Pretendimi: Gazetari shqiptar Artur Zheji mohoi sëmundjen pak para se të ndërronte jetë
Verdikti: Mungon konteksti
——————————————–
Në vazhdën e lajmeve për vdekjen e papritur të gazetarit shqiptar Artur Zheji më 23 gusht 2025, një artikull i Gazeta Dita pretendon se ky i fundit kishte “bërë një ndërhyrje kirurgjikale në Gjermani disa muaj më parë. Por ai i mohoi lajmet se ishte sëmurë.”
Në brendinë e tij , artikulli citon një intervistë ku Zheji “ka pohuar se ndodhet në Sarandë me familjen dhe se lajmet që qarkullojnë për semundjen e tij të janë si “puçrrat që u dalin fëmijëve nga djersa e vapës”. Ai pranoi se ka kryer një ndërhyrje të lehtë kirurgjikale në Gjermani, por sipas tij këto tre muaj ka preferuar të kujdeset për vetën, duke hequr “prizat’ nga zhvillimet e përditshme.”
Megjithatë, një kërkim i tekstit të intervistës së cituar shpejt zbulon se “operacioni në Gjermani dhe mohimi i sëmundjes” nuk ka ndodhur së fundmi, por mbi 6 vite më parë.
“Këto dy tre muajt e fundit, u kujdesa për shëndetin, më me vëmëndje se më parë, pasi bëra një ndërhyrje kirurgjikale të lehtë dhe të shpejtë, në Gjermaninë e bekuar nga Zoti.
Porse fill pas kësaj, kam parapëlqyer të heq “prizat”, nga e përditshmja mediatike dhe politike shqiptare, për të ulur stresin dhe kotësinë e rënies në kurthin e lajmeve të verës, që shpesh janë të ngjashme me puçrrat që u dalin fëmijëve nga djersa e vapës.”
Pretendimi: Gazetari shqiptar Artur Zheji nuk vdiq nga zemra, por nga vaksinat
Verdikti: E paprovuar
———————————————
Gjatë viteve të fundit grupet anti-vaksinë shfrytëzojnë vdekjen e kujtdo për të pretenduar se shkaku është e ashtuquajtura ‘vraksina’ anti-Covid. Viktima më e fundit e kësaj teorie është publicisti shqiptar Artur Zheji, i cili ndërroi jetë më 23 gusht 2025.
Kështu, një artikull i portalit Patriotik Media Albania parashtron pretendimin e jashtëzakonshëm se Zheji, në të vërtetë, nuk ka vdekur nga një arrest kardiak, siç u raportua, por nga “vaksinat dhe nga sistemi që fsheh të vërtetën.”
Ajo që sillet si ‘provë’ për këtë pretendim është fakti se Zheji “e ka pranuar se kishte bërë një numër të madh vaksinash,” duke e shoqëruar këtë pretendim me një citim të shkëputur nga një pyetje apo koment të Zhejit, ku kërkohet më shumë transparencë, gjatë një emisioni televiziv.Artikulli nuk sqaron se cilat vaksina, dhe nuk provon asnjë lidhje mes vaksinave, të pakta apo të shumta, dhe vdekjes.
Artikulli pretendon se “Zheji ishte i ekspozuar ndaj pasojave të vaksinave që, sipas studimeve ndërkombëtare, mund të shkaktojnë dëmtime kardiovaskulare edhe tek personat që më parë nuk kishin sëmundje të zemrës.” Megjithatë, “studimet ndërkombëtare” në fjalë nuk citohen.
Artikulli ngre dyshime mbi versionin zyrtar të atakut kardiak, duke pretenduar se Artur Zhehi nuk kishte histori sëmundjesh të zemrës. Përkundër këtij pretendimi, publicisti i ndjerë kishte deklaruar edhe publikisht kryerjen e një ndërhyrjeje në Gjermani në vitin 2019, pra përpara shpërthimit të Covid-19 dhe fushatave të vaksinimit, dhe që prej këtij momenti ishte këshilluar nga mjekët që të kryente sa më shumë aktivitet sportiv.
Sipas Qendrës amerikane për Kontrollin e Sëmundjeve, rreziku (i panjohur) nga miokarditi dhe perikarditi pas marrjes së vaksinës anti-Covid ekziston kryesisht tek meshkujt adoleshentë dhe të rinj. Kur vdiq, Zheji ishte 63 vjeç.
Policia italiane këtë javë mbylli grupin në Facebook “Mia Moglie” (“Gruaja ime”) , ku mijëra burra postonin dhe shkëmbenin foto intime të grave pa pëlqimin e tyre. Grupi kishte rreth 32,000 anëtarë dhe kishte vepruar që nga viti 2019, duke mbledhur qindra mijëra imazhe, nga foto të bëra pa dijeninë e grave deri te materiale që ato kishin ndarë me partnerët e tyre që përfundonin në internet pa leje.
Sipas policisë italiane, pati më shumë se 2,000 ankesa drejtuar Metës dhe autoriteteve, të cilat menjëherë ndërmorën veprime, duke e mbyllur grupin më 20 gusht. Shkeljet përfshijnë shpifjen dhe shpërndarjen e materialit erotik pa pëlqim, një vepër penale e dënueshme në Itali deri në gjashtë vjet burg, sipas ligjit të “pornografisë hakmarrëse” në fuqi që nga viti 2019.
“Rrëfej se nuk kam parë kurrë fraza kaq shqetësuese në një grup rrjetesh sociale”, tha Barbara Strapato, zëvendësdrejtoreshë e Policisë Italiane, duke shtuar se agjencia e saj punoi “24 orë në ditë” për të mbyllur faqen.
