Normal view

There are new articles available, click to refresh the page.
Before yesterdayMain stream

TED2025 : Frymëzim nga drejtues të suksesshëm për kulturën e re të punës

By: Megi Dumi
22 July 2025 at 11:30

Në një botë ku inteligjenca artificiale po fiton gjithnjë e më shumë fuqi dhe teknologjia po automatizon gjithçka, pyetja që TED2025 vendosi në qendër ishte thellësisht njerëzore: për çfarë do të jenë të nevojshëm njerëzit?

Konferenca me temën “Humanity Reimagined”, mblodhi në një javë të vetme drejtues, krijues, shkencëtarë dhe sipërmarrës nga e gjithë bota, që sollën përgjigje konkrete përmes veprës së tyre, jo vetëm për të ardhmen e njerëzimit, por për atë që mund dhe duhet të jetë një “kulturë pune më e mençur, më njerëzore dhe më me kuptim”.

Një nga zërat më të fuqishëm ishte Wawira Njiru nga Kenia, e cila përmes organizatës së saj Food4Education po shndërron mënyrën se si shkollat afrikane ushqejnë fëmijët. Mbi 450 mijë nxënës marrin çdo ditë një vakt të ngrohtë falë kuzhinave vendore të menaxhuara nga gratë e komunitetit, me energji të pastër dhe një sistem të organizuar me efikasitet.

Përtej një modeli suksesi në sektorin social, kjo është një histori e fuqizimit vendor, ku ekipi bëhet pjesë aktive e zgjidhjes dhe jo vetëm zbatues i një projekti të jashtëm. Është një mësim i qartë për të gjitha organizatat, që duan të ndërtojnë kulturë pune që rrit angazhimin përmes qëllimit të përbashkët.

Nga ana tjetër, holandezi Boyan Slat, i cili themeloi The Ocean Cleanup që në moshën 18-vjeçare, tregoi se edhe idetë më të mëdha mund të vihen në jetë, nëse organizata ndërton një kulturë që lejon eksperimentimin dhe dështimin.

Teknologjia që ai ka zhvilluar për të pastruar oqeanet nga plastika është vetëm një aspekt; më e rëndësishmja është se përmes një ekipi të përkushtuar dhe vizioni të qartë, ai po krijon një organizatë që u tregon të rinjve se mund të zgjidhin problemet më të mëdha të epokës sonë.

Teknologjia si mjet për gjithëpërfshirje u mishërua në historinë e M-PESA Africa, platformës financiare që u ka dhënë qasje miliona afrikanëve në pagesa, kredi e shërbime të tjera dixhitale, shpeshherë pa pasur një llogari bankare.

CEO i saj, Sitoyo Lopokoiyit, ndau përvojën sesi ekipi i tij dizajnoi një orë smart për të verbrit, që u mundëson të kryejnë transaksione në mënyrë të pavarur. Kjo nuk është thjesht teknologji, është një kulturë pune që nis çdo ditë me pyetjen: si t’i përfshijmë ata që janë lënë jashtë?

Kultura e bashkëpunimit ndërdisiplinor u shfaq fuqishëm edhe në fjalimin e Chris Bahl, themelues i AI Proteins, një kompani që përdor inteligjencën artificiale për të dizajnuar proteina të reja, që komunikojnë drejtpërdrejt me qelizat për të luftuar kancerin, diabetin dhe sëmundje të tjera.

Ajo që e bën të veçantë qasjen e tij është aftësia për të kombinuar shkencën me imagjinatën, një kulturë kërkimi që e inkurajon ekipin të mendojë ndryshe, të eksperimentojë dhe të ndërtojë zgjidhje nga e para.

Dr. Dean Ornish, nga ana tjetër, solli një qasje të thjeshtë por të fuqishme: kujdesi për shëndetin fizik dhe emocional të individit nuk është luks; është baza e një organizate që funksionon mirë. Ai tregoi se ushqimi i shëndetshëm, lëvizja, reduktimi i stresit dhe ndërtimi i lidhjeve sociale jo vetëm që përmirësojnë jetën, por edhe ndryshojnë në mënyrë të matshme shëndetin në nivel gjenetik.

Për çdo menaxher që pyet si të rrisë qëndrueshmërinë e ekipit, përgjigjja është e thjeshtë: filloni nga mirëqenia.

Për të mbyllur me një shembull që vjen nga bota e artit dhe mjeshtërisë, pastiçieri francez Amaury Guichon, i njohur për skulpturat e tij prej çokollate, foli për rëndësinë e përkushtimit ndaj procesit, durimit dhe respektit për materialin.

Pas krijimeve të tij madhështore që bëjnë xhiron e rrjeteve sociale qëndron një etikë pune e përpiktë, ku çdo detaj ka rëndësi. Në një kohë ku produktiviteti matet shpesh në shpejtësi, Guichon na kujton se kultura e ekselencës ndërtohet me përkushtim të qëndrueshëm, jo me rezultate të menjëhershme.

Nga kuzhinat e Kenias te laboratorët e proteinave me IA, nga pastrimi i lumenjve te skulpturat prej çokollate, TED2025 na kujton se në thelb të çdo organizate të suksesshme është një kulturë pune që ndërton kuptim, nxit bashkëpunim dhe vendos njeriun në qendër.

Dhe ndoshta pikërisht kjo është përgjigjja më e mirë ndaj pyetjes së madhe të kohës sonë: për çfarë janë njerëzit? Për të krijuar, për të lidhur, për t’u kujdesur dhe për të udhëhequr me mendje dhe me zemër. / Nice News, Shqip.al

The post TED2025 : Frymëzim nga drejtues të suksesshëm për kulturën e re të punës appeared first on Revista Monitor.

CEO i Nvidia: Drejtimi që do të ndiqja në universitet po të isha 20 vjeç

By: Megi Dumi
18 July 2025 at 15:30

Jensen Huang është bashkëthemelues dhe CEO i Nvidia, kompania që ka udhëhequr revolucionin e inteligjencës artificiale (IA) dhe është bërë ndër më të vlefshmet në botë nën drejtimin e tij.

Gjatë një vizite në Pekin, Huang u pyet nga një gazetar: “Po të ishe një 22-vjeçar që sapo është diplomuar sot në vitin 2025, por me të njëjtën ambicie si më parë, në cilën fushë do të përqendroheshe?”

Ai u përgjigj: “Jenseni i ri, 20-vjeçar, që sapo është diplomuar, me shumë gjasë do të kishte zgjedhur më tepër shkencat fizike sesa shkencat e softuerit,” duke shtuar se ai vetë ishte diplomuar nga kolegji dy vite më herët, në moshën 20-vjeçare.

Shkencat fizike, në dallim nga ato të jetës, janë një degë e gjerë që fokusohet në studimin e sistemeve jo të gjalla, përfshirë fizikën, kiminë, astronominë dhe shkencat e tokës.

Huang ka përfunduar studimet në inxhinieri elektrike në Oregon State University në vitin 1984, ndërsa diplomën master në të njëjtën fushë e ka marrë nga Stanford University në vitin 1992.

Rreth një vit më pas, në prill të vitit 1993, ai bashkëthemeloi kompaninë Nvidia me inxhinierët Chris Malachowsky dhe Curtis Priem, gjatë një dreke në një restorant Denny’s në San Jose, Kaliforni. Nën drejtimin e Huang si CEO, kompania është shndërruar në një nga më të fuqishmet në botë.

Nvidia u bë gjithashtu kompania e parë në botë që arriti një kapitalizim tregu prej 4 trilionë dollarësh javën e kaluar.

Edhe pse Huang nuk e sqaroi qartë arsyen pse sot do të zgjidhte shkencat fizike, ai është shprehur më parë shumë entuziast për atë që e quan “IA Fizike”, ose siç e përshkruan ai, “faza e radhës”.

Gjatë 15 viteve të fundit, sipas tij, bota ka kaluar disa faza të zhvillimit të inteligjencës artificiale. Në muajin prill, në një forum në Uashington D.C., ai shpjegoi këtë evolucion:

“IA moderne hyri në vëmendjen globale rreth 12 deri në 14 vite më parë, kur u prezantua AlexNet dhe u arrit një përparim i madh në vizionin kompjuterik,” tha ai.

AlexNet ishte një model kompjuterik i paraqitur në një garë në vitin 2012, i cili tregoi se makineritë mund të njohin imazhe duke përdorur të mësuarin e thellë, një zhvillim që ndihmoi në nisjen e bumit modern të IA-së.

Kjo fazë e parë njihet si “IA e perceptimit”, shpjegoi Huang.

Më pas erdhi vala e dytë, e quajtur “IA gjenerative”, “ku modeli i IA-së ka mësuar jo vetëm të kuptojë informacionin, por edhe ta përkthejë atë” në gjuhë të ndryshme, imazhe, kode e të tjera.

“Jemi tani në epokën që quhet ‘IA e arsyetimit’, ku kemi IA që mund të kuptojë, të gjenerojë, të zgjidhë probleme dhe të njohë kushte që nuk janë parë më parë,” tha ai. Sot, inteligjenca artificiale është në gjendje të përdorë arsyetimin për të zgjidhur probleme.

“IA e arsyetimit na lejon të krijojmë një formë robotësh dixhitalë. I quajmë agjentë të IA,” shtoi Huang. Këta agjentë të IA janë, në thelb, “punëtorë dixhitalë” të aftë për të arsyetuar. Aktualisht, këta agjentë janë në fokusin kryesor të shumë kompanive të teknologjisë.

Duke parë nga e ardhmja, faza tjetër quhet “IA fizike”.

“Vala e ardhshme kërkon që ne të kuptojmë gjëra si ligjet e fizikës, friksioni, inercia, shkaku dhe pasoja,” tha Huang në Uashington, në muajin prill.

Ai shtoi se aftësi të tilla si arsyetimi fizik, për shembull koncepti i qëndrueshmërisë së objekteve edhe kur nuk shihen, do të jenë themelore në këtë fazë të ardhshme të inteligjencës artificiale.

