Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Armëpushimi në Ukrainë, Trump planifikon të takohet me Putin javën e ardhshme

Donald Trump synon të takohet personalisht me Vladimir Putinin që javën e ardhshme, raporton New York Times, duke cituar dy persona të njohur me planin e presidentit amerikan.

Trump planifikon të pasojë takimin e tij me udhëheqësin rus me një takim tjetër midis tij, Putinit dhe Volodymyr Zelensky të Ukrainës.

Presidenti i zbuloi planet në një telefonatë me udhëheqësit evropianë sonte në mbrëmje, sipas burimeve.

Takimet do të përfshijnë vetëm Trump, Putin dhe Zelensky.

 

Zelensky pas takimit Witkoff-Putin: Rusia duket më e prirur për armëpushim

Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelesky deklaroi se Rusia duket më e prirur për një armëpushim, pas takimit të sotëm midis të dërguarit të SHBA-së Steve Witkoff dhe Vladimir Putin.

“Presioni mbi ta funksionon”, tha Volodymyr Zelensky në rrjetet sociale, shkruan Sky News.

“Por gjëja kryesore është që ata të mos na mashtrojnë në detaje – as ne dhe as SHBA-në.”, shtoi presidenti ukrainas.

Donald Trump diskutoi takimin e Witkoff me Putinin gjatë një telefonate me Zelenskyy dhe udhëheqës të tjerë evropianë, përfshirë Sir Keir Starmer, këtë mbrëmje.

I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trump, Steve Witkoff, ka zhvilluar një takim shumë produktiv dhe me rëndësi të veçantë me presidentin e Federatës Ruse, Vladimir Putin.

Ky takim u konsiderua si një hap domethënës drejt uljes së tensioneve dhe gjetjes së një zgjidhjeje të mundshme për konfliktin aktual.

Sipas deklaratës së Trumpit, gjatë diskutimeve është bërë përparim i konsiderueshëm dhe janë identifikuar pika të përbashkëta që mund të shërbejnë si bazë për negociata të mëtejshme./abcnews.al

 

Zjarr në tre fshatra të Finiqit/ Terreni i vështirë për zjarrfikësit, për shuarjen e flakëve edhe një helikopter

Një zjarr i përmasave ka nisur në zonën pyjore, i shtrirë në tri fshatra, Dhivër, Cerkovicë dhe Shëndre, të Bashkisë Finiq.

Zjarri erdhi si shkak i një rrufeje mbasditen e së martës, ndërsa ka marrë përmasa sot.

Situata është e rënduar dhe u është bërë thirrje banorëve të fshatrave të jenë të vëmendshëm.

Në ndihmë ndodhen sherbimet zjarrfikëse të Finiqit, Sarandës dhe Konispolit, teksa është angazhuar edhe një helikopter në shuarjen e zjarrit. Nisur nga terreni i vështirë efektivët dhe zjarrfikësit ndihmojnë në shuarjen e zjarrit me pompa në krahë./abcnews.al

Trump: Witkoff kishte takim shumë produktiv me Putinin

I dërguari i posaçëm i presidentit amerikan, Donald Trump, Steve Witkoff, ka zhvilluar një takim shumë produktiv dhe me rëndësi të veçantë me presidentin e Federatës Ruse, Vladimir Putin.

Ky takim u konsiderua si një hap domethënës drejt uljes së tensioneve dhe gjetjes së një zgjidhjeje të mundshme për konfliktin aktual.

Sipas deklaratës së Trumpit, gjatë diskutimeve është bërë përparim i konsiderueshëm dhe janë identifikuar pika të përbashkëta që mund të shërbejnë si bazë për negociata të mëtejshme.

Pas këtij takimi diplomatik, lideri amerikan tha se ka komunikuar dhe ka përditësuar disa prej aleatëve më të rëndësishëm evropianë mbi ecurinë e bisedimeve dhe hapat e ardhshëm që pritet të ndërmerren.

Ai theksoi se ka një dakordësi të gjerë ndërkombëtare që lufta duhet të marrë fund sa më shpejt, dhe se është në interesin e të gjithëve që paqja dhe stabiliteti të rivendosen në rajon.

Rubio: SHBA-të do të vendosin së shpejti për sanksionet ndaj Rusisë

Marco Rubio tha se shpreson të bëjë njoftime më vonë sot nëse sanksionet e mundshme kundër Rusisë do të vazhdojnë këtë javë.