Përpara se grupi të hiqej, postimet përmbanin qindra komente, shumë prej të cilave me përmbajtje seksuale sugjestive ose edhe të dhunshme. Shkrimtarja dhe aktivistja Carolina Capria, e cila e nxori në dritë çështjen, përshkroi ndjesinë e “sëmundjes” dhe “frikës” kur pa përmbajtjen. “Lidhja midis dhunës dhe seksualitetit është aq thellë e rrënjosur në kulturën tonë saqë në një grup publik, burrat shkruajnë pa fshehur emrat ose fytyrat e tyre”, tha ajo. Ajo e nxori në dritë çështjen duke postuar pamje të ekranit të grupit dhe duke e raportuar atë tek autoritetet, gjë që shkaktoi raportime masive dhe protesta publike.
Postimi i fundit i administratorëve, pak para mbylljes, i nxiti anëtarët të kalonin në një grup “të ri, privat dhe të sigurt”, me shumë mundësi në platformën Telegram. Policia paralajmëron se grupe të ngjashme janë rishfaqur shumë herë në aplikacione të tjera, duke përfituar nga anonimati dhe bashkëpunimi i kufizuar i disa ofruesve me autoritetet.
Përpara se faqja të hiqej, postimet përmbanin qindra komente, shumë prej të cilave ishin me përmbajtje seksuale ose edhe të dhunshme.
Incidenti ka ngritur shqetësime në lidhje me shkallën e fenomenit dhe është krahasuar me rastin Pelicot në Francë, ku vitin e kaluar Dominique Pelicot u dënua me 20 vjet burg për abuzim dhe përdhunim të gruas së tij me pjesëmarrjen e burrave të tjerë, të cilët ai i ftoi të ngacmonin seksualisht gruan e tij.
Hetimi për “Mia Moglie” vazhdon me autoritetet që identifikojnë dhe kontaktojnë gratë që shfaqen në pamjet filmike, ndërsa dosja e çështjes do t’i përcillet prokurorisë së Romës për ndjekje të mundshme penale.
Pretendimi: Zonja e parë e ShBA Melania Trump është mbesa e Anastasia Romanov, një nga vajzat e carit të fundit rus Nikolla II Romanov
Verdikti: E paprovuar
———————————————
Në hapësirat konspiracioniste online po qarkullon pretendimi i pazakontë se Anastasia Romanov, vajza më e vogël e carit të fundit rus është gjyshja e zonjës së parë së ShBA Melania Trump.
Si zakonisht, postimi i mësipërm nuk përmban ndonjë referencë apo ndonjë burim për të mbështetur pretendimin e jashtëzakonshëm.
Pas Revolucionit Rus të vitit 1917, Nikolla II u rrëzua nga froni dhe më 17 korrik 1918, u vra së bashku me gruan, katër vajzat dhe djalin e tij nga mbështetësit e bolshevikëve. Kjo i dha fund dinastisë Romanov dhe Rusia nuk ka patur më një familje mbretërore që atëherë.
Menjëherë pas ekzekutimit, qarkulluan thashetheme se Anastasia kishte mbijetuar mrekullisht. Në 1920, një grua u shfaq në Berlin, më vonë e quajtur Anna Anderson. Disa besonin se gruaja mund të kishte qenë Anastasia. Megjithatë, testet e ADN që atëherë kanë përjashtuar mundësinë që kjo grua të ishte Anastasia.
Anastasia ishte 17 vjeç në kohën e ekzekutimit të saj. Ajo nuk ishte ende e martuar dhe nuk ka të dhëna për ndonjë fëmijë që mund të ketë pasur.
Sa i përket gjasave që vajza e re t’i ketë mbijetuar ekzekutimit të familjes së saj, pas rënies së Bashkimit Sovjetik, trupat e Romanovëve u zhvarrosën në vitin 1991.
Fillimisht, në varr u gjetën vetëm eshtrat e carit, gruas së tij dhe tre fëmijëve (Olga, Tatiana dhe Maria ose Anastasia). Kjo ringjalli thashethemet se Anastasia me të vërtetë i kishte mbijetuar ekzekutimit.
Megjithatë, në 2007, dy trupa të tjerë u gjetën në një varr aty pranë, që më vonë u zbulua se ishin Alexei dhe vajza e katërt. Testet e ADN më vonë konfirmuan se këta ishin vërtet Romanovët.
Prindërit e Melania Trump kanë lindur në vitet 1944 dhe 1945. Postimi nuk specifikon nëse Anastasia Romanov pretendohet të jetë gjyshja e Melania Trump nga nëna apo nga babai. Megjithatë, duke qenë se ajo vdiq në 1918, vështirë se mund të ketë qenë nëna e ndonjërit prej prindërve të Melania. Gjyshja e Melania Trump nga nëna është Amalia Ulčnik (mbiemri i vajzërisë Gliha), sipas shtypit slloven. Gjyshja e saj nga babai është Antonija Ribi.
Pretendimi: Leonora Jakupi dhuron 10 mije euro për këdo që arrin të plotësojë në mënyrë perfekte foton
Verdikti: E pavërtetë, Skemë mashtrimi
———————————————————
Një postim nga faqja “𝐋𝐞𝐨𝐧𝒐𝐫𝒂 𝐉𝐚𝐤𝒖𝐩𝐢𝒊 𝐅𝐚𝐧𝐬•” që është parë mbi 45 mijë herë në Facebook duket se tregon një foto të këngëtares kosovare me mbishkrimin “Unë do të dhuroj 10,000 € Kush arriti të bëjë në mënyrë perfekte foton më poshtë.”
Ideja e lojës është që përdoruesit që ‘arrijnë’ të ndalojnë videon e sipërme në momentin kur rrethi me flamurin shqiptar të jetë plotësisht mbi rrethin e zi do të marrin 10 mijë euro nga Leonora Jakupi.
Megjithatë, nëse komentojmë çfarëdolloj fjale në këtë postim, faqja na dërgon një mesazh personal duke na falenderuar dhe pyetur në cilin qytet jetojmë.
Më pas, na dërgon një mesazh automatik që kushtëzon marrjen e çmimit me shpërndarjen e postimit në 5-10 grupe brenda 15 minutash. Kjo paçka se, fillimisht, i vetmi kusht për të marrë çmimin ishte “të bëjë në mënyrë perfekte foton.”
