Reading view

There are new articles available, click to refresh the page.

Nicole Scherzinger ndez thashethemet për rikthimin e The Pussycat Dolls

Nicole Scherzinger ka bërë që fansat të flasin sërish për një ribashkim të grupit legjendar The Pussycat Dolls, pasi u shfaq në një set fotografik me një varëse ari ku shkruhej emri i grupit.

Këngëtarja 47-vjeçare u duk në super formë me një veshje provokuese bardhë e zi, të kombinuar me pantallona dhe çizme të gjata lëkure, duke rikthyer kujtimet e stilit burlesk që e bëri grupin të famshëm në fillim të viteve 2000.

The Pussycat Dolls u shpërbënë në vitin 2010 pas një karriere të shkëlqyer me dy albume, ndërsa planet për një ribashkim në vitin 2020 u ndalën për shkak të pandemisë. Edhe pse mes Nicole dhe themelueses Robin Antin ka pasur mosmarrëveshje ligjore, këngëtarja ka lënë të hapur mundësinë për një rikthim.

Ndërkohë, Nicole po shkëlqen edhe në aktrim. Ajo fitoi çmimin prestigjioz Olivier për rolin e Norma Desmond në Sunset Boulevard dhe këtë vit po debuton me të njëjtin rol në Broadway, një arritje që e quan “ëndërr të bërë realitet”.

Përveç angazhimeve në teatër, Scherzinger ka konfirmuar se po punon për projekte të reja muzikore, duke lënë hapur derën që së shpejti fansat të dëgjojnë këngë të reja solo – ose ndoshta rikthimin e një prej grupeve më të njohura të vajzave në botë./KultPlus.com

Gonxhja: Vijon puna për restaurimin e Kishës së Shpërfytyrimit në Herbet të Dibrës

Kisha e Shpërfytyrimit në Herbet të Dibrës e cila daton në shek. XI-XII po restaurohet.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja u shpreh sot Instituti Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore po vijon punimet intensive për restaurimin e Kishës së Shpërfytyrimit.

Ai shprehet se kjo është një nga kishat më të vjetra monument kulture në Shqipëri që daton në shek. XI-XII.

“Ringritja e kambanores dhe hajatit të jashtëm, restaurimi i çatisë, konsolidimi i muraturës, pastrimi i fasadës, si dhe punimet e brendshme do ta kthejnë këtë vend kulti në një nga perlat e trashëgimisë sonë”, theksoi Gonxhja në një postim në rrjetet sociale.

Gonxhja nënvizoi se kjo vepër e vyer e arkitekturës bizantine po i rikthehet komunitetit dhe historisë sonë kombëtare./atsh/KultPlus.com

Një vit para ndarjes nga jeta, Artur Zheji shkruante për vdekjen

Jo më larg se një vit më parë, gazetari dhe publicisti i ndjerë Artur Zheji, i cili u nda papritur nga jeta këtë të shtunë, kishte shkruar një reflektim të ndjerë për vdekjen.

Shkrimi, i publikuar më 3 tetor 2024, shquhet për gjuhën e tij letrare dhe tingëllon sot si një postulat profetik për fatin tragjik që e goditi autorin. Zheji e përshkruante vdekjen si një fenomen që vjen befas, një “Zonjë madhështore” që shfaqet pa paralajmërim, duke e vendosur njeriun përballë kufirit të pashmangshëm.

Në rreshtat e tij, ai e quante atë “Mbretëreshë të Zezë”, një figurë e heshtur dhe absolute që nuk pyet as për kohë, as për vend. Dhe pikërisht kjo “Mbretëreshë” e mori papritur gazetarin në udhëtimin e tij të fundit, duke lënë pas një boshllëk të madh në mediat dhe kulturën shqiptare.

Shkrimi i plotë:

Ka pak raste të rralla, ku njeriu i vogël, apo njeriu i vetëpandehur i madh, zhubroset, tkurret dhe vjen befas në vete!

Krenare dhe me vështrim të tejpërtejshëm, duke kërrusur në trup dhe në fytyrat e vrerosura, madhështitë e rreme të viktimave të saj të ardhshme.Dhe zagarët ndjehen zagarë dhe jo ndonjë kafshë tjetër.

Dhe kobrat ndjehen nëpërka tinzare e të pabesa, kokëulura dhe banuese të vrimave të fshehta ku thurrin planet e kafshimeve të ardhshme helmuese…

Dhe titullarët e pushtetit trullosen dhe ndjehen Askushi, kur shohin në sytë pa sy Mbretëreshën e Zezë.

Këtë Zonjë madhështore që një ditë vendos Drejtësi Hyjnore, mbi vampirët hipokritë të së përditshmes, ngjeshur dhe fshehur fort mirë, mbas kostumeve dhe kollareve të shtrenjta.

Ata, kinse të vrerosur, parakalojnë kokëulur, në funeral, buzë Zonjës Madhështore, Mbretëreshës së Zezë, me duart me unaza të arta, që ju fshehin paq njollat e gjakut që nuk ju lahen dot.

Ajo qëndron mbi krye të udhëtarit të rradhës për në Botën tjetër dhe i kqyr të gjithë si i kqyr Shqiponja, minjtë brejtës të Vendit tim.

Dhe Mbretëresha, që lodron si fllad në atë log të përzishëm, dëgjon lutjet e tyre të heshtura, që ta shtyjnë sa më shumë takimin me të, të Pakorruptueshmen Absolute!

Por Ajo, e Madhërishmja, vazhdon të lodrojë si fllad, mbi atë gumëzhitje milingonash, gjarpërinjsh e hienash dhe përkëdhel ëmbël veç ata, që njerëzisht vuajnë vërtetë për të ndjerin që Ajo ka ardhë të marrë me vete…

Këtë perceptim ndjeva kur sodisja Funeralin e Shtetit për Ismail Kadarenë në udhëtimin e tij ndërmjet dy Botëve.