Zbatimet e këtij arsyetimi fizik përfshijnë: parashikimin se nga do të rrokulliset një top, vlerësimin e forcës së duhur për të kapur një objekt pa e dëmtuar, apo të kuptuarit e pranisë së një këmbësori pas një makine.

“Dhe kur IA fizike vendoset në një objekt fizik, të quajtur robot, atëherë kemi të bëjmë me robotikë,” shtoi ai. “Kjo është jashtëzakonisht e rëndësishme për ne tani, sepse po ndërtojmë fabrika në të gjithë SHBA-në.”

“Shpresoj që, në dhjetë vitet e ardhshme, ndërsa ndërtojmë këtë brez të ri fabrikash, ato të jenë të automatizuara, të mbështetura në robotikë dhe të na ndihmojnë të përballojmë mungesën serioze të fuqisë punëtore që po përjetojmë në të gjithë botën,” përfundoi Huang. / CNBC, Shqip.al

The post CEO i Nvidia: Drejtimi që do të ndiqja në universitet po të isha 20 vjeç appeared first on Revista Monitor.

Instituti i ri për rehabilitimin e të miturve, Manja: Shqipëria në pararojë të drejtësisë restauruese

TIRANË, 17 korrik/ATSH/ Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja inspektoi sot punimet në kantierin e Institutit të ri për Edukimin dhe Rehabilitimin e të Miturve, që po ndërtohet në Mëzez të Tiranës. Ky institucion është i pari i këtij lloji në rajon dhe i dyti në Europë, pas Francës, duke e pozicionuar Shqipërinë në pararojë të qasjes moderne dhe gjithëpërfshirëse për trajtimin e të miturve në konflikt me ligjin.

Instituti do të funksionojë si një qendër shumëfunksionale, ku bashkohen arsimi, trajnimi profesional, mbështetja psikologjike dhe riintegrimi social. Ai synon jo vetëm rehabilitimin, por krijimin e mundësive të reja për të rinjtë që të rifillojnë jetën me dinjitet dhe perspektivë të re.

Gjatë inspektimit, ministri Manja theksoi se ndërtimi i këtij institucioni përbën një hap thelbësor drejt konsolidimit të drejtësisë restauruese në Shqipëri.

“Kjo vepër mishëron filozofinë e re të drejtësisë për të miturit. Një drejtësi që sheh përpara, që edukon dhe krijon kushte për një fillim të ri. Shqipëria po sjell një model që frymëzon gjithë rajonin”, u shpreh ministri.

Instituti për Edukimin dhe Rehabilitimin e të Miturve është pjesë e angazhimit të Ministrisë së Drejtësisë për një sistem penal më të drejtë, më funksional dhe më njerëzor, në përputhje me prioritetet e shtetit të së drejtës dhe objektivat e integrimit europian.

/a.gj//r.e//a.f/

The post Instituti i ri për rehabilitimin e të miturve, Manja: Shqipëria në pararojë të drejtësisë restauruese appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Fokusohuni te lumturia, jo perfeksioni

By: Megi Dumi
13 July 2025 at 15:00

Në mars të vitit 2025, Alysa Liu shkëlqeu në Kampionatin Botëror të Patinazhit Artistik të organizuar në Boston, duke fituar medaljen e artë dhe duke befasuar botën e sportit me rikthimin e saj të jashtëzakonshëm.

Por më i rëndësishëm se rezultati ishte transformimi që ajo pësoi gjatë rrugës së saj për rikthim: nga përpjekja për perfeksion në fokusin te lumturia dhe mirëqenia personale.

Vetëm pak javë pas Lojërave Olimpike Dimërore të vitit 2022, Liu kishte njoftuar tërheqjen nga garat. Në moshën 16-vjeçare, ajo ndjehej e lodhur dhe emocionalisht e shkëputur nga sporti që dikur e kishte dashur. Angazhimi intensiv, mungesa e pushimeve dhe frika për të humbur ritmin e përgatitjeve kishin çuar në lodhje të thellë dhe burnout. Ishte një periudhë ku trajnimi u kthye në barrë dhe jo në pasion.

Pas një pushimi 18-mujor, Liu u rikthye në pistën e akullit në fund të vitit 2023. Nuk ishte më e motivuar nga medaljet apo perfeksioni, por nga dëshira për të shijuar emocionin dhe lirinë që patinazhi mund të ofronte.

Ndryshe nga e kaluara, ajo filloi të ndërtonte programet e saj artistike duke zgjedhur muzikë që e frymëzonte vërtet. Edhe pamja e saj në performancë e tregonte këtë ndryshim: më shumë spontanitet, më pak formalitet.

Kjo qasje e re solli rezultate të jashtëzakonshme. Pas kualifikimit në kampionatin kombëtar amerikan, Liu arriti të triumfonte edhe në arenën botërore. Por, përtej medaljes së artë, ajo fitoi diçka më të qëndrueshme: lumturinë personale dhe një ekuilibër të shëndetshëm mes sportit dhe jetës.

Psikologët theksojnë gjithnjë e më shumë rëndësinë e qëllimeve të brendshme për mirëqenien afatgjatë. Një meta-analizë e vitit 2022 nga Australian Catholic University vëren se individët, që përqendrohen te shëndeti, marrëdhëniet dhe kënaqësia personale kanë më shumë gjasa të jenë të lumtur, krahasuar me ata që ndjekin famën apo pasurinë.

Ndërkohë, ekspertët theksojnë se njerëzit që jetojnë me një ndjesi kënaqësie ditore kanë më pak pendesa në fund të jetës.

Rasti i Alysa Liu është një dëshmi konkrete e kësaj filozofie. Ajo nuk u rikthye për të dëshmuar përsosmërinë, por për të përjetuar lirinë e zgjedhjes dhe gëzimin, që vjen kur ndjek pasionin sipas ritmit tënd. Performanca e saj jo vetëm që rrëmbeu titullin botëror, por tregoi se suksesi nuk është gjithmonë produkt i përpjekjes për të qenë perfekt.

Në një botë ku presioni për të arritur më shumë është i vazhdueshëm, historia e Liu-së kujton se lumturia dhe autenticiteti janë po aq të rëndësishëm sa çdo trofe. / CNBC, Shqip.al

The post Fokusohuni te lumturia, jo perfeksioni appeared first on Revista Monitor.

RIT Tirana, universiteti i ri, i fokusuar te teknologjia dhe inovacioni

By: Mira Leka
11 July 2025 at 22:06

Ndërkohë që kërkesa për profesionistë të teknologjisë në Shqipëri po rritet, shumë kompani, si startup-et dhe bizneset e mëdha të sektorit IT, përballen me sfida për të mbajtur talentin vendas. Për të frenuar këtë fenomen dhe për të krijuar një ekosistem më tërheqës për të rinjtë e talentuar, një nga zgjidhjet më efikase është investimi në arsim cilësor brenda vendit, duke ofruar diploma me standarde ndërkombëtare dhe programe studimi që lidhen drejtpërdrejt me nevojat e tregut të punës.

 

Deada Hyka

Në një treg pune gjithnjë e më të ndikuar nga zhvillimet teknologjike dhe kërkesat e reja të ekonomisë globale, arsimi mbetet faktori kyç për suksesin profesional.

Statistikat tregojnë se profesionet më të kërkuara sot lidhen ngushtë me teknologjinë, inxhinierinë dhe shkencat kompjuterike, ndërsa sipas një raporti të Forumit Ekonomik Botëror, deri në vitin 2030, mbi 85 milionë vende pune mund të mbeten bosh për shkak të mungesës së aftësive të duhura në fuqi punëtore.

Shqipëria, si pjesë e këtij ekosistemi të ndërlidhur, përballet me sfidën e përshtatjes së sistemit arsimor me nevojat e tregut të punës, pasi aktualisht, sipas të dhënave të INSTAT, mbi 30% e të rinjve të diplomuar nuk gjejnë një vend pune në përputhje me profilin akademik.

Po sipas të dhënave të fundit të INSTAT, gjatë dekadës së fundit, Shqipëria ka humbur një pjesë të konsiderueshme të të rinjve të kualifikuar në fushën e teknologjisë dhe inxhinierisë.

Të dhëna të tjera tregojnë se një pjesë e madhe e studentëve, që ndjekin studime jashtë vendit, në fusha si informatikë, inxhinieri softuerike dhe Inteligjencë Artificiale, zgjedhin të mos kthehen më në Shqipëri pas diplomimit. Kjo ka sjellë një boshllëk të madh në tregun vendas të punës, duke vështirësuar përpjekjet e kompanive për të gjetur specialistë të fushave teknologjike.

Ndërkohë që kërkesa për profesionistë të teknologjisë në Shqipëri po rritet, shumë kompani, si startup-et dhe bizneset e mëdha të sektorit IT, përballen me sfida për të mbajtur talentin vendas.

Për të frenuar këtë fenomen dhe për të krijuar një ekosistem më tërheqës për të rinjtë e talentuar, një nga zgjidhjet më efikase është investimi në arsim cilësor brenda vendit, duke ofruar diploma me standarde ndërkombëtare dhe programe studimi që lidhen drejtpërdrejt me nevojat e tregut të punës.

 

Universiteti i ri, i fokusuar te teknologjia dhe inovacioni

Në këtë kontekst, hapja e RIT Tirana, në bashkëpunim me Institutin “Harry Fultz” dhe Institutin e Teknologjisë Rochester, vjen si një zhvillim domethënës për sistemin arsimor shqiptar, duke ofruar një model të ri edukimi, i fokusuar te teknologjia dhe inovacioni.

Ky institucion, pjesë e rrjetit global të Rochester Institute of Technology (RIT), një prej universiteteve më prestigjioze në SHBA në fushën e teknologjisë dhe inxhinierisë, sjell në Shqipëri një standard akademik të krahasueshëm me atë të kampuseve të tij ndërkombëtare në Nju Jork, Dubai, Kosovë, Kroaci dhe Kinë.

Studentët e RIT Tirana, jo vetëm që do të mësojnë nga profesorë të kualifikuar shqiptarë dhe të huaj, por do të kenë mundësinë të studiojnë një ose dy semestra në kampuset e tjerë të RIT, duke përfituar nga një eksperiencë globale, me kosto më të ulët.