Këto përshkallëzime të kushteve për marrjen e çmimit duhet të bëjnë lexuesin skeptik të heqë dorë nga çmimi, duke dyshuar tashmë edhe në ekzistencën e tij.
Me gjasa kemi të bëjmë me një skemë mashtrimi.
Faqja zyrtare e këngëtares Leonora Jakupi ka mbi 200 mijë ndjekës dhe nuk ka bërë asnjë postim, ku ofron shpërblime për ndjekësit.
Faktoje ka verifikuar dhe më parëskema të tillamashtrimi që përdornin imazhin e këngëtares Leonora Jakupi dhe personalitetesh të tjera të politikës dhe artit që njihen gjerësisht në hapësirat shqiptare.
Pretendimi: Në këtë video, gruaja e Daniel Shimës tregon se çfarë zbuluan kamerat për drejtorin e zhdukur
Verdikti: E pavërtetë
————————————————————————-
Një video e botuar më 21 gusht 2025 nga kanali Vjosa TV pretendon të përmbajë fjalët e gruas së “drejtorit të zhdukur” Daniel Shima mbi çfarë zbuluan kamerat e sigurisë.
Video duket se i referohet lajmit të bujshëm për ish-zv.drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë Kombëtare të Shoqërisë së Informacionit (AKSHI) Daniel Shima, i cili u deklarua i zhdukur nga familjarët më 20 gusht 2025, për t’u rishfaqur disa orë më vonë.
Megjithatë, shikuesi kurioz do të zhgënjehet kur të shohë videon.
Në të, nuk përmendet, e aq më pak të flasë, gruaja e Shimës. Kjo sepse ajo në fakt nuk ekziston. Shima nuk rezulton të jetë i martuar dhe raportimet në media flasin për një partnere ose të dashur. Daniel Shima kur u kthye tha se ishte larguar me dëshirë, pas një konflikti me partneren e tij.
Më tej, video premton të tregojë çfarë “zbuluan kamerat për Daniel Shimën”, por zhgënjen duke thënë se “kamerat e asaj zone i kishin fshirë pamjet duke ngritur akoma më shumë dyshime se një dorë e fuqishme qëndron pas kësaj ngjarjeje.”
Për këtë pretendim, si zakonisht, nuk sillet ndonjë provë apo burim. Asnjë njoftim i policisë apo raportime të mediave të tjera nuk përmendin fshirjen e kamerave. Përkundrazi, gazetarja Klodiana Lala raporton se kamerat e sigurisë e kanë filmuar Shimën në makinën e tij në Qytetin Studenti dhe deri në dalje të tunelit të rrugës Tiranë-Elbasan.
Pretendimi: Shkenca në Britani konfirmon se vaksinat kundër Covid-19 shkaktojnë kancer
Verdikti: Mungon konteksti
Barbara Halla
Disa postime të publikuara në Facebook përgjatë gushtit ringjallën narrativën se vaksinat kundër COVID-19 kanë shkaktuar rritje në numrin e kancereve agresive. Postimet pretendojnë se ky rrezik është konfirmuar tashmë nga studimeve shkencore në Britani, duke mbështetur dyshimet e grupeve skeptike ndaj vaksinimit gjatë pandemisë.
Origjina e këtij lajmi duket se është një artikull i tabloid-it britanik Daily Mail, i publikuar në 23 mars 2025, i cili është i disponueshëm për lexuesit vetëm përkundrejt abonimit. Kjo duket se e ka bërë më të vështirë për ndjekësit e postimeve në rrjetin social që të konsultojnë detajet e artikullit origjinal.
Faktoje.al verifikoi më tej faktet e sjella nga tabloidi britanik për të zbuluar se vetë autorja e artikullit nuk pretendon se lidhja e vaksinës dhe kancerit mbështetet mbi studime shkencore. Kjo lidhje shkak-pasojë është mbështetur nga disa mjekë, të përmendur kryesisht në një intervistë me gazetarin Piers Morgan. Përgjatë intervistës me Morgan, Angus Dalgleish – i cili është onkolog, por jo një ekspert mbi vaksinat – sugjeron se përdorimi i vaksinave kundër COVID-19 mund të lidhet me rritjen e rasteve të kancerit, ose përsëritjen e tij tek pacientët. Megjithatë, kjo deklarata e Dalgleish bazohet në histori personale dhe jo në të dhëna apo studime shkencore.
Në fakt, nuk ekziston asnjë studim i shkallës së gjerë që të tregojë se vaksinat shkaktojnë ose përkeqësojnë rastet e kancerit. Për shembull, organizata Cancer Research UK, organizata më e madhe e pavarur në botë për studimin e kancerit, konfirmon se nuk ka asnjë provë që tregon një lidhje midis vaksinave kundër COVID-19 dhe kancerit. Qendra akademike për studimet shkencore në SHBA, Mayo Clinic, vërteton po ashtu që pretendimet se vaksinat kundër COVID-19 shkaktojnë kancer janë të pabaza.
Artikulli i Daily Mail ka cituar disa doktorë, por jo doktorë që merren me studime shkencore mbi kancerin apo vaksinat. Për më tepër, ky artikull i referohet gjithashtu Robert F. Kennedy Jr., Sekretarit të Shëndetit amerikan në qeverinë e dytë të Donald Trump. Kennedy njihet si një figurë që është skeptik ndaj vaksinave dhe është verifikuar nga ekspertët mjekësorë dhe verifikuesit e fakteve si një person që shpërndan dizinformim mbi vaksinat. Vetë Faktoje ka hedhur poshtë disa nga teoritë që ai ka shpërndarë ndaj vaksinave.
Tabloidi britanik Daily Mail, njihet për tituj sensacionalistë. Organizata Media Bias/Fact Check e cilëson besueshmërinë e Daily Mail në nivelin “Low” (“të ulët”).
