Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

FSK-ja pranon autoblinda të reja nga SHBA, Kurti: Ushtria jonë zhvillohet krah për krah me atë amerikane

Kryeministri në detyrë i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ka njoftuar se sot është mbajtur ceremonia e pranim-dorëzimit të autoblindave të reja të prokuruara në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për Forcën e Sigurisë së Kosovës (FSK).

Në këtë ceremoni morën pjesë ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, komandanti i FSK-së, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, dhe atasheu ushtarak i SHBA-ve në Kosovë, Nënkolonel Jonathan Shaw.

Kurti e cilësoi furnizimin si dëshmi të partneritetit të palëkundur me SHBA-të.

“Ky furnizim i jashtëzakonshëm është një tjetër dëshmi e partneritetit tonë të palëkundur me ShBA-të dhe gjithashtu edhe një hap i rëndësishëm në fuqizimin e kapaciteteve mbrojtëse të vendit tonë”.

“Ushtria jonë do të vazhdojë të zhvillohet krah për krah me partnerin tonë strategjik, si në aspektin e trajnimeve, ashtu edhe në atë të shkollimit dhe doktrinës, e cila është e bazuar në atë të ushtrisë së SHBA-ve”, theksoi Kurti./Telegrafi/

The post FSK-ja pranon autoblinda të reja nga SHBA, Kurti: Ushtria jonë zhvillohet krah për krah me atë amerikane appeared first on Telegrafi.

Ndërron jetë asamblisti i Kuvendit Komunal të Podujevës, Gazmend Islami

Ish-kryetari i Ballit Kombëtar Demokrat, Gazmend Islami, ka ndërruar jetë.Kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi, i ka shprehur ngushëllimet familjes Islami, miqve dhe kolegëve të tij.

”Gazi njihej për veprimtarinë e tij të vazhdueshme patriotike, përkushtimin ndaj çështjes kombëtare dhe angazhimin e palodhshëm në shërbim të qytetarëve.Në këto momente të dhimbjes, shprehi ngushëllimet më të sinqerta për familjen Islami, miqtë dhe kolegët e tij”, ka shkruar Bulliqi.

The post Ndërron jetë asamblisti i Kuvendit Komunal të Podujevës, Gazmend Islami appeared first on Telegrafi.

Tërmet 3.6 ballë me epiqendër në Krujë, ndjehet edhe në Tiranë

Një tërmet me magnitudë 3.6 të shkallës Rihter është regjistruar mbrëmjen e së premtes me epiqendër pranë qytetit të Krujës.

Sipas Institutit të Gjeoshkencave, tërmeti u shënua në orën 18:24 me orën lokale, në koordinatat 41.460° gjerësi veriore dhe 19.740° gjatësi lindore, në një thellësi prej 5 kilometrash.

Epiqendra ndodhej rreth 7 kilometra në jug-perëndim të Krujës dhe 16 kilometra në veri-perëndim të Tiranës, ku lëkundjet u ndjenë lehtë nga banorët.

Të dhënat janë konfirmuar nga Qendra Sizmologjike Euro-Mesdhetare (EMSC) dhe IGEO në Universitetin Politeknik të Tiranës.

Deri më tani nuk raportohet për dëme materiale apo të lënduar./Telegrafi/

The post Tërmet 3.6 ballë me epiqendër në Krujë, ndjehet edhe në Tiranë appeared first on Telegrafi.

Mbyllet pika kufitare në Glloboqicë për shkak të zjarreve në Maqedoninë e Veriut

Qendra Kombëtare për Menaxhimin Kufitar (QKMK) ka njoftuar se pika kufitare në Glloboqicë, mes Republikës së Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut, është mbyllur përkohësisht.

Sipas njoftimit, rreth orës 15:40 autoritetet maqedonase kanë informuar palën kosovare se, për shkak të një zjarri të madh pranë rrugës së fshatit Jazhincë dhe rrezikut që paraqet, me urdhër të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe Shtabit të Krizave të RMV-së, është vendosur mbyllja e kufirit në këtë pikë.

Autoritetet bëjnë thirrje për kujdes dhe përdorimin e pikave të tjera kufitare deri në normalizimin e situatës./Telegrafi/

The post Mbyllet pika kufitare në Glloboqicë për shkak të zjarreve në Maqedoninë e Veriut appeared first on Telegrafi.

Tri vajza shpëtojnë për mrekulli nga një gomë kamioni që fluturoi drejt tyre në Prishtinë

Një ngjarje e rrezikshme ka ndodhur mbrëmë në një supermarket të një lagjeje në kryeqytet, ku tri vajza kanë shpëtuar pa lëndime, vetëm falë një rrethane fatlume.

