TIRANË, 6 prill /ATSH/ Kryeministri Edi Rama përcolli sot përmes një fotoalbumi zhvillimet kryesore të javës, që nga ndjekja nga afër e punimeve në kantierin e punës për ndërtimin e Qendrës Kombëtare të Kulturës për fëmijë, te shpallja e fituesit për projektidenë e rivitalizimit të stadiumit “Selman Stërmasi” dhe vizita zyrtare në Tel-Aviv, në Qendrën Mjekësore Sheba.
Në fillim të kësaj jave, Kryeministri Rama ndoqi nga afër punimet në kantierin e Qendrës së re Kombëtare të Kulturës për Fëmijë, aty ku ka nisur puna në kuadër të zhvillimit të projekteve infrastrukturore për avancimin e kulturës dhe artit në Shqipëri. Godina e pozicionuar pranë Parkut të Madh të Liqenit Artificial në Tiranë e bën këtë projekt, një një nga më të mëdhenjtë në Ballkan, që do të ofrojë kushte moderne për aktivitete social-kulturore, me fokus te zhvillimi i talenteve të reja dhe edukimi i artit për fëmijët.
Në fotoalbumin e aktiviteteve dhe ngjarjeve që shenjuan këtë javë, kreu i qeverisë ka ndarë foto edhe nga takimi i Komitetit të Përbashkët Konsultativ me Komitetin Ekonomik dhe Social të BE-së, ku e pranishme ishte edhe kryenegociatarja me BE-në për Shqipërinë, Majlinda Dhuka dhe ambasadori i BE-së në vendin tonë, Silvio Gonzato. Ky takim përurues i Komitetit të Përbashkët Konsultativ me Komitetin Ekonomik dhe Social të Bashkimit Europian solli në Tiranë përfaqësues të punëdhënësve, punëmarrësve dhe shoqërisë civile për të forcuar dialogun social dhe bashkëpunimin mes Shqipërisë dhe BE-së.
Kreu i ekzekutivit, i shoqëruar edhe nga zv.kryeministrja, Belinda Balluku inspektuan gjithashtu këtë javë punimet për modernizimin e infrastrukturës ekzistuese në një tjetër aks të rëndësishëm siç është superstrada Tiranë – Durrës, e cila do të kthehet në një autostradë të kategorisë A, duke shtuar korsitë e lëvizjes për një lehtësim të ndjeshëm të trafikut.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Balluku informoi se kjo është faza e parë e rikonstruksionit, rehabilitimit dhe zgjerimit të autostradës Tiranë – Durrës, rreth 33 km.
Kryeministri Rama dhe zëvendëskryeministrja Balluku inspektuan njëherësh edhe rrugën Ndroq-Plepa, projekt i cili është në fazën e parë të rehabilitimit dhe konsiderohet si një vepër e rëndësishme jo vetëm nga ana infrastrukturore, por edhe për zhvillimin ekonomik, bujqësor dhe agroturistik që po merr zona.
Kryeministri Rama, së bashku me ministrin e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit Blendi Gonxhja, kanë qenë këtë javë edhe në ambientet e Mozaikut të Tiranës për të parë nga afër formën përfundimtare të këtij projekti, si nga destinacionet më të rëndësishme turistike të kryeqytetit. Ky objekt unik, i cili ruan copëza të historisë sonë të Antikitetit, është i konceptuar jo vetëm për t’u shërbyer si muze, por edhe si një qendër edukimi dhe inovacioni për fëmijët.
Në fushën e kulturës një aktivitet i rëndësishëm në javën që po lëmë pas, Rama ka marrë pjesë edhe në eventin e hapjes së HangArt, një hapësirë e re kulturore që bashkon skenën e pavarur, institucionet kulturore dhe partnerët e tyre. “Ne kemi rritur ndjeshëm buxhetin, jemi duke punuar edhe për një sërë skemash të reja të cilat besojmë do t’i vijnë në shërbim njerëzve të kulturës, skenës, aktiviteteve të drejtpërdrejta në të gjitha fushat që mbulon ky art i gjerë institucional”, tha Rama.
Në fushën e arsimit, kreu i qeverisë Rama, si edhe ministrja e Arsimit dhe Sportit Ogerta Manastirliu zhvilluan këtë javë një takim me mësuesit në shkollën “Besnik Sykja” në kryeqytet. Sipas Ramës investimi në arsim dhe vlerësimi i mësuesve është po aq i rëndësishëm sa investimi në ushtri.
“Durana Tech Park”, ishte një tjetër aktivitet ku “banorët” e parë kanë marrë certifikatat e tyre. Durana Tech Park ofron një regjim tatimor shumë të favorshëm, i krijuar enkas për të maksimizuar fitimin e kompanive rezidente në techpark. Kryeministri Edi Rama, i pranishëm në këtë ceremoni, deklaroi se certifikimi i rezidentëve të parë në Durana, është produkti i parë konkret i një vizioni që dukej utopik.
Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm edhe në takimin e dytë të nivelit të lartë “Shqipëria 2030 në BE – Rruga e Reformave”, ku u shpreh se garantimi i pakthyeshmërisë së Reformës në Drejtësi mbetet sfida e sfidave.
“Celebrimi i atyre që kemi arritur është i lehtë, por përmirësimi dhe adresimi i asaj çfarë kemi mësuar në 10 vjet është i vështirë dhe nuk mund të ketë përmirësim të miradresuar nëse të gjithë nuk kontribuojnë nga këndvështrimi i tyre për si dhe qysh duhen prekur ligjet dhe si duhet ndërhyrë në ngrehinën që kemi ngritur së bashku, që ajo ngrehinë të funksionojë më mirë”, tha Rama.
Një tjetër projekt i rëndësishëm, është edhe ai i rijetëzimit të stadiumit “Selman Stërmasi”, ku në fazën finale të tij u shpall edhe studioja arkitekturore fituese “OMA” dhe partnerët e tjerë. Në fjalën e mbajtur në këtë aktivitet, kryeministri Edi Rama theksoi se kjo është një tjetër garë e organizuar nga Korporata Shqiptare e Investimeve për një tjetër zhvillim me shumë rëndësi në disa aspekte për kryeqytetin. Rama theksoi se ky projekt vjen pas projekteve për tre stadiume të tjera: në Durrës, Vlorë dhe Korçë, të cilat janë tani në fazë zhvillimi.
Në aspektin e sigurisë dhe mbrojtjes kombëtare, Kryeministri Rama, i shoqëruar edhe nga ministri i Mbrojtjes Pirro Vengu dhe shefi i Shtabit të Përgjithshëm të FA-ve gjeneral lejtnant Arben Kingji vizituan këtë javë Komandën e Forcës Tokësore, në Zall-Herr. Kryeministri Rama u takua me ushtarakë, oficerë e nënoficerë, si dhe studentë dhe të rinj të interesuar për t’u rekrutuar në radhët e Forcave të Armatosura Shqiptare.
Kreu i qeverisë ka ndarë edhe momente nga takimet “celulë më celulë” me shtabet elektorale të Partisë Socialiste Nr.3, Nr.11 dhe Nr.14, në kuadër të fushatës për zgjedhjet e 11 majit.
Në fund, Rama ka përcjellë edhe fotot nga vizita zyrtare sot në Izrael, në Qendrën Mjekësore Sheba në Tel-Aviv ku Kryeministri u njoh me inovacionin dhe teknologjinë e aplikuar në këtë qendër të ekselencës që renditet e teta në botë.
Nga fotoalbumi i Kryeministrit Rama me aktivitetet e zhvilluara gjatë javës
/r.e/
The post Rama ndan fotoalbumin e javës appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.