Ekspertët në fushë konfirmojnë se nuk ka prova se vaksina kundër COVID-19 shkakton kancer apo ka rritur numrin e rasteve të kancerit.
Ideja që vaksinat shkaktojnë “kancer” është pjesë e një ekosistemi më të gjerë të teorive të konspiracionit ndaj COVID që kanë lulëzuar që nga viti 2020. Këtu përfshihen pretendime të rreme se vaksinat ndryshojnë ADN-në e njeriut, përmbajnë mikroçipa ose shkaktojnë infertilitet masiv. Pavarësisht popullaritetit të tyre, këto pretendime janë hedhur poshtë disa herë nga shkencëtarët dhe autoritetet shëndetësore, siç e ka verifikuar më parë edhe Faktoje.
Pretendimi: SHBA e bleu Alaskën për vetëm 7.2 milionë dollarë
Verdikti: Mungon konteksti
Ditët e fundit, disa media shqiptare kanë qarkulluar lajmin se SHBA e ka blerë shtetin e Alaskës nga Rusia për vetëm 7.2 milionë dollarë. Duke përdorur tituj sensacionalë, këto artikuj e kanë përshkruar shitjen e Alaskës si “çmenduri,” ose kanë shtuar pikëçuditëse në fund për të vënë në dyshim këtë çmim që konsiderohet tepër i ulët. Megjithëse shifra është e saktë, në këto artikuj nuk shpjegohet një detaj mjaft i rëndësishëm, faktin që ky është çmimi me të cilin SHBA e bleu Alaskën në vitin e largët 1867. Duke marrë parasysh historikun e inflacionit, ky çmim në ditët e sotme do të ishte rreth 157 milionë dollarë.
Ndërkohë, artikuj te tjerë kanë shkruar tituj spekulativë për të bërë të duket sikur situata e Alaskës është vënë në pikëpyetje, apo një marrëveshje e re mund të ndodhë midis Amerikës dhe Rusisë.
Në fakt, asnjë nga këto detaje nuk përmendet as në artikullin vetë, i cili fokusohet tek historiku i kësaj marrëveshje midis Amerikës dhe Rusisë përgjatë takimit që Putin dhe Trump mbajtën për të diskutuar luftën e Rusisë në Ukrainë. Ky takim u mbajt në Anchorage, qytetin më të madhë të shtetit. Si pasojë, këtu bëhet fjalë për një artikull, i cili është publikuar në mes të një serie lajmesh me tituj të ekzagjeruar për përmbajtjen e takimit.
Shuma prej 157 milionë dollarësh mund të duket si shumë e ulët për një territor si ai i Alaksës, i cili ka një sipërfaqe prej rreth 1,518,800 kilometrash katror. Megjithatë, historia e blerjes së Alaskës është më e komplikuar. Përmes negociatave të udhëhequra nga Sekretari i Shtetit i SHBA-së William H. Seward dhe i dërguari rus Eduard de Stoeckl, një marrëveshje u nënshkrua më 30 mars 1867 dhe u ratifikua nga Senati i SHBA-së. Alaska ju transferuar SHBA-ve më datë 18 tetor 1867, ditë që tani përkujtohet si Dita e Alaskës.
Rusia vendosi ta shiste territorin e Alaskës për një sërë arsyesh siç e shpjegon The New York Times, duke përfshirë frikën se Britania e Madhe apo fuqive të tjera evropiane, që kishin territore në Kanadanë e sotme, mund ta sulmonin Rusinë përmes Alaskës. Në atë kohë, disa kritikë e tallën marrëveshjen, duke e quajtur atë si “Marrëzia e Seward,” duke e akuzuar Sekretarin e Shtetit se kishte harxhuar miliona për të blerë një tokë pa vlerë. Megjithatë, vlera e Alaskës si territor do të rritej në vitet në vazhdim, pasi territori doli të kishte burime të shumta ari dhe nafte.
Pretendimi: Kjo video tregon një bombardues të vërtetë amerikan B-2 Spirit
Verdikti: E pavërtetë
Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon një avion bombardues amerikan B-2 Spirit. Të njëjtët avionë u përdorën nga ushtria amerikane për të bombarduar në fundin e qershorit bunkerët nëntokësorë ku ruhej teknologjia e prodhimit nuklear në Iran.
Megjithatë, shikuesi skeptik do të vërrejë me sy të lirë se kjo video nuk duket natyrale apo autentike.
Ndriçimi shumë perfekt, prania e pakuptimtë e makinave të policisë aty pranë, dhe pamja jo natyrale e godinave në sfond na bën të dyshojmë.
Kështu, me anë të motorrit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti videon origjinale të postuar në Facebook nga faqja e dedikuar videolojërave IronGaming.
Postimi i IronGaming shoqërohet me përshkrimin “duke luajtur Microsoft Flight Simulator 2024,” një videolojë që simulon fluturimin.
Video e mësipërme nuk është e vërtetë, ajo është pjesë e një videoloje që simulon fluturimin e avionëve të modeleve të ndryshme.
Avioni B-2 Spirit në videolojën Microsoft Flight Simulator 2024
Pretendimi: Toka është e sheshtë dhe kjo na është fshehur që ne të mos shkojmë në kontinentet e tjera përtej Antarktidës
Verdikti: E pavërtetë
—————————————————–
Publicisti Alfred Cako ka ndarë në rrjetet e tij sociale pretendimin se “s’na tregojnë që toka është e sheshtë […] sepse nuk duan që ne të shkojmë në kontinentet e tjera përtej Antarktidës.” Ky pretendim shoqërohet me një hartë të Tokës së Sheshtë në fjalë, ku duket një mur akulli i etiketuar “Antarktida” që ndan kontinentet e njohur nga një sërë masash tokësore që mbajnë emra kontinentesh legjendare, mitike dhe fantastike.
Pretendime të tilla të jashtëzakonshme duhet, detyrimisht, të shoqërohen me prova të jashtëzakonshme. Megjithatë, si zakonisht, konspiracionistët nuk ofrojnë asnjë provë, aq më pak të jashtëzakonshme.