Sipas rrëfimit të Ilir Morinës, mbesa e tij ndodhej me dy shoqe brenda supermarketit, kur nga një kamion në lëvizje u shkëput papritur një gomë gjigante.

Ajo fluturoi me shpejtësi të madhe drejt vajzave, por përpara se t’i godiste, u përplas fillimisht në një pjesë të brendshme të objektit.

Nga forca e goditjes, goma u hodh mbrapsht dhe më pas u përplas në një automjet të parkuar, duke i shkaktuar dëme të mëdha materiale.

“Po të kishte qenë goditja e parë mbi vajzat, ato nuk do të kishin asnjë shans. Nganjëherë midis jetës dhe vdekjes qëndron vetëm një çast. Jini mirënjohës dhe përqafoni të dashurit tuaj, sepse jeta është më e brishtë se sa mendojmë”, ka shkruar Morina, i cili ka publikuar edhe videon e momentit dramatik.

The post Tri vajza shpëtojnë për mrekulli nga një gomë kamioni që fluturoi drejt tyre në Prishtinë appeared first on Telegrafi.

Foto sa 1000 fjalë! Zjarret apokaliptike, momentet e vështira për Shqipërinë – Çfarë nuk u pa nga orët e tmerrit

Shqipëria përjetoi orë tmerri gjatë ditëve të fundit, kjo për shkak të zjarreve apokaliptike që u përhapën furishëm.

Zjarrfikësit kanë qenë në krye të detyrës që në momentin e ndezjes së disa vatrave të zjarrit, e më pas u vendos evakuimi i menjëhershëm i banorëve në disa fshatra.

Në fotot e siguruara dhe publikuara nga Agjencia e Medias dhe Informacionit (MIA-Media and Information Agency) shihen disa nga momentet më të vështira që kanë kaluar zjarrfikësit, ushtria dhe banorët, të pafuqishëm përpara agresivitetit të flakëve.

Më tepër nga flakët u prek Gramshi, Delvina dhe Berati, aty ku banorët u detyruan të braktisin shtëpitë e tyre dhe mundin e një jete.

Dhjetëra shtëpi u dogjën së bashku me dhjetëra bagëti, pasi vatrat e zjarrit dolën jashtë kontrollit.

Më tepër shtëpi janë djegur në Skënderbegas të Gramshit, aty ku situata është përmirësuar për fat të mirë ndjeshëm.

Puna e pandërprerë në zonat me vatrat më të mëdha të zjarreve, nga ajri e toka, ka sjellë përmirësim të ndjeshëm të situatës, teksa dy ditët e kaluara ishin të vështira.

The post Foto sa 1000 fjalë! Zjarret apokaliptike, momentet e vështira për Shqipërinë – Çfarë nuk u pa nga orët e tmerrit appeared first on Telegrafi.

Ndryshime në procedurat e rinovimit të vizave amerikane, Ambasada e SHBA në Tiranë jep detajet

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Tiranë, ka dalë me një njoftim lidhur me rinovimin e vizave.

Përmes një postimi në rrjetet e saj sociale, ambasada njofton se që prej datës 2 shtator 2025, do të mund të rinovohen me postë vetëm vizat e tipit B1/B2, të cilat janë ende të vlefshme, ose që janë më pak se 12 muaj që kanë skaduar.

Sakaq, për të gjitha llojet e tjera të vizave, do të kërkohet detyrimisht një intervistë.

“Duke filluar nga 2 shtatori 2025, vetëm vizat B1/B2 që janë ende të vlefshme OSE që kanë më pak se 12 muaj që kanë skaduar mund të rinovohen me postë. Për të gjitha llojet e tjera të vizave, përveç disa rasteve të udhëtimeve qeveritare, do të kërkohet një intervistë.
Nxisim aplikuesit për vizë të kontrollojnë faqen e ambasadës al.usembassy.gov dhe travel.state.gov për informacion më të detajuar mbi kërkesat dhe procedurat e aplikimit për vizë, si dhe për t’u informuar mbi statusin e funksionimit dhe shërbimet e ambasadës”,
 shkruan ambasada.

The post Ndryshime në procedurat e rinovimit të vizave amerikane, Ambasada e SHBA në Tiranë jep detajet appeared first on Telegrafi.

Debatet që çuan në tragjedi, si u vra 14 vjeçari në Maliq

Të miturit u takuan për t’u sqaruar, 14 vjeçari është goditur disa herë me thikë.