Një tjetër aspekt inovativ i këtij institucioni është programi i punësimit profesional (CO-OP), i cili u mundëson studentëve të vendosin në praktikë njohuritë e fituara gjatë studimeve nëpërmjet bashkëpunimeve me kompani dhe organizata ndërkombëtare.

Ky model është dëshmuar i suksesshëm në SHBA dhe vende të tjera, duke rritur ndjeshëm përgatitjen e studentëve për tregun e punës.

Në një kohë kur edukimi cilësor dhe aftësitë teknologjike janë vendimtare për suksesin profesional, RIT Tirana hap një epokë të re për studentët shqiptarë, duke u ofruar atyre jo vetëm një diplomë amerikane të njohur ndërkombëtarisht, por edhe një avantazh real në një treg pune gjithnjë e më konkurrues.

Me regjistrimet, që priten të nisin për vitin akademik 2025-2026, ky institucion premton të bëhet një pikë referimi për të gjithë ata që duan një karrierë të sigurt në fushën e teknologjisë dhe inovacionit.

Në këtë kontekst, Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF) ka ndërmarrë një hap të rëndësishëm në mbështetjen e studentëve shqiptarë nëpërmjet një programi të ri bursash.

Ky program synon të ofrojë mundësi të shkëlqyera për studentët e talentuar, por me mundësi të kufizuara financiare, për të ndjekur studime në institucione të arsimit të lartë me standarde ndërkombëtare, si në Shqipëri ashtu edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Jonida Lamaj, Menaxhere Projekti për Edukimin në AADF, thotë se ky program do të ndihmojë jo vetëm në promovimin e ekselencës akademike, por edhe në integrimin e standardeve globale në sistemin arsimor shqiptar.

Synimi i tij është që të zhvillojë aftësitë e studentëve, duke i përgatitur ata për të kontribuar në zhvillimin ekonomik dhe social të vendit.

“Qëllimi i programit është të promovojë ekselencën akademike, duke mbështetur studentët e talentuar, por që nuk kanë mundësi financiare për të ndjekur programe të tilla akademike.

Me këtë  projekt, AADF synon të kontribuojë në përmirësimin e sistemit arsimor shqiptar, duke integruar standardet dhe praktikat akademike globale, si dhe duke zhvilluar aftësitë e individëve që mund të kontribuojnë në progresin ekonomik dhe social të vendit.

Aplikimet për të përfituar nga bursat që AADF do të ofrojë për të rinjtë shqiptarë do të nisin në mars, ndaj për t’u informuar për çdo event nga programi i bursave, ju ftojmë të vizitoni dhe të regjistroheni në websiten zyrtar: https://aadfscholarship.org/.” – thotë znj. Lamaj.

 

RIT Tirana

Hapja e RIT Tirana, në bashkëpunim me Institutin “Harry Fultz” dhe Institutin e Teknologjisë Rochester, vjen si një zhvillim domethënës për sistemin arsimor shqiptar, duke ofruar një model të ri edukimi, i fokusuar te teknologjia dhe inovacioni. Ky institucion, pjesë e rrjetit global të Rochester Institute of Technology (RIT), një prej universiteteve më prestigjioze në SHBA në fushën e teknologjisë dhe inxhinierisë, sjell në Shqipëri një standard akademik të krahasueshëm me atë të kampuseve të tij ndërkombëtare në Nju Jork, Dubai, Kosovë, Kroaci dhe Kinë.

 

 

RIT Tirana: Një oaz i ri për edukimin teknologjik në Shqipëri

Në fushën e arsimit të lartë, një tjetër zhvillim i rëndësishëm është hapja e RIT Tirana / American Academy of Technology Tirana, një institucion i ri akademik në bashkëpunim me universitetin prestigjioz Rochester Institute of Technology (RIT) në Nju Jork dhe RIT Kosovën.

Ernaso Kërbizi, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit “Instituti Teknologjik i Tiranës”, thotë se RIT Tirana është institucioni i vetëm në Shqipëri që ofron një diplomë amerikane, duke garantuar cilësi dhe mundësi të jashtëzakonshme për studentët shqiptarë. Aktualisht ofrohen dy programe kryesore:

Inxhinieri Elektrike dhe Teknologji (Electrical Engineering and Technology); Informatikë dhe Teknologjitë e Informacionit (Computing Information Technology)

Një nga avantazhet kryesore të këtij institucioni është mundësia e shkëmbimit akademik dhe kulturor në kampuset globale të RIT në Nju Jork, Dubai, Kroaci, Kosovë etj. Për më tepër, nëpërmjet programit inovativ të punësimit profesional (CO-OP), studentët do të kenë mundësinë të fitojnë përvojë reale pune gjatë studimeve të tyre.

“Studentët e RIT Tirana do të kenë mundësinë të shkëmbejnë eksperiencë akademike dhe kulturore një ose dy semestra në një prej kampuseve globale që RIT ka (Nju Jork, Dubai, Kroaci, Prishtinë etj.), me kosto shumë herë më të ulët sesa studentët përkatës të këtyre kampuseve.

Një tjetër risi që RIT sjell në Shqipëri është ofrimi i mundësive të punësimit profesional (CO-OP) gjatë periudhës së studimeve.

Ky program inovativ u mundëson studentëve të vendosin në praktikë njohuritë e mësuara, duke fituar përvojë reale në industri të ndryshme dhe duke ndihmuar në zhvillimin e aftësive që kërkohen nga tregu global i punës.

Në përfundim të studimeve, diploma me të cilën pajisen studentët është e barasvlershme me atë që moshatarët e tyre marrin në RIT New York, duke u siguruar një kurrikulë të standardizuar gjatë viteve akademike.

Kjo ofron mundësi të shkëlqyera për të konkurruar në tregun ndërkombëtar të punës”, – përfundon z. Kërbizi.

 

RIT dhe bashkëpunimi me Shqipërinë

Instituti i Teknologjisë i Rochester-it (RIT), i njohur ndërkombëtarisht për kërkimin dhe inovacionin në teknologji, inxhinieri dhe dizajn, është tashmë i pranishëm në Shqipëri. Falë bashkëpunimit me Institutin “Harry Fultz”, Shqipëria bëhet pjesë e rrjetit global të RIT, duke u ofruar studentëve mundësinë për të përfituar nga një arsim i nivelit të lartë me standarde amerikane.

 

 

 

 

The post RIT Tirana, universiteti i ri, i fokusuar te teknologjia dhe inovacioni appeared first on Revista Monitor.

Pse të sapodiplomuarit e sotëm janë në telashe

By: Mira Leka
11 July 2025 at 22:02

Tregu i punës është tronditur nga themelet, shkruan The Economist

 

Duhet të na vijë keq për të rinjtë ambiciozë. Për dekada me radhë, rruga drejt një jete të mirë ishte e qartë: shko në universitet, diplomohu, gjej një punë, pastaj shijo përfitimet.

Por të rinjtë e sotëm, ndonëse punëtorë e të përkushtuar, duken sikur kanë më pak mundësi sesa më parë.

Të ndjekësh një karrierë në sektorin e teknologjisë? Kompanitë e mëdha po shkurtojnë vende pune. Në sektorin publik?

Nuk ka më prestigjin që kishte dikur. Inxhinier? Shumica e inovacionit, nga automjetet elektrike tek energjitë e rinovueshme, tani po ndodh në Kinë. Avokat?

Inteligjenca Artificiale së shpejti do t’ua zërë vendin. E as që bëhet fjalë të bëhesh gazetar.

Në mbarë Perëndimin, të rinjtë e sapodiplomuar po humbasin pozicionin e privilegjuar që gëzonin; në disa raste, e kanë humbur tashmë. Të dhënat për punësimin e sinjalizojnë këtë ndryshim.

Matthew Martin nga shoqëria e konsulencës Oxford Economics, ka analizuar amerikanët e moshës 22 deri në 27 vjeç me diplomë bachelor ose më të lartë.

Për herë të parë në histori, shkalla e papunësisë për ta është më e lartë se mesatarja kombëtare. Rritja e papunësisë në mesin e të diplomuarve të rinj vjen kryesisht nga ata që kërkojnë punë për herë të parë.

Ky trend nuk kufizohet vetëm në Amerikë. Në Bashkimin Europian, shkalla e papunësisë për të rinjtë me arsim të lartë po afrohet me nivelin e përgjithshëm për grupmoshën e tyre, që përfshin edhe të rinjtë pa arsim të lartë (shih grafikun 1).

Britania, Kanadaja, Japonia duket se po ndjekin të njëjtën prirje. Edhe të rinjtë më elitarë, si të diplomuarit me MBA (master në administrim biznesi), po e pësojnë.

Në vitin 2024, vetëm 80% e të diplomuarve në shkollën e biznesit të Stanford kishin gjetur punë tre muaj pas diplomimit, nga 91% në vitin 2021.

Deri pak kohë më parë, “primi i diplomimit në universitet”, fakti që të diplomuarit fitonin më shumë sesa të tjerët, ishte në rritje (shih grafikun 2). Por së fundmi ka rënë, përfshirë në SHBA, Britani dhe Kanada.

Duke përdorur të dhëna të Rezervës Federale të Nju Jorkut për të rinjtë amerikanë, llogaritet se në vitin 2015 të diplomuarit në universitet kishin një pagë mesatare 69% më të lartë se ata me vetëm shkollë të mesme.

Deri vitin e kaluar, primi ishte ulur në 50%.

 

 

A është diçka e keqe që të diplomuarit po humbasin privilegjet e tyre?

Edhe kënaqësia nga puna është më e ulët. Një sondazh gjithëpërfshirës sugjeron se në SHBA “hendeku i kënaqësisë së të diplomuarve”, diferenca në nivelin e kënaqësisë në punë midis të diplomuarve dhe jo të diplomuarve, është tani rreth tre pikë përqindjeje, nga një diferencë afatgjatë prej shtatë pikësh.