Sekretari i shtetit amerikan tha se kishte folur me të dërguarin e posaçëm Steve Witkoff, i cili është duke u kthyer nga një udhëtim në Rusi, dhe do të ketë më shumë diskutime gjatë ditës, shkruan Sky News.

Ai u tha gazetarëve se shpresojmë se së shpejti do të ketë disa njoftime: “Ndoshta pozitive, ndoshta jo.”

Kremlini tha se Witkoff zhvilloi bisedime “të dobishme dhe konstruktive” me Vladimir Putinin sot, dy ditë para skadimit të afatit të caktuar nga Donald Trump për Rusinë që të binte dakord për paqe në Ukrainë ose të përballej me sanksione të reja./abcnews.al

Receta e re mjekësore/ Nisi nga 1 gushti, farmacistët: Më shumë siguri per pacientët

Formati i ri i recetës mjekësore shihet si një risi edhe për vetë farmacistët, të cilët thonë se u ka lehtësuar punë në ekzekutimin e saj.

“Mjekët për herë të parë unifikohet në këtë formë. Është një siguri më shumë për nr farmacistët, janë të detyruar të shkruajnë principin aktiv, dhe jo emrat e markave. Të gjithë barnat që janë aty janë një siguri edhe për ne, mënhyra sesi janë përcaktuar nga mjeku, rrit sigurinë edhe tek ne.”

Receta e re lehtëson edhe të sëmurët kronikë, të cilët shmangin vizitat e shpeshta tek mjeku për marrjen e trajtimit deri në 6 muaj, në varësi të vlerësimit nga specialisti.

“Formati e ndan në acute dhe kronike pacientin. Sdo vijn çdo muaj për trajtim, por, sipas vlerësimit të mjekut, 2, 4 apo 6 muaj mjekim në varësi të ecurisë…”

Farmacistët kanë edhe të drejtën e ekzekutimit të pjesshëm të recetës. Në rastet kur nuk i disponon të gjitha barnat e shkruara, farmacisti do të duhet të shënojë barnat e tjera që i ka dhënë pacientit, sasinë e marrë dhe datën e ekzekutimit të recetës duke e firmosur edhe vulosur. Si dhe duke mbajt një kopje vetë.

Në këtë formë, pacienti mund të drejtohet në një tjetër farmaci për të marr medikamentin e munguar./abcnews.al

Meta nuk tërhiqet, kërkon lirinë/ Avokati Kara: Duhet të ishte bërë hetim më i plotë për “CEZ DIA”

Avokati Romeo Kara thotë se duhet të ishte bërë hetim më i plotë për dosjen “CEZ DIA”, ku i akuzuar është edhe ish presidenti Ilir Meta, i cili pas përfundimit të hetimeve për tre çështjet ndaj tij, ka kërkuar lirinë nga burgu.

Në një intervistë për “Tirana Liva” në ABC News, Kara u shpreh se lidhur me këtë kërkesë të Metës, gjykata do vlerësojë nëse ai mund të prishë provat.

Për “CEZ DIA”, Kara shtoi se Meta mori bekimin e ish kryeministrit Sali Berisha.

“Mendoj që mbas komunikimit të akuzës dhe sidomos hetimit që hetimet janë mbyllur, pritej të bëhej ky hap. Kanë ofruar qëndrimin e tij, duke marrë masë bllokimin e pasaportës. Ka rëndësi që procesi të vazhdojë dhe drejtësia të thotë fjalën e saj. Unë jam njohës i mirë, aty ka 3 akuza, CEZ DIA, lobimi dhe për mosdeklarimin e pasurisë. Për CEZ DIA duhet të kishim hetim më të plotë. Vendimi i ERE duhet të ishte hetuar, pretendohet se ka qenë vendim i ndikuar. Këtu kemi një hetim të ngushtuar, duhet të kishim më shumë palë të hetuar, por edhe para organeve të drejtësisë. Vendime të tilla të ERE me këtë faturë, nuk kalonin pa e ditur Ministria e Financave dhe kryeministri. Ai vendim i ERE nuk është marrë pa dakordësinë e Berishës. Ky është korrupsion me dy palë, po pala çeke ku është? Unë nuk mund ta besoj se do kalojë kaq thjesht , me një person. Ky s’e ka bërë vetë këtë. Ata kanë bërë korrupsion në dëm të shtetit shqiptar.”, theksoi ai./abcnews.al

Patos, digjet pylli/ Flakë në Gjinoqare, terreni i vështirë nuk lejon zjarrfikësit

Një zjarr i përmasave të mëdha ka përfshire pyllin me pisha dhjetëra vjeçare në fshatin Gjinoqarë të Patosit.

