do të na vendosë në rrugën drejt njohjes së një shteti palestinez dhe një zgjidhjeje me dy shtete që garanton paqe dhe siguri për palestinezët dhe izraelitët”, ka thënë ai.

Arabia Saudite nënshkruan marrëveshje për rindërtimin e Sirisë

Arabia Saudite nënshkroi marrëveshje të rëndësishme investimi dhe partneriteti me Sirinë më 24 korrik, me vlerë prej 6.4 miliardë dollarësh, për të ndihmuar në rindërtimin e infrastrukturës, telekomunikacionit dhe sektorëve kryesorë të tjerë të vendit të shkatërruar nga lufta.

Mbretëria e pasur me naftë në Gjirin Persik është një nga mbështetëset kryesore të Qeverisë e re siriane, e cila mori pushtetin pas një ofensive të udhëhequr nga islamistët që rrëzoi nga pushteti udhëheqësin e komtshëm të Sirisë, Bashar al-Assad, në dhjetor.

Duke folur në Forumit të Investimeve Siri-Arabi Saudite të mbajtur në pallatin presidencial në Damask, ministri saudit i Investimeve, Khalid Al-Falih, njoftoi për “nënshkrimin e 47 marrëveshjeve dhe memorandumeve mirëkuptimi… me një vlerë totale prej gati 6.4 miliardë dollarëve”.

Me praninë e presidentit të përkohshëm sirian, Ahmed al-Sharaa, dhe zyrtarëve të tjerë, ministri sirian i Ekonomisë, Mohammed al-Shaar, e quajti këtë forum “një hap të madh në historinë e marrëdhënieve midis dy vendeve tona vëllazërore”.

Falih tha se 2.9 miliardë dollarë do të dedikohen për infrastrukturë dhe do të ndërtohen tri fabrika të çimentos. Kompanitë saudite të telekomunikacionit do të investojnë rreth 1.07 miliardë dollarë “me qëllim zhvillimin e infrastrukturës dhe përmirësimin e kapaciteteve të sigurisë kibernetike”, shtoi ai. Sektorë të tjerë, përfshirë bujqësinë dhe financat, pritet gjithashtu të përfitojnë nga marrëveshjet e mëdha.

Të enjten, ekspertët e Kombeve të Bashkuara mirëpritën heqjen e sanksioneve ndaj Sirisë nga Shtetet e Bashkuara dhe shtetet e tjera perëndimore, duke thënë se kjo “hap rrugë premtuese për rimëkëmbje”.

“Ne i bëjmë thirrje Qeverisë së përkohshme t’i japë prioritet rindërtimit të infrastrukturës së qëndrueshme dhe shërbimeve publike për të përmbushur gamën e gjerë të të drejtave të njeriut që janë në rrezik në Siri”, tha OKB-ja.

Lufta 14-vjeçare civile në Siri shkatërroi pjesën më të madhe të infrastrukturës së vendit, dhe udhëheqësit e rinj shpresojnë të marrin mbështetje ndërkombëtare për përpjekjet e rindërtimit, të cilat OKB-ja i vlerëson se mund të kushtojnë mbi 400 miliardë dollarë.

Në fillim të këtij muaji, presidenti amerikan, Donald Trump, formalizoi heqjen e sanksioneve amerikane ndaj Sirisë, duke synuar riintegrimin e vendit në ekonominë globale.

Në maj, ai veçse kishte hequr shumicën e masave, pas thirrjeve nga Arabia Saudite dhe Turqia.

Në maj, Siria nënshkroi një marrëveshje për energji në vlerë prej 7 miliardë dollarësh me një konsorcium kompanish nga Katari, Turqia dhe SHBA-ja për të ndihmuar ringjalljen e sektorit të energjisë elektrike./REL

Leka: E majta çahet vetëm nga ideali. Bejko: E djathta bashkohet vetëm nëse Berisha tërhiqet

Në një debat të zhvilluar në emisionin “Real Story” në ABC News, analistët Martin Leka dhe Roland Bejko trajtuan çështjen e fragmentimit të partive kryesore në Shqipëri, me fokus të veçantë mbi të majtën dhe të djathtën politike.