A është diçka e keqe që të diplomuarit po humbasin privilegjet e tyre? Nga ana etike, jo domosdoshmërisht. Asnjë grup nuk ka të drejtë të jetë mbi mesataren.

Por praktikisht, ndoshta po. Historia tregon se kur njerëzit e zgjuar, ose ata që mendojnë se janë të tillë, performojnë më keq nga sa besojnë se meritojnë, ndodhin gjëra të këqija.

Peter Turchin, shkencëtar nga Universiteti i Connecticut, argumenton se “mbiprodhimi i elitës” ka qenë shkaktari i drejtpërdrejtë i çdo lloj trazire ndër shekuj, me “kundërelitat” që udhëheqin revoltën.

Historianët identifikojnë “problemin e tepricës së njerëzve të arsimuar” si një nga faktorët që çuan në revolucionet e vitit 1848 në Europë.

Luigi Mangione do të ishte pjesë e kësaj kundër-elite. Mangione, i diplomuar në Universitetin e Pensilvanisë, duhej të kishte një jetë shumë të mirë.

Por sot ai është i akuzuar për vrasjen e drejtorit të një kompanie sigurimesh shëndetësore. Më domethënës është fakti që shumë njerëz mirëkuptojnë dhe ndajnë ndjenjat e përjashtimit që ai përjetoi: ai ka marrë mbi 1 milion dollarë donacione.

 

Pse po e humbasin të diplomuarit statusin e tyre?

Ndoshta për shkak të zgjerimit të pranimit masiv të universiteteve, që uli standardet.

Nëse universitetet pranojnë aplikantë më pak të talentuar dhe bëjnë një punë më të dobët në formimin e tyre, punëdhënësit me kalimin e kohës mund të presin më pak diferencë mes të diplomuarve dhe jo-diplomuarve.

Një studim i fundit, nga Susan Carlson e Universitetit Shtetëror të Pittsburg dhe kolegë të saj, sugjeron se shumë studentë sot janë analfabetë funksionalë.

Një numër shqetësues i studentëve të letërsisë angleze nuk arrijnë të kuptojnë romanin “Bleak House” të Charles Dickens. Shumë prej tyre ngatërrohen që në rreshtin e parë: “Michaelmas term lately over, and the Lord Chancellor sitting in Lincoln’s Inn Hall.”

Sigurisht, disa universitete ofrojnë degë studimi pa vlerë për kandidatë që nuk duhet të jenë aty. Nga ana tjetër, ka pak lidhje mes numrit të të diplomuarve dhe primit të pagës në afat të gjatë: të dy u rritën në SHBA gjatë viteve ‘80.

Për më tepër, nëse flisni me studentët në shumicën e universiteteve, sidomos ato elitare, do të kuptoni që nuk janë budallenj. Studentët në Stanford janë jashtëzakonisht të zgjuar.

Dikur, disa studentë në Oxford dhe Cambridge e pranonin me kënaqësi edhe një notë të ulët, mjaft që të kalonin. Sot, kjo është e paimagjinueshme.

Një artikull i ri nga Leila Bengali e degës së San Franciskos të Rezervës Federale dhe kolegët e saj ofron një arsye tjetër për të vënë në dyshim tezën “të diplomuarit janë më pak të zotë”.

Ata zbulojnë se ndryshimi në primin e universitetit “reflekton kryesisht faktorë të kërkesës, konkretisht ngadalësimin e ritmit të ndryshimit teknologjik që favorizon aftësitë”.

Me fjalë të thjeshta, punëdhënësit sot mund të gjejnë punonjës pa diplomë universitare për të bërë punë, që më parë u përkisnin vetëm të diplomuarve.

 

Diplomë me rezultate të shkëlqyera? Nuk i intereson askujt

Kjo vlen veçanërisht për ato punë që kërkojnë njohuri bazë teknologjike. Deri së fundmi, shumë persona mund të mësonin përdorimin e kompjuterit vetëm në universitet.

Sot, të gjithë kanë një smartphone dhe ata pa diplomë universitare janë gjithashtu të aftë në teknologji.

Pasojat janë të qarta. Në pothuajse çdo sektor të ekonomisë, kërkesat arsimore po bëhen më pak strikte, sipas të dhënave të faqes së punësimeve Indeed.

Sektori amerikan i shërbimeve profesionale dhe biznesit punëson më shumë persona pa arsim të lartë sesa 15 vite më parë, edhe pse numri i tyre në popullatë është ulur.

Punëdhënësit kanë shkurtuar gjithashtu vendet e punës në industritë, që zakonisht favorizonin të diplomuarit.

Në BE, numri i të rinjve 15-24 vjeç të punësuar në sektorin e financës dhe sigurimeve ka rënë me 16% nga 2009 në 2024. Në SHBA ka vetëm pak më shumë punë në “shërbimet ligjore” sesa në vitin 2006.

Për një student britanik që shpresonte të fitonte para, rruga e qartë ishte një punë në një bankë. Por që nga viti 2016, numri i të rinjve në sektorin ligjor dhe atë financiar ka rënë me 10%.

Deri në sezonin e tretë të serialit “Industry”, që tregon jetën e disa të sapodiplomuarve nga universiteti në një bankë londineze, shumica e personazheve kryesorë janë larguar ose kanë ndërruar jetë.

Nuk mund të fajësohet Inteligjenca Artificiale për rënien e mundësive. Kjo teknologji duket se mund të automatizojë punë të nivelit fillestar të njohurive, si arkivimi ose punët e thjeshta ligjore.

Por tendencat e përshkruara në këtë artikull kanë nisur para ChatGPT. Ka shumë faktorë që ndikojnë.

Shumë industri që tradicionalisht punësonin njerëz me diplomë universitare, kanë pasur vështirësi kohët e fundit.

Vite aktiviteti të vakët në bashkime e blerje kompanish kanë ulur kërkesën për juristë. Bankat e investimit nuk janë më aq agresive sa para krizës financiare globale të viteve 2007-2009.

 

A ka më vlerë universiteti?

Amerikanët duket se po vendosin për “jo”. Nga 2013 deri në 2022, numri i të regjistruarve në programet bachelor ra me 5%, sipas të dhënave nga OECD.

Por në shumicën e vendeve të pasura, ku arsimi i lartë është më i lirë sepse financohet pjesërisht nga shteti, të rinjtë vazhdojnë të dynden drejt universiteteve.

Përjashtuar SHBA-në, regjistrimet në vendet e OECD u rritën nga 28 milionë në 31 milionë në dekadën deri më 2022. Në Francë, numri i studentëve u rrit me 36%; në Irlandë me 45%.

Qeveritë po subvencionojnë diploma të padobishme, duke nxitur të rinjtë të humbin kohë me studime pa vlerë.

Studentët mund të mos jenë duke zgjedhur as degët e duhura. Jashtë SHBA-së, përqindja e studentëve në art dhe shkenca sociale është kryesisht në rritje.

Po ashtu, në mënyrë të pashpjegueshme, edhe regjistrimi në degët e gazetarisë. Nëse këto prirje pasqyrojnë pritshmëritë e të rinjve për të ardhmen e punës, atëherë ata vërtet janë në telashe.

 

 

The post Pse të sapodiplomuarit e sotëm janë në telashe appeared first on Revista Monitor.

Si t’i vlerësoni më shumë të mirat që keni

By: Megi Dumi
8 July 2025 at 14:53

Ndoshta keni një punë të qëndrueshme, marrëdhënie të shëndetshme, një shtëpi të ngrohtë, por sërish nuk ndiheni aq të kënaqur sa do të donit.

Ndërkohë, streset e vogla të përditshme, tensionet në marrëdhënie apo lodhja nga rrjetet sociale bëhen pjesë e zakonshme e jetës suaj, pa i vënë më re.

Kjo ndodh sepse sipas ekspertëve, truri ka një veçori të natyrshme të quajtur habituation: prirjen për të mos i kushtuar më vëmendje gjërave që përsëriten vazhdimisht.

Për shembull, aroma e kafesë që në fillim ju duket magjepsëse, por pas pak minutash nuk e ndjeni më. Po kështu, edhe gëzimet e mëdha të jetës zbehen nëse nuk ndaleni t’i përjetoni me vetëdije dhe përkushtim.

Ndajini të mirat në doza të vogla

Nëse doni të shijoni më shumë ato që ju sjellin kënaqësi – një këngë, një serial, një ëmbëlsirë – mos i konsumoni të gjitha menjëherë. Pushimet e vogla ndërmjet përvojave të këndshme ndihmojnë që kënaqësia të rikthehet sa herë që i rifilloni.

Të pakëndshmet? Kryejini së bashku

Kur keni detyra të lodhshme për të kryer: punë shtëpie, dokumente, pastrim, përpiquni t’i përfundoni në një frymë. Pushimet e shpeshta i bëjnë më të lodhshme, sepse sa herë rifilloni, shqetësimi rikthehet. Edhe sikur të jetë e lodhshme, është më efektive t’i përballoni menjëherë sesa me ndërprerje.

Eksperimentoni me rutinën

Ka gjëra që ndoshta po ju lodhin emocionalisht – por jeni mësuar aq shumë me to, sa nuk i ndjeni më. Si zhurma e një kondicioneri që s’e nuk e dëgjoni, derisa dikush e fik dhe papritur ndiheni më mirë.

Provoni të largoni për pak kohë disa zakone, si rrjetet sociale, dhe vini re si ndiheni. Studime kanë treguar se një muaj larg një platforme sociale mund të ulë stresin dhe të rrisë mirëqenien.

Nuk është gjithmonë nevoja të shtoni diçka të re për të ndjerë më shumë kënaqësi. Ndonjëherë mjafton të riktheni vëmendjen te gjërat e mira që kanë qenë aty gjatë gjithë kohës. Dhe kur ta bëni këtë me vetëdije, jeta fillon të duket ndryshe. / Wired, Shqip.al

The post Si t’i vlerësoni më shumë të mirat që keni appeared first on Revista Monitor.

