Një ditë para takimit Trump-Putin/ Rusia dhe Ukraina shkëmbejnë të burgosur të luftës
Rusia dhe Ukraina kanë shkëmbyer secili nga 84 të burgosur të luftës, thanë zyrtarët e të dyja shteteve.
Gjatë këtij viti, të dy shtetet kanë liruar qindra të burgosur të luftës.
Shkëmbimi i fundit vjen në prag të samitit të nivelit të lartë mes presidentit amerikan, Donald Trump, dhe atij rus, Vladimir Putin, që do të mbahet në Alaskë më 15 gusht.
Ministria e Mbrojtjes e Rusisë shkroi në Telegram se Emiratet e Bashkuara Arabe ndërmjetësuan këmbimin, duke shtuar se personeli ushtarak rus i liruar po “merr ndihmë psikologjike dhe mjekësore”.
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, shkroi në rrjetet sociale se në mesin e të burgosurve të këmbyer “ka edhe civilë dhe personel ushtarak”, disa nga të cilët “janë mbajtur nga rusët që nga viti 2014, 2016 dhe 2017”.
Ai tha se “mbrojtësit e Mariupolit” ishin po ashtu pjesë e këmbimit, duke iu referuar qytetit-port ukrainas që u mor nën kontroll nga forcat ruse më 2022, pas pothuajse tre muaj rrethim.
Zelensky shtoi se “do të ketë shkëmbime tjera” të të burgosurve.