Shkrimtari i mprehtë dhe ironik, virtuoz dhe vetmitar në më të shumtën e jetës së tij, vështroi së fundmi shumë nga personazhet që kishte qesëndisur dhe tallur, të mbanin rradhën në funeralin e tij.

Në të vërtetë, kjo është hakmarrja e tmerrshme e mikrobotës, ndaj atyre që i kanë shpërfillur së gjalli, ju vijnë në funeral, duke ja trazuar qetësinë që lipset në këto raste.

Ndaj dhe e mirëkuptova thellësisht Helena Kadarenë, që largoi turmën e Hiçave të shumtë, në çastet e shkurtra të ndarjes me Ismailin e saj.

Kush nuk kupton, nuk është më puna ime!

/KultPlus.com

Një muzë e pazakontë për një artist të jashtëzakonshëm

Sue Tilley, një punonjëse e zakonshme e një zyre pune në Londër gjatë viteve ’90, u bë e pavdekshme në artin bashkëkohor falë Lucian Freud, një ndër portretistët më të rëndësishëm të shekullit të 20-të. Ai krijoi katër tablo të saj lakuriq, përfshirë veprën më të famshme “Benefits Supervisor Sleeping” (1995), e cila u shit për një rekord botëror në vitin 2008.

Freud ishte i njohur për mënyrën e tij të sinqertë, shpesh të ashpër, të portretizimit të trupit të njeriut. Në Tilley, ai gjeti një subjekt që nuk i përngjante normave tradicionale të bukurisë, ajo ishte një grua e madhe, por me prani të jashtëzakonshme. Nëpërmjet linjave të saj të trupit dhe shprehjes natyrale, Freud arrinte të kapte diçka thellësisht njerëzore dhe poetike. Ai thoshte se nuk e vendoste dikë në pikturë për t’ia bërë më të këndshme syrin shikuesit, por për të zënë hapësirën si një entitet i gjallë.

Tilley dhe Freud kaluan muaj të tërë së bashku gjatë pozimit, për më shumë se nëntë muaj për një portret. Ajo e përshkruan atë si një njeri kompleks: gazmor, i ndërlikuar, grykës për thashetheme, por edhe i vështirë. Përfundimisht, marrëdhënia e tyre u ndërpre pas një fyerjeje të lehtë që ai e mori për zemër. Edhe pse portretet e saj u shitën për miliona, Tilley mori vetëm pagesat e vogla ditore si modele, pa përfitime financiare nga shitjet.

Para se të bëhej e famshme si “Benefits Supervisor”, Tilley ishte pjesë e skenës underground të Londrës në vitet ’80, e rrethuar nga figura si Leigh Bowery, një ikonë e performancës dhe modës. Më pas, ajo vetë u bë shkrimtare, artiste dhe influencuese e kulturës alternative. Në vitet e fundit, është rikthyer te arti me një stil të saj origjinal dhe ka ekspozuar punimet në galeri prestigjioze.

Në një akt simbolik, Tilley ka pikturuar një autoportret lakuriq në një pjatë, me titullin “The Benefit Supervisor Has Woken Up”, një përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj mënyrës se si ajo është portretizuar nga Freud: si një figurë në gjumë, pasive. Ky veprim e vendos atë jo më si muzë, por si krijuese. Tashmë, ajo është në kontroll të narrativës së saj.

Sue Tilley është më shumë se një trup në një kanavacë. Ajo është një grua me ndikim, një dëshmitare e skenave më ikonike të artit dhe kulturës queer të shekullit të kaluar, dhe një artiste më vete. Edhe pse nuk përfitoi financiarisht nga fama që solli figurës së saj, ajo ka fituar diçka tjetër: një vend të përhershëm në historinë e artit dhe një zë të fuqishëm si krijuese./BBC/KultPlus.com

Zbulohet lista e ngushtë për aktorin e ri të James Bond: Tre emra në garë

Pas muajsh spekulimesh, drejtuesit e Amazon dhe MGM kanë ngushtuar listën e kandidatëve për aktorin që do të luajë James Bond-in e ri. Sipas raportimeve të Variety, në garë kanë mbetur vetëm tre emra: Jacob Elordi, Tom Holland dhe Harris Dickinson.

Edhe pse përzgjedhja fokusohet te aktorë britanikë nën moshën 30-vjeçare, Elordi – australian – mbetet në listë si përjashtim. Filmi i ri do të drejtohet nga regjisori i njohur Denis Villeneuve, i cili ka deklaruar se ky projekt është “një nder i madh dhe një përgjegjësi e shenjtë”, duke theksuar lidhjen e tij personale me këtë ekskluzivitet që prej fëmijërisë.

Pas marrëveshjes me producentët e mëparshëm Barbara Broccoli dhe Michael G. Wilson, Amazon mori kontrollin krijues të serisë, ndërsa producentët e rinj Amy Pascal dhe David Heyman pritet të përcaktojnë drejtimin e ardhshëm të agjentit legjendar 007.

Sipas raportimeve, xhirimet mund të zhvendosen nga Londra në Liverpool, për shkak të kufizimeve filmike në kryeqytet. Ekspertët e industrisë parashikojnë që filmi të dalë në fund të vitit 2026 ose 2027.

