Normal view

Rama publikon analizën me inteligjencë artficiale për “Paketën e Maleve”: Ligji synon banorët e zonave malore, jo oligarkët

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale një analizë  mbi “Paketën e Maleve” sipas ChatGPT, duke reaguar ndaj kritikave dhe akuzave se kjo nismë ligjore është hartuar për t’u shërbyer investitorëve të mëdhenj apo oligarkëve.

Në postimin e tij, Rama sjell një shpjegim të dispozitave të ligjit, duke argumentuar se qëllimi i tij është t’u japë mundësi familjeve që jetojnë në zonat malore të formalizojnë dhe zhvillojnë pasuritë e trashëguara, të cilat për shkak të historisë së pronësisë në Shqipëri nuk kanë pasur dokumentacion të plotë.

LIGJI I “PAKETËS SË MALEVE” SIPAS CHATGBT, THJESHT E QARTË FARE

Shumica e kritikave për “Paketën e Maleve” nisen nga ideja se ligji u krijua për investitorë të mëdhenj, të huaj ose “oligarkë”. Nëse lexohet ligji, këto teza nuk qëndrojnë.

1. “Është bërë për oligarkët.”

Kjo është ndoshta kritika më e përhapur, por edhe më e vështira për t’u mbështetur juridikisht.

Një oligark nuk ka nevojë për një ligj që kërkon të provosh posedimin faktik të tokës për të paktën 10 vjet siç thotë shprehimisht ky ligj. Paketa e Maleve nuk u krijon një rrugë të re investitorëve të mëdhenj; ajo krijon një rrugë për njerëzit që prej dekadash jetojnë mbi një truall të trashëguar pa mundur ta formalizojnë atë.

Nëse një familje në Theth, Vermosh, Zagori, Lunxhëri apo Mokër ka punuar tokën e trashëguar prej brezash, por nuk ka një titull pronësie për shkak të historisë së ndërlikuar të regjimit komunist, tranzicionit dhe legjislacionit ekzistues të tokës, atëherë ky ligj i jep një mekanizëm për ta zhvilluar atë pronë.

Ky është subjekti real i ligjit

2. “Është bërë për të huajt.”

As kjo nuk rezulton nga ligji. Ligji nuk krijon një kategori të privilegjuar për shtetasit e huaj.

Madje, kushti më i rëndësishëm i tij – posedimi faktik shumëvjeçar i tokës – është pikërisht ai që shumica dërrmuese e investitorëve të huaj nuk mund ta plotësojnë.

Një investitor i huaj që vjen sot në Shqipëri nuk mund të deklarojë se ka poseduar tokën për dhjetë vjet.

Pra ai nuk hyn fare në mekanizmin kryesor të Paketës së Maleve.

3. “Është bërë për të pasurit.”

Edhe kjo tezë ka një problem logjik.

Nëse një person ka kapital të madh, ai mund të investojë edhe pa Paketën e Maleve.

Ligji nuk i krijon një privilegj të ri.

Ndërsa një familje që ka një kullë malesh, një stan, një fermë ose një truall të trashëguar, por nuk ka mundur kurrë ta formalizojë, pa këtë ligj nuk mund të marrë kredi, nuk mund të ndërtojë ligjërisht, nuk mund të zhvillojë agroturizëm dhe shpesh as nuk mund t’ua lërë fëmijëve të sigurt juridikisht.

Paketa synon pikërisht të zhbllokojë këtë situatë.

4. “Po pse 1 euro?”

Sepse shteti nuk po shet tokë për të mbledhur para, por po ia jep me kontratë ligjore tokën shtetërore poseduesit. Pasi ai realizon ndërtimin hipotekon edhe pronën.

Ky është një instrument i përdorur edhe në vende të tjera për të zhvilluar zona të braktisura.

5. “Po ua fal tokën.”

Jo.

Ligji nuk thotë se kush aplikon bëhet automatikisht pronar.

Duhet:

të provohet posedimi;

të verifikohet ligjshmëria;

të miratohet projekti;

të përmbushen kushtet kontraktore;

të realizohet investimi.

Nëse këto nuk ndodhin, mekanizmat ligjorë parashikojnë pasoja sipas kontratës dhe legjislacionit përkatës dhe toka mbetet shtet.