Harta që shoqëron postimin është marrë nga një libër i autorit Claudio Nocelli.
“Muri i akullit”, ose ideja se Antarktida nuk është një kontinent në fund të globit, por në të vërtetë një mur që rrethon Tokën, është një koncept i konspiracionistëve të Tokës së Sheshtë, që besojnë se Toka nuk është një planet i rrumbullakët, por një rrafsh i sheshtë.
Pretendimet rreth çka shtrihet jashtë murit të akullit variojnë. Disa thonë se vazhdon pafundësisht, ndërsa një teori tjetër është se ka kontinente të fshehura përtej murit.
Në vitin 2019, Konferenca Ndërkombëtare e Tokës së Sheshtë thuhet se u përpoq të organizonte një lundrimnë Antarktidë për të provuar teorinë e tyre. Lundrimi, megjithatë, nuk ndodhi.
Antarktida ndodhet në jug të planetit tonë, dhe rrethohet nga Oqeani Jugor.
Platformat e akullit ekzistojnë në Antarktidë, dhe kërkimet tregojnë se ato luajnë një rol kyç në ruajtjen e temperaturave të oqeanit, gjë që stabilizon klimën.
Megjithatë, këto nuk janë mure që rrethojnë skajin e një Toke të sheshtë.
Sipas Qendrës Kombëtare të të Dhënave të Dëborës dhe Akullit në SHBA, platformat e akullit janë “pllaka të përhershme lundruese akulli që lidhen me tokën” me platformat më të mëdha të akullit “të mëdha sa Teksasi apo Franca” të vendosura në Antarktidë.
Gjeologia akullnajore Bethan Davies tha për USAToday se nuk do të ishte e mundur që muri i pretenduar i akullit të ekzistonte pa një masë tokësore të lidhur me të.
Antarktida “është e rrethuar nga platformat lundruese të akullit, të cilat më parë janë ngatërruar nga teoricienët e Tokës së Sheshtë me mure akulli”, tha ajo. “Platformat e akullit duhet të ngjiten në kontinent… Një mur rrethor akulli do të ishte i paqëndrueshëm dhe për shkak të mungesës së rrjedhës së akullnajës, akulli i akullnajave do të hollohej me shpejtësi dhe do të shpërbëhej.”
Studiuesit vunë në dukje se, nëse Toka do të ishte e sheshtë, gjëra si graviteti, dielli dhe fushat magnetike nuk do të silleshin siç sillen aktualisht.
James Davis, një gjeofizikant në Columbia, thotë se shërbime të tilla si GPS nuk do të ishin të mundshme në një tokë të sheshtë, sepse satelitët nuk do të ishin në gjendje të rrotulloheshin rreth planetit.
Në fakt, në vitin 2019, fizikantët u sfiduan në American Journal of Physics për të zhvilluar një “përgjigje të thjeshtë, të drejtpërdrejtë” për të hedhur poshtë ‘provat’ e një Toke të sheshtë.
Fizikanti në pension Bruce Sherwood përdori një simulim 3D të një Toke të sheshtë për të treguar se si gjërat do të dukeshin me sy të lirë nëse do të jetonim atje në vend të një Toke sferike.
Ai zbuloi se një nga mospërputhjet kryesore midis një Toke të sheshtë dhe një ‘Tokë të rrumbullakët’ do të ishte ndryshimi i madhësisë së diellit dhe yjeve të tjerë, si dhe rritja e dukshmërisë së yjësive që tani shfaqen vetëm në hemisferat jugore ose veriore.
Këto efekte nuk vërrehen sepse Toka nuk është e sheshtë: ajo është një sferoid.
Pretendimi: Kjo foto tregon ushtarë amerikanë duke iu ulur në gjunjë presidentit rus Vladimir Putin gjatë pritjes së tij në Alaska
Verdikti: Mungon konteksti
——————————————-
Një imazh nga samiti mes presidentit amerikan Donald Trump dhe homologut të tij rus Vladimir Putin po shpërndahet nga media me tituj që pretendojnë se ai tregon “ushtarët amerikanë [që] iu ulën në gjunjë Putin gjatë pritjes.”
Megjithatë, siç vërrehet në foto, dhe siç shpjegohet edhe në brendinë e artikullit të mësipërm, ushtarët amerikanë janë ulur në gjunjë për të shtruar tapetin e kuq pranë shkallëve të avionit të Putin, dhe nuk po i gjunjëzohen presidentit rus, i cili nuk është i pranishëm në foto.
Një video e plotë e ngjarjes i tregon ushtarët duke shtruar tapetin e kuq duke e rrotulluar, përpara se të gjunjëzohen për ta fiksuar përfundimisht. Presidenti Putin shfaqet disa minuta më pas dhe zbret shkallët e avionit për të shtrënguar duart me presidentin Trump.
Ceremonitë e vijës së fluturimit janë pjesë e çdo vizite shtetërore në ShBA, përveç nëse është një vizitë private. Një kryetar shteti ose qeverie që viziton zakonisht do të mbërrijë me anë të një avioni. Kur avioni i vizitorit të ketë përfunduar lëvizjen, një ekip tokësor zhvendos shkallët ajrore në pozicionin e tyre te dera e avionit dhe shtron një qilim të kuq. Në takimin e fundit Trump-Putin, përdorimi i ushtarëve për shtrimin e qilimit të kuq ishte i justifikuar nga fakti që bisedimet u zhvilluan në brendësi të Bazës së Përbashkët të Forcave Ajrore dhe Ushtrisë së SHBA-së “Elmendorf-Richardson”, e vendosur në juglindje të Alaskës, pak në veri të qytetit Anchorage.
Ekipi i Donald Trump është kritikuar për urdhërimin e ushtarëve amerikanë që të shtronin tapetin e kuq për presidentin rus Vladimir Putin.