Një ngjarje e rëndë ka tronditur sot, 14 gusht, fshatin Pirg të Maliqit. Dy të mitur janë përleshur brenda ambienteve të një lokali, dhe për pasojë, njëri prej tyre ka humbur jetën. Mësohet se ai është goditur disa herë me thikë, ndërsa i mituri tjetër ka mbërritur në spital me shenja grushti në fytyrë.

Siç raporton Tv Klan, të dy 14-vjeçarët janë nga fshatra pranë Pirgut. Mësohet se ata kanë pasur një konflikt të mëparshëm dhe debate të vazhdueshme. Prandaj, janë takuar në lokal për të sqaruar mosmarrëveshjen.

Pritet të merret dëshmia e të plagosurit, që është edhe autori i dyshuar, si dhe e dëshmitarëve okularë apo familjarëve.

Autoritetet po vazhdojnë hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave, ndërsa autori i dyshuar është shoqëruar nga spitali për në komisariat.

Mësohet se në komisariat janë shoqëruar edhe gjashtë të mitur, që kanë qenë të pranishëm në vendngjarje.

“Rreth orës 17:30, në fshatin Pirg, në ambientet e një lokali, ka ndodhur një konflikt dyshohet me mjet prerës (thikë) mes dy 14-vjeçarëve. Si pasojë e plagëve të marra shtetasi E. Xh., 14-vjeç, ka ndërruar jetë në spital. 14-vjeçari tjetër, autori i dyshuar i ngjarjes, është shoqëruar në spital, për të marrë mjekim, dhe është nën mbikëqyrjen e Policisë. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes“, thuhet në njoftimin zyrtar të uniformave blu.

The post Debatet që çuan në tragjedi, si u vra 14 vjeçari në Maliq appeared first on Telegrafi.

Asbesti ende në Prishtinë, mbetet shqetësim për qytetarët

Shumë ndërtesa në qendër të Prishtinës mbeten të mbuluara me çati që përmbajnë asbest, një material i njohur për rrezikun që paraqet për shëndetin. Janë bërë shumë fushata për heqjen e këtij materiali kancerogjen, por rezultatet konkrete mungojnë. Të dhënat zyrtare tregojnë se në Prishtinë ka mbi 230 mijë metra katrorë çati dhe rreth 70 kilometra gypa ujësjellësi me këtë material.

Një pjesë e banesave në kryeqytet edhe më tej vazhdojnë të jenë të mbuluara me lesenit, material me përbërje asbesti, i cili vlerësohet i dëmshëm për shëndetin e njeriut.

Fushata “Prishtina pa asbest”, e nisur vitin e kaluar nga kryetari i Komunës së Prishtinës, kishte për synim largimin e këtij materiali toksik me qëllim mbrojtjen e shëndetit të qytetarëve. Sipas vlerësimeve, rreth 230 mijë metra katrorë në zonën urbane të kryeqytetit janë të mbuluara me asbest, përfshirë këtu ndërtesa banimi kolektiv, shtëpi private dhe objekte publike. Megjithëkëtë, ndonëse ka kaluar kohë, ky material vazhdon të bashkëjetojë me banorët e kryeqytetit.

Opozita komunale mbetet skeptike se ky projekt do të përmbyllet, duke akuzuar qeverisjen lokale për dështim në mbrojtje të shëndetit publik.

Ndërkohë, zyrtarë komunalë vënë në pah se përgjatë vitit të kaluar është kontraktuar një kompani e cila ka bërë inventarizimin edhe identifikimin e të gjitha objekteve të mbuluara me asbest, përfshirë edhe shtëpitë private. Sipas drejtorit për siguri dhe emergjenca, procesi i inventarizimit tashmë është përmbyllur, ndërkohë që me procedurat e tenderimit pritet të fillojë largimi, që do të ndahet në tri faza.

Ulpiana është identifikuar ndër lagjet me më së shumti asbest në kryeqytet.

Edhe pse i ndaluar në shumë vende të botës, ky material në vendin tonë vazhdon të jetë i pranishëm në infrastrukturë, përfshirë në gypat e ujit dhe në çati të objekteve private e publike, si dhe në spitale e shkolla.

Situata më shqetësuese mbetet në kryeqytet, ku sipas të dhënave zyrtare, përveç rreth 230 mijë metrave katrorë çati të ndërtesave me përmbajtje asbesti, janë edhe rreth 70 kilometra gypa ujësjellësi me këtë material të rrezikshëm.

The post Asbesti ende në Prishtinë, mbetet shqetësim për qytetarët appeared first on Telegrafi.