Ndërkohë, fansat kishin besuar se aktori Patrick Gibson do të ishte zgjedhja e re, sidomos pas lançimit të lojës së re “007: First Light”, ku ai jep zërin e një James Bond-i 26-vjeçar. Pamjet e para nga loja tregojnë agjentin në aksion klasik me Aston Martin, skena spiunazhi dhe humorin karakteristik, duke ndezur edhe më shumë debatet për të ardhmen e James Bond-it./KultPlus.com


Ndërron jetë në moshën 64-vjeçare gazetari i njohur, Artur Zheji

Gazetari i njohur shqiptar, Artur Zheji, është ndarë nga jeta në moshën 64-vjeçare.

Sipas burimeve, Zheji ka pësuar një arrest kardiak teksa ndodhej në një restorant në rrugën “Butrinti” në Sarandë, ku po drekonte me bashkëshorten dhe djalin.

Ai u transportua me urgjencë me autoambulancë drejt spitalit “Petro Nako” në Sarandë, por fatkeqësisht mbërriti atje pa shenja jete.

Artur Zheji ishte një nga figurat më të spikatura të medias dhe opinionit publik në Shqipëri, me një karrierë të gjatë si gazetar dhe analist./panorama/KultPlus.com

Shpallen 3 projektet fitues për filma me metrazh të gjatë në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë

Në një aktivitet të zhvilluar pranë Qendrës Kombëtare të Kinematografisë (QKK), janë shpallur tre projektet fituese që do të realizohen si filma artistikë me metrazh të gjatë, në kuadër të mbështetjes së QKK-së për kinematografinë kombëtare dhe bashkëprodhimet ndërkombëtare.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, tha se “këto projekte të reja përfaqësojnë zëra të ndryshëm krijues dhe sjellin histori me potencial të lartë artistik dhe kulturor për ekranin shqiptar dhe ndërkombëtar”. Filmat fitues janë: “Diell i Ftohtë”, Produksioni: Artalb Film Productions, Regji & Skenar: Gentian Koçi, Producent: Blerina Hankollari. Filmi i dytë “E Bardhë… E Kuqe” me produksion ARTFILM P&D, Regji & Skenar: Pluton Vasi, Producent: Vjollca Dedei. Filmi i tretë fiturs u shpall, “Revoltë në Ferr” me produksion Mediavision, Regji: Namik Ajazi dhe skenar Visar Zhiti dhe producent Namik Ajazi.

Ministri Gonxhja, përgëzoi ekipet fituese dhe theksoi rëndësinë e mbështetjes së talenteve vendase, duke nxitur zhvillimin e industrisë së filmit dhe promovimin e Shqipërisë në skenën ndërkombëtare të kinemasë.

Projektet pritet të marrin jetë së shpejti dhe të sjellin në jetë histori që pasqyrojnë realitete, emocione dhe sfida të reja./atsh/KultPlus.com

Nga Gucci tek Diori i rremë: Shqipëria u thotë stop produkteve fallco

Për vite me radhë, konsumatorët shqiptarë janë mashtruar nga produkte të prezantuara si “luksoze”, por që në realitet ishin thjesht imitime. Çanta, këpucë e rroba me logot e Gucci-t, Louis Vuitton-it apo Dior-it, janë shitur me çmime “të leverdishme”, por pa garanci dhe pa asnjë vlerë të vërtetë. Kjo ka kthyer tregun shqiptar, sidomos atë online, në një hapësirë të mbushur me reklama dhe produkte të falsifikuara.

Më 16 gusht hyn në fuqi ligji i ri për markat tregtare, i cili synon t’i japë fund këtij fenomeni. Sipas tij, çdo produkt që shkel të drejtat e pronësisë intelektuale do të ndalohet në dogana, duke parandaluar importin dhe eksportin e mallrave të falsifikuara.

Rregullat e reja prekin edhe udhëtarët: produktet e blera jashtë vendit që rezultojnë imitime të markave të njohura do të konfiskohen në pikat doganore. Në këtë mënyrë, synohet të garantohet që vetëm mallrat origjinale dhe brenda kufijve ligjorë të futen në Shqipëri.

Një tjetër risi ka të bëjë me mbrojtjen e markave ndërkombëtare. Pronari i një marke jo vetëm që mund të ngrejë padi kundër atyre që shesin imitime, por edhe të kërkojë dëmshpërblim. Neni 87 i ligjit parashikon qartë sanksione për përdorim të paautorizuar të markave dhe mundësi që pronarët të kërkojnë nisjen e hetimeve zyrtare nga Drejtoria e Pronësisë Industriale.

Vetëm në vitin 2024, Dogana shqiptare bllokoi mbi 40 mijë produkte të falsifikuara, shifër që tregon vetëm “majën e ajsbergut”. Pasojat e këtij tregu janë të mëdha: biznese të ndershme pësojnë humbje, ndërsa konsumatorët përballen me produkte të rrezikshme për shëndetin, veçanërisht në fushën e kozmetikës dhe këpucëve me materiale toksike.

Një Shqipëri pa mallra “fake” do të thotë një treg më transparent, më i sigurt dhe më i drejtë për konsumatorët. Por sfida kryesore mbetet zbatimi i ligjit: pa një kontroll të rreptë nga doganat, policia dhe Drejtoria e Pronësisë Industriale, rrugët alternative të kontrabandës nuk përjashtohen.

Megjithatë, hyrja në fuqi e këtij ligji përbën një goditje të fortë ndaj atyre që kanë përfituar për vite nga mashtrimi me logot e markave të njohura dhe një hap të rëndësishëm drejt pastrimit të tregut shqiptar./KultPlus.com

Dua Lipa feston 30-vjetorin: “20-at ishin magji, mezi pres çfarë sjell e ardhmja”

Superylli me origjinë nga Kosova, Dua Lipa, ka festuar ditëlindjen e saj të 30-të duke ndarë një mesazh falënderues për fansat dhe të dashurit e saj. Në një postim emocionues, ajo tha se dekada e kaluar ka qenë plot magji, dashuri, sfida e mësime të vlefshme.