6. “Po favorizohen vetëm resortet.”

Kjo bie ndesh me vetë filozofinë e ligjit.

Projektet që synohen janë shumë më të gjera:

agroturizëm;

bujtina;

ferma;

punishte artizanale;

përpunim produktesh vendase;

aktivitete sportive e natyrore;

turizëm familjar.

Pra modeli është ekonomia lokale, jo vetëm investimi i madh.

7. “Po u merret prona pronarëve.”

Ligji nuk shpronëson pronën private të regjistruar.

Ai operon mbi prona shtetërore me posedues faktik ose mbi situata ku nuk ekziston një titull i formalizuar pronësie dhe ku legjislacioni i mëparshëm nuk ka dhënë zgjidhje për trashëgimtarët. Çdo konflikt pronësie vazhdon të trajtohet sipas mekanizmave ligjorë përkatës.

Në thelb, çfarë është Paketa e Maleve?

Nëse dikush thotë se është ligj për oligarkët, pyetja e thjeshtë është:

Cili oligark ka pritur dhjetëra vite duke jetuar në një stan, në një kullë mali apo në një pemëtore të trashëguar pa certifikatë pronësie?

Sepse ky është personi që ligji ka në mendje.

Paketa e Maleve nuk është një ligj për ata që kanë shumë kapital. Është një ligj për ata që kanë pasur tokë, kujtime, punë dhe rrënjë, por nuk kanë titull juridik pronësie. Ajo përpiqet ta kthejë atë kapital të fjetur në ekonomi reale: në bujtina, ferma, punishte, shtigje turistike, vende pune dhe jetë të rikthyer në zonat malore.

/gj.m/a.f/

The post Rama publikon analizën me inteligjencë artficiale për “Paketën e Maleve”: Ligji synon banorët e zonave malore, jo oligarkët appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Qytetarët në ditën e 55-t të protestës kundër investimit në Zvërnec

TIRANË, 24 korrik /ATSH/– Ka vijuar këtë të premte në Tiranë protesta e 55-të kundër investimit në zonën e Zvërnecit.

Aktivistë të shoqërisë civile dhe qytetarë u mblodhën fillimisht në sheshin “Skënderbej”, ku mbajtën pankarta dhe parulla me kërkesa politike, përfshirë thirrje për largimin e kryeministrit Edi Rama dhe ndryshime në sistemin politik.

Më pas, protestuesit nisën marshimin drejt godinës së Kryeministrisë, ku vijuan tubimin.

Në fjalën e rastit, protestuesit i’u përgjigjën Kryeministrit Rama lidhur me dokumentin e hartuar prej tij, të emërtuar “Besa”, me fokus përmirësimin e qeverisjes së vendit.

“Nuk ka besë për ty kryeministër pasi vetëm dje i preve në besë qytetarët që po protestojnë për 55 ditë…Rama po përpiqet ta zbusë dhe kërkon që pasi të japë dorëheqjen t’i shpëtojë drejtësisë, por pas dorëhqjes e pret drejtësia”.

Ndër të tjera, protestuesit përsëritën kërkesën për krijimin e një qeverie tranzitore, me argumentin se kjo do të mundësonte, sipas tyre, rikthimin e funksionimit demokratik të institucioneve

“Kërkesa e dytë për një qevreri tranzitore që sistemi të marrë oksigjen dhe të mundësojë demokracinë që mungon dhe që është marrë peng nga sistemi i inkriminuar”, tha një protestues

Kërkesat e protestuesve mbeten ndryshimi i ligjit zgjedhor, shfuqizimi i ligjit për investitorët strategjikë, kundërshtimi i Paketës së Maleve, si dhe ndryshimeve që lidhen me zonat e mbrojtura dhe trashëgiminë kulturore.

Pas fjalimeve të rastit, protestuesit zhvilluan marshimin e tyre të përnatshme.

Protesta është organizuar prej 55 ditësh, me fokus kryesor kundërshtimin e investimeve të planifikuara në zonën e Zvërnecit.