Leka theksoi se përçarja e së majtës së Ramës mund të vijë vetëm nga një forcë e majtë me ideale të qarta, duke kritikuar partitë e vogla që, sipas tij, thjesht qahen.

“Berisha thotë kërkon edhe të ikë Veliaj edhe të qëndrojë në bashki. Ai kërkon që të përçajë të majtën e Ramës. Partia e majtë e Ramës mund të çahet vetëm nga një parti e majtë apo e qendrës së majtë duke pasur ideale dhe programe të ndryshme nga këto partitë e vogla që qahen”, tha analisti Martin Leka.

Ndërkohë, Bejko argumentoi se vetëm largimi i Berishës, si akt i vetëdijshëm apo si pasojë e ndërhyrjes së faktorit ndërkombëtar, mund të çojë drejt një bashkimi të së djathtës dhe një ndryshimi të vërtetë politik.

Partia çahet vetëm nëse Berishës i vjen një frymëzim hyjnor dhe dorëhiqet. E çan një e djathtë e bashkuar. Nëse Berisha tërhiqet dhe kujdeset për një proces të paanshëm, ose drejtësia dhe amerikanët”, u shpreh analisti Roland Bejko./abcnews.al

Telenovela Lapaj-Shabani/ Leka: Një komedi e paparë që i dha simptomat që në fushatë. Qori: Sherr me teze e daja

Në një analizë mbi zhvillimet e fundit në skenën politike, analisti Martin Leka në emisionin “Real Story” në ABC News kritikoi ashpër nismën “Shqipëria Bëhet”, të cilën e cilësoi si një dështim që konfirmon modelin e vjetër të politikës.

Sipas tij, zgjedhjet në Tiranë mbeten thellësisht politike, për shkak të peshës së madhe elektorale të kryeqytetit. Ai theksoi se rrëzimi i kryeministrit Rama nuk mund të ndodhë pa një bashkëpunim të gjerë, përfshirë edhe figura si Berisha, Lapaj e Shehaj.

“Kemi përpara dy shembuj. Një shembull është politika e modelit të vjetër, si “Shqipëria Bëhet”, që tregon ë fakt që Shqipëria s’bëhet. Një komedi e paparë që i dha simptomat që në fushatë. Gjithçka bëhet dhe që duhet të diskutohet, është që zgjedhjet në Tiranë mbetet sërish politike sepse Tirana ka 1/3 e votuesve. Me shembullin që na tregoi “Shqipëria Bëhet” na tregon që nuk bëhet asnjë koalicion. Për të rrëzuar Ramën duhet të bëjë koalicion me Berishën, Lapajn, Shehajn e të tjerë”, tha analisti Leka.

Nga ana tjetër, Arlind Qori, kreu i “Lëvizjes Bashkë”, theksoi se formacioni i tij ka zgjedhur qëllimisht të dalë kundër rrymës politike të zakonshme, duke u mbështetur te idetë dhe jo te pazaret familjare apo aleancat e vjetra.

Ai shprehu kënaqësinë që nuk është përfshirë në konfliktet mes figurave të njohura, të cilat i cilësoi si përplasje mes “tezesh e dajash”. Sipas Qorit, problemi i partive të reja është se imitojnë më të keqen e të vjetrave, duke humbur vlerën e ideologjisë dhe reputacionit politik në afatgjatë.

“Ne dolëm kundër rrymës sepse ne besojmë në një politike të papëlqyer, ku kanë rëndësi idetë. Jam shumë i lumtur që Lëvizja Bashkë nuk u përfshi në sherr të tillë me teze dhe daja, se i binte të zgjoja edhe unë tezen time. PS dhe PD kanë qenë pjesë e organizimit të Shqipërisë, por që kanë degraduar rrugës. Problemi me partitë e reja janë që të imitojnë partitë e vjetra, por jo që në ideologjinë e tyre, por në fazën më të degraduar që kanë. Në politikën afatgjatë është shumë i rëndësishëm reputacioni. Në fund far është reputacioni që të mban në politikë”, tha Arlind Qori./abcnews.al

“S’kemi asgjë të përbashkët me qeverinë dhe opozitën”, Qori: Kërkojmë shkarkimin e Veliajt

Kreu i “Lëvizjes Bashkë”, Arlind Qori, ka përsëritur distancimin e formacionit të tij politik nga të dy krahët tradicionalë të politikës shqiptare, qeveria dhe opozita, duke theksuar se Lëvizja Bashkë përfaqëson një alternativë të re.