Specialja kërkon që Thaçit t’i ndalohen vizitat nga 14 persona, përfshirë 3 vëllezërit

Për mbi 1 vit e gjysmë, Hashim Thaçi është nën regjim vizitash në paraburgim.

Kufizimi i takimeve me familjen e ngushtë, apo lejimi i vetëm 5 takime në muaj me miq e të afërm tjerë, nuk po i mjafton Prokurorisë. Madje as përgjimi 24/7 me përkthyes shqiptar.

Zyra e Prokurorit të Specializuar ka kërkuar që ish presidentit t’i ndalohen krejtësisht vizitat me tre vëllezërit, Gani, Nazmi dhe Blerim Thaçi.

Siç mëson Klan Kosova, këta janë përfshirë në një listë me 14 emra që po synohen t’i zhduken përkohësisht nga jeta e Thaçit, deri në përfundim të gjykimeve, edhe për krime lufte edhe për pengim të drejtësisë.

“Edhe pse janë vendosur masa të caktuara për ta minimizuar rrezikun e pengimit, ZPS ka mësuar përmes burimeve publike se disa vizitorë që përbëjnë shqetësim, vazhdojnë ta vizitojnë Thaçin në Qendrën e Paraburgimit. Për të qenë të sigurt, rreziku që Thaçi të përcjellë mesazhe të palejuara dhe udhëzime gjatë vizitave jo të privilegjuara nuk mund të eliminohet kurrë krejtësisht, as në Qendrën e Paraburgimit. Kjo është vërtetuar përmes shfaqjes së Hashim Thaçit në një thirrje me video te një i akuzuar tjetër, në shkurt 2025” – thuhet në kërkesën e ZPS që e ka parë Klan Kosova.

Fakti që prokurorisë i ka rënë në mend tek tash për videolidhjen ku Thaçi shihet me Haxhi Shalën, dhe nuk ka kërkuar më herët masa, sipas mbrojtjes, është krejt e paarsyeshme.

Avokatja Sophie Menegon, nuk ka gjetur në kërkesën e prokurorisë asnjë fakt të ri apo shkelje të klientit të saj ndryshe nga masat e vendosura në nëntor 2023. E veçon faktin se vetëm 5 nga 14 emrat e listës, përfshirë vëllezërit, e kanë vizituar Thaçin pas vendosjes së këtyre masave.
Njëri nga dy tjerët, në Sheveningen diskuton gjëra të përgjithshme.

“[E redaktuar] është mik i familjes. Ai e ka vizituar Z. Thaçi pas nëntorit 2023. Meqë Z. Thaçi lejohet t’i ketë vetëm 5 vizita jo të privilegjuara në muaj, takimet me miq të ngushtë si [E redaktuar] ia mundësojnë atij mbështetjen dhe përditësimin me situatën politike dhe ekonomike në Kosovë.”

Emri i pestë ndërkaq që ka zhvilluar vizita në Qendrën e Paraburgimit që kur është në fuqi regjimi, është anëtar i ekipit mbrojtës.

“[E redaktuar] është konsulent në ekipin mbrojtës të Z. Thaçi në rastin për krime lufte. Në këtë cilësi, ai është i autorizuar që të shkëmbejë informacione konfidenciale me Z. Thaçi. Që nga nëntori 2023, ai e ka vizituar Z. Thaçi si pjesë e vizitave të privilegjuara të Mbrojtjes dhe nuk ka zhvilluar asnjë vizitë jo të priviliegjuar. Pra nuk ka asnjë bazë që të vendosen kufizime tjera në vizitat e tij.”

Gjyqtarja e procedurës paraprake, po e konfirmon këtë individ, për të cilin ka kërkuar të dhëna shtesë nga Mbrojtja, para se të merr vendim për kërkesën e ZPS me 14 emra.

Në listë janë edhe Artan Behrami e Vllaznim Kryeziu që përmenden në aktakuzën e dytë të Hashim Thaçit për tentim-pengimi të drejtësisë.

The post Specialja kërkon që Thaçit t’i ndalohen vizitat nga 14 persona, përfshirë 3 vëllezërit appeared first on Telegrafi.

Rasti i parë në Kosovë i bashkimit të dënimeve për krime lufte, Zoran Vukotiq dënohet me 19 vite burg

Zoran Vukotiq shënon rastin e parë në Kosovë të bashkimit të dënimeve për krime lufte. Përballë disa aktakuzave për krime lufte, Vukotiq është dënuar për tri vepra – krime lufte kundër popullatës civile në Kosovë. Për dy dënimet e formës së prerë, Gjykata Themelore ka vendosur një dënim të bashkuar prej 19 vitesh burg, ndërsa pritet që edhe rasti për vrasjen e një 13-vjeçari t’i bashkohet këtij procesi të unifikimit të dënimeve, i cili ende po vazhdon.