/gj.m/a.f/

The post Qytetarët në ditën e 55-t të protestës kundër investimit në Zvërnec appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëria prezanton progresin për trashëgiminë botërore në Sesionin e 48-të të Komitetit të UNESCO-s

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Shqipëria mori pjesë në Sesionin e 48-të të Komitetit të Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, zhvilluar në Busan, Republika e Koresë, ku prezantoi progresin e arritur në mbrojtjen dhe menaxhimin e pasurive të trashëgimisë botërore.

Në këtë forum, i cili mblodhi mbi 3 mijë delegatë dhe ekspertë nga 196 Shtete Palë të Konventës së Trashëgimisë Botërore, u diskutuan politikat dhe masat për ruajtjen e pasurive kulturore dhe natyrore me Vlerë Universale të Jashtëzakonshme.

Gjatë punimeve, delegacioni shqiptar prezantoi masat e ndërmarra për Parkun Kombëtar të Butrintit, ku Komiteti vlerësoi pozitivisht dokumentet teknike dhe strategjike, bashkëpunimin me komunitetin lokal dhe angazhimin për një menaxhim të qëndrueshëm sipas standardeve të UNESCO-s.

Vlerësim mori edhe puna për Qendrat Historike të Beratit dhe Gjirokastrës, me përparimin në Planin e Integruar të Menaxhimit, koordinimin institucional dhe masat për ruajtjen afatgjatë të këtyre pasurive.

Një tjetër çështje e rëndësishme ishte Rajoni i Liqenit të Ohrit, ku Shqipëria prezantoi masat për mbrojtjen e kësaj pasurie ndërkufitare, përfshirë shpalljen e Gadishullit të Linit si Ansambël Arkitektonik Urban, forcimin e kuadrit ligjor dhe bashkëpunimin me Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe UNESCO-n.

Pjesëmarrja në këtë sesion, sipas Ministrisë së Turizmit, Kulturës dhe Sportit, riafirmon angazhimin e vendit për zbatimin e standardeve të UNESCO-s, forcimin e bashkëpunimit ndërkombëtar dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore e natyrore për brezat e ardhshëm.

/gj.m/a.f/

The post Shqipëria prezanton progresin për trashëgiminë botërore në Sesionin e 48-të të Komitetit të UNESCO-s appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Mersini: Zjarri në Parkun Kombëtar të Llogarasë është shuar, vijon monitorimi

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Kryetarja e Bashkisë Vlorë, Bruna Mersini, ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjetet sociale se zjarri në Parkun Kombëtar të Llogarasë është shuar dhe vatrat e fundit të tymit janë neutralizuar.

Ajo falënderoi angazhimin e efektivëve të Forcave të Armatosura, strukturave të MZSH-së, punonjësve të Njësisë Administrative dhe strukturave të Zonave të Mbrojtura për ndërhyrjen dhe punën në terren.

Mersini theksoi se rreziku nga zjarret mbetet i vazhdueshëm dhe kërkoi kujdes maksimal nga banorët dhe vizitorët, si dhe njoftim të menjëhershëm të autoriteteve për çdo vatër zjarri apo shenjë tymi.

“Mos ndizni zjarr në ambiente të hapura, mos hidhni bishta cigaresh. Mbrojtja e Llogarasë dhe e çdo pasurie natyrore është përgjegjësi e përbashkët”, apeloi kryebashkiakja.

/gj.m/a.f/

The post Mersini: Zjarri në Parkun Kombëtar të Llogarasë është shuar, vijon monitorimi appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Rama: Agroturizëm Alpeta në Roshnik të Beratit, një destinacion ku bashkohen natyra, tradita dhe mikpritja shqiptare

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Kryeministri Edi Rama ka ndarë në rrjetet sociale një postim për Agroturizëm Alpetën në Roshnik të Beratit, duke e cilësuar si një destinacion ku natyra, mikpritja dhe tradita shqiptare ndërthuren në një përvojë autentike.

“Agroturizëm Alpeta, në Roshnik të Beratit, është një destinacion ku natyra, mikpritja dhe tradita shqiptare bashkohen në një përvojë autentike”, shkruan Rama në postimin e tij.

Sipas tij, vizitorët në këtë agroturizëm kanë mundësinë të përgatisin receta tradicionale, të shijojnë verërat e kantinës, të eksplorojnë vreshtat dhe të njihen nga afër me jetën në fshat.