RIT Tirana: Një oaz i ri për edukimin teknologjik në Shqipëri

By: Mira Leka
7 July 2025 at 10:37

Në fushën e arsimit të lartë, një tjetër zhvillim i rëndësishëm është hapja e RIT Tirana / American Academy of Technology Tirana, një institucion i ri akademik në bashkëpunim me universitetin prestigjioz Rochester Institute of Technology (RIT) në Nju Jork dhe RIT Kosovën.
Ernaso Kërbizi, Drejtor Ekzekutiv i Fondacionit “Instituti Teknologjik i Tiranës”, thotë se RIT Tirana është institucioni i vet...

Nevojitet abonim për të lexuar artikull të revistës

Plani juaj aktual nuk ofron qasje në artikujt më të fundit të revistës. Për të pasur qasje të plotë, ju lutemi përmirësoni abonimin tuaj në premium.

The post RIT Tirana: Një oaz i ri për edukimin teknologjik në Shqipëri appeared first on Revista Monitor.

Edukimi i së ardhmes

By: Mira Leka
7 July 2025 at 10:34

Ndërkohë që kërkesa për profesionistë të teknologjisë në Shqipëri po rritet, shumë kompani, si startup-et dhe bizneset e mëdha të sektorit IT, përballen me sfida për të mbajtur talentin vendas. Për të frenuar këtë fenomen dhe për të krijuar një ekosistem më tërheqës për të rinjtë e talentuar, një nga zgjidhjet më efikase është investimi në arsim cilësor brenda vendit, duke ofruar diploma me standa...

Nevojitet abonim për të lexuar artikull të revistës

Plani juaj aktual nuk ofron qasje në artikujt më të fundit të revistës. Për të pasur qasje të plotë, ju lutemi përmirësoni abonimin tuaj në premium.

The post Edukimi i së ardhmes appeared first on Revista Monitor.

Barazia midis gjinive është domosdoshmëri ekonomike dhe strategjike

By: Megi Dumi
2 July 2025 at 12:30

Në një epokë të trazuar nga teknologjitë inovative, rikonfigurimet gjeopolitike dhe ndryshimet demografike, barazia midis gjinive po shfaqet jo vetëm si një vlerë themelore, por si një domosdoshmëri strategjike.

Sipas raportit të vitit 2025 për Hendekun Global Midis Gjinive (Global Gender Gap Report), progresi është përshpejtuar: hendeku global është mbyllur në 68.8%, rritja më e fortë vjetore që prej pandemisë. Megjithatë, me ritmet aktuale, do të duhen edhe 123 vjet për arritjen e barazisë së plotë.

Në rreth 20 vite, 100 ekonomi kanë ngushtuar hendekët midis gjinive, veçanërisht në përfaqësimin politik dhe përfshirjen ekonomike. Por me më pak se pesë vite deri në përmbushjen e Objektivave të Zhvillimit të Qëndrueshëm 2030, nevojitet një përkushtim i ri. Barazia midis gjinive nuk është vetëm çështje drejtësie, është thelb për ndërtimin e ekonomive më konkurruese, inovative dhe elastike.

Një koalicion drejtuesish të njohur të skenës ekonomike botërore po ndërmerr hapa konkretë për të çuar përpara përparimin. Gjashtë liderë,  nga qeveria, biznesi dhe kërkimi shkencor, tregojnë pse barazia midis gjinive është një investim ekonomik dhe si mund të arrihet në praktikë.

Bonnie Y. Chan, CEO, Bursa e Hong Kong (HKEX)
Në një botë me rreziqe komplekse, diversiteti është një përparësi biznesi. Në vitin 2022, HKEX ndaloi bordet me një gjini të vetme, një vendim që ka sjellë përparim domethënës: sot, mbi 40% e kompanive të listuara tejkalojnë minimumin ligjor për përfaqësim gjinor dhe 30% e drejtuesve të rinj janë gra.

Michael Ensser, Kryetar Global, Egon Zehnder
Diversiteti nuk është thjesht një çështje përfaqësimi, është strategjik. Në një sondazh me 450 anëtarë bordesh, 90% thanë se këndvështrimet e ndryshme përmirësojnë vendimmarrjen. Ekipet gjithëpërfshirëse janë më inovative dhe më të përgatitura për të përballuar pasiguritë.

Noor bint Ali Al Khulaif, Ministre për Zhvillim të Qëndrueshëm, Bahrein
Barazia midis gjinive është përfitim ekonomik. Bahreini ka investuar në arsimin e grave dhe zhvillimin e aftësive, veçanërisht në fusha STEM. Gratë përbëjnë tani 50% të regjistrimeve në këto programe dhe vendi renditet i katërti në botë për gratë me diplomë universitare. Programet publike po fuqizojnë gratë në të gjitha sektorët.

Sara Pantuliano, Drejtuese Ekzekutive, ODI Global
Ekonomitë përfitojnë kur gratë kanë mundësi të barabartë në tregun e punës. Por puna e papaguar e kujdesit, që bie kryesisht mbi gratë, mbetet pengesë. Investimi në sistemet e kujdesit duhet të jetë përparësi për qeveritë dhe bizneset, pasi sjell përfitime të përbashkëta.

Henadi Al Saleh, Kryetare e Bordit, Agility
Të dhënat janë të qarta: kompanitë me më shumë gra në nivelet drejtuese kanë kthim më të lartë mbi kapitalin dhe performancë më të mirë. Në rajonin e Gjirit, ku mesatarisht gratë zënë vetëm 7% të vendeve në borde, Agility ka arritur 20%, ndërsa në kompaninë e saj të aviacionit, gratë përbëjnë 40% të roleve drejtuese të mesme.

Bob Sternfels, Partner Global, McKinsey & Company
Nëse gratë do të përfshiheshin në ekonomi në të njëjtën masë me burrat, mund të shtoheshin $12 trilion në PBB globale. Diversiteti në udhëheqje rrit inovacionin dhe qëndrueshmërinë. Në McKinsey, klasa më e re e punësimit ka përfaqësim të barabartë midis gjinive, një pasqyrim i përkushtimit ndaj meritokracisë dhe përfshirjes. / WEF, Shqip.al

The post Barazia midis gjinive është domosdoshmëri ekonomike dhe strategjike appeared first on Revista Monitor.

Manastirliu: Shkolla verore “Lasgush Poradeci”, kujtime të paharrueshme për fëmijët

TIRANË, 2 korrik /ATSH/ Shkolla verore është projekti pilot që po zbatohet nga Ministria e Arsimit dhe Sportit në 10 shkolla në Tiranë, Kamzë dhe Durrës.

Në ditët e fundit të këtij projekti, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ka përcjellë mesazhet e nxënësve të shkollës “Lasgush Poradeci” që po shijojnë ditët e fundit të shkollës verore, duke krijuar kujtime të paharrueshme për ta.

Nxënësit shprehin falënderimet e tyre për dy javët e angazhimit në shkollën verore të “Lasgush Poradecit”, ku janë përfshirë në aktivitete të ndryshme zbavitëse dhe edukuese, si art, zeje, pikturë, muzikë etj.

Gjithashtu, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu falënderoi ditën e djeshme edhe mësuesit, punonjësit psiko-sociale dhe oficerët e sigurisë që u angazhuan për një periudhë dyjavore në projektin pilot të shkollave verore në 10 shkolla në Tiranë, Kamzë dhe Durrës.

Manastirliu tha se “mbi 150 mësues, punonjës psiko-socialë dhe oficerë të sigurisë e kthyen shkollën verore në një hapësirë argëtimi e kujdesi përmbi një mijë fëmijë në të gjithë vendin që me shumë dëshirë u bënë pjesë e këtij programi të ri”.

Ministrja Manastirliu i falënderoi të gjithë ata për angazhimin dhe përkushtimin e tyre në këtë projekt.

Shkolla verore u zhvillua çdo ditë nga ora 08:00 deri në 13:00 për një periudhë dyjavore në secilën shkollë. Gjatë kësaj kohe, fëmijët morën pjesë në një sërë aktivitetesh si: art dhe zeje, mësim i gjuhëve të huaja, kodim, sport, lojëra kreative, projekte STEM, diskutime mbi libra dhe biseda me të ftuar nga fusha të ndryshme të jetës publike e sociale. Veçanti e programit ishte edhe ofrimi i vakteve ushqimore të shëndetshme për të gjithë nxënësit.

/e.i/j.p/

 

The post Manastirliu: Shkolla verore “Lasgush Poradeci”, kujtime të paharrueshme për fëmijët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rëndësia e të pasurit drejtues që mbështesin ekipin e tyre

By: Megi Dumi
30 June 2025 at 15:45

Drejtuesit duhet të mbështesin ekipin që të zhbllokojnë potencialin e plotë të tyre

Dymbëdhjetë vite më parë, një projektues i ri, 25 vjeç, me përvojë si organizator në terren dhe punonjës në një startup arsimor në San Francisko, u ftua në një intervistë nga Suzanne “Suz” Gibbs Howard, një emër i njohur në fushën e dizajnit dhe inovacionit. Suz kishte mbi 20 vite përvojë në Ideo dhe kishte ndërtuar një reputacion si konsulente në praktikat me në fokus përvojën njerëzore.

Në atë kohë, ajo po mendonte të ndërtonte një platformë të re mësimore, e cila më vonë do të shndërrohej në Ideo U. I duhej një projektues i ri dhe vendosi t’i jepte një shans Mark Magellan, sot drejtues krijues dhe autor i shumë artikujve në platforma të shumta karriere. Ai pranoi menjëherë, por pas entuziazmit fillestar, nisën dyshimet dhe frika.

Ishte një punë me afat të shkurtër, vetëm gjashtë javë, dhe ai sapo kishte mbaruar studimet me kredi studentore, realiteti i shumë të rinjve në SHBA. Jeta në San Francisko ishte e kushtueshme dhe ai ndjehej i pasigurt.