Në një intervistë për emisionin “Real Story” në ABC News, Qori deklaroi se forca që ai përfaqëson do të ketë me siguri një kandidat për Bashkinë e Tiranës në rast të zgjedhjeve të parakohshme, ndërsa kërkoi sërish shkarkimin e kryebashkiakut Erion Veliaj.

“Nuk kemi asnjë gjë të përbashkët as me qeverinë dhe as me opozitën. Kështu që ne jemi të distancuar nga çdo element i së keqes që na ka mbytur prej dekadash. Është një pluralizëm i ideve të ngushta, por jo i popullsisë. Nuk e di nëse do të ketë zgjedhje në Tiranë. Ajo që Lëvizja Bashkë ka në dorë është që me siguri do të ketë kandidatin e vet në Bashkinë e Tiranës, nëse do të jem unë apo dikush tjetër ka kohë. E sigurt është që ne do të bëjmë të njëjtën fushatë të pazakontë, kudo të na vijë rasti. Ne vazhdojmë të kërkojmë shkarkimin e Erion Veliajt, e kemi kundërshtuar në çdo hap të tij. Për ne është gjë pozitive që Veliaj është duke u hetuar. Për ne Veliaj duhet të shkarkohet dhe Tirana të shkojë në zgjedhje të parakohshme”, tha Arlind Qori./abcnews.al

“Pas humbjes së zgjedhjeve Berishën e pret burgu”, Çupi: Dosjet e tij janë njëra pa tjetrës

Analisti Frrok Çupi, i ftuar në “Tirana Live” në ABC News, ka krahasuar situatën e dy figurave të njohura të politikës shqiptare: Erion Veliaj dhe Sali Berisha.

Ai theksoi kontrastin mes qëndrimit të secilit ndaj drejtësisë, duke nënvizuar se ndërsa Veliaj përballet me hetime pa reaguar publikisht, Berisha sipas tij sulmon vazhdimisht institucionet si SPAK dhe drejtësinë në tërësi.

Çupi paralajmëron se pas humbjes së zgjedhjeve, Berisha mund të përballet me pasoja të rënda ligjore, për shkak të një sërë dosjesh të hapura ndaj tij.

“Kemi dy personalitet politike ballë-përballë, Erion Veliaj dhe Sali Berisha. Veliaj u thirr para disa muajsh, kurse Berisha vjet. Ndërkohë që Veliaj është i burgosur, Berisha është i lirë. Veliajt nuk i është mbyllur hetimi. Veliaj nuk ka bërë asnjë revoltë kundër drejtësisë, kurse Berisha bën grushte të fuqishme kundër SPAK dhe drejtësisë. Berisha në kundërshtim me ligjin i ka bërë të gjitha. Jemi në kohën kur krimin i madh po bëhet prezumor në çështje të tjera. Duket sikur Veliaj dhe çdo njeri tjetër i mazhorancës është si kukull në dorë në Berishës. Pas humbjes së zgjedhjeve Berishën e pret burgu, dosjet e tij janë njëra pa tjetrës. Patjetër që duhet të japë edhe dorëheqjen. Duhet zgjuar ndërgjegjja dhe vetëdija”, tha analisti./abcnews.al

“Berisha i izoluar kërkon mbrojtje nga Rama”, Çupi: Brenda për brenda në PD i ka punët keq

Në një koment të drejtpërdrejtë në “Tirana Live” në ABC News, analisti Frrok Çupi ka dhënë një panoramë të zymtë për të ardhmen politike të Sali Berishës.

