Deputeti i Partisë së Lirisë, Petrit Vasili, i ftuar në një emision televiziv, deklaroi se Kryeministri Edi Rama sillet sikur Shqipëria ka vetëm një bashki, dhe ai është kryetari i saj.
Sipas Vasilit, Rama ka marrë nën kontroll të plotë pushtetin vendor dhe vendos personalisht për gjithçka që ndodh në çdo qytet, duke e kthyer qeverisjen lokale në një strukturë të centralizuar nën kontrollin e plotë të tij.
Ai theksoi se shkatërrimi urban, mungesa e shërbimeve dhe largimi i profesionistëve janë pasoja të një regjimi që nuk njeh më ndarje pushtetesh dhe që përdor çdo institucion për të konsoliduar kapjen e territorit.
Pjesë nga intervista:
Kryeministri sot është nën akuza, jo vetëm në vendin tonë por edhe në arenën ndërkombëtare, si shkatërruesi dhe grabitësi mafioz i zgjedhjeve të 11 majit. Të gjitha këto përpjekje për ta justifikuar janë si teneqe që u varen qenve të rrugës për të bërë zhurmë e për të mos lejuar që të dëgjohen kambanat e zgjedhjeve.
Ju e kuptoni më së miri se nuk ka ndodhur asgjë e re, as në Vlorë dhe as në Tiranë. Këto qytete kanë qenë të pushtuara prej më shumë se dhjetë vitesh nga Edi Rama. Nuk janë ngjarje të reja as njerëzit e përfshirë një varg figurash që vendosen, hiqen, dorëhiqen, por në fakt janë po të njëjtët. Të njëjtët që janë përdorur si patronazhistë për të manipuluar, vjedhur dhe kërcënuar qytetarët, vetëm për të marrë votat.
Sa i përket Tiranës, ai është shkatërruesi i saj. Edi Rama, që prej 28 vitesh në pushtet, ka qenë arkitekti i këtij degradimi. Ai që nisi rrënimin e kryeqytetit dhe i dha goditjen përfundimtare ka qenë vetë Edi Rama. Bashkë me Erion Veliajn e kanë kthyer Tiranën në një vend primitiv.
Tirana sot është një qytet ku nuk ekzistojnë më hapësirat e gjelbra, një qytet që digjet nga betoni, një qytet ku komunitetet mbeten pa shërbime bazë minimale.
Pyetja që ngrihet sot është: cila është ajo punë e vetme që është bërë në qytetet shqiptare dhe që ka sjellë përmirësim në jetën e qytetarëve? Përveç grabitjes, nuk ka asnjë vepër funksionale. E gjithë kjo lojë me ndërrime drejtorësh, me largime dhe rikthime në detyrë, është vetëm zhurmë për zgjedhjet.
Një qytetar i thjeshtë do të pyeste: nëse ai e ka rrëmbyer Bashkinë e Tiranës që në shkurt, kur Veliaj hyri në burg, pse nuk kërkoi lirimin e hapësirave që më 11 maj? Ky pushtet përdoret si legalizimet, sapo mbarojnë zgjedhjet, vijnë fadromat. Kjo është logjika e banditëve.
Të gjitha këto lëvizje tregojnë se ai sillet si kryetari i vetëm i të gjithë bashkive të Shqipërisë, sikur Shqipëria të ketë vetëm një bashki dhe ai të jetë i vetmi që e drejton. Kemi të bëjmë me një grabitje të pushtetit nga Edi Rama. Po të shohim nga afër: shkatërrimi urban, shkatërrimi i shërbimeve, dhe zhdukja e profesionistëve janë fakte. Sot nuk ekziston më as mendimi i ekspertëve.
The post “Nuk ka më ndarje pushtetesh”, Vasili ‘shpërthen’ ashpër: Rama kontrollon çdo bashki, çdo drejtori appeared first on Sot News | Lajme.