“Ky vit i fundit ka qenë më i miri deri tani. Jam pafundësisht mirënjohëse për familjen time, miqtë, partnerin dhe për çdo hap të këtij udhëtimi. Njerëzit që mbaj afër janë arritja ime më e madhe,” shkroi Dua.

Ajo falënderoi gjithashtu fansat për mbështetjen që nga koncertet e para në klube të vogla deri te stadiumet e mëdha si Wembley. “Muzika ka qenë ura që na ka lidhur, dhe çdo moment e mbaj me vete,” shtoi ajo.

Dua Lipa konfirmoi se pas pak ditësh rikthehet në turin e saj ndërkombëtar “Radical Optimism”, me koncertet që do të zhvillohen në Kanada, SHBA dhe Amerikën Latine deri në fund të vitit.

“E dua këtë jetë, këtë udhëtim, dhe nuk marr asnjë moment të mirë si të mirëqenë. Ja për 30 vitet e ardhshme e më shumë – gjithçka bëhet edhe më e bukur,” përfundoi ajo./KultPlus.com

10 fakte të lashta për Ramsesin e Madh

Nga arritjet ushtarake deri te jeta e tij personale, zbuloni 10 fakte për Ramsesin e Madh, një nga faraonët më të famshëm të Egjiptit.

Ramses II sundoi Egjiptin me stil, fuqi dhe një talent të jashtëzakonshëm. Ai ishte sundimtari i tretë i Dinastisë së Nëntëmbëdhjetë dhe mbretëroi për plot 66 vite, duke fituar pseudonimin “Ramsesi i Madh” dhe duke u bërë faraoni më i njohur në historinë e Egjiptit.

1. Luftëtari që udhëhiqte nga fronti

Ramsesi nuk ishte tipi që fshihej pas mureve të pallatit. Ai luftonte në vijat e para të frontit nëpër beteja, duke udhëhequr ushtrinë e tij në Betejën e madhe të Kadeshit kundër Hititëve. Mijëra qerre u përleshën në këtë betejë historike. Edhe pse beteja përfundoi pa një fitues të qartë, Ramsesi siguroi që versioni i tij i historisë të mbizotëronte, duke skalitur heroizmat e tij si luftëtar në muret e tempujve.

2. Diplomati i parë

Pas Kadeshit, Ramsesi dhe Hititët zgjodhën paqen. Marrëveshja e tyre, e firmosur nga Ramsesi II dhe mbreti Ḫattušili III në vitin 1269 p.e.s., u gdhend në pllaka balte. Ajo është traktati më i hershëm i paqes i njohur në botë. Origjinali ruhet në Muzeun Arkeologjik të Stambollit, ndërsa Kombet e Bashkuara zotërojnë një kopje prej bakri me shkëlqim.

3. Arkitekti i madhështisë

Ramsesi nuk ndërtoi thjesht tempuj; ai krijoi kryevepra. Ramseseum-i, një tempull i madh mortor i ndërtuar në bregun perëndimor të lumit Nil, është kryevepra e tij. Ai e filloi ndërtimin e këtij tempulli për veten që para vdekjes.

Tempulli iu kushtua mbretit të ndjerë dhe perëndisë egjiptiane të luftës, Amonit. Një statujë 17 metra e gjatë e Ramsesit II qëndronte dikur në krye të tempullit, por sot kanë mbetur vetëm fragmente.

Abu Simbel është një tjetër shembull mahnitës i ambicies së tij. Tempulli i lashtë është gdhendur në faqen e një mali dhe është ndërtuar në mënyrë të tillë që rrezet e diellit të ndriçojnë dhomat e brendshme në ditë të caktuara. Në hyrje të tempullit ndodhen skulptura të mëdha të Ramsesit II, bashkë me imazhe të gruas së tij, Nefertari, dhe fëmijëve. Brenda tempullit ndodhen skulptura që lartësojnë udhëheqjen e tij heroike në Betejën e Kadeshit. 

4. Njeri i familjes (në ekstrem)

Me rreth 100 fëmijë, Ramsesi siguroi dominimin e gjakut të tij. Djemtë dhe vajzat e tij ndihmuan në forcimin e aleancave dhe administrimin e perandorisë së gjerë. Të organizoje mbledhje familjare me kaq shumë njerëz duhet të ishte një sfidë e vërtetë.

5. Faraoni me mbretërimin më të gjatë

Pak sundimtarë në histori mund të krahasoheshin me sundimin 66-vjeçar të Ramsesit. Ai u mbijetoi dallgëve, zgjeroi ndikimin e Egjiptit dhe siguroi reputacionin e tij si një perëndi e gjallë. Në kohën e vdekjes së tij, populli e shihte si të përjetshëm.

6. Një varr me histori të trazuar

Varri i Ramsesit nuk u shpëtoi grabitësve të varreve, por mumia e tij mbijetoi dhe u zbulua më vonë në një strehë sekrete. Sot, eshtrat e tij prehen në Muzeun Kombëtar të Qytetërimit Egjiptian në Kajro, një kujtesë fizike e sundimit të tij.

7. Mjeshtër i propagandës

Ramsesi ishte një mjeshtër i PR-it të lashtë. Përshkrimet e tij e portretizonin si një luftëtar të pamposhtur, shkatërrues të armiqve dhe të preferuar të perëndive. Me pak fjalë, ai e dinte si të kontrollonte narrativën e tij.

8. Nefertari: mbretëresha dhe e barabarta e tij

Ramsesi nuk glorifikoi vetëm veten; ai nderoi në një mënyrë të veçantë mbretëreshën e tij, Nefertari. Tempulli i saj në Abu Simbel e portretizon si të barabartë me faraonin. Një mbishkrim e quan atë “ajo për të cilën shkëlqen dielli”, një shfaqje e rrallë publike e dashurisë në kohët e lashta.