Ai thotë se lideri historik i së djathtës është tashmë i izoluar, i braktisur nga aleatët ndërkombëtarë dhe pa mbështetje reale në parti.

Sipas Çupit, “non grata” ndaj Berishës mbetet e palëkundur, morali ka rënë dhe PD-ja është e përçarë nga brenda. Ai sugjeron se Berisha po tenton të afrohet me Edi Ramën si një formë mbrojtjeje, por çdo përpjekje për t’u rikthyer në skenën politike duket e dënuar që në nisje.

“Berisha tani ka mbetur i izoluar nga mashtrimet e tij. Amerika nuk është më për të. “Non grata” nuk hiqet. Morali ka humbur. Partia i ka rrjedhur. Brenda për brenda në partinë e tij i ka punët keq. Berisha tenton me patjetër që të mbështetet tek një forcë e madhe. E shikon Ramën të madh, dhe kërkon ta shikojë si veten. I lëshon këto si sinjale për Ramën, që unë ta fala Veliajn, dhe bashkinë, ai kërkon të marrë mbrojtje nga Rama. Berisha nuk ka asgjë për të paraqitur. Këdo që të propozojë, edhe prej floriri të jetë, po qe kandidati i Berishës nuk ka për të fituar kurrë. Ajo çfarë ndodhi me Lapajn dhe të tjerët, ishte një festë për Berishën. Ishte një rast shumë i mirë për ta. Ai nuk merret për dy arsye me këtë gjë, për arsye se ai ka thënë se kush del prej nesh është i keq dhe e dyta, nëse ai u afrohet atyre sado pak politikisht, ai zbulon veten. Berisha ka bërë parti familjare si ata, janë e njëjta matrioshkë”, tha analisti Çupi./abcnews.al

VIDEO/ U mbyt me tel nga e bija, vëllai i viktimës: Gruaja nuk e donte, kishin shumë konflikte

Vëllai i viktimës Ferdinand Rama tregoi për mediat se bashkëshortët Anesti dhe Valbona Rama kishin një jetë me kontradikta, ajo nuk e donte, thoshte merreni mbajeni ju.

Ai shton se kishte 2 vite e gjysmë pa folur me të vëllain për shkak, se gruaja e 56-vjeçarit nuk i lejonte.

Kontradiktat me bashkëshortëve Rama nuk janë të panjohura edhe për policinë lokale pasi sipas të afërmeve të familjes policia është thirrur për të ndërhyrë shpesh here ne sherret e kësaj familjeje.

“Merreni thoshte mbajeni ju, i merrni pensionin e bëji çfarë të doni. Unë nuk e dua më. Kanë dy fëmijë, dy çupa. Unë kam qenë në Greqi, unë e mora vesh nga kunata. Kam rreth dy vite e gjysmë që nuk flisja me vëllain nuk e linte ajo që ne të flisnim”, tha vëllai i viktimës Ferdinand Rama.

Të nj1%jtë gjë ka konfirmuar edhe kushëriri i viktimës.

“Këtu nuk ka ardhur një polici, por nja 10-15 vetë. Kishin kontradikta të vazhdueshme. Kur e mora vesh thashë kushedi se çfarë do të kenë bërë. Ai shoku më tha mua i ka rënë infarkt. Kanë krijuar konflikte të vazhdueshme”, ka deklaruar kushëriri i viktimës, Edmond Rama.   /abcnews.al

Zjarr afër doganës së Kakavijës/ Pala greke ndërpret përkohësisht punën

Një zjarr i rënë në pjesën greke të Kakavijës, ka detyruar zyrtarët policorë që të ndërpresin përkohësisht punën.

Zjarri ka rënë larg objektit përpunues të pasaportave apo doganës greke, por tymi i çliruar nga flakët, ka nxitur policët fqinj që të zbatojnë protokollin e emergjencave të zjarreve duke ndaluar procesin e kalim-përpunimit si në hyrje dhe në dalje të territorit grek.

Kjo ka shkaktuar radhë kilometrike në të dy anët e kufirit. Në vendngjarje janë angazhuar forcat zjarrfikëse greke si dhe një helikopter për të shuar flakët e zjarrit.

