Barcelona mund të detyrohet të luajë katër ndeshje radhazi në La Liga jashtë fushe
Kthimi i planifikuar i Barcelonës në Spotify Camp Nou për ndeshjen e La Ligës kundër Valencias në shtator duket gjithnjë e më i pasigurt, duke hapur mundësinë që katalanasit të zhvillojnë katër ndeshjet e para të sezonit 2025-26 larg shtëpisë.
Sipas El Desmarque, La Liga ka propozuar që sfida e parë me Valencian të luhet në Mestalla, ndërsa ndeshja e kthimit të zhvillohet në Camp Nou të rinovuar. Arsyeja mbeten vonesat në punimet e rikonstruksionit, të cilat janë prapa afatit.
Një problem kyç është se klubi ende nuk e ka dorëzuar Certifikatën Përfundimtare të Ndërtimit, e cila është e domosdoshme për të marrë lejen e parë të banimit – dokument që lejon hyrjen e tifozëve në stadiumin pjesërisht të përfunduar.
Zëvendëskryetari i bashkisë së Barcelonës, Albert Batlle, shtoi edhe më shumë dyshime, duke deklaruar se ekipi mund të detyrohet të qëndrojë në Estadi Olímpic Lluís Companys në Montjuïc për disa muaj të tjerë.
Presion nga UEFA dhe pengesa të tjera
Situata bëhet edhe më komplekse për shkak të inspektimit të fundit të UEFA-s, e cila po vlerëson nëse Camp Nou është gati për ndeshjet e Ligës së Kampionëve. Sipas rregullores, të gjitha sfidat e fazës së grupeve në shtëpi – katër gjithsej – duhet të zhvillohen në të njëjtin stadium.
Kjo ka bërë që Barça të kërkojë ta luajë si mysafire ndeshjen e parë të Champions-it (16-18 shtator), për të fituar dy javë shtesë kohe në përfundimin e punimeve. Megjithatë, një vendim përfundimtar mes Camp Nou dhe Montjuïc mbetet pezull.
Një tjetër telash është koncerti i Post Malone, i planifikuar më 12 shtator në Montjuïc, që mund të prishë planet rezervë për ndeshjen kundër Valencias.
Kapacitet i reduktuar dhe probleme sigurie
Edhe në rast rihapjeje, Camp Nou do të funksionojë me kapacitet të reduktuar prej 27,000 deri në 60,000 vende.
Pavarësisht progresit – si instalimi i tapetit të ri të barit dhe testet teknike – një raport i fundit ka evidentuar mbi 200 mangësi sigurie, që theksojnë sfidat e mëdha që klubi ka përpara. /Telegrafi/
The post Barcelona mund të detyrohet të luajë katër ndeshje radhazi në La Liga jashtë fushe appeared first on Telegrafi.