Mësohet se era e fortë po bën që flakët të përparojnë në një terren shumë të thyer duke e bërë të pamundur ndërhyrjen e mjeteve zjarrfikëse.

Në terren janë 4 automjete zjarrfikëse të Patosit dhe Mallakastrës, e megjithatë sipas burimeve nga repartet zjarrfikëse, ndërhyrja është e pamundur. Aktualisht, po luftohet me mjete rrethanore.

Operacionit i janë bashkuar edhe banorë të zonave dhe punonjes të bashkisë.

Për momentin, flakët po avancojnë të favorizuara nga era. Pylli i zonës se Gjynaqarës u dogj 3 vjet më parë. Për momentin nuk rrezikohen banesa të fshatit pasi pylli ndodhet midis fshatrave Gjjynaqarë dhe Drenie.

Izrael, udhëheqësi i opozitës: Pushtimi i Gazës është një ide shumë e keqe

Udhëheqësi i opozitës, izraelite Yair Lapid ka paralajmëruar se pushtimi i Gazës do të ishte një “ide shumë e keqe”.

Mediat izraelite e citojnë atë të ketë thënë: “Nuk e dërgon shtetin e Izraelit në luftë nëse shumica e popullit nuk është me ty dhe populli i Izraelit nuk është i interesuar për këtë luftë”.

Ai shtoi se çmimi do të ishte “shumë i rëndë” për Izraelin, si financiarisht ashtu edhe për sa i përket viktimave.

Kjo vjen pas një paralajmërimi të ngjashëm nga ish-kryeministri izraelit Ehud Olmert, i cili tha se publiku duhet të marrë në konsideratë mosbindjen civile për të vepruar kundër Netanyahut.

Libani i kërkon ushtrisë të përgatisë një plan për çarmatosjen e Hezbollahut

Qeveria e Libanit i ka ngarkuar ushtrisë hartimin e një plani për të siguruar që vetëm institucionet shtetërore të posedojnë armë deri në fund të vitit, një veprim që synon çarmatosjen e grupit militant Hezbollah të mbështetur nga Irani.

Njoftimi nga kryeministri libanez Nawaf Salam erdhi pas një takimi gati gjashtëorësh të kabinetit.

Ai tha se qeveria i kërkoi ushtrisë që plani të përgatitej deri në fund të muajit për diskutim dhe miratim. Pas takimit, Salam foli për “detyrën e shtetit për të monopolizuar posedimin e armëve”, raportoi Agjencia Kombëtare e Lajmeve (NNA) e Libanit.

Vendimi vjen pas presionit masiv nga Uashingtoni mbi Bejrutin për të çarmatosur Hezbollahun, përfshirë një vizitë në korrik nga i dërguari i SHBA-së Tom Barrack, i cili bëri thirrje për një politikë më vendimtare.

Megjithatë, ndërsa kabineti po mblidhej të martën pasdite, udhëheqësi i Hezbollahut Naim Kassem hodhi poshtë thirrjet që grupi i tij të dorëzonte armët.

“Çdo orar i paraqitur për zbatim nën … agresionin izraelit nuk mund të miratohet”, tha ai në një fjalim televiziv.

Hezbollahu është dobësuar rëndë nga një konflikt 14-mujor me Izraelin që përfundoi në nëntor me një armëpushim të ndërmjetësuar nga SHBA-të.

Disa nga udhëheqësit e grupit vdiqën, mijëra luftëtarë të tij u vranë dhe shumica e armatimeve të tij u shkatërruan.

Shirat e rrëmbyeshëm shkaktojnë përmbytje në Indi/ Raportohet për një viktimë, mbi 100 persona të zhdukur

Më shumë se 100 persona rezultojnë të zhdukur dhe të paktën një person ka vdekur pasi shirat e rrëmbyeshëm shkaktuan përmbytje shkatërruese në shtetin verior indian të Uttarakhand.

Operacionet e shpëtimit janë duke u zhvilluar në distriktin Uttarkashi, pasi u përmbytën rrugë dhe ndërtesa, shkruan BBC.

Disa ekipe ushtarake janë pozicionuar në Dharali që nga e marta, por forca të tjera të reagimit ndaj katastrofave dhe zyrtarë të distriktit nuk kanë qenë në gjendje të arrijnë në zonë për shkak të rrugëve të dëmtuara dhe reshjeve të dendura të shiut.