Situata për momentin është nën kontroll dhe pritet nga momenti në moment të stabilizohet./abcnews.al

E rëndë në Fier/ 26-vjeçarja mbyt të atin me tel, e kallëzon në polici si ngjarje aksidentale

Një krim i rëndë ka ndodhur në një familje në fshatin Frashër të Fierit rreth orës 23:00 të ditës së djeshme.

26-vjeçarja Emanilda Rama ka mbytur babain e saj me tel, 56-vjeçarin Anesti Rama. Më pas e reja ka shkuar në polici dhe e ka kallëzuar si një ngjarje aksidentale. Policia ka arrestuar të renë, bashkë me të është shoqëruar në komisariat edhe e ëma.

Kjo e fundit dyshohet se ka ndihmuar 26-vjeçaren për pastrimin e trupit të 56-vjeçarit të vrarë, me qëllim inskenimin e ngjarjes si aksidentale.

Vijojnë hetimet, në drejtimin e Prokurorisë, me qëllim dokumentimin me prova ligjore të të gjitha rrethanave të këtij rasti.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Fierit, për veprime të mëtejshme./abcnews.al

Kurbin/ U futën për t’u larë, dyshohet se ka humbur jetën një 16-vjeçar te Laguna e Patokut

Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në Luginën e Patokut, pasditen e kësaj të enjteje. Dy 16-vjeçarë kanë hyrë në det për t’u larë, duke kaluar përmes kanalit që lidh lagunën me detin, njëri prej 16-vjeçarëve është nxjerrë nga uji dhe është transportuar në spital.

Ndërsa 16-vjeçari tjetër dyshohet se është mbytur dhe trupi i tij nuk është gjetur ende.

Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Komisariatit të Policisë Kurbin dhe të Policisë Kufitare, si dhe është kërkuar ndërhyrja e polumbarëve të RENEA-s, për kërkimin dhe gjetjen e trupit.

Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe po punon për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes./abcnews.al

Pa përparim bisedimet mes Rusisë dhe Ukrainës/ Dy shtetet shkëmbejnë sulme me dron, pesë të vdekur

Të paktën pesë persona humbën jetën nga sulmet ajrore me dron të ndërmarra nga Rusia dhe Ukraina, disa orë pas përfundimit të raundit të tretë të bisedimeve për armëpushim, të mbajtura në Stamboll.

Tre viktima u gjetën nën rrënojat e një banese të goditur në rajonin lindor të Kharkivit, ndërsa disa persona të tjerë u plagosën në qytetet Çerkasi dhe Zaporizhia. Në qytetin port të Odesës, në Detin e Zi, u dëmtuan tregu i njohur Pryvoz dhe një bulevard qendror që është pjesë e trashëgimisë botërore të UNESCO-s. Autoritetet raportuan disa zjarre të shpërthyera në qytet pas sulmeve të natës.

Ndërkohë, autoritetet ruse bënë të ditur se dy persona u vranë dhe 11 të tjerë u plagosën nga një sulm me dron ukrainas në qytetin Soçi, në rajonin Krasnodar të Rusisë. Një tjetër sulm rus në Kharkiv të enjten në mëngjes la të plagosur 33 persona.

Delegacionet e Rusisë dhe Ukrainës u takuan të mërkurën në mbrëmje në Stamboll për raundin e tretë të bisedimeve për armëpushim. Takimi zgjati më pak se një orë dhe nuk pati ndonjë përparim domethënës.

Kreu i delegacionit rus, Vladimir Medinsky, deklaroi se palët u dakordësuan për shkëmbimin e 1 mijë e 200 të burgosurve të luftës dhe se Rusia ka ofruar t’i kthejë Ukrainës trupat e 3.000 ushtarëve të rënë. Megjithatë, nuk u morën hapa konkretë për t’i dhënë fund konfliktit, i cili tashmë ka hyrë në vitin e katërt. Të dyja palët akuzuan njëra-tjetrën për mungesë gatishmërie për kompromis.

“Ne nuk prisnim ndonjë përparim. Është vështirë të ndodhë një përparim në këtë fazë,” tha zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, të enjten.