Kryeministri thekson se kjo sipërmarrje familjare është mbështetur nga Agjencia për Zhvillim Bujqësor dhe Rural (AZHBR) përmes Skemës Kombëtare që në hapat e parë të aktivitetit, duke u shndërruar në një destinacion të preferuar për turistët vendas dhe të huaj.

“Një shembull i promovimit të turizmit rural, prodhimeve vendase dhe zhvillimit të qëndrueshëm të zonës”, thekson Rama.

/gj.m/a.f/

 

The post Rama: Agroturizëm Alpeta në Roshnik të Beratit, një destinacion ku bashkohen natyra, tradita dhe mikpritja shqiptare appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Barazia gjinore, diskutohet rritja e përfaqësimit të grave në vendimmarrjen vendore

TIRANË, 24 korrik /ATSH/  Rritja e pjesëmarrjes dhe përfaqësimit politik të grave në nivel vendor ishte në fokus të takimit të Grupit të Punës për Barazinë Gjinore dhe Gratë në Vendimmarrje, organizuar nga Prezenca e OSBE-së në Shqipëri, në partneritet me UN Women Albania.

Veprimtaria mblodhi përfaqësues të institucioneve publike, organizatave të shoqërisë civile dhe partnerëve ndërkombëtarë, të cilët diskutuan masa ligjore dhe praktike për parandalimin e kandidaturave fiktive dhe dorëheqjeve të grave të zgjedhura në këshillat bashkiakë.

Gjatë takimit u shkëmbyen gjithashtu ide për përmirësimin e financimit politik me orientim gjinor, në kuadër të procesit të reformës zgjedhore që po vijon.

Prezenca e OSBE-së bëri të ditur se, që prej vitit 2017, së bashku me UN Women Albania, bashkëdrejton këtë platformë, e cila synon të forcojë bashkëpunimin ndërmjet institucioneve vendase dhe partnerëve ndërkombëtarë për promovimin e mundësive të barabarta për gratë në vendimmarrjen politike dhe publike në Shqipëri.

/gj.m/a.f/

The post Barazia gjinore, diskutohet rritja e përfaqësimit të grave në vendimmarrjen vendore appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

Shqipëri-Meksikë, ambasadori i ri Valencia nis mandatin: Synim forcimi i bashkëpunimit dypalësh

TIRANË, 24 korrik /ATSH/ Ambasadori i ri i Meksikës në Shqipëri, Genaro Fausto Lozano Valencia, ka nisur zyrtarisht mandatin e tij diplomatik, duke zhvilluar takime me drejtuesit e institucioneve shqiptare dhe me komunitetin meksikan në vend.

Presidenti i Republikës, Bajram Begaj, pranoi letrat kredenciale të ambasadorit të ri, ndërsa gjatë ceremonisë u vlerësuan marrëdhëniet miqësore mes Shqipërisë dhe Meksikës, si dhe u shpreh gatishmëria për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit mes dy vendeve.

Ambasadori Valencia u prit edhe nga ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme, Ferit Hoxha. Gjatë takimit u theksua rëndësia e mbajtjes së kontakteve të rregullta të nivelit të lartë, forcimit të dialogut politik dhe zgjerimit të bashkëpunimit në fushat ekonomike, tregtare, kulturore dhe turistike.

Në një intervistë për Top Channel ambasadori u shpreh se ndihet i entuziazmuar për nisjen e misionit të tij në Shqipëri dhe për mundësinë për të kontribuar në thellimin e marrëdhënieve dypalëshe.

Ai vlerësoi gjithashtu komunitetin meksikan në Shqipëri, duke e cilësuar atë si një urë lidhëse mes dy vendeve dhe një përfaqësues dinjitoz të kulturës meksikane.

Mandati i ambasadorit të ri pritet t’i japë një shtysë të re zhvillimit të dialogut politik dhe zgjerimit të bashkëpunimit mes Shqipërisë dhe Meksikës.

/gj.m/a.f/

The post Shqipëri-Meksikë, ambasadori i ri Valencia nis mandatin: Synim forcimi i bashkëpunimit dypalësh appeared first on Agjencia Telegrafike Shqiptare.

❌