Shira të rrëmbyeshëm kanë goditur shtetin himalajan të Uttarakhand gjatë javëve të fundit.

Rreth 130 persona janë shpëtuar deri më tani në Uttarkashi, sipas një deklarate nga kryeministri i Uttarakhand, Pushkar Singh Dhami, për gazetarët.

Ndërkaq, të paktën 10 ushtarë të pzocionuar në bazën Harsil janë gjithashtu të zhdukur, sipas zyrtarëve.

Operacionet e shpëtimit po ecin me ritëm të ngadaltë pasi llumi dhe mbeturinat mbulojnë zonën./abcnews.al

Pushtimi i Gazës, Trump: Varet nga Izraeli. SHBA po përpiqet t’i sigurojë njerëzve ushqim

Pasi dolën raportime se kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu po vendoste për pushtimin e plotë të Gazës, Donald Trump u pyet se çfarë qëndrimi kishte, por ai refuzoi të jepte një përgjigje.

I pyetur nëse do të mbështeste një “pushtim të plotë” të Gazës, presidenti amerikan tha: “E di që jemi atje tani duke u përpjekur t’u sigurojmë njerëzve ushqim”.

“Sa i përket pjesës tjetër, nuk mund të them me siguri. Kjo do të varet kryesisht nga Izraeli.”, shtoi ai, shkruan Sky News.

Trump deklaroi se Izraeli dhe shtetet arabe do të ndihmonin me shpërndarjen e ushqimit dhe ndihmës në Gaza dhe do të ofronin ndihmë financiare, por nuk dha detaje.

Kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, të martën aludoi për një ofensivë më të gjerë ushtarake në Gazë.

Ish-krerët e ushtrisë dhe inteligjencës izraelite kanë bërë thirrje për dhënien fund të luftës gati 22-mujore.

Presioni i ri ndaj Netanyahut vjen në kohën kur Ministria e Shëndetësisë në Gaza njoftoi se numri i palestinezëve të vrarë ka tejkaluar shifrën 61.000./abcnews.al

“Vazhdojmë”/ Hapësirat publike, Rama ndan pamje nga aksioni: Si mund të futet në bark i tërë trotuari deri tek bordura?

Kryeministri Edi Rama ka ndarë pamje nga vijimi i aksionit për lirimin e hapësirave publike në kryeqytet.

Përmes një video një rrjetet sociale, Rama ka treguar se si një fadromë ka prishur strukturën e një lokali, që kishte zënë trotuarin.

Kreu i qeverisë, shtoi krahas videos se aksioni për lirimin e hapësirave publike do të vijojë.

“Po si mund të futet në bark i tërë trotuari deri tek bordura😡 Vazhdojmë”, shkruan Rama./abcnews.al

Nis numërimi mbrapsht për Moskën/ Kremlini: Takimi midis Putin dhe Witkoff ishte konstruktiv

Kremlini thotë se i dërguari i SHBA-së, Steve Witkoff, dhe presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, kanë zhvilluar bisedime “konstruktive”, ndërsa afati i fundit i Donald Trump për Moskën për të rënë dakord për një armëpushim në Ukrainë po afron.

Ndihmësi i politikës së jashtme ruse, Yuri Ushakov tha se, gjatë takimit të tyre tre-orësh, Putin i transmetoi “sinjale” Witkoff-it mbi atë që ai e quajti “çështja ukrainase” dhe “mori sinjale përkatëse” nga pala amerikane, shkruan BBC.

Më shumë informacion rreth negociatave do të ndahet pasi Witkoff t’i raportojë Trumpit, shtoi Ushakov.

Presidenti i SHBA-së ka deklaruar se Rusia mund të përballet me sanksione të rënda ose të shohë sanksione dytësore të vendosura kundër të gjithë atyre që tregtojnë me të nëse nuk ndërmerr hapa për t’i dhënë fund “luftës së tmerrshme” me Ukrainën.

Ndërkaq, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka paralajmëruar se Rusia do të bënte vetëm hapa seriozë drejt paqes nëse fillonte të përballej me mungesë të fondeve financiare. Ai përshëndeti kërcënimin për sanksione më të ashpra amerikane dhe taksa ndaj vendeve që blejnë naftë ruse./abcnews.al

Rekord historik i nxehtësisë në Japoni/ Për herë të parë temperatura arrin në mbi 41 gradë

Japonia ka regjistruar dy rekorde të reja të temperaturave më të larta ndonjëherë brenda një dite, teksa vala përvëluese e të nxehtit po përfshin vendin.