9. Jetë më e gjatë se trashëgimtarët

Jetëgjatësia e Ramsesit nuk ishte pa sfida. Shumë nga fëmijët dhe gratë e tij vdiqën para tij. Mosha e tij e thyer e la Egjiptin në një gjendje të qëndrueshme, megjithëse gjetja e një pasardhësi pas një mbretërimi kaq të gjatë ishte e vështirë.

10. Një emër që jeton ende

Ramsesi mbeti një simbol madhështie edhe shumë kohë pas vdekjes. Trashëgimia e tij pati ndikim mbi faraonët pasardhës dhe vazhdon të mahnitë historianët modernë. Edhe në kulturën popullore, emri i tij evokon imazhe fuqie dhe lavdie.

Gjatë një periudhe prej rreth 3,000 vitesh, Egjipti u sundua nga rreth 170 faraonë. Jo të gjithë magjepsin egjiptologët si Ramsesi i Madh. Ai nuk ishte vetëm një sundimtar; ishte ambasadori i fundit i markës së Egjiptit. / bota.al/ KultPlus.com

‘Hëna në rrjetë’, NASA publikon foton e ditës

Hëna e plotë në rrjetë.

Ky është titulli i fotos sugjestive që NASA e ka zgjedhur si ‘foto astronomike e ditës’ dhe e ka publikuar në faqen zyrtare të internetit të agjencisë hapësinore amerikane.

Pamja tregon rrjetën e peshkimit të Trabocco në Punta Tufano, në provincën e Chieti-t, duke kapur hënën vjollcë që ngrihet mbi det.

Imazhi, i bërë më 9 gusht dhe i publikuar sot nga NASA, është nga Marco Bellelli, një mjek nga Lanciano me pasion për fotografinë dhe astronominë.

‘Gjëja e mirë nuk na pëlqen, nëse nuk jemi në lartësinë e saj’

Thënie nga Friedrich Nietzsche:

Jeto çdo ditë të jetës sate sikur të ishte e para, sikur të ishte e fundit.
Çfarë s’më vret, më bën më të fortë.
Një femër e bukur ka diçka të ngjashme me të vërtetën: të dyja japin më shumë kënaqësi kur i dëshiron sesa kur i zotëron.
Çdo gjëje ia dimë çmimin, asgjëje vlerën.
Gjëja e mirë nuk na pëlqen, nëse nuk jemi në lartësinë e saj.
Te femra gjithçka është enigmë, por gjithçka ka zgjidhje: kjo quhet shtatzëni.
Koha ime nuk ka ardhur akoma: disa lindin para kohe.
Për femrën, mashkulli është një mjet, qëllimi i të cilës është përherë një fëmijë.
Nëse bashkëshortët nuk do të jetonin bashkë, martesat e mira do të ishin shumë më tepër.
Meshkujt hiqen si të pashpirt, por në fakt, femrat janë të tilla. Femrat hiqen si të ndjeshme, por në fakt, meshkujt janë të tillë.
Jeta përbëhet nga çaste të rralla me intensitet të madh e intervale të panumërta. Por, pjesa më e madhe e njerëzve, duke mos njohur çastet magjike, jeton vetëm intervalet.
Të mos flasësh aspak për veten është hipokrizi e sofistikuar.
Nëse të gjitha lëmoshat do të jepeshin vetëm për mëshirë, të gjithë lypësit do të vdisnin urie.
Gjumi nuk është art i vogël: duhet kaluar e gjithë dita zgjuar për ta arritur.
Kështu arsyetojnë të gjithë peshqit: “gjësë që ata s’ia prekin fundin, është pa fund”.
Femra qe gabimi i dytë i Zotit.
Në dashurinë e vërtetë, shpirti përqafon trupin.
Nëse shikon gjatë brenda errësirës, edhe errësira do të shikojë brenda teje.
Në hakmarrje e në dashuri femra është më e egër sesa mashkulli.
Pak janë femrat e ndershme që nuk janë lodhur së luajturi këtë rol.
E duam jetën, jo ngaqë jemi të prirë të jetojmë, por ngaqë jemi të prirë të duam.
Të gjithë duan fronin, sikur lumturia të gjendej në fron! Shpesh në fron rri llumi, e shpesh edhe froni është mbi llum.
Ka gjithmonë një grimcë çmendurie në dashuri, ashtu siç ka gjithmonë një grimcë logjike në çmenduri.
Zoti ka vdekur. Zoti mbetet i vdekur. Ne e kemi vrarë.
Poetët nuk kanë skrupuj kundrejt përvojave intime të tyre: i shfrytëzojnë.
Nuk është forca, por aftësia e një ndijimi të gjatë që i bën njerëzit superior.
Suksesi ka qenë gjithmonë gënjeshtari më i madh.
Asnjë fitues nuk i beson rastësisë.
Të qeshësh do të thotë të kënaqesh me vuajtjen e tjetrit, por me ndërgjegje të qetë.
Shpesh, një nënë, më shumë se të birin, do veten e saj në të.
Disa nëna kanë nevojë për fëmijë të palumtur, që të mund të shfaqin mirësinë e tyre prej nëne.
Armiqtë duhet t’i urreni, jo t’i përçmoni: duhet të jeni krenarë për armiqtë që keni.
Parapëlqej njerëzit që janë të tejdukshëm si ujërat, që lejojnë të shohim papastërtitë në fund.
Njeriu është vetëm një gabim i Zotit apo Zoti është vetëm një gabim i njeriut?
Fati ynë ushtron ndikimin e tij mbi ne edhe kur ne nuk e kemi kuptuar natyrën e tij: e ardhmja jonë përcakton ligjet e të sotmes sonë.
Nuk mund të ketë një Zot, pasi po të kishte, nuk mund të mos isha unë.
Pa muzikë, jeta do të ishte një gabim.
Kush ka një “sepse”, kalon çdo “si?”.
Nuk ekzistojnë fenomene morale, ekzistojnë vetëm interpretime morale të fenomeneve.
Edhe hyjnitë, më kot luftojnë kundër mërzisë.
Më mirë të biesh në duart e vrasësit se në ëndrrat e femrës epshore.
Pas një njeriu që ka rënë në ujë hidhemi pa ngurrim, nëse përreth nesh ka njerëz që nuk guxojnë ta bëjnë.
A duhet mallkuar patjetër atje ku nuk mund të dashurohet?
Femra mëson të urrejë gradualisht me humbjen e aftësisë së magjepsjes.
Është shenjë dalluese e madhështisë, lumturimi i të tjerëve me dhurata të vogla.
Meshkujt duan dy gjëra: rrezikun dhe lojën. Për këtë arsye ata duan femrën, si lojën më të rrezikshme.
Avantazhi i një kujtese të keqe është se mund t’i shijosh disa herë gjërat për herë të parë.
Insektet nuk pickojnë se janë shpirtligj, por sepse duan të jetojnë; po kështu edhe kritikët: duan gjakun tonë, jo dhimbjen tonë.
Kujtesa më thotë se unë e kam bërë këtë gjë, krenaria më thotë se nuk e kam bërë: më në fund kujtesa lëshon pe.
Duhet të kemi një kaos përbrenda për të ngjizur një yll vallëzues.
E vërteta është një prej shumë joshjeve letrare.
Sa më lart të ngjitesh, aq më i vogël do t’u dukesh syve ziliqarë.
Kush nuk ka krahë, të mos qëndrojë mbi greminë.
Jo çdo fjalë i përshtatet çdo goje.
Edhe Zoti ka ferrin e tij: është dashuria që ai ka për njerëzit.
Femrat edhe mund të lidhin miqësi me një mashkull, por që ta mbajnë atë, nevojitet ndonjë antipati e vogël fizike.
Femrat e shoqërisë së lartë mendojnë se diçka nuk ekziston, nëse nuk mund të flitet haptas për të.
Femra nuk është e aftë për miqësi, ajo njeh vetëm dashurinë.
Duhet më shumë kurajë për të ndaluar apo për t’u kthyer pas, sesa për të bërë përpara.
E vërteta është se e vërteta ndryshon.
E ardhmja e ndikon të tashmen aq sa e shkuara.
Nëse ke shumë për të dhënë, një ditë ka mijëra xhepa.
Diell, po të mos ishin njerëzit që i ngroh e u jep jetë, ç’kuptim do të kishte lindja jote?
Në fakt, dashuria e ka shpagimin e saj ashtu si në qiell edhe mbi tokë.
Dashuria është ajo gjendje në të cilën njeriu i sheh gjërat ndryshe nga ç’janë.
Çfarë bëhet për dashuri është gjithmonë përtej të mirës dhe të keqes.
Çdo ditë çuditem: unë nuk e njoh veten.
Kemi artin që të mos vdesim prej se vërtetës.
E kam të vështirë të mbaj mend qëndrimet e mia, pa kujtuar arsyet për këto qëndrime.
Kush shkruan aforizma dhe i shkruan ato me gjak, nuk dëshiron ta lexojnë, por ta mësojnë përmendësh./ KultPlus.com