Pavarësisht pasigurive, ai kishte nevojë për një përgjigje të thjeshtë: “A do të më mbështesësh nëse kjo nuk funksionon?” Suz tha “po”. Por ai nuk e dinte se kjo “po” nuk ishte një premtim i lehtë. Atë mbrëmje, ajo e diskutoi me bashkëshortin, e ndërgjegjshme për peshën që mbartte fjala e dhënë ndaj një të riu që po rrezikonte shumë.

Gjatë gjithë periudhës së bashkëpunimit, Suz nuk u tërhoq kurrë nga ajo përgjigje. Ajo investoi kohë dhe energji për ta ndihmuar të rritej. I siguroi mentorë, i gjeti trajnerë dhe e udhëhoqi me durim edhe kur ai gabonte. Edhe pasi rrugët e tyre u ndanë dhe ai u shpërngul në Berlin, Suz vazhdoi ta ndihmonte, duke i përgjigjur mesazheve dhe duke ruajtur lidhjen me të.

Kjo histori tregon qartë se çfarë do të thotë të jesh një lider i vërtetë. Nuk mjafton të drejtosh, duhet të qëndrosh pranë njerëzve që udhëheq. Dhe kjo kërkon pesë parime thelbësore:

  1. Të shohësh njeriun 
    Lidershipi i mirëfilltë fillon me njohjen e individit përtej rolit të tij profesional. Çdo person ka një histori, ëndrra dhe ndjenja që e bëjnë unik. Liderët që i kuptojnë këto dimensione, krijojnë hapësira ku njerëzit mund të zhvillohen plotësisht.
  2. Të ofrosh siguri
    Kur një anëtar i ekipit merr një rrezik, ka nevojë të dijë se nuk është vetëm. Një drejtues i mirë është aty për ta mbështetur kur dështimi troket, duke ofruar kohë, burime dhe besim për ta rimarrë veten dhe për të mësuar.
  3. Të bashkëkrijosh
    Të kesh mbështetjen e dikujt nuk do të thotë vetëm të të jepet liri, do të thotë të punosh së bashku drejt qëllimeve. Bashkëkrijimi është procesi përmes të cilit drejtuesi ndihmon individin të ndërtojë rrugën drejt rritjes dhe të përputhet me misionin e përbashkët.
  4. Të thuash të vërtetën
    Shpesh, e vërteta mund të tingëllojë si kritikë. Por drejtuesit që të duan me të vërtetë, e ndajnë të vërtetën jo për të gjykuar, por për të ndihmuar. Ata ndihmojnë të njohësh pikat e dobëta si pjesë e identitetit, jo si të meta për t’u fshehur.
  5. Vepra, jo vetëm fjalë
    Premtimet janë të lehta, por drejtimi kërkon veprime. Një drejtues i vërtetë nuk pret rastin ideal, ai e krijon atë. Një gjest i vogël, një akt konkret mbështetjeje, mund të ndryshojë rrjedhën e besimit dhe të ndikojë për një jetë të tërë.

Përmes këtij rrëfimi, kuptohet se lidershipi i vërtetë është marrëdhënie. Një marrëdhënie e ndërsjellë, ku mbështetja dhe besimi nuk formojnë vetëm rrugën e atij që udhëhiqet, por edhe të vetë liderit. Sepse kur ndihmon dikë të rritet, je gjithashtu duke u formuar vetë. Dhe ky është thelbi i udhëheqjes që lë gjurmë. / Fast Company, Shqip.al

 

 

The post Rëndësia e të pasurit drejtues që mbështesin ekipin e tyre appeared first on Revista Monitor.

Një këshille për karrierën nga Mary Poppins

By: Megi Dumi
28 June 2025 at 13:00

Para këshilltarëve të karrierës dhe planeve të ndërlikuara, ishte Mary Poppins ajo që na kujtonte: “Në çdo punë që duhet bërë, ka një grimcë argëtimi. Gjeni argëtimin dhe puna kthehet në lojë!”

Ky mesazh i thjeshtë, por i mençur, mund t’ju udhëheqë në rrugëtimin profesional.

1. Trajtojeni karrierën si fushën tuaj të lojës
Bëjeni punën të lidhet me gjërat që ju sjellin kënaqësi. Nëse ju pëlqejnë fletoret, ngjyrat apo rendi, ndoshta ambientet akademike apo rolet organizative janë për ju. Mendoni: Çfarë më sillte gëzim kur isha fëmijë? Shpesh, kthimi te pasioni i hershëm sjell qetësi dhe motivim.

2. Jepuni jetë detyrave të mërzitshme
Monotonia është pjesë e çdo pune, por shpesh një detaj i vogël mjafton për ta ndryshuar të ndryshuar mënyrën si e përjetojmë. Një lodër simbolike në tavolinë, një këngë e preferuar apo një ritual i thjeshtë mund ta bëjnë edhe detyrën më të lodhshme më të lehtë për t’u përballuar.

3. Nëse nuk ka aspak argëtim, ndryshoni diçka
Kur përpjekjet për ta bërë punën më të këndshme nuk funksionojnë, merreni si shenjë. Mund të bëni ndryshime të vogla brenda rolit tuaj, ose të mendoni për një drejtim të ri. Merrni në dorë rrugën tuaj profesionale për të shmangur lodhjen dhe mërzitjen afatgjatë.

4. Konsideroni një portofol karriere
Një portofol karriere përfshin disa role në të njëjtën kohë, punë që ju japin kënaqësi në mënyra të ndryshme. Edhe pse mund të fillojë si një hobi apo punë shtesë, shpesh kthehet në një rrugë të plotë dhe të veçantë profesionale.

5. Ndajeni argëtimin me kolegët
Humori dhe loja në vendin e punës nuk janë shpërqendrime, por mjete të fuqishme për rritjen e kënaqësisë, bashkëpunimit dhe shëndetit mendor. Studimet tregojnë se të qeshurit në punë ul stresin dhe forcon ekipin. Pra, mos ngurroni të sillni pak humor, do të ndiheni më mirë dhe do të punoni më mirë.

Dhe mos harroni rolin e organizatës
Nëse jeni drejtues apo ndikoni në kulturën e punës, krijoni një mjedis ku lejohet (madje inkurajohet) gëzimi. Një grimcë argëtimi në përditshmëri mund të rrisë motivimin, rezistencën dhe mirëqenien.

Mary Poppins ndoshta nuk ishte eksperte karriere, por kishte një të vërtetë të madhe: “Një lugë me sheqer e ndihmon ilaçin të kalohet më lehtë.” E njëjta gjë vlen edhe për karrierën tuaj, ndonjëherë, mjafton një ‘lugë’ argëtim. / Psychology Today

The post Një këshille për karrierën nga Mary Poppins appeared first on Revista Monitor.

Çelësi për të ndryshuar një zakon të keq? Një moment reflektimi

By: Megi Dumi
25 June 2025 at 13:40

Ju mund të keni disiplinë, kryeni me përkushtim detyra të mërzitshme apo qëndroni për orë të tëra në punë. Por pavarësisht përkushtimit, ndodh që jeni duke humbur kohë në gjëra që nuk kishit planifikuar, si përdorimi i rrjeteve sociale apo platformave të tjera.

Shkenca thotë se rreth 40% e sjelljeve të përditshme nuk janë vendime, por zakone, të ndërtuara nga përsëritja, konteksti dhe shpërblimet që merrni. Kur kryeni një veprim të përsëritur, truri mëson ta lidhë shkakun me veprimin, edhe nëse nuk është një veprim që ju sjell përfitim. Dhe këtu hyn në lojë ‘lufta’ në tru mes logjikës dhe kënaqësisë së momentit.

Ndërsa korteksi prefrontal (pjesa e trurit që mendon dhe planifikon) ju thotë “jo”, korteksi orbitofrontal (që kërkon shpërblim të menjëhershëm) ju shtyn të vazhdoni. Në shumicën e rasteve, ky i fundit fiton. Jo se jeni të dobët, por sepse ai është i zhurmshëm, emocional dhe i shpejtë në veprim.

“Forca e zakonit na bën të përqendrohemi në gjëra të tjera,” thotë Wendy Wood. “Forca e vullnetit është një burim i kufizuar, dhe kur ajo mbaron, ne kthehemi automatikisht te zakonet.”

Kjo do të thotë se në momentet kur jeni të lodhur, të shpërqendruar apo të mbingarkuar, nuk jeni ju që po zgjidhni, është forca e zakonit që po vendos për ju.

Ndaj, për ta ndryshuar, nuk mjafton vetëm dëshira. Duhet ndërhyrje e vetëdijshme, pikërisht në ato momente kur zakonisht dorëzoheni.

Por çfarë mund të bëni për ta thyer këtë cikël?

Jo të përdorni më shumë forcë vullneti. Në fakt, nuk duhet as të ndaloni menjëherë zakonin e keq. Sekreti është që, herën tjetër që e bëni, mos ta bëni automatikisht, por me vetëdije.

Vëzhgoni veten në momentin që e bëni. Si po ndiheni? A po merrni ndonjë përfitim real? A ndiheni më mirë pas përfundimit?

Në shumicën e rasteve, do kuptoni se kënaqësia është kalimtare dhe ndjenja që mbetet është pakënaqësia, zhgënjimi apo faji.

Këtë reflektim nuk mjafton ta bëni një herë. Duhet ta përsëritni. Truri juaj ka nevojë të mësojë se shmangia e zakonit të keq, si dhe ndjesia pozitive që sjell përmbushja e një qëllimi, është më shpërblyese sesa kënaqësia e momentit.

Me kalimin e kohës, të dy pjesët e trurit do të punojnë së bashku: logjika do të kujtojë arsyet, dhe emocionet do t’ju mbështesin për të shmangur vendimin.

Kështu krijoni një zakon të ri, jo duke e shtypur të vjetrin, por duke e zëvendësuar me një ndjesi më të mirë, më të qëndrueshme dhe më të vlefshme për ju. / INC, Shqip.al

The post Çelësi për të ndryshuar një zakon të keq? Një moment reflektimi appeared first on Revista Monitor.