Gjykata themelore në Prishtinë për herë të parë ka bërë bashkimin e dënimeve për krime lufte

Zoran Vukotiq ka pasur pesë aktakuza të ngritura për krime lufte. Gjykata i ka shqiptuar dy dënime të formës së prerë, dhunim seksual gjatë luftës, maltretim dhe rrahje të të burgosurve në burgun e Smrekonicës, dënim me 6 vite e gjashtë muaj. Ndërsa me 15 vite burg është dënuar për vrasjen e 13-vjeçarit Burim Muli, gjatë kohës së luftës, dënim që pritet të bëhet i plotfuqishëm

Këto krime gjatë luftës, Vukotiq i ka kryer në territorin e Vushtrrisë.

Për dënimet e formës së prerë, 6 dhe 13 vite burg Vukotiqit, Gjykata në Prishtinë ia ka bërë bashkimin e dënimeve dhe e ka unifikuar në 19 vite burg, me kërkesë të mbrojtjes së tij. Për unifikimin e këtyre dënimeve, Gjykata Themelore në Prishtinë ia ka konfirmuar RTK-së

“Gjykata Themelore në Prishtinë ka bashkuar dy dënimet e formës së prerë ndaj Z.V., i shpallur fajtor për krime lufte kundër popullsisë civile, duke caktuar një dënim unik prej 19 vitesh burg. Gjykata e Apelit ka refuzuar ankesën e mbrojtësit, ndërsa Gjykata Supreme e ka hedhur si të palejueshme ankesën e të dënuarit. Ky është rasti i parë në gjykatë ku kërkohet bashkimi i dënimeve për këtë vepër penale”, thuhet në deklaratë.

Në proceset gjyqësore, pas shpalljes së vendimeve reagime të shumta vijnë nga viktimat, familjarët e të vrarëve e të prekurit e tjerë, sidomos për dënimin maksimal 15 vite që shqiptohet nga gjykata

Juristja e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Fatmire Haliti, e vlerëson si të rëndësishëm nxjerrjen e këtij vendimi që sipas saj hap rrugë tjetër në trajtimin e këtyre rasteve në një nivel tjetër që do të jetë si model për rastet tjera

“Në këtë rast gjatë gjithë procedurës është aplikuar ligji më i favorshëm, ligji i ish Jugosllavisë që ka përkufizuar dhunim si krim kundër popullsisë civile dhe në bazë të këtij ligji është ngritur aktakuza dhe është mbajtur shqyrtimi gjyqësor. Te shqipimi i dënimit edhe gjyqtarët kanë qenë të kufizuar në bazë interpretimeve që janë bërë, kështu që mendoj që ka pasur interpretime të ndryshme dhe disa prej tyre jo të favorshme dhe jo të pranueshme sidomos për pozitën e viktimave dhe familjarëve të të vrarëve të cilët arrijnë me dëshmu dhe me e rikthy traumën dhe me ju rikthy gjithë procesit gjyqësor dhe në bazë të limiteve që i kanë aplikuar ka qenë 15 vite burgim që është absolutisht një dënim i papërfillshëm në raport me krimet mizore dhe çnjerëzore që i kanë bërë ndaj viktimave, sidomos grupeve të ndjeshme, grave fëmijëve pleqve dhe të tjerë”, deklaroi Fatmire Haliti nga “Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës”.

Amer Alija nga Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë sqaron se si ligji e parasheh një vendim të tillë e që është i pari që gjykata në Kosovë e shqipton në bashkimin e dënimeve për krime lufte

“Sipas mendimit tim, personat që dënohen pa marrë parasysh etnicitetin për veprat penale për krime lufte të kryera gjatë kohës së luftës që kanë disa dënime të formës së prerë dënimet nuk mund të kalojnë 15 vitshin apo në rastet e caktuara ashtu sic gjykatat e rajonit kanë shqiptuar dënimet 20 vite burgim, ne në Kosovë me vendim të supremës e kemi krijuar një praktikë më të butë me maksimumin prej 15 vitesh, në këto raste unë mendoj që personat mund të dënohen me 20 vite burgim për veprat penale për krime të luftës të kryera në rrethana të rënda por asesi nuk mund të denohen prej 16-të deri në 19 vite burgim. Për arsye se këto dënime nuk kanë qenë të parashikuara me ligjin e RSJ-së i cili është ligji”, tha Amer Alija nga “Fondi për të Drejtën Humanitare në Kosovë”.