 Grace Yee: Bora

Poezia është përfshirë në Muajin australian të poezisë, gjatë të cilit organizohen festivale, evente dhe punëtori. The Guardian ka botuar këtë poezi me këtë rast, të bashkëngjitur me komentin e autorës

BORA

Nga Grace Yee

në këtë lagje të hirshme, dikush prore humbet ndonjë këpucë (një snikër, një me lëkurë krokodili, një sandale gladiatori)

në ditën e fundit të verës ti më prite para derës 

së gjelbër. Unë mbërrita me biçikletën time (tiktake spicash 

e ankthesh) e ti u gajase vesh me vesh – ne jemi dhëmbë 

ne jemi djathë ne jemi kafshë shtëpiake në qytet!

      iu ramë kryq e tërthorë fushave paksa të pjerrëta 

pa harta as navigatorë. ti u shtrive gjer e gjatë 

mbi bari, krahët e mi në gjoksin tënd, pasdita rrotull nesh 

nonshalante. 

      brenda dritaret janë të qelibarta, të kaltra dhe të gjelbra, unë 

nuk i shoh kuajt të kullosin në ara, nuk i dëgjoj gjinkallat 

të çiftohen. korridori është një limuzinë e heshtur, dera jote krijon 

shtalka braili dhe dhoma jote është një jorgan me pupla me shirita 

të trëndafiltë – 

      ekonomi premium, the ti – unë qesha dhe ti 

më shtyve dhe unë piskata dhe ramë në krevat dhe

jorgani me pupla na hodhi poshtë dhe shkapërdau puplat ngado rreth nesh

snow 

by Grace Yee

in this charming quarter, someone always loses a shoe (a sneaker, a croc, a gladiator sandal)

on the last day of summer you waited for me by the green/ gates. I rode up on my bicycle (ticking spokes and/ trepidations) and you grinned from ear to ear – we are teeth/ we are cheese we are pets in the city!// we stroll around the grounds weakly perpendicular/ without maps or navigations. you lie spreadeagled on the/ grass, my wings at your chest, the afternoon around us
nonchalant.//inside the windows are amber, blue and green, I/ don’t see horses grazing in the fields, I don’t hear cicadas/ mating. the corridor’s a hushed limousine, your door yields/ shelves of braille, and your room is a pink-striped/ eiderdown –// premium economy, you said – I laughed and you/
pushed me and I shrieked and we fell onto the bed and the/ eiderdown kicked us off and shook its feathers all around us

SHËNIM I AUTORES:

‘bora’ filloi me një ëndërr që e kisha parë para më shumë njëyet vjetësh. Në ëndërr kishte dyer të gjelbra, një biçikletë dhe një jorgan me pupula me vija të trëndafilta. Asokohe, fëmijët e mi ishin shumë të vegjël dhe marrëdhënia ime martesore po shkërmoqej. Ëndrra qe një lehtësim i përkohshëm, një dëshirë e pjekur dhe jo e pakëndshme. 

