Babai i Jobe Bellingham ndalohen të hyjnë në zhveshtoren e Dortmundit pasi u konfrontua me trajnerin Niko Kovac
Borussia Dortmund ka vendosur të ashpërsojë rregullat e brendshme, duke ndaluar hyrjen e familjarëve në dhomat e zhveshjes, pas një incidenti që ndodhi të shtunën dhe që përfshiu babain e Jobe Bellingham.
Në ndeshjen hapëse të Bundesligës kundër St. Pauli, Dortmundi shpërdoroi epërsinë 3-1 dhe u ndal në barazim 3-3, duke shkaktuar tension të madh në skuadër. Situata u përkeqësua edhe më shumë kur Mark dhe Denise Bellingham, prindërit e lojtarit, u shfaqën të pakënaqur me zëvendësimin e djalit të tyre në pushimin e pjesës së parë dhe pritën në tunel për t’u përballur me drejtuesit e klubit.
Sipas Sky Sports Germany, Mark Bellingham, i cili është edhe këshilltar i Jobe-s, pati një diskutim të ngarkuar emocionalisht me drejtorin sportiv të Dortmundit, Sebastian Kehl, ku shprehu zhgënjimin për zëvendësimin dhe për lojën e ekipit. BILD raportoi se ai madje kërkoi takim të drejtpërdrejtë me trajnerin Niko Kovac.
Disa lojtarë të Dortmundit dyshohet se u befasuan nga intensiteti i reagimit të tij, që lidhej si me minutat e kufizuara të Jobe-s, ashtu edhe me humbjen e dy pikëve në fund.
Megjithatë, drejtori menaxhues i klubit, Lars Ricken, e minimizoi ngjarjen, duke thënë se bëhej fjalë vetëm për një bisedë emocionale. Ai shtoi se në të ardhmen do të vendoset një rregull strikt që vetëm lojtarët, trajnerët dhe stafi i klubit të kenë qasje në zonën e zhveshjes.
“Familja e Jobes fluturoi posaçërisht për ndeshjen e parë të tij në Bundesligë dhe donte ta takonte pas ndeshjes. Ishte një moment emocional, por jo problem. Megjithatë, situata të tilla nuk do të përsëriten më,” u shpreh Ricken.
Jobe Bellingham, i transferuar këtë verë nga Sunderland për 32 milionë funte, u largua nga fusha pas vetëm 45 minutash në debutimin e tij në Bundesligë. Dortmundi dukej në kontroll me epërsinë 3-1, por pësoi dy gola në fund, duke humbur fitoren.
19-vjeçari kishte ndihmuar më parë Sunderlandin të ngjitej në Premier League dhe ka nënshkruar kontratë pesëvjeçare me Dortmundin. Ai ka theksuar se transferimi i tij nuk kishte lidhje direkte me gjurmët e vëllait të tij, Jude Bellingham, i cili shkëlqeu për tri vite te Dortmundi përpara kalimit te Real Madrid në vitin 2023. /Telegrafi/
The post Babai i Jobe Bellingham ndalohen të hyjnë në zhveshtoren e Dortmundit pasi u konfrontua me trajnerin Niko Kovac appeared first on Telegrafi.