Për Zoran Vukotiqin procesi do të vazhdojë derisa të merret një epilog përfundimtar pasi edhe dënimi tjetër të marrë formën e prerë. Sfida mbetet se si do të unifikohet ky dënim me dënimin maksimal duke marrë parasysh edhe dënimin e fundit prej 15 vitesh burgim.

The post Rasti i parë në Kosovë i bashkimit të dënimeve për krime lufte, Zoran Vukotiq dënohet me 19 vite burg appeared first on Telegrafi.

Ndihmoi në arratisjen e një serbi në Mitrovicën e Veriut, Policia jep detaje për arrestimin e gardianit

Sot është arrestuar një zyrtar korrektues N.P. (52), i dyshuar për ndihmë në arratisjen e një personi nga Qendra e Paraburgimit në Mitrovicë Veri, më 7 gusht 2025.

Gjatë arrestimit, të njëjtit i është sekuestruar një telefon mobil si provë materiale. Ai është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe me urdhër të Prokurorit të Shtetit, është dërguar në mbajtje për 48 orë.

Policia e Kosovës po vazhdon me veprime të mëtejshme operative për kapjen e personit të arratisur Gjorgje Sava Radomiroviq, i cili ishte i dënuar me 14 vjet e gjysmë burg për veprën vrasje.

Policia apelon te qytetarët që kushdo që ka informacione relevante të lajmërojë në numrin 192 ose në stacionin më të afërt policor.

The post Ndihmoi në arratisjen e një serbi në Mitrovicën e Veriut, Policia jep detaje për arrestimin e gardianit appeared first on Telegrafi.

Rama godet me ironi kritikët për turizmin, publikon video nga Durrësi

Kryeministri i Shqipërisë Edi Rama ka shpërndarë një video nga një plazh i mbushur plot në Durrës, duke ironizuar ata që, sipas tij, përhapin idenë se turizmi në vend ka ngecur.

“Faleminderit për këtë video kujt ma dërgoi.

Nga plazhet e Durrësit siç nuk ua tregojnë ata që duan t’ju thonë se turizmi ka ngecur”, shkruan Rama në postimin e tij në Facebook.

Turizmi në Shqipëri ka njohur rritje të ndjeshme vitet e fundit, duke thyer rekorde me mbi 10 milionë vizitorë të huaj në 2023-in.

Ndërkohë, sezoni i këtij viti është shoqëruar me debate politike, ku qeveria flet për sukses, ndërsa kritikët pretendojnë rënie të prenotimeve në disa zona.

The post Rama godet me ironi kritikët për turizmin, publikon video nga Durrësi appeared first on Telegrafi.

Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë dhe Oda Ekonomike e Kosovës nisin fazën e re të bashkëpunimit strategjik

Sot, Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë ka mirëpritur një takim të rëndësishëm strategjik me Odën Ekonomike të Kosovës, në kuadër të zbatimit të Memorandumit të Bashkëpunimit mes dy institucioneve.

Rektori Prof. Dr. Armand Krasniqi, së bashku me Prorektorët Prof. Dr. Edmond Beqiri dhe Dr. Sc. Prof. Ass. Vjosa Hajdari, pritën Kryetarin e Odës Ekonomike të Kosovës, Lulzim Rafuna, dhe përfaqësuesin e Njësisë Rajonale dhe Panaireve të Pejës, Samir Lleshi.

Në takim u prezantuan disa projekte madhore, përfshirë: Optimizimin e proceseve universitare përmes inteligjencës artificiale, ngritjen e inkubatorëve të biznesit dhe laboratorëve të inovacionit, krijimin e barometrave të punësimit për tregun rajonal dhe organizimin e Konferencës së Tretë Vjetore të Forumit Ekonomik Rajonal të Dukagjinit.

Kryetari Rafuna e vlerësoi vizionin e universitetit dhe e konfirmoi Odën si partner strategjik në realizimin e projekteve.

“Oda Ekonomike e Kosovës do të jetë partner strategjik i Universitetit ‘Haxhi Zeka’ në këto projekte madhore, duke lidhur fuqishëm arsimin me ekonominë e vendit”, deklaroi ai.

Ky bashkëpunim synon të forcojë lidhjen mes arsimit dhe ekonomisë, duke e pozicionuar UHZ-në si një universitet modern, inovativ dhe të angazhuar në zhvillimin rajonal dhe kombëtar.

The post Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë dhe Oda Ekonomike e Kosovës nisin fazën e re të bashkëpunimit strategjik appeared first on Telegrafi.