Pjesa më e rëndësishme e javës sime atëbotë ishte një dy orësh i orës së poezisë. Pikërisht aty e kam bërë skicën e parë të poezisë ‘bora’, me nevoja e saj të pakëta të fshehta dhe frikërat: “miqtë”, një “kapellë me tulla të kuqe”, “këmbët e lagura” në “linoleumin e ftohtë”. E kam lexuar një version të hershëm të poezisë në leximin tim të parë publik, një ngjarje e hapur me zërim. Kishte poetë shumë të njohur aty, shumica e tyre burra. Kur e paralajmërova titullin, njëri prej tyre u kukuris. E mora këtë si shenjë që ta mbaja këtë titull.

Kur e rishikova ‘borën’ këtë vit, fillova me shënimet e vjetra rreth ëndrrës dhe ditarin që e kisha mbajtur vitin e kaluar gjatë një udhëtimi për në fshatin e të parëve të mi në Guangdong, Kinë. Po kërkoja gjëra tokësore që të qartësonin peizazhin e ëndrrës. 

“Kafshët në qytet” janë kotelet për shitje në një qoshk rruge afër Sheshit të Mjekësisë Qingping në Guangzhou; “qelibar, kaltër dhe gjelbër” vjen nga dritaret me xhama me ngjyra “katër stinët” që zbukurojnë shtëpitë e shekullit të hershëm XX në provincën afër Taishanit; dhe “shtalka braili” është marrë nga dhoma e leximit për persona me shikim të dëmtuar në Bibliotekën Baiyun. 

Në kuptimin e peshës, ‘bora’ është shumë më e lehtë se shumica e poezive që kam shkruar gjatë viteve të fundit. Është diçka e përhanur. Rëndom unë nuk sillem si e përhanur. 

Stanca e fundit ka mbetur po ajo që nga skicimi i parë – përveç frazës “ekonomi premium”. Më pëlqen se si fillon kjo stancë me fluturimin dhe përfundon me rrëzimin. 

/redroompoetry.org

/Përkthimi: Gazeta Express/ KultPlus.com

Cirku Kombëtar performancë mbresëlënëse në ‘Farbifestival’ në Zvicër

Artistët e Cirkut Kombëtar kanë performuar për herë të parë në Wetzikon të Zyrihu-t një performancë mbresëlënëse në kuadër të Festivalit “Farbifestival” duke dhuruar emocione, pasuri kulturore dhe argëtim për të gjitha moshat.

Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja ndau në rrjetet sociale foto nga ky event duke theksuar se “trupa jonë magjike pushtoi për tre netë skenën e Faerbi Festival në Wetzikon–Zyrih, duke sjellë ngjyra, energji dhe diversitet kulturor që mahniti publikun”.

“Mbrëmjet u moderuan me shumë stil nga Shqipe Sylejmani dhe Marguerite Meyer, ndërsa në sallë kishim kënaqësinë të kishim pranë përfaqësues të Ambasadës së Shqipërisë dhe Konsullatës së Kosovës”, shprehet Gonxhja.

Ministria Gonxhja nënvizoi se, ky është vetëm fillimi, pasi “kalendari ynë do të pasurohet edhe me më shumë evente ndërkombëtare, krahas turneve në qytetet e Shqipërisë”.

‘Zbardhje’ dhe ‘Dua të shkoj sërish në det’ shpallen fitues të Koproduksioneve Minore nga QKK

Në Qendrën Kombëtare të Kinematografisë (Shqipëri) dje janë shpallur dy fitues në kategorinë Minority Co-production, të cilët pritet të sjellin në jetë dy bashkëprodhime ndërkombëtare.

Fituesit në kategorinë Minority Co-production janë filmat nga Kosova:

«ZBARDHJE»
Papadhimitri Film Production (Shqipëri)
Producent: Dionis Papadhimitri
Regji: Kaltrina Krasniqi
Skenar: Doruntina Basha
Vera Films (Kosovë)

«DUA TË SHKOJ SËRISH NË DET»
Artalb Film Productions (Shqipëri)
Producent: Blerina Hankollari
Plan Bee Films (Kosovë)
Regji & Skenar: Leart Rama

Profesionistët nga Qendra Kombëtare e Kinematografisë janë shprehur entuziastë që t’i shohim këto projekte të marrin jetë në ekranin e madh. Projekte të tilla premtojnë jo vetëm bashkëpunime të frytshme mes Shqipërisë dhe Kosovës, por edhe histori të fuqishme që do të pasurojnë kinemanë shqiptare në arenën ndërkombëtare./ KultPlus.com

‘Valë dhe fjalë’, panairi i parë veror i librit në Shëngjin

 “Valë dhe fjalë”, panairi i parë veror i librit që e shndërron Shëngjinin në kryeqendrën e letërsisë shqiptare u çel mbrëmë në një aktivitet që mblodhi shkrimtarë e botues nga gjithë trevat shqiptare.