Pretendimi: Kjo video tregon vajzën e deputetit Niko Peleshi
Verdikti: E pavërtetë
——————————————————–
Një video që po qarkullon në rrjetet sociale shqipfolëse pretendohet se tregon vajzën e deputetit socialist shqiptar Niko Peleshi.
Video shoqërohet edhe me një intervistë të Peleshit ku ai flet për situatën e zjarreve dhe argumenton mungesën e avionëve apo helikopterëve zjarrfikës në dispozicion të vendit tonë, një debat i nxehtë i javëve të fundit.
Megjithatë, me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti videon origjinale, të botuar më 4 gusht 2025 në Instagram nga modelja e përmbatjeve për të rritur Skylar Mae.
Aleksia Peleshi, vajza e Niko Peleshit, gjithashtu, e ka mohuar se video tregon atë.
Pretendimi: Një kompani treni japoneze ka kërkuar falje dhe ka rimbursuar pasagjerët për një vonesë 35-sekondëshe të trenit
Verdikti: Gjysmë e vërtetë
—————————————————————
Njënumërmediashshqipfolëseraportuan në gusht 2025 se në Japoni, një kompani trenash kishte kërkuar falje dhe kishte rimbursuar biletat e pasagjerëve pasi treni ishte vonuar 35 sekonda.
Sipas artikujve, “një drejtues treni Shinkansen kërkoi falje publike nga pasagjerët pasi treni i tij mbërriti 35 sekonda me vonesë në stacionin e destinacionit. Si pjesë e kulturës japoneze të përgjegjësisë dhe respektit ndaj udhëtarëve, kompania vendosi të rimbursojë plotësisht të gjithë pasagjerët, pavarësisht se vonesa ishte më pak se një minutë.”
Megjithatë, ato nuk citojnë ndonjë burim apo referencë për këtë lajm.
Në Japoni, ka raste të dokumentuara të kompanive të trenave që kërkojnë falje edhe për nisje të parakohshme 20-30 sekonda. Një shembull është Tsukuba Express, e cila në 2017 kërkoi falje zyrtare sepse një tren u nis 20 sekonda më herët.
Megjithatë, rimbursimet nuk përmenden kurrë. Për më tepër, sipas rregullave zyrtare të JR (Hekurudhat e Japonisë) në lidhje me Shinkansen, një rimbursim i plotë është i disponueshëm vetëm në rast të një vonese prej të paktën dy orësh. Ky rimbursim varet gjithashtu nga lloji i biletës. Vetëm biletat e blera me tarifën ekspres, jo me tarifën standarde, janë të rimbursueshme.
Shënim:Data 20 gusht 2025 GazetaSinjali e ka korrigjuar lajmin, pas verfikimit të të Faktoje. Lajmit të raportuar i është ndryshuar vlerësimi fillestar në Facebook.
Pretendimi: Pasqyrimi i gjatë i diellit mbi sipërfaqen e detit provon se Toka nuk është sferë, por e sheshtë
Verdikti: E pavërtetë
——————————————————-
Një imazh që po qarkullon në hapësirat konspiracioniste pretendon se pasqyrimi i diellit mbi sipërfaqen e detit provon se Toka është e sheshtë.
Shkëlqimi i diellitështë një dritë e ndritshme dhe vezulluese që formohet kur rrezet e diellit reflektohen nga valët e ujit. Një valëzim nga një sipërfaqe e lëmuar lokalisht, siç është uji me valë, do ta reflektojë diellin në kënde të ndryshme në çdo pikë të sipërfaqes së valëve. Si rezultat, një shikues në pozicionin e duhur do të shohë shumë imazhe të vogla të diellit, të formuara nga pjesë të valëve të orientuara saktë për të reflektuar dritën e diellit tek shikuesi.
Si formohet shkëlqimi i diellit
Imazhi përdor formën e gjatë të reflektimit të diellit në një sipërfaqe uji për të ‘vërtetuar’ se Toka është e sheshtë. Në realitet, forma e reflektimit është rezultat i sipërfaqes së valëzuar të ujit. Kjo mund të ndodhë lehtësisht në një sipërfaqe të lakuar dhe nuk vërteton një formë specifike të Tokës.
Konspiracionistët e Tokës së Sheshtë krijojnë një ‘simulim’ për të treguar se një sipërfaqe e lakuar nuk formon formën e reflektimit të ngjashme me atë që vëzhgojmë gjatë perëndimit të diellit dhe dalin në përfundimin e gabuar se Toka nuk është një sferë.
Gabimi i tyre është vendosja e vëzhguesit shumë larg sipërfaqes, duke e bërë lakimin shumë të madh për të përfaqësuar Tokën sferike dhe duke përdorur një sipërfaqe të niveluar dhe të lëmuar. Simulimi i tyre do të ishte më i përshtatshëm për të përshkruar se si drita e diellit, reflektimi i Diellit në sipërfaqen e lëmuar të oqeanit, duket nga hapësira. Për shembull, fotografitë e Tokës të marra nga sateliti Himawari-8 duken të ngjashme me karakteristikën e reflektimit në simulimin e tyre.
Reflektimi i ujit të valëzuar mund të simulohet lehtësisht duke përdorur një fletë alumini të rrudhosur. Duke e vendosur atë mbi një sipërfaqe të lakuar, mund ta shohim atë duke prodhuar të njëjtin rezultat.
Pretendimi: Shqipërisë pritet t’i ndodhë një e keqe për të cilën Serbia dhe presidenti i saj Vuçiç janë shumë të lumtur
Verdikti: Mungon konteksti
———————————————-
Në rrjetet shqipfolëse po qarkullon një titull alarmues, por i paqartë në detaje: “Vuçiç fërkon duart! Ish Ministri jep lajmin e keq! Ja e keqja që pritet ti ndodhë Shqipërisë! Pse Serbia është kaq e lumtur”
Në brendinë e artikullit që mban këtë titull, megjithatë, nuk gjejmë ndonjë lajm që meriton këtë alarm.