Sipas Agjencisë Meteorologjike Japoneze, temperaturat arritën fillimisht në 41.6°C, për t’u rritur më pas në 41.8°C, duke vendosur një rekord të ri historik për vendin.

Temperaturat ekstreme u shënuan të martën në qytetin Isesaki, që ndodhet në prefekturën Gunma në pjesën veriore të rajonit Kanto. Këto vlera e tejkalojnë ndjeshëm rekordin e mëparshëm prej 41.2°C, i cili ishte regjistruar vetëm javën e kaluar në prefekturën Hyogo, në perëndim të Japonisë.

Përpara kësaj vale të fundit të të nxehtit, rekordi më i lartë ishte 41.1°C, i shënuar më parë në vitet 2020 dhe 2018.

Agjencia Meteorologjike ka bërë të ditur gjithashtu se muaji i kaluar ka qenë më i nxehti që prej fillimit të matjeve në vitin 1898. Temperatura mesatare mujore ishte 2.89°C mbi mesataren e periudhës 1991–2020.

Edhe qyteti turistik i Kyotos është prekur nga vala përvëluese. Javën e kaluar, temperaturat atje arritën në 40°C, për herë të parë që ndonjë prej pikave të matjes – nga më e vjetra që daton në vitin 1880, deri tek më e reja e hapur në 2002 – ka regjistruar një vlerë të tillë.

Greqi/ Fundoset trageti, shpëtojnë mrekullisht udhëtarët

Një traget që operonte në itinerarin nga Nea Stira në Agia Marina u mbyt të martën pasdite në bregun e Glaros, afërsisht dhjetë minuta pas nisjes së tij nga porti.

Trageti “Panagia Paravouniotissa” mbante 105 pasagjerë dhe 9 anëtarë të ekuipazhit dhe ata janë në gjendje të mirë shëndetësore

Tre anije të Rojës Bregdetare, anije private dhe një anije tjetër që transportonte pasagjerë nxituan në vendngjarje për të ndihmuar në proces.

Trageti pati një prurje të vogël uji, e cila është ndalur dhe po pompohet.

Bill dhe Hillary Clinton thirren në gjyq, do të dëshmojnë për rastin Epstein

Komiteti Mbikëqyrës i Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së ka lëshuar thirrje në gjyq për dëshmi për ish-presidentin Bill Clinton dhe ish-sekretaren e shtetit Hillary Clinton në lidhje me hetimin e trafikimit seksual ndaj Jeffrey Epstein.

Komiteti i kontrolluar nga republikanët gjithashtu i kërkoi Departamentit të Drejtësisë të jepte dosje që lidhen me financuesin pedofil, si dhe me tetë ish-zyrtarë të lartë të zbatimit të ligjit.

Donald Trump ka mohuar të ketë pasur dijeni paraprake për krimet e Epstein, duke pretenduar se i dha fund marrëdhënies së tyre shumë kohë më parë. Presidenti amerikan është përpjekur vazhdimisht të heqë një vijë nën vendimin e Departamentit të Drejtësisë për të mos publikuar një raport të plotë të hetimit, por politikanë nga të dy partitë kryesore politike, si dhe shumë në bazën politike të Trumpit, kanë refuzuar të heqin dorë nga interesi i tyre për dosjet e Epstein.

Raportohet se Epstein vdiq në një qeli burgu në Nju Jork në vitin 2019 duke pritur gjyqin për akuzat e trafikimit seksual, dhe që atëherë, teoritë e konspiracionit kanë qarkulluar rreth informacionit që hetuesit mblodhën mbi të dhe kush tjetër mund të ketë qenë i përfshirë në krimet e tij.

Republikanët në Komitetin Mbikëqyrës të Dhomës së Përfaqësuesve iniciuan thirrjet në gjyq për Clintonët muajin e kaluar, si dhe kërkuan të gjitha komunikimet midis administratës demokrate të ish-presidentit Joe Biden dhe Departamentit të Drejtësisë në lidhje me Epstein.

Komiteti më parë lëshoi një thirrje në gjyq për një intervistë me ish-të dashurën e Epstein, Ghislaine Maxwell, e cila kishte vuajtur një dënim me burg në Florida për joshjen e vajzave adoleshente për t’u abuzuar seksualisht nga Epstein.

❌