Aktiviteti u organizua nën ideimin e shkrimtarit te talentuar Liridon Mulaj dhe me mbështetjen e bashkisë Lezhë.

Kryetari i bashkisë Lezhë, Pjerin Ndreu vlerësoi organizmin e këtij panairi ku merrnin pjesë 20 shtëpi botuese, shkrimtarë, kritikë, zyrtarë e pushues nga gjithë trevat e vendit.

“Lezha ngelet qytet i dashur për librin. I quajtur qyteti i muzës, aktivitete të tilla i japin më shumë energji jetës së përditshme. Nder dhe privilegj që kishim mes nesh, deputeten e Kuvendit të Kosovës Shqipe Selimi, si dhe Kryetaren e Komunës së Presheves Ardita Sinani”, u shpreh Ndreu.

Shtëpitë botuese më të njohura në vend prezantuan në këtë panair botimet e tyre më të fundit. Po ashtu, 6 panele me emra të njohur të letrave shqipe diskutuan mbi tema që prekin historinë, të tashmen dhe të ardhmen e letërsisë./atsh/ KultPlus.com

Marigo Pozio, vajza që qëndisi flamurin e Pavarësisë

Si sot, 93 vjet më parë, u nda nga jeta Marigo Pozio, gruaja simbol e Pavarësisë së Shqipërisë dhe e flamurit shqiptar. Ajo lindi në Hoçisht të Korçës, më 2 shkurt të vitit 1878. Punoi për përhapjen e shkollave shqipe, si edhe për zhvillimin e ndërgjegjes kombëtare.

Në vitin 1908, u bë anëtare e klubit “Labëria” (klub i cili kishte për qëllim ngritjen e shkollave shqipe dhe nxitjen e ndjenjës atdhetare). Mori pjesë në organizimin e orkestrës së klubit, ku u aktivizuan edhe dy vajzat e saj. U dallua për fjalimet me frymë patriotike përpara popullit dhe për artikujt e botuar në organet e shtypit shqiptar të mërgimit.

Marigo Pozio qëndisi flamurin që u ngrit ditën e Shpalljes së Pavarësisë. Ishte veprimtare e palodhur dhe luftëtare për emancipimin e grave. Bashkë me një nga vajzat e saj, organizuan shoqërinë e parë të grave (1914) në qytetin e Vlorës. U vu në krye të komisionit për mbledhjen e ndihmave për luftëtarët dhe për të shpërngulurit e krahinave jugore, të pushtuara nga trupat greke më 1914.

Më 1921, riorganizoi shoqërinë e grave “Shpresa Kombëtare” në Vlorë dhe drejtoi gazetën e saj me të njëjtin emër, në të cilën botoi artikuj për zhvillimin dhe emancipimin e femrës.

U nda nga jeta në Tiranë, më 23 gusht 1932.

Burimi nga: Llambi Durolli, Fatmira Musaj, Fjalor Enciklopedik Shqiptar, Nr. 3, Akademia e Shkencave e Shqipërisë, Tiranë, 2009, faqe 2077.

Koncert solemn nderimi për 115 vjetorin e lindjes së Shën Nënë Terezës

Me rastin e 115-vjetorit të lindjes së Shën Nënë Terezës dhe 20-vjetorit të bekimit të gurthemelit të Katedrales “Nëna Terezë” do të organizohet një koncert solemn në nderim të jetës dhe veprës së shenjtëreshës Shën Nënë Terezës.

Përmes kësaj mbrëmjeje që vjen si ndërthurje e artit, kujtesës dhe mirënjohjes shënohet zyrtarisht edhe fillimi i “DITËVE TË NËNË TEREZËS” 2025.

“Kjo mbrëmje do të sjellë një ndërthurje arti, kujtese dhe mirënjohjeje, në përulësi ndaj një figure që i përket mbarë njerëzimit dhe tempullit të saj në zemër të Prishtinës” thuhet në njoftim.

Koncerti mbahet  më 26 gusht 2025, në orën 19:30, në Katedralen “Shën Nënë Tereza”. Pas koncertit organizohet edhe koktej në Qendrën “Bogdanipolis”./ KultPlus.com

Shiu

Poezi nga: William Carlos Williams
Përktheu: Maksim Rakipaj

Ashtu sikur bie shi
bën edhe ti
me dashurinë tënde
gjithçka të zbuluar
lag kudo

Në shtëpitë
krejt të terura
dhomat
e dashurisë së paligjshme
ku jetojmë
dëgjohet rrebeshi
i shiut

Atje
pikturat
metalet e çmuar,
stofrat e shtrenjtë
harbimi ynë
i kënaqur
kundron
nga dritaret
rrebeshin pranveror
të dashurisë tënde
rënien
e shiut

Pemët
bëhen
si kafshë të lagura
nga ujët e detit
çurg
u kullon
gjithë trupi

Kështu më shkoi jeta
të mbaj larg dashurinë
me të cilën
si shi bie
mbi botën e pranverës,
çurgon
dhe kështu fjalët ndan
derisa gjen një shteg
për dashurinë e saj.

Përmes rrjedhin
pikat.

Shiu
si mjek dashamirës
shiu i mendimeve të saj
mbi oqean
e ngado
ku kalojnë
me këmbët e shpejta, të padukshme
mbi dallgët e pambrojtura

Dashuri jo e kësaj bote
ku shpresa për botën s’ka
dhe pas dëshirës
s’mund ta ndryshojë

Bie shiu përmbi dhé
mbi bar e mbi lule

Përsosmërisht vjen
në trajtë të lëngët
kthjelltësie

Por dashuria s’është
e kësaj bote
dhe prej saj
asgjë nuk vjen
pos dashuri
që pafundësisht
vazhdon të bjerë
nga mendimet e saj./ KultPlus.com

❌