Teksti i referohet një interviste të ish-ministrit të Jashtëm shqiptar, Edmond Panariti, të botuar që në qershor të këtij viti.
Panariti citohet të ketë thënë se shqiptarët duhet të bëjë shumë kujdes teksa ndodhin konflikte madhore, pasi historitë e së shkuarës rrezikojnë të përsëriten. “Duhet të bëjmë shumë kujdes, sepse në rast se çështjet shqiptare kalojnë në nivelet e mëdha, në tavat e mëdha të bisedimeve, nuk kemi dalë ndonjëherë fitimtarë”, tha Panariti.
Si rrjedhojë e këtij fenomeni, tha ai, Serbia dhe presidenti serb Vuçiç kanë refuzuar dialogun me Kosovën, me qëllim zgjidhjen në nivele më të larta, ku çështjet kombëtare shqiptare, sipas Panaritit, janë në disavantazh.
Askund në artikull nuk raportohet ndonjë “e keqe e madhe” që pritet t’i ndodhë Shqipërisë.
Trajtimi i temës së luftës në Kosovë preferohet nga mediat shqiptare për shkak të interesit të gjerë dhe patriotizmit që ngjall tek lexuesit. Fatkeqësisht gjatë viteve të fundit, kryesisht mediat online kanë përdorur këtë interes për “mbledhje klikimesh”, duke u kthyer në burim keqinformimi dhe shqetësimi emocional tek lexuesit.
Opinione të ndryshme mbi skenaret duhen pasqyruar si të tilla nga mediat dhe jo si fakte të kryera me tituj bombastik që në kërkim të klikimeve rrezikojnë përhapjen e informacioneve të pavërteta dhe krijimin e panikut.
Pretendimi: Kjo video tregon kryeministrin britanik duke u nxjerrë jashtë nga pronari i një lokali së fundmi.
Verdikti: Mungon konteksti
——————————————————————
Një artikull i portalit lajmetroc.al pretendon se kryeministri britanik është nxjerrë jashtë nga pronari i një lokali, i cili “ka deklaruar shkurt se veproi ‘për arsye personale’”. Artikulli i botuar në 13 gusht 2025 shoqërohet me një video të ngjarjes.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video e mësipërme nuk është regjistruar së fundmi, por është në rrjet nga prilli 2021, përpara se Starmer të zgjidhej kryeministër i Mbretërisë së Bashkuar, pozicion që e ka mbajtur nga korriku i vitit 2024.
Sipas BBC, Starmer, në atë kohë udhëheqësi i opozitës, u dëbua nga lokali The Raven në Bath nga bashkëpronari i tij, i cili “ishte i pakënaqur me reagimin e laburistëve ndaj karantinës së vendosur nga qeveria” gjatë pandemisë. Ai tha se ekonomia ishte sakrifikuar “sepse të moshuarit po vdesin.”
Starmer po vizitonte qytetin e Bath si pjesë e fushatës për zgjedhjet e majit 2021. Vizita e tij në barin The Raven ishte planifikuar me një nga bashkëpronarët, i cili i kërkoi falje laburistëve. Llogaria e lokalit në Twitter postoi se nuk kishte “qëllim të devijonte vizitën e Keir Starmer në Bath” dhe se pikëpamjet e personit në video janë “të tijat.”
Prandaj, pretendimi se kryeministri aktual britanik u nxor jashtë një pub është i pasaktë. Video është e vjetër dhe tregon një incident të vitit 2021 që përfshin Keir Starmer, i cili nuk ishte kryeministër në atë kohë.
Pretendimi: Refuzimi i astronautit Neil Armstrong të betohet mbi Bibël se ka ecur në Hënë është provë se udhëtimi ishte i rreme.
Verdikti: Mungon konteksti
———————————————————–
Një video që ka marrë mbi 1700 pëlqime në Instagram duket se tregon astronautin Neil Armstrong, një nga astronautët që zbarkoi për herë të parë në Hënë në vitin 1969, duke refuzuar të betohet mbi Bibël se ka ecur në Hënë. “Përse Neil Armstrong e shmangu këtë pyetje?” shkruhet në mbishkrimin e videos, duke pretenduar kështu se ky refuzim provon se ulja e Armstrong në Hënë ishte e pavërtetë.
Video, e xhiruar në 2010, tregon astronautin Neil Armstrong që përballet me një burrë të quajtur Bart Sibrel, i cili pretendon se është nga “ABC Digital.” Sibrel i afrohet Armstrong dhe i kërkon të vërë dorën mbi Bibël dhe të betohet se ka ecur në Hënë. Armstrong thotë në video: “Zoti Sibrel, duke ju njohur, kjo ndoshta është një Bibël e rreme.” Në klip, Sibrel vazhdon të këmbëngulë dhe madje i ofron 5 mijë dollarë. Armstrong më pas thotë: “Zoti Sibrel e ka bërë veten budalla para botës… Z. Sibrel, ju nuk meritoni përgjigje.”
Sibrel, një konspiracionist dhe producent filmash, është i njohur për pretendimin se ulja në Hënë ishte e rreme dhe për ndjekjen e astronautëve të misioneve Apollo me një Bibël për t’u betuar se ata ecën në Hënë.
Sibrel u godit me grusht në fytyrë nga astronauti Buzz Aldrin, njeriu i dytë në Hënë, pasi u përball me astronautin në vitin 2002. Autoritetet nuk e akuzuan Aldrin, duke thënë se ai u provokua nga Sibrel, raportoi LA Times në atë kohë.
Nuk ka prova që ulja në Hënë ishte e falsifikuar ose që astronautët nuk ecën në Hënë.