Arrestohet i dyshuari për zjarrvënie në Pejë

Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë ka njoftuar se sot, më 14 gusht 2025, rreth orës 05:20, është raportuar për një zjarr në fshatin Katundi i Ri, Pejë.

Policia dhe zjarrfikësit kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes, ku kanë gjetur një garazhë të përfshirë nga flakët.

Brenda saj ndodheshin dy vetura me targa vendore dhe disa mjete pune, të cilat janë dëmtuar nga zjarri.

Pas hetimeve intensive të Sektorit Rajonal për Hetime, rreth orës 10:00 është identifikuar dhe arrestuar i dyshuari për zjarrvënie.

Ai është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe, me urdhër të prokurorit të Shtetit, është dërguar në mbajtje për 48 orë./Telegrafi/

The post Arrestohet i dyshuari për zjarrvënie në Pejë appeared first on Telegrafi.

Arrestohet edhe një oficer korrektues për arratisjen nga paraburgimi në Mitrovicë

Në kuadër të hetimeve për arratisjen nga Qendra e Paraburgimit në Mitrovicë, sot është pezulluar nga puna dhe arrestuar nga Policia e Kosovës një oficer korrektues.

Me këtë rast, numri i zyrtarëve të pezulluar ka arritur në gjashtë, përfshirë drejtorin e Qendrës, një mbikëqyrës të lartë dhe katër zyrtarë korrektues.

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka theksuar se askush nuk është mbi ligjin dhe se çdo shkelje do të trajtohet me vendosmëri.
“Çdo shkelje do të trajtohet me vendosmëri, duke garantuar llogaridhënie dhe siguri në të gjitha institucionet korrektuese”, ka deklaruar ajo./Telegrafi/

The post Arrestohet edhe një oficer korrektues për arratisjen nga paraburgimi në Mitrovicë appeared first on Telegrafi.

Ndizen kodrat rreth Tiranës, zjarret i afrohen zonave rezidenciale, rrezikohen banorët

Një tjetër vatër zjarri është raportuar mbrëmjen e kësaj të hëne, më 11 gusht, në kodrat e Selitës në Tiranë, duke ngritur alarmin për rrezik të përhapjes së flakëve në zonat e banuara. Dhe kjo nuk është vatra e vetme në kryeqytet.

Në fakt, rreth 10 vatra aktive ka patur të raportuara gjatë ditës së sotme në Tiranë, ku momentalisht situata më e vështirë duket tek vatrat në faqe të malit në Fortuzaj.

Në Fortuzaj, në malin që ndodhet pas nesh janë vatrat e zjarrit që janë aktive. Kemi disa minivatra të shpërndara në faqen e malit, që janë sipër banesave që dallohen edhe me sy të lirë. Mund të jenë rreth 20 banesa që mund të rrezikohen në afërsi të zonës së Sharrës, jo shumë larg nga Kodra e Selitës, ku është një tjetër vatër që rrezikon banesat.  Ka disa orë që është ndezur kjo vatër zjarri, ku siç duket po digjet bimësi dhe shkurre dhe rrezikon të afrohet tek banesat, raporton Tv Klan.

Disa vatra të tjera janë raportuar edhe në zonën e Petrelës, në Malin e Bërzhitës, në afërsi të zonës së Arbanës, ku sipas ministrisë së Mbrojtjes ka patur ndërhyrje të forcave zjarrfikësve. Në Arbanë po ashtu ka patur edhe ndërhyrjen e një helikopteri Canadair kroat.

Ndërkohë gazetari Bajraktaraj gjatë raportimit shtoi se “Në Zall-Herr është bërë e mundur dhe shuarja e flakëve, ku flakët kanë rrezikuar disa banesa

Zjarret e këtyre ditëve, të nxitura nga temperaturat e larta dhe thatësira, po përbëjnë një sfidë serioze për strukturat e emergjencës në të gjithë vendin. Kujtojmë se situata me zjarret paraqitet më problematike kryesisht në jug të vendit, konkretisht në qarkun e Vlorës.

Në ndihmë të operacioneve të shuarjes së zjarreve janë angazhuar avionë dhe helikopterë të Forcës Ajrore shqiptare, si edhe mjete ajrore nga Kroacia, Greqia, Republika Çeke, Sllovakia dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Autoritetet paralajmërojnë se për shkak të temperaturave të larta rreziku për zjarre mbetet i lartë dhe kërkohet kujdes maksimal nga qytetarët.

The post Ndizen kodrat rreth Tiranës, zjarret i afrohen zonave rezidenciale, rrezikohen banorët appeared first on Telegrafi.