Si po përgatit Malajzia fuqinë punëtore për epokën e IA

By: Megi Dumi
22 June 2025 at 12:00

Përballë rrezikut që automatizimi të zëvendësojë rreth 620,000 vende pune, Malajzia po ndërmerr një qasje të bazuar në të dhëna dhe bashkëpunim për të përgatitur fuqinë punëtore për të ardhmen. Por përtej statistikave, qëllimi është të ruhet dinjiteti njerëzor në një epokë transformimesh teknologjike.

Për të kuptuar sfidat reale, agjencia TalentCorp realizoi një studim kombëtar mbi ndikimin e IA, dixhitalizimit dhe ekonomisë së gjelbër. Përveç vendeve të rrezikuara, u identifikuan 60 role të reja, 70% e të cilave në fushën e IA dhe teknologjive dixhitale, që po krijojnë mundësi të reja punësimi.

Për t’i paraprirë këtij ndryshimi, Malajzia do të investojë 10 miliardë ringgit (rreth 2.4 miliardë dollarë) në vit për arsimin dhe trajnimin profesional, pjesërisht përmes një takse ndaj kompanive private. Është krijuar platforma MyMahir, që ofron të dhëna në kohë reale për tendencat e tregut të punës dhe kërkesat për aftësi, si dhe Këshilli për Aftësitë e së Ardhmes, ku përfshihet industria për të siguruar që trajnimi të përputhet me nevojat reale.

Rezultatet e para janë premtuese: punëtorët e trajnuar përmes këtyre programeve kanë fituar 12% më shumë se mesatarja kombëtare. Objektivi afatgjatë është ngritja e “universiteteve të aftësive” të orientuara nga industria dhe të krahasueshme me diplomën klasike.

Në planin rajonal, Malajzia do të udhëheqë nismën ASEAN Viti i Aftësive 2025, në bashkëpunim me ILO. Në qershor do të hapet Java Kombëtare e Trajnimit, ku do të ofrohen 65,000 kurse të aksesueshme nga të gjithë qytetarët e ASEAN-it, një hap drejt ambicies për ta bërë këtë rajon më të kualifikuarin në botë.

Po ashtu, Malajzia është bashkëkryesuese e nismës globale për barazi midis gjinive në tregun e punës, në bashkëpunim me Forumin Ekonomik Botëror. Kjo përputhet me objektivin e kuadrit ekonomik, që synon të rrisë pjesëmarrjen e grave në tregun e punës përmes politikave të bazuara në të dhëna.

Në fund, Malajzia beson se teknologjia nuk duhet të na largojë nga natyra njerëzore. Pyetja nuk është si do të ndikojë IA, por si do të veprojnë qeveritë për të bërë të mundur, që askush të mos mbetet pas. Bëhet fjalë për më shumë se punë, bëhet fjalë për dinjitet. / WEF

The post Si po përgatit Malajzia fuqinë punëtore për epokën e IA appeared first on Revista Monitor.

Mësime drejtimi: Pse empatia fiton ndaj autoritarizmit në epokën dixhitale

By: Megi Dumi
18 June 2025 at 11:20

Ndërsa disa CEO rikthehen te stili komandues dhe autoritar, të dhënat tregojnë se liderët me inteligjencë emocionale arrijnë rezultate më të mira. Aftësi si empatia, vetëkontrolli dhe aftësia për të kuptuar të tjerët nuk janë “të buta”, por thelbësore për të ndërtuar ekipe funksionale dhe për të përballuar pasiguritë.

Pas pandemisë, shumë drejtues ndjenë se marrëdhënia me punonjësit ishte bërë tepër e njëanshme. Tani, në emër të efikasitetit dhe nën frikën e ndikimit të inteligjencës artificiale (IA), disa drejtues po rikthehen në hierarki të centralizuara. Kjo bie ndesh me përparimin që solli transformimi dixhital, ku decentralizimi dhe besimi ishin kyç për inovacion dhe përshtatje.

Në një rast studimor nga BCG, përdorimi i inteligjencës artificiale gjenerative u rrit me 89% kur menaxherët shpenzuar kohë për të përshtatur qasjen e trajnimit sipas mënyrës se si punonjësit e tyre e përvetësonin teknologjinë.

Shembujt më të suksesshëm nuk janë drejtuesit “të fortë” si Elon Musk, por ata si Tim Cook (Apple) dhe Satya Nadella (Microsoft), që tregojnë forcë përmes lidershipit njerëzor.

Pesë mësime që çdo drejtues duhet të mbajë parasysh:

1. Empatia nuk do të thotë butësi
Të kesh empati dhe mirëkuptim nuk nënkupton tolerancë të tepërt, por aftësi për të kuptuar dhe komunikuar me të tjerët. Kjo krijon mjedis për bashkëpunim dhe inovacion.

2. Kërkesat dhe mbështetja shkojnë bashkë
Drejtuesit njerëzorë vendosin pritshmëri të qarta dhe kërkojnë rezultate, por ofrojnë fleksibilitet dhe ndihmë. Ata kontrollojnë përparimin dhe përshtatin detyrat sipas aftësive të individëve.

3. Besimi ndërtohet me qëndrueshmëri
Të jesh i besueshëm është themeli i performancës së lartë. Në kompani ku punonjësit u besojnë drejtuesve, performanca është 11 herë më e lartë. Kultura e sigurisë dhe bashkëpunimit ndihmon në përballimin e ndryshimeve.

4. Nuk ka zgjidhje të vetme për të gjithë
Drejtuesit modernë nuk imponojnë një model pune. Ata përshtasin zgjidhjet sipas nevojave të ekipeve, për të përmirësuar rezultatet dhe për të ruajtur fleksibilitetin.

5. Gabimet janë pjesë e procesit
Drejtuesit e vërtetë pranojnë se mund të gabojnë dhe e lejojnë edhe ekipin të eksperimentojë. Kjo forcon besimin dhe nxit inovacionin.

Në një botë gjithnjë e më të dixhitalizuar, lidershipi njerëzor është thelbësor për të ruajtur ekuilibrin mes teknologjisë dhe marrëdhënieve njerëzore. Të kuptosh njerëzit do të jetë gjithmonë më e vlefshme se të flasësh me zë të lartë apo të mundohesh të imponosh. / MIT, Shqip.al

The post Mësime drejtimi: Pse empatia fiton ndaj autoritarizmit në epokën dixhitale appeared first on Revista Monitor.

Tipari i personalitetit që lidhet me rritjen e inteligjencës dhe lumturisë

By: Megi Dumi
11 June 2025 at 15:30

Disa njerëz janë të bindur se të jesh i zgjuar të bën të palumtur; sipas tyre, “thjeshtësia” dhe “lumturia” janë të ndërlidhura. Ata mendojnë se njerëzit më pak inteligjentë nuk e kuptojnë panoramën e gjerë, ndaj shqetësohen më pak. Mendojnë se ata nuk kanë standarde të larta, ndaj nuk përjetojnë dështime shpesh. Mendojnë se nuk janë kërkues, ndaj kanë më shumë miq.

Nëse mendoni se këta njerëz gabojnë — dhe e kundërta është e drejtë — mund të thoni se ata janë viktimë e efektit Dunning-Kruger, një mënyrë të menduari, që i bën njerëzit të besojnë se janë më të zgjuar dhe më të aftë se ç’janë në të vërtetë.

Ose thjesht mund të mbështeteni te shkenca. Sipas një studimi të publikuar në Psychological Medicine, nivelet e lumturisë janë më të larta te grupet me koeficientë inteligjence (IQ) më të larta dhe më të ulëta te grupet me IQ më të ulëta. Ata me IQ më të lartë ishin midis 120 dhe 129, ndërsa ata në kategorinë më të ulët ishin midis 70 dhe 99.

Bëhu më i zgjuar, bëhu më i lumtur.

Kjo është më e lehtë të thuhet sesa të bëhet, veçanërisht kur ka dallim mes të qenët i “arsimuar” dhe i “zgjuar”. Edhe pse kërkimet tregojnë se arritjet arsimore lidhen me mirëqenie më të lartë subjektive.

Inteligjenca mund të rritet, por kërkon përpjekje.

Por ajo që mund të bëni, duke filluar sot, është të jeni më të hapur. Sipas një studimi të publikuar në Proceedings of the National Academy of Sciences, që përfshiu një meta-analizë të mbi 1,300 studimeve me miliona njerëz, të qenët mendjehapur është i vetmi tipar personaliteti me një korrelacion të konsiderueshëm pozitiv me inteligjencën.

Koncepti i të qenët më të hapur, ka të bëjë me gatishmërinë tuaj për t’u përfshirë dhe për të eksploruar përvoja të reja, ide, informacione, marrëdhënie ndërpersonale, etj.

Gjithashtu, kini parasysh që është një nga pesë tiparet kryesore të personalitetit dhe një nga tiparet më të lehta për t’u krijuar ose mësuar. Do të thotë thjesht të jesh pak më pak i sigurt, më pak i sigurt që ke të drejtë, më pak i sigurt që di çfarë të pëlqen dhe çfarë jo, më tolerant ndaj paqartësisë, më i gatshëm për të bërë pyetje, më i gatshëm për të folur më pak dhe për të dëgjuar më shumë.

Si thotë Jeff Bezos: “Njerëzit më të zgjuar rishikojnë vazhdimisht kuptimin dhe qëllimin e tyre, rishqyrtojnë një problem që mendonin se e kishin zgjidhur. Ata janë të hapur ndaj pikëpamjeve të reja, informacioneve të reja, ideve të reja, kundërshtimeve dhe sfidave ndaj mënyrës së tyre të të menduarit.”

Shkenca e mbështet atë. Një seri eksperimentesh të publikuar në Harvard Business Review tregojnë se edhe pse ndryshimi i mendjes mund të të bëjë të dukesh më pak i zgjuar, në fakt, të bën më të zgjuar. Një shembull: sipërmarrësit që përshtateshin, rishikonin dhe ndryshonin qëndrimet e tyre gjatë një konkursi prezantimi kishin gjashtë herë më shumë gjasa për të fituar.

Herën tjetër, që dyshoni në inteligjencën tuaj, mendoni sa shpesh keni ndryshuar mendim në ditët e fundit. Nëse përgjigjja është “jo shpesh”, ndoshta nuk jeni aq mendjehapur sa mund të ishit.