Megjithatë, ekzistojnë prova të panumërta shkencore që tregojnë se uljet Apollo në Hënë nuk ishin të inskenuara, të ofruara nga NASA dhe palë të tjera. NASA ofron fotografi, orë të tëra pamjesh video, transkripte dhe regjistrime audio të misioneve të ndryshme Apollo, që përfshinin mijëra personel. Astronautët sollën mostra të shkëmbinjve dhe dheut hënor gjatë misioneve të tyre, të cilat janë ende duke u studiuar. Orbita e Zbulimit Hënor të NASA kapi vendet e uljes së Apollo 11 dhe misioneve të tjera në vitin 2009.
Bazalt (majtas) dhe breccia (djathtas) të marrë nga sipërfaqja e Hënës gjatë misionit Apollo 11
Anije kozmike hënore orbitale të vendeve të tjera kapën vendet e uljes, përfshirë Selene japoneze, e cila fotografoi një aureolë të lënë në sipërfaqen e hënës nga misioni Apollo 15 në vitin 1971. Përveç kësaj, astronautët Buzz Aldrin dhe Armstrong lanë një reflektor lazer hënor në sipërfaqe, për të ndihmuar në matjen e saktë të distancës hënore nga toka, e cila është ende në përdorim sot.
E ardhmja mund të jetë një botë ku IA krijon reklamat, i targeton dhe i lexon vetë. Ndërkohë, ekspertët e reklamave në Kanë duhet ta shijojnë festën, sa ende vazhdon, shkruan The Economist Industria e reklamave di ta shesë veten më mirë se çdo gjë tjetër. Kjo aftësi u shfaq qartë në ceremoninë vjetore të […]
Pretendimi: Kjo video tregon Gardën Kombëtare amerikane në Washington DC në Gusht 2025
Verdikti: Mungon konteksti
————————————————————-
Një video që po qarkullon në rrjete sociale, përfshi ato shqipfolëse, pretendohet se tregon Gardën Kombëtare amerikane të mobilizuar në Washington DC në gusht 2025.
Trupat e Gardës Kombëtare të ShBA kanë nisur të shfaqen në rrugët e Washington DC së fundmi, një ditë pasi presidenti Donald Trump vendosi trupat në qytet dhe mori kontrollin e forcës policore, duke argumentuar se krimi i dhunshëm ishte jashtë kontrollit.
Megjithatë, të dhënat nga policia e Washington tregojnë rënie të ndjeshme të krimeve të dhunshme midis viteve 2023 dhe 2024, megjithëse kjo vinte pas një rritjeje pas pandemisë.
Zyrtarët thonë se pritet të vendosen 800 trupa të Gardës Kombëtare, si dhe 500 agjentë federalë të zbatimit të ligjit.
Megjithatë, video që po qarkullon në rrjete sociale nuk tregon këtë mobilizim.
Me anë të motorit të kërkimit pamor Google Lens, Faktoje gjeti se video është postuar në TikTok që më 14 qershor 2025.
Sipas përshkrimit që shoqëron videon, ajo tregon pamje nga Washington DC gjatë provave të një parade ushtarake që u mbajt më 14 qershor 2025 me rastin e 250 vjetorit të pavarësisë së ShBA.
Pretendimi: Baba Vanga parashikoi se alienët do të vizitojnë Tokën në 2025
Verdikti: E paprovuar
————————————————-
Zbulimi i një komete ndëryjore në fund të korrikut 2025 ka ringjallur teori aliene dhe një artikull i portalit të quajtur, ironikisht, realiteti.net ka kombinuar këto teori me ‘parashikuesen’ bullgare Baba Vanga, e cila pretendohet se ka parashikuar vizitorë alienë në Tokë për vitin 2025.
Baba Vanga, një grua e verbër dhe gjysëm analfabete nga Bullgaria, vdiq në 1996 pa i shkruar parashikimet e saj. Kjo ia lehtëson punën atyre që duan t’i atribuojnë asaj lloj-lloj parashikimesh. Duke qenë se nuk ka prova me shkrim për parashikimet e saj, zonja Vanga mund të detyrohet të thotë çfarë të dojë çdokush.
Gazeta bullgare 24 Chasa botoi në 2010 një artikull që përgënjeshtron një sërë parashikimesh që i atribuohen gabimisht Baba Vangës. Të afërm dhe miq të saj thanë për gazetën se Vanga njihej si parashikuese në komunitetin e saj për këshillat që ajo i jepte atyre që e vizitonin, por ajo nuk kishte parashikuar ndonjëherë katastrofa dhe luftra botërore.
Sipas miqve të saj, ajo fliste rrallë për politikën dhe nuk mendonte për fundin e botës. “Ajo ishte optimiste, i shihte gjërat e këqija, por gjithmonë jepte këshilla se si të jetoje më mirë.”
Sipas rrethit të afërt të Baba Vangës, parashikimet e saj sensacionaliste si ato për luftra apo fatkeqësi natyrore janë shpikur ose ekzagjeruar pas vdekjes së saj. “Tani është e lehtë, Vanga nuk është më, kështuqë nuk mbrohet dot. Ata i venë lloj-lloj budallëqesh në gojë,” tha mikja e saj Boyka Kostadinova.
Sipas një raportimi nga Colitco, akademikja dhe ekspertja e Baba Vangas, Viktoria Vitanova-Kerber tha: “Ajo nuk ishte dikush që mbante ditarë ose regjistronte profecitë e saj. … Nuk ka pothuajse asnjë të dhënë të shkruar për atë që ajo tha në të vërtetë, duke e bërë të pamundur verifikimin e këtyre pretendimeve.”
Ndërkaq, artikulli pretendon se “disa shkencëtarë, përfshirë profesorin e Harvardit Avi Loeb, kanë pohuar se 3I/ATLAS mund të jetë një anije kozmike aliene për shkak të karakteristikave të tij të pazakonta.”
Siç Faktoje ka shpjeguar më parë, komuniteti shkencor pajtohet që 3I/ATLAS është një kometë ndëryjore, i treti objekt ndëryjor që viziton sistemin tonë diellor. Avi Loeb ka shpjeguar se teoria aliene ishte një lloj eksperimenti mendor dhe jo një teori e mirëfilltë.