Përpara takimit, kreu i delegacionit ukrainas, Rustem Umerov, tha se prioritet për Kievin mbetet organizimi i një takimi midis presidentëve Vladimir Putin dhe Volodymyr Zelensky para fundit të gushtit. Por Peskov e hodhi poshtë këtë ide, duke e quajtur të parakohshme.

“Ata [Ukraina] po i paraprijnë ngjarjeve. Duhet shumë më tepër punë përpara se të mendohet një takim i tillë,” deklaroi ai.

Deputeti ukrainas Oleksiy Hocharenko tha në Facebook se Umerov dhe Medinsky zhvilluan edhe një takim dypalësh të mbyllur, jashtë kuadrit zyrtar të bisedimeve. Ai shtoi se të dy kanë një “marrëdhënie të mirë” personale.

Dy raundet e mëparshme të bisedimeve u zhvilluan në maj dhe qershor, me nismën e presidentit amerikan Donald Trump, i cili ka deklaruar disa herë se dëshiron t’i japë fund “luftës së përgjakshme dhe të tmerrshme” që nisi me pushtimin rus të Ukrainës në vitin 2022.

Në fillim të këtij muaji, Trump vendosi një afat prej 50 ditësh për përfundimin e luftës, duke paralajmëruar “tarifa të rënda” ndaj Rusisë nëse nuk arrihet një marrëveshje.

Rusia vazhdon të këmbëngulë në kushtet e saj për paqe, duke përfshirë neutralitetin e Ukrainës, uljen drastike të kapaciteteve ushtarake dhe heqjen dorë nga aspiratat për anëtarësim në NATO,  kërkesa të papranueshme për Kievin dhe aleatët e tij perëndimorë.

“Do të bëjmë gjithçka që diplomacia të funksionojë,” shkroi Zelensky në rrjete sociale pas takimit. “Por është Rusia ajo që duhet ta përfundojë këtë luftë, të cilën e nisi vetë.”/abcnews.al

Kompania turke prezanton teknologjinë më të fundit për mbrojtjen ajrore

Kompania turke Aselsan prezantoi teknologji të reja në panairin ndërkombëtar të mbrojtjes IDEF 2025 në Stamboll, të zhvilluara për sistemin shumë-shtresor të mbrojtjes ajrore “Steel Dome”.

Drejtori i përgjithshëm Ahmet Akyol njoftoi prezantimin e sistemit “Ejderha”, që neutralizon dronët me valë elektromagnetike në distancë deri një kilometër. Ai theksoi gjithashtu versionin e përmirësuar të sistemit elektronik “Koral”, i cili bllokon radarët armiqësorë me efikasitet dyfish më të lartë.

Sistemi “Turan”, i bazuar në inteligjencë artificiale, do të lidhë dhe menaxhojë të gjitha komponentët e “Steel Dome” përmes një rrjeti të vetëm. Ndërkohë, “Gurz”, një automjet autonom tokësor, do të ofrojë mbrojtje kundër raketave dhe sulmeve ajrore.

Akyol prezantoi edhe sistemin “Goktan”, që kombinon raketa dhe municion të drejtueshëm nga toka, i qëndrueshëm ndaj ndërhyrjeve GNSS dhe i aftë për goditje të sakta nga çdo drejtim. Ai tha se Aselsan po kontribuon edhe në arkitekturën e mbrojtjes ajrore të NATO-s.

IDEF 2025, në edicionin e 17-të, do të zgjasë gjashtë ditë dhe organizohet nga KFA Fairs me mbështetjen e Sekretariatit të Industrisë së Mbrojtjes së Turqisë dhe Fondacionit të Forcave të Armatosura Turke. Partner global i komunikimit është agjencia Anadolu./abcnews.al

 

Mos e hapni! Policia e Shtetit ngre alarmin për SMS-në që po vjedh të dhënat bankare të qytetarëve

Drejtoria e Hetimit të Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit informon opinionin publik lidhur me një skemë mashtruese që po qarkullon së fundi, përmes mesazheve SMS dhe aplikacioneve të komunikimit elektronik.