Mençuria nuk ndodhet të të qenët i sigurt. Mençuria është të dish që, megjithëse mund të dish shumë, ka edhe shumë që nuk di. Mençuria është të përpiqesh të gjesh atë që është e drejtë, jo të dëshmosh që ke të drejtë.

Përpiquni të jeni pak më mendjehapur. Do të mësoni gjëra të reja, do të përjetoni përvoja të reja. Do të njihni njerëz të rinj. / INC, Shqip.al

The post Tipari i personalitetit që lidhet me rritjen e inteligjencës dhe lumturisë appeared first on Revista Monitor.

Diplomat universitare me shkallën më të lartë të papunësisë

By: Megi Dumi
9 June 2025 at 12:00

Ndërsa studentët peshojnë opsionet e tyre pasuniversitare, perspektivat e punës mbeten një konsideratë kyçe. Të dhëna të reja nga Banka Federale e Rezervës së Nju Jorkut, të azhurnuara që nga maji 2025, nxjerrin në pah se cilat diploma universitare kanë shkallët më të larta të papunësisë në fuqinë punëtore të SHBA-së.

Në krye të listës është antropologjia. Studentët e degës së antropologjisë përballen me një shkallë papunësie 9.4%, më e larta midis 20 fushave të analizuara.

Artet e bukura dhe sociologjia ndjekin nga afër, me shkallë papunësie 7.0% dhe 6.7%, përkatësisht. Këto diploma kanë tendencë të ofrojnë paga në mes të karrierës rreth 70,000 dollarë, duke i vendosur ato në fundin e poshtëm të spektrit të të ardhurave.

Është interesante se disa nga diplomat me pagat më të larta kanë gjithashtu shkallë relativisht të larta papunësie.

Për shembull, studentët e degës së inxhinierisë kompjuterike fitojnë mesatarisht 122,000 dollarë në mes të karrierës, por përballen me një shkallë papunësie 7.5%. Fizika (100,000 dollarë) dhe shkenca kompjuterike (115,000 dollarë) gjithashtu tregojnë shkallë papunësie mbi mesataren, përkatësisht 7.8% dhe 6.1%.

Burimi: Visual Capitalist

Ndërkohë, disa diploma në arte liberale vazhdojnë të tregojnë një mospërputhje midis pagës dhe punësimit. Studentët e degës së gjuhës angleze, historisë dhe arteve liberale zakonisht fitojnë midis 70,000 dhe 77,000 dollarëve në mes të karrierës, me shkallë papunësie që variojnë nga 4.6% në 5.3%.

Diplomat në komunikim dhe gazetari, të cilat ofrojnë fitime rreth 85,000 dollarë, tregojnë nivele pak më të ulëta papunësie, rreth 4.4% deri në 4.5%.

Fusha të tjera si ekonomia, shkencat politike dhe çështjet ndërkombëtare ofrojnë potencial më të fortë të ardhurash – shpesh duke tejkaluar 90,000 dollarë në mes të karrierës – por ende përballen me shkallë të moderuara papunësie, përgjithësisht midis 4.7% dhe 5.5%.

Ndërsa paga mbetet një tregues i fortë i rezultateve ekonomike, këto gjetje nënvizojnë se një pagë më e lartë nuk garanton gjithmonë sigurinë e punës.

Ndërsa tregu i punës vazhdon të evoluojë, studentët e ardhshëm mund të duan të peshojnë si potencialin e të ardhurave ashtu edhe punësimin në vendimet e tyre për arsimim. / VC, Shqip.al

The post Diplomat universitare me shkallën më të lartë të papunësisë appeared first on Revista Monitor.

Një zakon i thjeshtë për një jetë të suksesshme

By: Megi Dumi
30 May 2025 at 14:00

Kur bëhet fjalë për krijimin e një karriere të suksesshme, nuk ka shumë parime aq të fuqishme sa zakoni i përmirësimit të vetes.

Mark Cuban, sipërmarrës miliarder dhe investitor, ia atribuon pjesën më të madhe të suksesit të tij një ideje të thjeshtë, por të thellë: Investoni në veten tuaj.

“Disa nga investimet më të mira, që kam bërë ndonjëherë kanë qenë investimi në veten time, para së gjithash. Kur je në fillimet e tua – mund të kesh ose jo një punë, nuk ke para, je i pasigurt për karrierën tënde. Ajo që mësova herët është se nëse bëj përpjekje, mund të mësoj pothuajse çdo gjë.
Mund të më duhet shumë kohë, por duke bërë përpjekje, mësova vetë përdorimin e teknologjisë. Mësova vetë të programoja. Ishte e vështirë dhe m’u desh shumë kohë, por ky investim në vete më ka dhënë fryte për pjesën tjetër të jetës.
Unë e kuptova se të mësuarit ishte vërtet një aftësi dhe se duke vazhduar të mësoj deri më sot, jam në gjendje të konkurroj, të mbaj ritmin dhe të vazhdoj përpara shumicës së njerëzv, sepse realiteti është se shumica e njerëzve nuk i kushtojnë kohë të mësuarit. Dhe kjo gjithmonë më ka dhënë një avantazh konkurrues.” (Marc Cuban, 2020)

Më poshtë renditen pesë arsye praktike pse investimi te vetja është një nga lëvizjet më të zgjuara, që mund të bëni për të pasur sukses në biznes:

1. Bëheni avantazhi juaj konkurrues
2. Ndërtoni besim dhe qartësi
3. Ekipi pasqyron rritjen tuaj
4. Përmirësoh vendimmarrjen
5. Ju mbron nga lodhja dhe pikat e dobëta

Në fund të fundit, biznesi juaj mund të rritet vetëm aq shpejt aq sa vetë ju. Investimi te vetja nuk është opsional – është themelor. Siç tha Mark Cuban, përpjekja që bëni për të mësuar dhe për t’u zhvilluar sjell dividentë për gjithë jetën. Është investimi i vetëm, që asnjë rënie tregu ose konkurrent nuk mund t’jua heqë. / INC, Shqip.al

The post Një zakon i thjeshtë për një jetë të suksesshme appeared first on Revista Monitor.

Si ndikon koha e gjatë para ekranit në trurin tonë

By: Megi Dumi
28 May 2025 at 14:14

Vitin e kaluar, Shtëpia Botuese e Universitetit të Oksfordit shpalli si fjalë të vitit “brain rot” (kalbja e trurit) si fjalën e vitit, duke e përcaktuar atë si “përkeqësimin e gjendjes mendore ose intelektuale të një personi, të shkaktuar nga konsumimi i tepërt i materialeve të parëndësishme ose të mërzitshme që gjenden në mediat sociale dhe platforma të tjera online”.

Por nëse kjo përmbajtje po dëmton vërtet trurin – dhe si – mbetet e paqartë.

Zakonet e përdorimit të ekranit mund të ndikojnë në shëndet

Sipas Qendrës Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC), gjysma e adoleshentëve në SHBA kalojnë katër orë ose më shumë duke parë ekrane çdo ditë, dhe vlerësimet globale sugjerojnë se të rriturit mund të jenë online mesatarisht më shumë se gjashtë orë në ditë.

Nuk ka udhëzime shëndetësore për sa i përket numrit të orëve të kohës së përditshme para ekranit për adoleshentët ose të rriturit.

Ekspertëve dhe studiuesve u mungojnë të dhëna të mjaftueshme për të kuptuar plotësisht konceptin e kalbjes së trurit dhe çfarë mund të shkaktojë ajo.

Megjithatë, ka të dhëna të CDC, që tregojnë se 1 në 4 adoleshentë që qëndrojnë gjatë ose shpesh para ekranit raportojnë se ndihen të shqetësuar ose në depresion.

Disa studime sugjerojnë se problemet me përdorimin e internetit mund të fillojnë në moshë mjaft të re. Adoleshentët që kalojnë më shumë kohë para ekraneve mund të kenë më shumë gjasa të përjetojnë probleme të shëndetit mendor, duke përfshirë depresionin, ankthin, mungesën e vëmendjes/hiperaktivitet dhe simptoma fizike të lidhura si dhimbje, marramendje ose të përziera.

Kjo është sipas një analize të të dhënave të vitit 2024 nga studimi i Zhvillimit Kognitiv të Trurit të Adoleshentëve, studimi më i madh afatgjatë i zhvillimit të trurit të fëmijëve në SHBA.

Studime të tjera kanë lidhur potencialisht kalbjen e trurit me desensibilizimin emocional, mbingarkesën njohëse, vetëvlerësimin negativ dhe dëmtimin e funksioneve ekzekutive, duke përfshirë kujtesën, planifikimin dhe vendimmarrjen.

Ndryshimi i ‘dietës’ dixhitale

Sa më shumë kohë të rinjtë kalojnë para ekraneve, aq më pak kohë kalojnë duke qenë fizikisht aktivë ose duke pasur ndërveprime njerëzore ballë për ballë, që furnizojnë trurin në zhvillim me të dhëna kritike, aftësitë e shqisave dhe emocionale.

Si të kaloni kohë ‘më të zgjuar’ para ekranit

Të ndihmosh fëmijët – dhe të rriturit – të konsumojnë një dietë më të shëndetshme në internet nuk është e lehtë, sepse një pjesë e madhe e jetës moderne, nga detyrat e shkollës deri te blerjet, argëtimi dhe socializimi, përfshin aplikacione në internet.

Akademia Amerikane e Pediatrisë sugjeron, që familjet të zhvillojnë së bashku plane për kohën para ekranit dhe të inkurajojnë aktivitete që shtojnë krijimtarinë dhe lidhjet me familjen dhe miqtë.

Gjithashtu sugjeron, që prindërit të theksojnë rëndësinë e aktiviteteve ‘offline‘, siç janë sportet, muzika, arti dhe hobi të tjera. / Euronews, Shqip.al

 

 

The post Si ndikon koha e gjatë para ekranit në trurin tonë appeared first on Revista Monitor.

❌
❌