Propozimet për kryeparlamentar, Deliu tregon cilët emra nga LVV nuk i voton PDK-ja

Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar përsëri deputetët e Kuvendit të Kosovës që ta konstituojnë përbërjen e re parlamentare, të dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit, këtë herë me udhëzime më të qarta.

Deputetët duhet ta konstituojnë Kuvendin brenda 30 ditësh dhe të zgjedhin kryeparlamentarin përmes votimit të hapur, duke e hedhur në votim të njëjtin kandidat jo më shumë se tri herë.

Në këtë kontekst, deputetja e PDK-së Blerta Deliu ka deklaruar në Debat Plus se partia e saj nuk do të bëhet pjesë e asnjë votimi për kandidatë që kanë qenë pjesë e qeverisjes së kaluar, përfshirë ministrat, zëvendësministrat dhe kryeministrin.

“PDK ka qenë shumë e qartë në qëndrimet e saj. Ne kemi thënë se nuk do të bëhemi pjesë e asnjë votimi e emrave që kanë qenë pjesë e qeverisjes në mandatin e kaluar. Duke përfshirë, ministrat, zëvendësministrat, kryeministrin… por kemi deklaruar se jemi të hapur për propozime të reja, duke bërë përpjeke të dalim nga situata e rëndë e krijuar, e bllokada tashme 6 mujore e themelimit të institucioneve të reja”, ka thënë Deliu.

The post Propozimet për kryeparlamentar, Deliu tregon cilët emra nga LVV nuk i voton PDK-ja appeared first on Telegrafi.

Zyrtari i lartë gjerman bën thirrje për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese

Drejtori për Ballkanin Perëndimor, Turqinë, Këshillin e Evropës dhe OSBE-në në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Michael Reiffenstuel, ka zhvilluar një vizitë dyditore në Kosovë më 10 dhe 11 gusht.

Gjatë qëndrimit, ai u takua me një gamë të gjerë liderësh politikë, përfshirë presidenten Vjosa Osmani dhe kryeministrin në detyrë Albin Kurti.

Reiffenstuel pati takime edhe me kryetarët e partive kryesore opozitare, Memli Krasniqin nga PDK dhe Lumir Abdixhikun e LDK-së.

Në Mitrovicë, ai u takua me përfaqësues të partive serbe të Kosovës dhe të shoqërisë civile, si dhe zhvilloi një takim me komandantin e KFOR-it.

Në takimet me përfaqësuesit politikë të Kosovës, ai theksoi domosdoshmërinë e respektimit dhe zbatimit të plotë të vendimit më të fundit të Gjykatës Kushtetuese, për t’i dhënë fund bllokadës politike.

Gjithashtu, përsëriti pritshmërinë e Gjermanisë që të gjitha subjektet që plotësojnë kriteret të mund të marrin pjesë në zgjedhjet e ardhshme lokale.

Reiffenstuel riafirmoi mbështetjen e plotë të Gjermanisë për përfaqësuesin e posaçëm të BE-së, Peter Sörensen, në përpjekjet e tij për të avancuar dialogun e normalizimit të lehtësuar nga BE-ja. Ai theksoi se angazhimi konstruktiv i Kosovës është thelbësor për suksesin e procesit të integrimit evropian, të cilin Gjermania e mbështet fuqishëm./Telegrafi/

The post Zyrtari i lartë gjerman bën thirrje për zbatimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese appeared first on Telegrafi.

Vrasje në Hajvali të Prishtinës, i dyshuari është identifikuar

Një vrasje ka ndodhur mbrëmjen e së hënës në lagjen Hajvali të Prishtinës.

Zëdhënësja e Policisë së Kosovës për Rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti, ka deklaruar për Telegrafin se viktima është dërguar në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) pa shenja jete.

“Sot rreth orës 22:00, është raportuar për gjuajtje me armë zjarri, në Hajvali, ku është vrarë një person. Vdekja e viktimës mashkull është konstatuar nga ekipi mjekësor në QKUK. Policia ka nisë një hetim për zbardhjen e rastit, ndërkohë që është në kërkim të personit të dyshuar i cili tashmë është identifikuar”, ka deklaruar Ahmeti.

Edhe drejtori i Klinikës Emergjente, Naser Syla, ka konfirmuar se viktima kishte plagë të shkaktuara nga arma e zjarrit.

“Në QKUK ka ardhur i vdekur me plagë nga arma e zjarrit”, ka deklaruar Syla.

Autoritetet janë duke zhvilluar hetimet për zbardhjen e rrethanave të kësaj ngjarjeje./Telegrafi/

The post Vrasje në Hajvali të Prishtinës, i dyshuari është identifikuar appeared first on Telegrafi.

❌