Shtetas ende të paidentifikuar po dërgojnë mesazhe që përmbajnë linke të rreme, me pretendimin se është i nevojshëm përditësimi i të dhënave bankare ose verifikimi i llogarisë së qytetarëve. Pasi qytetarët klikojnë mbi këto linke dhe japin të dhënat e tyre personale apo bankare, autorët e këtyre veprimeve arrijnë të aksesojnë llogaritë bankare dhe në shumë raste, kanë realizuar vjedhjen e shumave të konsiderueshme monetare.

Policia e Shtetit thekson se asnjë institucion bankar apo shtetëror nuk kërkon përmes SMS-ve apo linkeve të dyshimta dërgimin e të dhënave sensitive, si numrat e kartave bankare, kodet PIN apo kredencialet e tjera të sigurisë.

Për këtë arsye, iu bëjmë thirrje të gjithë qytetarëve: Të mos klikojnë në asnjë link të dërguar nga burime të panjohura; Të mos japin të dhënat e tyre personale apo bankare në forma të dyshimta online. Të verifikojnë çdo informacion të tillë drejtpërdrejt me institucionin përkatës (bankë apo agjenci shtetërore).

Të raportojnë menjëherë çdo rast të dyshuar pranë strukturave të hetimit të krimit kibernetik në Policinë e Shtetit.

Policia e Shtetit vijon të ndjekë me prioritet këto raste dhe po bashkëpunon ngushtë me institucionet financiare dhe partnerët, për identifikimin dhe ndjekjen penale të autorëve. Respektoni sigurinë tuaj digjitale! Mos ndani të dhëna personale me burime të pasigurta!

E mërkurë zie/ Përgjaken rrugët e Shqipërisë, 7 viktima vetëm në 24 orë

Një re zie ka mbuluar Shqipërinë këtë të mërkurë, 23 korrik 2025, teksa gjashtë jetë u shuan brenda vetëm 24 orëve në aksidente tragjike.

Një turiste nga Holanda humbi tragjikisht jetën në plazhin e Filikurit në zonën e Potamit në Himarë pasi u rrëzua nga lartësia. 23-vjeçarja holandeze rreshqiti aksidentalisht. Shoku i saj u përpoq ta mbajë, por nuk ka mundur, duke bërë që ajo bjerë nga një lartësi prej rreth 30 metrash.

Mesditën e kësaj të mërkure një aksident i rëndë ndodhi në Bulqizë, ku humbën jetën dy persona, Desta Gjeta dhe Burhan Gjoka. Kurse një fëmijë i mitur mbeti i plagosur dhe u ndodhet te Spitali i Traumës në gjendje të rëndë shëndetësore.

Ndërkohë një aksident tjetër u shënua në Dibër. Tek Ura e Luznis në fshatin Hotesh, një makinë u gjet e përmbysur në oborrin e një banesë, ku për pasojë ndërroi Arta Çera dhe mbeti i plagosur bashkëshorti i saj, Hajri Çera.

Një tragjedi ndodhi në Krujë. Ku një vajzë e mitur, rreth moshës 4-vjeçare u përplas aksidentalisht me makinë nga babai i saj, në afërsi të biznesit të tyre. E mitura u çua menjëherë në spital, por fatkeqësisht nuk mundi që t’u mbijetonte plagëve.

Një aksident i rëndë me pasojë vdekjen e dy personave dhe plagosjen e tre të tjerëve ka ndodhur në aksin rrugor Lezhë–Shkodër, në afërsi të fshatit Piraj, mbrëmjen e kësaj të mërkure.

Një autoveturë u përplas me një trailer me targa serbe dhe më pas ka përfunduar jashtë rruge, duke u rrëzuar në një kanal. Si pasojë e përplasjes, një grua e moshuar që udhëtonte si pasagjere në autoveturë ka humbur jetën në vend, ndërsa tre pasagjerë të tjerë, mes tyre edhe një fëmijë, si dhe drejtuesi i mjetit, kanë mbetur të plagosur./abcnews.al

❌